LIGJI PËR MBROJTJEN E CILËSISË SË AJRIT NË MJEDIS1 - Nr. 162/2014.datë 4.12.2014

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR MBROJTJEN E CILËSISË SË AJRIT NË MJEDIS1 - Nr. 162/2014.datë 4.12.2014

Postby Libraria UBT » 06 Aug 2015, 18:35

LIGJI PËR MBROJTJEN E CILËSISË SË AJRIT NË MJEDIS1 - Nr. 162/2014.datë 4.12.2014

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të përmirësojë shëndetin publik dhe të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, nëpërmjet integrimit të çështjes së mbrojtjes së ajrit në politika të tjera, si dhe përcaktimit të kërkesave për pakësimin e shkarkimeve, monitorimin, vlerësimin, planet e cilësisë së ajrit, dhe për bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar për këtë qëllim.
_______________________________________________________________________________
1 Ky ligj është përafruar plotësisht me:
Direktivën e Parlamentit Europian dhe Këshillit 2008/50/KE, datë 21 maj 2008, “Për cilësinë e ajrit në mjedis dhe një ajër më të pastër në Europë”. Numri Celex 32008L0050, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 152 datë 11.6.2008. Direktivën e Parlamentit Europian dhe Këshillit 2004/107/KE, datë 15 dhjetor 2004, “Për arsenikun, kadmiumin, mërkurin, nikelin dhe hidrokarburet aromatike policiklike në ajrin e ambientit”, e ndryshuar.
Numri Celex 32004L0107, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 23, datë 26.1.2005, faqe 3-16.


Neni 2
Objekti

Objekti i këtij ligji është:
a) përcaktimi dhe vendosja e vlerave kufi, pragut të alarmit, pragut të informacionit dhe vlerave të synuara për disa lloje ndotësish në ajër, të listuar në aneksin I, bashkëlidhur këtij ligji;
b) përcaktimi dhe vendosja e objektivave për cilësinë e ajrit në mjedis që synojnë të shmangin, parandalojnë ose pakësojnë efektet e dëmshme në shëndetin publik dhe mjedisin në tërësi;
c) vlerësimi i cilësisë së ajrit në mjedis, në bazë të metodave dhe kritereve europiane;
ç) marrja e informacionit mbi cilësinë e ajrit në mjedis, duke synuar parandalimin e ndotjes së tij dhe pasojave që lidhen me të, monitorimin e tendencave afatgjata, si dhe përmirësimin e tij nëpërmjet masave kombëtare e ndërkombëtare;
d) bërja e mundshme për publikun e informacionit mbi cilësinë e ajrit në mjedis;
dh) ruajtja e cilësisë së ajrit në mjedis aty ku kjo është e mirë dhe përmirësimi i saj në
raste të tjera, përmes kufizimit të shkarkimeve nga burime të lëvizshme ose jo;
e) promovimi i bashkëpunimit me vendet e tjera për pakësimin e ndotjes së ajrit.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Ajër i mjedisit” është ajri i jashtëm në troposferë, që përjashton ajrin në vendet e punës, në mjediset e ndërmarrjes dhe/ose biznesit dhe çdo vend tjetër brenda tyre ku punonjësit hyjnë për shkak të punësimit të tyre e ku zbatohen dispozitat për shëndetin dhe
sigurinë në punë e ku publiku nuk hyn rregullisht.
2. “Ndotës” është çdo substancë e pranishme në ajrin e mjedisit, që ka mundësi të ketë
efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut dhe/ose mjedisin në tërësi.
3. “Nivel” është përqendrimi i një ndotësi në ajrin e mjedisit ose depozitimi i tij në sipërfaqe në një kohë të dhënë.
4. “Vlerësim” është çdo metodë e përdorur për matjen, llogaritjen, parashikimin ose çmuarjen e niveleve.
5. “Vlerë kufi” është niveli i caktuar që duhet arritur brenda një periudhe të caktuar dhe që kur është arritur nuk duhet kapërcyer, përtej të cilit përcaktohet dëmtues për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Vlera kufi përcaktohet në bazë të dijeve shkencore, me synim
shmangien, parandalimin ose pakësimin e efekteve të dëmshme mbi shëndetin e njeriut dhe/ose mbi mjedisin në tërësi.
6. “Kufiri i tolerancës” është vlera kufi e shprehur në përqindje, e cila mund të kapërcejë
një vlerë të caktuar, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
7. “Plani i cilësisë së ajrit” është plani që përcakton masat dhe indikatorët e cilësisë së
ajrit, që synojnë arritjen e vlerave kufi ose të vlerave të synuara.
8. “Vlera e synuar” është një nivel i caktuar që synon shmangien, parandalimin ose pakësimin e efekteve të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe/ose mjedisin në tërësi, për t’u arritur për një periudhë të caktuar kudo që është e mundur.
9. “Pragu i alarmit” është niveli, përtej të cilit një ekspozim i shkurtër i popullsisë në tërësi rrezikon shëndetin publik dhe për të cilin autoritetet kompetente duhet të marrin masa të menjëhershme.
10. “Pragu i informacionit” është niveli, përtej të cilit një ekspozim i shkutër i grupeve veçanërisht të prekshme të popullsisë rrezikon shëndetin dhe për të cilin nevojitet informacion i menjëhershëm dhe i përshtatshëm.
11. “Kontributi nga burimet natyrore” janë shkarkimet e ndotësve që nuk shkaktohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga aktivitetet e njeriut, përfshirë dukuritë natyrore, si: shpërthimet vullkanike, aktivitetet sizmike, aktivitetet gjeotermike, zjarret e tokave të
pakultivuara, dukuritë e erës së fortë, spërkatjet detare, ripezullimi atmosferik, rrezatimi
radioaktiv ose nga transporti i lëndës natyrore nga rajonet e thata.
12. “Zonë” është një pjesë e kufizuar e territorit të Republikës së Shqipërisë për qëllime të vlerësimit dhe menaxhimit të cilësisë së ajrit.
13. “Aglomerat” është një zonë me densitet popullsie prej më shumë se 3 000 banorë/km2
14. “Ministër” është ministri përgjegjës për mjedisin.
15. “Ministria” është ministria përgjegjëse për mjedisin.
16. “Publiku” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
17. “Njësia e qeverisjes vendore” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000,
“Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”.
18. “AKM”, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr. 10 431,
datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
19. “ARM”, agjencitë rajonale të mjedisit, kanë të njëjtin kuptim si në ligjin nr. 10431,
datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
20. “ISHMPU”, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, ka të njëjtin kuptim
si në ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.


KREU II
CILËSIA E AJRIT NË MJEDIS


Neni 4
Autoritetet kompetente

Autoritetet kompetente, sipas fushës së përgjegjësisë, janë, përkatësisht:
1. Ministria është autoriteti kompetent:
a) për miratimin e sistemit të matjes (metodat, pajisjet, rrjetet dhe laboratorët);
b) për bashkërendimin ndërinstitucional të punës për çështje të ndryshme që lidhen me cilësinë e ajrit;
c) për bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar për çështje të ndryshme që lidhen me cilësinë e ajrit.
2. AKM-ja është autoriteti kompetent:
a) për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis;
b) për sigurimin e saktësisë së matjeve;
c) për analizimin e metodave të vlerësimit.
3. Njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për masat që duhen marrë në kuadër të
legjislacionit të tyre të posaçëm, të cilat çojnë në ruajtjen ose përmirësimin e cilësisë së ajrit.
4. Ministritë e linjës janë përgjegjëse për masat që duhen marrë në kuadër të legjislacionit
të tyre të posaçëm, të cilat çojnë në ruajtjen ose përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Neni 5
Vlerësimi i cilësisë së ajrit në mjedis për disa ndotës

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, miraton vendimin që parashikon rregullat
për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit, në lidhje me ndotësit që listohen në aneksin I,
përfshirë detyrimet në lidhje me vlerat kufi, vlerat e synuara, pragun e alarmit, pragun e
informacionit dhe nivelet e tyre, si dhe kërkesën për pakësimin e ekspozimit kombëtar ndaj
PM2,5.

Neni 6
Përcaktimi i zonave dhe aglomerateve

1. Për qëllime të këtij ligji, territori i Republikës së Shqipërisë ndahet në zona dhe aglomerate.
2. Ministri, me propozim të Drejtorit të AKM-së, miraton me urdhër zonat dhe
aglomeratet, sipas pikës 1, të këtij neni. Ky urdhër publikohet në Fletoren Zyrtare.
3. Për të gjitha zonat dhe aglomeratet kryhet vlerësimi i cilësisë së ajrit, sipas rregullave për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis, të përcaktuara me vendim të Këshillit tëMinistrave, sipas nenit 5, dhe menaxhimi i cilësisë së ajrit, sipas neneve 7 dhe 8 të këtij ligji.

Neni 7
Planet e cilësisë së ajrit

1. Plani i cilësisë së ajrit përgatitet dhe zbatohet kur nivelet e dyoksidit të squfurit, dyoksidit të azotit, benzenit, monoksidit të karbonit, plumbit, lëndës së ngurtë pezull ose ozonit në ajrin e mjedisit, kalojnë vlerat kufi apo vlerat e synuara respektive, të përcaktuara
sipas nenit 5 të këtij ligji. Gjatë hartimit të planit marret parasysh kufiri përkatës i tolerancës, pavarësisht nëse ka kapërcyer ose jo data e arritjes së vlerës kufi apo vlerës së synuar respektive. Planet e cilësisë së ajrit për kapërcimet e PM10 përgatiten vetëm për ato zona dhe aglomerate ku kapërcimet shkaktohen nga burime të ndryshme nga ato natyrore apo nga hedhja e rërës apo kripës në rrugë gjatë dimrit. Plani i cilësisë së ajrit, përfshin gjithashtu monitorimin e treguesve të ndotjes së ajrit në hot spot-et e identifikuara.
2. Kur koha e arritjes së një vlere kufi ka kaluar, plani i cilësisë së ajrit duhet të përcaktojë masat e nevojshme për të siguruar sa më parë të jetë e mundur përputhshmërinë me vlerën kufi.
3. Plani i cilësisë së ajrit përfshin të paktën informacionin e listuar në seksionin A, të aneksit II, bashkëlidhur këtij ligji.
4. Plani i cilësisë së ajrit mund të përfshijë masa specifike që synojnë mbrojtjen e grupeve të ndjeshme të popullsisë, përfshirë fëmijët.
5. Plani i cilësisë së ajrit mund të përfshijë masa në mbështetje të planeve të veprimit afatshkurtër.
6. Plani i cilësisë së ajrit, sipas rastit, mund të përgatitet si një plan i integruar i cilësisë së
ajrit, kur kërkohet të përfshijë më shumë ndotës se ata të përmendur në pikën 1 të këtij neni.
7. Planet e cilësisë së ajrit, kurdo që është e mundur, duhet të jenë në përputhje me planet e tjera ekzistuese lidhur me kufizimin e shkarkimeve në ajër nga impiantet e mëdha medjegie, tavanet kombëtare të shkarkimeve në ajër apo zhurmave në mjedis.
8. Plani i aglomeratit dhe plani i zonës, kur zona është pjesë e një aglomerati ose e një
bashkie, përgatitet nga bashkia përkatëse dhe miratohet nga këshilli bashkiak.
9. Kur zona përbëhet nga më shumë se një aglomerat dhe/ose bashki, plani i zonës përgatitet nga bashkitë dhe miratohet nga këshillat bashkiakë përkatës ose miratohet një plan i përbashkët ndërvendor.
10. Plani kombëtar i cilësisë së ajrit miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, menjëherë pas fillimit të efekteve juridike të këtij ligji, rishikohet çdo 6 vjet dhe ndryshohet
kur gjykohet e nevojshme.
11. Ministria dhe/ose bashkia/bashkitë, kur përgatitin planet e cilësisë së ajrit, bashkëpunojnë me ministritë e linjës, AKM-në, ARM-të dhe ISHMPU-në. Ministritë e linjës,AKM-ja, ARM-të dhe ISHMPU-ja sigurojnë të gjithë informacionin përkatës që disponojnë.
12. Ministria dhe/ose bashkia/bashkitë që propozojnë të përgatitin, të ndryshojnë ose të rishikojnë një plan të cilësisë së ajrit duhet të dërgojnë projektin e planit në AKM dhe në ministritë përkatëse për komente, të cilat do të merren në konsideratë për përmirësimin e tij.
Konsiderohet se nuk ka komente, nëse ato nuk dërgohen brenda 30 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës.

Neni 8
Planet e veprimit afatshkurtër

1. Autoritetet e përmendura në pikat 8, 9 dhe 10, të nenit 7, të këtij ligji, duhet të përgatitin dhe të zbatojnë planin e veprimit afatshkurtër në çdo rast kur në ndonjë zonë ose aglomerat ekziston rreziku që nivelet e ndotësve të kapërcejnë një apo më shumë nga pragjet e alarmit, të përcaktuar sipas vendimit të referuar në nenin 5 të këtij ligji.
2. Plani i veprimit afatshkurtër duhet të përcaktojë masat që do të merren në periudhën afatshkurtër për pakësimin e rrezikut të kapërcimit të pragjeve të alarmit dhe, në rast se ato janë kapërcyer, për shkurtimin e kohëzgjatjes së një incidenti të tillë.
3. Bashkia/bashkitë përgatit/përgatitin dhe zbaton/zbatojnë një plan veprimi afatshkurtër për një zonë apo aglomerat kur ka rrezik të kapërcehet pragu i alarmit për ozonin, sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar në nenin 5, të këtij ligji, vetëm
nëse ato vlerësojnë se duke marrë parasysh kushtet gjeografike, meteorologjike dhe ekonomike të vendit, ka shumë mundësi për reduktimin e rrezikut, kohëzgjatjes apo masës së këtij kapërcimi. Në këto raste planet afatshkurtra mbajnë parasysh edhe kërkesat që lidhenme arsenikun, kadmiumin, nikelin dhe benzo(a)pirenin.
4. Bashkia/bashkitë mund të përgatitë/përgatitin, sipas rastit, plane të veprimit afatshkurtër, kur ekziston rreziku që të kapërcehen një ose më shumë vlera kufi apo vlera tësynuara, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave referuar nenit 5 të këtij ligji.
5. Planet e veprimit afatshkurtër, të përmendura në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të këtij neni, rast pas rasti, mund të kërkojnë masa efektive për të kontrolluar dhe, kur është e nevojshme, për të pezulluar aktivitetet që kontribuojnë në rrezikun e kapërcimit të vlerave kufi, vlerave të synuara apo të pragut të alarmit përkatës. Ato mund të përfshijnë masa për trafikun e automjeteve, punimet e ndërtimit, anijet e ankoruara, përdorimin e impianteve apo produkteve industriale dhe atyre të ngrohjes.
6. Planet mund të përfshijnë edhe veprime specifike që synojnë mbrojtjen e grupeve më të
prekshme të popullsisë, përfshirë edhe fëmijët.
7. Ministria dhe/ose bashkia/bashkitë që propozojnë të përgatitin, të ndryshojnë ose të rishikojnë një plan veprimi afatshkurtër, sipas pikave 1, 3 e 4, të këtij neni, duhet të dërgojnë projektin e planit në AKM dhe në ministritë përkatëse për komente, të cilat do të merren në konsideratë për përmirësimin e tij. Konsiderohet se nuk ka komente, nëse ato nuk dërgohen
brenda 30 ditëve pune nga marrja e kërkesës.

Neni 9
Pjesëmarrja e publikut në përgatitjen e planeve të cilësisë së ajrit

dhe planeve të veprimit afatshkurtër
1. Ministria ose bashkia/bashkitë publikojnë projektplanin e cilësisë së ajrit ose planin e veprimit afatshkurtër të ri, të ndryshuar apo të rishikuar, në faqet e tyre elektronike zyrtare, dhe e bëjnë të disponueshëm për komente për publikun.
2. Pas publikimit, sipas pikës 1, të këtij neni, ministria përgjegjëse për mjedisin dhe/ose bashkia/bashkitë duhet:
a) të informojnë publikun për propozimin dhe çdo informacion përkatës të mëtejshëm;
b) të informojnë publikun për të drejtën e tij për të marrë pjesë në përgatitjen e planit;
c) të përcaktojnë metodat, sipas të cilave publiku mund të marrë pjesë në këshillim;
ç) të përcaktojnë kohën e arsyeshme për këshillim;
d) të përcaktojnë adresën ku duhet të dërgohen komentet;
dh) të informojnë rreth përmbajtjes së planit.
3. Ministria dhe/ose bashkia/bashkitë, gjatë përgatitjes së planit, marrin parasysh
rezultatet e konsultimit, sipas pikës 1 të këtij neni.
4. Këshilli i Ministrave dhe këshillat bashkiakë miratojnë planin kombëtar ose planin e zonës apo aglomeratit pasi sigurohen se pjesëmarrja e publikut dhe këshillimi me të janë kryer në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin e posaçëm.
5. Plani, pasi miratohet, publikohet në faqet elektronike zyrtare të ministrisë dhe/ose bashkisë/bashkive.

Neni 10
Informimi i publikut për cilësinë e ajrit

1. Ministria duhet të bëjë rregullisht të disponueshëm për publikun dhe organizatat e interesuara informacionin e mëposhtëm:
a) për cilësinë e ajrit në mjedis sipas kërkesave të përmendura në aneksin III, bashkëlidhur këtij ligji;
b) për çdo shtyrje afati për përputhshmërinë me vlerat kufi për dyoksidin e azotit apo
benzenin, sipas kërkesave të vendimit të Këshillit të Ministrave referuar në nenin 5 të këtij ligji;
c) për çdo përjashtim nga afatet për përputhshmërinë me vlerat kufi për PM10, sipas
kërkesave të vendimit të Këshillit të Ministrave, referuar në nenin 5 të këtij ligji;
ç) për planet e cilësisë së ajrit;
d) për planet e veprimit afatshkurtër (përfshirë, sipas rastit, fizibilitetin, përmbajtjen dhe zbatimin e tyre);
dh) çdo kapërcim të secilës vlerë të synuar gjatë vitit, arsyet përkatëse dhe zonën ku ai ka ndodhur;
e) raportet vjetore për të gjithë ndotësit e përmendur në aneksin I, bashkëlidhur këtij ligji, të hartuar sipas kërkesave të nenit 11 të tij;
ë) një vlerësim të shkurtër për vlerat e synuara dhe efektet në shëndet dhe në mjedis.
2. Informacioni i përmendur në pikën 1, të këtij neni, duhet të jetë:
a) falas;
b) i qartë dhe i kuptueshëm;
c) i disponueshëm në kohën e duhur;
ç) i disponueshëm nëpërmjet çdo lloj medieje lehtësisht të aksesueshme, përfshirë
shtypin, internetin ose mjet tjetër të përshtatshëm telekomunikimi.
3. Organizatat e interesuara përfshijnë, në veçanti:
a) organizatat mjedisore;
b) organizatat e konsumatorëve;
c) organizatat që përfaqësojnë interesat e grupeve më të prekura të popullsisë;
ç) organet e tjera të kujdesit shëndetësor; dhe
d) industritë përkatëse, tregtarët, shoqëritë tregtare dhe ente të tjera juridike.

Neni 11
Raportet vjetore të vlerësimit të cilësisë së ajrit në mjedis

1. Raporti vjetor i vlerësimit të cilësisë së ajrit në mjedis për ndotësit e referuar në aneksin
I, bashkëlidhur këtij ligji, përgatitet nga AKM-ja, sipas kërkesave të vendimit të referuar në nenin 5 të këtij ligji.
2. Të dhëna të tilla duhet të përfshijnë, për periudhën mesatare përkatëse:
a) informacion të detajuar për të gjitha rastet, kur nivelet e ndotësve kanë kapërcyer vlerat
kufi dhe, sipas rastit, atë plus marzhin e tolerancës;
b) informacion të detajuar për të gjitha rastet, kur nivelet e ndotësve kanë kapërcyer vlerat e synuara ose nivelet kritike;
c) informacion të detajuar për të gjitha rastet, kur nivelet e ndotësve kanë kapërcyer objektivat afatgjatë;
ç) informacion të detajuar për të gjitha rastet, kur nivelet e ndotësve kanë kapërcyer pragjet e informacionit;
d) informacion të detajuar për të gjitha rastet, kur nivelet e ndotësve kanë kapërcyer pragjet e alarmit;
dh) një vlerësim përmbledhës të efekteve si rezultat i rasteve të përmendura në shkronjat “a” deri në “d” të kësaj pike;
e) informacioni i kërkuar sipas shkronjave “a” deri në “dh”, të kësaj pike, përfshin edhe:
i) listën e zonave dhe aglomerateve (në raportin e parë) apo ndryshimet që u janë bërë atyre (nga raporti i dytë e në vijim);
ii) listën e zonave dhe aglomerateve ku ka pasur kapërcime;
iii) sipërfaqen e territorit ku ka pasur kapërcime;
iv) vlerat e përqendrimit të ndotësve në këto territore dhe, nëse është e rëndësishme, edhe
datat e periudhat kur ato janë konstatuar;
v) arsyet pse ka ndodhur çdo kapërcim dhe burimet që kanë kontribuar;
vi) popullsinë e ekspozuar ndaj këtyre kapërcimeve;
vii) masat e marra për moskapërcimin e vlerave të synuara në përputhje me vendimin e
Këshillit të Ministrave, referuar nenit 5 të këtij ligji.
3. Raportet vjetore mund të përfshijnë edhe:
a) një vlerësim të niveleve të vlerësuara për të parë kontributet nga burimet natyrore dhe
ripezullimin e lëndës pezull, si rezultat i shtrimit të rrugëve me rërë ose kripë;
b) informacion të mëtejshëm dhe vlerësime për mbrojtjen e pyjeve.
4. Ministri miraton, me udhëzim, formatin që do të përdoret për raportimin vjetor për
vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis, sipas këtij neni.
5. Afati i dorëzimit të këtij raporti është brenda gjashtëmujorit të parë të vitit pasardhës.
Raporti i parë përgatitet për vitin kalendarik kur fillon efektet juridike vendimi i Këshillit të
Ministrave, referuar në nenin 5 të këtij ligji.
6. Raportet vjetore miratohen me urdhër të ministrit.


KREU III
SHKARKIMET NË AJËR


Neni 12
Shkarkimi nga burime të palëvizshme

Kërkesat për pakësimin e shkarkimit në ajër nga burime të palëvizshme, si dhe vlerat kufi të ndotësve për këto burime përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 13
Shkarkimi nga burimet e lëvizshme

1. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton vendimin për masat që duhet të merren kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike.
2. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton vendimin për masat që duhet të merren kundër shkarkimit të ndotësve të gaztë dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me djegie të brendshme që
instalohen në makineritë e lëvizshme jorrugore.
3. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton vendimin për masat që duhen marrë për reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje
me kompresion dhe ata me ndezje pozitive që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete.

Neni 14
Pakësimi i shkarkimeve në ajër nga përdorimi i lëndëve djegëse

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për industrinë,miraton:
a) vendimin për cilësinë e lëndëve djegëse benzinë dhe dizel;
b) vendimin për cilësinë e disa lëndëve të djegshme, të lëngshme, për përdorim termik,
civil e industrial, si dhe për përdorim në mjetet e transportit ujor (detar, lumor dhe liqenor);
c) vendimin për masat lidhur me sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës
djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja.

Neni 15
Pakësimi i shkarkimeve në ajër nga përbërësit organikë të avullueshëm

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për industrinë, miraton:
a) vendimin për masat për kufizimin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm
nga përdorimi i tretësve organikë në disa aktivitete dhe instalime;
b) vendimin për masat për kufizimin e përbërësve organikë të avullueshëm nga përdorimi i përbërësve organikë në disa bojëra, llake dhe produkte për lustrimin e automjeteve;
c) vendimin për masat për kontrollin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm
(VOC) që rezulton nga magazinimi i benzinës dhe shpërndarja e saj nga terminalet në pikat e shitjes;
ç) vendimin për kapjen e avujve të benzinës në fazën e dytë gjatë rimbushjes së automjeteve në pikat e shitjes.

Neni 16
Pakësimi i shkarkimeve në ajër përmes zhvillimit të infrastrukturës rrugore

Autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e infrastrukturës, kudo që është e mundur, marrin të gjitha masat që mundësojnë alternativa të ndryshme të qarkullimit rrugor, në mënyrë që të pakësohet ndotja e ajrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës.

Neni 17
Programi kombëtar i pakësimit të shkarkimeve në ajër

1. Ministria harton programin kombëtar për pakësimin e vazhdueshëm të shkarkimeve të përgjithshme vjetore nga burimet e lëvizshme dhe të palëvizshme. Këto programe përcaktojnë afatet kohore dhe masat që zbatohen për pakësimin e shkarkimeve.
2. Programet e pakësimit të shkarkimeve sigurojnë respektimin e tavaneve kombëtare të
shkarkimeve ose përqindjet e pakësimit të ndotësve të caktuar.
3. Programi i pakësimit të shkarkimeve mund të rishikohet në përputhje me kushtet e reja të krijuara. Rishikimi mund të përfshijë rishikimin e tavaneve të shkarkimeve ose të datave të vendosura për respektimin e këtyre tavaneve.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat e hollësishme për
hartimin, miratimin, rishikimin dhe zbatimin e programeve të pakësimit të shkarkimeve në ajër.


KREU IV
NDOTJA NDËRKUFITARE E AJRIT


Neni 18
Ndotja ndërkufitare e ajrit

1. Ministria bashkëpunon me autoritetet kompetente të shteteve fqinje përkatëse kurdoherë që një prag alarmi, vlerë kufi apo vlerë e synuar së bashku me kufirin e tolerancës ose objektivin afatgjatë përkatës është kapërcyer për shkak të transferimit ndërkufitar të
konsiderueshëm të ndotësve të ajrit apo prekursorëve të tyre dhe, kur është e nevojshme, përgatit aktivitete të përbashkëta, përfshirë plane të përbashkëta ose të bashkërenduara për cilësinë e ajrit, me qëllim që të zbusë këto kapërcime përmes zbatimit të masave të duhura, por në mënyrë proporcionale.
2. Ministria, në bashkëpunim me autoritetet kompetente të shteteve të tjera, referuar marrëveshjes dy ose shumëpalëshe, përgatit dhe zbaton, sipas rastit, plane të përbashkëta veprimi afatshkurtër që mbulojnë zonat fqinje në ato shtete.
3. Ministria siguron që autoritetit kompetent të zonës fqinje të një shteti tjetër, i cili
përgatit plan veprimi afatshkurtër, t’i jepet i gjithë informacioni i duhur.
4. Ministria u siguron informacion, sa më shpejt të jetë e mundur, autoriteteve kompetente përkatëse të shtetit/shteteve fqinj/fqinje kurdo që kapërcehen pragjet e informacionit ose të
alarmit në zona dhe aglomerate të Republikës së Shqipërisë që ndodhen pranë kufirit të saj.
5. Informacioni i përmendur në pikën 4, të këtij neni, bëhet njëkohësisht i disponueshëm edhe për publikun.
6. Ministri, në bashkëpunim me autoritetet kompetente të shteteve fqinje, informon publikun, sa më shpejt të jetë e mundur, edhe kur kapërcehen pragjet e informacionit ose të alarmit në zona dhe aglomerate fqinje jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Neni 19
Raportimi mbi zbatimin e këtij ligji

1. Ministria përgatit, çdo tre vjet, raportin për zbatimin e këtij ligji.
2. Raporti përfshin informacion mbi planet e cilësisë së ajrit dhe mbi progresin e arritur nga zbatimi i tyre.
3. AKM-ja, ISHMPU-ja dhe institucione të tjera i sigurojnë ministrisë informacionin e nevojshëm për përgatitjen e raportit.
4. Raporti i përmendur në pikën 1, të këtij neni, miratohet me urdhër të ministrit,
publikohet në faqen zyrtare të ministrisë dhe bëhet i disponueshëm për publikun.
5. Ministri përcakton me urdhër formatin për përgatitjen e raportit, sipas pikës 1, të këtij
neni, së bashku me informacionin që duhet të përmbajë ky raport.


KREU V
KUNDËRVAJTJET


Neni 20
Kundërvajtjet

1. Çdo shkelje e kërkesave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë, pezullim apo mbyllje të veprimtarisë, përkatësisht:
a) mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të shkarkimeve
në ajër nga operatori i një instalimi, referuar lejes së mjedisit të tipave A, B apo C:
i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë;
ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën 300 000 (treqind mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
iii) për lejet e mjedisit të tipit C, dënohet me gjobë në vlerën 300 000 (treqind mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
b) prodhimi, importimi ose tregtimi, nga subjektet, i lëndëve djegëse në kundërshtim me kërkesat e nenit 14, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë, në varësi të sasisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin lëndët djegëse të palejuara, si dhe me sekuestrimin e lëndës djegëse që është gjendje;
c) përdorimi i lëndëve djegëse të ndaluara nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e neneve 14 dhe 15, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë, në varësi të sasisë e rrezikshmërisë që ato
lëndë djegëse paraqesin, si dhe me pezullimin e veprimtarisë, për aq kohë sa të bëhet zëvendësimi i lëndës djegëse;
ç) ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit
13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë.
2. Organi që vendos gjobën dhe bën ekzekutimin e saj, si dhe pezullimin ose ndërprerjen
e veprimtarisë, sipas këtij neni, është inspektorati përgjegjës për mjedisin.
3. Në rastet kur shkeljet përbëjnë vepër penale, inspektorati përgjegjës për mjedisin bën kallëzim penal pranë organeve përkatëse.

Neni 21
Ankimi dhe ekzekutimi i masave administrative

1. Ekzekutimi i masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.
2. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative bëhet në
përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
3. Të ardhurat nga vjelja e gjobave dhe të ardhura të tjera, të mbledhura në përputhje me
dispozitat e këtij ligji derdhen në masën 100 për qind në Buxhetin e Shtetit.


KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE


Neni 22
Aktet nënligjore

1. Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore në zbatim të neneve 5, 13, 14 dhe 15, të
këtij ligji, brenda 3 vjetëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
2. Ministri, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton aktet nënligjore në
zbatim të neneve 6, pika 2, 19, pika 5, dhe 11, pikat 4 e 6, të tij.

Neni 23
Shfuqizime

Me fillimin e efekteve juridike të këtij ligji shfuqizohen këto akte:
a) ligji nr. 8897, datë 16.5.2002, “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, i ndryshuar;
b) aneksi 2.1 i vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 435, datë 12.9.2002, “Për miratimin
e normave të shkarkimit në ajër në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 24
Hyrja në fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 3 vjet pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R I
Ilir META
Miratuar në datën 4.12.2014


[b][color=#0000BF]ANEKSI I
Lista e ndotesve te ujit


Ky ligj zbatohet të paktën për ndotësit e ajrit të mëposhtëm:
Grupi i parë
1. Dyoksidi i Squfurit (SO2).
2. Dyoksidi i Azotit (NO2).
3. Oksidi i Azotit (NOx).
4. Lënda e Ngurtë Pezull (PM10 dhe PM2,5).
5. Plumb (Pb).

Grupi i dytë
6. Ozoni (O3).

Grupi i tretë
7. Benzeni.
8. Monoksidi i Karbonit (CO).
9. Hidrokarbure aromatike policiklike (PAHs)
10. Kadmiumi (Cd).
11. Arseniku (As).
12. Nikeli (Ni).
13. Mërkuri (Hg).

ANEKSI II
Informacioni që duhet përfshirë në planet lokale, rajonale dhe kombëtare të cilësisë së ajrit për përmirësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit

Seksioni A.
1. Lokalizimi i ndotjes së tepërt:
a) rajoni;
b) qyteti (harta);
c) stacioni i matjes (harta, koordinatat gjeografike).
2. Informacion i përgjithshëm
a) lloji i zonës së monitorimit të cilësisë së ajrit (qytet, zonë industriale apo rurale);
b) vlerësimi i zonës së ndotur (km2
) dhe i popullsisë së ekspozuar ndaj ndotjes;
c) të dhënat klimatike të nevojshme;
ç) të dhëna përkatëse të topografisë;
d) informacion i mjaftueshëm për llojin e synimeve që kërkojnë mbrojtje në zonë.
3. Autoritetet përgjegjëse Emrat dhe adresat e personave përgjegjës për zhvillimin dhe zbatimin e planeve të përmirësimit.
4. Natyra dhe vlerësimi i ndotjes
a) përqendrimet e vëzhguara gjatë viteve të mëparshme (përpara zbatimit të masave të përmirësimit);
b) përqendrimet e matura që nga fillimi i projektit;
c) teknikat e përdorura për vlerësim.
5. Origjina e ndotjes
a) lista e burimeve kryesore të shkarkimeve përgjegjëse për ndotjen (harta);
b) sasia totale e shkarkimeve nga këto burime (ton/vit);
c) informacion për ndotjen e importuar nga rajone të tjera.
6. Analiza e situatës
a) informacion i detajuar mbi faktorët përgjegjës për kalimin (p.sh. transporti, përfshirë
transportin ndërkufitar, formimin e ndotësve dytësorë në atmosferë);
b) informacion i detajuar mbi masat e mundshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
7. Informacion i detajuar mbi masat ose projektet për përmirësim që kanë ekzistuar përpara
datës së miratimit të këtij ligji, që do të thotë:
a) masat lokale, rajonale, kombëtare, ndërkombëtare;
b) efekte të vëzhguara të këtyre masave.
8. Informacion i detajuar mbi masat ose projektet e miratuara, me synimin për të pakësuar
ndotjen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji:
a) lista dhe përshkrimi i të gjitha masave të përcaktuara në projekt;
b) grafiku i zbatimit;
c) vlerësimi i përmirësimit të planifikuar të cilësisë së ajrit dhe i kohës së nevojshme për të arritur këta objektiva.
9. Informacion i detajuar mbi masat ose projektet e planifikuara ose të kërkuara për periudha afatgjata.
10. Lista e botimeve, dokumenteve, punës së bërë etj., që janë përdorur për të plotësuar
informacionin e kërkuar sipas këtij aneksi.

ANEKSI III
Informimi i publikut

1. Ministria siguron që informacioni i përditësuar për përqendrimet e ndotësve në mjedis,
mbuluar nga ky ligj, bëhet i disponueshëm për publikun në mënyrë rutinë.
2. Përqendrimet e siguruara në ajrin e mjedisit duhet të paraqiten si vlera mesatare, në përputhje me periudhën mesatare të përshtatshme, siç përcaktohet në vendimin e referuar në nenin 5 të këtij ligji. Informacioni duhet të paktën të tregojë çdo nivel që kalon objektivat e cilësisë së ajrit, përfshirë vlerat kufi, vlerat e synuara, pragjet e alarmit, pragjet e informacionit apo objektivat afatgjatë të ndotësve të referuar në këtë ligj. Gjithashtu duhet të sigurojë një vlerësim të shkurtër në lidhje me objektivat e cilësisë së ajrit dhe informacionin e duhur në lidhje me efektet mbi shëndetin ose, sipas rastit, mbi bimësinë.
3. Informacioni për përqendrimet në mjedis të dyoksidit të squfurit, dyoksidit të azotit, lëndës së ngurtë pezull (të paktën PM10), ozonit dhe monoksidit të karbonit duhet të përditësohet të paktën çdo ditë dhe, kur është e mundur,
informacioni duhet të përditësohet çdo orë.
Informacioni për përqendrimet në mjedis të plumbit dhe benzenit, paraqitur si vlerë mesatare për 12 muajt e fundit, duhet të përditësohet çdo tre muaj dhe, kur është e mundur, çdo muaj.
4. Ministria siguron informacion në kohë për publikun mbi kapërcimet aktuale apo të parashikuara të cdo pragu të alarmit dhe të informacionit. Ky informacion duhet të përfshijnë të paktën sa më poshtë:
a) Informacion për kapërcimin/kapërcimet e vëzhguara:
i) vendin apo zonën përkatëse;
ii) llojin e pragut të kapërcyer (të alarmit apo të informacionit);
iii) kohën e fillimit dhe kohëzgjatjen;
iv) përqendrimin më të lartë në një orë, si edhe përqendrimin e mesatares më të lartë në tetë orë në rastin e ozonit;
b) Parashikimi për pasditen/ditën dhe ditët vijuese:
i) zona gjeografike e kapërcimeve të pritshme të pragut të alarmit dhe/ose të informacionit;
ii) ndryshimet e pritshme në ndotje (përmirësimi, stabilizimi apo përkeqësimi), së bashku me arsyet për këto ndryshime.
c) Informacion për llojin e popullsisë në lidhje me të, efektet e mundshme në shëndet dhe sjelljen e rekomanduar:
i) informacion për grupet e popullsisë në rrezik;
ii) përshkrimin e simptomave mundshme;
iii) masat paraprake që rekomandohen për popullsinë përkatëse;
iv) ku të gjejnë informacion të mëtejshëm;
ç) Informacion për masat parandaluese për të pakësuar ndotjen dhe/ose ekspozimin ndaj saj; treguesin e sektorëve të burimeve kryesore; rekomandime për veprimet për pakësimin e shkarkimeve;
d) Në rastin e kalimeve të parashikuara, ministria merr masa për të siguruar sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e këtyre informacioneve.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 2 guests