LIGJI PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr.10 433, datë 16.6.2011

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr.10 433, datë 16.6.2011

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 10:49

LIGJI PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr.10 433, datë 16.6.2011

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:



KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton parimet e përgjithshme të inspektimit, organizimin e institucioneve publike, që kryejnë funksione inspektimi, statusin e inspektorëve, rregullat e procedimit administrativ të inspektimit dhe krijimin e funksionet e Inspektoratit Qendror.

Neni 2
Fusha e veprimit

1. Ky ligj është i zbatueshëm për funksionet e inspektimit në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes
qendrore dhe të njësive të qeverisjes vendore, përveç:
a) inspektimit të brendshëm me karakter administrativ në sektorin publik;
b) auditimit të brendshëm në sektorin publik dhe inspektimit financiar publik;
c) kontrollit tatimor dhe atij doganor;
ç) inspektimit të autoritetit përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për parandalimin e
pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
d) inspektimit të lojërave të fatit.
2. Dispozitat e këtij ligji plotësohen me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurave Administrative.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Kërkesat ligjore” janë kërkesat e përcaktuara nga një ligj, akt nënligjor apo një leje, licencë a autorizim dhe që janë të detyrueshme për t’u respektuar gjatë ushtrimit të një veprimtarie të natyrës tregtare, ekonomike apo profesionale, përfshirë ato kërkesa të detyrueshme për t’u respektuar nga organet publike që ofrojnë shërbime publike.
2. “Subjekti i inspektimit” është çdo person fizik apo juridik, privat apo publik, që ka, sipas ligjit,
detyrimin të respektojë një kërkesë ligjore.
3. “Inspektim” është çdo formë kontrolli që organi publik kryen për verifikimin e respektimit të kërkesave
ligjore nga subjekti i inspektimit.
4. “Inspektim rastësor” është ajo formë inspektimi, në të cilin subjekti i inspektimit është i përcaktueshëm, në mënyrë rastësore në bazë të veprimtarisë së caktuar që kryen apo në bazë të marrëdhënies me një ngjarje të përcaktuar, përfshirë kalimin në një periudhë të përcaktuar në një rrugë publike, ku ushtrohet inspektimi, apo ushtrimi i veprimtarisë në një zonë gjeografike a një treg të caktuar.
5. “Inspektim i programuar” është inspektimi që kryhet në bazë të programit të miratuar të inspektimit për
çdo inspektorat qendror apo vendor.
6. “Inspektimi në vend” është inspektimi që kryhet në vendin apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë së subjektit të inspektimit.
7. “Inspektorati shtetëror” është institucioni qendror i ngarkuar me një apo disa funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore.
8. “Inspektorati vendor” është njësia organizative e njësisë së qeverisjes vendore, ngarkuar me një apo disa funksione inspektimi në juridiksionin e njësisë së qeverisjes vendore.
9. “Ministri përgjegjës” është ministri që mbulon fushën shtetërore të veprimtarisë, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi për një funksion të caktuar inspektimi.
10. “Dënim administrativ” është masa e paralajmërimit, gjoba dhe çdo masë apo sanksion tjetër administrativ, pavarësisht nga emri i parashikuar nga ligji që rregullon një funksion inspektimi.
11. “Paralajmërimi” është dënimi administrativ që sanksionon shkeljet e një rëndësie të vogël të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit dhe që ka për qëllim evidentimin e tyre dhe paralajmërimin e subjektit që, në rast përsëritjeje të së njëjtës shkelje apo shkeljeve të tjera, jepet një dënim administrativ më i rëndë.

KREU II
QËLLIMI DHE PARIMET E INSPEKTIMIT


Neni 4
Qëllimi i inspektimit


1. Inspektimi ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të interesave të ligjshëm të personave fizikë e juridikë.
2. Qëllimi i veprimtarisë së inspektimit arrihet nëpërmjet:
a) vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit;
b) dokumentimit të praktikave të mira në respektimin e kërkesave ligjore dhe përhapjen e tyre;
c) këshillimit të subjektit të inspektuar për zbatimin sa më korrekt të kërkesave ligjore;
ç) urdhërimit të korrigjimit të shkeljeve të kërkesave ligjore dhe eliminimit të pasojave që rrjedhin prej tyre;
d) dhënies së dënimeve dhe marrjes së masave të tjera administrative për shmangien e rreziqeve që mund t’u shkaktohen interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë, të parashikuar nga ky ligj apo legjislacioni i posaçëm.

Neni 5
Parimi i pavarësisë së inspektimit

Inspektori apo grupi i inspektimit, brenda kompetencave të dhëna me ligj apo akt nënligjor, është plotësisht i pavarur në kryerjen e procedimit të inspektimit dhe marrjen e vendimeve për një rast konkret.

Neni 6
Parimi i proporcionalitetit në veprimtarinë e inspektimit
1. Në kryerjen e inspektimit, inspektori kryen veprimet e inspektimit në mënyrë të tillë që të ndërhyjë në veprimtarinë e subjektit të inspektimit vetëm për aq sa është e domosdoshme dhe e përshtatshme për arritjen e qëllimit të inspektimit.
2. Në përcaktimin e dënimit apo të masës që duhet marrë, inspektori, në përputhje me rëndësinë e shkeljeve të konstatuara apo pasojave të tyre, vendos atë sanksion apo merr atë masë që është domosdoshme dhe e përshtatshme për arritjen e qëllimit të dënimit apo masës dhe që cenon më pak të drejtat apo interesat e ligjshëm të subjektit të inspektimit.
3. Në përcaktimin e një afati për korrigjimin e shkeljeve të konstatuara dhe eliminimin e pasojave të tyre nga subjekti i inspektimit, inspektori merr në konsideratë rëndësinë e shkeljes, pasojat e saj dhe rrethanat konkrete që përcaktojnë kohën e nevojshme për kryerjen e veprimeve për këtë qëllim, me përpjekjet maksimale nga ana e subjektit të inspektimit.

Neni 7
Parimi i programimit të inspektimeve

Një subjekt mund të inspektohet vetëm në zbatim të programit të inspektimit. Përjashtimisht, një subjekt mund të inspektohet jashtë programit në rastet e parashikuara shprehimisht me ligj.

Neni 8
Parimi i dispozitës më të favorshme ligjore

1. Kur dispozitat ligjore, në bazë të të cilave vepron inspektimi, janë të paqarta apo bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, inspektori vepron në mënyrën që cenon më pak subjektin e inspektimit.
2. Kur subjekti i inspektimit ka vepruar në përputhje me një kërkesë ligjore që bie në kundërshtim me një kërkesë tjetër ligjore, veprimi i tij nuk do të konsiderohet në shkelje të ligjit.

Neni 9
Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit

1. Inspektorati informon publikun për konstatimet dhe masat e marra gjatë procedimit administrativ të inspektimit, nëse kjo është e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave fizikë e juridikë.
2. Informimi, sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë.

KREU III
ORGANIZMI DHE FUNKSIONIMI I INSPEKTORATEVE NË NIVEL QENDROR DHE VENDOR


Seksioni 1
Organizimi dhe funksionimi i inspektorateve shtetërore


Neni 10
Inspektoratet shtetërore

1. Funksionet e inspektimit në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore kryhen nga inspektoratet shtetërore, që janë institucione qendrore publike, në varësinë e një ministri përgjegjës. Si rregull, një inspektorat shtetëror është përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën shtetërore të veprimtarisë së një ministrie.
2. Përjashtimisht, një inspektorat shtetëror mund të jetë pjesë përbërëse e një institucioni tjetër, në varësi të një ministrie, nëse parashikohet shprehimisht nga një ligj i posaçëm.
3. Inspektorati shtetëror ushtron juridiksionin e tij territorial në të gjithë territorin e vendit. Nëse është e nevojshme, inspektorati mund të organizohet edhe në degë territoriale, të cilat drejtohen nga drejtuesi i degës përkatëse.

Neni 11
Krijimi dhe organizimi i inspektorateve shtetërore

1. Inspektorati shtetëror kompetent për kryerjen e një funksioni inspektimi të parashikuar me ligj krijohet apo
përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Këshilli i Ministrave përcakton varësinë institucionale, rregullat e organizimit e të funksionimit të inspektoratit shtetëror, funksionet e inspektimit në kompetencë të tij, si dhe numrin dhe juridiksionin territorial të degëve të tij, nëse ka të tilla.
3. Struktura dhe organika e inspektorateve shtetërore miratohet nga Kryeministri.

Neni 12
Drejtimi i inspektorateve shtetërore

1. Çdo inspektorat shtetëror drejtohet nga kryeinspektori. Kur inspektorati është pjesë përbërëse e një organi varësie, siç përcaktohet në pikën 2 të nenit 10 të këtij ligji, kryeinspektor është vetë titullari i organit të varësisë.
2. Kryeinspektori dhe titullari i organit të varësisë, në rastin e parashikuar në pikën 2 të nenit 10 të këtij ligji, emërohet dhe lirohet nga detyra nga Kryeministri, me propozimin e ministrit përgjegjës.
3. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën dhe lirimin nga detyra të kryeinspektorit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13
Përgjegjësitë e kryeinspektorit

1. Kryeinspektori drejton veprimtarinë e inspektoratit dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
2. Kryeinspektori është përgjegjës për organizimin e koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së inspektoratit.

Seksioni 2
Inspektoratet në juridiksionin e njësive të qeverisjes vendore

Neni 14
Krijimi i inspektorateve në juridiksionin e njësive të qeverisjes vendore

1. Njësia, që kryen funksionin e inspektimit të parashikuar me ligj, në juridiksionin e njësisë se qeverisjes vendore,
krijohet apo përcaktohet me vendim të këshillit të njësisë vendore përkatëse, sipas legjislacionit për organizimin
dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
2. Njësia e inspektimit, më poshtë “inspektorati vendor”, drejtohet nga kryeinspektori vendor.
3. Neni 13 i këtij ligji zbatohet edhe për kryeinspektorin vendor.

Seksioni 3
Inspektorati Qendror


Neni 15
Krijimi i Inspektoratit Qendror

1. Inspektorati Qendror krijohet si një institucion publik qendror, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit dhe financohet nga Buxheti i Shtetit.
2. Rregullat e organizimit e të funksionimit të Inspektoratit Qendror miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Struktura dhe organika e Inspektoratit Qendror miratohet nga Kryeministri.

Neni 16
Misioni dhe funksionet e Inspektoratit Qendror

1. Inspektorati Qendror ka për mision përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të
inspektimit në Republikën e Shqipërisë.
2. Inspektorati Qendror ka këto funksione:
a) bashkërendon dhe mbështet veprimtarinë e inspektorateve shtetërore e të inspektorateve vendore;
b) jep mendim këshillimor për programet e inspektimit, të hartuara nga inspektoratet shtetërore;
c) miraton rregulla të përgjithshme, bazë, për metodologjinë e vlerësimit të riskut, programimin e inspektimeve, dokumentimin e veprimtarisë së inspektimit, si dhe raportimin e veprimtarisë së inspektorateve;
ç) miraton rregulla të përgjithshme për treguesit e përgjithshëm të efektivitetit dhe të cilësisë së veprimtarisë
së inspektimit, si dhe kriteret e vlerësimit të tyre;
d) jep mendime për çdo nismë ligjore dhe nënligjore në fushën e inspektimit;
dh) mbikëqyr zbatimin e këtij ligji e të ligjit të posaçëm nga inspektorët shtetërorë, për programimin, autorizimin dhe kryerjen e procedimit të inspektimit, dhe ka të drejtë të propozojë marrjen e masave disiplinore ndaj inspektorëve dhe Kryeinspektorit Shtetëror, në rast të konstatimit të shkeljeve prej këtyre të fundit;
e) përgatit raportin vjetor të përgjithshëm të inspektimeve dhe ia paraqet për njohje Këshillit të Ministrave;
ë) bashkërendon veprimtarinë e trajnimit e të kualifikimit të inspektorëve;
f) miraton kërkesat specifike për arsimimin e inspektorëve në inspektoratet shtetërore dhe vendore;
g) kryen testimin fillestar dhe periodik të inspektorëve;
gj) krijon dhe mban një portal unik të inspektimit, që shërben për programimin dhe bashkërendimin e inspektimeve, shkëmbimin e të dhënave ndërmjet inspektorateve të ndryshme, si dhe për informimin e publikut;
h) mban listën e përditësuar të inspektorëve në detyrë për çdo inspektorat shtetëror dhe vendor dhe e publikon atë në
faqen zyrtare të internetit.
3. Kur nga Inspektorati Qendror propozohet një masë disiplinore ndaj një inspektori apo kryeinspektori shtetëror, sipas shkronjës “dh” të pikës 2 të këtij neni, kryeinspektori apo përkatësisht eprori i drejtpërdrejtë i kryeinspektorit detyrohet të fillojë,
pa vonesë, procedimin disiplinor.
4. Për realizimin e funksioneve të tij, Inspektorati Qendror ka të drejtë të kërkojë të gjithë informacionin e nevojshëm për veprimtarinë e inspektorateve shtetërore dhe të inspektojë dosjet e inspektimit, si dhe çdo dokument tjetër të lidhur me programimin e kryerjen e procedimeve administrative të inspektimit. Inspektorati Qendror nuk ndikon në zhvillimin e procedimit dhe vendimmarrjen përkatëse për një rast konkret.
5. Procedurat e hollësishme për ushtrimin e kompetencave të Inspektoratit Qendror, sipas këtij neni, dhe rregullat për përmbajtjen dhe administrimin e portalit unik të inspektimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 17
Drejtimi dhe statusi i punonjësve të Inspektoratit Qendror

1. Inspektorati Qendror drejtohet nga Inspektori i Përgjithshëm, që emërohet dhe shkarkohet nga detyra nga Kryeministri.
2. Inspektori i Përgjithshëm drejton veprimtarinë e Inspektoratit Qendror dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
3. Marrëdhëniet e punësimit të nëpunësve të Inspektoratit Qendror, me përjashtim të punonjësve të tjerë, që kryejnë detyra të karakterit mbështetës, rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në legjislacionin për nëpunësit civilë për institucionet e pavarura, përveç sa parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj. Inspektori i Përgjithshëm është “eprori i drejtpërdrejtë” i nëpunësve të inspektoratit, në kuptimin e këtyre dispozitave.

Seksioni 4
Mbikëqyrja dhe raportimi i inspektorateve


Neni 18
Marrëdhëniet e inspektorateve qendrore me ministrinë përgjegjëse

1. Ministria përgjegjëse mbështet funksionimin efektiv të inspektoratit shtetëror në varësi të saj. Kjo përgjegjësi nuk përfshin drejtimin operacional të veprimtarisë së inspektimit.
2. Ministria përgjegjëse, me mbështetjen metodologjike të Inspektoratit Qendror, përcakton:
a) objektivat vjetorë dhe afatmesëm strategjikë të inspektoratit shtetëror;
b) treguesit specifikë të efektivitetit e të cilësisë së veprimtarisë së inspektimit dhe punës së inspektorateve shtetërore.
3. Inspektorati shtetëror i paraqet ministrit përgjegjës dhe Inspektoratit Qendror raportin vjetor të inspektimit.
4. Ministri përgjegjës ka të drejtë të kërkojë raporte, informacione dhe dokumente për menaxhimin institucional e financiar të institucionit dhe veprimtarinë e inspektimit në përgjithësi apo për një çështje konkrete.
5. Ministri mund të urdhërojë, me shkrim dhe në mënyrë të motivuar, fillimin e një inspektimi për një subjekt të caktuar apo për një çështje konkrete që përfshin më shumë se një subjekt.

Neni 19
Marrëdhëniet e inspektorateve vendore me njësinë e qeverisjes vendore

1. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore mbështet funksionimin efektiv të inspektoratit vendor. Kjo përgjegjësi nuk përfshin drejtimin operacional të veprimtarisë së inspektimit.
2. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore, me mbështetjen metodologjike të Inspektoratit Qendror, përcakton:
a) objektivat vjetorë dhe afatmesëm strategjikë të inspektoratit vendor;
b) treguesit specifikë të efektivitetit e të cilësisë së veprimtarisë së inspektimit dhe punës së inspektorateve vendore.
3. Inspektorati vendor u paraqet organit ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore dhe Inspektoratit Qendror raportin vjetor të inspektimit.
4. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore ka të drejtë të kërkojë raporte, informacione dhe dokumente për menaxhimin institucional e financiar të institucionit dhe veprimtarinë e inspektimit në përgjithësi apo për një çështje konkrete.
5. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore mund të urdhërojë, me shkrim dhe në mënyrë të motivuar, fillimin e një inspektimi për një subjekt të caktuar apo për një çështje konkrete që përfshin më shumë se një subjekt.

Seksioni 5
Statusi i inspektorit qendror dhe vendor


Neni 20
Marrëdhënie e punësimit të inspektorit

1. Marrëdhëniet e punësimit të inspektorëve në inspektoratet shtetërore dhe vendore rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në legjislacionin për nëpunësit civilë për institucionet e pavarura, përveç sa parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj. Kryeinspektori i inspektoratit përkatës është “eprori i drejtpërdrejtë” i inspektorëve, në kuptimin e këtyre dispozitave.
2. Pika 1 e këtij neni zbatohet edhe për nëpunësit e tjerë të inspektoratit shtetëror, që nuk janë inspektorë, me përjashtim të punonjësve që kryejnë detyra të karakterit mbështetës, të cilët u nënshtrohen legjislacionit të punës dhe legjislacionit tjetër, me zbatim të përgjithshëm në administratën publike.

Neni 21
Kualifikimi dhe testimi i inspektorëve

1. Inspektorët shtetërorë dhe vendorë u nënshtrohen trajnimit të detyrueshëm dhe testimit profesional fillestar përpara konfirmimit në përfundim të periudhës së provës dhe testimit periodik. Testimi profesional fillestar dhe ai periodik bëhen në bazë të një provimi që organizohet nga Inspektorati Qendror.
2. Moskalimi i testimit fillestar deri në përfundim të periudhës së provës apo moskalimi në testimin periodik, për shkaqe që varen nga vetë inspektori, shkakton përkatësisht moskonfirmimin në fund të periudhës së provës apo largimin nga detyra. Vendimi për largimin nga detyra, në rast të moskalimit periodik, merret nga “eprori i drejtpërdrejtë” sipas procedurave për disiplinën në legjislacionin për nëpunësit civilë, që zbatohen me ndryshimet përkatëse.
3. Këshilli i Ministrave përcakton intervalet e testimit periodik, rregullat e hollësishme për procedurën e provimit dhe kriteret përkatëse të vlerësimit në këtë procedurë.

Neni 22
Kryerja e veprimeve të inspektimit nga inspektori në periudhë prove

1. Inspektori në periudhë prove mund të kryejë veprime inspektimi vetëm nën mbikëqyrjen e një inspektori që ka
kaluar testimin fillestar.
2. Inspektori i testuar mbikëqyr veprimet e inspektorit në periudhë prove dhe nënshkruan çdo akt të tij.
Nënshkrimi është kusht për vlefshmërinë e aktit.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk zbatohen për periudhën deri në testimin e parë periodik pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 23
Kufizimet gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndalime në mbarim të funksionit

Përveç sa parashikohet nga ligji nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, inspektori i nënshtrohet edhe kufizimeve të parashikuara për zyrtarët e organit tatimor ose doganor, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, kufizime këto, që zbatohen me ndryshimet përkatëse, sipas juridiksionit të inspektoratit ku inspektori ushtron detyrën.


KREU IV
RREGULLA TË PËRGJITHSHME PËR PROGRAMIMIN
DHE AUTORIZIMIN E INSPEKTIMIT


Neni 24
Inspektimi i programuar

1. Një inspektim konkret autorizohet, si rregull, në bazë të programit të inspektimit.
2. Programimi i inspektimi hartohet nga vetë inspektorati, bazuar në metodologjitë e vlerësimit të rrezikut dhe në detyrimin për inspektimin periodik në rastet e parashikuara nga ligji i posaçëm.
3. Programi i inspektimit të inspektoratit shtetëror miratohet nga ministri përgjegjës pas marrjes së mendimit këshillimor nga Inspektorati Qendror, ndërsa programi i inspektimit të inspektoratit vendor miratohet nga organi ekzekutiv i
njësisë së qeverisjes vendore.

Neni 25
Inspektimi jashtë programit

1. Përjashtimisht, një inspektim konkret mund të autorizohet jashtë programit të inspektimit në rastet kur:
a) subjekti i inspektimit, që detyrohet të paraqesë një informacion periodik, sipas ligjit të posaçëm, nuk e ka përmbushur këtë detyrim brenda afatit të caktuar, nuk e ka përmbushur në mënyrë të plotë, apo ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë
e informacionit të paraqitur;
b) nga monitorimi dhe mbikëqyrja e kryer nga inspektoratet, nëpërmjet analizës periodike dhe të vazhduar të të dhënave apo informacioneve, lind dyshimi i arsyeshëm për shkeljen e kërkesave ligjore dhe arrihet në përfundimin se është i nevojshëm fillimi i një inspektimi;
c) si pasojë e informacionit të marrë nga një institucion publik shqiptar apo një shtet tjetër a një organizatë ndërkombëtare, konsiderohet se është i nevojshëm fillimi i një inspektimi;
ç) ndodhja e ngjarjeve, aksidenteve apo incidenteve kanë cenuar apo mund të cenojnë jetën a shëndetin e njerëzve,
kafshëve apo mjedisin;
d) parashikohet në pikën 5 të nenit 18 dhe në pikën 5 të nenit 19 të këtij ligji;
dh) parashikohet shprehimisht nga ligji i posaçëm.
2. Një inspektim, jashtë programit, mund të autorizohet edhe në bazë të një denoncimi apo informacioni të marrë nga të tretët, nëse krijohet dyshimi i arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore nga një subjekt.
3. Personi, që ka paraqitur denoncimin apo informacionin, sipas pikës 2 të këtij neni, informohet në përfundim të procedimit të inspektimit për rezultatet e tij, por nuk është palë e procedimit të inspektimit, në kuptimin e Kodit të Procedurave Administrative.
4. Inspektim jashtë programit konsiderohet edhe inspektimi në kushtet e flagrancës, sipas parashikimit të shkronjës “a” të pikës 2 të nenit 27 të këtij ligji.

Neni 26
Kohëzgjatja vjetore e inspektimit në vendin e ushtrimit të veprimtarisë

1. Gjatë një viti kalendarik, një subjekt i caktuar inspektimi mund t’u nënshtrohet inspektimeve në vend, në fushën e veprimit të këtij ligji, për një periudhë kohore jo më të gjatë se periudha maksimale e lejuar e inspektimit vjetor.
2. Këshilli i Ministrave përcakton periudhën maksimale të lejuar të inspektimeve vjetore për kategori të ndryshme të subjekteve të inspektimit, në varësi të madhësisë së subjektit dhe rrezikut të veprimtarisë që kryhet, si dhe mënyrën e llogaritjes së saj. Periudha maksimale e lejuar e inspektimit vjetor është nga 5 deri në 15 ditë.
3. Në llogaritjen e periudhës maksimale të lejuar nuk përfshihet kohëzgjatja:
a) e inspektimit rastësor;
b) e inspektimit në rastin e ndodhjes së ngjarjeve, aksidenteve apo incidenteve që kanë cenuar apo mund të cenojnë jetën a shëndetin e njerëzve, kafshëve apo mjedisin, parashikuar në shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 25 të këtij ligji;
c) e inspektimit për verifikimin e korrigjimit të shkeljeve në përfundim të afatit të përcaktuar në pikën 4 të nenit 48 të këtij ligji.

Neni 27
Autorizimi i një inspektimi

1. Procedimi administrativ i inspektimit fillon, si rregull, me lëshimin e autorizimit të inspektimit nga kryeinspektori, më poshtë “autorizimi”. Në rastin e inspektorateve shtetërore, të organizuara me degë territoriale, e drejta e autorizimit mund t’i delegohet drejtuesit të degës territoriale.
2. Inspektimi mund të fillojë pa autorizimin, sipas pikës 1 të këtij neni, vetëm kur:
a) konstatohet në flagrancë nga inspektori shkelja e një kërkese ligjore, brenda fushës së tij të inspektimit;
b) inspektohet për rastin e ndodhjes së ngjarjeve, aksidenteve apo incidenteve, që kanë cenuar apo mund të cenojnë jetën a shëndetin e njerëzve, kafshëve apo mjedisin, parashikuar në shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 25 të këtij ligji;
c) inspektohet për rastet e parashikuara me ligjet e posaçme, që kryhen në pikat e kalimit kufitar;
ç) parashikohet shprehimisht nga ligji i posaçëm.
3. Fillimi i inspektimit në rastin e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 2 të këtij neni pasqyrohet, pa vonesë, me një shënim në një rubrikë të posaçme të procesverbalit të inspektimit dhe konsiderohet, si autorizim i posaçëm. Inspektori detyrohet të njoftojë, pa vonesë, nëpunësin përgjegjës për lëshimin e autorizimit të inspektimit.
4. Autorizimi nuk mund të ankimohet veçmas vendimit përfundimtar të inspektimit. Lëshimi i autorizimit në kundërshtim me parashikimet e neneve 24 - 27 të këtij ligji, nuk përbën, veçmas, shkak për pavlefshmërinë e vendimit përfundimtar të inspektimit, por përbën shkelje disiplinore për nëpunësin përgjegjës që ka lëshuar autorizimin.

Neni 28
Përmbajtja e autorizimit

1. Në autorizimin e inspektimit përcaktohen, të paktën, këto elemente:
a) inspektorati shtetëror apo vendor përkatës, që lëshon autorizimin;
b) objekti i inspektimit;
c) baza ligjore;
ç) data dhe vendi i lëshimit;
d) identiteti i inspektorit apo i inspektorëve të autorizuar për të kryer inspektimin;
dh) identiteti i personave të tjerë të autorizuar për kryerjen e veprimeve ndihmëse, sipas pikës 1 të nenit 31 të këtij ligji;
e) emri apo emërtimi dhe adresa e subjektit të inspektimit, të dhëna për përcaktimin sa më të qartë të tij, në rastin e inspektimit rastësor, apo të dhëna për përcaktimin sa më të saktë të veprimtarisë konkrete që i nënshtrohet inspektimit, në rast se emri, emërtimi dhe adresa nuk janë të njohura;
ë) kohëzgjatja në ditë për kryerjen e inspektimit;
f) vendi apo vendet ku do të kryhet inspektimi;
g) të dhënat e identifikimit, pozicioni dhe nënshkrimi i personit që ka lëshuar autorizimin.
2. Inspektorët e një dege territoriale mund të kryejnë inspektime në kuadër të një dege tjetër territoriale vetëm
me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit.
3. Kur emri, emërtimi apo adresa e subjektit të inspektimit nuk janë të njohura apo në rastin e inspektimit rastësor, autorizimi përmban të dhëna të hollësishme, që lejojnë përcaktimin sa më të saktë të subjektit a të subjekteve të inspektimit.
4. Përmbajtja e hollësishme e autorizimit për çdo funksion inspektimi miratohet nga Inspektori i Përgjithshëm,
me propozim të kryeinspektorit përkatës.

Neni 29
Kohëzgjatja e autorizimit

1. Autorizimi është i vlefshëm vetëm për kohëzgjatjen e përcaktuar shprehimisht në të.
2. Përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe nga ligji i posaçëm, në raste përjashtimore, për shkak të kompleksitetit të veprimeve të inspektimit, kohëzgjatja mund të shtyhet me një herë të vetme dhe për një periudhë jo më të
madhe se kohëzgjatja fillestare.
3. Shtyrja bëhet me propozim të inspektorit dhe me vendim të nëpunësit përgjegjës për lëshimin e autorizimit. Vendimi i njoftohet subjektit të inspektimit përpara skadimit të kohëzgjatjes dhe nuk mund të ankimohet veçmas.
4. Çdo veprim procedural i kryer jashtë kohëzgjatjes së përcaktuar sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni nuk prodhon asnjë pasojë juridike për subjektin e inspektimit dhe ngarkon me përgjegjësi disiplinore inspektorin përkatës.
5. Inspektimi që zgjat më pak se katër orë llogaritet si inspektim gjysmëditor, ndërsa ai që zgjat më shumë se katër orë,
llogaritet si inspektim 1-ditor.


KREU V
PROCEDURA E INSPEKTIMIT


Seksioni 1
Personat pjesëmarrës në inspektim dhe njoftimi i inspektimit


Neni 30
Personat e autorizuar për të kryer veprime inspektimi

1. Inspektimi kryhet nga inspektorët e përcaktuar në autorizimin e inspektimit.
2. Përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe nga ligji i posaçëm, vetëm inspektorët, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kryejnë veprime inspektimi dhe gëzojnë të drejtat e parashikuara në këtë ligj.
3. Zëvendësimi i një inspektori të përcaktuar në autorizimin e inspektimit mund të bëhet vetëm me vendim të veçantë të nëpunësit përgjegjës për lëshimin e autorizimit, që i njoftohet pa vonesë subjektit të inspektimit dhe, sidoqoftë,
përpara fillimit të veprimeve nga inspektori i ri.
4. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë inspektuese, inspektori identifikohet me kartën e inspektorit. Karta e inspektorit lëshohet nga Inspektorati Qendror, për inspektoratet shtetërore, apo nga organi ekzekutiv i qeverisjes vendore, për inspektoratet vendore.

Neni 31
Mbështetja e veprimeve të inspektimit

1. Inspektori, për përcaktimin e fakteve e të rrethanave të nevojshme për marrjen e një vendimi për inspektimin, mund të kërkojë ndihmë të specializuar nga nëpunës, organe publike apo ekspertë e subjekte të certifikuara private.
2. Gjatë inspektimit mund të kryhen, gjithashtu, veprime të caktuara ndihmëse edhe nga nëpunës të tjerë të organit inspektues që nuk janë inspektorë.
3. Personat e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk kanë të drejtat e përcaktuara nga ky ligj për inspektorin dhe nuk mund të marrin vendime procedurale apo përfundimtare për inspektimin. Sidoqoftë, ata kanë detyrimin të mos përhapin a përdorin të dhënat personale dhe ato që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit a të personave të tjerë të përfshirë, që mbrohen sipas legjislacionit në fuqi dhe me të cilat njihen gjatë inspektimit.

Neni 32
Njoftimi i inspektimit

1. Inspektimi i njoftohet nëpërmjet njoftimit paraprak të autorizimit subjektit të inspektimit jo më vonë se
3 ditë përpara fillimit të veprimeve të inspektimit.
2. Njoftimi paraprak nuk kryhet në këto raste:
a) kur ekziston rreziku që njoftimi mund të pengojë kryerjen me efektivitet të inspektimit;
b) kur mosnjoftimi përcaktohet shprehimisht nga ligji i posaçëm;
c) për inspektimin për verifikimin e korrigjimit të shkeljeve në përfundim të afatit të përcaktuar, sipas pikës 4 të nenit 48 të këtij ligji;
ç) për inspektimet e parashikuara në pikën 2 të nenit 26 të këtij ligji;
d) për inspektimin rastësor.
3. Mosnjoftimi paraprak i inspektimit, sipas shkronjës “a” të pikës 2 të këtij neni, vendoset nga personi që lëshon autorizimin dhe pasqyrohet në autorizim. Vendimi i mosnjoftimit paraprak motivohet.
4. Në rast të mosnjoftimit paraprak, inspektimi njoftohet njëkohësisht me fillimin e veprimeve të inspektimit, nëpërmjet:
a) dorëzimit të autorizimit, përfaqësuesit të subjektit të inspektimit, në rastet e parashikuara në shkronjat “a” - “c” të pikës 1 të këtij neni. Në rast të refuzimit të marrjes së autorizimit apo mosgjetjes së personit përfaqësues, inspektori e afishon autorizimin në vendin ku kryhet inspektimi dhe ky fakt pasqyrohet në procesverbal;
b) njoftimit me gojë në rastet e tjera.
5. Pavarësisht nga njoftimi paraprak, në çdo rast, inspektori, përpara fillimit të veprimeve të inspektimit, informon, verbalisht, përfaqësuesin e subjektit të inspektimit për objektin e inspektimit e për të drejtat dhe detyrimet e subjektit të inspektimit, sipas ligjit, si dhe për pasojat ligjore të mosrespektimit të këtyre detyrimeve.

Neni 33
Vendi i inspektimit

1. Vendi i inspektimit përcaktohet në autorizim. Vendi i inspektimit mund të jetë:
a) kudo ku kryen veprimtarinë e tij subjekti i inspektimit dhe ndodhen faktet që lidhen me respektimin apo
mosrespektimin e kërkesave ligjore;
b) në zyrat e organit inspektues, nëse nga natyra e inspektimit është i mundur të kryhet inspektimi.
2. Në rastin e parashikuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, subjekti i inspektimit ftohet, nëpërmjet njoftimit paraprak, të paraqitet në zyrat e inspektoratit. Nëse është e nevojshme, inspektori mund të kërkojë paraqitjen e dokumenteve, të sendeve apo të të dhënave të tjera, të nevojshme për kryerjen e inspektimit në zyrat e tij.

Neni 34
Koha për kryerjen e inspektimit

1. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, veprimet e inspektimit zhvillohen në kohën më të përshtatshme për kryerjen me efektivitet të tyre, pavarësisht nga kohëzgjatja normale e punës së inspektorit apo subjektit të inspektimit.
2. Kur inspektimi në vend nuk mund të përfundojë pa ndërprerje dhe, nëse është e domosdoshme, inspektori mund të vendosë ndalimin e hyrjes në mjediset nën inspektim apo dyllosjen e makinerive, të pajisjeve e të dokumenteve të caktuara, për periudhën e ndërprerjes së veprimeve të inspektimit, deri në rifillimin normal të tyre, por jo për më shumë se 2 ditë.
3. Vendimi, sipas pikës 2 të këtij neni, pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit dhe i njoftohet me gojë përfaqësuesit të subjektit të inspektimit. Vendimi nuk mund të ankimohet veçmas.

Seksioni 2
Të drejtat dhe detyrimet e subjektit të inspektimit


Neni 35
Të drejtat e subjektit të inspektimit

1. Subjekti i inspektimit ka këto të drejta gjatë inspektimit:
a) të kërkojë të njihet me autorizimin e inspektimit para fillimit të inspektimit, përveç rasteve kur, sipas ligjit,
inspektimi nuk bëhet në bazë të autorizimit;
b) të kërkojë identifikimin e inspektorëve nëpërmjet kartës së inspektorit;
c) të jetë prezent dhe të ndjekë, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, të gjitha veprimet e inspektimit;
ç) të kërkojë dhe të marrë informacion nga inspektori për procedurën e inspektimit dhe për çdo veprim apo vendim
të ndërmarrë gjatë saj;
d) të paraqesë, me shkrim apo me gojë, mendimet, shpjegimet për faktet, rrethanat apo edhe për çështjet ligjore, që kanë të bëjnë me inspektimin, apo të paraqesë propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes dhe dokumentet përkatëse ku i mbështet ato;
dh) të kërkojë të njihet dhe t’i njoftohet procesverbali i inspektimit;
e) të paraqesë kontestimet e tij për vlerësimin e provave të administruara, për rezultatet e hetimit dhe për vendimin
që synohet të merret nga organi publik.
2. Kur pjesëmarrja, gjatë kryerjes së inspektimit, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, pengon kryerjen e veprimeve të inspektimit, inspektori mund të vendosë përjashtimin nga pjesëmarrja. Vendimi pasqyrohet në procesverbal dhe nuk mund të ankimohet veçmas.

Neni 36
Detyrimet e subjektit të inspektimit

Përveç sa parashikohet nga ligji i posaçëm, subjekti i inspektimit ka këto detyrime gjatë veprimtarisë së inspektimit:
a) të caktojë një përfaqësues për të komunikuar me inspektorin gjatë inspektimit, në rast se nuk dëshiron të
komunikojë drejtpërdrejt me inspektorin;
b) të bashkëpunojë dhe të mos pengojë kryerjen e veprimeve të inspektimit. Mungesa e bashkëpunimit
vlerësohet bashkë me provat e tjera;
c) të ndalojë kryerjen e plotë apo të pjesshme të veprimtarisë, nëse kjo është domosdoshme për zhvillimin normal të veprimtarisë së inspektimit dhe kur kërkohet nga inspektori me shkrim në procesverbalin e inspektimit;
ç) të sigurojë një vend të përshtatshëm për punën e inspektorit, nëse inspektimi kryhet në vendin e ushtrimit të veprimtarisë;
d) të paraqesë çdo informacion, dokument dhe të japë çdo shpjegim për faktet e rrethanat e konstatuara dhe të nevojshme për inspektimin, nëse kërkohet nga inspektori dhe brenda afateve të përcaktuara nga ai;
dh) të lejojë dhe të mundësojë marrjen e dëshmive nga punëmarrësit e tij, nëse kjo kërkohet nga inspektori.

Seksioni 3
Të drejtat dhe detyrat e inspektorit


Neni 37
E drejta e hyrjes dhe inspektimit në mjediset e veprimtarisë së subjektit të inspektuar

1. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, inspektori ka të drejtë të hyjë dhe të inspektojë godinat, mjediset, objektet, mjetet e transportit, ku apo nëpërmjet të cilave ushtron veprimtarinë subjekti i inspektimit, si dhe të inspektojë instalimet, pajisjet, makineritë, produktet, sendet, substancat, përbërësit dhe çdo send tjetër të lidhur me veprimtarinë, objekt inspektimi.
2. Hyrja dhe inspektimi, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhen pa pasur nevojë për lejen e subjektit të inspektuar. Në rast pengimi, hyrja dhe inspektimi mund të kryhen forcërisht në praninë e një punonjësi të Policisë së Shtetit, sipas procedurës së parashikuar në ligjin përkatës. Shpenzimet e nevojshme për realizimin e hyrjes forcërisht i ngarkohen subjektit të inspektimit dhe përcaktohen në procesverbal apo në vendimin përfundimtar.

Neni 38
Marrja e mostrave

1. Nëse është e nevojshme për qëllimin e inspektimit, inspektorët kanë të drejtë të marrin, pa pagesë, mostra të produkteve, materialeve, mallrave, substancave apo prodhimeve dhe t’ia nënshtrojnë ato ekzaminimit apo analizave.
2. Mostrat merren në prani të përfaqësuesit të subjektit të inspektuar, përveç rasteve kur ai është përjashtuar, me vendim, nga të qenit i pranishëm gjatë inspektimit. Përpara zgjedhjes së mostrave, inspektori i shpjegon përfaqësuesit procedurën e marrjes së tyre.
3. Inspektori merr mostra në sasinë e nevojshme për kryerjen e ekzaminimit apo analizave dhe për të siguruar përsëritjen e tij,
nëse është e nevojshme.
4. Marrja e mostrave pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit. Inspektori është i detyruar të njoftojë rezultatet e ekspertizës apo të ekzaminimit brenda 4 ditëve nga data e marrjes së rezultatit të tyre.
5. Shpenzimet për përzgjedhjen, transportin dhe ekzaminimin apo analizën e mostrave parapaguhen nga inspektorati. Këto shpenzime përballohen nga subjekti i inspektimit, vetëm nëse rezultati i ekzaminimit apo analizave provon shkeljen e kërkesave ligjore përkatëse. Shuma e shpenzimeve pasqyrohet në vendimin përfundimtar të inspektimit.
6. Ekzaminimi dhe analiza e mostrave bëhen nga subjektet e akredituara, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Procedura të hollësishme për marrjen dhe trajtimin e mostrave, sipas tipit të inspektimit, si dhe metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Pikat 1-7 të këtij neni zbatohen, me ndryshimet përkatëse, edhe për kryerjen e ekspertizave të tjera të nevojshme për verifikimin e produkteve, pajisjeve, proceseve apo makinerive.

Neni 39
Marrja e kopjeve dhe sekuestrimi i dokumenteve

1. Gjatë inspektimit, inspektori ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë kopje të dokumenteve të veprimtarisë, në përputhje me objektin e inspektimit. Kërkesa bëhet me gojë dhe pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit. Çdo kopje dokumenti, i marrë, nënshkruhet nga përfaqësuesi i subjektit të inspektuar.
2. Inspektori ka, gjithashtu, të drejtë të sekuestrojë dokumente që lidhen me objektin e inspektimit, me qëllim verifikimin e autenticitetit apo korrektësisë së informacionit. Vendimi i sekuestrimit të dokumenteve pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit dhe përmban përshkrimin e plotë të dokumenteve të sekuestruara.
3. Pikat 1 e 2 të këtij neni zbatohen edhe për dokumentet e ruajtura në trajtë elektronike, regjistrimet elektronike e audio-vizive apo të çdolloj teknologjie tjetër.

Neni 40
Parimi i këshillimit dhe informimit

1. Inspektori siguron këshillimin e subjekteve të interesuara për parandalimin dhe shmangien e shkeljes së kërkesave ligjore, në mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme dhe pa pagesë.
2. Inspektori, gjithashtu, informon subjektin e inspektuar për të drejtat dhe detyrimet e tij në procedimin administrativ të inspektimit dhe për pasojat ligjore të veprimeve apo mosveprimeve të tij gjatë këtij procedimi.

Neni 41
Të drejta të tjera të inspektorit

Përveç sa parashikohet më sipër në këtë seksion, inspektori, brenda objektit dhe qëllimit të inspektimit, ka edhe këto të drejta:
a) të kryejë fotografime, filmime apo regjistrime me mënyra a mjete të tjera teknike të mjediseve, instalimeve, proceseve të punës dhe godinave, mjediseve, objekteve, mjeteve të transportit, instalimeve, pajisjeve, makinerive, produkteve, sendeve, substancave, përbërësve dhe çdo sendi tjetër, që lidhet me veprimtarinë e subjektit të inspektimit;
b) të inspektojë çdo dokument apo regjistrim të nevojshëm për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, përfshirë edhe ato të ruajtura, të krijuara apo të mbajtura në format elektronik, apo çdo teknikë tjetër;
c) të bëjë matjet e nevojshme për të verifikuar respektimin e kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit;
ç) të kryejë verifikime të dokumenteve për identitetin e personave, kur kjo është e nevojshme, sipas objektit të inspektimit;
d) t’i kërkojë subjektit të inspektimit apo punëmarrësve të tij të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për të lehtësuar inspektimin;
dh) të marrë pa pagesë dhe të përdorë për qëllimet e inspektimit çdo të dhënë për subjektin e inspektimit dhe veprimtarinë e tij, nga çdo institucion shtetëror që i disponon ato;
e) të administrojë çdo mjet tjetër prove, sipas Kodit të Procedurave Administrative, për përcaktimin e situatës faktike dhe rrethanave të nevojshme për marrjen e një vendimi përfundimtar.

Neni 42
Mbështetja e inspektimit nga Policia e Shtetit

Nëse inspektori ndesh apo mund të ndeshë rezistencë fizike, apo pengohet në kryerjen e detyrës së tij, ai mund të kërkojë ndihmën e organit të Policisë së Shtetit që ushtron juridiksionin në zonën përkatëse, sipas procedurës së parashikuar në ligjin përkatës.

Seksioni 4
Masat urgjente


Neni 43
Masat urgjente

1. Inspektori, gjatë inspektimit, ka të drejtë që, me vendim të ndërmjetëm, të marrë masa urgjente, kur:
a) për shkak të shkeljes së konstatuar të kërkesave ligjore mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm i interesit publik apo i palëve të treta, veçanërisht kur është e nevojshme për të shmangur një rrezik të menjëhershëm për jetën apo shëndetin e njerëzve, kafshëve a për mjedisin;
b) ka një dyshim të arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore, nga e cila mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm, i interesit publik apo palëve të treta dhe është e nevojshme kryerja e verifikimeve të mëtejshme dokumentare ose kryerja e ekzaminimeve apo analizave.
2. Masat urgjente janë:
a) ndërprerja e kryerjes së një veprimi, veprimtarie apo një pjese të saj;
b) ndalimi i funksionimit të një instalimi, makinerie apo pajisjeje;
c) bllokimi dhe ndalimi i hyrjes në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë;
ç) bllokimi dhe marrja në administrim e kafshëve, bimëve, mallrave, makinerive, produkteve apo sendeve;
d) ndalimi i përkohshëm i hyrjes në territorin e vendit të kafshëve, bimëve, mallrave, makinerive, produkteve apo sendeve;
dh) urdhërimi i subjektit të inspektimit të njoftojë të tretët apo publikun për rreziqet e mundshme;
e) edhe çdo masë tjetër që vlerësohet e domosdoshme dhe proporcionale për të realizuar qëllimin e masës urgjente.
3. Në rastin e ndalimit të hyrjes në territorin e vendit, sipas shkronjave “ç” e “d” të pikës 2 të këtij neni, sendet depozitohen dhe ruhen sipas dispozitave të ligjit të posaçëm apo përkatësisht marrëveshjeve ndërkombëtare.
4. Nëse është e mundur, qëllimi për të marrë një masë urgjente i njoftohet, paraprakisht, në mënyrë verbale, përfaqësuesit të subjektit të inspektimit, duke i dhënë mundësinë për të paraqitur pa vonesë komentet dhe shpjegimet përkatëse.
5. Vendimi i ndërmjetëm për marrjen e masës urgjente pasqyrohet në procesverbal dhe i njoftohet subjektit, pa vonesë, në mënyrë verbale. Një akt i shkruar me të njëjtën përmbajtje njoftohet brenda 24 orëve.
6. Vendimi i ndërmjetëm përfundon automatikisht me kalimin e afatit të parashikuar në të dhe, kur nuk është
përcaktuar një afat i tillë, me:
a) njoftimin e revokimit të tij;
b) njoftimin e përfundimit të procedimit apo njoftimin e vendimit përfundimtar, që nuk konstaton shkelje të kërkesave ligjore;
c) skadimin e afatit për njoftimin e vendimit përfundimtar të inspektimit pa një vendim të tillë;
ç) njoftimin e vendimit të zgjidhjes së ankimit ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit në rastin kur është bërë ankim;
d) skadimin e afatit për paraqitjen e ankimit administrativ ndaj vendimit përfundimtar pa bërë ankim;
dh) urdhërimin shprehimisht me vendim gjyqësor.
7. Vendimi i ndërmjetëm është me ekzekutim të menjëhershëm. Nëse nuk ekzekutohet vullnetarisht, pa vonesë, nga subjekti i inspektimit apo nëse ai bën të ditur ose nga rrethanat rezulton se nuk do ta ekzekutojë vendimin, vendimi ekzekutohet menjëherë nga inspektorati përkatës me shpenzimet e subjektit të inspektimit, të cilat pasqyrohen në vendimin përfundimtar apo në një akt të veçantë.
8. Masat urgjente mund të merren deri në çastin e marrjes së vendimit përfundimtar.
9. Kundër vendimit të masës urgjente, subjekti i interesuar ka të drejtën e ankimit të veçantë, sipas nenit 44 të këtij ligji.

Neni 44
Ankimi i veçantë

1. Ankimi i veçantë mund të paraqitet brenda 5 ditëve nga data e njoftimit të vendimit të ndërmjetëm
dhe nuk pezullon ekzekutimin e tij.
2. Si rregull, ankimi i veçantë shqyrtohet drejtpërdrejt nga drejtuesi i degës territoriale. Nëse ligji i posaçëm parashikon që vendimi i ndërmjetëm të merret nga drejtuesi i degës territoriale apo një komision i posaçëm ose nëse inspektorati nuk ka degë territoriale,
ankimi shqyrtohet drejtpërdrejt nga kryeinspektori.
3. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, ankimi i veçantë, në rastin e inspektimeve në juridiksionin e qeverisjes vendore, shqyrtohet drejtpërdrejt nga kryeinspektori vendor.
4. Vendimi për zgjidhjen e ankimit të veçantë merret dhe njoftohet brenda 6 ditëve nga data e paraqitjes së ankimit.
5. Kundër vendimit për zgjidhjen e ankimit apo në rast se organi kompetent, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, nuk ka shqyrtuar ankimin në afatin e parashikuar në pikën 4 të këtij neni, mund të bëhet ankim në gjykatë sipas ligjit.

KREU VI
PROCESVERBALI I INSPEKTIMIT DHE VENDIMI PËRFUNDIMTAR I INSPEKTIMIT


Neni 45
Mbajtja dhe njoftimi i procesverbalit

1. Inspektori që kryen inspektimin mban procesverbalin e inspektimit, më poshtë “procesverbali”. Nëse veprimet e inspektimit i kanë kryer më shumë se një inspektor, në bazë të një autorizimi të vetëm, ata e mbajnë procesverbalin së bashku. Procesverbali i inspektimit mbahet në tri kopje, të cilat nënshkruhen nga inspektori apo inspektorët që e kanë mbajtur.
2. Procesverbali, si rregull, mbahet në vendin e inspektimit dhe i njoftohet, pa vonesë, subjektit të inspektimit nëpërmjet dorëzimit personal. Nëse përfundimi i procesverbalit në vendin e inspektimit nuk është i mundur, ai përfundohet në zyrat e inspektoratit dhe njoftohet brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të inspektimit.
3. Procesverbali përmban informacion të hollësishëm për veprimet e inspektimit, gjetjet e tij dhe vendimet procedurale të marra gjatë inspektimit dhe shoqërohet me listë-verifikimin e plotësuar gjatë inspektimit.
4. Procesverbali i inspektimit përmban, gjithashtu, informacion për të drejtën e subjektit të inspektimit që të paraqesë me shkrim apo me gojë shpjegimet apo kontestimet e tij për faktet dhe rrethanat e konstatuara në procesverbal, brenda një afati të përcaktuar nga inspektori, por jo më të shkurtër se 8 ditë nga data e njoftimit të procesverbalit, për paraqitjen e këtyre komenteve, si dhe organin ku paraqiten këto komente. Pas kalimit të këtij afati, vendimi përfundimtar mund të merret pa qenë i nevojshëm dëgjimi i mëtejshëm i subjektit të inspektimit. Shpjegimet apo kontestimet e subjektit të inspektimit janë pjesë e dosjes.

Neni 46
Shqyrtimi dhe marrja e vendimit përfundimtar

1. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, vendimi përfundimtar i inspektimit merret nga inspektori apo inspektorët që kanë kryer inspektimin, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të procesverbalit subjektit të inspektimit.
2. Nëse ligji i posaçëm parashikon që vendimi përfundimtar i inspektimit merret nga një njësi apo organ tjetër, atëherë procesverbali i hartuar sipas nenit 45 të këtij ligji i përcillet, pa vonesë, kësaj njësie a organi, së bashku me propozimin e inspektorit. Organi tjetër vendos brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.
3. Nëse ligji i posaçëm parashikon që inspektori duhet të shqyrtojë dhe të marrë një vendim përfundimtar, aty për aty, në përfundim të inspektimit, inspektori përpara marrjes së vendimit i shpjegon subjektit të inspektimit shkeljet e konstatuara, nëse ka të tilla, dhe vendimin që synon të marrë, duke dëgjuar shpjegimet apo kontestimet e tij, të cilat pasqyrohen në procesverbal. Vendimi përfundimtar pasqyrohet në procesverbal, i cili mbahet dhe njoftohet sipas pikave 1-3 të nenit 45 të këtij ligji. Shpjegimi dhe dëgjimi i subjektit nuk është i nevojshëm kur nuk konstatohen shkelje të kërkesave ligjore. Pika 4 e nenit 45 të këtij ligji nuk zbatohet në këtë rast.

Neni 47
Përfundimi i procedimit kur nuk konstatohen shkelje

1. Kur konstatohet se nuk ka shkelje të kërkesave ligjore, procedimi administrativ i inspektimit përfundon me një vendim që pasqyrohet në fund të procesverbalit apo me vendim përfundimtar, pas shqyrtimit, sipas nenit 46 të këtij ligji.
2. Në vendimin e pasqyruar në procesverbal apo në vendimin përfundimtar përcaktohen edhe arsyet për përfundimin e procedimit.
3. Vendimi përfundimtar, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, i njoftohet subjektit të inspektimit.

Neni 48
Shkelja e kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit

1. Kur konstatohet shkelje e kërkesave ligjore, që përbën kundërvajtje administrative, por që është e një rëndësie të vogël, apo për të cilën ligji i posaçëm nuk parashikon dënimin përkatës administrativ, subjekti i inspektimit dënohet me “paralajmërim”.
Paralajmërimi është dënim administrativ kryesor.
2. Subjekti i inspektimit mund të dënohet drejtpërdrejt me një dënim tjetër kryesor administrativ,
më të rëndë, të parashikuar në ligjin e posaçëm, kur:
a) nuk zbaton plotësisht dhe brenda afatit të përcaktuar urdhërimin e parashikuar në pikën 4 të këtij neni;
b) përsërit shkeljen e kërkesave ligjore;
c) shkelja e konstatuar apo pasojat e saj janë të rënda.
3. Bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe dënimet plotësuese, sipas përcaktimit të ligjit të posaçëm. Për të njëjtën shkelje mund të vendoset një dënim kryesor dhe një apo më shumë dënime plotësuese.
4. Kur është e nevojshme, dënimi administrativ shoqërohet me urdhërimin e subjektit të inspektimit për të korrigjuar shkeljet e konstatuara dhe për të eliminuar pasojat e tyre, duke përcaktuar dhe një afat të arsyeshëm për këtë qëllim. Vendimi i dënimit përfshin këshillimin me shkrim të subjektit për mënyrën e korrigjimit të shkeljeve që pasqyrohet në një fletë shoqëruese.
5. Në rastin e parashikuar në pikën 4 të këtij neni, subjekti i inspektimit është i detyruar të njoftojë për korrigjimin e shkeljeve brenda afatit të përcaktuar dhe, nëse është e nevojshme, të paraqesë edhe provat që vërtetojnë këtë fakt. Për verifikimin e korrigjimit të shkeljeve mund të kryhet një inspektim i ri.
6. Moskorrigjimi i parregullsive brenda afatit të përcaktuar, sipas pikës 4 të këtij neni, përbën, veçmas, kundërvajtje administrative dhe dënimi kryesor mund të shoqërohet me dënimin plotësues, gjobë, në vlerë nga 10 000 deri në 100 000 lekë.
7. Këshilli i Ministrave miraton rregulloren e përgjithshme të metodologjisë së përcaktimit të dënimeve administrative,
në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
8. Çdo inspektorat shtetëror apo vendor harton rregulloren e metodologjisë së përcaktimit të dënimeve, në fushën e tij të inspektimit. Rregullorja miratohet nga ministri përgjegjës për inspektoratet shtetërore dhe organi ekzekutiv i njësisë vendore për
inspektoratet vendore.

Neni 49
Shkelje të dispozitave të tjera ligjore jashtë kompetencës së inspektorit

Kur inspektori, gjatë kryerjes së një inspektimi, ka dyshime të arsyeshme për shkeljen e kërkesave ligjore, që janë në kompetencën e një inspektorati tjetër shtetëror apo vendor, ai njofton me shkrim dhe pa vonesë Inspektoratin Qendror. Inspektorati Qendror, me marrjen e njoftimit, ia përcjell atë, pa vonesë, inspektoratit kompetent.

Neni 50
Njoftimi i të tretëve

1. Kur shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit janë kryer në mënyrë të tillë që cenojnë të drejtat apo interesat e ligjshëm të një personi të tretë, inspektorati njofton personin e tretë për këtë fakt, gjetjet e inspektimit dhe masat e marra.
2. Nëse është e nevojshme, inspektorati mund të urdhërojë kryerjen e publikimit të vendimit përfundimtar apo një përmbledhje të tij.

Neni 51
Ankimi ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit

1. Ankimi administrativ kundër vendimeve përfundimtare në fushën e inspektimit paraqitet dhe shqyrtohet sipas dispozitave
të Kodit të Procedurave Administrative.
2. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm “Organi epror”, sipas Kodit të Procedurave Administrative, është një njësi apo trupë kolegjiale ankimi, posaçërisht e krijuar brenda inspektoratit shtetëror, organit të varësisë, pjesë e të cilit është inspektorati shtetëror, apo njësisë vendore përkatëse dhe që ka në përbërje nëpunës të pavarur nga ata të përfshirë në
marrjen e vendimit të ankimuar.
3. Organizimi i organit epror, sipas pikës 2 të këtij neni, për çdo inspektorat shtetëror përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Për inspektimet në juridiksionin e qeverisjes vendore, përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji, organizimi i organit epror përcaktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore përkatëse.
4. Përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe nga ligji i posaçëm, paraqitja e ankimit administrativ pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të ankimuar, por nuk cenon ekzekutimin e masave urgjente të marra sipas nenit 43 të këtij ligji.

Neni 52
Konstatimi dhe shqyrtimi i kundërvajtjeve jashtë veprimtarisë normale të inspektimit

1. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, inspektorati shtetëror apo vendor është kompetent edhe për konstatimin e shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative në fushën e veprimtarisë së tij shtetërore, jashtë veprimtarisë normale të inspektimit,
në kuptimin e këtij ligji.
2. Në rastin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni zbatohen, me ndryshimet përkatëse, rregullat e përcaktuara në kreun VI të këtij ligji.

Neni 53
Plotësimi i dispozitave të ligjit për kundërvajtjet administrative

Përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj, dispozitat e këtij kreu plotësohen me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative.

KREU VII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE


Neni 54
Kundërvajtjet administrative

Prishja e shenjave dalluese të ndalimit të veprimtarisë apo bllokimit të pajisjeve a instalimeve, si dhe çdo shenjë tjetër, të vendosura nga inspektorët, si dhe pengimi i inspektimit, nëse nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në vlerën nga 10 000 deri në 100 000 lekë. Të drejtën e konstatimit dhe të shqyrtimit të kundërvajtjes
e ka çdo inspektor i inspektoratit kompetent.

KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 55
Dispozita kalimtare

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paraqesë propozimet për ndryshimet në ligjet e posaçme, që rregullojnë funksionet e inspektimit në fushën e zbatimit të këtij ligji, sipas parimeve të përcaktuara në këtë ligj për organizimin e organeve me funksione inspektimi dhe procedurën e inspektimit.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore për riorganizimin e organeve me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore,
sipas parimeve të përcaktuara në këtë ligj.
3. Deri në riorganizimin e organeve, sipas pikës 2 të këtij neni, organet ekzistuese me funksione inspektimi vazhdojnë të funksionojnë sipas organizimit të tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 56
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë aktet nënligjore të parashikuara në pikat 1 e 2 të nenit 11, pikën 3 të nenit 12, pikën 2 të nenit 15, pikën 5 të nenit 16, pikën 3 të nenit 21, pikën 2 të nenit 26, pikën 7 të nenit 38,
pikën 7 të nenit 48 dhe pikën 3 të nenit 51 të këtij ligji.
2. Ngarkohen ministri përgjegjës dhe përkatësisht organi ekzekutiv i çdo njësie vendore të miratojnë
rregulloret e parashikuara në pikën 8 të nenit 48 të këtij ligji.

Neni 57
Fillimi i efekteve

1. Krerët I deri III dhe kreu VIII i këtij ligji i shtrijnë efektet menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
2. Krerët IV deri VII i shtrijnë efektet duke filluar nga data 1.1.2012.

Neni 58
Hyrja në fuqi


Ky ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.7035, datë 29.6.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bioteknologjia dhe Ushqimi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest