LIGJI PËR SUBSTANCAT DHE PREPARATET KIMIKE - Nr.9108, datë 17.7.2003

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR SUBSTANCAT DHE PREPARATET KIMIKE - Nr.9108, datë 17.7.2003

Postby Libraria UBT » 16 Aug 2015, 11:21

LIGJI PËR SUBSTANCAT DHE PREPARATET KIMIKE - Nr.9108, datë 17.7.2003

I azhurnuar me ndryshimet e Ligjit Nr. 33/2013. datë 14.2.2013

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë administrimin e substancave dhe të preparateve kimike për mbrojtjen e jetës, shëndetit të njerëzve e të kafshëve, si dhe për mbrojtjen e mjedisit nga rreziqet që mund të shkaktojnë lëndët e rrezikshme.

Neni 2
Objekti

Objekt i këtij ligji është:
a) vendosja e të drejtave dhe detyrimeve të personave juridikë ose fizikë në përcaktimin e vetive dhe klasifikimin e substancave dhe të preparateve kimike për regjistrimin, inventarizimin, njoftimin, menaxhimin dhe tregtimin e tyre;
b) përcaktimi i juridiksionit të zyrave të administratës për marrjen e masave për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njerëzve e të kafshëve, si dhe për mbrojtjen mjedisit, kundër efekteve të dëmshme të substancave dhe preparateve kimike për jetën dhe shëndetin,
si dhe të vendosë juridiksionin e organeve eksperte të inspektimit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

Neni 3
Ky ligj nuk zbatohet:

a) për produktet mjekësore, ushqimet, ushqimet për blegtorinë, preparatet kozmetike, lëndët e para minerare, municionet, eksplozivat, radiatorët radionuklearë dhe materialet nukleare, produktet për mbrojtjen e bimëve, substancat narkotike dhe psikotrope, armët
kimike dhe prekursorët e tyre dhe substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit të tokës, të cilat janë objekt i ligjeve të veçanta;
b) për detyrimet në transportin e substancave dhe të preparateve kimike të rrezikshme me hekurudhë, rrugë tokësore, rrugë ujore dhe ajrore, trajtimin e substancave dhe të preparateve nën kontrollin doganor, me kusht që një pjesë e këtij transporti të mos ketë të bëjë
me trajtimin ose përpunimin e mbetjeve dhe menaxhimin e ujërave të ndotura dhe ujërave speciale.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Substanca kimike", që më poshtë do të quhen substanca, janë elementet kimike dhe komponimet e tyre në gjendje natyrore ose të fituara nga një proces prodhimi, përfshirë shtesat dhe solventet kryesore për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre, si dhe ndonjë papastërti
me origjinë natyrore ose të marrë në procesin e prodhimit, me përjashtim të solventeve që mund të veçohen nga substanca pa ndryshuar përbërjen e saj ose pa ndikuar në stabilitetin e saj.
2. "Preparate kimike", që më poshtë do të quhen preparate, janë përzierjet ose
solucionet e përbëra nga dy ose më shumë substanca kimike.
3. "Polimer" është substanca, molekulat e së cilës janë formuar nga një varg, prej një ose më shumë njësi monomeresh, që përmbajnë më shumë se gjysmën e peshës se tyre, nga një fraksion i përbërë nga molekula me të paktën tre njësi monomeri, të lidhura me lidhje
kovalente me të paktën një njësi monomeri ose një reaktiv tjetër, që përmban më pak se gjysmën e peshës së tij, ose një fraksion me molekula me të njëjtën peshë molekulare.
4. “Njësi monomeri” është forma reaktive e monomerit në molekulën e polimerit.
5. "Klasifikim" është vlerësimi, sipas të cilit substanca ose preparati ka një ose më
shumë veti të rrezikshme dhe përcaktimi më tej i kategorive të rrezikut individual.
6. "Shpërndarës" është personi juridik ose fizik, i autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare,
i cili ruan dhe ua shpërndan substancat ose preparatet personave të tjerë dhe nuk ndikon drejtpërdrejt
në vetitë e substancave dhe preparateve, nëpërmjet veprimtarisë të tij.
7. "Vlerësim" është cilësimi i një vetie të rrezikshme, sipas mënyrës së parashikuar në nenin 5 të këtij ligji.
8. "Importues" është personi juridik ose fizik, vendas ose i huaj, i cili fut në territorin
e Republikës së Shqipërisë një substancë ose preparat kimik.
9. "Eksportues" është personi juridik ose fizik, vendas ose i huaj, i cili nxjerr nga
territori i Republikës së Shqipërisë një substancë ose preparat kimik.
10. "Tregtim" quhet kalimi i substancave dhe preparateve kimike te një person tjetër
fizik ose juridik. Në kuptim të këtij ligji, në tregtim përfshihet edhe importi.
11. "Tranzit" quhet çdo substancë dhe preparat kimik, që pas hyrjes në territorin shqiptar dhe deri në daljen e tij nga ky territor, nuk i nënshtrohet asnjë lloj procesi ose trajtimi.
12. "Administrimi i substancave dhe preparateve" është një veprimtari, objekt i së cilës janë substancat dhe preparatet, në veçanti, prodhimi, importi, eksporti, tranzitimi, përdorimi, ruajtja, ambalazhimi, etiketimi, transportimi brenda territorit të subjektit,
si dhe asgjësimi i tyre.
13. "Regjistrimi i substancave" është regjistrimi i substancave në Regjistrin Kombëtar, që mbahet nga Ministria e Mjedisit, në bazë të të dhënave me shkrim për substancat, në përputhje me këtë ligj.
14. "Rregullore e sigurimit teknik" është një përmbledhje e të dhënave të identifikimit për prodhuesin ose importuesin për substancat ose preparatet e rrezikshme dhe të dhënat që kërkohen për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njerëzve, të kafshëve dhe të mjedisit.
15. "Sistemi i laboratorëve të akredituar" është një sistem bashkëpunimi ndërkombëtar për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë së praktikës laboratorike, e cila verifikohet dhe miratimi i së cilës konfirmohet me certifikatë.
16."Substanca dhe preparate të rrezikshme" janë substancat dhe preparatet, që kanë një ose më shumë veti të rrezikshme, të klasifikuara sipas kushteve të vendosura në këtë ligj.


KREU II

Neni 5
Klasifikimi i substancave dhe i preparateve kimike

Substancat dhe preparatet kimike për shkak të vetive, klasifikohen:
1. Eksplozive, që mund të veprojnë në mënyrë ekzotermike, pa praninë e oksigjenit, me zhvillim të shpejtë gazesh ose që vetëndizen dhe digjen shpejt në kushte të caktuara ose që shpërthejnë me ngrohje kur vendosen në kontenierë johermetikë.
2. Oksiduese, që në kontakt me substanca të tjera, në veçanti me substanca të ndezshme, shkaktojnë reaksion ekzotermik të fuqishëm.
3. Ekstremisht të ndezshme, që në gjendje të lëngët kanë pikë flakërimi më të ulët se O°C dhe pikë vlimi më të ulët se 35°C ose që janë të ndezshme në gjendje të gaztë, në kontakt me ajrin në temperaturë normale të dhomës dhe presion atmosferik normal.
4. Shumë të ndezshme, që:
a) mund të nxehen në mënyrë spontane dhe pastaj të digjen në kontakt me ajrin në
temperaturë normale të dhomës, presion normal atmosferik dhe pa prani të energjisë;
b) mund të digjen lehtësisht në gjendje të ngurtë, si pasojë e një kontakti të shkurtër me një burim zjarri, ndezjeje dhe vazhdojnë të digjen ose të tymosin edhe pas largimit të burimit të zjarrit;
c) kanë një pikë ndezjeje në gjendje të lëngët më të ulët se 21°C dhe nuk janë ekstremisht të ndezshme;
ç) në kontakt me ujin ose ajrin e lagët çlirojnë gaze shumë të rrezikshme, në sasi të paktën 1 litër/kg.h
5. Të ndezshme, që e kanë pikën e flakërimit 21°C deri në 55°C .
6. Shumë helmuese, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë, edhe në sasi të
vogla, mund të shkaktojnë dëmtime akute ose kronike të shëndetit, ose vdekje.
7. Helmuese, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë, edhe në sasi të vogla,
mund të shkaktojnë dëmtime akute ose kronike të shëndetit, ose vdekje.
8. Të dëmshme për shëndetin, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë, edhe
në sasi të vogla, mund të shkaktojnë dëmtime akute ose kronike të shëndetit, ose vdekje.
9. Korrozive, që në kontakt me indet e gjalla jetësore mund t'i shkatërrojnë ato.
10. Irrituese, që nuk kanë vetitë e substancave korrozive, por që nga kontakti i
drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë me lëkurën ose membranat mukoze mund të shkaktojnë inflamacione.
11. Sensibilizuese, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë mund të shkaktojnë hipersensibilitet dhe, për pasojë, pas një ekspozimi tjetër, shfaqen simptomat karakteristike të tij.
12. Kancerogjene, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë mund të shkaktojnë ose të rrisin frekuencën e shfaqjes së kancerit.
13. Mutagjene, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë mund të shkaktojnë
ose të rrisin frekuencën e shfaqjes së dëmtimeve gjenetike.
14. Dëmtuese për riprodhimin, që pas thithjes, gëlltitjes ose depërtimit në lëkurë mund të shkaktojnë ose të rrisin frekuencën e dëmtimeve në funksionin e riprodhimit ose në aftësinë riprodhuese të meshkujve ose të femrave.
15. Të rrezikshme për mjedisin, që pas futjes në mjedis, përbëjnë ose mund të
përbëjnë një rrezik të menjëhershëm ose të mëvonshëm për mjedisin.

Neni 6
1. Në klasifikimin e preparateve nuk duhet të merren parasysh përbërësit, përzierjet,
shtesat ose papastërtitë e pranishme në përqendrime:
a) më pak se 0,02 për qind në vëllim, nëse kemi të bëjmë me substancë në preparate
të gazta, klasifikuar sipas pikës 6 të nenit 5 të këtij ligji;
b) më pak se 0,1 për qind në peshë, nëse kemi të bëjmë me substancë të klasifikuar sipas pikave 7, 11, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji, dhe në preparate të tjera, përveç atyre të gazta, sipas pikës 2 të këtij neni;
c) më pak se 1 për qind në peshë, nëse substanca është klasifikuar sipas pikave 8, 9, 10 të nenit 5 të këtij ligji.
2. Prodhuesi dhe importuesi janë të detyruar të bëjnë klasifikimin e ri për preparatet me përbërës të njohur:
a) nëse për shkak të vlerës absolute të ndryshimit të përqendrimit origjinal të një ose më shumë përbërësve të rrezikshëm të preparatit, është e vlefshme formula e mosbarazimit në aneksin nr.l të këtij ligji;
b) në lidhje me ndryshimet në përbërjen e preparatit, si pasojë e shtimit të substancave ose të zëvendësimit të disa përbërësve të preparatit me një tjetër substancë, pa marrë parasysh rrezikshmërinë e substancës.
3. Prodhuesit dhe importuesit e një substance janë të detyruar të pajisin me të gjitha të dhënat që kërkohen për klasifikimin e preparatit të ri një tjetër person juridik ose fizik, të autorizuar për kryerjen e një veprimtarie tregtare,
i cili përdor këtë substancë si përbërës të preparatit të ri.

Neni 7
Testimi i substancave dhe i preparateve kimike

1. Para se të hidhet në treg një substancë e paklasifikuar, prodhuesi ose importuesi është i detyruar të verifikojë nëse substanca ose preparati ka një ose më shumë veti të dëmshme dhe, në bazë të këtij vlerësimi, të klasifikohet substanca ose preparati në grupe të
veçanta rreziku, sipas nenit 5 të këtij ligji.
2. Vetitë e substancave dhe të preparateve testohen vetëm me metoda që plotësojnë parimet e mbrojtjes së kafshëve eksperimentale. Metodat për përcaktimin e vetive të rrezikshme caktohen me urdhër të:
a) Ministrit të Mbrojtjes, për substancat që zotërojnë vetitë e përshkruara në pikat 1 dhe 2 të nenit 5 të këtij ligji;
b) Ministrit të Shëndetësisë, për substancat që zotërojnë vetitë e dhëna në pikat 6 deri në 14 të nenit 5 të këtij ligji;
c) Ministrit të Industrisë dhe Energjetikës për substancat që zotërojnë vetitë e dhëna në pikat 3 deri në 5 të nenit 5 të këtij ligji;
ç) Ministrit të Mjedisit për substancat që zotërojnë vetitë e dhëna në pikën 15 të nenit 5 të këtij ligji.
3. Të dhënat për vetitë e substancave dhe të preparateve të rrezikshme paraqiten nga
prodhuesi ose importuesi pas testeve të kryera në laboratorin e akredituar.
4. Procedura për vlerësimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, mënyra e klasifikimit, ambalazhimit dhe etiketimit dhe lista e substancave të rrezikshme, që do të klasifikohen, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Sistemi i laboratorëve të akredituar

1. Vetitë e rrezikshme të substancave dhe preparateve, sipas këtij ligji, testohen vetëm nga persona juridikë ose fizikë, të autorizuar, të cilët janë të pajisur me certifikatë si laborator i akredituar për këtë qëllim.
2. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, në mbështetje të pikës 1 të këtij neni, janë të detyruar t'i japin ministrisë përgjegjëse të gjitha të dhënat e nevojshme për plotësimin e kushteve, të lëshuara nga laboratori i akredituar për
testimin e substancave të rrezikshme.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, kundrejt pagesës, pajis personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, me certifikatën e laboratorit të akredituar, në bazë të një aplikimi dhe më pas verifikon përputhjen me kërkesat e paraqitura në pikat 4 dhe 5 të këtij neni.
4. Aplikimi përmban:
a) emrin, mbiemrin, emrin e veprimtarisë tregtare, adresën, adresën e veprimtarisë tregtare dhe numrin e identifikimit të aplikantit;
b) emrin, mbiemrin dhe numrin e certifikatës së lindjes së përfaqësuesit ligjor të qendrës së testimit;
c) një vërtetim nga gjykata për përfaqësuesin ligjor të qendrës së testimit, të marrë gjatë tre muajve të fundit;
ç) një deklaratë që aplikanti lejon ministrinë përgjegjëse të verifikojë certifikatën e laboratorit të akredituar.
5. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, sipas pikës l të këtij neni, duhet t'i paraqesin ministrit përkatës një program, që siguron një sistem cilësie, sipas parimeve të laboratorit të akredituar.
6. Pas verifikimit të përputhjes me praktikën e laboratorit të akredituar, ministri përkatës, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 7 të këtij ligji, brenda 30 ditëve jep certifikatën e pajtimit me laboratorin e akredituar.
7. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, sipas pikës 1 të këtij neni, të pajisur me certifikatën e laboratorit të akredituar, janë të detyruar të lejojnë personat e autorizuar të hyjnë në mjediset dhe ndërtesat që shërbejnë për testim dhe të japin të dhënat e kërkuara, në kuadër të kontrollit të përputhjes me parimet e praktikës së laboratorit të akredituar.
8. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, të cilët janë të pajisur me certifikatën e pajtimit me parimet e praktikës së laboratorit të akredituar, janë të detyruar të paraqesin rezultatet e testimit, që vërtetojnë se testet janë kryer
në përputhje me parimet e laboratorit të akredituar.
9. Ministri përkatës i heq certifikatën e pajtimit si laborator i akredituar personit juridik ose fizik, të autorizuar për të ushtruar këtë veprimtari, në rast se ky person nuk përmbush qoftë edhe njërin nga kushtet, sipas të cilave është dhënë certifikata.
10. Ministri përkatës vendos me rregullore parimet e pajtimit me praktikën e laboratorit të akredituar, procedurën për verifikimin e përputhjes, procedurën për dhënien ose heqjen e certifikatës dhe procedurën e kontrollit të përputhjes me
parimet e laboratorit të akredituar.
11.Certifikata e pajtimit të laboratorit të akredituar, e dhënë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ka të njëjtën vlerë me certifikatën e dhënë brenda këtij territori, në rast se plotëson të gjitha kushtet e vëna nga ky ligj dhe nga aktet e tjera normative.
12. Ministritë e ngarkuara nga ky ligj mbajnë një listë të personave të pajisur me certifikatë të pajtimit me parimet e laboratorit të akredituar dhe e publikojnë këtë listë nga data 30 qershor deri më 31 dhjetor të çdo viti në Buletinin e Ministrisë së Mjedisit.


KREU III
REGJISTRIMI I SUBSTANCAVE

Neni 9
Detyrimi për regjistrim

1. Prodhuesi dhe importuesi janë të detyruar të regjistrojnë substancat që hedhin në treg edhe në rastet kur kjo substancë përmbahet në një substancë tjetër si shtesë, përzierje ose papastërti, ose përmbahet në preparat, si një nga përbërësit e tij.
2. Për nevoja të kërkimit shkencor dhe zhvillimit nuk është i detyrueshëm, sipas këtij ligji, regjistrimi i substancave që:
a) janë futur në treg nga i njëjti prodhues dhe importues në sasi që nuk i kalon 10 kg në një vit kalendarik, të regjistruar sipas kërkesave për leje veprimtarie, me kusht që kërkesat e regjistrimit të jenë të njëjta me kërkesat e këtij ligji;
b) janë përbërës të preparateve, përzierjeve, shtesave ose papastërtive, përqendrimi i
të cilave nuk i kalon vlerat e dhëna në pikën 5 të nenit 7 të këtij ligji;
c) janë të hedhura në treg nga i njëjti prodhues dhe importues, në sasi që nuk i kalon 100 kg në një vit kalendarik, vetëm për nevoja të kërkimit shkencor dhe zhvillimit, ose vetëm për përdorim laboratorik;
ç) janë të hedhura në treg nga i njëjti prodhues dhe importues, në sasi që nuk i kalon 1000 kg në një vit kalendarik, vetëm për nevoja të kërkimit të aplikuar dhe zhvillimit, brenda një periudhe njëvjeçare;
d) janë produkte të ndërmjetme të prodhimit, të fituara nga reaksionet kimike në
sisteme teknike të mbyllura, që nuk janë veçuar dhe larguar nga procesi teknologjik;
dh) janë regjistruar me kushte të njëjta me këtë ligj, kur prodhuesi dhe importuesi i këtyre substancave njofton me shkrim ministrinë përkatëse për kërkesat e shkronjave "a" dhe "ç" të pikës 1 të nenit 10 të këtij ligji.
3. Nëse nga një prodhues dhe importues, sasia e substancës, subjekt i regjistrimit, është më pak se 1000 kg në një vit kalendarik, prodhuesi dhe importuesi, në varësi nga sasia dhe shkalla e rrezikshmërisë së substancës së hedhur në treg, paraqesin dokumentet e
regjistrimit në një afat të vendosur në rregulloren e ministrisë së ngarkuar nga ky ligj.

Neni 10
Aplikimi për regjistrim

1. Para hedhjes në treg të substancës që regjistrohet, prodhuesi dhe importuesi
paraqesin në ministritë e ngarkuara nga ky ligj një aplikim me shkrim, në gjuhën shqipe.
2. Aplikimi për regjistrim përmban :
a) emrin, mbiemrin, gjendjen civile, vendbanimin dhe numrin e identifikimit të
personit fizik, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare;
b) emrin dhe adresën e tregtarit, të prodhuesit të huaj të substancës së importuar, të
detyruar për regjistrim;
c) të dhënat bazë për substancën dhe sasinë që regjistrohet;
ç) të dhënat për sigurimin teknik të substancës së rrezikshme, që regjistrohet.
3. Hollësitë e tjera, që përfshin aplikimi për regjistrim dhe mënyra e plotësimit të tij
vendosen në udhëzimin e ministrit.
4. Prodhuesi dhe importuesi janë të detyruar të njoftojnë brenda 10 ditëve ministrin
përkatës për ndonjë ndryshim në të dhënat e aplikimit për regjistrim.
5. Në rast se plotësohen kushtet e vendosura në këtë nen, ministria përkatëse e regjistron substancën brenda 60 ditëve nga paraqitja e aplikimit dhe për këtë njofton aplikantin. Ministria, brenda 30 ditëve, e refuzon zbatimin për regjistrim nëse nuk plotësohen
kushtet për regjistrim.
6. Prodhuesit dhe importuesit e substancës, që duhet të regjistrohet, paraqesin protokollet e testeve të kërkuara sipas këtij ligji, të përgatitura nga persona të tjerë, kur ata, njëkohësisht, marrin miratimin me shkrim të personit në fjalë për t'i përdorur këto të dhëna.
7. Ministria e Mjedisit mban Regjistrin Kombëtar për substancat dhe preparatet kimike. Të dhënat për këtë regjistër sigurohen nga ministritë e ngarkuara nga ky ligj, përveç të dhënave që përbëjnë sekret tregtar.
8. Organizimi dhe struktura e zyrës se regjistrimit të kimikateve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Rregullorja e funksionimit të kësaj zyre miratohet nga Ministri i Mjedisit.
9. Ministritë publikojnë listën e substancave të regjistruara, të paktën një herë në vit, në Buletinin e tyre ose të Ministrisë së Mjedisit.

Neni 11
Ruajtja e sekretit tregtar

1. Të dhënat, publikimi i të cilave dëmton prodhuesin dhe importuesin, me kërkesën e prodhuesit ose të importuesit, konsiderohen gjatë procesit të regjistrimit si sekret tregtar dhe merren vetëm me kërkesë të personave të autorizuar.
2. Detyrimi për ruajtjen e sekretit të të dhënave të konsideruara nga prodhuesi dhe importuesi si sekret tregtar, është i vlefshëm për të gjithë punonjësit që kryejnë testimin e vetive të substancave.
3. Nuk përbën sekret tregtar:
a) emërtimi tregtar i substancës;
b) emri dhe mbiemri, emërtimi i veprimtarisë tregtare, rezidenca, adresa e tregtarit
dhe numri i identifikimit të prodhuesit dhe importuesit të substancës;
c) vetitë fiziko-kimike të substancës;
ç) udhëzimet për kufizimin e efekteve të rrezikshme të substancës;
d) rezultatet përfundimtare të testimeve toksikologjike dhe ekotoksikologjike të substancës;
dh) shkalla e pastërtisë dhe identifikimi i papastërtive ose i përzierjeve me veti të rrezikshme, sipas nenit 7 të këtij ligji, të realizuara në përputhje me kërkesat e klasifikimit dhe të emërtimit të substancës;
e) udhëzimet në rastet e rrjedhjes së substancës;
ë) të dhënat e sigurimit teknik;
f) metodat analitike për substancat e rrezikshme, që lejojnë përcaktimin e tyre në rast ekspozimi në mjedis dhe te njerëzit.

Neni 12
Të dhëna plotësuese

1. Ministri përkatës, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 7 të këtij ligji, u kërkon prodhuesve dhe importuesve të dhëna plotësuese për vetitë e substancës së rrezikshme edhe nëse sasia e substancës ose preparatit kimik, e hedhur në treg nga një prodhues dhe importues,
është baras ose më shumë se 10 tonë për një vit kalendarik.
2. Këto të dhëna jepen në rastet kur substanca përmbahet në një tjetër substancë, si përzierje shtesë a papastërti ose përmbahet në preparat, si përbërës i tij.


KREU IV
ADMINISTRIMI I SUBSTANCAVE DHE I PREPARATEVE TË RREZIKSHME


Neni 13
Vlerësimi i rrezikut të substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin

1. Lista e substancave të rrezikshme, që prej natyrës së tyre përbëjnë një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Ministria e Mjedisit, së bashku me ministritë e tjera të ngarkuara nga ky ligj, marrin masa për vlerësimin e rrezikut për jetën dhe shëndetin e njeriut dhe për mjedisin për substancat e përfshira në listë, sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Procedura për vlerësimin e rrezikut të substancave të rrezikshme për jetën dhe
shëndetin e njeriut përcaktohet me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë.
4. Procedura për vlerësimin e rrezikut të substancave të rrezikshme për mjedisin, përcaktohet me urdhër të Ministrit të Mjedisit.
5. Në bazë të rezultateve të vlerësimit të rrezikut të substancave të rrezikshme, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përkatës, vendos kushtet për hedhjen e këtyre substancave në treg.

Neni 14
Kushtet e përgjithshme për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme

1. Në menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme çdo person është i detyruar të ruajë shëndetin e njeriut dhe mjedisin, të vendosë shenjat paralajmëruese të rrezikut, me shprehjet që përshkruajnë rrezikun specifik dhe me udhëzimet
e sigurimit teknik për menaxhimin e tyre.
2. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, mund t'i menaxhojnë substancat dhe preparatet e rrezikshme, që kanë një ose më shumë veti të rrezikshme, sipas pikave 1, 2, 3, 6, 12, 13 , 14 dhe 15 të nenit 5 të këtij ligji dhe t' i trajtojnë këto substanca në sasi më të madhe se 10 tonë për një vit kalendarik, vetëm me leje të ministrisë përkatëse.
3. Menaxhimi i substancave të rrezikshme bëhet pasi është marrë leja nga agjencia rajonale e mjedisit.
4. Personat fizikë mbi moshën 18 vjeç dhe me zotësi juridike për të vepruar, mund të menaxhojnë substancat dhe preparatet e klasifikuara sipas pikave 6, 7, 9, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji.
5. Personat fizikë nga 15 deri në 18 vjeç mund të menaxhojnë substancat dhe preparatet e klasifikuara sipas pikave 6, 7, 9, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji, vetëm në kuadër të përgatitjes profesionale dhe nën mbikëqyrjen e një personi me kualifikim
profesional, sipas pikës 2 të nenit 19 të këtij ligji.
6. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, janë të detyruar të lejojnë personat e autorizuar nga zyrat e kontrollit dhe të inspektimit, të hyjnë në mjediset dhe ndërtesat, që përdoren për menaxhimin e substancave dhe të preparateve dhe të marrin të gjitha të dhënat e nevojshme për punën e tyre.


KREU V
HEDHJA NË TREG E SUBSTANCAVE DHE E PREPARATEVE TË RREZIKSHME


Neni 15
1. Prodhuesi, importuesi dhe shpërndarësi nuk lejohen të hedhin në treg substancat
dhe preparatet e rrezikshme, të përfshira në aneksin nr. 2 të këtij ligji.
2. Me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave miraton listën e substancave dhe të preparateve kimike, prodhimi, hedhja në treg dhe përdorimi i të cilave kufizohen ose ndalohen.

Neni 16
1. Personi juridik ose fizik nuk mund t’u shesë konsumatorëve ose t'i japë një personi tjetër, që nuk ka lidhje me veprimtarinë tregtare, substanca dhe preparate të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji.
2. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, nuk lejohen t'u shesin konsumatorëve ose t'i japin një personi tjetër substanca dhe preparate të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 7, 8 dhe 9 të nenit 5 të këtij ligji:
a) personave nën moshën 18 vjeç;
b) personave që u është hequr ose kufizuar zotësia juridike për të vepruar.
3. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare nuk lejohen të shesin substanca dhe preparate të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 7, 8 dhe 9 të nenit 5 të këtij ligji, në vendqëndrime, në lëvizje, në makina automatike për shitje dhe në kontenierë, të caktuar nga blerësi.
4. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, janë të detyruar që për shitjen e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 7, 8 dhe 9 të nenit 5 të këtij ligji, të sigurojnë vendosjen më vete të këtyre
substancave dhe preparateve nga mallrat e tjera. Këto substanca dhe preparate duhet të mbahen vetëm në ambalazhe origjinale, të mbyllura dhe të pathyeshme. Në rastet e shitjes me vetëshërbim, këto mallra nuk lejohen të ekspozohen në vende ku mund të merren lirisht, ato duhet të jepen vetëm nga shitësi.

Neni 17
Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare janë të detyruar, për sa u përket substancave dhe preparateve të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 7, 9, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji:
a) t'i ruajnë këto substanca dhe preparate nga vjedhjet, humbjet ose nga këmbimi me të tjera substanca dhe preparate të rrezikshme;
b) të sigurojnë pajisjen e mjediseve të ruajtjes me mjete të përshtatshme për ndihmën e parë mjekësore dhe ruajten e personave të shërbimit dhe të dekontaminimit të mjedisit, në përputhje me rregulloren e sigurimit teknik.


KREU VI
AUTORIZIMI PËR MENAXHIMIN E SUBSTANCAVE DHE TË PREPARATEVE TË RREZIKSHME


Neni 18
1. Personat juridikë ose fizikë, që kryejnë veprimtari tregtare, lejohen të menaxhojnë substancat dhe preparatet e rrezikshme, të klasifikuara sipas nenit 5 të këtij ligji, vetëm nëse kjo veprimtari kryhet në bazë të autorizimit, të marrë në emër të tyre, në përputhje me këtë ligj.
2. Autorizimi nuk lëshohet nëse personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, menaxhojnë substanca dhe preparate të rrezikshme që kanë një ose më shumë veti të rrezikshme, sipas pikave 5, 8, 9, 10 dhe 11 të nenit 5 të këtij ligji, në
sasi më të vogël se 1 ton për një vit kalendarik.

Neni 19
Kushtet për dhënien e autorizimit

1. Ministri përkatës, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 7 të këtij ligji, në bazë të aplikimit me shkrim, lëshon autorizimin, mbështetur në kriteret e kualifikimit profesional dhe të gjendjes shëndetësore, për një person juridik ose fizik, me zotësi të plotë juridike, që ka
vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë e që nuk ka kryer vepra penale.
2. Kualifikimi profesional për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme vërtetohet: me dokumentin e kryerjes së arsimit universitar në fushën përkatëse; me dokumentin e kryerjes së arsimit të mesëm në fushën përkatëse;
c) me dokumentin e kryerjes së formimit profesional.
3. Rregullat për kualifikimin, procedurën e verifikimit dhe dhënien ose heqjen e
autorizimit përcaktohen me urdhër të ministrave përkatës.
4. Autorizimi jepet për një periudhë 2-vjeçare. Autorizimi mund të shtyhet edhe për një 1 vit, me kusht që kërkesa të paraqitet tre muaj përpara mbarimit të afatit.Vendimi për zgjatjen e afatit të autorizimit jepet brenda 90 ditëve nga data e paraqitjes së aplikimit.
Kërkesa për zgjatjen e afatit refuzohet për mosplotësim të kushteve.
5. Personat e autorizuar janë të detyruar:
a) të sigurojnë që veprimtaria, për të cilën është lëshuar autorizimi, kryhet nga persona të trajnuar;
b) të sigurojnë se pajisjet e përdoruara për kryerjen e veprimtarisë, për të cilën është
lëshuar autorizimi, plotësojnë kushtet për mbrojtjen dhe besueshmërinë;
c) t’u japin personave të inspektimit dhe kontrollit të dhëna për kryerjen e veprimtarisë, për të cilën është lëshuar autorizimi.
6. Autorizimi nuk mund të përdoret nga persona të tjerë juridikë ose fizikë.
7. Ministria përkatëse ia heq autorizimin personit juridik ose fizik, nëse, në mënyrë të përsëritur, ai nuk plotëson detyrimet apo nëse ka ndryshim të kushteve, në mbështetje të të cilave është lëshuar autorizimi.
8. Vlefshmëria e autorizimit mbaron:
a) me mbarimin e periudhës kohore për të cilën është dhënë, nëse nuk është shtyrë afati kohor;
b) me heqjen e autorizimit;
c) kur vdes personi fizik;
ç) me humbjen e së drejtës si person juridik.

Neni 20
1. Kur personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare "Asgjësimi i organizmave, bimëve dhe mikroorganizmave të dëmshme dhe eliminimi i faktorëve të tjerë dëmtues, duke përdorur helme, përfshirë dezinfektimin mbrojtës, kontrollin e insekteve dhe brejtësve, me përjashtim të veprimtarive profesionale në fushën e kujdesit mjekësor" nuk raportojnë në zyrën e licencimit brenda një periudhe kohe të caktuar nga kjo zyrë, për zbatimin e kushteve të autorizimit sipas këtij ligji, autorizimi për kryerjen e tregtimit në këtë fushë bëhet i pavlefshëm.
2. Zyra e licencimit njofton për këtë fakt personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare dhe njëkohësisht zyrën administrative. Kur zyra e licencimit ka dokumente të vlefshme për kualifikimin profesional për një pjesë të veprimtarisë tregtare,
merr vendim për ndryshim në licencën e dhënë.


KREU VII
IMPORTI DHE EKSPORTI I SUBSTANCAVE DHE I PREPARATEVE TË RREZIKSHME


Neni 21
1. Importi dhe eksporti i substancave dhe i preparateve të rrezikshme bëhen vetëm me leje të ministrit përkatës.
2. Importuesit dhe eksportuesit janë të detyruar t'i kërkojnë ministrit përkatës miratimin e lejes për importin dhe eksportin e substancave dhe preparateve të rrezikshme, jo me pak së 60 ditë para datës së kryerjes së importit dhe eksportit. Përmbajtja e aplikimit për
dhënien e lejes, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohet më urdhër të ministrit.
3. Dhënia e lejes, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, nuk është e nevojshme për substancat dhe preparatet e caktuara, që importohen ose eksportohen në sasi më të vogla se 1 kg për një vit kalendarik, nga një person juridik ose fizik, i autorizuar për kryerjen e
veprimtarisë tregtare, për qëllime kërkimi shkencor dhe zhvillimi.
4. Zyra e regjistrimit të kimikateve, në bazë të të dhënave të ministrive të ngarkuara, nga ky ligj, regjistron aplikimet për importin dhe eksportin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme të caktuara, miratimet e dhëna, si dhe njofton Ministrin e Mjedisit për
shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave për këto substanca.
5. Menaxhimi i substancave dhe i preparateve të rrezikshme, të caktuara për
veprimtari tregtare, kryhet sipas kushteve të nenit 14 të këtij ligji.
6. Eksportuesi është i detyruar të vendosë mbi ambalazhin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, të caktuara për veprimtari tregtare, etiketat në gjuhën e vendi pritës ose të zonës, ku këto substanca e preparate do të përdoren.
7. Importuesit dhe eksportuesit janë të detyruar t’u paraqesin autoriteteve doganore, për kontroll, dokumentet shoqëruese të substancave dhe të preparateve të rrezikshme, të caktuara për veprimtari tregtare.
8. Miratimi për importin dhe eksportin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme të caktuara, i dhënë sipas këtij ligji, nuk mund të zëvendësojë lejen për import ose eksport, të dhënë me ligj të veçantë.


KREU VIII
REGJISTRIMI DHE NJOFTIMI PËR SUBSTANCAT DHE PREPARATET E RREZIKSHME


Neni 22
1. Prodhuesi, importuesi dhe shpërndarësi i substancave dhe i preparateve të rrezikshme janë të detyruar të regjistrojnë llojin, sasinë, vetitë e substancës dhe të preparatit. Regjistrimi bëhet veçmas për çdo biznes. Mënyra dhe hollësitë e regjistrimit dhe të njoftimit
përcaktohen nga zyra e regjistrimit të kimikateve.
2. Prodhuesit dhe importuesit vetëm të substancave të rrezikshme ose që përmbahen në preparat në sasi më të madhe së 10 tonë për një vit kalendarik, janë të detyruar të njoftojnë me shkrim ministrinë përkatëse, brenda datës 15 shkurt të çdo viti, për llojin e substancës së
rrezikshme, që prodhojnë ose importojnë,sasinë dhe vetitë e saj.
3. Me kërkesën e personave të autorizuar, në kuadër të detyrimit për njoftim, mund të shënohet si sekret tregtar bërja e njohur e të dhënave që mund t'i shkaktojnë prodhuesit ose importuesit dëme në prodhim ose tregti.
4. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, janë të detyruar që për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të klasifikuara, sipas pikave 6 dhe 7 të nenit 5 të këtij ligji, të njoftojnë agjencinë rajonale të mjedisit , të regjistrojnë hyrjet e këtyre substancave dhe sasinë maksimale të ruajtur. Gjithashtu, ata duhet t'i dërgojnë kësaj agjencie rregulloren e sigurimit teknik për këto substanca. Ky detyrim nuk është i vlefshëm për substancat e përdorura për kërkime shkencore dhe për zhvillim.
5. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, për zhdukjen e organizmave dhe mikroorganizmave të dëmshëm, janë të detyruar që, për përdorimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6 dhe
7 të nenit 5 të këtij ligji, të njoftojnë me shkrim agjencinë rajonale të mjedisit dhe zyrën përkatëse të bashkisë,
ku do të kryhet kjo veprimtari, 48 orë përpara fillimit të saj. Brenda kësaj periudhe kohore nuk përfshihen ditët e festave,
të fundjavës dhe ditët e pushimeve.
6. Agjencia rajonale e mjedisit së bashku me njësinë vendore të mbrojtjes së shëndetit përcaktojnë, 24 orë para fillimit të veprimtarisë, për të cilin është bërë njoftimi, kushtet e veçanta për kryerjen e kësaj veprimtarie, sipas pikës 5 të këtij neni.

Neni 23
“Inspektorati që mbulonfushën e mbrojtjes së mjedisit

“Inspektorati që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) mbikëqyr zbatimin e rregullave juridike dhe të udhëzimeve të Ministrit të Mjedisit e të zyrave të tjera administrative në fushën e mbrojtjes së mjedisit, gjatë menaxhimit të substancave dhe të preparateve të rrezikshme, nga personat juridikë ose fizikë, të autorizuar
për kryerjen e veprimtarisë tregtare;
b) përcakton kushtet për shmangien e mangësive në menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme gjatë punës inspektuese;
c) vendos gjoba për personat juridikë ose fizikë, në raste shkeljesh të detyrimeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, gjatë menaxhimit të substancave dhe të preparateve të rrezikshme;
ç) i propozon ministrisë përkatëse ndërprerjen e veprimtarisë së personit të autorizuar, maksimumi për 30 ditë, në qoftë se ai nuk përmbush kushtet e autorizimit. Nëse nuk respekton kushtet, në bazë të të cilave është lëshuar autorizimi, propozon heqjen e tij;
d) Merr masa urgjente në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në
Republikën e Shqipërisë.
dh) bashkëpunon me autoritetet doganore dhe u siguron atyre asistencë me specialistë.
e) Shfuqizohet

Neni 24
Inspektorati që mbulon fushën e shëndetit

Inspektorati që mbulon fushën e shëndetit ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) kontrollon zbatimin e rregullave juridike dhe të vendimeve në fushën e mbrojtjes së jetës dhe të shëndetit të njeriut gjatë menaxhimit të substancave dhe të preparateve të rrezikshme, si dhe përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara për regjistrimin e substancave,
nga personat juridikë ose fizikë;
b) kërkon nga personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, ndreqjen e parregullsive në fushën e menaxhimit të substancave dhe të preparateve, me veti të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut, në përputhje me detyrimet e
përcaktuara për regjistrimin e substancave, si dhe përcakton afatin e fundit të rregullimeve;
c) vendos gjobat për personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare;
ç) jep mendim për lëshimin e autorizimit për menaxhimin e substancave të
klasifikuara, sipas pikave 6, 7, 8, 9, 10, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji;
d) bashkëpunon me Inspektorati që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe me autoritetet doganore, si dhe u siguron atyre asistencë me specialistë.
dh) Merr masa urgjente në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 24/1
Klasifikimi i dënimeve

1. Në zbatim të neneve 23, 24 dhe 25 të këtij ligji dhe ligjit për inspektimin, inspektorët e
inspektorateve përkatëse vendosin një nga dënimet kryesore si më poshtë:
a) gjoba;
b) urdhërimi për ndreqjen e parregullsive.
2. Krahas dënimit kryesor, inspektorët në zbatim të nenit 26 të këtij ligji, vendosin edhe një ose
disa nga dënimet plotësuese si më poshtë:
a) mbylljen e veprimtarisë;
b) heqjen e licencës;
c) sekuestrimin e produkteve të rrezikshme.

Neni 25
Administrata doganore

1. Autoritetet doganore kontrollojnë në pikat e kalimit të kufirit shtetëror mallin e deklaruar si substancë dhe preparat i rrezikshëm, për importin dhe eksportin e të cilave kërkohet miratim nga ministria përkatëse e përcaktuar nga ky ligj.
2. Në rast dyshimi apo shkeljeje të këtij ligji, autoritetet doganore bllokojnë mallin dhe njoftojnë Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit ose Inspektoratin Sanitar Shtetëror për kundërvajtjen dhe, në rast dyshimi, u kërkojnë këtyre inspektorateve asistencë teknike.
3. Autoritetet doganore regjistrojnë ngarkesën me substanca dhe preparate të rrezikshme, që kalon kufirin shtetëror.
4. Autoritetet doganore u lejojnë punonjësve të Ministrisë së Mjedisit dhe të inspektorateve shqyrtimin e regjistrave, në kopje të shkruara ose fotokopje, si dhe transmetimin dixhital të të dhënave.


KREU IX
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE GJOBAT


Neni 26
Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:
1. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror vendosin gjoba nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë për personin juridik ose fizik, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, i cili:
a) nuk vepron në përputhje me kushtet për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, sipas pikave 1, 4 dhe 5 të nenit 14 të këtij ligji;
b) shet ose jep substanca dhe preparate të rrezikshme, të klasifikuara sipas pikave 6, 12, 13 dhe 14 të nenit 5 të këtij ligji.
2. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror vendosin gjoba nga
50 000 deri në 500 000 lekë për importuesin dhe prodhuesin, i cili:
a) nuk i klasifikon substancat dhe preparatet para hedhjes në treg dhe nuk plotëson
detyrimet sipas pikave 1 dhe 4 të nenit 7 të këtij ligji;
b) nuk jep të dhënat e kërkuara për klasifikimin e një preparati të ri, sipas pikës 5 të nenit 7 të këtij ligji.
3. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit vendos gjoba nga 1 000 000 deri në 10 000 000
lekë, në varësi të shkeljes, për personin juridik ose fizik, i cili:
a) teston vetitë e substancave dhe të preparateve të rrezikshme në kundërshtim me metodat e përcaktuara në nenin 7 të këtij ligji;
b) nuk vepron në mbështetje të parimeve të sistemeve të laboratorëve të akredituar, sipas nenit 8 të këtij ligji;
c) nuk vepron sipas kushteve të caktuara në autorizimin për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme;
ç) nuk vepron sipas të gjitha kushteve për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme, sipas nenit 14 të këtij ligji;
d) nuk regjistron dhe nuk jep të dhëna për substancat dhe preparatet e rrezikshme.
4. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit vendos gjoba nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë për personin juridik ose fizik, i cili hedh në treg një substancë të paregjistruar, që është e detyrueshme të regjistrohet, sipas neneve 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14 të këtij ligji.
5. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ose Inspektorati Sanitar Shtetëror vendos
gjoba nga 10 000 000 deri në 50 000 000 lekë për një prodhues ose importues, i cili:
a) nuk plotëson kërkesat e caktuara për ambalazhimin dhe etiketimin e substancave dhe të preparateve të rrezikshme;
b) nuk plotëson kushtet e caktuara për hedhjen në treg të substancave dhe të preparateve të rrezikshme,
sipas neneve 15, 16 dhe 17 të këtij ligji;
c) nuk plotëson kushtet për importin ose eksportin e substancave dhe të
preparateve të rrezikshme të caktuara, sipas nenit 21 të këtij ligji;
ç) bën deklarime të rreme për përputhjen me certifikatën e pajtimit të laboratorit të akredituar, sipas pikës 8 të nenit 8 të këtij ligji;
d) i jep të pasakta të dhënat e kërkuara nga ky ligj.
6. Inspektoratet përkatëse, për shkelje të përsëritura, e gjobisin personin juridik ose fizik, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, me dyfishin e vlerës së caktuar më sipër, si dhe me mbylljen e veprimtarisë,
heqjen e licencës dhe sekuestrimin e produkteve të rrezikshme.
7. Shkelje e përsëritur është shkelja e detyrimeve, e kryer brenda një periudhe
dyvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të mëparshëm për vënien e gjobës.
8. Shfuqizohet
9. Shfuqizohet
10. Shfuqizohet
11. Shfuqizohet

Neni 26/1
1. Gjoba dhe dënimet plotësuese vendosen në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin
nga inspektorati, i cili fillon i pari procesin e inspektimit.
2. Kundër vendimit të inspektorit ose inspektorëve, mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.
3. Gjobat e vëna derdhen në Buxhetin e Shtetit dhe paguhen brenda 30 ditëve nga data e
njoftimit. Për çdo ditë vonesë, pas plotësimit të këtij afati, kundërvajtësi detyrohet të paguajë, përveç
gjobës, një shumë të barabartë me 2 për qind të gjobës për një afat deri në 30 ditë. Me kalimin e këtij
afati zbatohen dispozitat në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Dispozitë kalimtare (Ligji Nr. 33/2013. datë 14.2.2013)
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në
krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj

KREU X
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 27
1. Dispozitat e krerëve II, V, VI, VII dhe VIII zbatohen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Dispozitat e kreut III zbatohen brenda dy vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
3. Dispozitat e kreut IX zbatohen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
4. Brenda 2 viteve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave
përcakton listën e substancave të rrezikshme, sipas nenit 13 pika 1 të këtij ligji.
5. Personat fizikë, të kualifikuar profesionalisht për menaxhimin e helmeve, sipas rregullave juridike ekzistuese, vlerësohen të tillë sipas pikës 2 të nenit 19, edhe për menaxhimin e substancave dhe të preparateve të klasifikuara, sipas pikave 6 e 7 të nenit 5, për
një periudhë prej tre vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
6. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, që merren me tregtinë e cilësuar "Prodhim i helmeve dhe substancave korrozive, me përjashtim të helmeve të rrezikshme speciale" ose "Shitja e helmeve, substancave korrozive dhe
pesticideve", në bazë të licencës për tregtinë e vogël, të nxjerrë para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, lejohen të vazhdojnë tregtinë, për një periudhë prej një viti pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.
7. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, janë të detyruar të vërtetojnë përputhjen me kushtet e autorizimit, sipas këtij ligji, brenda një periudhe njëvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Zyra e licencimit, kur mungojnë kushtet e kualifikimit profesional, bën ndryshime në licencën e dhënë.
8. Kur personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare nuk vërtetojnë në zyrën e licencave ushtrimin e veprimtarisë në përputhje me kushtet, autorizimi i lëshuar për kryerjen e veprimtarisë së tyre tregtare mbaron në datën e përfundimit
të periudhës njëvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Zyrat e licencimit njoftojnë personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare dhe zyrën administrative përkatëse për përfundimin e periudhës së
ushtrimit të veprimtarisë së tyre tregtare, të përcaktuar në autorizim.
9. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, që zhvillojnë tregtinë e lejuar "Asgjësimi i organizmave, bimëve dhe mikroorganizmave të dëmshëm dhe eliminimi i faktorëve të tjerë dëmtues duke përdorur helmet, përfshirë dezinfektimin mbrojtës, kontrollin e insekteve dhe brejtësve, me përjashtim të veprimtarive profesionale në fushën e kujdesit mjekësor" ose "Prodhimi i helmeve të rrezikshme speciale", në bazë të licencës së nxjerrë para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, mund ta vazhdojnë këtë
tregti deri një vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
10. Personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare, janë të detyruar që, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të vënë në dijeni zyrën e licencimit për zbatimin e kushteve të autorizimit, sipas këtij ligji. Me mbarimin e këtij afati autorizimi është i pavlefshëm.
Zyra e licencimit njofton për këtë fakt personat juridikë ose fizikë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarisë tregtare dhe, njëkohësisht, zyrën administrative. Nëse kjo zyrë e gjykon se janë plotësuar kushtet, merr vendim për ndryshime në licencën e dhënë.

Neni 28
Akte të tjera të nevojshme

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 4, 10 pika 8,
13 pikat 1 dhe 5 dhe 15 pika 2 të këtij ligji.

Neni 29
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekret nr.3922, datë 30.7.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
Attachments
Aneks 2 (2).png
Aneks 2 (2).png (68.94 KiB) Viewed 4883 times
Aneks 2 (1).png
Aneks 2 (1).png (94.5 KiB) Viewed 4883 times

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 3 guests