LIGJ PËR VLERËSIMIN STRATEGJIK MJEDISOR1. Nr. 91/2013.datën 28.2.2013

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJ PËR VLERËSIMIN STRATEGJIK MJEDISOR1. Nr. 91/2013.datën 28.2.2013

Postby Libraria UBT » 05 Aug 2015, 19:11

LIGJ PËR VLERËSIMIN STRATEGJIK MJEDISOR1. Nr. 91/2013.datën 28.2.2013

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi dhe objekti

1. Qëllimi i ligjit është të sigurojë mbrojtje të lartë të mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm, përmes
përfshirjes së çështjeve të mjedisit gjatë hartimit, miratimit, rishikimit, ndryshimit ose modifikimit të
planeve a programeve me pasoja të mundshme negative në mjedis.
2. Ligji përcakton institucionet dhe të drejtat e përgjegjësitë e tyre, si dhe procedurat, sipas të cilave kryhet
vlerësimi strategjik mjedisor.

Neni 2
Fusha e zbatimit të ligjit

1. Procesit të vlerësimit strategjik mjedisor i nënshtrohet:
a) hartimi i të gjitha planeve dhe programeve për bujqësinë, pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë,
industrinë minerare, transportin, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionin,
turizmin, planet kombëtare e vendore të planifikimit të territorit urban e rural, përfshi dhe mbrojtjen e
peizazhit, të përdorimit të tokës, të cilat vendosin kuadrin për miratimin, në të ardhmen, të projekteve të
listuara në shtojcat 1 e 2 të ligjit nr. 10 440, datë 7.7.2011 "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis";
b) rishikimet, ndryshimet a modifikimet e planeve ose programeve, sipas fushave të shkronjës "a" të këtij
neni, që do të miratohen, i nënshtrohen vlerësimit strategjik mjedisor, sipas procedurës së kërkuar nga ky ligj;
c) për planet apo programet, të cilat, pavarësisht se nuk janë objekt i pikës 2 të këtij neni, konstatohet se
mund të kenë pasoja negative të rëndësishme në një zonë të mbrojtur me ligj, zbatohen procedurat, sipas
parashikimit të shkronjës "b" të pikës 1 të këtij neni.
2. Lista e detajuar e planeve apo programeve me pasoja negative të rëndësishme në mjedis, sipas
shkronjës "a" të pikës 1 të këtij neni, që do t'i nënshtrohen kërkesave të këtij ligji, miratohet nga Këshilli i
Ministrave, me propozimin e ministrit.
3. Për përcaktimin e listës së planeve apo programeve, në zbatim të pikës 2 të këtij neni, ministria bazohet
në kriteret e shtojcës I të këtij ligji, si dhe në legjislacionin përkatës në fuqi.
1 Ky ligj është përafruar plotësisht me:
Direktivën 2001/42/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 27 qershor 2001 "Për vlerësimin e
pasojave në mjedis të planeve dhe programeve të caktuara", Numri CELEX: 32001L0042, Fletorja Zyrtare e
Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 197, datë 21.7.2001, faqe 30 - 37.
4. Nëse plani apo programi i propozuar për miratim nuk i është nënshtruar kërkesave të këtij ligji, atëherë
autoriteti miratues nuk vijon me shqyrtimin e dhënien e vendimit përfundimtar dhe i kërkon autoritetit
propozues të fillojë menjëherë procedurat në përputhje me këtë ligj.
5. Procesit të vlerësimit strategjik mjedisor i nënshtrohen edhe planet e programet e financuara nga institucione të huaja.

Neni 3
Përjashtime

Nuk i nënshtrohen zbatimit të dispozitave të këtij ligji planet dhe programet, që kanë të bëjnë me sigurinë
kombëtare, emergjencat civile dhe ato që kanë të bëjnë me financat e Buxhetin e Shtetit.

Neni 4
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) "Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT)" ka kuptimin e dhënë në ligjin nr. 10119, datë
23.3.2009 "Për planifikimin e territorit", të ndryshuar.
b) "Autoriteti miratues" është çdo organ apo institucion shtetëror kompetent për miratimin e planeve dhe
programeve, sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji.
c) "Autoriteti propozues" është autoriteti përgjegjës për hartimin/rishikimin e një plani ose programi.
ç) "Dëgjesë publike" është organizimi i një konsultimi publik të posaçëm, nga ana e ministrisë, për të
tërhequr mendimet e publikut për pasojat në mjedis të planit apo programit, pasi autoriteti propozues ka
kërkuar dhënien e deklaratës së ministrit dhe përpara se ai të jetë dhënë nga ministri.
d) "Grupet e interesit" janë organizatat jofitimprurëse (OJF-të), personat fizikë apo juridikë, publikë a
privatë, dhe autoritete të tjera, veprimtaria e të cilave lidhet me planin apo programin e propozuar.
dh) "Ministria" është ministria përgjegjëse për mjedisin.
e) "Ministër" është ministri përgjegjës edhe për mjedisin.
ë) "Publik" ka kuptimin që është dhënë në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011 "Për mbrojtjen e mjedisit".
f) "Procesi i vlerësimit strategjik mjedisor (VSM)" nënkupton hartimin e një raporti të posaçëm për pasojat
në mjedis të një plani apo programi, realizimin e konsultimeve me grupet e interesit, si dhe marrjen në
konsideratë të rezultateve të raportit dhe konsultimeve në marrjen e vendimit përfundimtar për planin apo
programin, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj.
g) "Planet dhe programet" janë planet dhe programet, hartimi i të cilave kërkohet nga dispozita ligjore,
rregullatore dhe administrative, që përgatiten nga autoritetet planifikuese shte tërore në nivel kombëtar,
ndërvendor ose vendor dhe që përpara fillimit të zbatimit të tyre duhet të miratohen përmes një procedure ligjore të përcaktuar.
gj) "Pasoja të rëndësishme negative në mjedis të planit apo programit" i referohet çdo pasoje të dëmshme
dhe të pakthyeshme në mjedis, përfshirë, biodiversitetin, tokën, klimën, ajrin, ujin, peizazhin apo përbërës
të tjerë mjedisorë, si dhe ndërveprimin ndërmjet këtyre faktorëve e pasojave të tyre (ndikimet kumulative),
përfshi edhe shëndetin e njeriut.
h) "Qëndrimi për nevojën ose jo të VSM-së të një ndryshimi apo modifikimi të planit ose programit
ekzistues" nënkupton një qëndrim zyrtar të ministrisë, për shkak të pasojave të rëndësishme në mjedis; një
propozim për rishikim, ndryshim apo modifikim të një plani apo programi ekzistues duhet t'i nënshtrohet
procesit të VSM-së, sipas procedurës që përcakton ky ligj.
i) "Raporti i VSM-së" është raporti i hartuar në përputhje me parashikimet e neneve 8, 9, 10 e 11 të këtij ligji.
j) "Raport paraprak i vlerësimit strategjik mjedisor" është raporti i hartuar në përputhje me pikën 3 të nenit
10 të këtij ligji dhe që konsultohet me grupet e interesit.
k) "Raport përfundimtar i vlerësimit strategjik mjedisor" është një dokument i hartuar nga autoriteti
propozues, në përputhje me kërkesat e nenit 11 të këtij ligji.
I) "Regjistër i planifikimit" ka kuptimin e dhënë në ligjin nr. 10 119, datë 23.3.2009 "Për planifikimin e territorit", të ndryshuar.
II) "Vendimi i autoritetit miratues për planin apo programin" është vendimi për miratimin ose jo të tyre, i cili
merret pasi të jetë dhënë deklarata e ministrit, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

Neni 5
Integrimi i mbrojtjes së mjedisit

Institucionet përgjegjëse për hartimin apo ndryshimin, rishikimin ose modifikimin e planeve a programeve
sektoriale sigurojnë integrimin e parimeve të mbrojtjes së mjedisit që në fazën e hartimit të këtyre
dokumenteve dhe marrin masa për mbrojtjen e mjedisit gjatë zbatimit të tyre.

Neni 6
Parimet e mbrojtjes së mjedisit

Për qëllimin e këtij ligji, do të zbatohen, sa është e mundur, parimet e përcaktuara në kreun II të ligjit nr.
10 431, datë 9.6.2011 "Për mbrojtjen e mjedisit".

Neni 7
Fazat e procesit të vlerësimit strategjik mjedisor

Procesi i vlerësimit strategjik mjedisor kalon detyrimisht në këto faza të njëpasnjëshme:
a) njoftimi i ministrisë nga autoriteti propozues;
b) konsultimi me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së;
c) hartimi i raportit paraprak e konsultimi me grupet e interesit dhe publikun i raportit paraprak të VSM-së;
ç) hartimi i raportit përfundimtar të vlerësimit strategjik mjedisor;
d) shqyrtimi i propozimit dhe deklarata e ministrit; dh) vendimi i autoritetit miratues;
e) monitorimi dhe raportimi i pasojave në mjedis të planit apo programit.


KREU II
NJOFTIMI DHE KONSULTIMI ME GRUPET E INTERESIT PËR ÇËSHTJET E VSM-SË


Neni 8
Njoftimi i ministrisë

1. Autoriteti propozues, kur ndërmerr hartimin, ndryshimin, rishikimin ose modifikimin e një plani apo
programi, njofton paraprakisht ministrinë, duke i dërguar edhe informacionin e mëposhtëm:
a) qëllimin e propozimit, shoqëruar me të dhëna të tjera të nevojshme, si: relacion shpjegues, hartat e të
dhëna të tjera ndihmëse që disponon lidhur me propozimin;
b) arsyetimin për nevojën e hartimit, ndryshimit, rishikimit ose modifikimit të planit apo programit;
c) autoritetin miratues të planit apo programit;
ç) procedurën që do të zbatohet për hartimin, ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e planit ose programit,
si dhe afatet kohore të parashikuara për këtë.
2. Ministria, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, i përgjigjet, me shkrim, autoritetit propozues, ku përfshin:
a) qëndrimin e saj për nevojën ose jo të realizimit të procesit të VSM-së, në rast të rishikimit, ndryshimit
apo modifikimit të planit ose programit ekzistues;
b) procedurat që duhet të zbatojë, në kuadër të VSM-së;
c) çështjet që ministria kërkon të trajtohen në raportin e VSM-së;
ç) konsultimet që duhen bërë me grupet e interesit, përfshi dhe publikun;
d) paraqitjen e raportit të VSM-së për deklaratën e ministrit, në përputhje me nenin 12 të këtij ligji;
dh) faktin që propozimi, për shkak të ndikimeve të mundshme ndërkufitare të tij, mund të jetë objekt i
procedurës ndërkufitare të VSM-së, sipas përcaktimeve të nenit 17 të këtij ligji.
3. Ministria përdor edhe kriteret ndihmëse të shtojcës I të këtij ligji, për të përcaktuar çështjet, që kërkon të
përfshihen në raportin e VSM-së, si dhe për të vendosur për nevojën e VSM-së për rishikimin, ndryshimin
apo modifikimin e një plani ose programi ekzistues.
4. Për shprehjen e qëndrimit sipas shkronjës "a" të pikës 2 të këtij neni, ministria e dërgon për mendim
propozimin për ndryshimin ose modifikimin e planit apo programit te grupet e interesit, sipas pikës 1 të nenit 9 të këtij ligji.
5. Në zbatim të pikës 4 të këtij neni, grupet e interesit i përgjigjen ministrisë brenda 20 ditë ve nga marrja e
kërkesës për dhënien e mendimit të tyre, për nevojën ose jo të VSM-së për rishikimin, ndryshimin apo
modifikimin e planit ose programit të propozuar dhe, nëse ato nuk shprehen brenda afatit ligjor,
nënkuptohet se nuk kanë kërkesa për propozimin.
6. Në rast se ministria vendos se rishikimi, ndryshimi apo modifikimi i planit ose programit ekzistues duhet
t'i nënshtrohet VSM-së, atëherë atij i bashkëlidhen edhe sqarimet e kërkesat, sipas pikës 2 të këtij neni.
7. Përgjigjja e ministrisë, sipas pikës 2 të këtij neni, publikohet brenda 5 ditëve në faqen zyrtare të
internetit të ministrisë, ndërsa një kopje i dërgohet AKPT-së dhe grupeve të interesit, sipas pikës 4 të këtij neni.
8. Ndaj qëndrimit të ministrisë, sipas shkronjës "a" të pikës 2 të këtij neni, mund të bëhet ankim, sipas
parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji.

Neni 9
Konsultimi për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së

1. Autoriteti propozues, përpara fillimit të hartimit të raportit të VSM-së, konsultohet edhe me këto grupe
interesi, përgjegjësia e të cilave lidhet me planin apo programin, dhe u kërkon të paraqesin sugjerimet e
tyre për çështjet që duan të trajtohen në këtë raport:
a) institucionet e mbrojtjes së shëndetit publik;
b) njësitë e qeverisjes vendore;
c) institucionet e mbrojtjes së tokës bujqësore;
ç) shoqatat mjedisore (OJF) aktive në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të regjistruara sipas legjislacionit në fuqi;
d) institucionet e tjera që identifikohen me përgjegjësi në propozim (ministritë etj.).
2. Në zbatim të pikës 1 të këtij neni, grupet e interesit i përgjigjen autoritetit propozues brenda 20 ditëve
nga marrja e kërkesës. Në rast se ato nuk përgjigjen brenda këtij afati, atëherë nënkuptohet se nuk kanë
kërkesa të veçanta për t'u trajtuar në raportin paraprak të VSM-së, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3
të nenit 10 të këtij ligji.
3. Nëse grupet e interesit kanë kërkesa apo sugjerime për çështjet që duhet të trajtohen në raportin e VSMsë,
ato merren në konsideratë nga autoriteti propozues gjatë hartimit të raportit paraprak dhe përfundimtar të këtij raporti.


KREU III
RAPORTI I VSM-SË, KONSULTIMI DHE DEKLARATA E MINISTRIT


Neni 10
Hartimi dhe konsultimi i raportit paraprak të VSM-së me publikun dhe grupet e interesit

1. Hartimi i raportit të VSM-së është përgjegjësi e autoritetit propozues dhe përgatitet nga subjekte fizike
ose juridike të certifikuara nga ministria e të licencuara nga Qendra Kombëtare e Licencimit për vlerësimin e
ndikimit në mjedis, të cilët përzgjidhen dhe paguhen nga vetë autoriteti propozues.
2. Autoriteti propozues, pasi të ketë hartuar raportin paraprak të VSM-së, realizon konsultimin me publikun
dhe grupet e interesit, përfshirë dhe OJF-të, për rezultatet paraprake të raportit.
3. Raporti paraprak i VSM-së trajton këto çështje:
a) përshkrimin e qëllimit dhe objektivave kryesore të planit ose programit dhe të përputhjes se tij me plane
ose programe të tjera që lidhen me të, fazën e vendimmarrjes dhe sqarimet nëse disa çështje janë vlerësuar
ose do të vlerësohen në nivele dhe procese të tjera planifikimi;
b) përshkrimin e metodikës së zbatuar për hartimin e raportit të VSM-së, përfshirë vështirësitë e hasura
gjatë përgatitjes së tij, dhe burimet e informacionit ekzistues, që përdoren për qëllim të hartimit të raportit;
c) përshkrimin e alternativave të konsideruara gjatë hartimit, rishikimit, ndryshimit apo modifikimit të planit
ose programit të propozuar, përfshi edhe alternativën e mosplanifikimit (alternativa zero), si dhe arsyetimet përkatëse;
ç) objektivat për mbrojtjen e mjedisit, të përcaktuara në shkallë ndërkombëtare, nivel kombëtar, rajonal
apo lokal, të cilat lidhen me planin ose programin dhe mënyra në të cilën këta objektiva janë marrë në konsideratë në propozim;
d) përshkrimin e përbërësve të mjedisit në zonën e shtrirjes të planit ose programit të propozuar;
dh) përshkrimin e cilësisë së elementeve të mjedisit në zonën ku propozohet plani apo programi, të cilat
mund të ndikohen nga zbatimi i planit ose programit të propozuar;
e) ndërveprimet e mundshme me mjedisin të planit ose programit të propozuar, duke përfshirë në veçanti
problemet që lidhen me zona të një rëndësie të veçantë mjedisore, si zonat e mbrojtura;
ë) pasojat e mundshme negative në mjedis, duke përfshirë ndikimet në biodiversitet, në shëndetin e
njerëzve, në tokë, në ujë, në ajër, faktorët klimaterikë, trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike, peizazhin
apo dhe ndërveprimin ndërmjet këtyre faktorëve;
f) pasojat e mundshme negative në mjedisin ndërkufitar, në rast të zbatimit të nenit 17 të këtij ligji;
g) masat e parashikuara për të shmangur apo zbutur sa më shumë të jetë e mundur pasojat e ndikimeve në
mjedis, gjatë zbatimit të planit ose programit;
gj) identifikimin e investimeve apo të infrastrukturës mjedisore të nevojshme, në kuadër të planit apo programit të propozuar;
h) përshkrimin e masave të parashikuara për monitorimin e pasojave në mjedis gjatë zb atimit të propozimit;
i) përmbledhjen në gjuhë joteknike të raportit paraprak të VSM-së.
4. Raporti paraprak i VSM-së trajton edhe kërkesat e veçanta të ministrisë dhe të grupeve të interesit, të
konsultuara, sipas përcaktimeve të neneve 8 dhe 9 të këtij ligji, si dhe argumenton mosmarrjen parasysh të
sugjerimeve dhe komenteve në raportin paraprak të VSM-së.
5. Autoriteti propozues duhet të sigurojë njoftimin, informimin e konsultimin me publikun e grupet e
interesuara, duke u krijuar mundësi praktike dhe duke vënë në dispozicion, të paktën, 30 ditë kalendarike,
raportin paraprak të VSM-së, që të njihen dhe të shprehin mendimin e tyre në lidhje me cilësinë dhe
rezultatet paraprake të tij, si dhe të bëjnë sugjerime për mbrojtjen e mjedisit nga pasojat negative të planit
apo programit të propozuar.
6. Autoriteti propozues dokumenton procesin e konsultimit në raportin përfundimtar të VSM-së, në të cilin
pasqyron reflektimin e mendimeve, komenteve dhe sugjerimeve, si dhe argumenton mosmarrjen parasysh
të mendimeve apo sugjerimeve të ngritura gjatë procesit të konsultimit.
7. Zhvillimi i konsultimit me grupet e interesit dhe publikun, të raportit paraprak të VSM-së, është kusht i
domosdoshëm që ministria të marrë në shqyrtim dhe të miratojë deklaratën.
8. Në rast se ministria e sheh të nevojshme që, pas paraqitjes së kërkesës për dhënien e deklaratës, sipas
nenit 12 të këtij ligji, të organizojë vetë një dëgjesë me publikun, atëherë, brenda 10 ditëve nga marrja e
kërkesës për deklaratën, njofton autoritetin propozues, duke i argumentuar edhe nevojën për organizmin e dëgjesës publike.
9. Rregullat e procedurat për konsultimin me grupet e interesit dhe publikun, si dhe dëgjesën publike gjatë
procesit të VSM-së miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 11
Hartimi i raportit përfundimtar të VSM-së

1. Raporti përfundimtar i VSM-së përgatitet dhe paraqitet si dokument i veçantë nga dokumenti i planit ose i
programit të propozuar dhe, përveç çështjeve të përmendura në pikën 3 të nenit 10 të këtij ligji, trajton
edhe rezultatet e konsultimeve të raportit paraprak të VSM-së me grupet e interesit, publikun dhe shtetin
fqinj, në rast të një procesi ndërkufitar konsultimesh.
2. Në raportin përfundimtar të VSM-së argumentohet se si janë marrë në konsideratë kërkesat dhe
sugjerimet gjatë procesit të konsultimit, sipas neneve 8, 9 e 10 të këtij ligji.
3. Për efekt të hartimit të raportit paraprak dhe përfundimtar të VSM-së mund të përdoren, sa është e
mundur, të dhëna ekzistuese të vlefshme, që burojnë nga proceset pararendëse të planifikimit, përfshirë
edhe raporte ekzistuese të VSM-së dhe studime mjedisore që lidhen me planin apo programin e propozuar.
4. Me qëllim lehtësimin e zbatimit të këtij ligji, ministri miraton, me udhëzim të veçantë, metodikën
kombëtare të vlerësimit strategjik mjedisor.

Neni 12
Shqyrtimi dhe deklarata e ministrit

1. Deklarata e ministrit është qëndrimi zyrtar i ministrisë dhe kusht i domosdoshëm për marrjen në shqyrtim
për miratim të planit apo programit nga autoriteti miratues.
2. Autoriteti propozues i kërkon ministrit të japë deklaratë për planin apo programin e propozuar, pasi të
jetë realizuar konsultimi, sipas nenit 10 të këtij ligji, dhe të jetë hartuar raporti përfundimtar i VSM-së.
3. Në rast se ministria konstaton se autoriteti propozues nuk ka zbatuar kërkesat e këtij ligji, atëherë,
brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, ia komunikon autoritetit propozues mosmarrjen në shqyrtim për
miratimin e deklaratës, duke i dhënë edhe arsyet përkatëse. Një kopje të përgjigjes ministria ia dërgon edhe AKPT-së.
4. Për pajisjen me deklaratën, autoriteti propozues paraqet dokumentacionin e mëposhtëm:
a) kërkesën drejtuar ministrit, ku sqarohet edhe mënyra e zbatimit të kërkesave procedurale të këtij ligji, si
dhe vështirësitë e hasura gjatë tij;
b) dokumentin e planit apo programit të propozuar për miratim;
c) raportin përfundimtar të VSM-së, ku të përfshihen edhe kërkesat e mendimet e dhëna nga grupet e interesuara të konsultuara;
ç) përmbledhjen në gjuhë joteknike të raportit përfundimtar të VSM-së;
d) informacion për realizimin e konsultimeve me publikun dhe grupet e tjera të interesit bashkë me rezultatet përkatëse;
dh) faturën e tarifës së shërbimit për shqyrtimin e kërkesës nga ministria.
5. Deklarata e ministrit përmban:
a) qëndrimin e ministrisë lidhur me propozimin;
b) përputhjen e planit apo programit të propozuar me objektivat e mbrojtjes së mjedisit, përcaktuar në
dokumentet e politikës mjedisore, si Strategjia Ndërsektoriale e Mjedisit, si dhe legjislacionin mjedisor;
c) arsyetimin se si janë marrë në konsideratë mendimet e publikut për pasojat në mjedis të planit apo programit;
ç) sugjerimet e dhëna nga shteti i prekur dhe mënyrën sesi janë konsideruar në deklaratën e ministrit, në rast të zbatimit të nenit 17;
d) ndikimet e mundshme në mjedis të planit apo programit të propozuar;
dh) masat zbutëse që duhet të mer ren për mbrojtjen e mjedisit;
e) kërkesat për monitorimin mjedisor gjatë zbatimit të planit dhe programit;
ë) kërkesat për raportimin periodik në ministri të autoritetit propozues gjatë fazave të zbatimit të planit dhe
programit.
6. Ministri jep deklaratën për planin apo programit e propozuar brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës
nga autoriteti propozues.
7. Në rast të zhvillimit të dëgjesës publike, afatit kohor të përcaktuar në pikën 6 i shtohet edhe koha e
organizimit deri në përfundim të dëgjesës.
8. Deklarata e ministrit i njoftohet autoritetit propozues, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, si
dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të ministrisë.
9. Nëse plani apo programi nuk është miratuar sipas parashikimeve të nenit 13, brenda 2 viteve nga data e
miratimit të deklaratës, atëherë deklarata bëhet e pavlefshme dhe procedura e VSM-së fillon nga e para.
10. Në zbatim të këtij neni, ministri miraton rregulloren që do të zbatohet nga sektorët e ministrisë për
shqyrtimin deri në dhënien e qëndrimit dhe deklaratës së ministrit.
11. Tarifat e shërbimit për shqyrtimin e kërkesës nga ministria miratohen me udhëzim të përbashkët të
ministrit dhe Ministrit të Financave.

KREU IV
VENDIMI I AUTORITETIT MIRATUES, ANKIMI DHE MONITORIMI


Neni 13
Vendimi për miratimin e planit apo programit

1. Autoriteti kompetent për miratimin përfundimtar të planit ose programit sigurohet që përpara marrjes së
vendimit për miratimin ose jo të tyre, të jenë zbatuar kërkesat e këtij ligji dhe propozuesi të ketë marrë
deklaratën e ministrit, sipas nenit 12 të këtij ligji, ose në rast të rishikimit, ndryshimit apo modifikimit të
disponojë qëndrimin përkatës, ku ministria shprehet se propozimi nuk ka nevojë t'i nënshtrohet VSM-së.
2. Në vendimin përfundimtar autoriteti miratues argumenton se si janë marrë ose jo në konsideratë:
a) kushtet e kërkesat e ministrisë, të shprehura nëpërmjet qëndrimit sipas pikës 2 të nenit 8 të këtij ligji,
apo deklaratës së ministrit;
b) rekomandimet e raportit përfundimtar të VSM-së;
c kërkesat dhe sugjerimet e shtetit të prekur, në rast të zbatimit të nenit 17 të këtij ligji; ç) rekomandimet
dhe mendimet e publikut dhe palëve të interesuara; d) argumentimi për zgjedhjen e alternativës më të
favorshme të planit apo programit; dh) detyrimi për monitorimin e pasojave në mjedis gjatë zbatimit të
planit apo programit, në përputhje me kërkesat e nenit 15 të këtij ligji.
3. Autoriteti miratues e boton vendimin përfundimtar në regjistrin e planifikimit dhe një kopje të planit apo
programit të miratuar ia dërgon ministrisë.
4. Në rast të zbatimit të nenit 17 të këtij ligji, ministria ia njofton vendimin, sipas këtij neni, shtetit të prekur.

Neni 14
Ankimi

Grupet e interesuara, përfshi edhe publikun, mund të ankimojnë në rrugë administrative, siç parashikohet
në shkronjën "a" të nenit 137 të Kodit të Procedurave Administrative, deklaratën e ministrit dhe qëndrimin e
ministrisë brenda 30 ditëve nga data e miratimit e marrjes dijeni për to.

Neni 15
Programi i monitorimit mjedisor dhe raportimi i të dhënave

1. Programi i monitorimit mjedisor, gjatë zbatimit të planit dhe programit, synon të mbledhë të dhëna për
ndikimet konkrete dhe pasojat në mjedis gjatë zbatimit të tyre, si dhe verifikimin e ndikimeve e marrjen e
masave zbutëse shtesë, që duhet të zbatohen për të garantuar mbrojtjen e mjedisit.
2. Autoriteti propozues që zbaton ose mbikëqyr zbatimin e planit apo programit harton një raport vjetor për
masat e marra për mbrojtjen e mjedisit gjatë zbatimit, i cili i dërgohet ministrisë jo më vonë se java e fundit e muajit nëntor.
3. Në rast se ministria, strukturat e saj, njësitë e qeverisjes vendore apo edhe grupet e interesuara, përfshi
edhe publikun, konstatojnë se plani apo programi nuk zbatohet në përputhje me vendimin për miratimin e
tyre dhe nuk respektojnë kushtet e kërkesat e përcaktuara për mbrojtjen e mjedisit, atëherë ministria
njofton menjëherë autoritetin përgjegjës për zbatimin e miratimin e planit apo programit dhe, sipas
rrethanave, i kërkon sqarimet përkatëse apo ndalimin e menjëhershëm të zbatimit deri në sqarimin e situatës.
4. Nëse pasojat në mjedis e shëndet, sipas pikës 3 të këtij neni, tejkalojnë standardet mjedisore në fuqi,
atëherë ministria i kërkon autoritetit miratues e propozues të merren masat e duhura apo të konsiderohet
edhe ndryshimi i planit dhe programit, me qëllim që të përmbushen standardet mjedisore.
5. Me qëllim lehtësimin e realizimit të programit të monitorimit mjedisor të planit apo programit mund të
përdoren programe ekzistuese monitorimi, që përputhen me qëllimin e programit të monitorimit mjedisor të planit dhe programit.


KREU V
NDIKIMET NDËRKUFITARE


Neni 16
Vlerësimi i ndikimeve ndërkufitare në Shqipëri

Kur ministria merr informacion apo njoftim nga një shtet tjetër në lidhje me një plan ose program të
propozuar, i cili mund të ketë pasoja të rëndësishme mbi mjedisin ndërkufitar në Shqipëri, ajo fillon
menjëherë bisedimet me palën e origjinës, në përputhje me kërkesat e konventës së Kombeve të Bashkuara
"Për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar (ESPOO)" dhe protokollit të saj "Për vlerësimin
strategjik mjedisor (KIEV)", në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 17
Vlerësimi i ndikimeve ndërkufitare mbi një shtet tjetër

1. Kur ministria merr njoftimin, sipas nenit 8 të këtij ligji, dhe gjykon se një plan ose program i propozuar
mund të ketë pasoja të rëndësishme në mjedisin e një shteti tjetër, atëherë ajo zbaton kërkesat e
konventës së Kombeve të Bashkuara "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar (ESPOO)"
dhe protokollit të saj "Për vlerësimin strategjik mjedisor (KIEV)", në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, duke:
a) njoftuar shtetin fqinj që mund të ndikohet dhe duke e ftuar të marrë pjesë në procesin e VSM-së;
b) dërguar informacion për propozimin, procedurën dhe fazën e vendimmarrjes;
c) dhënë kohën dhe mundësinë për përfshirjen e autoriteteve përgjegjëse të tij dhe publikut të tij në procesin e VSM-së;
ç) marrë në konsideratë mendimet e tij dhe publikut të tij në dhënien e deklaratës dhe vendimin përfundimtar për planin apo programin;
d) njoftuar për vendimin përfundimtar dhe sesi janë marrë ose jo në konsideratë kërkesat e mendimet e tij dhe publikut të tij.
2. Për efekt të konsultimit të publikut të shtetit të prekur zbatohen të njëjtat afate kohore që i vihen në
dispozicion publikut vendas, siç përcaktohet në legjislacionin kombëtar.
3. Rregullat, përgjegjësitë dhe procedurat e detajuara për VSM-në në kontekstin ndërkufitar miratohen nga
Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit.


KREU VI
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE


Neni 18
Planet dhe programet që janë në proces përgatitjeje

Planet dhe programet që janë në proces përgatitjeje i nënshtrohen kërkesave të këtij ligji.

Neni 19
Raporti për zbatimin e ligjit

Ministria harton raportin e përvitshëm për zbatimin e këtij ligji, i cili publikohet në faqen zyrtare të internetit
të ministrisë, brenda muajit janar të vitit pasardhës.

Neni 20
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2 të nenit 2, të pikës 9 të
nenit 10 dhe të pikës 3 të nenit 17 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri që të miratojë udhëzimin, sipas pikës 3 të nenit 11 dhe rregulloren, sipas pikës 10 të
nenit 12 dhe, në bashkëpunim me Ministrin e Financave, të miratojnë udhëzimin sipas pikës 10 të nenit 12 të këtij ligji.

Neni 21
Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kreu IV i ligjit nr. 8934, datë 5.9.2002 "Për mbrojtjen e mjedisit", të
ndryshuar, dhe pika 5 e nenit 3 të ligjit nr. 8990, datë 23.1.2003 "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis", të
ndryshuar, si dhe çdo akt tjetër normativ, që bie në ndesh me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 28.2.2013
Shpallur me dekretin nr. 8057, datë 15.3.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani


SHTOJCA I
KRITERE NDIHMËSE

1. Shkalla në të cilën plani ose programi krijon kuadrin për zbatimin e projekteve dhe veprimtarive të
veçanta me ndikim në mjedis, të cilat specifikohen në shtojcat 1 dhe 2 të ligjit nr. 10 440, datë 7.7.2011
"Për vlerësimin e ndikimit në mjedis".
2. Cilësia e përbërësve të mjedisit në zonën e ndikimit të mundshëm të planit apo programit të propozuar
dhe problemeve mjedisore ekzistuese në këtë zonë.
3. Ndikimet negative mjedisore që mund të rezultojnë nga zbatimi i planit ose programit, duke konsideruar:
a) mundësinë e shfaqjes së ndikimeve negative dhe kohëzgjatja e natyra e tyre;
b) mundësinë e riaftësimit të gjendjes së mjedisit, si pasojë e ndaljes së ndikimeve negative në të
(kthyeshmëria ose pakthyeshmëria e ndikimit në mjedis);
c) natyrën kumulative të ndikimeve; ç) natyrën ndërkufitare të ndikimeve;
d) madhësinë dhe shtrirjen hapësinore të ndikimeve negative;
dh) pasojat e dëmshme të tij në mjedis, për shkak të cilësive mjedisore ekzistuese.
4. Shkalla, në të cilën plani ose programi mund të ketë ndikim në zonat e mbrojtura, peizazh apo
trashëgiminë kulturore e arkeologjike të mbrojtur me ligj.
Shkalla e përputhjes ose jo të planit apo programit të propozuar me objektivat kombëtarë e vendorë të
mbrojtjes së mjedisit dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm në vend.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest