LIGJI PËR LEJET E MJEDISIT - Nr. 10 448, datë 14.7.2011

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR LEJET E MJEDISIT - Nr. 10 448, datë 14.7.2011

Postby Libraria UBT » 02 Aug 2015, 15:00

LIGJI PËR LEJET E MJEDISIT - Nr. 10 448, datë 14.7.2011

I Azhurnuar me Ndryshimet e ligjit
Ligji nr.44/2013 datë 14.2.2013
Ligji nr.60/2014, datën 19.6.2014


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim parandalimin, pakësimin dhe mbajtjen nën kontroll të ndotjes së shkaktuar nga disa
kategori veprimtarish, në mënyrë që të arrihet një nivel i lartë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi, shëndetit të
njeriut dhe cilësisë së jetës.

Neni 2
Objekti

Ky ligj përcakton:
a) rregullat për lejimin e zhvillimit të disa veprimtarive që shkaktojnë ndotje të mjedisit në Republikën e Shqipërisë;
b) masat e parashikuara për parandalimin e kësaj ndotjeje dhe, kur kjo nuk është e mundur, masat për
pakësimin e shkarkimeve të tyre të gazta, të lëngëta e të ngurta në ajër, ujë e tokë.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoriteti përkatës i qeverisjes vendore” është njësia e qeverisjes vendore në territorin e së cilës është vendosur instalimi.
2. “Agjencia Kombëtare e Mjedisit” ka kuptimin e dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
3. “Agjencia rajonale e mjedisit” është njësia rajonale përkatëse e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
4. “Depozitim gjeologjik i CO2” është injektimi i shoqëruar me depozitimin e rrymave (flukseve) të CO2
në formacione gjeologjike nëntokësore.
5. “Ditë” është një ditë pune, sipas përcaktimit të dhënë nga Kodi i Punës.
6. “Formacion gjeologjik” është nënndarja litostratigrafike, brenda së cilës mund të gjenden dhe
hartëzohen shtresa shkëmbore të caktuara.
7. “Gjendje e pranueshme e mjedisit” është gjendja në të cilën mjedisi i vendit në fjalë ishte para se
instalimi të vihej në operim. Arritja e kësaj gjendjeje kërkon masa që përfshijnë, por nuk kufizohen me:
* Ky ligj është përafruar plotësisht me këto direktiva: Direktiva 2008/1/KE e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e 15 janarit 2008 “Mbi
kontrollin dhe parandalimin e integruar të ndotjes”, e ndryshuar, numri CELX: 32008L0001, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, seria L,
nr.24, datë 29.1.2008, f. 8-29.
Direktiva 2001/80/KE e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e 23 tetorit 2001 “Mbi kufizimin e shkarkimeve të disa ndotësve në ajër nga
instalimet e mëdha me djegie”, numri CELEX: 32001L0080, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, seria L, nr.309, datë 27.11.2001, f. 1-21.
largimin e të gjitha mbetjeve që kanë tepruar, largimin sa më shumë të jetë e mundur të çdo lloj ndotjeje, dhe, aty ku ky largim nuk do të thotë trajtim praktik apo stabilizim i ndotjes, rehabilitimin e çdo dëmi që
mund të ketë shkaktuar ndotja, si dhe zbutjen e efekteve të çdo dëmi.
8. “Instalim” është çdo njësi teknike e palëvizshme, që kryen një ose shumë veprimtari, si dhe çdo lloj tjetër veprimtarie që lidhet drejtpërdrejt me të apo ka një lidhje teknike me veprimtaritë e zhvilluara në njësinë e mësipërme dhe që mund të ndikojë në shkarkimet dhe ndotjen;
9. “Instalim ekzistues” është:
a) një instalim që është në funksionim në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
b) një instalim që nuk është vënë ende në funksionim në datën kur ky ligj hyn në fuqi, por për të cilin është dhënë leja e ndërtimit, sipas përcaktimit të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, dhe ndërtimi i të cilit fillon brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
10. “Instalim i ri” është:
a) një instalim që nuk është instalim ekzistues;
b) një instalim ekzistues, për funksionimin e të cilit operatori nuk ka kërkuar pajisjen me lejen përkatëse të mjedisit, brenda periudhës kohore të përcaktuar në këtë ligj. Në këtë rast, ky instalim trajtohet si një instalim i ri.
11. “Inspektorati Shtetëror Kompetent” është autoriteti inspektues, sipas përcaktimit të dhënë në ligjin
nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
12. “Leje mjedisi e tipit A” është leja për veprimtaritë e përcaktuara në aneksin 1/A, e përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe e firmosur nga ministri, të lëshuar nga QKL-ja, që i jep të drejtën e funksionimit, tërësisht ose pjesërisht, instalimit të tipit A, sipas përcaktimit të këtij ligji, dhe që përmban të shkruara kushtet e nevojshme për të garantuar se instalimi përmbush kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi. Një leje mund të mbulojë një ose më shumë instalime ose pjesë të instalimeve në të
njëjtën vendndodhje dhe që operohen nga një i njëjti operator.
13. “Leje mjedisi e tipit B” është leja e përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe e firmosur nga ministri, e cila lëshohet nga QKL-ja, që i jep të drejtën e funksionimit, tërësisht ose pjesërisht, instalimit të tipit B, sipas përcaktimit të këtij ligji dhe që përmban të shkruara kushtet e nevojshme për të garantuar se instalimi përmbush kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi. Një leje mund të mbulojë një ose më shumë instalime ose pjesë të instalimeve në të njëjtën vendndodhje dhe që operohen nga një i njëjti operator.
14. “Leje mjedisi e tipit C” është leja e miratuar nga agjencia rajonale e mjedisit dhe e lëshuar nga QKLja, që i jep të drejtën e funksionimit, tërësisht ose pjesërisht, instalimit të tipit C, sipas përcaktimit të këtij ligji, dhe që përmban të shkruara kushtet e nevojshme për të garantuar se instalimi përmbush kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi. Një leje mund të mbulojë një ose më shumë instalime ose pjesë të instalimeve në të njëjtën vendndodhje dhe që operohen nga një i njëjti operator.
15. “Mjedis” ka kuptimin e dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
16. “Ministër” është ministri përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit.
17. “Ministria” është ministria përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit.
18. “Mbetje të rrezikshme”, “Mbetje jo të rrezikshme”, “Mbetje inerte”, “Mbetje urbane” dhe “Lendfill”
kanë kuptimin e dhënë në legjislacionin e posaçëm për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
19. “Muaj” është një muaj kalendarik.
20. “Ndotje” ka kuptimin e dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
21. “Ndryshim funksionimi”, në lidhje me instalimin, është një ndryshim në natyrën e funksionimit ose
një zgjerim i instalimit, që mund të ketë pasoja në mjedis.
22. “Ndryshim i konsiderueshëm”, në lidhje me instalimin, është një ndryshim në funksionimin e tij, i cili, në vlerësimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mund të ketë një efekt negativ të konsiderueshëm mbi njeriun dhe mjedisin. Çdo ndryshim apo zgjerim i veprimtarisë vlerësohet si i konsiderueshëm, në qoftë se ndryshimi apo zgjerimi prek pragjet përcaktuese të vendosura në këtë ligj, për instalimet e tipit A ose B.
23. “Normat e cilësisë së mjedisit” është një grup kushtesh që duhen përmbushur në një kohë të dhënë
nga një mjedis i caktuar ose një pjesë e veçantë e tij, sipas përcaktimit të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
24. “Normat teknike të shkarkimit në mjedis” janë vlerat teknike kufi të shkarkimit, që lidhen me
teknologjinë e prodhimit, makineritë dhe pajisjet në përdorim, sipas përcaktimit të ligjit nr.10 431, datë
9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
25. “Operator” është personi fizik apo juridik që operon ose kontrollon instalimin, apo të cilit i është deleguar fuqi ekonomike vendimtare për funksionet teknike të instalimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Si operator i një instalimi, që:
a) nuk është vënë ende në funksionim, konsiderohet personi që do të kontrollojë funksionimin e tij në të ardhmen;
b) nuk funksionon më, konsiderohet personi të cilit i ishte dhënë leje mjedisi për funksionimin e këtij instalimi.
26. “Publik” ka kuptimin e dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
27. “Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL)” është institucioni përkatës, sipas përcaktimit të ligjit nr.10
081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
28. “Rrymë CO2” është një fluks substancash që rezultojnë nga proceset e kapjes së CO2.
29. “Substancë” është çdo element kimik dhe përbërjet e tij, me përjashtim të substancave radioaktive dhe të organizmave të modifikuar gjenetikisht, sipas përcaktimit të dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
30. “Shkarkim” ka kuptimin e dhënë në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
31. “Shkarkim në ujë” janë shkarkimet në trupat ujorë, ku përfshihen shkarkimet në rrjetin e tubacioneve
të ujërave të zeza e të bardha.
32. “Teknikat më të mira të disponueshme (TMD)” është stadi më efektiv dhe më i përparuar i zhvillimit të veprimtarive dhe të metodave të operimit të tyre. Ky stad tregon se sa të përshtatshme janë praktikisht teknikat e veçanta për të siguruar, në parim, bazën për të përcaktuar vlera kufi të shkarkimeve, të tilla që të parandalojnë dhe, kur nuk është praktikisht e mundshme, të pakësojnë shkarkimet në përgjithësi dhe ndikimin mbi mjedisin në tërësi.
Për qëllime të këtij përkufizimi, me termat e mëposhtëm kuptojmë:
a) “Teknikë” është teknologjia dhe mënyra me të cilën instalimi është projektuar, ndërtuar, mirëmbajtur dhe çmontuar;
b) “Teknikë e disponueshme” janë teknikat e zhvilluara në atë nivel që mundëson përdorimin e tyre, në sektorin përkatës industrial, me rezultate të mira ekonomike e teknike. Vlerësimi i teknikave merr parasysh kostot dhe përparësitë, pavarësisht nga fakti nëse ato teknika përdoren apo prodhohen në Republikën e Shqipërisë, për sa kohë ato janë të arritshme nga përdoruesi;
c) “Më e mirë”, në lidhje me teknikat, është teknika më efektive për arritjen e një niveli të lartë të
përgjithshëm të mbrojtjes së mjedisit në tërësi.
33. “Vend depozitimi për CO2” është një hapësirë vëllimore në një formacion gjeologjik, që përdoret për
depozitimin gjeologjik të CO2 dhe të pajisjeve të sipërfaqes e të injektimit, që përdoren për këtë qëllim.
34. “Vlera kufi e shkarkimit” është masa e shprehur në disa parametra specifikë, përqendrimet dhe/ose
nivelet e shkarkimeve që nuk mund të tejkalohen në një ose më shumë periudha kohore.
35. “Biomasë” është produkt i përbërë, tërësisht ose pjesërisht, nga material bimor nga bujqësia ose pemëtaria, që mund të përdoret si lëndë djegëse, me qëllim rikuperimin e energjisë së përmbajtur në të, përfshirë mbetjet e mëposhtme, të përdorura si lëndë djegëse:
a) mbetje vegjetale nga bujqësia dhe pyjet;
b) mbetje vegjetale nga industria e përpunimit të ushqimeve, në qoftë se prej tyre mund të çlirohet nxehtësi;
c) mbetje vegjetale fijezore nga prodhimi i masës së celulozës dhe nga prodhimi i letrës nga druri, në
qoftë se digjen bashkërisht në vendin e prodhimit dhe rikuperohet nxehtësia e çliruar;
ç) mbetje nga lëvoret e pemëve;
d) mbetje drusore, me përjashtim të mbetjeve drusore që mund të përmbajnë përbërës organikë të halogjenuar ose metale të rënda, si rezultat i trajtimit me ruajtës ose me shtresa ruajtëse të drurit, dhe që përfshin në mënyrë të veçantë mbetjet drusore të krijuara nga mbetjet e ndërtimeve e të shembjeve.
36. “Impiant me djegie” është çdo aparaturë teknike, ku oksidohen lëndë djegëse, në mënyrë që të përdoret nxehtësia e gjeneruar.
37. “Impiantet e reja me djegie” është çdo instalim me djegie, për të cilin leja e ndërtimit apo e përdorimit
të veprimtarisë, sipas ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, është dhënë pas datës së miratimit të këtij ligji.
38. “Impiantet ekzistuese me djegie” është çdo instalim me djegie, për të cilin leja e ndërtimit apo e përdorimit të veprimtarisë, sipas ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, është dhënë para datës së miratimit të këtij ligji.
39. “Lëndë djegëse” është çdo material i djegshëm, i ngurtë, i lëngshëm apo i gaztë, i përdorur në instalimin me djegie, me përjashtim të mbetjeve, sipas përcaktimit të legjislacionit të posaçëm për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
40. “Mbetje të gazta” janë shkarkime të gazta, që përmbajnë substanca të ngurta, të lëngshme ose të gazta; fluksi vëllimor i tyre do të shprehet në m3/orë, në temperaturën standard (273°K) dhe presion (101,3 kPa) pas korrigjimit të përmbajtjes së avullit të ujit, (më poshtë referuar si Nm3/h).
41. “Njësi djegieje me shumë lëndë djegëse” është çdo impiant djegieje, ku mund të digjen njëkohësisht
ose në mënyrë të alternuar dy a më shumë lloje lëndësh djegëse.
42. “Përqindja e desulfurizimit” është përqindja e sasisë së squfurit që nuk shkarkohet në ajër, në instalimin me djegie, për një periudhë të dhënë kohe ndaj sasisë së squfurit në përmbajtjen e karburantit, të përdorur gjatë së njëjtës periudhë kohe, në këtë instalim.
43. “Turbinë me gaz” është çdo makineri rrotulluese që shndërron energjinë termike në punë mekanike dhe përbëhet kryesisht nga një kompresor, një njësi termike ku oksidohet lënda djegëse, në mënyrë që të ngrohë masën e lëngshme të punës, dhe një turbinë.
44. “Vlera kufi e shkarkimit” është sasia e lejueshme e një substance në masën e gaztë të shkarkuar në ajër nga instalimi me djegie, gjatë një periudhe të dhënë. Sasia e substancës llogaritet në terma të masës/për vëllim të gazeve të shkarkuara, të shprehura në mg/Nm3, duke konsideruar një përmbajtje vëllimore oksigjeni në gazet e shkarkuara: prej 3 për qind, në rastin e karburanteve të
lëngshme e të gazta,
6 për qind në rastin e karburanteve të ngurta dhe 15 për qind në rastin e turbinave me gaz.

Neni 4
Sistemi i lejeve të mjedisit

1. Në përputhje me ligjin nr.10431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”, krijohet një sistem prej tri
nivelesh të lejeve të mjedisit, të tipit A, B e C, si më poshtë:
a) leja e mjedisit e tipit A është e detyrueshme për kryerjen e veprimtarive të kategorisë A, lista dhe
pragjet përkatëse të të cilave janë përcaktuar në shtojcën 1/A të këtij ligji;
b) leja e mjedisit e tipit B është e detyrueshme për kryerjen e veprimtarive të kategorisë B, lista dhe
pragjet përkatëse të të cilave janë përcaktuar në shtojcën 1/B të këtij ligji;
c) leja e mjedisit e tipit C është e detyrueshme për kryerjen e veprimtarive të kategorisë C, lista dhe
pragjet përkatëse të të cilave janë përcaktuar në shtojcën 1/C të këtij ligji.
2. Autoritetet kompetente për lejet e mjedisit të tipave A, B dhe C janë si më poshtë:
a) Qendra Kombëtare e Licencimeve është autoriteti ku bëhet kërkesa dhe ku lëshohet leja e mjedisit të tipit A, B dhe C;
b) Ministri është autoriteti që firmos aktin e miratimit të lejeve të mjedisit të tipit A dhe B, pasi ato të shqyrtohen dhe përgatiten nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
c) Agjencia Kombëtare e Mjedisit është autoriteti që verifikon saktësinë e informacionit të dhënë nga operatori në kërkesën e tij për leje mjedisi të tipit A dhe B dhe që i jep mendimin e argumentuar ministrit për dhënien ose jo të kësaj lejeje, me kushte të detajuara, të shkruara, të cilat lëshohen nga QKL-ja;
ç) Agjencia rajonale e mjedisit është autoriteti që verifikon saktësinë e informacionit të dhënë nga operatori në kërkesën e tij për leje mjedisi të tipit C dhe që vendos për dhënien ose jo të kësaj lejeje, me kushte të detajuara, të shkruara, të cilat lëshohen nga QKL-ja;
d) Inspektorati Shtetëror Kompetent është autoriteti që verifikon plotësimin nga operatori të kushteve të
kësaj lejeje, pas lëshimit të saj nga QKL-ja.
3. Kushtet e lejes së mjedisit të tipave A, B dhe C rishikohen në çdo kohë nga ministria apo agjencia rajonale e mjedisit, nëse ka ndryshime në legjislacionin përkatës mjedisor, të cilit ato u përmbahen, dhe në raste kur konstatohet nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, nëse:
a) shfaqen elemente të reja ekologjike, të panjohura në kohën e dhënies së saj;
b) dalin dispozita të reja për mjedisin, që e kërkojnë shprehimisht ndryshimin e saj;
c) vërtetohet ndotje tej normave të lejuara;
ç) ka ndryshime themelore të veprimtarisë;
d) ka përparime në fushën e teknikave më të mira të mundshme, që lejojnë pakësimin e rëndësishëm të
shkarkimeve në mjedis dhe që nuk kërkojnë shpenzime të mëdha.

KREU II
LEJET E MJEDISIT TË TIPIT A


Seksioni 1
Procedura dhe metoda për përcaktimin e TMD-ve


Neni 5
Përcaktimi i TMD-ve

1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton TMD-të, për instalimet e kategorisë së tipit A, duke u mbështetur në:
a) përdorimin e teknologjisë që shkarkon pak mbetje;
b) përdorimin e substancave më pak të rrezikshme;
c) rikuperimin dhe riciklimin e mëtejshëm të substancave të përdorura dhe të çliruara nga proceset e punës, aty ku është e mundur;
ç) rikuperimin dhe riciklimin e mbetjeve, aty ku është e mundur;
d) procese, instalime ose metoda pune të krahasueshme me ato që janë provuar më parë me sukses në shkallë industriale;
dh) përparimet e teknologjisë dhe ndryshimet në njohuritë shkencore dhe kuptimin e tyre;
e) llojin, natyrën, efektet dhe vëllimin e shkarkimeve;
ë) datën e vënies në funksionim të instalimeve të reja dhe atyre ekzistuese;
f) kohën e nevojshme për zbatimin e TMD-ve;
g) llojin, natyrën dhe konsumin e lëndëve të para, përfshirë edhe konsumin e ujit të përdorur dhe efiçencën e energjisë;
gj) efiçencën e energjisë;
h) nevojën për të parandaluar ose, kur kjo nuk është e mundur, për të ulur në minimum, ndikimet e
përgjithshme dhe rreziqet e shkarkimeve në mjedis;
i) nevojën për të parandaluar aksidentet ose, kur këto ndodhin, për të minimizuar pasojat në mjedis;
j) çdo informacion të publikuar nga Komisioni Europian dhe organizatat ndërkombëtare për TMD-të, së
bashku me monitorimin dhe çdo përditësim të tyre.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, gjatë përcaktimit të TMD-ve, në përputhje me sa parashikohet në
pikën 1 të këtij neni, merr në konsideratë:
a) kostot dhe përfitimet e një veprimi dhe/ose mase të parashikuar;
b) respektimin e objektivave të mbrojtjes së mjedisit, të përcaktuara në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”;
c) respektimin e parimeve të politikës për mbrojtjen e mjedisit, të përcaktuara në ligjin nr.10 431, datë
9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.

Neni 6
Dokumentet e referencës për TMD-të

1. Përcaktimi i TMD-ve, në përputhje me nenin 5 të këtij ligji, mbështetet në:
a) dokumentet e referencës së TMD-ve, të përgatitura nga grupet teknike të punës;
b) dokumentet e referencës së TMD-ve, të përgatitura nga Komisioni Europian (EU-BREF);
c) praktikën më të mirë ndërkombëtare.
2. Ministri ngre grupet teknike të punës, me qëllim zhvillimin e dokumenteve të referencës së TMD-ve,
sipas përcaktimit të shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni dhe përcakton mënyrën e funksionimit të tyre.
3. Grupet teknike të punës, sipas përcaktimit të pikës 2 të këtij neni, përbëhen nga përfaqësues të:
a) ministrisë;
b) Agjencisë Kombëtare të Mjedisit;
c) Inspektoratit Shtetëror Kompetent;
ç) ministrive të tjera dhe sektorëve në varësi të tyre, kur sfera e tyre e kompetencave lidhet drejtpërdrejt me çështjen e trajtuar;
d) universiteteve ose institucioneve të tjera kërkimore, fusha e kërkimit e të cilëve lidhet drejtpërdrejt me çështjen e trajtuar;
dh) organizatave joqeveritare, fusha e veprimit e të cilave lidhet drejtpërdrejt me çështjen e trajtuar.
4. Çdo dokument reference i TMD-ve, i përgatitur nga një grup teknik pune, sipas pikës 2 të këtij neni, miratohet nga ministri.
5. Çdo dokument reference i TMD-ve, i miratuar sipas përcaktimit të pikës 4 të këtij neni, publikohet në mënyrë elektronike.
6. Agjencia Kombëtare e Mjedisit ngre dhe mirëmban sistemin e informacionit për dokumentet e referuara në pikën 1 të këtij neni. Sistemi i informacionit publikohet në mënyrë elektronike në faqen e saj zyrtare të internetit dhe është i hapur për publikun.

Neni 7
Zhvillimi i TMD-ve të reja

Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit marrin dhe përditësojnë informacionin për zhvillimin e
TMD-ve të reja.

Seksioni 2
Lejet e mjedisit të tipit A


Neni 8
Kërkesat e përgjithshme për përdorimin e lejes së mjedisit të tipit A

1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, instalimet e kategorisë A pajisen me leje mjedisi të tipit A, në përputhje
me përcaktimet e këtij ligji.
2. E njëjta leje mjedisi e tipit A mund të lejojë funksionimin e më shumë se një instalimi të të njëjtit
operator në të njëjtën vendndodhje. Instalimet e operatorëve të ndryshëm, që ndodhen në të njëjtën
vendndodhje dhe instalimet e të njëjtit operator, që ndodhen në vendndodhje të ndryshme kërkojnë leje të
veçanta të tipit A, B apo C, sipas rastit.
3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk përgatit lejen e mjedisit të tipit A, kur provon mbi baza objektive se:
a) pas zotërimit të asaj lejeje, kërkuesi nuk do të jetë operator i instalimit në fjalë;
b) kërkuesi nuk do të sigurojë funksionimin e instalimit, në përputhje me kushtet që do të përcaktohen në
lejen përkatëse të mjedisit të tipit A.
Për qëllime të këtij paragrafi, merret në konsideratë edhe historia e deriatëhershme e këtij kërkuesi të lejes
dhe/ose historia e deriatëhershme e instalimit.

Neni 9
Parimet e përgjithshme që përcaktojnë detyrimet thelbësore të zotëruesit të lejes së mjedisit të tipit A

Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton kushtet për lejet e mjedisit të tipit A, të tilla që të garantojnë se:
a) janë marrë të gjitha masat e duhura parandaluese të ndotjes, në mënyrë të posaçme përmes zbatimit të TMD-ve;
b) nuk shkaktohet ndotje në nivel të lartë;
c) gjenerimi i mbetjeve është parandaluar në përputhje me legjislacionin e posaçëm për menaxhimin e
integruar të mbetjeve. Aty ku gjenerohen mbetje, ato ripërdoren ose kur kjo është teknikisht dhe
ekonomikisht e pamundur, ato trajtohen duke parandaluar ose zbutur çdo ndikim në mjedis;
ç) energjia përdoret në mënyre efiçente;
d) uji përdoret në mënyrë efiçente;
dh) janë marrë masa të posaçme për të parandaluar aksidentet ose për të kufizuar pasojat e tyre;
e) në mbylljen përfundimtare të veprimtarisë, merren masat e nevojshme për të mënjanuar rreziqet e
ndotjes dhe për të kthyer mjedisin e vendit ku ndodhet instalimi në gjendje të pranueshme, siç përcaktohet
në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.

Neni 10
Kërkesa për leje mjedisi të tipave A, B dhe C

1. Kërkesat për leje mjedisi të tipit A, B dhe C paraqiten në QKL, në përputhje me kërkesat e
përgjithshme, sipas përcaktimit të dispozitave të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet
dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
2. QKL-ja e vlerëson kërkesën për leje mjedisi të tipit A, B dhe C si të vlefshme, vetëm kur kërkuesi ka
kryer ose provon që ka kryer pagesën e tarifës përkatëse, siç përcaktohet në nenin 26 të këtij ligji.
Kërkesa për leje mjedisi të tipit A, B dhe C nuk vlerësohet e kryer, në qoftë se ajo nuk shoqërohet nga
dokumenti që vërteton kryerjen e pagesës së tarifës përkatëse.

Neni 11
Shqyrtimi i kërkesës për leje mjedisi të tipave A, B dhe C

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, miraton kërkesat e posaçme për shqyrtimin e kërkesave për leje mjedisi të tipave A, B dhe C, për transferimin e lejeve nga një subjekt tek tjetri, kushtet e lejeve respektive të mjedisit, si dhe rregullat e hollësishme për shqyrtimin e tyre nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në këtë ligj, deri në lëshimin e këtyre lejeve nga QKL-ja.

Seksioni 3
Kërkesa shtesë për impiantet e mëdha me djegie


Neni 12
Fusha e zbatimit të seksionit 3

1. Ky seksion zbatohet për impiantet me djegie, fuqia termike e të cilave është e barabartë ose më e madhe se 50 MW, pavarësisht nga lloji i karburantit të përdorur (i ngurtë, i lëngshëm ose i gaztë), në përputhje me përcaktimin e pikës 2 të këtij neni.
2. Ky seksion zbatohet vetëm për impiantet me djegie, të projektuara për prodhimin e energjisë, me përjashtim të atyre që përdorin në mënyrë të drejtpërdrejtë produktet e djegies në procesin e prodhimit. Ky seksion nuk zbatohet për:
a) impiantet në të cilat produktet e djegies përdoren për ngrohjen, tharjen ose çdo lloj tjetër trajtimi të drejtpërdrejtë të objekteve ose materialeve, si p.sh., rinxehjen e furrnaltave, furrnaltat për trajtime me nxehtësi;
b) impiantet pas djegies, të tilla si aparaturat teknike të projektuara për të pastruar gazrat e mbetura
nëpërmjet djegies, të cilat nuk funksionojnë si një impiant me djegie, i pavarur;
c) impiantet për rigjenerimin e katalizatorëve të krekingut katalitik;
ç) impiantet për konvertimin e sulfurit të hidrogjenit në squfur;
d) reaktorët e përdorur në industrinë kimike;
dh) furrat e prodhimit të koksit;
e) furrat me tulla refraktare për prodhimin e gazit të nxehtë;
ë) aparaturat teknike, që përdoren për lëvizjen e automjeteve, anijeve ose avionëve;
f) turbinat e gazit, që përdoren në platformat në det;
g) turbinat e gazit, për funksionimin e të cilave është marrë leje para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji;
gj) çdo impiant që funksionon me motorë të ushqyer me benzinë, naftë ose gaz.
3. Në rastin kur dy a më shumë impiante të reja me djegie instalohen në mënyrë të tillë që, sipas
vlerësimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që merr parasysh faktorët teknikë dhe ekonomikë të tyre, mbetjet e gazta të tyre mund të shkarkohen nga një oxhak i përbashkët, kombinimi që përftohet prej tyre
konsiderohet si një njësi e vetme.

Neni 13
Programet e pakësimit të shkarkimeve

1. Ministria harton programet për pakësimin e vazhdueshëm të shkarkimeve të përgjithshme vjetore nga impiantet ekzistuese me djegie. Këto programe do të përcaktojnë afatet kohore dhe procedurat që zbatohen për pakësimin e shkarkimeve.
2. Programet e pakësimit të shkarkimeve sigurojnë respektimin e tavaneve të shkarkimeve ose përqindjet e pakësimit të dyoksidit të squfurit dhe oksideve të azotit, të përcaktuara në ligjin nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
3. Programi i pakësimit të shkarkimeve mund të rishikohet, në përputhje me kushtet e reja të krijuara, kur një ndryshim i ndjeshëm dhe i papritur i kërkesës për energji, i disponibilitetit të disa lëndëve djegëse të caktuara apo instalimeve të caktuara të gjenerimit të energjisë krijon vështirësi teknike serioze për zbatimin e tij. Rishikimi mund të përfshijë rishikimin e tavaneve të shkarkimeve ose të datave të vendosura për respektimin e këtyre tavaneve të shkarkimeve.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat e hollësishme për hartimin,
miratimin, rishikimin dhe zbatimin e programeve të pakësimit të shkarkimeve.

Neni 14
Vlerat kufi të shkarkimeve

1. Leja e mjedisit e tipit A për impiantet e reja me djegie përmban kushte për shkarkimet e dyoksidit të squfurit, oksideve të azotit dhe pluhurave, të cilat nuk janë më pak shtrënguese se vlerat kufi të
shkarkimeve, të përcaktuara në pjesën B të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji.
2. Leja e mjedisit e tipit A për impiantet ekzistuese me djegie përmban të dhëna për planin e përputhshmërisë, i cili siguron që, brenda datës 1 janar 2012, shkarkimet e dyoksidit të squfurit, oksideve të azotit dhe pluhurave do të jenë pakësuar deri, të paktën, në nivelin e vlerave kufi të shkarkimeve, të përcaktuara në pjesën A të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji.
3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mund të përjashtojë një impiant ekzistues me djegie nga detyrimi për përputhshmëri me vlerat kufi të shkarkimeve, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, në qoftë se:
a) operatori i atij impianti ekzistues me djegie, në marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, pranon, si pjesë të kushteve të lejes së mjedisit të tipit A, që ka kërkuar, të mos e shfrytëzojë impiantin me djegie më shumë se 20 000 orë pune nga data e marrëveshjes deri në një datë jo më të vonë se data 31 dhjetor 2025;
b) operatori, si kusht të lejes së mjedisit të tipit A, ka detyrimin të paraqesë në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, si pjesë të raportit të tij vjetor, një regjistër, ku përcaktohen koha e përdorur dhe ajo e papërdorur, në raport me kohën totale të lejuar për funksionimin e atij impianti me djegie.
4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për një impiant me djegie, i cili, në kushte normale, përdor lëndë djegëse me përmbajtje të ulët squfuri, mund të lejojë pezullimin e detyrimit për respektimin e vlerave kufi të shkarkimeve të dyoksidit të squfurit, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, në rastet kur:
a) operatori nuk ka mundësi të respektojë vlerat kufi të shkarkimeve, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me lëndë djegëse me përmbajtje të ulët squfuri, si pasojë e mungesës objektive të saj në treg;
b) periudha e pezullimit nuk zgjat më shumë se gjashtë muaj.
5. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mund të lejojë përjashtimin e një impianti me djegie që, në kushte normale, të përdorë vetëm lëndë djegëse të gazta, nga detyrimi për respektimin e vlerave kufi të shkarkimeve, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, në qoftë se:
a) ai impiant, në mënyrë përjashtimore dhe vetëm kur për shkak të një ndërprerjeje të papritur të furnizimit me gaz mund të përdorë, për një periudhë kohe jo më të gjatë se 10 ditë, lëndë djegëse të tjera që në kushte normale, për të respektuar vlerat kufi të sipërpërmendura, duhej të shoqëroheshin me një impiant pastrimi të mbetjeve të gazta;
b) afati prej 10 ditësh, i referuar në shkronjën “a” të pikës 5 të këtij neni, mund të zgjatet për shkak të nevojës madhore për furnizim të vazhdueshëm me energji;
c) operatori përkatës njofton paraprakisht Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
6. Në rastin e impianteve me njësi djegieje me shumë lëndë djegëse, vlerat kufi të shkarkimeve vendosen në përputhje me shtojcën 8 të këtij ligji.

Neni 15
Mbetjet e gazta

1. Mbetjet e gazta nga impiantet me djegie shkarkohen në mënyrë të kontrolluar nëpërmjet një oxhaku.
2. Leja e mjedisit e tipit A, sipas rastit, përmban edhe kushtet e hollësishme për shkarkimin e mbetjeve të gazta.
3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, kur merr në konsideratë kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, siguron që lartësia e oxhakut të përmendur në pikën 1 të këtij neni, të llogaritet në mënyrë të tillë që të ruajë shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Neni 16
Keqfunksionimet ose avaritë

1. Leja e mjedisit e tipit A, për çdo impiant me djegie përmban kushte lidhur me keqfunksionimet ose
avaritë e pajisjeve për pakësimin e ndotjes.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në rast avarie, kur kthimi në funksionimin normal të impiantit nuk është i mundur brenda 24 orëve, i kërkon operatorit të impiantit me djegie pakësimin ose ndalimin e operacioneve apo vazhdimin e funksionimit të impiantit me djegie, duke përdorur lëndë djegëse më pak ndotëse. Në asnjë rast, koha e përgjithshme e funksionimit në kushte avarie të një impianti me djegie nukmund të jetë më shumë se 120 orë në 12 muaj.
3. Operatori njofton Agjencinë Kombëtare të Mjedisit brenda 48 orëve nga ndodhja e avarisë.
4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mund të lejojë përjashtimin e impiantit me djegie, ku ka ndodhur avaria, nga kufizimi prej 24 orësh dhe 120 orësh, të referuar në pikën 2 të këtij neni, kur vlerëson se:
a) ka një nevojë madhore për furnizim të vazhdueshëm me energji;
b) impianti me djegie, ku ka ndodhur avaria, do të zëvendësohet brenda një periudhe të kufizuar kohe nga
një impiant tjetër me djegie, i cili do të shkaktonte një rritje të përgjithshme të shkarkimeve.

Neni 17
Impiantet me prodhim të kombinuar të energjisë elektrike e nxehtësisë dhe depozitimi gjeologjik i dyoksidit të karbonit

1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit në vlerësimin e kërkesës për leje mjedisi të tipit A, për një instalim të ri me djegie, shqyrton mundësinë teknike dhe ekonomike për realizimin e prodhimit të kombinuar të energjisë elektrike dhe nxehtësisë. Kur konfirmohet kjo mundësi, instalimet zhvillohen në përputhje me tregun dhe sistemin e shpërndarjes.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit vlerëson kërkesën për leje mjedisi të tipit A për një impiant me djegie, me prodhim nominal energjetik prej 300 MW ose më shumë, të cilit i është dhënë leja e parë e ndërtimit pas datës 25 qershor 2009, nëse plotëson kushtet e mëposhtme:
a) ka në dispozicion vende të përshtatshme për depozitimin e CO2;
b) mjetet e transportimit janë teknikisht dhe ekonomikisht të mundshme;
c) është ekonomikisht dhe teknikisht e mundshme që investimi për kapjen e CO2 të bëhet në këtë kohë tëmëvonshme.
3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton nëse kushtet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni plotësohen, duke gjykuar në bazë të vlerësimit të bërë nga kërkuesi në kërkesën për leje mjedisi, si dhe të çdo informacioni tjetër që lidhet në mënyrë të veçantë me mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut.
4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, kur vlerëson se kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni plotësohen, kërkon që në vendndodhjen e atij impianti të vihet në dispozicion hapësira e nevojshme për vendosjen e pajisjeve të nevojshme për kapjen dhe ngjeshjen e CO2.

Neni 18
Shtimi i kapacitetit ose ndryshimi thelbësor në funksionim

1. Vlerat kufi të shkarkimeve, të përcaktuara në pjesën B të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji, zbatohen për pjesën më të re të impiantit me djegie, kur kapaciteti termik i tij shtohet me të paktën 50 MW. Vlerat kufi të shkarkimeve përcaktohen në raport me kapacitetin termik të të gjithë impiantit me djegie. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet e referuara në shtojcën 8 pika 2 të këtij ligji.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, kur operatori i një impianti me djegie propozon një ndryshim thelbësor në funksionimin e tij, vendos në lejen e mjedisit të tipit A kushte që përcaktojnë se vlerat kufi për dyoksidin e squfurit, oksidet e azotit dhe pluhurin të jenë jo më pak shtrënguese se vlerat kufi të shkarkimeve, të përcaktuara në shtojcat 3 deri 7 të këtij ligji.

Neni 19
Vetëmonitorimi

1. Leja e mjedisit e tipit A, për një impiant me djegie, përmban kushte që sigurojnë se operatori i atij impianti:
a) vetëmonitoron shkarkimet e impiantit me djegie, në përputhje me shtojcën 9 të këtij ligji;
b) vetëmonitoron të gjitha vlerat e tjera për të siguruar respektimin e dispozitave të lejes së mjedisit të tipit A dhe të këtij ligji;
c) raporton në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratin Shtetëror Kompetent brenda limiteve kohore të arsyeshme, për:
i) rezultatet e çdo procesi të vazhdueshëm vetëmonitorimi;
ii) verifikimin e saktësisë së çdo pajisjeje matëse;
iii) secilën matje;
iv) të gjitha matjet e tjera që kërkohen në lejen e mjedisit të tipit A, për të siguruar respektimin e
dispozitave të lejes së mjedisit të tipit A dhe të këtij ligji.
2. Në rastet kur kërkohen matje të vazhdueshme të shkarkimeve, vlerat kufi të shkarkimeve sipas përcaktimit të pjesës A të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji, konsiderohet se janë respektuar në qoftë se vlerësimi i rezultateve tregon se gjatë funksionimit të impiantit në orët e punës, brenda një viti kalendarik, pa marrë parasysh periudhat e ndezjes, të fikjes dhe avaritë:
a) Asnjë nga vlerat mesatare gjatë një muaji kalendarik nuk tejkalon vlerat kufi të shkarkimeve;
b) Në rastet kur për:
i) dyoksidin e squfurit dhe pluhurin: 97 për qind e të gjitha vlerave mesatare gjatë 48 orëve të punës nuk tejkalojnë 110 për qind të vlerave kufi të shkarkimeve;
ii) oksidet e azotit: 95 për qind e të gjitha vlerave mesatare gjatë 48 orëve të punës nuk tejkalojnë 110 për
qind të vlerave kufi të shkarkimeve.
3. Në rastet kur kërkohen vetëm matje jo të vazhdueshme ose procedura të tjera të veçanta vlerësimi, vlerat kufi të shkarkimeve, sipas përcaktimit të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji, konsiderohen të respektuara në qoftë se rezultatet e çdo grupi matjesh nuk tejkalojnë vlerat kufi të shkarkimeve.
4. Vlerat kufi të shkarkimeve, gjatë funksionimit të një impianti të ri me djegie, në orët e punës brenda një viti kalendarik, pa marrë parasysh periudhat e ndezjes, fikjes dhe avaritë, konsiderohen të respektuara, nëse:
a) asnjë vlerë mesatare ditore e vërtetuar nuk tejkalon vlerat e përcaktuara në pjesën B të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji;
b) 95 për qind e të gjitha vlerave mesatare ditore, të vërtetuara përgjatë një viti, nuk tejkalojnë 200 për qind të vlerave përkatëse, sipas përcaktimit të bërë në pjesën B të shtojcave 3 deri 7 të këtij ligji. “Vlerat mesatare të validuara”, të referuara në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, përcaktohen në përputhje me sa parashikon pika 7 e shtojcës 9 të këtij ligji.
5. Operatori i secilit impiant me djegie raporton, çdo vit, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratin Shtetëror Kompetent për secilin impiant në një vendndodhje të caktuar:
a) shkarkimet vjetore të përgjithshme të SO2, NOx dhe pluhurat (si total i grimcave pezull);
b) sasinë vjetore të përgjithshme të energjisë së shfrytëzuar, lidhur me vlerën kalorifike neto, të zbërthyer në pesë kategori lëndësh djegëse: biomasë, lëndë të tjera djegëse të ngurta, lëndësh djegëse të lëngshme, gaz natyror, gaze të tjera.
6. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mban dhe përditëson një regjistër që përmbledh:
a) informacionin e mbledhur, në përputhje me përcaktimet e pikës 5 të këtij neni;
b) të dhënat për çdo periudhë kohe të lejuar, të përdorur ose jo, dhe për jetëgjatësinë funksionale të
mbetur të impiantit me djegie.

KREU III
LEJET E MJEDISIT TË TIPIT B


Neni 20
Kërkesat e përgjithshme për funksionimin e lejes së mjedisit të tipit B

1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, instalimet e kategorisë B pajisen me leje mjedisi të tipit B, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.
2. E njëjta leje mjedisi e tipit B mund të lejojë funksionimin e më shumë se një instalimi të të njëjtit operator, në të njëjtën vendndodhje. Instalimet e operatorëve të ndryshëm, që ndodhen në të njëjtën vendndodhje dhe instalimet e të njëjtit operator, që ndodhen në vendndodhje të ndryshme kërkojnë leje të veçanta të tipave A, B apo C, sipas rastit.
3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e përgatit lejen e mjedisit të tipit B kur provon mbi baza objektive se:
a) pas zotërimit të asaj lejeje, kërkuesi nuk do të jetë operator i instalimit në fjalë;
b) kërkuesi nuk do të sigurojë funksionimin e instalimit, në përputhje me kushtet që do të përcaktohen në lejen përkatëse të mjedisit të tipit B. Për qëllime të kësaj pike, merret në konsideratë edhe historia e deriatëhershme e këtij kërkuesi të lejes
dhe/ose historia e deriatëhershme e instalimit.

KREU IV
LEJET E MJEDISIT TË TIPIT C


Neni 21
Kërkesat e përgjithshme për funksionimin e lejes së mjedisit të tipit C

1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, instalimet e kategorisë C pajisen me leje mjedisi të tipit C, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.
2. E njëjta leje mjedisi e tipit C mund të lejojë funksionimin e më shumë se një instalimi të të njëjtit operator në të njëjtën vendndodhje. Instalimet e operatorëve të ndryshëm, që ndodhen në të njëjtën vendndodhje dhe instalimet e të njëjtit operator, që ndodhen në vendndodhje të ndryshme kërkojnë leje të veçanta të tipit C.
3. Agjencia rajonale e mjedisit nuk përgatit lejen e mjedisit të tipit C, kur provon, mbi baza objektive, se:
a) pas zotërimit të asaj lejeje, kërkuesi nuk do të jetë operator i instalimit në fjalë;
b) kërkuesi nuk do të sigurojë funksionimin e instalimit, në përputhje me kushtet që do të përcaktohen nlejen përkatëse të mjedisit të tipit C.Për qëllime të kësaj pike, merret në konsideratë edhe historia e deriatëhershme e këtij kërkuesi të lejes
dhe/ose historia e deriatëhershme e instalimit.

KREU V
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR LEJET E MJEDISIT


Neni 22
Efektet ndërkufitare në mjedis në territorin e një shteti tjetër

1. Ministri, kur informohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit se funksionimi i këtij instalimi në territorin e Republikës së Shqipërisë ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në mjedisin e një shteti tjetër, si dhe në rastet kur autoriteti kompetent i atij shteti, që mund të ndikohet negativisht në mënyrë të konsiderueshme, e kërkon atë, dhe i dërgon këtij:
a) një kopje të kërkesës për leje mjedisi të tipit A ose, sipas rastit, një kopje të kërkesës për rishikimin e
lejes ekzistuese apo të kushteve të saj;
b) sipas rastit, kur kërkesa është subjekt i një vlerësimi ndërkombëtar ndërkufitar të ndikimit në mjedis,
sipas ligjit nr.10 440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”;
c) kontaktet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku mund të sigurohet më shumë informacion dhe ku
duhet të dorëzohen komentet ose pyetjet;
ç) detajet për afatet e dorëzimit të këtyre komenteve apo pyetjeve;
d) natyra e vendimeve që mund të merren;
dh) sipas rastit, detajet e kërkesës për rishikim të lejes ekzistuese apo ndonjë prej kushteve të saj;
e) informacion për kohën, vendet apo mjetet, përmes të cilave mund të sigurohet ky informacion.
2. Këshilli i Ministrave miraton rregullat e komunikimit, konsultimit dypalësh dhe të vendimmarrjes,
lidhur me lejen përkatëse të mjedisit të tipit A, për funksionimin e instalimit të vendosur në territorin e
Republikës së Shqipërisë dhe që ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në
mjedisin e një shteti tjetër ose menjëherë pasi i kërkohet nga ky shtet.

Neni 23
Menaxhimi i informacionit

1. Të gjitha informacionet, lidhur me instalimet e kategorive A dhe B, bëhen publike dhe janë pjesë e sistemit të informacionit mjedisor, sipas përcaktimit të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
2. Agjencia rajonale e mjedisit e mban dhe përditëson regjistrin me të dhëna për instalimet e kategorisë C, që ndodhen brenda territorit ku shtrihet fusha e kompetencave të tyre. Ky regjistër është pjesë e sistemit të informacionit mjedisor, sipas përcaktimit të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
3. Informacioni i referuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni përfshin rezultatet e vetëmonitorimit, që kërkohen
si kusht për lejen përkatëse të atij instalimi.
4. Të dhënat, sipas përcaktimit të pikave 1 e 2 të këtij neni, të cilat konsiderohen si sekret shtetëror, në zbatim të legjislacionit për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, apo janë subjekt i mbrojtjes së legjislacionit në fuqi për të dhënat personale, të dhënat profesionale apo të dhënat tregtare, nuk bëhen publike dhe nuk transferohen nga një autoritet në një tjetër, sipas përcaktimit të këtij ligji, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Neni 24
Inspektimi

1. Inspektorati Shtetëror Kompetent kryen inspektime në instalimet e tipit A dhe B, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” dhe ligjit nr.10 433, datë. 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
2. Agjencia rajonale e mjedisit kryen inspektime në instalimet e tipit C, në përputhje me dispozitat e ligjit
nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
3. Operatori i instalimit, mbi të cilin zbatohet ky ligj, i jep Inspektoratit Shtetëror Kompetent gjithë asistencën e nevojshme për kryerjen e inspektimeve në atë instalim, për marrjen e mostrave dhe grumbullimin e gjithë informacionit të nevojshëm për realizimin e detyrave të veta, për qëllime të këtij ligji dhe në përputhje me kërkesat e ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”.

Neni 25
Tarifat për lejet e mjedisit

1. Subjekti kërkues i lejes së mjedisit paguan tarifën përkatëse për:
a) kërkesë për leje mjedisi të tipave A, B ose C;
b) kërkesë për një ndryshim të kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipit A ose të tipit B;
2. Tarifat për lejen e tipave A, B dhe C paguhen në ministri.
3. Operatori i instalimit i paguan çdo vit një tarifë vjetore, përkatësisht, ministrisë, për instalimet e tipave
A dhe B, dhe agjencisë përkatëse rajonale të mjedisit për instalimet e tipit C.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton vlerat përkatëse të tarifave, të përmendura në pikat 1 dhe 3 të këtij neni.
5. Ministria i kërkon QKL-së revokimin e lejes përkatëse të mjedisit të tipave A ose B, në rast se operatori
i këtij instalimi nuk ka kryer pagimin e tarifës përkatëse në zbatim të këtij ligji.
6. Agjencia përkatëse Rajonale e Mjedisit i kërkon QKL-së revokimin e lejes së mjedisit të tipit C, në rast
se operatori i këtij instalimi nuk ka kryer pagimin e tarifës përkatëse në zbatim të këtij ligji.
7. Të ardhurat që grumbullohen nga pagesa e tarifave të lejeve të mjedisit të tipave A, B dhe C derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Neni 26
Heqja dorë nga leja e mjedisit

1. Operatori i një veprimtarie, subjekt i një lejeje mjedisi të tipave A, B ose C, sipas përcaktimit të këtij
ligji, mund të bëjë një kërkesë në QKL për heqjen dorë, pjesërisht apo plotësisht, nga leja e mjedisit.
2. Ministri apo agjencia përkatëse rajonale e mjedisit, sipas rastit, miratojnë heqjen dorë, pjesërisht apo plotësisht, nga leja e mjedisit, në qoftë se vlerësojnë se operatori ka marrë masat e nevojshme:
a) për të shmangur një rrezik ndotjeje nga veprimtaria e instalimit;
b) për të kthyer territorin e veprimtarisë në gjendje të kënaqshme, duke pasur parasysh gjendjen e këtij
territori para se instalimi të fillonte veprimtarinë.
3. Ministria apo ARM-ja i përcjell QKL-së vendimin e miratimit të heqjes dorë nga leja e mjedisit.

Neni 27
Revokimi i lejes së mjedisit të tipit A, B dhe C

Ministri për lejet e mjedisit të tipit A dhe B dhe ARM-ja përkatëse, për lejet e mjedisit të tipit C mund të
pezullojë ose të revokojë lejen e mjedisit kur:
a) paraqitet kërkesë nga vetë mbajtësi i lejes;
b) mbajtësi i lejes nuk përmbush kushtet e parashikuara në lejen e mjedisit;
c) mbajtësi i lejes është dënuar, sipas legjislacionit në fuqi, për një vepër penale në fushën e mjedisit apo
ka kryer kundërvajtje administrative po në fushën e mjedisit;
ç) mbajtësi i lejes së mjedisit ka shkelur, në mënyrë të përsëritur, dispozitat e këtij ligji, gjë që ka çuar në
vënien e gjobave administrative, në përputhje me nenin 30 të këtij ligji;
d) mbajtësi i lejes nuk ka paguar gjobat administrative, të vëna në bazë të këtij ligji apo të çdo akti tjetër normativ mjedisor.

Neni 28
Ankimi

Çdo palë e interesuar, subjekt i këtij ligji, ka të drejtë të ankimojë në rrugë administrative, me kërkesë në QKL, ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve të ministrit, apo agjencisë rajonale të mjedisit, gjatë procesit të pajisjes me leje mjedisore, sipas kërkesave të nenit 30 të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 29
Kundërvajtjet

Ndryshuar me ligjin nr.44/2013, pikat 3,4,6,7,12 dhe shfuqizuar pika 5
1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) Zhvillimi i veprimtarisë që është subjekt i një lejeje mjedisi të tipave A, B ose C, sipas përcaktimeve të këtij ligji:
i) pa lejen përkatëse të mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë;
ii) pa lejen përkatëse të mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë;
iii) pa lejen përkatëse të mjedisit të tipit C, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë;
duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës të gjobës çdo ditë, deri në plotësimin e detyrimit.
b) Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të
tipave A, B apo C nga operatori i një instalimi:
i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë;
ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë;
iii) për lejet e mjedisit të tipit C, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë;
duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës të gjobës çdo ditë, deri në plotësimin e detyrimit.
c) Mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga operatori, në përputhje me përcaktimin e pikës 3 të nenit 16 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës të gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërputhjes.
2. Informacioni që i jepet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit apo agjencisë përkatëse rajonale të mjedisit nga operatori i një veprimtarie, subjekt i këtij ligji, nëpërmjet procesit të vetëmonitorimit, mund të përdoret për të vërtetuar përgjegjësinë penale apo administrative të atij operatori apo çdo personi tjetër në një çështje gjyqësore.
3. Pavarësisht nga dënimi kryesor me gjobë, të parashikuar në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, Agjencia Kombëtare e Mjedisit vetë ose me propozimin e Inspektoratit Shtetëror Përgjegjës, mund t'i propozojë ministrit pezullimin apo revokimin e lejes përkatëse të mjedisit për të gjithë veprimtarinë apo pjesë të saj, masë e cila është dënim plotësues.
4. Inspektori i Inspektoratit Shtetëror Përgjegjës shqyrton dhe merr përfundimisht vendimin në përputhje
me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
5. Shfuqizohet
6. Subjekti, ndaj të cilit vendoset masa administrative, mund të bëjë ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.
7. Gjoba paguhet brenda një periudhe prej 30 ditësh kalendarike.
8. Ministri, me propozimin e Inspektoratit Shtetëror Kompetent, në rastet kur gjoba nuk është paguar brenda afatit të përcaktuar vendos pezullimin e lejes përkatëse të mjedisit për të gjithë veprimtarinë apo pjesë të saj, deri në pagesën e gjobës dhe vendimi i pezullimit u dërgohet zyrtarisht QKL-së.
9. Subjekti, ndaj të cilit merret masa e pezullimit, ka të drejtën e ankimit te titullari i strukturës përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi.
10. Të ardhurat që vijnë nga vjelja e gjobave dhe nga dhënia e lejeve mjedisore derdhen në Buxhetin e Shtetit.
11. Zbatimi i kundërvajtjeve administrative nuk e shmang subjektin përkatës nga detyrime të tjera të përcaktuara në këtë ligj dhe nga përgjegjësia civile për dëmin e shkaktuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
12. Çdo masë administrative e marrë në zbatim të këtij ligji ekzekutohet në përputhje me legjislacionin në
fuqi për kundërvajtjet administrative.

KREU VI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 30
Dispozita të përkohshme për instalimet ekzistuese të tipit A dhe të tipit B

1. Të gjitha instalimet ekzistuese të tipit A dhe të tipit B do të zbatojnë të gjitha dispozitat e këtij ligji jo
më vonë se tetë vjet nga hyrja në fuqi e tij.
2. Operatori i një instalimi ekzistues të tipit A ose të tipit B, brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e këtij
ligji, i dërgon Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përmes QKL-së, kërkesën për rishikimin e kushteve të
lejes ekzistuese të mjedisit të tipit A ose të tipit B, sipas rastit, në përputhje me kërkesat e reja të këtij ligji
dhe planin e përputhshmërisë, së bashku me afatet përkatëse.
3. Plani i përputhshmërisë përmban informacionin e nevojshëm, sipas përcaktimit të shtojcës 10 të këtij
ligji, dhe paraqet mënyrën sesi operatori siguron zbatimin e dispozitave të pikës 1 të këtij neni.
4. Çdo leje mjedisi e tipit A ose të tipit B për operatorin e një instalimi ekzistues, e rishikuar, merr
parasysh planin e përputhshmërisë me afatet përkatëse. Ky plan pasi miratohet, bëhet pjesë përbërëse e
asaj lejeje mjedisi dhe i njoftohet QKL-së.
5. Lejet e tjera të mjedisit që operatori ka marrë për atë instalim ekzistues, sipas përcaktimeve të
legjislacionit për mbrojtjen e ajrit, mbrojtjen e ujit, menaxhimin e mbetjeve apo zhurmave ose akte të
tjera normative në fuqi, që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, pushojnë efektet e tyre, duke filluar nga data
kur bëhet e vlefshme leja e mjedisit të tipit A ose B, sipas rastit, e dhënë sipas këtij ligji dhe që rregullon e
detyron mbi operatorin të njëjtat kushte që janë përfshirë në ndonjë nga ato leje të tjera ekzistuese.
6. Dispozitat, sipas përcaktimit të pikës 5 të këtij neni, nuk zbatohen për lejet për nxjerrjen e ujit, që janë
subjekt i legjislacionit për mbrojtjen e ujit, zonat e mbrojtura dhe administrimin e mbrojtjen e pyjeve.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit bashkërendon veprimtarinë e saj me autoritetet përkatëse për dhënien e
lejeve për nxjerrjen e ujit, për të siguruar një qasje efektive dhe të integruar të procesit të dhënies së kësaj
lejeje, në veçanti kur merr vendime që lidhen me lejen e mjedisit të tipit A.

Neni 31
Dispozita të përkohshme për instalimet ekzistuese të tipit C

Të gjitha instalimet ekzistuese të tipit C zbatojnë dispozitat përkatëse të këtij ligji jo më vonë se dy vjet nga hyrja ne fuqi e ligjit

Neni 32
Dispozita kalimtare për funksione institucionale

1. Funksionet e dhëna nga ky ligj Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe agjencive përkatëse rajonale të mjedisit do të kryhen nga ministria në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe agjencitë përkatëse rajonale të mjedisit, për një periudhë jo më të gjatë se katër vjet
2. Periudha kalimtare, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, përfundon me urdhër të ministrit, i cili publikohet në Fletoren Zyrtare.
DISPOZITE KALIMTARE E VENDOSUR ME LIGJIN NR.44/2013 Neni 2 Dispozitë kalimtare
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e
organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

Neni 33
Raportimi për zbatimin e ligjit

1. Ministria publikon një raport për zbatimin e këtij ligji, brenda datës 30 tetor 2014, dhe çdo tre vjet për periudhën në vijim.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror Kompetent, agjencia rajonale e mjedisit, inspektorati rajonal i mjedisit, si dhe institucionet e tjera përkatëse i japin ministrisë informacionin e nevojshëm për përgatitjen e këtij raporti.
3. Formati i raportit miratohet nga ministri.

Neni 34
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 11, 13 pika 4, 22 pika 2 dhe 25 pika 4 të këtij ligji, brenda një periudhe 2-vjeçare nga data e botimit të tij në Fletoren Zyrtare.
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 32 pika 2 dhe 33 pika 3 të këtij ligji, brenda një periudhe 2-vjeçare nga data e botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Neni 35
Shfuqizime

1. Nenet 31, 33 dhe 34 të ligjit nr.8093, datë 21.3.1996 “Për rezervat ujore”, të ndryshuar, shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
2. Neni 18 i ligjit nr.9115, datë 24.7.2003 “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura”, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
3. Nenet 11 dhe 17 të ligjit nr.8897, datë 16.5.2002 “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, të ndryshuar,
shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Neni 36

Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 18 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.7063, datë 27.7.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi



Per shtojcat dhe anekset e ketij Ligji:
http://www.parlament.al/web/pub/ligj_nr ... 8183_1.pdf
http://www.mjedisi.gov.al/files/userfil ... edisit.pdf


.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 4 guests