LIGJI PËR SISTEMIN E PAGESAVE - Nr. 133/2013. datë. 29.4.2013

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR SISTEMIN E PAGESAVE - Nr. 133/2013. datë. 29.4.2013

Postby Libraria UBT » 30 Jul 2015, 13:59

LIGJI PËR SISTEMIN E PAGESAVE - Nr. 133/2013. datë. 29.4.2013

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ligji synon të nxisë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri.

Neni 2
Objekti

1. Ligji përcakton parimet bazë që kanë të bëjnë me licencimin, rregullimin, mbikëqyrjen e
elementeve të rëndësishme të sistemit kombëtar të pagesave, si dhe përcakton rregullat për mbrojtjen e sistemeve.
2. Në mënyrë të veçantë, dispozitat e kreut IV të ligjit rregullojnë të gjitha rastet e marrëveshjeve të kolateralit financiar.

Neni 3
Bashkëpunimi ndërinstitucional

Banka e Shqipërisë, në përmbushjen e detyrave të saj, të përcaktuara në këtë ligj,
bashkëpunon me cilindo autoritet vendas dhe/ose të huaj, me qëllim shkëmbimin e informacionit,
bashkërendimin e veprimtarive, apo realizimin e marrëveshjeve të tjera të bashkëpunimit, nëse gjykohet e nevojshme.
___________________________________________________________________
1 Ky ligj është përafruar plotësisht me:
Direktivën 98/26/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 19 maj 1998 “Mbi finalizimin e shlyerjes së
pagesave dhe të titujve në sistemet e shlyerjes”, të ndryshuar. Numri CELEX: 31998L0026, Fletorja Zyrtare e Bashkimit
Europian, Seria L, Nr. 166, datë 11.6.1998, faqe 45 – 50.
Direktivën 2002/47/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 6 qershor 2002 “Mbi marrëveshjet
financiare të kolateralit”, të ndryshuar. Numri CELEX: 32002L0047, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr.
168, datë 27.6.2002, faqe 43–50.


Neni 4
Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave

Banka e Shqipërisë mund të krijojë një komitet kombëtar për sistemin e pagesave, duke
përcaktuar objektivat, funksionet, detyrat, përbërjen dhe rregullat për funksionimin e tij.

Neni 5
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Bankë” është personi juridik, përfshirë degët e bankave të huaja, i licencuar për të
ushtruar veprimtari bankare dhe/ose financiare, sipas ligjit për bankat.
b) “Ligji për bankat” është ligji nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e
Shqipërisë” dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
c) “Banka e Shqipërisë” është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë, e përcaktuar në
nenin 161 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe që funksionon sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë.
ç) “Ligji për Bankën e Shqipërisë” është ligji nr. 8269, datë 23.12.1997, i ndryshuar, dhe/ose çdo ligj tjetër ndryshues i tij.
d) “Cash” janë paratë e kredituara në një llogari në çfarëdolloj valute apo pretendime të
ngjashme të ripagueshme të parave, të tilla si depozitat monetare.
dh) “Kompensim” (“netting”) është konvertimi në një pozicion të vetëm neto, debitues ose
kreditues, i të drejtave apo detyrimeve, si rezultat i të cilit vetëm një pozicion përfundimtar neto
mund të kërkohet apo të jetë i detyrueshëm; kompensimi është kontraktues dhe mund të jetë
dypalësh ose shumëpalësh, me apo pa përtëritje.
e) “Dispozita e kompensimit” (“close-out”) është dispozita e kompensimit kontraktues në
një marrëveshje të kolateralit financiar apo në një marrëveshje tjetër (kuadër), që përfshin një
marrëveshje kolaterali financiar, sipas së cilës, në rast të një situate ekzekutimi, nëpërmjet kompensimit kontraktues:
i) detyrimet e palëve përshpejtohen, në mënyrë që të jenë të pagueshme menjëherë dhe
shprehen si një detyrim për të paguar një sasi që përfaqëson vlerën e tyre aktuale të llogaritur, ose
ndërpriten dhe zëvendësohen me një detyrim për të paguar një shumë të tillë të ngjashme; dhe/ose
ii) në një llogari evidentohet detyrimi i palëve ndaj njëra-tjetrës, në lidhje me detyrimet në
fjalë, si dhe vlera neto, e barabartë me balancën e llogarisë, që përbën detyrim për t’u paguar nga
pala, e cila i detyrohet një shumë më të madhe palës tjetër.
ë) “Kolateral financiar” është cash-i dhe instrumentet financiare.
f) “Instrumente financiare” janë aksionet vendase ose të huaja dhe tituj të tjerë të ngjashëm
me aksionet, obligacionet dhe format e tjera të instrumenteve të borxhit, nëse këto janë të
negociueshme në tregun e kapitalit, tituj të tjerë të cilët normalisht tregtohen dhe që japin të drejtën
për të tregtuar aksione, obligacione ose tituj të tjerë nëpërmjet anëtarësimit, blerjes apo këmbimit,
ose që japin mundësinë e shlyerjes në para (me përjashtim të instrumenteve të pagesës), duke
përfshirë kuotat në shoqëritë e investimeve kolektive, instrumente të tregut të parasë, metale të
çmuara të kredituara në një llogari, si dhe pretendime që kanë lidhje me/ose të drejta që rrjedhin nga elementet e sipërcituara.
g) “Marrëveshja e kolateralit financiar” është marrëveshja për transferimin e titullit të
pronësisë ose një peng, e cila mund të jetë e rregulluar ose jo nga një marrëveshje kuadër apo nga
një marrëveshje tjetër, dhe që zbatohet mbi kolateralin financiar për të siguruar përmbushjen e një detyrimi financiar.
gj) “Marrëveshje për transferimin e titullit të pronësisë” nënkupton marrëveshjen, përfshirë
edhe marrëveshjen e riblerjes, që rregullohet nga Ligji Repo, sipas së cilës dhënësi i kolateralit i
transferon marrësit të kolateralit pronësinë e plotë të kolateralit financiar, me qëllim sigurimin ose
përmbushjen e detyrimeve të garantuara.
h) “Dhënës kolaterali” është personi juridik që ofron kolateral financiar nëpërmjet një
marrëveshjeje për transferimin e titullit të pronësisë ose një pengdhënës.
i) “Marrës kolaterali” është personi juridik që përfiton kolateralin financiar, nëpërmjet një
marrëveshjeje për transferimin e titullit të pronësisë së tij, ose një pengmarrës.
j) “Situatë ekzekutimi” është situata e mospërmbushjes së detyrimit ose një situatë tjetër e
ngjashme ndërmjet palëve, ndodhja e së cilës i jep të drejtën marrësit të kolateralit financiar që, në
bazë të marrëveshjes së kolateralit financiar ose në bazë të legjislacionit, apo kur dispozita e
kompensimit “close-out” bëhet efektive, të realizojë kolateralin financiar.
k) “Institucion financiar” është personi juridik, i licencuar për të kryer veprimtaritë
financiare në bazë të ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe/ose në bazë të ligjit për bankat.
l) “Pjesëmarrës” nënkupton Bankën e Shqipërisë, një bankë qendrore të huaj, një bankë, një
institucion financiar, një institucion të huaj të ngjashëm me bankat dhe institucionet financiare, një
agjent shlyerës, një operator, një autoritet publik, vendas a ndërkombëtar, ose një sistem.
ll) “Nënpjesëmarrës” është personi juridik, i cili ka marrëdhënie kontraktuese me një
pjesëmarrës në një sistem që ekzekuton urdhër-transfertat, duke i mundësuar në këtë mënyrë
personit juridik kalimin e urdhër-transfertave nëpërmjet sistemit.
m) “Procedura për paaftësi paguese” është çdo procedurë e përcaktuar në ligjet e Republikës
së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër, me qëllim shpërbërjen e një personi juridik ose
riorganizimin e tij, dhe që ka si pasojë, ndër të tjera, pezullimin ose vendosjen e kufizimeve mbi transfertat apo pagesat.
n) “Operator” është personi juridik që, i vetëm ose në bashkëpunim me persona të tjerë
juridikë, operon një sistem të licencuar;
nj) “Instrument pagese” është një mjet apo një tërësi procedurash që mundësojnë
transferimin e fondeve nga paguesi te përfituesi, ku paguesi dhe përfituesi mund të jenë i njëjti person.
o) “Sistem” është sistemi i pagesave, sistemi për shlyerjen e titujve ose një shtëpi klerimi.
p) “Sistemi i pagesave” është një marrëveshje formale ose një bazë rregullative, e cila është
e detyrueshme ndërmjet 3 a më shumë pjesëmarrësish, me rregulla të përbashkëta dhe marrëveshje
të standardizuara për ekzekutimin e urdhër-transfertave të cash-it ndërmjet pjesëmarrësve.
q) “Sistemi për shlyerjen e titujve” është një marrëveshje formale, e cila është e
detyrueshme ndërmjet 3 a më shumë pjesëmarrësve, me rregulla të përbashkëta dhe marrëveshje të
standardizuara për ekzekutimin e urdhër-transfertave të instrumenteve financiarë ndërmjet pjesëmarrësve.
r) “Shtëpi klerimi” është personi juridik që bën llogaritjen dhe krijimin e pozicioneve neto
për pagesat, transfertat e titujve ose marrëveshjet që kanë të bëjnë me transaksionet financiare;
përllogaritje dhe/ose pozicione të tilla mund të bazohen në faktin që shtëpia e klerimit është blerës
për çdo shitës dhe shitës për çdo blerës në një grup të specifikuar transaksionesh financiare.
rr) “Ligji Repo” është ligji nr. 9974, datë 28.7.2008 “Për kontratën e riblerjes së titujve” dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
s) “Llogari shlyerjeje” është një llogari e hapur në librat e Bankës së Shqipërisë, ose në
librat e llogarive të një agjenti shlyerës, e përdorur për të mbajtur cash-in ose instrumente financiare
dhe që shërben për të shlyer urdhër-transfertat ndërmjet pjesëmarrësve në një sistem.
sh) “Agjent shlyerës” është personi juridik që u ofron llogari shlyerjeje pjesëmarrësve në
sistem, nëpërmjet të cilave shlyhen urdhër-transfertat në sistem dhe që, në raste të veçanta, mund t’u
ofrojë kredi pjesëmarrësve për qëllime shlyerjeje.
t) “Urdhër-transferta” është:
i) një udhëzim nga një pjesëmarrës për të vënë në dispozicion të një përfituesi një shumë
parash, me anë të regjistrimit në llogari apo transferimit elektronik në llogarinë pranë një banke, një
banke qendrore ose një agjenti shlyerës, ose çdo udhëzim që përcakton marrjen përsipër apo
kryerjen e një detyrimi, sipas rregullave të sistemit; dhe/ose
ii) një udhëzim nga një pjesëmarrës për të transferuar titullin e pronësisë apo të drejta të
tjera mbi instrumentin financiar, nëpërmjet regjistrimit në llogaritë e një regjistri ose ndonjë mënyre tjetër.
th) “Truncation” është zëvendësimi i një çeku, kambiali a letre premtimi origjinal me një
instrument tjetër ose me një marrëveshje, që ka informacionin e instrumentit fillestar, me ose pa
dorëzimin e instrumentit origjinal.


KREU II
RREGULLIMI DHE MBIKËQYRJA E SISTEMEVE


Neni 6
Licencimi

1. Asnjë person fizik ose juridik nuk mund të operojë një sistem në Shqipëri pa u licencuar
nga Banka e Shqipërisë për të operuar këtë sistem, në bazë të këtij ligji.
2. Banka e Shqipërisë vendos kriteret dhe procedurat e nevojshme për licencimin e sistemeve që operojnë në Shqipëri.
3. Në rastin e licencimit të sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të
titujve, subjekti i licencuar nga Banka e Shqipërisë, sipas pikës 1 të këtij neni, fillon ushtrimin e
veprimtarisë vetëm pas licencimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, sipas kërkesave të legjislacionit të fushës.

Neni 7
Revokimi ose pezullimi i licencës

1. Banka e Shqipërisë mund të revokojë ose pezullojë licencën e një sistemi, nëse në opinionin e saj:
a) operatori nuk ka filluar veprimtarinë brenda 12 muajve nga data, në të cilën është dhënë licenca;
b) operatori ka pushuar së ushtruari veprimtarinë e tij për një periudhë më të gjatë se 1 muaj;
c) operatori ka marrë licencë për sistemin përmes deklaratave të rreme apo rrugëve të tjera të parregullta;
ç) operatori i sistemit nuk përmbush një ose më shumë nga kriteret e aplikueshme për licencimin;
d) operatori përfshihet në procedurë për paaftësi paguese;
dh) sistemi kërcënon stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri;
e) sistemi nuk është më në interes të publikut ose në interes të pjesëmarrësve.
2. Menjëherë pas marrjes së vendimit për të revokuar ose pezulluar licencën, Banka e
Shqipërisë njofton operatorin përkatës dhe publikon një njoftim në mënyrën që e gjykon me të përshtatshme.

Neni 8
Mbikëqyrja dhe rregullimi i sistemeve

1. Banka e Shqipërisë rregullon dhe mbikëqyr sistemet e licencuara, duke miratuar akte nënligjore për këtë qëllim.
2. Banka e Shqipërisë mund të vendosë standarde dhe kërkesa të tjera shtesë për operatorët,
sistemet, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit.
3. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me marrëveshje dypalëshe,
përcaktojnë rolin e secilit institucion, në lidhje me rregullimin, mbikëqyrjen dhe inspektimin e
sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve.

Neni 9
Kompetenca inspektuese e Bankës së Shqipërisë

1. Me qëllim që të sigurohet dhe të kontrollohet zbatimi i këtij ligji dhe i akteve nënligjore të
nxjerra në zbatim të tij, punonjës të Bankës së Shqipërisë dhe persona të tjerë të kualifikuar, të
autorizuar prej saj, mund të inspektojnë mjediset e punës të sistemeve, operatorët, pjesëmarrësit dhe
nënpjesëmarrësit, për të kontrolluar llogaritë, regjistrat, dokumentet dhe shkresa të tjera, për të
marrë informacion dhe të dhëna prej tyre, si dhe të ndërmarrin veprime të tjera që Banka e
Shqipërisë mund t’i vlerësojë të nevojshme.
2. Operatorët, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit vënë në dispozicion të Bankës së
Shqipërisë llogaritë, regjistrat, dokumente dhe shkresa të tjera të kërkuara nga ligji e nga aktet
nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, operatorët, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit vënë në
dispozicion të Bankës së Shqipërisë çdo lloj informacioni dhe të dhëne shtesë, të cilat Banka e Shqipërisë i vlerëson të nevojshme.

Neni 10
Kompetenca vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë

Në përputhje me ligjin për Bankën e Shqipërisë, me ligjet e tjera të fushës dhe aktet e tjera
nënligjore, Banka e Shqipërisë mund të nxjerrë urdhra, udhëzime dhe vendime, nëpërmjet të cilave
t’u kërkojë sistemeve, operatorëve, pjesëmarrësve dhe nënpjesëmarrësve për të vepruar ose për të
mos vepruar, në çfarëdolloj mënyre, që Banka e Shqipërisë e vlerëson të nevojshme ose të këshillueshme.

Neni 11
Masa ndëshkimore

1. Banka e Shqipërisë, në rast shkeljeje të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të
tij nga operatorët, pjesëmarrësit apo nënpjesëmarrësit, merr masa mbikëqyrëse, masa parandaluese,
si dhe urdhëron ndërprerjen e veprimeve në kundërvajtje dhe ndreqjen e pasojave që kanë rrjedhur prej tyre.
2. Banka e Shqipërisë përcakton kushtet e hollësishme dhe metodat për marrjen e masave të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

Neni 12
Sanksione administrative

1. Krahas masave ndëshkimore, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji, në rast të
shkeljeve të dispozitave të këtij ligji, Banka e Shqipërisë ka të drejtë të vendosë gjoba kundrejt
operatorëve, pjesëmarrësve dhe nënpjesëmarrësve.
2. Banka e Shqipërisë gjobit subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni në masën 500
000 (pesëqind mijë) deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë, kur konstaton se subjekti:
a) vepron në kundërshtim me pikën 1 të nenit 6 të këtij ligji;
b) vepron në kundërshtim me pikën 2 të nenit 9 të këtij ligji;
c) pengon Bankën e Shqipërisë të kryejë inspektimet, sipas pikës 1 të nenit 9 të këtij ligji;
ç) nuk zbaton masat ndëshkimore të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, sipas nenit 11 të këtij ligji;
d) vepron në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji;
dh) shkel detyrime të tjera të vendosura me këtë ligj.
3. Kur shkeljet e përcaktuara në shkronjat “b” deri në “dh” të pikës 2 të këtij neni
përsëriten ose gjoba nuk paguhet brenda afatit dhe, sipas procedurës së përcaktuar në ligjin “Për
kundërvajtjet administrative”, Banka e Shqipërisë vendos dyfishimin e gjobës dhe mund:
a) të pezullojë licencën e sistemit deri në 6 muaj;
b) të revokojë licencën e sistemit.
4. Gjobat e vendosura sipas këtij neni arkëtohen për llogari të Bankës së Shqipërisë.
5. Çdo subjekt i cenuar nga një akt administrativ i Bankës së Shqipërisë ka të drejtë të
kërkojë shfuqizimin ose ndryshimin e këtij akti nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë brenda 15
ditëve nga data kur ankuesi ka marrë njoftim për aktin ose nga data e publikimit të tij.

Neni 13
Sistemet e Bankës së Shqipërisë

1. Ky kre nuk zbatohet për sistemet në pronësi dhe/ose që operohen nga Banka e Shqipërisë.
2. Pavarësisht nga paragrafi i mësipërm, sistemet në pronësi dhe/ose që operohen nga Banka
e Shqipërisë duhet të jenë në përputhje me rregullat e mbikëqyrjes, të miratuara nga Banka e
Shqipërisë, të cilat zbatohen për sisteme të ngjashme të licencuara.

Neni 14
Lista e sistemeve

1. Banka e Shqipërisë publikon dhe administron listën e sistemeve dhe operatoreve të licencuar që mbikëqyren prej saj.
2. Lista e sistemeve përditësohet pas çdo ndryshimi që ndodh sipas pikës 1 të nenit 6 dhe pikës 2 të nenit 7 të këtij ligji.

Neni 15
Rregullimi dhe mbikëqyrja e instrumenteve të pagesave

1. Banka e Shqipërisë mund të rregullojë dhe të mbikëqyrë emetimin dhe përdorimin e
instrumenteve të pagesave, si pjesë e sistemit kombëtar të pagesave, me qëllim që të garantojë
sigurinë, mirëfunksionimin dhe efiçencën e tyre.
2. Dispozitat e ligjit zbatohen edhe për aspekte të rregullimit dhe mbikëqyrjes së
instrumenteve të pagesave, aty ku është e përshtatshme.

Neni 16
Nënpjesëmarrësi

Në raste të riskut sistemik dhe me kusht që nënpjesëmarrësi të jetë i njohur në sistem, Banka e Shqipërisë mund të vendosë që, për qëllime të këtij ligji, nënpjesëmarrësi të konsiderohet si pjesëmarrës në një sistem të veçantë.


KREU III
MBROJTJA E SISTEMEVE


Neni 17
Procedura për paaftësi paguese

1. Procedura për paaftësi paguese nuk ka efekt prapaveprues mbi të drejtat dhe detyrimet e
pjesëmarrësit, që rrjedhin nga ose kanë lidhje me pjesëmarrjen e tij në një sistem, përpara çastit të hapjes së një procedure të tillë.
2. Në zbatim të këtij ligji, çasti i hapjes së procedurës për paaftësi paguese kundrejt një pjesëmarrësi në një sistem është ai kur:
a) operatori i sistemit njoftohet nga Banka e Shqipërisë për hapjen e procedurave të tilla, sipas pikës 2 të nenit 21 të këtij ligji; dhe
b) në rastet kur Banka e Shqipërisë operon vetë sistemin:
i) Banka e Shqipërisë është njoftuar nga kancelari, sipas pikës 1 të nenit 21 të këtij ligji; ose
ii) Banka e Shqipërisë merr vendim për vendosjen e një banke në kujdestari apo në likuidim të detyruar.

Neni 18
Karakteri përfundimtar i pagesës, klerimit dhe shlyerjes

1. Janë të vlefshme, të ekzekutueshme dhe të detyrueshme ndaj palëve të treta, përfshirë
likuidatorin dhe kujdestarin, dhe nuk mund të kundërshtohen në asnjë mënyrë:
a) urdhër-transferta, pagesa e cash-it dhe transferta e instrumenteve financiare që rezulton
nga urdhër-transferta e tillë, në rastet kur ajo ka hyrë në sistem, në përputhje me rregullat e tij,
përpara çastit të hapjes së procedurës për paaftësi paguese, pavarësisht nëse ajo është shlyer përpara,
ose pas çastit të hapjes së procedurës për paaftësi paguese; dhe
b) kompensimi i urdhër-transfertave dhe i pretendimeve e detyrimeve që rezultojnë nga të
tilla urdhër-transferta, në rastet kur ato kanë hyrë në sistem, në përputhje me rregullat e tij, përpara
çastit të hapjes së procedurës për paaftësi paguese, pavarësisht nëse kompensimi është kryer përpara
ose pas çastit të hapjes së procedurës për paaftësi paguese.
2. Çasti i hyrjes së urdhër-transfertës në sistem përcaktohet në rregullat e këtij sistemi.
3. Kompensimi i pretendimeve dhe detyrimeve brenda një shtëpie klerimi është i vlefshëm, i
ekzekutueshëm dhe i detyrueshëm ndaj palëve të treta, përfshirë likuidatorin dhe kujdestarin, dhe
nuk mund të kundërshtohet në asnjë mënyrë, në rastet kur pretendimet dhe detyrimet që do të
kompensohen u janë njoftuar shtëpive të klerimit përpara çastit të hapjes së procedurës për paaftësi
paguese, pavarësisht nëse kompensimi ose pagesa apo shlyerja neto e pretendimeve dhe detyrimeve
është kryer përpara ose pas çastit të hapjes së procedurës për paaftësi paguese.

Neni 19
Parevokueshmëria e urdhër-transfertës

Urdhër-transferta e futur në sistem, duke filluar nga çasti i përcaktuar nga rregullat e këtij
sistemi, nuk mund të revokohet nga një pjesëmarrës i sistemit, apo nga cilado palë e tretë, përfshirë likuidatorin ose kujdestarin.

Neni 20
Shlyerja pas procedurës për paaftësi paguese

Pavarësisht hapjes së procedurës për paaftësi paguese ndaj një pjesëmarrësi në një sistem
dhe në bazë të neneve 17 e 18 të këtij ligji, operatori ose agjenti shlyerës i një sistemi, nëse i
lejohet, në bazë të dispozitave kontraktuese të zbatueshme, mund:
a) të përdorë cash-in dhe instrumentet financiare të disponueshme në llogarinë shlyerëse të
pjesëmarrësit për të shlyer urdhër-transfertat e mbetura pezull, si dhe çdo balancë neto debitore që
pjesëmarrësi mund t’i detyrohet pas kompensimit, duke lejuar kështu shlyerjen përfundimtare brenda sistemit;
b) të ofrojë linjë kredie për pjesëmarrësin dhe të realizojë çdo kolateral të ofruar, me qëllim që të garantojë linjën e kredisë.

Neni 21
Njoftimi për hapjen e procedurës për paaftësi paguese

1. Kancelari i gjykatës, që kryen fillimin e procedurës për paaftësi paguese kundër një
operatori ose pjesëmarrësi, i siguron menjëherë Bankës së Shqipërisë një kopje të aktit përkatës të gjykatës.
2. Banka e Shqipërisë njofton menjëherë operatorët e sistemeve për fillimin e procedurës për
paaftësi paguese kundër një operatori, pjesëmarrësi ose nënpjesëmarrësi.
3. Në rast se Banka e Shqipërisë njoftohet nga autoritetet e huaja që ka filluar procedura për
paaftësi paguese kundrejt ndonjë sistemi, operatori ose pjesëmarrësi të huaj, ajo informon menjëherë operatorët e sistemeve.

Neni 22
Mbrojtja e llogarisë shlyerëse

Balanca e cash-it dhe e instrumenteve financiare të kredituara në llogarinë shlyerëse nuk
janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm, me përjashtim të rastit kur procedura e
ekzekutimit të detyrueshëm fillohet nga operatori ose agjenti shlyerës i sistemit.

Neni 23
Ligji i zbatueshëm

1. Procedura për paaftësinë paguese, e filluar kundrejt një pjesëmarrësi të huaj në një sistem
që operohet nga Banka e Shqipërisë, ose në një sistem që është i licencuar prej saj, sipas këtij ligji,
rregullohet tërësisht dhe ekskluzivisht nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë.
2. Procedura për paaftësinë paguese, e filluar kundrejt një pjesëmarrësi shqiptar në një
sistem të huaj, rregullohet tërësisht dhe ekskluzivisht nga legjislacioni i vendit që rregullon atë sistem të huaj.


KREU IV
MARRËVESHJA E KOLATERALIT FINANCIAR


Neni 24
Fusha e zbatimit të këtij kreu

1. Dispozitat e këtij kreu zbatohen për të gjitha marrëveshjet e kolateralit financiar të
lidhura ndërmjet personave juridikë, ku, të paktën, njëra nga palët është Republika e Shqipërisë,
Banka e Shqipërisë, një bankë qendrore e huaj, një bankë, një institucion financiar, një institucion i
huaj i ngjashëm me bankat dhe institucionet financiare, një agjent shlyerës, një operator ose një
autoritet publik vendas apo ndërkombëtar.
2. Marrëveshja e kolateralit financiar mund të sigurojë të gjitha llojet e detyrimeve
financiare, përfshirë ato të tanishme ose të ardhme, ato aktuale ose të kushtëzuara apo të mundshme,
që dhënësi i kolateralit apo cilido person tjetër i detyrohet marrësit të kolateralit ose përfaqësuesit të tij të autorizuar.

Neni 25
Vlefshmëria dhe njohja e marrëveshjes së kolateralit financiar

Marrëveshja e kolateralit financiar është e vlefshme, e përfunduar dhe nuk mund të
kundërshtohet nga palët e treta, përfshirë likuidatorin dhe kujdestarin, si dhe mund të
zbatohet/ekzekutohet në përputhje me dispozitat e saj, me kusht që:
a) marrëveshja të mund të provohet me shkrim ose në formë elektronike, apo me mënyra të tjera të ngjashme të njohura ligjërisht;
b) posedimi i instrumenteve financiare, objekt i marrëveshjes së kolateralit financiar, të
transferohet te marrësi i kolateralit, kusht i cili quhet i përmbushur nëse instrumentet financiare:
i) dorëzohen fizikisht te marrësi i kolateralit ose te një person që vepron në emër të tij;
ii) mbahen, transferohen ose janë objekt i ndonjë mase, në mënyrë të tillë që marrësi i
kolateralit apo një person që vepron në emër të tij i posedon ose i kontrollon. Ky transferim i
posedimit të instrumenteve financiare mund të arrihet edhe me anë të kreditimit të tyre në një llogari
speciale, të mbajtur në një regjistër, në emër të dhënësit të kolateralit, marrësit të kolateralit ose një
pale të tretë, që vepron si depozitues; dhe/ose
c) posedimi i cash-it, objekt i marrëveshjes së kolateralit financiar, të transferohet te marrësi
i kolateralit, kusht i cili quhet i përmbushur nëse cash-i transferohet në një llogari të veçantë,
mbahet, transferohet ose është objekt i ndonjë mase në mënyrë të tillë që marrësi i kolateralit apo
një person që vepron në emër të tij të posedojë ose të ketë kontrollin mbi cash-in. Marrësi i
kolateralit njofton debitorin për transferimin e kryer, duke i bërë të ditur pretendimin mbi cash-in
ose detyrimin e debitorit për të njohur shprehimisht ekzistencën e marrëveshjes së kolateralit financiar.

Neni 26
Vlefshmëria dhe njohja e dispozitës së kompensimit “close-out”

Dispozita e kompensimit “close-out” është e vlefshme, nuk mund të kundërshtohet nga palët
e treta dhe merr efekt menjëherë, pa njoftim paraprak ose pa vendim të ndonjë gjykate, ose veprim
tjetër të ndonjë organi apo nëpunësi publik, në përputhje me kushtet e saj:
a) pavarësisht hapjes së procedurës së paaftësisë paguese kundër dhënësit të kolateralit,
debitorit, marrësit të kolateralit ose kreditorit;
b) pavarësisht ndonjë mase sigurimi, sekuestroje ose urdhri apo vendimi tjetër të ngjashëm
gjyqësor, përmbarimor ose të çdo organi tjetër, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet për kolateralet që janë subjekt i kësaj dispozite.

Neni 27
Mbrojtja e zëvendësimit dhe dorëzimi i kolateralit shtesë

1. Marrëveshja e kolateralit financiar mund të përmbajë:
a) detyrimin për të ofruar kolateral financiar ose kolateral financiar shtesë, në mënyrë që të
mbulohen ndryshimet në vlerën e kolateralit financiar ose të shumës së detyrimeve të garantuara;
b) të drejtën për të tërhequr kolateral financiar, duke siguruar, nëpërmjet zëvendësimit ose
shkëmbimit, kolateral financiar në përmbajtje me të njëjtën vlerë.
2. Dorëzimi i kolateralit financiar në bazë të detyrimit ose të së drejtës, të përcaktuar në
pikën 1 të këtij neni, është i vlefshëm, i pakundërshtueshëm nga palët e treta, përfshirë likuidatorin
dhe kujdestarin, edhe në ato raste kur dorëzimi është bërë në ditën e hapjes së procedurës për
paaftësi paguese, me kusht që marrësi i kolateralit të provojë se nuk ishte ose nuk mund të ishte në dijeni të hapjes së procedurës.
3. Dorëzimi i kolateralit financiar në bazë të detyrimit ose të së drejtës, të përcaktuar në
pikën 1 të këtij neni, nuk përbën një marrëveshje të re ndërmjet palëve.

Neni 28
Realizimi i kolateralit financiar të lënë peng

1. Pavarësisht hapjes së procedurës për paaftësi paguese kundrejt pengmarrësit ose
pengdhënësit, në rast të një situate ekzekutimi, pengmarrësi ka të drejtë të realizojë menjëherë, pa
njoftim paraprak dhe pa ndërhyrjen e gjykatës a të ndonjë organi ose nëpunësi publik, apo çdo
personi tjetër, çdo kolateral financiar të dhënë sipas kushteve të rëna dakord në peng.
2. Në rast se kolaterali financiar ka për objekt:
a) instrument financiar, realizimi i tij bëhet nëpërmjet shitjes ose përvetësimit dhe, më pas,
duke e përdorur vlerën e marrë për përmbushjen e detyrimeve të garantuara;
b) cash-in, realizimi i tij bëhet duke e përdorur atë për përmbushjen e vlerës së detyrimeve të garantuara.

Neni 29
Radha e preferencës së të drejtave mbi pengun

Të drejtat e pengmarrësit mbi kolateralin financiar të lënë peng mbizotërojnë mbi të drejtat e
çdo kreditori tjetër të pengdhënësit.

Neni 30
Efekti joprapaveprues i procedurës për paaftësi paguese mbi dhënien e kolateralit financiar

Dhënia e kolateralit financiar nuk mund të deklarohet e pavlefshme, nul, ose të anulohet, me
kusht që kolaterali financiar të jetë dorëzuar jo më vonë se ditën e hapjes së procedurës për paaftësi
paguese dhe marrësi i kolateralit të provojë se nuk ishte ose nuk mund të ishte në dijeni për hapjen e procedurës.

Neni 31
Titujt e dematerializuar

1. Në lidhje me titujt e dematerializuar, legjislacioni i vendit ku mbahet llogaria përkatëse rregullon edhe çështjet e mëposhtme:
a) natyrën ligjore dhe efektet e pronësisë së titujve;
b) kërkesat për përfundimin e një marrëveshjeje të kolateralit financiar për titujt, dhënien e
këtyre titujve, sipas një marrëveshjeje të tillë dhe, në përgjithësi, përmbushjen e hapave të
nevojshëm për të bërë efektive një marrëveshje dhe dhënie të tillë ndaj palëve të treta;
c) nëse e drejta e pronësisë ose ndonjë e drejtë tjetër apo interes i një personi mbi titujt
mbizotëron ose varet nga një e drejtë pronësie apo e drejtë tjetër, ose nëse ka ndodhur një blerje në mirëbesim;
ç) hapat e nevojshëm që kërkohen për realizimin e titujve të dhënë si kolateral financiar,
sipas një marrëveshjeje kolaterali financiar, në rast se ndodh një situatë ekzekutimi.
2. Titujt e dematerializuar janë instrumente financiare, ku të drejtat mbi to evidentohen në
një zë të veçantë në regjistër ose në një llogari që mbahet nga ose në emër të një ndërmjetësi.
3. Llogaria ku mbahen titujt e dematerializuar është regjistri ose llogaria, në të cilën kryhen
regjistrimet e titujve për llogari të zotëruesit të tyre. Kjo llogari mund të mbahet nga marrësi i kolateralit.
4. Referimi në legjislacionin e një vendi është referim në të drejtën e tij të brendshme, duke
përjashtuar çdo rregull të mundshëm, sipas të cilit vendimmarrja për çështje të caktuara mund të
bëhet duke iu referuar legjislacionit të një vendi tjetër.


KREU V
PROVAT


Neni 32
Pranueshmëria e provës elektronike dhe optike

Ekzistenca, përmbajtja, afati i çdo urdhër-transferte, hyrja e tij në një sistem, si dhe
ekzekutimi i tij mund të vërtetohen në të gjitha çështjet, qofshin ato civile, penale ose administrative,
kundrejt pjesëmarrësit ose ndonjë pale të tretë, me shkrim ose me mjete të qëndrueshme, që
sigurojnë gjurmimin e tij, qoftë në formë optike ose elektronike, duke përfshirë kopje të printuara të
dokumenteve të tilla elektronike ose optike.

Neni 33
Procedura “truncation”

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet akteve nënligjore, mund të organizojë procedurën
“truncation” të instrumenteve të pagesave, duke përcaktuar edhe pasojat e kësaj procedure për
pjesëmarrësit dhe sistemet e përfshira në procesimin e këtyre instrumenteve.


KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 34
Efekte mbi dispozita ligjore

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, pika 5 e nenit 116 të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për
bankat në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.

Neni 35
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 29.4.2013

Shpallur me dekretin nr. 8166, datë 13.5.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest