LIGJI PËR PARANDALIMIN E ÇRREGU... TË SHKAKTUARA NGA PAMJAFT.. E JODIT NË ORGANIZMIN E NJERIUT Nr.9942,datë 26.6.2008

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR PARANDALIMIN E ÇRREGU... TË SHKAKTUARA NGA PAMJAFT.. E JODIT NË ORGANIZMIN E NJERIUT Nr.9942,datë 26.6.2008

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 16:36

LIGJI PËR PARANDALIMIN E ÇRREGULLIMEVE TË SHKAKTUARA NGA PAMJAFTUESHMËRIA E JODIT NË ORGANIZMIN E NJERIUT - Nr.9942, datë 26.6.2008

I azhurnuar me LIGJIN Nr. Nr. 54/2013. datë 14.2.2013
Vemendje:Në të gjithë ligjin, emërtimi “Inspektorati Sanitar Shtetëror” zëvendësohet me emërtimin
“Inspektorati që mbulon fushën e shëndetit”.


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut, nëpërmjet jodizimit të përgjithshëm të kripës, të destinuar për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore.

Neni 2
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për të gjitha subjektet prodhuese, importuese, eksportuese dhe tregtuese të kripës, të destinuar për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Çrregullime nga pamjaftueshmëria jodike” është një spektër i gjerë çrregullimesh, të dukshme apo të fshehura, të cilat shkaktohen si rezultat i pamjaftueshmërisë së sasisë së jodit në trup, që ndikojnë në zhvillimin intelektual dhe fizik të njeriut. Ato mund të
shkaktojnë prapambetje mendore, defekte fizike, strumë etj.
2. “Parandalimi i çrregullimeve me shkak pamjaftueshmërinë jodike” është një sistem
masash të marra për përmbushjen e nevojës fiziologjike të organizmit për jod.
3. “Jodizimi i përgjithshëm i kripës” është procesi i pasurimit/shtimit të jodit në kripën
për përdorim njerëzor e shtazor dhe në industrinë ushqimore.
4. “Kripë ushqimore e jodizuar” është kripa, së cilës i është shtuar jod, e destinuar për
konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore.
5. “Kripë industriale” është kripa, e cila nuk përdoret për qëllimet e përcaktuara në këtë ligj.
6. “Fortifikimi i kripës me jod” është procesi i shtimit të një sasie jodi në kripë për
plotësimin e nevojave fiziologjike të organizmit të njeriut dhe të kafshëve me jod.
7. “Konsum direkt” është marrja e jodit, nëpërmjet kripës me jod, nga njerëzit dhe kafshët.
8. “Konsum indirekt” është marrja e jodit nga produktet dhe nënproduktet ushqimore të industrializuara, të cilat janë përpunuar, paraprakisht, me kripë të jodizuar, si dhe nga produktet blegtorale.


KREU II
KRITERET PËR CILËSINË DHE SIGURINË


Neni 4
Detyrimi për jodizimin e kripës

Jodizimi i përgjithshëm i kripës për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në
industrinë ushqimore është i detyrueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 5
Niveli i jodizimit për kripën e prodhuar në vend

Kripa, e prodhuar në vend për konsum të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore, nuk lejohet të jodizohet në një nivel më të ulët se 40 mg jod për kg kripë dhe më të lartë se 60 mg jod për kg kripë në pikën e prodhimit.

Neni 6
Niveli i jodizimit për kripën e importuar

Kripa, që importohet në territorin e Republikës së Shqipërisë për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore, në çastin e mbërritjes duhet të jetë e jodizuar në një nivel jo më të ulët se 40 mg jod për kg kripë dhe jo më të lartë se
60 mg jod për kg kripë.

Neni 7
Niveli minimal i jodizimit për kripën që hidhet në treg

Niveli i jodit në kripën, që tregtohet në territorin e Republikës së Shqipërisë për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore, nuk lejohet të jetë më i ulët se 20 mg jod për kg kripë.

Neni 8
Fortifikimi i kripës me jod

1. Niveli i jodit në kripën e jodizuar shprehet vetëm si përmbajtje e jodit në të.
2. Komiteti Kombëtar për Eliminimin e Pamjaftueshmërisë Jodike është i vetmi organ këshillimor, i cili propozon ndryshimet në sasinë e nivelit të jodit në kripën e jodizuar, sipas neneve 5, 6 e 7 të këtij ligji, në përputhje me situatën në vend dhe me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Këshillit Ndërkombëtar për Kontrollin e Çrregullimeve të Pamjaftueshmërisë Jodike (ICCIDD).

Neni 9
Ndalimi i përdorimit të kripës së pajodizuar

Në territorin e Republikës së Shqipërisë ndalohen prodhimi, importimi, tregtimi dhe marketingu i kripës së pajodizuar për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore.

Neni 10
Kriteret për hedhjen në treg të kripës së jodizuar
Asnjë person fizik ose juridik nuk duhet të prodhojë, të importojë, të tregtojë, të shpërndajë, të magazinojë kripë të jodizuar për konsum njerëzor, shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore, kur:
a) ka arritur data e skadimit;
b) ka arritur data e skadimit, sipas llojit të fortifikimit:
i) 6 muaj nga data e prodhimit për jodurin;
ii) 12 muaj nga data e prodhimit për jodatin;
c) nuk është në përputhje me treguesit cilësorë, të përcaktuar në këtë ligj dhe me standardet e miratuara në Republikën e Shqipërisë.

Neni 11
Ambalazhimi dhe etiketimi

1. Ambalazhimi, etiketimi, transportimi dhe ruajtja e kripës së jodizuar bëhen në
përputhje me legjislacionin dhe me standardet në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
2. Etiketa e përdorur për kripën e jodizuar, krahas të dhënave të përcaktuara në legjislacionin për ushqimin, duhet të përmbajë edhe datën e skadencës, sipas llojit të fortifikimit, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 10 të këtij ligji.
Emërtimi i produktit të jetë “Kripë e jodizuar”.
3. Në etiketën e kripës së jodizuar mund të vendosen mesazhe promocionale, të cilat nxisin përdorimin e saj nga popullata.


KREU III
KONTROLLI DHE MONITORIMI I KRIPËS SË JODIZUAR


Neni 12
Kontrolli i kripës së jodizuar

1. Kripa e jodizuar, e prodhuar ose e importuar, e destinuar të tregtohet në Republikën e Shqipërisë, është objekt kontrolli i Inspektoratit Sanitar Shtetëror dhe i institucioneve të përcaktuara shëndetësore.
2. Ministri i Shëndetësisë përcakton institucionet shëndetësore, që do të kryejnë analizat,
për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën e jodizuar.
3. Kontrolli i kripës së jodizuar bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, nëpërmjet analizave laboratorike për përcaktimin e nivelit të jodit në mostrën e kripës së jodizuar, sipas rekomandimeve të OBSH-së, ICCIDD-it dhe UNICEF-it.
4. Për kripën e jodizuar të importit, edhe në rastet kur në dokumentet shoqëruese është pasqyruar niveli i jodit, importuesi është i detyruar të kryejë analizën laboratorike për nivelin e jodit, sipas pikës 3 të këtij neni, në çastin e futjes së kripës në pikën doganore.

Neni 13
Monitorimi i kripës së jodizuar

1. Monitorimi i nivelit të jodit në kripë, në pikat e prodhimit në vend apo në ato të importimit dhe në pikat e shitjes me pakicë/shumicë, kryhet nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni.
2. Prodhuesi i kripës së jodizuar në vend dhe importuesi i saj janë përgjegjës për cilësinë e kripës së jodizuar.
3. Në rastet kur kripa e jodizuar importohet, verifikimi dhe vlerësimi i dokumenteve shoqëruese të saj në pikat e kalimit kufitar janë të detyrueshëm dhe kryhen nga përfaqësuesit e Inspektoratit Sanitar Shtetëror dhe ata të doganës, brenda kompetencave përkatëse.

“Neni 13/1
Inspektimi

Inspektimi për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore që burojnë nga ky ligj kryhet nga inspektorati që mbulon fushën e shëndetit, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë


KREU IV
KOMITETI KOMBËTAR PËR ELIMINIMIN E ÇRREGULLIMEVE NGA PAMJAFTUESHMËRIA JODIKE


Neni 14
Komiteti Kombëtar për Eliminimin e Çrregullimeve nga Pamjaftueshmëria Jodike (KKEÇPJ)

1. Pranë Ministrinë së Shëndetësisë funksionon Komiteti Kombëtar për Eliminimin e
Çrregullimeve nga Pamjaftueshmëria Jodike (KKEÇPJ) si organ këshillimor.
2. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i këtij komiteti përcaktohen nga Ministri i Shëndetësisë.

Neni 15
Kompetencat e KKEÇPJ-së

KKEÇPJ-ja ka këto kompetenca:
a) orienton politikat dhe strategjitë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga
çrregullimet, që shkaktohen nga pamjaftueshmëria jodike;
b) i propozon Ministrit të Shëndetësisë rishikimin e akteve ligjore dhe nënligjore për
mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga pamjaftueshmëria jodike;
c) propozon ndryshimet në sasinë e nivelit të jodit në kripën e jodizuar, sipas situatës së pamjaftueshmërisë jodike në vend;
ç) propozon programe dhe projektakte, sipas shkronjës “a” të këtij neni dhe bën monitorimin e vlerësimin e tyre;
d) siguron bashkëpunimin me institucione të ndryshme, të interesuara, brenda dhe jashtë vendit, sipas qëllimit të këtij ligji.

Neni 16
Promovimi i konsumit të kripës së jodizuar

Autoritetet shëndetësore, kombëtare dhe vendore, duhet të promovojnë dhe të mbështesin, në kuptim të këtij ligji, konsumin e kripës së jodizuar dhe të informojnë popullatën për çrregullimet që shkaktohen nga pamjaftueshmëria jodike.

KREU V
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE


Neni 17
Kundërvajtjet administrative

Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
1. Importimi, prodhimi, shpërndarja, tregtimi apo marketingu i kripës së pajodizuar ose
me nivel jodi më të ulët se ai i përcaktuar në këtë ligj, për konsum njerëzor e shtazor.
2. Përdorimi i kripës së pajodizuar ose i kripës së jodizuar, me një nivel më të ulët se ai i
përcaktuar në këtë ligj, në industrinë ushqimore.
3. Importimi, shpërndarja, tregtimi apo reklamimi i kripës së jodizuar për konsum njerëzor e shtazor dhe për përdorim në industrinë ushqimore pas datës së skadencës, sipas llojit të fortifikimit.
4. Mospërputhja me treguesit e cilësisë, të ambalazhimit, etiketimit, transportit dhe ruajtjes.

Neni 18
Sanksionet

1. Kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 17 të këtij ligji, dënohen me gjobë si më poshtë
1/1 Masa e gjobës është dënim kryesor, kur parashikohet si dënim më vete dhe dënim plotësues, kur jepet njëkohësisht
me masën e bllokimit të mallit
a) 500 mijë lekë, shoqëruar me bllokim, kthim mbrapsht të mallit, në përputhje me ligjin, sipas rastit, për prodhuesin, tregtuesin apo importuesin e produktit, për shkeljen e parashikuar në pikën 1 të nenit 17 të këtij ligji;
b) 500 mijë lekë, shoqëruar me bllokimin e mallit, për shkeljen e parashikuar në pikën 2 të nenit 17 të këtij ligji;
c) 200 mijë lekë, shoqëruar me bllokimin e mallit, për shkeljen e parashikuar në pikën 3 të nenit 17 të këtij ligji;
ç) për shkeljet e parashikuara në pikën 4 të nenit 17 të këtij ligji:
i) 500 mijë lekë, shoqëruar me bllokimin e mallit, kur kemi mospërputhje me treguesit cilësorë;
ii) 200 mijë lekë, shoqëruar me bllokim dhe riambalazhim të mallit, në përputhje me
ligjin, kur shkeljet lidhen me ambalazhimin, etiketimin, transportin dhe ruajtjen.
2. Autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e gjobave është Inspektorati Sanitar Shtetëror.

Neni 19
Pezullimi dhe heqja e licencës

1. Inspektorati Sanitar Shtetëror, për shkelje të përsëritur të pikave 1, 2 dhe 3 të nenit 17 të këtij ligji, u propozon institucioneve përkatëse heqjen e licencës për subjektin përgjegjës.
2. Inspektorati Sanitar Shtetëror, për shkelje të përsëritur të pikës 4 të nenit 17 të këtij ligji, u propozon institucioneve përkatëse pezullimin e përkohshëm ose të përhershëm të veprimtarisë së subjektit prodhues.
3. Ndryshimi i destinacionit të mallit, jo në përputhje me standardin për përdorim si kripë
industriale, lejohet kundrejt dhënies së lejes përkatëse nga Ministria e Shëndetësisë.

Neni 20
Ankimi dhe ekzekutimi

1. Ankimi ndaj vendimit të inspektoratit bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.
2. Ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 21
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Ministri i Shëndetësisë që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të
miratojë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 2 të nenit 12 të këtij ligji.
2. Ngarkohen Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin rregulloren e përbashkët, në zbatim të pikave 1 e 2 të nenit 11 të këtij ligji.
3. Ngarkohen Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Financave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët, në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të këtij ligji.

Dispozitë kalimtare te ligjit
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në
krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

Neni 22
Shfuqizime

Vendimi nr.549, datë 27.11.1997 i Këshillit të Ministrave “Për importimin e kripës së
gjellës së jodizuar dhe prodhimin e saj në vend”, shfuqizohet.

Neni 23
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5805, datë 10.7.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bioteknologjia dhe Ushqimi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest