LIGJI PËR FALIMENTIMIN - Nr. 8901, datë 23.5.2002

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR FALIMENTIMIN - Nr. 8901, datë 23.5.2002

Postby Libraria UBT » 01 Aug 2015, 19:01

LIGJI PËR FALIMENTIMIN - Nr. 8901, datë 23.5.2002

I azhurnuar me:
 Ligjin Nr.9919, datë 19.5.2008
 Ligjin Nr.10 137, datë 11.5.2009


mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


PJESA E PARË
PARIME TË PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta për shlyerjen e
detyrimeve të debitorëve në një procedurë falimentimi.

Neni 2
Qëllimi i procedurës së falimentimit

1. Procedura e falimentimit ka qëllim të shlyejë, në mënyrë kolektive, detyrimet e debitorit
nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave, ose, në rastin e
një plani riorganizimi, nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje tjetër, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë së tij.
2. Çdo debitori të ndershëm, nëpërmjet procedurës së falimentimit, i jepet mundësia të shkarkohet nga pjesa e mbetur e detyrimeve.

Neni 3
Gjykata e rrethit gjyqësor në cilësinë e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

1. Realizimi i procedurave të falimentimit është detyrë e seksioneve tregtare të gjykatës së rrethit (gjykata e falimentimit).
2. Shqyrtimi i çështjeve dhe marrja e vendimeve për procedurën e falimentimit bëhet nga një gjyqtar i vetëm.
3. Shqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, seksioni tregtar.

Neni 4
Përgjegjësia territoriale

1. Procedura e falimentimit shqyrtohet dhe gjykohet në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit ku
debitori, i cili është person juridik, ka vendbanimin ose selinë.
2. Nëse debitori e ka transferuar qendrën e veprimtarisë ekonomike të pavarur në një vend tjetër,
përgjegjësia është vetëm e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit ku ndodhet qendra e re e veprimtarisë së debitorit.
3. Nëse debitori nuk ka seli ose vendbanim në Shqipëri, përgjegjësia i përket seksionit tregtar të
gjykatës së rrethit ku debitori ka një degë ose çdo pasuri tjetër.
4. Në rast se një procedurë falimentimi është deklaruar në përgjegjësi të disa seksioneve tregtare
të gjykatave të rretheve, përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për shqyrtimin dhe gjykimin e çështjes e ka
seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ku është paraqitur fillimisht kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit.
5. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, që ka përgjegjësi për të gjykuar një procedurë falimentimi,
është gjykata e vetme përgjegjëse për të gjykuar paditë civile, që ngrihen për këtë procedurë falimentimi.

Neni 5
Zbatueshmëria e ligjeve të tjera

Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe të ligjeve të tjera janë të zbatueshme edhe për
procedurën e falimentimit, për aq sa ato nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.

Neni 6
Roli i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit heton, kryesisht, të gjitha rrethanat që kanë lidhje me procedurën e falimentimit.
2. Në mënyrë të veçantë, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të kërkojë dhe të dëgjojë për
këtë qëllim dëshmitarë, specialistë dhe vetë debitorin.

Neni 7
Ankimi i veçantë

1. Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit është menjëherë i ekzekutueshëm.
2. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit mund të bëhet ankim i veçantë në
raste dhe mënyrën e parashikuar në këtë ligj. Ankimi i veçantë, në asnjë rast, nuk pezullon
ekzekutimin e vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit.
3. Afati i ankimit të veçantë fillon nga data e shpalljes së vendimit, ose kur vendimi shpallet në
mungesë të palëve, nga data kur palët marrin dijeni. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të vendosë për ankimin e veçantë.
4. Gjykata e apelit, kur çmohet prej saj, mund të urdhërojë ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit.
5. Kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë.
6. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve.

Neni 8
Njoftimet

1. Njoftimet për procedurën e falimentimit bëhen kryesisht nga seksioni tregtar i gjykatës së
rrethit, me shërbim postar të shpejtë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile për njoftimet.
2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, për kryerjen e njoftimit, mund të ngarkojë administratorin e falimentimit.

Neni 9
Shpallja publike

1. Shpalljet publike të vendimeve dhe akteve për fillimin dhe përfundimin e procedurës së
falimentimit bëhen me publikimin e tyre në organet e informacionit të caktuar për njoftimet zyrtare të gjykatës.
Organet e informacionit dhe tarifa për publikimin e njoftimeve zyrtare caktohen nga Këshilli i Ministrave.
2. Kur çmohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, publikimi i akteve të procedurës së
falimentimit mund të bëhet edhe i pjesshëm ose i shkurtuar.
3. Akti i publikuar duhet të përmbajë të dhënat e debitorit dhe, në mënyrë të veçantë, adresën dhe
degën e shoqërisë ose të veprimtarisë së tij.
4. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë publikime të tjera, madje dhe të përsëritura, të njoftimeve.
5. Shpallja publike, sipas dispozitave të këtij ligji, merret si njoftim i të gjithë pjesëmarrësve në
procedurën e falimentimit edhe sikur dispozita të veçanta të këtij ligji të kërkojnë njoftim të veçantë.

Neni 10
Dëgjimi i debitorit

1. Në rast se dispozita të këtij ligji parashikojnë thirrjen dhe dëgjimin para seksionit tregtar të
gjykatës së rrethit të debitorit, që ka vendbanim në një shtet tjetër ose kur vendbanimi i debitorit
nuk njihet, kjo gjykatë mund të vendosë të mos e kryejë këtë veprim, nëse çmon se shtyrja e
seancës gjyqësore , për këto rrethana, do të shkaktonte vonesa të paarsyeshme në procedurën e
falimentimit. Në këtë rast, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit thërret në seancë një përfaqësues të debitorit.
2. Kur debitori është person juridik zbatohen, sipas rastit, procedurat e thirrjes dhe të dëgjimit në
seksionin tregtar të gjykatës së rrethit të personave që kanë të drejtën e përfaqësimit të debitorit
ose që mbajnë aksionet a pjesëmarrjet e tij.


PJESA E DYTË
HAPJA E PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT
SUBJEKTET PJESËMARRËSE DHE MASA E FALIMENTIMIT
KREU I
KUSHTET PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT


Neni 11
Pranueshmëria e hapjes së procedurës së falimentimit

1. Procedura e falimentimit mund të hapet për pasuritë e çdo personi, fizik ose juridik, si dhe për pasuritë e shoqërive të thjeshta.
2. Në rast se nuk është kryer ndarja e pasurisë, procedura e falimentimit mund të hapet edhe pas
prishjes ose shpërndarjes së një personi juridik ose të një shoqërie të thjeshtë.

Neni 12
Përjashtime dhe dispozita të veçanta

1. Procedura e falimentimit nuk mund të hapet për pasurinë e:
a) shtetit ose të një organi të tij;
b) sektorëve të caktuar si strategjikë;
c) Njësive të qeverisjes vendore dhe organeve të tyre.
2. Procedurat e falimentimit të bankave dhe instituteve të tjera financiare rregullohen me ligj të veçantë.

Neni 13
Shkaku i hapjes së procedurës së falimentimit

1. Procedura e falimentimit hapet vetëm me shkak.
2. Gjendja e paaftësisë paguese përbën shkak të përgjithshëm për hapjen e procedurës së
falimentimit. Debitori vlerësohet i paaftë për të paguar nëse nuk është në gjendje të paguajë
detyrimet në datën e maturimit. Paaftësia paguese prezumohet se ekziston nëse debitori nuk kryen pagesat.
3. Nëse hapja e procedurës së falimentimit kërkohet nga vetë debitori, paaftësia paguese në një të
ardhme të afërt përbën shkak për hapjen e procedurës së falimentimit. Debitori ndodhet në
gjendjen e paaftësisë paguese në një të ardhme të afërt, kur nuk është në gjendje të paguajë ose të
shlyejë detyrimet që ka në datën e maturimit.
4. Mbingarkesa me borxhe përbën shkak për hapjen e procedurës së falimentimit në rastin e një
personi juridik. Debitori ndodhet në gjendjen e mbingarkesës me borxhe kur vërtetohet se
pasuritë e tij nuk mbulojnë detyrimet ndaj të tretëve dhe, në bazë të rrethanave, pas vlerësimit të
pasurive të debitorit nuk është më mundësia për vazhdimësinë e veprimtarisë.
Procedurat për fillimin e procesit të falimentimit në organin tatimor kryhen sipas legjislacionit tatimor përkatës
5. Kriteret dhe mënyrat e përllogaritjes së treguesve ekonomikë, mbi të cilët fillojnë procedurat e
falimentimit, caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 14
Kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit

1. Procedura e falimentimit hapet vetëm me kërkesën e debitorit ose të kreditorëve. Në rastin e
personave juridikë procedura e falimentimit mund të hapet edhe me kërkesën e organeve
tatimore, kur rezulton një bilanc me humbje për një periudhë 3-vjeçare.
1/1. Autoritetet fiskale, nën juridiksionin e të cilave ndodhet debitori, brenda 30 ditëve nga
konstatimi i paaftësisë paguese të debitorit, janë të detyruara të paraqesin kërkesën, në përputhje
me dispozitat e këtij ligji, për hapjen e procedurës së falimentimit.
1/2. Organet tatimore përjashtohen nga pagimi i taksave gjyqësore. Për fillimin e procedurës së
falimentimit organet tatimore paraqesin në gjykatë:
a) kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;
b) dokumentacionin e shoqërisë (statutin, aktin e themelimit, numrin e NIPT-it);
c) bilancin me pasqyrat financiare të shoqërisë, për të cilën kërkohet fillimi i procedurës së falimentimit.
2. Kërkesa mund të tërhiqet në çdo kohë, derisa nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit nuk është
dhënë vendimi për hapjen e procedurës së falimentimit ose për rrëzimin e kërkesës për hapjen e
procedurës së falimentimit. Kur kërkesa tërhiqet, shpenzimet e bëra deri në atë kohë mbeten në
ngarkim të personit që ka paraqitur kërkesën.

Neni 15
Kërkesa e debitorit

1. Drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, së bashku me kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit ose menjëherë pas
dorëzimit të saj, duhet të paraqesin:
a) listën e pasurive dhe të të ardhurave që ka së bashku me një deklaratë, ku të shënohet
vlera e çdo sendi dhe fakti nëse ky send është përdorur si mjet sigurimi, ose nëse është ngarkuar me barrë si i tillë;
b) listën e kreditorëve me emrat, adresat dhe shumat, që përbëjnë detyrimin përkatës ndaj tyre.
2. Dokumentacioni i paraqitur nga drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së
cilës është hapur procedura e falimentimit, duhet të përmbajë edhe një deklaratë, përmes së cilës
vërtetohet se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.
3. Nëse drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura
e falimentimit, nuk i kanë dorëzuar të gjitha deklaratat dhe dokumentet e përmendura në pikat 1
dhe 2 të këtij neni, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit i kërkon atij plotësimin e tyre. Nëse
drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, nuk e zbatojnë kërkesën e mësipërme brenda 15 ditëve, seksioni tregtar i gjykatës së
rrethit rrëzon kërkesën e drejtorëve, zyrtarëve, ortakëve apo aksionarëve të shoqërisë, ndaj së
cilës është hapur procedura e falimentimit, për hapjen e procedurës së falimentimit.

Neni 16
E drejta dhe detyrimi i personave juridikë dhe shoqërive të thjeshta

1. Të drejtën për të kërkuar hapjen e një procedure falimentimi për pasurinë e një personi juridik
e gëzon çdo kreditor, anëtarët e organit drejtues ose edhe çdo ortak i thjeshtë ose likuidator, në rastin e shoqërive të thjeshta.
Kur ortakët ose aksionarët e shoqërisë kanë pasur gjatë veprimtarisë dijeni për paaftësinë paguese
të shoqërisë dhe nuk kanë paraqitur në seksionin tregtar të gjykatës kërkesë për hapjen e
procedurës së falimentimit, brenda një afati prej 3-muajsh, nga dita në të cilën ata kanë pasur
dijeni, janë personalisht përgjegjës dhe dënohen nga autoritetet fiskale me gjobë nga 200 000 deri në 500 000 lekë.
2. Në rastin e një personi juridik, çdo anëtar i organit drejtues është i detyruar të kërkojë hapjen e
menjëhershme të procedurës së falimentimit, por jo më vonë se 21 ditë nga data kur personi
juridik është në gjendje paaftësie paguese, në kuptim të pikës 4 të nenit 13 të këtij ligji. Këta
persona janë personalisht përgjegjës për dëmshpërblimin e kreditorëve nëse kreditorët pësojnë
humbje për shkak të mosparaqitjes së kërkesës brenda këtij afati 21 -ditor.
3. Nëse kërkesën nuk e paraqesin bashkërisht të gjithë anëtarët e organit drejtues, të gjithë ortakët
e thjeshtë të shoqërisë së thjeshtë ose të gjithë likuidatorët, kërkesa pranohet nga seksioni tregtar i
gjykatës së rrethit nëse janë të mjaftueshme dhe bindëse shkaqet e parashtruara për hapjen e
procedurës së falimentimit. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, përpara se të marrë vendim,
dëgjon anëtarët e tjerë të organit drejtues, ortakët e thjeshtë ose likuidatorët.

Neni 17
Kërkesa e kreditorit

1. Kërkesa e kreditorit pranohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, kur ai ka një interes të
ligjshëm për hapjen e procedurës së falimentimit, kur paraqet kërkesën sipas ligjit dhe nëse
gjykata çmon se shkaqet për hapjen e procedurës së falimentimit janë të mjaftueshme dhe bindëse
për të. Vlerësohen se kanë interes të ligjshëm për hapjen e procedurës së falimentimit kreditori, i
cili ka ndaj pasurisë së debitorit një interes me karakter pasuror dhe autoritetet fiskale. Shkaku
për hapjen e procedurës së falimentimit prezumohet se ekziston nëse debitori, pavarësisht se nuk
e ka kundërshtuar pretendimin, nuk e ka shlyer këtë detyrim tre muaj pas datës së maturimit të pagesës.
2. Nëse kërkesa e kreditorit pranohet, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit thërret dhe dëgjon pretendimet e debitorit.

Neni 18
Shqyrtimi i çështjes dhe dhënia e vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit

1. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës
së rrethit mund të emërojë një specialist të veprojë si administrator i përkohshëm ose i ardhshëm i
debitorit dhe i ngarkon atij këto detyra:
a) të verifikojë nëse është real shkaku për hapjen e procedurës së falimentimit;
b) të verifikojë nëse pasuritë e debitorit mbulojnë shpenzimet e procedurës së falimentimit.
c) të verifikojë nëse është e nevojshme të merren masa për sigurimin e pasurisë;
ç) të verifikojë nëse është mundësia për vazhdimësinë e veprimtarisë nga debitori.
2. Gjatë shqyrtimit të çështjes, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, mund të vendosë masa
sigurimi mbi pasurinë e debitorit, sipas nenit 21 të këtij ligji.
3. Shqyrtimi i çështjes nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duhet të përfundojë në një kohë sa
më të shkurtër dhe, në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit.
4. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, brenda afateve të treguara në pikën 3 të këtij neni, vendos:
a) rrëzimin e kërkesës për mungesë të shkakut ligjor për hapjen e procedurës së falimentimit.
b) rrëzimin e kërkesës për shkak të pamjaftueshmërisë së pasurive të debitorit për të
mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit.
c) pranimin e kërkesës dhe hapjen e procedurës së falimentimit.
5. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për pranimin e kërkesës dhe hapjen e
procedurës së falimentimit ose për rrëzimin e kësaj kërkese, mund të bëhet ankim i veçantë nga
debitori ose kërkuesi për hapjen e procedurës së falimentimit.

Neni 19
Rrëzimi i kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit për shkak të pamjaftueshmërisë së pasurisë së mbetur

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos rrëzimin e kërkesës për hapjen e procedurës së
falimentimit kur vërtetohet se pasuria e debitorit është e pamjaftueshme për mbulimin e
shpenzimeve të procedurës së falimentimit, përveç kur kërkuesi parapaguan një shumë të
mjaftueshme, sipas çmimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit.
2. Personi që ka bërë parapagimin, sipas pikës 1 të këtij neni, ka të drejtë t’i kërkojë kthimin e
shumës së parapaguar çdo personi, që në kundërshtim me detyrën dhe për faj të tij nuk ka
paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës së falimentimit. Në rast se personi në fjalë
kundërshton shkeljen për të cilën akuzohet dhe nuk pranon fajësinë, barra e provës i kalon atij.
Pretendimi i ripagimit të shumës së parapaguar parashkruhet pas 5 vjetësh.
3. Personi juridik shpërndahet në datën kur vendimi i gjykatës merr formë të prerë.

Neni 20
Detyrimi i dhënies së informacionit gjatë hapjes së procedurës së falimentimit

Kur seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos për hapjen e procedurës së falimentimit, drejtorët,
zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit,
duhet t’i paraqesë kësaj gjykate të gjitha të dhënat e nevojshme, duke përmbushur detyrimet e
parashikuara në nenin 15 pikat 1 dhe 2, si dhe në nenet 81, 82 dhe 85 të këtij ligji.
Pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër e këtij ligji:
1. Seksioni tregtar i gjykatës mund të autorizojë, si pjesë e vendimit të fillimit të procedurës së
falimentimit, administratorin e falimentimit, që të marrë hua në emër të debitorit, kur seksioni
tregtar i gjykatës bindet se këto para kërkohen nga debitori.
2. Pas nxjerrjes së vendimit të fillimit të procedurës së falimentimit, seksioni tregtar mund të
autorizojë, me kërkesë të administratorit dhe me njoftimin e palëve, administratorin e
falimentimit të marrë para hua në emër të debitorit dhe të deklarojë se çdo apo të gjitha pasuritë
janë me barrë në favor të çdo personi që specifikohet në vendim, i cili ka rënë dakord t’i japë hua
shoqërisë një shumë, e cila është miratuar nga gjykata siç është kërkuar nga shoqëria debitore.
3. Pas nxjerrjes së vendimit të fillimit të procedurës së falimentimit, sipas pikës 2 të këtij neni,
çdo kreditor i shoqërisë debitore mund t’i kërkojë seksionit tregtar që ka dhënë vendimin, sipas
pikës 1, ta ndryshojë atë, me kusht që kërkesa t’i njoftohet administratorit dhe kërkuesi mund të
tregojë se është cenuar materialisht dhe në mënyrë të padrejtë nga vendimi i dhënë sipas pikës 1
dhe ky cenim i kapërcen përfitimet që mund të marrin të gjithë kreditorët e tjerë.
4. Në lidhje me çdo vendim të dhënë sipas pikës 2, seksioni tregtar i gjykatës mund të specifikojë
në vendim se garancia ose barra radhitet mbi çdo garanci apo barrë të kreditorëve të siguruar. Në
këtë rast siguria ose barra ka përparësi ndaj kreditorëve të tjerë të falimentimit.
5. Kur seksioni tregtar i gjykatës merr vendimin sipas pikave 1, 2 dhe 4, duhet të marrë parasysh ndër të tjera:
a) periudhën gjatë së cilës shoqëria debitore pritet të deklarohet si e falimentuar;
b) si do të drejtohet shoqëria gjatë procedurës së falimentimit;
c) nëse administratori ka besimin e shumicës së kreditorëve;
ç) nëse shoqëria ka mundësi që të ristrukturohet me sukses dhe nëse huaja do të rrisë
gjasat e një ristrukturimi të zbatueshëm për shoqërinë;
d) në rastin e vendimit, sipas pikave 2 dhe 4, nëse interesi i sigurisë që kërkohet është i
vetmi mjet realist për shoqërinë debitore të marrë financimet e nevojshme për ristrukturim;
dh) natyrën dhe vlerën e pasurisë; dhe
e) nëse kreditori do të cenohet materialisht, si rezultat i vendimit të kërkuar dhe nëse ky
cenim i kapërcen përfitimet që mund të marrin të gjithë kreditorët e tjerë.
6. Në vlerësimin e faktorëve të mësipërm, seksioni tregtar mund të marrë parasysh, gjithashtu,
nëse çdo cenim i pësuar nga kreditori lehtësohet nga masat e sigurisë së dhënë kreditorëve, duke përfshirë:
a) pagesat cash nga pasuria;
b) dhënien e sigurisë shtesë;
c) masa të tjera, siç mund të vendosin palët dhe gjykata.
7. Kur procedura e riorganizimit shndërrohet në likuidim, çdo përparësi e dhënë sipas paragrafit 4
në riorganizim duhet të vazhdojë të njihet në likuidim.

Neni 21
Vendosja e masave të sigurisë

1. Derisa seksioni tregtar i gjykatës së rrethit të marrë vendim për kërkesën për hapjen e
procedurës së falimentimit, ai vendos mbi pasuritë e debitorit çdo lloj mase, që e gjykon të
nevojshme për të shmangur përkeqësimin e gjendjes financiare të debitorit në dëm të kreditorëve.
2. Në mënyrë të veçantë, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund:
a) të vendosë ndaj debitorit kufizim të përgjithshëm disponimi ose pranimi të shlyerjes së
detyrimeve ose të urdhërojë që çdo disponim i pasurisë së tij të kryhet vetëm me miratimin
përfundimtar të administratorit të përkohshëm;
b) të vendosë ndaj debitorit pezullim të përkohshëm të masave të sigurisë dhe të ekzekutimit të një të drejte të siguruar;
c) të emërojë një administrator të përkohshëm falimentimi.
3. Masat e sigurisë mbi pasurinë e debitorit, sipas këtij neni, mund të vendosen nga seksioni
tregtar i gjykatës së rrethit për një afat 30-ditor edhe në rastin e procedurave të ekzekutimit të një
detyrimi mbi këtë pasuri nga kreditori i siguruar. Ky afat të zgjatet edhe për një afat tjetër 30- ditor, por vetëm në rast se:
a) seksioni tregtar i gjykatës së rrethit çmon se vlera e barrës siguruese është më e madhe
se vlera e kredisë së siguruar dhe e shpenzimeve të ekzekutimit të këtij detyrimi të marra së bashku;
b) debitori, përpara përfundimit të afatit 30-ditor, paraqet para seksionit tregtar të gjykatës
së rrethit prova të mjaftueshme për mundësinë e zbatimit të një plani riorganizimi, për realizimin
e të cilit është thelbësor përdorimi i barrës siguruese.
4. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos masat e sigurisë, të parashikuara në pikën 3 të këtij
neni, jo më vonë se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës për hapjen e procedurës së
falimentimit. Pas kalimit të afatit të parashikuar në pikën 3 të këtij neni, masa e sigurisë mbi pasurinë e debitorit shuhet.
5. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për vendosjen e masës së sigurimit mund të bëhet ankim i veçantë.

Neni 22
Administratori i përkohshëm i falimentimit

1. Në rast se seksioni tregtar i gjykatës së rrethit cakton një administrator të përkohshëm
falimentimi dhe i heq debitorit të drejtën e disponimit të pasurisë, e drejta e administrimit dhe e
disponimit të pasurisë së debitorit i kalon administratorit të përkohshëm të falimentimit. Në këtë
rast administratori i përkohshëm i falimentimit duhet:
a) të kujdeset për sigurimin dhe ruajtjen e pasurisë së debitorit;
b) të vazhdojë drejtimin e përditshëm të veprimtarisë së debitorit derisa seksioni tregtar i
gjykatës së rrethit të vendosë për hapjen e procedurës së falimentimit, me përjashtim të rastit kur
seksioni tregtar i gjykatës së rrethit miraton mbylljen e veprimtarisë për të shmangur humbje të
mëtejshme të ndjeshme të pasurisë së debitorit;
c) të kryejë, si specialist, detyrat e caktuara në nenin 18 të këtij ligji.
2. Nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit cakton një administrator të përkohshëm falimentimi
pa i hequr debitorit të drejtën e përgjithshme të disponimit, gjykata i përcakton këtij
administratori edhe detyra të tilla si mbikëqyrjen e veprimeve të debitorit. Gjithashtu, i kërkon
administratorit të përkohshëm të falimentimit të vërë në dijeni gjykatën nëse janë të nevojshme masa të mëtejshme.
3. Në rastet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, administratori i përkohshëm i
falimentimit ka të drejtën të hyjë në mjediset ku ushtron veprimtarinë debitori dhe të hetojë.
Debitori duhet t’i lejojë administratorit të përkohshëm inspektimin e librave të llogarive dhe të
dokumenteve të veprimtarisë dhe t’i japë atij të gjitha të dhënat e nevojshme.
4. Administratori i përkohshëm i falimentimit ka të drejtë t’u japë furnizuesve, si kreditorë të
masës së falimentimit, përparësi në pagesë me mallra, shërbime ose kredi të nevojshme.
Për kryerjen e këtij veprimi, administratori i drejtohet për miratim gjykatës, e cila, kur bindet, e
miraton atë nëse përmbushen kriteret e mëposhtme:
a) veprimi është i vlefshëm për vazhdimin e funksionimit të një veprimtarie;
b) furnizimi me mallra, shërbime ose kredi është i pashmangshëm;
c) veprimi është i leverdishëm për rritjen e pasurisë së shoqërisë.
Në raste të ngutshme, kur miratimi i veprimit nga gjykata mund të vononte kryerjen e
veprimit, administratori mund ta kryejë veprimin e sipërpërmendur edhe pa miratimin e gjykatës,
me kusht që të përmbushen kriteret e paragrafit të dytë të kësaj pike.
5. Administratori i përkohshëm është përgjegjës për dëmet në të njëjtën shkallë si administratori i
falimentimit, sipas nenit 47 të këtij ligji.

Neni 23
Shpallja publikisht e kufizimit të disponimit të pasurive

1. Vendimi për çdo lloj kufizimi të disponimit të pasurisë, të parashikuar në pikën 2 të nenit 21 të
këtij ligji, si dhe për caktimin e një administratori të përkohshëm falimentimi, duhet të shpallet
publikisht. Vendimi i njoftohet drejtpërdrejtë debitorit, çdo personi që ka pretendime ndaj
debitorit dhe administratorit të përkohshëm të falimentimit. Njëkohësisht, debitorëve të debitorit
u kërkohet të përmbushin detyrimet ndaj debitorit, sipas këtij vendimi.
2. Vendimi për çdo lloj kufizimi të disponimit të pasurisë u dërgohet, për të bërë shënimet
përkatëse, të gjithë autoriteteve publike, të ngarkuara nga ligji, për regjistrimin e veprimtarisë së
debitorit ose të një pjese a tërësisë së pasurive të tij.

Neni 24
Pasojat që rrjedhin nga kufizimi i disponimit të pasurisë

1. Janë të pavlefshme veprimet juridike të debitorit, në kundërshtim me kufizimet e disponimit të
pasurisë, të parashikuara në nenin 21 të këtij ligji. Vlera e paguar i kthehet palës tjetër, në rast se
pasuritë e marra vazhdojnë të përbëjnë begatim pa shkak të debitorit.
2. Nëse në kundërshtim me kufizimin e disponimit, vlerën e përfiton debitori në vend të
administratorit të përkohshëm të falimentimit, paguesi shkarkohet nga detyrimi vetëm në rast se
vërteton që, në kohën e pagimit të vlerës, nuk kishte dijeni për kufizimet e disponimit të debitorit.

Neni 25
Shfuqizimi i masave të sigurisë

1. Kur shfuqizohen masat e sigurisë, njoftimi dhe shpallja publike bëhen në të njëjtën mënyrë si në rastin e vendosjes së tyre.
2. Kur e drejta për disponimin e pasurisë se debitorit i ka kaluar administratorit të përkohshëm të
falimentimit, ky i fundit, para mbarimit të mandatit të tij, ka për detyrë të shlyejë shpenzimet dhe
detyrimet e lindura gjatë periudhës së administrimit të pasurisë prej tij.
3. Pika 2 e këtij neni zbatohet edhe për detyrimet e lindura nga kontratat nëse, në bazë të tyre,
administratori i përkohshëm i falimentimit ka marrë një vlerë në favor të pasurisë së administruar prej tij.

Neni 26
Vendimi për hapjen e procedurave të falimentimit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos hapjen e procedurës së falimentimit kur çmon se
janë shkaqet dhe kushtet e tjera të parashikuara në këtë ligj për hapjen e procedurës së falimentimit.
2. Vendimi për hapjen e procedurës së falimentimit përmban :
a) emrin, mbiemrin dhe vendbanimin e debitorit në rastin e personave, ose emrin, llojin e
veprimtarisë dhe selinë në rastin e personit juridik;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e administratorit të falimentimit;
c) orën e saktë kur është hapur procedura e falimentimit;
ç) të dhënat e parashikuara në nenet 27 dhe 29 të këtij ligji.
d) urdhërimin e detyrimit për publikimin e vendimit në internet, në faqen zyrtare të
gjykatës, të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të organit tatimor përkatës.
3. Nëse vendimi nuk përcakton orën e saktë të hapjes së procedurës së falimentimit, atëherë si orë
e saktë e hapjes së kësaj procedure merret ora dymbëdhjetë e ditës së shpalljes së vendimit.
4. Së bashku me hapjen e procedurës së falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos
emërimin e administratorit të falimentimit.
5. Rregullat e parashikuara në në këtë nen nuk përjashtojnë zbatimin e detyrimeve të parashikuara në nenet 233 dhe 276 të këtij ligji.

Neni 27
Kërkesat ndaj kreditorëve dhe debitorëve

1. Në vendimin e hapjes së procedurës së falimentimit kreditorëve u kërkohet të paraqesin,
brenda një afati të përcaktuar në të, tek administratori i falimentimit pretendimet e tyre, sipas
nenit 141 të këtij ligji. Afati kohor për paraqitjen e pretendimeve nuk mund të jetë më pak se 15 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë.
2. Në vendimin e hapjes së procedurës së falimentimit, kreditorëve u kërkohet të njoftojnë
menjëherë administratorin e falimentimit, për pretendimet dhe të drejtat e siguruara që kanë mbi
pasuritë e debitorit. Njoftimi i pretendimeve duhet të përmbajë të dhëna të hollësishme për sendin
mbi të cilin pretendohet e drejta e siguruar, natyrën dhe shkakun e lindjes së të drejtës së siguruar
dhe për pretendimet e siguruara. Kreditorët që për faj të tyre nuk japin të dhënat e kërkuara ose i
japin ato me vonesë, janë përgjegjës për pasojat që vijnë nga dëmet e shkaktuara.
3. Në vendimin e hapjes së procedurës së falimentimit duhet të përcaktohet se personat që kanë
detyrime ndaj debitorit duhet t’ia paguajnë dhe t’ia shlyejnë ato administratorit të falimentimit.

Neni 28
Caktimi i mbledhjeve

1. Në vendimin e hapjes së procedurës së falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit cakton afatet kohore për:
a) zhvillimin e mbledhjes së kreditorëve për raportim. Kjo mbledhje, që duhet të mbahet
brenda 45 ditësh dhe, në çdo rast, jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së vendimit, në bazë
të një raporti të administratorit të falimentimit, duhet të vendosë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së falimentimit;
b) zhvillimin e mbledhjes së kreditorëve për verifikim. Kjo mbledhje,që duhet të mbahet
jo më parë se 10 ditë dhe jo më vonës e 60 ditë nga përfundimi i afatit për depozitimin e
pretendimeve, shqyrton dhe bën verifikimin e pretendimeve të depozituara.
2. Nëse kreditorët e shohin të arsyeshme, mbledhja për raportim dhe për verifikim mund të bëhet në të njëjtën kohë.

Neni 29
Shpallja publikisht e vendimit të hapjes së procedurës së falimentimit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit shpall publikisht dhe pa vonesë vendimin e hapjes së
procedurës së falimentimit, në përputhje me nenin 9 të këtij ligji.
2. Ky vendim u dërgohet secilit prej kreditorëve, debitorit dhe debitorëve të debitorit.
3. Kur debitori është person fizik, me vendimin e hapjes së procedurës së falimentimit atij i jepet
e drejta dhe mundësia për t’u shkarkuar nga detyrimi i mbetur, në përputhje me parashikimet e neneve 249 e në vazhdim të këtij ligji.

Neni 30
Regjistri tregtar

1. Nëse debitori është i regjistruar në regjistrin tregtar, seksioni tregtar i organit ku është
regjistruar së rrethit i dërgon gjykatës ku është kryer regjistrimi:
a) një kopje të vendimit të hapjes së procedurës, nëse është hapur procedura e falimentimit;
b) një kopje të vendimit, që hedh poshtë kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit
në rast se kërkesa për hapjen e procedurës është hedhur poshtë për mungesë të shumës së mjaftueshme për falimentim.

Neni 31
Regjistri i Pasurive të Paluajtshme

1. Vendimi për hapjen e procedurës së falimentimit regjistrohet në Regjistrin e Pasurive të
Paluajtshme, duke bërë shënimet përkatëse:
a) mbi çdo pasuri të paluajtshme, ku debitori është regjistruar si pronar;
b) mbi të drejtat e tjera të regjistruara të debitorit mbi pasuri të paluajtshme ose të drejta të tjera të regjistruara.
2. Nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka dijeni për pasuri të paluajtshme, ku debitori është
pronar ose gëzon të drejta të tjera të regjistrueshme, ai duhet të kërkojë, kryesisht, regjistrimin në
Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme. Edhe administratori i falimentimit mund të kërkojë
regjistrim në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme.
3. Në qoftë se administratori i falimentimit tjetërson ose heq dorë nga pronësia mbi pasuri të
paluajtshme ose nga të drejta të tjera të regjistruara të debitorit, mbi të cilat janë kryer veprimet e
parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ose administratori i
përkohshëm i falimentimit i kërkon autoritetit përkatës përmbushjen e procedurave përkatëse në
Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme.
4. Procedurat e parashikuara në këtë nen zbatohen, sipas rastit, edhe për regjistrimin e vendimit të
hapjes së procedurës së falimentimit dhe vendosjen e shënimeve përkatëse në regjistrat e tjerë, të
mbajtur, sipas ligjit, nga autoritete të tjera publike, të ngarkuara me regjistrimin e pronësisë ose të
të drejtave të tjera të debitorit mbi sende që bëjnë pjesë në masën e falimentimit.

Neni 32
Pasojat e përfundimit të procedurës së falimentimit

1. Vendimi i gjykatës më të lartë që në bazë të ankimit të veçantë ka vendosur prishjen e vendimit
të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për hapjen e procedurës së falimentimit dhe pushimin e çështjes, duhet të shpallet publikisht.
2. Përfundimi i procedurës së falimentimit, sipas pikës 1 të këtij neni, nuk cenon pasojat juridike
të veprimeve të kryera nga administratori i falimentimit ose palët e treta.


KREU II
MASA E FALIMENTIMIT. KLASIFIKIMI I KREDITORËVE


Neni 33
Kuptimi i masës së falimentimit

1. Procedura e falimentimit zbatohet mbi masën e falimentimit që përfshin të gjithë pasurinë dhe
të drejtat e debitorit në datën e hapjes së procedurës së falimentimit dhe pasurinë që ai fiton gjatë
zbatimit të kësaj procedure falimentimi.
2. Sendet që përjashtohen nga ekzekutimi i detyrueshëm, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës
Civile, nuk përfshihen në masën e falimentimit.
3. Për mosmarrëveshjet ndërmjet debitorit dhe administratorit të falimentimit, për faktin nëse një
send i përket masës së falimentimit, vendos seksioni tregtar i gjykatës së rrethit.
4. Në procedurën e falimentimit zbatohen kushtet e parashikuara në nenet 34 dhe 35 të këtij ligji,
për sendet në pronësi të personave të tjerë ose sendet e ngarkuara me barrë siguruese.

Neni 34
E drejta e veçimit

1. Personi që pretendon veçimin e një sendi nga masa e falimentimit në bazë të një të drejte
pronësie, mund të ushtrojë e të kërkojë njohjen dhe realizimin e së drejtës së veçimit të këtij
sendi, sipas dispozitave të parashikuara jashtë procedurës së falimentimit.
2. Nëse para hapjes së procedurës së falimentimit, debitori e ka shitur sendin për të cilin
pretendohet veçimi, pa marrë parasysh të drejtën e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, ose nëse
sendin e ka shitur administratori i falimentimit pas hapjes së procedurës së falimentimit, çdo
person, që ka të drejtën e veçimit, mund të kërkojë njohjen e së drejtës mbi vlerën e sendit për sa
kohë që nuk është paguar vlera e tij. Pagimi i vlerës nga masa e falimentimit mund të kërkohet
për aq kohë sa kjo vlerë vazhdon, në formë të dallueshme në masën e falimentimit.

Neni 35
Kreditorët e siguruar

1. Kreditorët, që nëpërmjet një veprimi juridik, kanë vendosur barrë siguruese mbi sendin ose në
bazë të ligjit kanë fituar një të drejtë mbi sende të masës së falimentimit, si mjet sigurimi për
pretendimet e tyre, kanë të drejtë të realizojnë shlyerjen e detyrimit nga kolaterali, në përputhje
me dispozitat e zbatueshme jashtë procedurës së falimentimit, por duke iu nënshtruar
përjashtimeve të pikës 2 të këtij neni dhe neneve 133 e në vazhdim të këtij ligji.
2. Në procedurën e falimentimit nuk mund të ngrihen pretendime për pengun ligjor të pronarit ose
qiradhënësit për pagesë qiraje ose qiraje financiare, që mbulon një periudhë deri në dymbëdhjetë
muaj, para hapjes së procedurës së falimentimit, si dhe për çdo lloj dëmshpërblimi që duhet
paguar, për shkak se administratori i falimentimit ka zgjidhur këtë kontratë qiraje.

Neni 36
Kufizime për kreditorët për masën e falimentimit

1. Shpenzimet e procedurës së falimentimit dhe shpenzimet e tjera administrative shlyhen nga
masa e falimentimit para pretendimeve të kreditorëve të masës së falimentimit.
2. Kreditorët e masës së falimentimit duhet të ngrenë pretendimet e tyre ndaj administratorit të
falimentimit dhe t’i përmbushin ato, sipas dispozitave të zbatueshme jashtë procedurës së falimentimit.

Neni 37
Shpenzimet e procedurës së falimentimit

Quhen shpenzime të procedurës së falimentimit:
a) shpenzimet gjyqësore;
b) shpërblimi dhe shpenzimet e administratorit të përkohshëm të falimentimit, të
adminsitratorit të falimentimit dhe të anëtarëve të komitetit të kreditorëve.

Neni 38
Shpenzimet e tjera administrative

Do të vlerësohen si shpenzime të tjera administrative shpenzimet e mëposhtme:
a) detyrimet që lindin si pasojë e veprimtarisë së administratorit të falimentimit ose në çdo
mënyrë tjetër gjatë administrimit, disponimit dhe shpërndarjes së masës së falimentimit, por që
nuk janë pjesë e shpenzimeve të procedurës së falimentimit;
b) detyrimet sipas kontratave,që pretendohet se duhet të paguhen në favor të masës së
falimentimit ose që duhet të paguhen pas hapjes së procedurës së falimentimit;
c) detyrimet për kthimin e shumave në të holla në rastin e begatimit pa shkak të masës së falimentimit;
ç) detyrimet që lindin si pasojë e veprimtarisë së adminsitatorit të përkohshëm të
falimentimit nëse ai, me miratimin e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, u ka dhënë përparësi në pagesë.

Neni 39
Përkufizimi i kreditorëve të falimentimit

1. Masa e falimentimit shërben për t’u paguar kreditorëve pretendimet pasurore që ata kanë ndaj
debitorit në datën e hapjes së procedurës së falimentimit dhe që, në kuptim të këtij ligji, quhen kreditorë të falimentimit.
2. Pretendimet e kreditorëve të falimentimit llogariten sipas kritereve të parashikuara në nenin 40 të këtij ligji.
3. Kreditorët e falimentimit mund të ekzekutojnë pretendimet e tyre, sipas dispozitave të
procedurës së falimentimit. Ata duhet të paraqesin pretendimet e tyre për verifikim, sipas neneve
141 dhe në vazhdim të këtij ligji, si dhe të marrin pjesë në shpërndarje, sipas neneve 150 e në vazhdim të këtij ligji.

Neni 40
Llogaritja e pretendimeve

1. Pretendimet e kreditorit për detyrime të pamaturuara, për efekt të procedurës së falimentimit,
quhen si të maturuara. Nëse këto pretendime nuk mbartin interes, ato skontohen, duke përdorur
përqindjen e interesit ligjor, duke llogaritur që ato të reduktohen në masën që i përgjigjet shumës
së plotë të këtyre pretendimeve, pasi të zbritet përqindja e interesit ligjor për periudhën nga hapja
e procedurës së falimentimit deri në datën e maturimit.
2. Pretendimet që i nënshtrohen një kushti zgjidhës nuk quhen si pretendime me kusht zgjidhës në
procedurën e falimentimit, përderisa kushti nuk është vërtetuar.
3. Në procedurën e falimentimit, kreditori që ka pretendime ndaj disa personave me përgjegjësi
solidare mund të paraqesë një pretendim në shumën e plotë kundër secilit prej debitorëve derisa të
realizojë plotësisht pretendimin në të njëjtën mënyrë, sikur të kishte pretendim për shumën e plotë
në datën e hapjes së procedurës së falimentimit.
4. Pretendimi që nuk shprehet në monedhë paraqitet në një shumë, e cila vlerësohet duke u
referuar në datën e hapjes së procedurës së falimentimit. Pretendimet e shprehura në monedhë të
huaj ose në njësi matëse shprehen të të kthyera në lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të
zbatueshëm në vendin e pagesës, në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit.
5. Pretendimet për pagesa që përsëriten me shuma të caktuara dhe për periudha të caktuara
paraqiten në shumën që shpreh tërësinë e të gjitha pagesave të mbetura, të cilat zbriten në
mënyrën e përmendur në pikën 1 të këtij neni. Ky rregull zbatohet edhe në rastin kur periudha e këtyre pagesave është e pacaktuar.

Neni 41
Kreditorët e siguruar në rolin e kreditorëve të falimentimit

Kreditorët e siguruar gëzojnë të drejtë ripagimi të veçantë dhe quhen kreditorë falimentimi.
Kreditorët e siguruar kanë të drejtë vote në mbledhjen e kreditorëve në rast se debitori
personalisht duhet të shlyejë pretendimin e siguruar. Megjithatë, ata kanë të drejtën e ripagimit të
pjesshëm të pretendimit të tyre nga masa e falimentimit, në zbatim të kushteve të nenit 150,
vetëm në masën që nuk janë shlyer sipas të drejtës së ripagimit të veçantë ose kanë hequr dorë nga e drejta e ripagimit të veçantë.

Neni 42
Kreditorët e falimentimit të radhëve më të ulëta të preferimit

1. Pretendimet e përmendura më poshtë shlyhen pas pretendimeve të kreditorëve të falimentimit
dhe në përputhje me sasinë e shumave, nëse kanë status të njëjtë:
a) interesat e fituara mbi shumat e pretendimeve të kreditorëve të falimentimit që nga
koha e hapjes së procedurës së falimentimit;
b) shpenzimet e bëra nga kreditorë të veçantë të falimentimit, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së tyre në procedurë;
c) gjoba ose pagesa që në bazë të dispozitave të Kodit Civil, Kodit të Procedurave
Administrative dhe Kodit Penal përbëjnë detyrime të debitorit;
ç) pretendime për kontribute pa shpërblim të debitorit.
2. Pretendimet mbi të cilat kreditori dhe debitori kanë rënë dakord të radhiten në radhët më të
ulëta të preferimit përmbushen pas pretendimeve të përmendura në pikën 1 të këtij neni, me kusht
që në marrëveshjen ndërmjet tyre të mos jetë parashikuar ndryshe.
3. Interesat që fitohen në procedurën e falimentimit, mbi shumën e pretendimeve të kreditorëve të
radhëve më të ulëta të preferimit, si dhe shpenzimet që bëjnë kreditorët si rrjedhojë e pjesëmarrjes
në këtë procedurë, radhiten me të njëjtin status si pretendimet e këtyre kreditorëve.


KREU III
ADMINISTRATORI I FALIMENTIMIT.
ORGANET E PËRFAQËSIMIT TË KREDITORËVE


Neni 43
Caktimi i administratorit të falimentimit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit cakton si administrator falimentimi një person fizik të
certifikuar si ekspert në fushën ekonomike, i pavarur nga kreditorët dhe debitorët.
2. Administratori i falimentimit emërohet me vendimin për hapjen e procedurës së falimentimit.
Në përfundim të detyrës, administratori i falimentimit duhet t’ia kthejë seksionit tregtar të
gjykatës së rrethit dokumentin e emërimit.
3. Përveç parashikimeve të tjera në këtë ligj, mund të emërohet si administrator i falimentimit çdo
person, i cili plotëson kriteret si më poshtë:
a) personat fizikë, të cilët kanë aftësi profesionale të përshtatshme dhe përvojë në biznes
dhe janë të certifikuar si ekonomistë, noterë dhe juristë, në përputhje me ligjet dhe rregullat
shqiptare dhe kanë përfunduar arsimin profesional dhe provimin përkatës;
b) çdo person fizik i caktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe
Ministrit të Financave si administrator falimentimi në mënyrë të përkohshme për periudhën derisa
numri i mjaftueshëm i administratorëve të falimentimit të përfundojnë arsimin profesional dhe
provimin e parashikuar në shkronjën “a”.
4. Përveç kritereve të trajtuara në pikën 3, personat e mëposhtëm nuk mund të caktohen si
administratorë falimentimi, sipas këtij ligji:
a) personat, të cilët kanë lidhje familjare ose biznesi me debitorët ose nëpunësit, drejtorët,
punonjësit, aksionarët ose kreditorët e debitorit;
b) personat, të cilët kanë lidhje familjare ose biznesi me gjyqtarin kryesues;
c) personat, të cilët janë nëpunës, drejtorë, punonjës, aksionarë të konkurrentëve të
drejtpërdrejtë të biznesit të debitorit;
ç) personat, të cilët kanë falimentuar në kohën e emërimit;
d) personat, të cilët, në përputhje me ligjet e tjera të Republikës së Shqipërisë, nuk mund
të emërohen si drejtorë të një shoqërie tregtare.

Neni 44
Zgjedhja e administratorit të falimentimit nga mbledhja e kreditorëve

(I shfuqizuar)

Neni 45
Mbikëqyrja nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mbikëqyr veprimtarinë e administratorit të falimentimit
dhe mund t’i kërkojë atij, në çdo kohë, të dhëna të veçanta ose raportime për ecurinë e procedurës
së falimentimit dhe administrimin e masës së falimentimit.
Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit gjyqësor është i detyruar të kërkojë të paktën një raportim në 3 muaj.
2. Nëse çmon se administratori i falimentimit nuk i pëmbush detyrat e tij, seksioni tregtar i
gjykatës së rrethit, pas një paralajmërimi, vendos ndaj tij një gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë
mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë. Kundër këtij vendimi administratori i falimentimit ka të
drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.
3. Rregullat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni zbatohen edhe në rastin e mospërmbushjes së
detyrimit të administratorit të falimentimit për të dorëzuar pasuri në rastin kur ai shkarkohet nga detyra.

Neni 46
Shkarkimi i administratorit të falimentimit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të shkarkojë nga detyra administratorin e
falimentimit për arsye të motivuar. Shkarkimi mund të bëhet me kërkesën e vetë administratorit të
falimentimit, me kërkesën e komitetit të kreditorëve ose të mbledhjes së kreditorëve. Përpara
marrjes së vendimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit dëgjon shpjegimet e administratorit të falimentimit.
2. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për shkarkimin e tij, administratori i
falimentimit ka të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.
3. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për rrëzimin e kërkesës për
shkarkimin e administratorit, kanë të drejtën e ankimit të veçantë administratori i falimentimit,
komiteti i kreditorëve ose, kur propozimin për shkarkimin e tij e ka bërë mbledhja e kreditorëve, çdo kreditor falimentimi.

Neni 47
Përgjegjësitë e administratorit të falimentimit

1. Administratori i falimentimit ka për detyrë që, në ushtrimin e detyrave, të tregojë kujdes dhe të
veprojë si një administrator i ndërgjegjshëm dhe i zellshëm.
2. Administratori i falimentimit është përgjegjës për dëmet që u shkaktohen palëve pjesëmarrëse
në procedurën e falimentimit në rast se ai, me dashje, shkel ose nuk përmbush detyrat që i ngarkohen nga ky ligj.
3. Nëse për përmbushjen e detyrave, administratorit i duhet të angazhojë punonjësit e mëparshëm
të debitorit, brenda pozicionit dhe rolit të punës që kanë pasur dhe, nëse këta punonjës vlerësohen
të përshtatshëm, administratori i falimentimit nuk mban përgjegjësi për pakujdesinë e këtyre
personave në ushtrimin e detyrës, por përgjigjet vetëm për mbikëqyrjen e tyre dhe për vendime të një rëndësie të veçantë.

Neni 48
Mospagimi i detyrimeve ndaj masës së falimentimit

1. Nëse pasuritë e masës së falimentimit nuk shlyejnë plotësisht një detyrim të masës së
falimentimit që lind si pasojë e një veprimi juridik të administratorit të falimentimit, ky i fundit
është i detyruar ta zhdëmtojë kreditorin e masës së falimentimit.
2. Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet në rastin kur administratori i falimentimit, gjatë lindjes së këtij
detyrimi, nuk mund të kishte dijeni për pamjaftueshmërinë e mundshme të masës së falimentimit
për të shlyer detyrimin e masës së falimentimit.

Neni 49
Parashkrimi

1. Padia për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga shkelje ose mospërmbushje të detyrimeve të
administratorit të falimentimit parashkruhet pas tre vjetësh nga data kur pala e dëmtuar ka marrë
dijeni për dëmin dhe për rrethanat që tregojnë përgjegjësinë e administratorit për dëmin e shkaktuar.
2. Afati i fundit për parashkrimin e padisë është tre vjet pas datës së përfundimit të procedurës së
falimentimit ose pas hyrjes në fuqi të vendimit të formës së prerë të gjykatës për përfundimin e procedurës së falimentimit.
3. Pika 2 e këtij neni zbatohet për shkelje të detyrës, në kuadër të shpërndarjes së vonuar, sipas
nenit 166 ose për mbikëqyrjen e zbatimit të planit, sipas nenit 223, me kushtin që mbyllja e
procedurës së falimentimit të zëvendësohet, respektivisht, me ekzekutimin e shpërndarjes së vonuar dhe përfundimin e mbikëqyrjes.

Neni 50
Shpërblimi i administratorit të falimentimit

1. Administratori i falimentimit ka të drejtën e shpërblimit për punën e kryer dhe të rimbursimit
për shpenzimet e bëra gjatë përmbushjes së detyrës.
2. Masa e zakonshme e shpërblimit llogaritet në bazë të vlerës së masës së falimentimit në kohën
e përfundimit të procedurës së falimentimit.
3. Masa e zakonshme e shpërblimit rivlerësohet në varësi të vëllimit dhe të shkallës së
vështirësisë gjatë ushtrimit të detyrës së administratorit të falimentimit.

Neni 51
Vendimet e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit përcakton me vendim shpërblimin dhe shpenzimet që
duhet t’i rimbursohen administratorit të falimentimit.
2. Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, me përjashtim të shumës së parashikuar, duhet
të shpallet publikisht, si dhe i njoftohet personalisht administratorit të falimentimit, debitorit dhe
anëtarëve të komitetit të kreditorëve, nëse është emëruar prej tyre. Në vendimin e seksionit tregtar
të gjykatës së rrethit, të shpallur publikisht, duhet të vihet në dukje se teksti i plotë i këtij vendimi
gjendet në sekretarinë e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit.
3. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, administratori i falimentimit, debitori
dhe çdo kreditor falimentimi kanë të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.
Neni 52
Rregullat e hollësishme për caktimin e shpërblimit të administratorit të falimentimit

Rregullat e hollësishme për kushtet dhe kriteret e përcaktimit të masës së shpërblimit dhe të
rimbursimit të shpenzimeve të administratorit të falimentimit caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 53
Paraqitja e llogarive

1. Në përfundim të detyrës, administratori i falimentimit ka detyrim t’i paraqesë llogaritë në mbledhjen e kreditorëve.
2. Përpara zhvillimit të mbledhjes së kreditorëve, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit verifikon
llogaritë përfundimtare, të përgatitura nga administratori i falimentimit, së bashku me
dokumentacionin mbështetës, shoqëruar me një koment-vërejtje që tregon verifikimin e llogarive.
3. Në rastet kur është caktuar një komitet kreditorësh, llogarive përfundimtare të përgatitura nga
administratori i falimentimit i bashkëlidhen edhe komentet e këtij komiteti, për përgatitjen e të
cilave gjykata cakton edhe një afat kohor.
4. Periudha ndërmjet paraqitjes së dokumentacionit, sipas këtij neni dhe datës së mbajtjes së
mbledhjes së kreditorëve duhet të jetë jo më e vogël se 10 ditë.
5. Mbledhja e kreditorëve mund t’i ngarkojë administratorit të falimentimit të paraqesë llogari
ndërmjetëse, në data të caktuara, gjatë zbatimit të procedurës së falimentimit, duke zbatuar, sipas
rastit, rregullat e parashikuara në këtë nen.

Neni 54
Caktimi i komitetit të kreditorëve

1. Para mbledhjes së parë të kreditorëve, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka të drejtë të caktojë një komitet të kreditorëve.
2. Komiteti i kreditorëve duhet të përfaqësojë kreditorët e siguruar, kreditorët e falimentimit me
pretendimet më të mëdha dhe kreditorët e shumave të vogla.
Në komitetin e kreditorëve duhet të marrë pjesë një përfaqësues i punonjësve të debitorit, kur këta
janë kreditorë falimentimi me pretendime të ndjeshme.
3. Anëtarë të komitetit të kreditorëve mund të emërohen edhe persona që nuk janë kreditorë.

Neni 55
Zgjedhja e anëtarëve të ndryshëm të komitetit të kreditorëve

1. Mbledhja e kreditorëve vendos nëse duhet të caktohet një komitet i kreditorëve. Në rast se
komiteti i kreditorëve është caktuar nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit përpara zhvillimit të
mbledhjes së kreditorëve, ky i fundit mund të vendosë nëse komiteti i kreditorëve duhet të japë
miratimin ose shpërndarjen e këtij komiteti.
2. Mbledhja e kreditorëve ka të drejtë të vendosë për heqjen e anëtarëve që ka caktuar seksioni
tregtar i gjykatës së rrethit ose për emërimin e anëtarëve të tjerë në komitetin e kreditorëve.

Neni 56
Detyrat e komitetit të kreditorëve

1. Anëtarët e komitetit të kreditorëve duhet të mbështesin dhe të mbikëqyrin veprimtarinë e
administratorit të falimentimit.
2. Anëtarët e komitetit të kreditorëve kanë të drejtë të kërkojnë dhe të marrin të dhëna për ecurinë e punëve gjatë procesit të falimentimit, të kontrollojnë librat e llogarive dhe dokumentet e tjera, si dhe të verifikojnë veprimet monetare dhe gjendjen e arkës.

Neni 57
Shkarkimi i anëtarëve të komitetit të kreditorëve

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me shkak, ka të drejtë të shkarkojë nga detyra një anëtar të komitetit të kreditorëve.
2. Shkarkimi mund të bëhet, kryesisht, me kërkesë të anëtarëve të komitetit të kreditorëve ose me
kërkesë të mbledhjes së kreditorëve. Para marrjes së vendimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
dëgjon anëtarin e komitetit të kreditorëve.
3. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, anëtari i shkarkuar i komitetit të
kreditorëve ka të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

Neni 58
Përgjegjësia e anëtarëve të komitetit të kreditorëve

1. Anëtarët e komitetit të kreditorëve janë përgjegjës dhe detyrohen të dëmshpërblejnë kreditorët e siguruar dhe kreditorët e falimentimit në rast se, për faj të tyre, shkelin ose nuk përmbushin detyrat që u ngarkon ky ligj.
2. Në rastin e pikës 1 të këtij neni, janë të zbatueshme rregullat e parashkrimit të parashikuara në nenin 49 të këtij ligji.

Neni 59
Vendimet e komitetit të kreditorëve

Vendimet e komitetit të kreditorëve janë të vlefshme kur në vendimmarrje ka marrë pjesë
shumica e anëtarëve të tij dhe vendimi është marrë me shumicën e votave të anëtarëve pjesëmarrës.

Neni 60
Shpërblimi i anëtarëve të komitetit të kreditorëve

Anëtarët e komitetit të kreditorëve kanë të drejtën të shpërblehen për punën dhe të rimbursohen
për shpenzimet e arsyetuara. Në caktimin e shpërblimit merren parasysh koha dhe vëllimi i punës
së anëtarit, si dhe zbatohen kërkesat e neneve 51 dhe 52 të këtij ligji.

Neni 61
Thirrja e mbledhjes së kreditorëve

1. Mbledhja e kreditorëve thirret nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit. Të drejtën e
pjesëmarrjes në mbledhje e kanë të gjithë kreditorët e siguruar, të gjithë kreditorët e falimentimit,
administratori i falimentimit dhe debitori.
2. Koha, vendi dhe rendi i ditës i mbledhjes së kreditorëve duhet të shpallen publikisht. Mbledhja
e kreditorëve mund të mos shpallet publikisht në qoftë se seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos shtyrjen e saj.

Neni 62
Kërkesa për thirrjen e mbledhjes së kreditorëve

1. Mbledhja e kreditorëve thirret kur kërkohet nga:
a) administratori i falimentimit;
b) komiteti i kreditorëve;
c) kreditorët e falimentimit, pretendimet e të cilëve, të marra së bashku, sipas vlerësimit të
seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, përbëjnë të paktën një të pestën e shumës së pretendimeve
të të gjithë kreditorëve të falimentimit.
2. Nga marrja e kërkesës deri në datën e mbledhjes së kreditorëve nuk duhet të kalojnë më shumë se 15 ditë.
3. Nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit nuk pranon thirrjen e mbledhjes së kreditorëve, pala
kërkuese ka të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

Neni 63
Vendimet e mbledhjes së kreditorëve

1. Mbledhja e kreditorëve drejtohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit.
2. Vendimet e mbledhjes së kreditorëve janë të vlefshme nëse shuma e pretendimeve të
kreditorëve në favor të vendimit është më e madhe se gjysma e shumës së përgjithshme të
pretendimeve të kreditorëve me të drejtë vote. Për kreditorët e siguruar me të drejtë ripagimi të
veçantë, kundrejt të cilëve debitori nuk është drejtpërdrejt përgjegjës, pretendimi zëvendësohet me vlerën e kësaj të drejte.

Neni 64
Përcaktimi i të drejtës së votës

1. E drejta e votës përcaktohet në bazë të pretendimeve të paraqitura nga kreditori dhe që nuk
janë kundërshtuar nga administratori i falimentimit ose nga ndonjë kreditor me të drejtë vote.
Kreditorët e radhëve më të ulëta të preferimit nuk kanë të drejtë vote.
2. Kreditorët, pretendimet e të cilëve janë kundërshtuar, kanë të drejtë vote, me kusht që
administratori dhe kreditorët pjesëmarrës, me të drejtë vote, të kenë rënë dakord për ta lejuar këtë
të drejtë vote gjatë mbledhjes së kreditorëve. Në rast mosmarrëveshjeje të palëve, vendos seksioni
tregtar i gjykatës së rrethit. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të ndryshojë vendimin e tij,
me kërkesë të administratorit ose të një kreditori, pjesëmarrës në mbledhjen e kreditorëve.
3. Pika 2 e këtij neni zbatohet sipas rastit për:
a) kreditorët me pretendim të kushtëzuar nga një kusht i mëparshëm;
b) kreditorët e siguruar (me të drejtë ripagimi të veçantë).

Neni 65
Prishja e vendimit të marrë nga mbledhja e kreditorëve

1. Nëse një vendim i marrë nga mbledhja e kreditorëve vjen në kundërshtim me interesin e
përbashkët të kreditorëve të falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duhet të prishë
vendimin, me kërkesë të një kreditori të siguruar falimentimi (me të drejtë ripagimi të veçantë), të
një kreditori falimentimi ose të administratorit të falimentimit, në rast se kërkesa paraqitet në
mbledhjen e kreditorëve. Këtë të drejtë nuk e gëzojnë kreditorët e radhëve më të ulëta të preferimit.
2. Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për prishjen e vendimit të mbledhjes së
kreditorëve duhet të shpallet publikisht.
3. Kundër vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për prishjen e vendimit të mbledhjes
së kreditorëve, çdo kreditor i siguruar (me të drejtë ripagimi të veçantë) dhe çdo kreditor
falimentimi, që nuk bën pjesë në radhët më të ulëta të preferimit, kanë të drejtën e ankimit të
veçantë. Këtë të drejtë e ka edhe pala kërkuese, në rastin kur seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
ka vendosur rrëzimin e kërkesës për prishjen e vendimit të mbledhjes së kreditorëve.

Neni 66
Vënia në dijeni e mbledhjes së kreditorëve

1. Mbledhja e kreditorëve mund t’i kërkojë administratorit të falimentimit dhënien e njoftimeve të
veçanta dhe një raport për ecurinë e procedurës së falimentimit dhe për administrimin e masës së falimentimit.
2. Nëse nuk është caktuar një komitet kreditorësh, mbledhja e kreditorëve mund të marrë
vendime për ushtrimin e kontrolleve për veprimet monetare dhe gjendjen e të hollave të disponueshme.


PJESA E TRETË
PASOJAT E HAPJES SË PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT
KREU I
PASOJA TË PËRGJITHSHME


Neni 67
Kalimi i së drejtës së administrimit dhe disponimit

Me hapjen e procedurës së falimentimit, e drejta e debitorit për të administruar dhe disponuar
pasurinë, që bën pjesë në masën e falimentimit, i kalon administratorit të falimentimit.

Neni 68
Disponimi nga debitori

1. Nëse pas hapjes së procedurës së falimentimit debitori tjetërson sende nga masa e falimentimit,
këto veprime janë të pavlefshme. Vlera e përfituar nga tjetërsimi i kthehet palës tjetër, duke u
nxjerrë nga masa e falimentimit, në rast se kjo masë është shtuar nga begatimi pa shkak.
2. Nëse debitori ka kryer veprimin në ditën e hapjes së procedurës së falimentimit, transferimi
prezumohet të jetë kryer pas hapjes së procedurës së falimentimit.

Neni 69
Veprimet në favor të debitorit

1. Në rast se pas hapjes së procedurës së falimentimit është shlyer një detyrim në favor të
debitorit, ndonëse ky detyrim duhej të shlyhej në favor të masës së falimentimit, pala vepruese
shkarkohet nga detyrimi, nëse nuk ka qenë në dijeni të hapjes së procedurës së falimentimit në
kohën e kryerjes së veprimit.
2. Nëse pala vepruese e ka shlyer detyrimin para shpalljes së vendimit për hapjen e procedurës,
pala vepruese prezumohet se nuk ka pasur dijeni për këtë procedurë.

Neni 70
Likuidimi i një shoqërie të thjeshtë ose ortakërie

1. Në rast se ndërmjet debitorit dhe të tretëve është krijuar një ortakëri ose një shoqëri e thjeshtë,
likuidimi i pjesës së debitorit kryhet në përputhje me dispozita të parashikuara jashtë procedurës së falimentimit.
2. Marrëveshja që mohon të drejtën e likuidimit të një ortakërie, përgjithmonë ose për një kohë të
caktuar, është e pavlefshme për procedurën e falimentimit. Ky rregull zbatohet për klauzolën me
të njëjtën përmbajtje në testamentin e personit që ka vdekur.

Neni 71
Pezullimi i padive të ngritura

1. Me hapjen e procedurës së falimentimit pezullohen të gjitha paditë civile ku debitori është palë.
2. Pezullimi i parashikuar në pikën 1 të këtij neni nuk zbatohet për paditë civile të ngritura, sipas
ligjit, ku palë janë kreditorët e siguruar, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

Neni 72
Vazhdimi i padive të ngritura, ku debitori është paditës

1. Paditë e lidhura me pasuritë e masës së falimentimit, ku debitori është paditës, rifillojnë në
favor të masës së falimentimit, me kërkesë të administratorit të falimentimit.
2. Nëse administratori i falimentimit nuk e pranon këtë kërkesë, debitori dhe i padituri mund të
vazhdojnë veprimet e tyre për padinë e ngritur.

Neni 73
Vazhdimi i padive të ngritura, ku debitori është i paditur

1. Paditë e ngritura kundër debitorit rifillojnë me kërkesë të administratorit të falimentimit ose të paditësit nëse ato kanë lidhje me:
a) veçimin e një sendi nga masa e falimentimit;
b) ripagimin e veçantë;
c) detyrimin ndaj masës së falimentimit.
2. Nëse administratori i falimentimit i njeh këto padi menjëherë, paditësi mund të kërkojë
rimbursim të shpenzimeve për ngritjen e padive vetëm në cilësinë e kreditorit të falimentimit.

Neni 74
Ekzekutimi para hapjes së procedurës së falimentimit

1. Çdo urdhër ekzekutimi i detyrueshëm mbi pasurinë e debitorit është i pavlefshëm derisa plani i
zyrës së përmbarimit për ndarjen e të ardhurave të marrë formë përfundimtare.
2. Pasuria e debitorit që konfiskohet nga përmbaruesi gjyqësor dhe shumat e fituara nga shitja e
pasurive bëhen pjesë e masës së falimentimit dhe përmbaruesi gjyqësor duhet t’ia dorëzojë administratorit të falimentimit.

Neni 75
Ndalimi i ekzekutimit

1. Gjatë procedurës së falimentimit, kreditorë falimentimi të veçantë nuk mund të ekzekutojnë
pasuritë e masës së falimentimit ose pasuri të tjera të debitorit.
2. Kreditorët që nuk gëzojnë statusin e kreditorëve të falimentimit nuk mund të kërkojnë
ekzekutimin e detyrimit gjatë procedurës së falimentimit as për pretendime të ardhshme, për
pagesa që rrjedhin nga një kontratë shërbimi.
3. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos për dëmshpërblimet e mundshme, gjatë
ekzekutimeve të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.

Neni 76
Ndalimi i ekzekutimit të detyrimeve të masës së falimentimit

1. Detyrimet e masës së falimentimit nuk mund të ekzekutohen për një periudhë 6-mujore nga
data e hapjes së procedurës së falimentimit.
2. Bëjnë përjashtim nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni detyrimet e mëposhtme:
a) detyrimet që rrjedhin nga një kontratë, përmbushjen e së cilës e ka vendosur administratori;
b) detyrime që rrjedhin nga një kontratë me zbatim periodik për periudhën pas ditës së
parë kur administratori i falimentimit mund ta kishte prishur këtë kontratë;
c) detyrime që rrjedhin nga një kontratë me zbatim periodik nëse administratorit të
falimentimit i paguhet vlera në favor të masës së falimentimit;
ç) detyrime që rrjedhin nga çdo veprim tjetër i administratorit.

Neni 77
Dëmi i përgjithshëm

1. Administratori i falimentimit është i vetmi person, i cili, gjatë procedurës së falimentimit,
mund të pretendojë të drejtën për dëmshpërblim të kreditorëve të falimentimit për dëme që ata
kanë pësuar bashkërisht, para ose pas hapjes së procedurave të falimentimit, për shkak të
zvogëlimit të pasurive të masës së falimentimit.
2. Nëse padia e ngritur sipas pikës 1 të këtij neni drejtohet kundër administratorit të falimentimit,
pretendimi ngrihet vetëm nga administratori tjetër i falimentimit, i emëruar pas tij.

Neni 78
Përgjegjësia e pakufizuar e ortakëve

Nëse procedura e falimentimit është hapur për pasuritë e një shoqërie të thjeshtë ose ortakërie,
administratori i falimentimit mund të kërkojë përmbushjen e detyrimeve të shoqërisë nga
përgjegjësia e pakufizuar e një ortaku për detyrimet e shoqërisë gjatë procedurës së falimentimit.

Neni 79
Mbajtja e së drejtës për kompensim të ndërsjellë të pretendimeve

Në rast se, sipas ligjit ose një marrëveshjeje, në kohën e fillimit të procedurës së falimentimit një
kreditor falimentimi ka të drejtën e kompensimit të ndërsjellë të pretendimeve në datën e hapjes
së procedurës së falimentimit, kjo e drejtë nuk cenohet nga procedura e falimentimit.

Neni 80
Ndalimi i kompensimit të ndërsjellë

1. Kompensim i ndërsjellë nuk kryhet në rastet kur:
a) detyrimet e një kreditori falimentimi ndaj masës së falimentimit kanë lindur vetëm pas
hapjes së procedurës së falimentimit;
b) një kreditor falimentimi e ka fituar të drejtën e kompensimit të ndërsjellë nga një
kreditor tjetër vetëm pas hapjes së procedurës së falimentimit;
c) një kreditor falimentimi e ka fituar të drejtën e kompensimit të ndërsjellë të pretendimit
nëpërmjet një veprimi që duhet shmangur;
ç) një kreditor, pretendimi i të cilit duhet të përmbushet nga pasuria e pangarkuar
debitorit, ka një detyrim ndaj masës së falimentimit.

Neni 81
Detyrimi i debitorit për të paraqitur të dhëna dhe për të bashkëpunuar

1. Drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, ka detyrë të njoftojë për të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me procedurën e
falimentimit, seksionin tregtar të gjykatës së rrethit, administratorin e falimentimit, komitetin e
kreditorëve dhe, nëse urdhërohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, mbledhjen e kreditorëve.
2. Drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, duhet të ndihmojë administratorin e falimentimit për kryerjen e detyrës.
3. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë që drejtorët, zyrtarët, ortakët apo
aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit, të jetë i gatshëm, në
çdo kohë, për të përmbushur detyrimet e tij për të dhënë të dhëna dhe për të bashkëpunuar.
Drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, i ndalohet të kryejnë çfarëdo lloj veprimi, që pengon përmbushjen e këtyre detyrave.

Neni 82
Realizimi i detyrave të debitorit

1. Nëse është e nevojshme të paraqiten deklarata të vërtetuara, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
urdhëron drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur
procedura e falimentimit, të paraqesin një deklaratë me shkrim, e cila vërteton se debitori ka
paraqitur të dhëna të vërteta, të sakta dhe të plota për faktet e kërkuara.
2. Gjykata mund t’i kërkojë drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës
është hapur procedura e falimentimit, të paraqiten me detyrim, si dhe të mos largohen nga
vendbanimi ose selia, pas marrjes së tij në pyetje, në rastet kur:
a) drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur
procedura e falimentimit, nuk pranojnë të japin të dhëna ose deklarata të betuara a të
bashkëpunojnë me administratorin e falimentimit gjatë kryerjes së detyrës;
b) drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur
procedura e falimentimit, përpiqen të shmangin detyrimin për të paraqitur të dhëna ose për të
bashkëpunuar, veçanërisht kur marrin masa për t’u larguar;
c) nëse thirrja e detyruar dhe ndalimi janë të nevojshme për të shmangur veprime të
drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, që pengojnë zbatimin e detyrimit të tij për të paraqitur të dhëna dhe për të
bashkëpunuar dhe në mënyrë të veçantë, për të siguruar masën e falimentimit.
3. Masa e detyrimit për qëndrim hiqet kryesisht pasi të vërehet se nuk ka më kushte, në bazë të të
cilave ishte vendosur kjo masë. Kundër vendimit për detyrimin e qëndrimit, si dhe kundër urdhrit
që rrëzon kërkesën për heqjen e kësaj mase bëhet ankim i veçantë.

Neni 83
Kontrolli i postës së debitorit

1. Nëse është e nevojshme për të hetuar ose parandaluar veprimet e debitorit, që dëmtojnë
kreditorët, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë të administratorit të falimentimit ose,
kryesisht, me vendim të arsyetuar, urdhëron që administratori të kontrollojë të gjithë ose një pjesë
të korrespondencës së debitorit. Para shpalljes së këtij vendimi, seksioni tregtar i gjykatës së
rrethit kërkon dhe dëgjon debitorin, me përjashtim të rastit kur, për shkak të rrethanave të
veçanta, një gjë e tillë rrezikon qëllimin e urdhërimit. Nëse debitori nuk dëgjohet paraprakisht,
vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit duhet të shpjegojë arsyet për mospërmbushjen e
këtij veprimi dhe seanca e dëgjimit të debitorit duhet të mbahet pa vonesë.
2. Administratori mund të hapë korrespondencën e debitorit. Korrespondenca, që nuk ka të bëjë
me masën e falimentimit, i dorëzohet menjëherë debitorit. Debitori mund të inspektojë dërgesat e tjera postare.
3. Debitori mund të bëjë ankim të veçantë kundër vendimit për kontroll të korrespondencës së
vet. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit pezullon zbatimin e vendimit për kontrollin e
korrespondencës së debitorit pasi dëgjon më parë administratorin e falimentimit, në rast se nuk
ekziston më shkaku për ushtrimin e këtij kontrolli.

Neni 84
Pagesat për jetesën nga masa e falimentimit

1. Mbledhja e kreditorëve vendos nëse debitori dhe familja e tij duhet të marrin nga masa e
falimentimit një shumë për jetesë dhe në çfarë mase.
2. Derisa mbledhja e kreditorëve të marrë vendim, administratori i falimentimit, me pëlqimin e
komitetit të kreditorëve, mund t’i lejojë debitorit mjetet e nevojshme të jetesës, duke përmbushur
nevojat e tij, të fëmijëve të mitur në ngarkim dhe të bashkëshortit.

Neni 85
Anëtarët e organit përfaqësues të debitorit. Punonjësit

1. Kur drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit, nuk është person fizik, janë të zbatueshme parashikimet e neneve 81, 82 dhe 83 të
këtij ligji, sipas rastit, për anëtarët e organit që përfaqëson ose mbikëqyr drejtorët, zyrtarët,
ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit, si dhe për
ortakët e përgjithshëm, me të drejtë përfaqësimi.
2. Nenet 81 pika 1 dhe 82 të këtij ligji janë të zbatueshme, sipas rastit, për persona që kanë jo më
pak se dy vjet që janë larguar nga detyra e përmendur në pikën 1 të këtij neni, para se njëri nga
këta persona të kërkonte hapjen e procedurës së falimentimit.
3. Neni 84 i këtij ligji është i zbatueshëm, sipas rastit, për ortakët e shoqërisë së thjeshtë të
drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e
falimentimit dhe për personat me të drejtë përfaqësimi të drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët
e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit.
4. Pika 1 e nenit 84 të këtij ligji është e zbatueshme, sipas rastit, për punonjësit e drejtorët,
zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit,
dhe për punonjësit e mëparshëm të tij, me kusht që ata të kenë më shumë se dy vjet të larguar nga
data e paraqitjes së kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit.


KREU II
PËRMBUSHJA E VEPRIMEVE LIGJORE


Neni 86
E drejta e zgjedhjes

1. Kur një kontratë, në kohën e fillimit të procedurës së falimentimit, nuk është zbatuar plotësisht,
si nga debitori, ashtu edhe nga pala tjetër, detyrimet e papërmbushura vlerësohen të
pazbatueshme. Megjithatë, administratori i falimentimit mund ta zbatojë këtë kontratë në vend të
debitorit dhe të pretendojë nga pala tjetër pagesën e vlerës ose përmbushjen e detyrimit.
2. Në qoftë se administratori nuk pranon zbatimin e kësaj kontrate, pala tjetër ka të drejtë të
ngrejë pretendim për moszbatim kontrate vetëm si kreditor falimentimi. Nëse pala tjetër i kërkon
administratorit të ushtrojë të drejtën e zbatimit të kontratës, administratori duhet të deklarojë, pa
vonesë, nëse do të kërkojë zbatimin e kontratës. Nëse administratori nuk bën një deklarim të tillë,
ai humbet të drejtën për të kërkuar zbatimin e detyrimit ose përmbushjen e veprimit, sipas kontratës.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk zbatohen për dispozita dhe kontrata të veçanta, të parashikuara
në nenet në vijim të këtij kreu.

Neni 87
Veprimet me data fikse. Titujt financiarë

1. Në qoftë se është rënë dakord që dorëzimi i mallrave të kryhet në një datë të caktuar ose brenda
një periudhe kohe të caktuar dhe në rast se kjo datë ose periudhë kohore përfundon pasi është
hapur procedura e falimentimit, nuk mund të kërkohet zbatimi i marrëveshjes, por mund të
ngrihet vetëm pretendimi për moszbatim të detyrimit. Pala tjetër mund ta ngrejë këtë pretendim
vetëm në cilësinë e kreditorit të falimentimit.
2. Pretendimi për moszbatim kontrate mbulon ndryshimin ndërmjet çmimit për të cilin është rënë
dakord dhe çmimit të tregut ose bursës në ditën e dytë të punës pas hapjes së procedurës së
falimentimit, në vendin e zbatimit të detyrimit.
3. Nëse është rënë dakord që zbatimi i një veprimi të natyrës financiare me çmim tregu ose burse
të kryhet në një datë të caktuar ose brenda një periudhe të caktuar, dhe në rast se kjo datë ose ky
afat kohor përfundon pas hapjes së procedurës së falimentimit zbatohen, sipas rastit, pikat 1 dhe 2
të këtij neni. Quhen veprime me natyrë financiare veçanërisht:
a) furnizimi me metale të çmuara;
b) dorëzimi i letrave me vlerë ose i të drejtave të ngjashme, me kusht që të mos jetë si
qëllim pjesëmarrja në një shoqëri ose veprimtari për vendosjen e një lidhjeje të vazhdueshme;
c) pagesat në lloj, shuma e të cilave caktohet drejtpërdrejt ose tërthorazi në monedhë të
huaj ose njësi matëse sipas kursit të këmbimit të një monedhe të huaj ose të një njësie matëse, në
bazë të shkallës së interesit mbizotërues për pretendimet ose në bazë të çmimit të mallrave a të shërbimeve;
ç) të drejta të tjera për furnizime ose zbatime kontrate në lloj në kuptimin e pikës 1 deri në pikën 4 të këtij neni.
4. Nëse veprimet e zbatueshme të natyrës financiare janë përmbledhur në një kontratë kuadër dhe
është arritur marrëveshje, që në rast moszbatimi, kontrata mund të prishet në mënyrë të njëjtë,
tërësia e veprimeve vlerësohet si një kontratë e përbashkët, në kuptim të neneve 86 dhe 87 të këtij ligji.

Neni 88
Kontrata periodike

1. Nëse shërbimet kontraktore që përbëjnë detyrime ndaj palëve janë periodike, dhe nëse pala
tjetër ka përmbushur një pjesë të shërbimeve në kohën kur është hapur procedura e falimentimit,
kjo palë quhet kreditor falimentimi për shumën e pretendimit të saj, për vlerën që i përgjigjet
pjesës së shërbimeve të kryera, edhe sikur administratori i falimentimit të pretendojë kryerjen e shërbimeve ende të papërmbushura.
2. Pala tjetër nuk mund të kërkojë kthimin e pjesës së shërbimeve që i ka kaluar pasurisë së
debitorit para hapjes së procedurës së falimentimit, duke nxjerrë si shkak pretendimin për mospagim të detyrimit përkatës.

Neni 89
Rezerva e pronësisë

1. Dispozitat e mëposhtme zbatohen për një kontratë shitjeje, me rezervë pronësie, të kryer sipas Kodit Civil.
2. Nëse para hapjes së procedurës së falimentimit debitori ka shitur një send të luajtshëm me
rezervë pronësie, duke ia kaluar blerësit zotërimin e sendit, blerësi mund të pretendojë zbatimin e
kontratës së shitjes. Kjo dispozitë zbatohet edhe sikur debitori të ketë marrë përsipër detyrime
shtesë për blerjen dhe të mos i ketë përmbushur tërësisht ato.
3. Nëse para hapjes së procedurës së falimentimit debitori ka blerë një send të luajtshëm, ku
shitësi ushtron të drejtën e rezervës së pronësisë, ndërkohë që shitësi ose administratori i
falimentimit i ka kaluar zotërimin debitorit, administratori i falimentimit, të cilit shitësi i ka
kërkuar të ushtrojë të drejtën e zgjedhjes, të zbatimit ose moszbatimit, nuk është i detyruar të
paraqesë deklarate, sipas pikës 2 të nenit 86, përpara ditës së mbledhjes së raportimit të
kreditorëve. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur gjatë periudhës para mbledhjes së raportimit pritet një
pakësim i ndjeshëm i vlerës së sendit dhe kreditori ia ka vënë në dukje këtë rrethanë administratorit të falimentimit.

Neni 90
Vazhdimësia e kontratave

1. Kontratat e lidhura ndërmjet debitorit, si qiradhënës ose qiramarrës, për qiranë e objekteve të
paluajtshme ose pjesëve të tyre dhe për shërbime që duhen kryer lidhur me to vazhdojnë të
ekzistojnë në favor të masës së falimentimit.
2. Pretendimet e ngritura para hapjes së procedurës së falimentimit mund të ngrihen nga pala
tjetër vetëm në cilësinë e kreditorit të falimentimit.

Neni 91
Debitori si qiramarrës

1. Administratori i falimentimit mund të zgjidhë një kontratë qiraje për objekte të paluajtshme ose
kontrate qiraje për pjesë të tyre ku debitori është qiramarrës, duke njoftuar, brenda afatit ligjor,
palën tjetër, pavarësisht nga periudha e njoftimit për të cilën është rënë dakord në marrëveshjen e palëve.
2. Nëse administratori zgjidh kontratën sipas pikës 1 të këtij neni, pala tjetër mund të pretendojë
dëmshpërblim si kreditor falimentimi, për shkak të zgjidhjes së parakohshme e të kontratës.
3. Nëse debitori, në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit, nuk kishte fituar ende
zotërimin e sendit të paluajtshëm, administratori dhe pala tjetër mund të tërhiqen nga kontrata.
Kur tërhiqet administratori, pala tjetër mund të kërkojë dëmshpërblim për zgjidhje të
parakohshme të kontratës, si kreditor falimentimi. Me kërkesë të palës, secila prej palëve duhet të
deklarojë, brenda 15 ditësh, nëse ka synim të tërhiqet nga kontrata. Nëse njëra prej palëve nuk
bën një deklaratë të tillë, ajo humbet të drejtën e tërheqjes nga kontrata.

Neni 92
Debitori në rolin e qiradhënësit

1. Në qoftë se para hapjes së procedurës së falimentimit debitori, si qiradhënës i një sendi të
paluajtshëm, ia ka kaluar një pale të tretë të drejtën e ngritjes së pretendimit për pagesën e qirasë,
ky kalim mbetet i vlefshëm vetëm për pagesën e qirasë së muajit në të cilin është hapur procedura
e falimentimit. Në qoftë se procedura është hapur pas ditës së pesëmbëdhjetë të muajit, e drejta e
pagesës mbetet e vlefshme edhe për muajin e ardhshëm.
2. Tërheqja e pagesës së qirasë quhet kalim në kuptim të pikës 1 të këtij neni. Kalimi i kryer me
rrugë ekzekutimi është i barazvlershëm me kalim sipas kontratës.
3. Kundër pretendimit të pagesës së qirasë që mbulon periudhën e përmendur në pikën 1,
qiramarrësi mund të bëjë dëmshpërblim të ndërsjellë për çdo pretendim kundrejt debitorit.
4. Në rastin e pikës 3 të këtij neni mbeten të zbatueshme parashikimet e nenit 79 të këtij ligji.

Neni 93
Shitja e pasurive të debitorit të dhëna me qira

Nëse administratori i falimentimit shet sende të paluajtshme, që debitori i ka dhënë me qira dhe
nëse blerësi zëvendëson debitorin, si palë në marrëdhënien e qirasë blerësi mund të zgjidhë
marrëdhënien e qirasë brenda afatit ligjor. Njoftimi mund të jepet vetëm për ditën e parë të periudhës ligjore të njoftimit.

Neni 94
Moszgjidhja e kontratës së qirasë

Kontratat e qirasë të lidhura mes debitorit si qiramarrës dhe një pale tjetër, nuk mund të zgjidhen
nga kjo e dyta pasi të jetë kërkuar hapja e procedurës së falimentimit:
a) për mospagesë të qirasë para hapjes së procedurës së falimentimit;
b) për shkak të keqësimit të gjendjes pasurore të debitorit.

Neni 95
Zgjidhja e kontratës së shërbimit

1. Administratori i falimentimit dhe pala tjetër mund të zgjidhin një kontratë, ku shërbimet
kryhen në favor të debitorit, duke dhënë njoftimin brenda afatit ligjor, pavarësisht nga një
kohëzgjatje tjetër ose përjashtim me marrëveshje i së drejtës për zgjidhje kontrate, sipas rregullit
të përgjithshëm, për të cilën është rënë dakord ndërmjet palëve.
2. Në rast se administratori i falimentimit zgjidh kontratën, pala tjetër mund të kërkojë
dëmshpërblim, për shkak të zgjidhjes së parakohshme të kontratës, si kreditor falimentimi.

Neni 96
Pagesa nga kontrata e shërbimit

1. Në rast se para fillimit të procedurës së falimentimit debitori ka transferuar ose ka hequr dorë
nga pretendimi për pagesa në favor të tij, në bazë të një kontrate shërbimi ose në rast se këto
pagesa të ardhshme i kanë kaluar me rrugë ekzekutimi, ky veprim është i vlefshëm vetëm për
pagesat, që debitori duhej të përfitonte për muajin e hapjes së procedurës.
2. Në rast se procedura e falimentimit është hapur pas ditës së pesëmbëdhjetë të muajit, veprimi i
mësipërm mbulon edhe muajin pasardhës.

Neni 97
Mbarimi i mandatit

1. Mandati i caktuar nga debitori dhe që i referohet masës së falimentimit mbaron me hapjen e procedurës së falimentimit.
2. Nëse mbarimi i këtij mandati mund të shkaktojë dëme, i ngarkuari me mandat vazhdon të
kryejë veprimet e caktuara, derisa administratori i falimentimit të ketë mundësinë të kujdeset vetë
për këto veprime. Mandati quhet se vazhdon për këtë qëllim. I ngarkuari me mandat mund të
pretendojë rimbursim të shpenzimeve të kryera për vazhdimin e punës, si kreditor i masës së falimentimit.
3. Nëse i ngarkuari me mandat nuk ka dijeni për hapjen e procedurës, jo për faj të tij, prezumohet se mandati vazhdon në favor të tij.

Neni 98
Shuarja e mandatit

1. Çdo mandat i dhënë nga debitori për masën e falimentimit shuhet me hapjen e procedurës së falimentimit.
2. Për sa kohë që një mandat ose kontratë administrimi vazhdon, sipas pikës 2 të nenit 97 të këtij
ligji, fuqia e lidhur me të vlerësohet se vazhdon në të njëjtën mënyrë.
3. Për sa kohë personi i autorizuar nuk ka dijeni për hapjen e procedurës, jo për faj të tij, ai nuk
është përgjegjës, sipas nenit 78 të Kodit Civil.

Neni 99
Pavlefshmëria e marrëveshjeve që bien ndesh me dispozitat e mësipërme

Është e pavlefshme çdo marrëveshje që kundërshton ose kufizon zbatimin e neneve nga 86 deri në 98 të këtij ligji.


KREU III
KUNDËRSHTIMI I VEPRIMEVE TË DEBITORIT
NË NJË PROCEDURË FALIMENTIMI


Neni 100
Parimi i përgjithshëm

1. Administratori i falimentimit mund të kundërshtojë veprimet e kryera përpara hapjes së
procedurës së falimentimit dhe që dëmtojnë kreditorët e$falimentimit, sipas neneve 101 deri të neni 115 të këtij ligji.
2. Në rastin e parashikuar në pikën 1, mosveprimi vlerësohet i barasvlershëm me veprimin.

Neni 101
Kundërshtimi i njëjtë

1. Çdo veprim që i garanton administratorit të falimentimit një mjet sigurimi ose ripagimi mund të kundërshtohet në rast se:
a) veprimi është kryer brenda 90 ditëve të fundit para kërkesës për hapjen e procedurës së
falimentimit, nëse në kohën e veprimit debitori ka qenë në gjendjen e paaftësisë paguese dhe nëse
kreditori në këtë kohë ka pasur dijeni për këtë;
b) veprimi është kryer pas kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit dhe nëse
kreditori ka pasur dijeni për paaftësinë paguese të debitorit në kohën e veprimit ose të kërkesës
për hapjen e procedurës së falimentimit.
2. Dijenia për rrethanat që çojnë drejtpërdrejt në paaftësi paguese ose drejt një kërkese për hapjen
e procedurës së falimentimit trajtohen në të njëjtën mënyrë si dijenia për paaftësi paguese ose
dijenia për kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit.
3. Personi që ka lidhje të ngushtë me debitorin, në datën e këtij veprimi, sipas nenit 107 të këtij
ligji, prezumohet se ka pasur dijeni për paaftësinë paguese ose për kërkesën e hapjes së procedurës së falimentimit.

Neni 102
Kundërshtimi jo i njëjtë

1. Çdo veprim që i garanton administratorit të falimentimit një mjet sigurimi ose ripagimi, ose që
mundëson përfitimin e mjetit të sigurisë ose të ripagimit pa pasur të drejtën për këtë mjet sigurimi
ose ripagimi, mund të kundërshtohet në rast se ky veprim është kryer:
a) në muajin e fundit, para kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas
paraqitjes së kësaj kërkese në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit;
b) brenda muajit të dytë ose të tretë para kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit
dhe nëse debitori ka qenë në gjendjen e paaftësisë paguese në datën e veprimit;
c) brenda muajit të dytë ose të tretë, para kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit
dhe nëse debitori në kohën e veprimit ka pasur dijeni që veprimi dëmtonte kreditorët e
falimentimit nga kryerja e veprimit në atë datë.
2. Në zbatim të shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, njohja e rrethanave që kanë të bëjnë
drejtpërdrejt me dëmtimin e kreditorëve të falimentimit vlerësohet e njëjtë më njohjen e dëmtimit
të kreditorëve të falimentimit. Personi që ka lidhje të ngushtë më debitorin në kohën e këtij
veprimi, sipas nenit 107 të këtij ligji, prezumohet se kishte dijeni për dëmtimin e kreditorëve të falimentimit.

Neni 103
Veprimet që dëmtojnë drejtpërdrejt kreditorët e falimentimit

1. Veprimet e debitorit që dëmtojnë drejtpërdrejt kreditorët e falimentimit mund të kundërshtohen
nëse janë kryer:
a) gjatë tre muajve të fundit, para kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit, nëse
debitori ka qenë në gjendjen e paaftësisë paguese në kohën e kryerjes së veprimit dhe nëse pala
tjetër në këtë kohë ka pasur dijeni për paaftësinë paguese ose nuk ka pasur dijeni për shkak të pakujdesisë së saj;
b) pas kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit dhe nëse pala tjetër në kohën e
veprimit ka pasur dijeni për paaftësinë paguese ose nuk ka pasur dijeni për shkak të pakujdesisë
së saj ose për kërkesën e hapjes së procedurës së falimentimit.
2. Një veprim që dëmton drejtpërdrejt kreditorët e falimentimit vlerësohet i njëjtë me çdo veprim
tjetër të debitorit që e zhvesh atë nga secila prej të drejtave të tij ose që pengon të drejtën e
debitorit për ngritjen e një pretendimi në të ardhmen ose që ka një pretendim pronësie ndaj
debitorit ose që e bën këtë pretendim të ekzekutueshëm ndaj debitorit.
3. Për parashikimet e këtij neni janë të zbatueshme pikat 2 dhe 3 të nenit 101 të këtij ligji.

Neni 104
Dëmtimi i qëllimshëm

1. Çdo veprim i kryer nga debitori gjatë dhjetë viteve të fundit para kërkesës për hapjen e
procedurës së falimentimit ose pas paraqitjes së kësaj kërkese, për dëmtimin e kreditorëve të tij,
mund të kundërshtohet nëse pala tjetër në kohën e veprimit ka pasur dijeni për qëllimin e
debitorit. Kjo dijeni prezumohet kur pala tjetër dinte se debitori ka qenë në gjendjen e paaftësisë
paguese dhe se veprimi dëmtonte kreditorët.
2. Mund të kundërshtohet çdo kontratë që përmban detyrime për kryerjen e pagesave , ndërmjet
debitorit dhe një të afërmi të tij, sipas kushteve të nenit 107 të këtij ligji nëpërmjet të cilës
dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë kreditorët e falimentimit. Kundërshtimi nuk kryhet kur
kontrata ose marrëveshja është lidhur dy vjet para kërkesës së hapjes së procedurës ose kur pala
tjetër nuk kishte dijeni për qëllimet e debitorit për dëmtimin e kreditorëve në datën e lidhjes së kontratës.

Neni 105
Kontributet falas

1. Mund të kundërshtohet çdo kontribut falas i dhënë nga debitori, me përjashtim të rastit kur ai
është kryer më shumë se katër vjet përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit.
2. Nëse kontributi falas përbën një dhuratë të zakonshme të rastit me vlerë të vogël, kjo dhuratë nuk është subjekt i kundërshtimit.

Neni 106
Pagesat me çek dhe me kambiale

1. Për pagesat me kambial, debitori nuk mund të pretendojë rikthimin nga ana e marrësit sipas
nenit 101, të këtij ligji, në rast se dispozitat për kambialet parashikojnë, që marrësi humbet të
drejtën e pretendimit për kambialin ndaj mbajtësve të tjerë, tërheqësit, ose kryerësit të tërheqjes
së shumës nëse ai nuk pranon pagesën e debitorit.
2. Megjithatë, mbajtësi i fundit duhet të kthejë shumën e paguar me kambiale ose, në rast se ai e
ka mbajtur kambialin për llogari të një të treti, ky i fundit duhet ta kthejë shumën nëse mbajtësi i
fundit ose pala e tretë ka pasur dijeni për paaftësinë paguese të debitorit ose nuk ka pasur dijeni
për shkak të pakujdesisë së tij, ose ka pasur dijeni për kërkesën për hapjen e procedurës së
falimentimit kur ka mbajtur kambialin ose ia kanë kaluar kambialin. Në këto raste janë të
zbatueshme pikat 2 dhe 3 të nenit 101 të këtij ligji.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen sipas rastit për pagesat e debitorit me çek.

Neni 107
Personat e lidhur me debitorin

1. Nëse debitori është person fizik, persona të lidhur me të janë:
a) bashkëshorti ose bashkëshortja e debitorit edhe kur martesa është lidhur vetëm pas
kryerjes së veprimit juridik ose është zgjidhur ose anuluar në vitin e fundit përpara veprimit juridik;
b) paraardhësit ose pasardhësit e debitorit ose të bashkëshortit, sipas pikës 1 të këtij neni,
motra dhe vëllezër me lidhje gjaku dhe të afërt të debitorit dhe të bashkëshortit, sipas pikës 1 të
këtij neni dhe bashkëshortët e këtyre personave;
c) persona që jetojnë në banesën e debitorit ose kanë jetuar në këtë banesë në vitin e fundit para këtij veprimi.
2. Nëse debitori është person juridik ose shoqëri e thjeshtë, persona të lidhur më debitorin janë:
a) anëtarët e organit përfaqësues ose mbikëqyrës, ortakë të përgjithshëm, si dhe personat
që zotërojnë më shumë se një të katërtën e kapitalit të debitorit;
b) një person ose një shoqëri, të cilët kanë dijeni për gjendjen financiare të debitorit për
shkak të lidhjes me kreditorin, që është e krahasueshme me një shoqëri, sipas ligjit për shoqëritë
ose për shkak të një kontrate shërbimesh;
c) personi i lidhur me një person të përmendur në pikën 1 të këtij neni. Kjo dispozitë nuk
zbatohet nëse personat e përmendur në këtë pikë kanë detyrimin ligjor të ruajtjes së sekretit për punët e debitorit.

Neni 108
Llogaritja e afateve kohore para kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit

1. Periudha kohore e përcaktuar në nenet 101 deri 105 të këtij ligji, fillon nga data që i
korrespondon sipas numrit datës kur seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka marrë kërkesën për
hapjen e procedurës së falimentimit. Në qoftë se një datë e tillë mungon gjatë muajit, afati nis nga data pasardhëse.
2. Në rast se janë marrë disa kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit, vlerësohet e
vlefshme kërkesa e parë e pranueshme dhe që paraqet argumente për hapjen e procedurës së
falimentimit, edhe sikur procedura të hapet mbi bazën e një kërkese tjetër. Kur një kërkesë hidhet
poshtë dhe vendimi merr formë të prerë, kërkesa merret parasysh vetëm në rast se hidhet poshtë
për shkak të mungesës së pasurive të mjaftueshme.

Neni 109
Data e kryerjes së veprimit

1. Një veprim vlerësohet i kryer në datën kur sjell pasoja juridike.
2. Nëse sjellja e pasojave juridike të një veprimi kërkon regjistrim në Regjistrin e Pasurive të
Paluajtshme ose në ndonjë regjistër tjetër publik, veprimi vlerësohet i kryer sapo të plotësohen
kushtet e tjera, për sjelljen e pasojave të tij juridike, pasi shprehja e qëllimit të debitorit të bëhet e
zbatueshme për të dhe pasi pala tjetër të ketë kërkuar regjistrim të këtij veprimi.
3. Plotësimi i kushtit nuk merret parasysh në rastin e një veprimi të kushtëzuar.

Neni 110
Titulli ekzekutiv

Veprimi juridik mund të kundërshtohet edhe sikur pala tjetër të ketë siguruar një titull ekzekutiv
ose sikur ky veprim të kryhej me rrugë ekzekutimi.

Neni 111
Veprimet në të holla

Veprimi juridik i debitorit, me të cilin pasuria e tij ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një
kundërvlerë e saj në të holla, mund të kundërshtohet vetëm sipas kushteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 104 të këtij ligji.

Neni 112
Pasojat ligjore

1. Pasuria e shitur e debitorit, pasuria e transferuar, pasuria e debitorit prej së cilës është hequr
dorë sipas veprimit të kundërshtuar ose vlera e saj, duhet t’i kthehen masës së falimentimit.
2. Marrësi i një kontributi pa pagesë e kthen këtë përfitim vetëm në masën që ai është pasuruar
prej tij. Ky detyrim nuk zbatohet për rastin kur marrësi ka dijeni ose sipas rrethanave duhet të dijë
se kontributi pa shpërblim dëmton kreditorët e procedurës së falimentimit.

Neni 113
Pretendimet e palës në veprimin e kundërshtuar

1. Pretendimi i marrësit të kontributit rivendoset nëse ai kthen pasurinë e marrë sipas veprimit të kundërshtuar.
2. Çdo vlerë rimbursohet nga masa e falimentimit, në masën që kjo vlerë është ende e dallueshme
ndërmjet pasurive që përbëjnë masën e falimentimit ose për të cilën kjo masë është pasuruar prej
saj. Marrësi i përfitimit mund të ngrejë çdo pretendim tjetër vetëm si kreditor falimentimi.

Neni 114
Kundërshtimi ndaj trashëgimtarëve ligjorë

1. Çdo veprim i kundërshtuar mund të ekzekutohet ndaj çdo trashëgimtari ligjor për gjithë pasurinë e marrë.
2. Veprimi i kundërshtueshëm mund të ekzekutohet ndaj çdo trashëgimtari tjetër ligjor kur trashëgimtari i së drejtës:
a) ka pasur dijeni për rrethanat që sollën begatimin pa shkak të paraardhësit të tij duke iu
nënshtruar kundërshtimit në datën e begatimit;
b) ka pasur lidhje me personat e afërt të debitorit sipas nenit 107 të këtij ligji, në datën e
begatimit, përveç rastit kur personi i afërt nuk ka pasur dijeni për rrethanat që sollën pasurimin e
paraardhësit të tij dhe për faktin që i ishte nënshtruar kundërshtimit në atë datë;
c) ka fituar vlerën me anë të një kalimi falas.

Neni 115
Parashkrimi i pretendimit të kthimit

1. E drejta për kundërshtim të veprimit juridik parashkruhet dy vjet pas fillimit të procedurës së falimentimit.
2. Administratori i falimentimit mund të kundërshtojë përmbushjen e një detyrimi të dalë nga një
veprim i kundërshtueshëm edhe pasi parashkrimi e bën të pavlefshëm pretendimin e kundërshtimit.


PJESA E KATËRT
ADMINISTRIMI DHE DISPONIMI I MASËS SË FALIMENTIMIT
KREU I
SIGURIMI I MASËS SË FALIMENTIMIT


Neni 116
Marrja në zotërim e masës së falimentimit

1. Pas hapjes së procedurës së falimentimit, administratori i falimentimit merr menjëherë në
zotërim dhe administrim të gjithë pasurinë që formon masën e falimentimit.
2. Administratori kërkon marrjen e pasurive, që ndodhen në ruajtje të debitorit me rrugë
ekzekutimi të vendimit, duke paraqitur një kopje të ekzekutueshme të vendimit të hapjes së
procedurës së falimentimit. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit është gjykata përgjegjëse, sipas
Kreut IX dhe X të Pjesës së Katërt, Titulli II të Kodit të Procedurës Civile.

Neni 117
Sendet e çmuara

1. Komiteti i kreditorëve mund të vendosë për agjencinë dhe kushtet e depozitimit ose të
investimit të parave, të letrave me vlerë dhe sendeve të çmuara.
2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të vendosë, kryesisht, në rast se nuk është emëruar
komiteti i kreditorëve ose nëse ky komitet nuk ka marrë vendim për këto çështje, sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Kur është caktuar komiteti i kreditorëve, administratori i falimentimit ka të drejtë të depozitojë
para, letra me vlerë ose sende të çmuara në agjencinë e depozitimit ose të investimit, vetëm në
rast se një anëtar i këtij komiteti, së bashku me administratorin, nënshkruajnë faturën. Urdhrat e
administratorit të falimentimit për këtë agjenci janë ligjërisht të vlefshme me bashkënënshkrimin
e një anëtari të komitetit të kreditorëve.
4. Mbledhja e kreditorëve, për çështjet e përmendura më sipër, në këtë nen mund të vendosë ndryshe.

Neni 118
Vulosja

Administratori i falimentimit mund të kërkojë përdorimin e vulës nga përmbaruesi ose një person
tjetër i autorizuar për sigurimin e sendeve që i përkasin masës së falimentimit. Administratori e
depoziton dokumentin që vërteton vënien ose heqjen e vulave në regjistrin e gjykatës për t’u inspektuar nga palët.

Neni 119
Lista e pasurive të masës së falimentimit

1. Administratori i falimentimit përgatit një inventar të të gjithë pasurisë që përbën masën e
falimentimit. Debitori bashkëpunon për hartimin e këtij inventari, kur bashkëpunimi nuk krijon
vonesa të dëmshme për procedurën e falimentimit.
2. Vlera e çdo sendi duhet të jetë e përcaktuar. Në rast se vlera e sendit varet nga fakti nëse
veprimtaria e debitorit do të vazhdojë ose do të mbyllet, duhet të paraqiten vlerat përkatëse
alternative. Për përcaktimin e vlerës së sendeve, vlerësimi i të cilave paraqet vështirësi, mund të caktohet një specialist.
3. Me kërkesë të arsyetuar të administratorit të falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
mund të mos kërkojë kryerjen e inventarit. Në rast se është caktuar komiteti i kreditorëve,
administratori i falimentimit mund ta paraqesë kërkesën vetëm me miratimin e këtij komiteti.

Neni 120
Lista e kreditorëve

1. Administratori i falimentimit harton listën e të gjithë kreditorëve të debitorit, të cilët janë bërë
të njohur nga librat e dokumentet e punës së debitorit, nëpërmjet njoftimit prej debitorit, me
kërkesën e tyre ose me ndonjë mënyrë tjetër.
2. Lista e kreditorëve, me të drejtë ripagimi të veçantë dhe çdo kategorie të rangjeve më të ulëta
të kreditorëve të falimentimit duhet të paraqitet e ndarë. Për çdo kreditor shënohet adresa, arsyeja
dhe shuma e pretendimit të tij. Për kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë shënohet edhe sendi
që është objekt pretendimi për ripagim të veçantë, si dhe shuma e mundshme e mospërmbushjes.
Fjalia e dytë e pikës 2 të nenit 119 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.
3. Gjithashtu lista duhet të tregojë gjendjen që mundëson kompensimin e ndërsjellë të
pretendimeve dhe shumën e detyrimeve ndaj masës së falimentimit në rastin e një shitjeje të shpejtë të pasurisë së debitorit.

Neni 121
Kontrolli i pasurisë

1. Prej datës së hapjes së procedurës së falimentimit, administratori i falimentimit kryen një
kontroll të detajuar ku tregohen sendet e masës së falimentimit dhe detyrimet e debitorit. Për
vlerësimin e objekteve zbatohet sipas rastit pika 2 e nenit 119 të këtij ligji.
2. Pas kryerjes së kontrollit të pasurisë, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë të
administratorit ose të një kreditori, mund t’i kërkojë debitorit një vërtetim të betuar për paraqitjen
e plotë të të gjitha pasurive. Nenet 82 dhe 84 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 122
Depozitimi në regjistrin e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

Lista më sendet e masës së falimentimit, lista e kreditorëve dhe tabela e pasurisë depozitohen në
regjistrin e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit për t’u inspektuar nga palët, jo më vonë se një
javë para mbledhjes së raportimit të palëve.

Neni 123
Mbajtja e llogarive sipas dispozitave tregtare dhe legjislacionit tatimor

1. Detyrimet e debitorit, sipas së drejtës tregtare dhe të legjislacionit tatimor, për mbajtjen e
llogarive dhe shlyerjet nuk cenohen. Administratori i falimentimit përcakton detyrimet për masën e falimentimit.
2. Me fillimin e procedurës së falimentimit fillon një vit i ri financiar.


KREU II
VENDIMI PËR DISPONIMIN


Neni 124
Mbledhja e raportimit

1. Në mbledhjen e raportimit, administratori i falimentimit raporton për gjendjen ekonomike të
debitorit dhe shkaqet e falimentimit. Ai analizon çdo perspektivë të veprimtarisë së debitorit,
tërësisht ose pjesërisht, tregon mundësitë e ekzistencës së një plani riorganizimi dhe përshkruan
pasojat e secilës prej zgjidhjeve për ripagimin e kreditorëve.
2. Në mbledhjen e raportimit, debitori, komiteti i kreditorëve dhe organi përfaqësues i punonjësve
paraqesin deklaratat e tyre për raportin e administratorit. Nëse debitori është tregtar, artizan ose
bujk, mund t’i jepet mundësia për ta shprehur mendimin edhe organit përfaqësues të autorizuar të
industrisë, tregtisë, artizanatit ose bujqësisë.

Neni 125
Vendimmarrja për ecurinë e mëtejshme të procedurës

Vendoset gjatë mbledhjes së raportimit të kredive, nëse veprimtaria e debitorit duhet të mbyllet
ose të vazhdojë në kushtet e përkohshme. Mbledhja mund të ngarkojë administratorin për
përpunimin e planit të riorganizimit duke përcaktuar objektivat e planit. Mbledhja mund të
ndryshojë vendimet e veta në mbledhjet e mëvonshme.

Neni 126
Masat e marra para vendimit

1. Nëse administratori synon të mbyllë ndërmarrjen para mbledhjes së raportimit, ai duhet të
marrë miratimin e komitetit të kreditorëve kur ai ekziston.
2. Përpara se komiteti i kreditorëve të marrë vendim ose kur komiteti nuk është caktuar,
administratori duhet të njoftojë debitorin para mbylljes së ndërmarrjes. Seksioni tregtar i gjykatës
së rrethit, me kërkesë të debitorit dhe pasi dëgjon administratorin, nuk pranon mbylljen e
ndërmarrjes, kur mbyllja mund të pezullohet, deri në mbledhjen e raportimit, pa pakësuar
ndjeshëm pasuritë e masës së falimentimit.

Neni 127
Disponimi i pasurive të masës së falimentimit

Pas mbledhjes së raportimit, administratori i falimentimit duhet të likuidojë pa vonesë pasuritë e
masës së falimentimit, përveç rastit kur diçka e tillë bie ndesh me vendimet e mbledhjes së kreditorëve.

Neni 128
Veprimet veçanërisht të rëndësishme

1. Administratori i falimentimit duhet të marrë miratimin e komitetit të kreditorëve për kryerjen e
veprimeve me rëndësi të veçantë për procedurën e falimentimit. Në qoftë se nuk është caktuar
komiteti i kreditorëve, duhet të merret miratimi i mbledhjes së kreditorëve.
2. Miratimi sipas pikës 1 të këtij neni bëhet veçanërisht kur:
a) synimi është të shitet veprimtaria, ndërmarrja, mallrat në tërësi, çdo pjesë e një sendi të
paluajtshëm që shitet privatisht, aksionet ose pjesët e debitorit, një shoqërie tjetër, nëse këto
aksione ose pjesë të këtyre aksioneve kanë për qëllim të krijojnë një lidhje të përhershme me
ndërmarrjen tjetër ose t’i japin të drejtën e përfitimit të të ardhurave të përsëritshme;
b) veprimi ka për qëllim krijimin e një kontrate huaje, e cila do të rëndonte në mënyrë të
ndjeshme masën e falimentimit;
c) ky veprim ka qëllim ngritjen e një padie ose marrjen pjesë në një padi për një vlerë të
konsiderueshme që është objekt padie, të mos pranojë ngritjen e kësaj padie ose hyrjen në
marrëveshje për një zgjidhje jashtëgjyqësore ose shmangie të padisë.

Neni 129
Ndalimi i përkohshëm i veprimit

Në secilin prej rasteve të parashikuara në nenin 128 të këtij ligji, administratori i falimentimit
njofton debitorin përpara marrjes së vendimit të komitetit të kreditorëve ose mbledhjes së
kreditorëve, kur ky njoftim nuk e vonon procedurën e falimentimit dhe sjell pasoja dëmtuese.
Nëse mbledhja e kreditorëve nuk jep miratimin, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë
të debitorit ose të një shumice kreditorësh, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 62 të këtij ligji
dhe pasi dëgjon administratorin, mund të vendosë ndalimin e përkohshëm të kryerjes së veprimit
dhe organizon një mbledhje të kreditorëve, e cila vendos për veprimin.

Neni 130
Shitja e shoqërisë personave me interes të veçantë

1. Shitja e ndërmarrjes ose fabrikës kryhet me miratimin e mbledhjes së kreditorëve, nëse blerësi
a personi që zotëron të paktën një të pestën e kuotave të kapitalit:
a) bën pjesë në personat e lidhur më debitorin, sipas nenit 107 të këtij ligji;
b) është kreditor me të drejtë ripagimi të veçantë ose nuk bën pjesë në kreditorët e
rangjeve më të ulëta, dhe kur e drejta e ripagimit të veçantë ose pretendimeve të marra së bashku
vlerësohen nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit se arrijnë një të pestën e vlerës së
përgjithshme të të gjitha pretendimeve me të drejtë ripagimi të veçantë dhe të vlerës së
pretendimeve të të gjithë kreditorëve të procedurës së falimentimit.
2. Një person mban pjesë ose aksione të blerësit, sipas pikës 1 të këtij neni, nëse shoqëria e
kontrolluar nga personi ose një i tretë mban aksione të shitësit për llogari të personit ose të ndërmarrjes së kontrolluar.

Neni 131
Shitja e ndërmarrjes nën vlerë

1. Me kërkesë të debitorit ose të një shumice kreditorësh sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 62
dhe pasi dëgjon administratorin e falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të
urdhërojë që shitja e parashikuar e shoqërisë ose e fabrikës të kryhet me pëlqimin e mbledhjes së
kreditorëve, nëse kërkuesi provon në mënyrë bindëse për gjykatën se shitja te një blerës tjetër do
të ishte e favorshme për masën e falimentimit.
2. Nëse pala kërkuese ka kryer shpenzime për kërkesën, ajo kërkon që, me urdhër të gjykatës, t’i
paguhen shpenzimet nga masa e falimentimit.

Neni 132
Vlefshmëria e veprimit

Vlefshmëria e veprimit të administratorit nuk cenohet në rast të shkeljeve të parashikuara nga
neni 128 deri në nenin 131 të këtij ligji.


KREU III
SENDE QË I NËNSHTROHEN TË DREJTËS SË RIPAGIMIT TË VEÇANTË


Neni 133
E drejta e disponimit

1. Administratori i falimentimit mund të disponojë pa kufizim një send, i cili i nënshtrohet të
drejtës së ripagimit të veçantë, në rast se ai zotëron sendin ose kur sendi është i paluajtshëm.
2. Administratori i falimentimit mund të marrë ose disponojë në mënyrë tjetër një pretendim që
debitori ka përdorur për sigurimin e një detyrimi.
3. Administratori i falimentimit nuk ushtron përgjegjësitë e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij
neni, në rast se vlera e kolateralit është më e vogël ose e barabartë me vlerën e kredisë së
pretenduar nga kreditori i siguruar dhe ajo e shpenzimeve për ekzekutimin e saj, të marra së
bashku. Në këtë rast, administratori i falimentimit vendos lejimin e kreditorit të siguruar për
veprimet e tij në përputhje me parashikimet e nenit 70 të këtij ligji.

Neni 134
Njoftimi i kreditorit

1. Në qoftë se administratori i falimentimit ka të drejtën të disponojë një send, sipas pikës 1 të
nenit 133 të këtij ligji, ai njofton për gjendjen e pasurisë kreditorin me të drejtë ripagimi të
veçantë, me kërkesë të këtij të fundit. Në vend të njoftimit administratori mund t’i lejojë kreditorit inspektimin e sendit.
2. Në qoftë se administratori ka të drejtën e marrjes së një pretendimi, sipas parashikimeve të
pikës 2 të nenit 133 të këtij ligji, ai njofton për pretendimin kreditorin me të drejtë ripagimi të
veçantë me kërkesë të këtij të fundit. Në vend të njoftimit administratori mund t’i lejojë kreditorit
inspektimin e librave të llogarisë dhe të dokumenteve të veprimtarisë së debitorit.

Neni 135
Njoftimi i shitjes së parashikuar

1. Përpara se administratori i falimentimit t’i shesë të tretit një send që disponon, sipas
dispozitave të nenit 133 të këtij ligji, ai njofton kreditorin me të drejtë ripagimi të veçantë për
kryerjen e kësaj shitjeje të parashikuar. Ai i jep kreditorit mundësinë e propozimit të një
alternative për shitjen e sendit, brenda një jave, nëse kjo shitje mund të jetë më e favorshme për kreditorin.
2. Në qoftë se ky njoftim bëhet, brenda një jave ose brenda një afati kohor të mjaftueshëm, para
shitjes, administratori e përdor këtë mundësi ose kompenson kreditorin si në rastin kur do ta kishte përdorur këtë mundësi.
3. Një mundësi tjetër shitjeje është shitja e sendit vetë kreditorit. Vlerësohet e favorshme shitja që kryhet me më pak shpenzime.

Neni 136
Mbrojtja e kreditorit nga shitja e vonuar

1. Në rast se nuk është shitur sendi për të cilin, administratori i falimentimit ka të drejtën e
disponimit, sipas nenit 133 të këtij ligji, kreditorit i paguhet nga masa e falimentimit interesi i
fituar që nga data e mbledhjes së raportimit. Në qoftë se seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka
nxjerrë një vendim sipas nenit 21, ku ndalon kreditorin të shesë sendin para hapjes së procedurës
së falimentimit, interesat e mbetur paguhen jo më vonë se tre muaj pas vendimit të gjykatës. Dy
fjalitë e para të kësaj pike nuk zbatohen për sa kohë shuma e pretendimeve të kreditorit, vlera dhe
detyrimet e tjera, me të cilat është i ngarkuar sendi, nuk mund të mbulohen nga e ardhura e marrë
prej shitjes për ripagimin e kreditorëve.
2. Pas përfundimit të afatit të përmendur në pikën 1 të këtij neni, kreditorët e siguruar mund t‘i
kërkojnë seksionit tregtar të gjykatës së rrethit heqjen e kufizimeve të parashikuara nga neni 133 i
këtij ligji. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duhet të japë miratimin pasi njofton dhe dëgjon
administratorin e falimentimit, me përjashtim të rastit kur ky i fundit paraqet prova të
mjaftueshme se kolaterali është i nevojshëm si pjesë e veprimtarisë ose e objektit ku kryhet kjo veprimtari.
3. Në çdo kohë, brenda afatit të përmendur në pikën 1 të këtij neni, gjykata duhet të heqë
kufizimet e përmendura në nenin 133 të këtij ligji dhe të urdhërojë masa të tjera sigurimi, nëse
kreditorët e siguruar provojnë në mënyrë të mjaftueshme se administratori i falimentimit nuk e
mbron në mënyrë të duhur kolateralin ose kolaterali po pëson humbje në vlerë.

Neni 137
Shpërndarja e të ardhurave

1. Në rastin e shitjes së një sendi ose të pretendimeve nga administratori i falimentimit,
shpenzimet e përcaktimit dhe shpenzimet e shitjes së sendit i zbriten që më parë masës së
falimentimit. Shuma e mbetur përdoret për ripagimin e kreditorëve, me të drejtë ripagimi të veçantë.
2. Në qoftë se administratori i falimentimit i kalon kreditorit një send mbi të cilin ka të drejtën e
shitjes, sipas nenit 133 të këtij ligji, kreditori parapaguan një shumë, e cila mbulon shpenzimet e
përcaktimit duke përdorur të ardhurat që ka fituar.

Neni 138
Llogaritja e kontributit ndaj shpenzimeve

1. Shpenzimet e përcaktimit përfshijnë shpenzimet e identifikimit konkret të sendit dhe ato të
përcaktimit të të drejtave me të cilat është i rënduar ky objekt. Kjo pjesë e shpenzimeve të
përgjithshme të procedurës llogaritet si shumë e fiksuar në katër për qind të të ardhurave.
2. Vlerësohen shpenzime mbajtjeje vetëm shpenzimet që janë kryer faktikisht nga masa e
falimentimit dhe që ishin të nevojshme për mbajtjen e sendit ose për përmirësimin e nevojshëm
në interes të kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë.

Neni 139
Përdorimet e tjera të sendeve

1. Administratori i falimentimit mund të përdorë për masën e falimentimit një send mbi të cilin ka
të drejtë disponimi, kur humbja e vlerës së shkaktuar nga ky përdorim kompensohet me pagesat
që u bëhen kreditorëve me hapjen e procedurës së falimentimit. Ky detyrim për pagesa
kompensuese ekziston vetëm në masën në të cilën humbja e vlerës nga përdorimi cenon sigurimin
e kreditorit me të drejtë ripagimi të veçantë.
2. Administratori ka të drejtë të bashkojë, përpunojë dhe përziejë sendin me pasuri të tjera me
kusht që ky ndryshim i gjendjes së sendit të mos cenojë sigurimin e kreditorit me të drejtë
ripagimi të veçantë. Në qoftë se e drejta e kreditorit kalon mbi një send tjetër, kreditori ia kalon
këtë të drejtë të re sigurimi administratorit që vlera e saj të tejkalojë vlerën e mëparshme.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk janë të zbatueshme për kolateralin e barrëdhënësit.

Neni 140
Disponimi nga kreditori

1. Nëse administratori i falimentimit nuk ka të drejtën e disponimit të një sendi të luajtshëm ose të
një pretendimi që i nënshtrohet të drejtës së ripagimit të veçantë, e drejta e kreditorit për disponimin e sendit nuk cenohet.
2. Me kërkesë të administratorit dhe pasi dëgjon kreditorin, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
mund të caktojë një afat kohor brenda të cilit kreditori duhet ta shesë sendin. Pas mbarimit të këtij
afati, administratori ka të drejtën e disponimit të sendit.


PJESA E PESTË
RIPAGIMI I KREDITORËVE TË FALIMENTIMIT
NDËRPRERJA E PROCEDURËS
KREU I
PËRCAKTIMI I PRETENDIMEVE


Neni 141
Depozitimi i pretendimeve

1. Kreditorët e falimentimit duhet t’ia paraqesin me shkrim pretendimet e tyre administratorit të
falimentimit. Njoftimit duhet t’i bashkëlidhet një kopje e dokumenteve që provojnë pretendimin.
2. Kërkesa duhet të përfshijë arsyen, shumën e pretendimit, si dhe të përmendë radhën, sipas nenit 605 të Kodit Civil.
3. Kreditorët e rangjeve më të ulëta paraqesin pretendimin e tyre vetëm nëse seksioni tregtar i
gjykatës së rrethit e kërkon posaçërisht këtë gjë.

Neni 142
Tabela

Administratori i falimentimit regjistron të gjitha pretendimet me të dhënat, sipas pikës 2 të nenit
141 të këtij ligji. Tabela e pretendimeve depozitohet në zyrën e gjykatës bashkë më aplikimet dhe
vërtetimet e bashkëlidhura për inspektimin e bërë nga palët brenda një periudhe kohore sa një e
treta e kohës ndërmjet ditës së fundit të afatit të depozitimit dhe mbledhjes për verifikimin e pretendimeve.

Neni 143
Procedimi i mbledhjes së verifikimit

Në mbledhjen e verifikimit shqyrtohen pretendimet e paraqitura për shumën dhe statusin e tyre.
Pretendimet që kundërshtohen nga administratori i falimentimit, debitori ose nga një kreditor
falimentimi u nënshtrohen një diskutimi të hollësishëm e të veçantë.

Neni 144
Depozitimet e vonuara

1. Gjatë mbledhjes së verifikimit shqyrtohen edhe pretendimet e paraqitura pas përfundimit të
afatit për depozitim. Në qoftë se verifikimi i këtyre pretendimeve kundërshtohet nga
administratori i falimentimit ose një kreditor falimentimi, ose në qoftë se pretendimi depozitohet
pas mbledhjes së verifikimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me shpenzimet e të vonuarit,
cakton një mbledhje të posaçme verifikimi ose urdhëron verifikimin në procedurë me shkrim. Për
ndryshime të mëvonshme të pretendimeve të depozituara zbatohen, sipas rastit, dy fjalitë e para të kësaj pike.
2. Afati i mbledhjes së posaçme të verifikimit bëhet i njohur publikisht. Kreditorët e falimentimit,
që kanë depozituar pretendimet, administratori i falimentimit dhe debitori duhet të marrin njoftim
individual për thirrjen e kësaj mbledhjeje.

Neni 145
Kushtet dhe pasojat e vërtetimit të pretendimeve

1. Një pretendim vlerësohet i vërtetuar nëse në mbledhjen e verifikimit ose gjatë procedurës me
shkrim nuk është kundërshtuar nga administratori i falimentimit ose nga kreditorët e falimentimit,
sipas nenit 144 të këtij ligji, ose kur është hedhur poshtë ndonjë kundërshtim i paraqitur.
Kundërshtimi i debitorit nuk pengon vërtetimin e pretendimit.
2. Për çdo pretendim të depozituar, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit shënon$në tabelë në çfarë
mase është vërtetuar shuma dhe statusi, ose cila prej palëve ka kundërshtuar vërtetimin. Në tabelë
regjistrohen edhe kundërshtimet e debitorit. Nëpunësi i regjistrimit të gjykatës shënon vërtetimin
në kambiale dhe instrumente të tjera borxhi.
3. Për pretendimet e vërtetuara për shumën dhe statusin e tyre, regjistrimi në tabelë ka pasojën
juridike të një vendimi të formës së prerë për administratorin e falimentimit dhe për të gjithë
kreditorët e falimentimit.

Neni 146
Kërkesat e kundërshtuara

1. Në qoftë se një kërkesë është kundërshtuar nga administratori i falimentimit ose nga një
kreditor falimentimi, kreditori duhet të fillojë procedurën për vërtetimin e këtij pretendimi ndaj palës kundërshtuese.
2. Në qoftë se një pretendim i tillë bazohet në një urdhër ekzekutimi ose vendim të formës së
prerë, pala kundërshtuese duhet të kërkojë fillimin e procedurës për kundërshtimin e pretendimit.
3. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit i jep kreditorit, kërkesa e të cilit është kundërshtuar, një
kopje të shkurtuar të tabelës së vërtetuar nga gjykata. Një kopje e tillë i jepet edhe palës kundërshtuese, sipas pikës 2 të këtij neni.

Neni 147
Përgjegjësia e gjykatave për vërtetimin e pretendimeve

1. Padia për vërtetimin e pretendimeve ngrihet sipas dispozitave të procedurës së zakonshme civile.
2. Në qoftë se në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit ishte ngritur një padi për këto
pretendime, vërtetimi i pretendimit i bashkëlidhet kësaj padie.

Neni 148
Pasojat juridike të vërtetimit me rrugë gjyqësore

1. Vendimi i formës së prerë, që vërteton një pretendim ose që pranon një kundërshtim, është
detyrues për administratorin e falimentimit dhe për të gjithë kreditorët e falimentimit.
2. Pala fituese i kërkon seksionit tregtar të gjykatës së rrethit korrigjimin e tabelës.
3. Në qoftë se padinë e kanë ngritur vetëm kreditorë të veçantë, por jo administratori i
falimentimit, këta kreditorë mund të kërkojnë nga masa e falimentimit kthimin e shpenzimeve të
kryera në sasinë që masa e falimentimit ka përfituar nga vendimi gjyqësor.

Neni 149
Padi për të zbatuar pretendimin e kundërshtuar nga debitori

Në qoftë se debitori ka kundërshtuar një pretendim gjatë mbledhjes së verifikimit ose gjatë
procedurës me shkrim, sipas nenit 144 të këtij ligji, kreditori mund të ngrejë padi për vërtetimin e
këtij pretendimi. Në qoftë se në kohën e fillimit të procedurës së falimentimit ekzistonte një padi
e ngritur për këtë pretendim, kreditori mund ta vazhdojë këtë padi kundër debitorit.


KREU II
SHPËRNDARJA


Neni 150
Ripagimi i kreditorëve të falimentimit

1. Ripagimi i kreditorëve të falimentimit mund të fillojë vetëm pas mbledhjes së verifikimit të përgjithshëm.
2. Fondet mund t’u shpërndahen kreditorëve të falimentimit sapo masa e falimentimit të ketë
likuiditet të mjaftueshëm. Kreditorët e rangjeve më të ulëta nuk duhet të merren parasysh në shpërndarjen e parë.
3. Shpërndarjet bëhen nga administratori i falimentimit sipas renditjes së parashikuar në nenin 605 të Kodit Civil. Para çdo shpërndarjeje, ai duhet të marrë miratimin e komitetit të kreditorëve, nëse është caktuar një i tillë.

Neni 151
Lista e shpërndarjes

Para çdo shpërndarjeje, administratori i falimentimit harton një listë të pretendimeve që përfitojnë
nga shpërndarja. Lista depozitohet pranë regjistrit të gjykatës për t’u inspektuar nga palët.
Administratori i falimentimit shpall publikisht shumën e përgjithshme të pretendimeve dhe
shumën e disponueshme për shpërndarje në masën e falimentimit.

Neni 152
Fondet e mbajtura për të ripaguar pretendimet e kundërshtuara

1. Një kreditor falimentimi, pretendimi i të cilit nuk është vërtetuar dhe nuk është bazuar në një
titull ekzekutiv ose vendim të formës së prerë, duhet t’i provojë administratorit në mënyrë
bindëse, jo më vonë se dy javë pas shpalljes publike të administratorit, se për çfarë shumë është
bërë padia e vërtetimit të pretendimit ose ka vazhduar padia e ngritur më parë.
2. Në qoftë se kreditori ia vërteton këto fakte administratorit në mënyrë bindëse dhe në kohën e
duhur, pjesa që i përgjigjet shumës së pretendimit mbahet gjatë shpërndarjes për gjithë kohëzgjatjen e procesit të padisë.
3. Në qoftë se kreditori nuk ia vërteton këto fakte administratorit, në mënyrë bindëse dhe në
kohën e duhur, pretendimi nuk merret parasysh gjatë shpërndarjes.

Neni 153
Fondet e mbajtura për të ripaguar kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë

1. Një kreditor me të drejtë ripagimi të veçantë duhet t’i provojë administratorit të falimentimit,
në mënyrë bindëse, jo më vonë se afati i parashikuar në pikën 1 të nenit 152 të këtij ligji, se për
çfarë shume ka hequr dorë nga e drejta e ripagimit të veçantë ose për çfarë shume nuk është
shlyer ripagimi i veçantë. Në qoftë se kreditori nuk ia vërteton këto fakte administratorit, në
mënyrë bindëse në kohën e duhur, pretendimi nuk merret parasysh gjatë shpërndarjes.
2. Kreditori quhet se ka përmbushur detyrimin e përmendur në pikën 1 të këtij neni për të marrë
pjesën në shpërndarjen e parë, nëse ai i provon administratorit të falimentimit, në mënyrë bindëse
dhe jo më vonë se periudha kohore e përcaktuar, që shitja e sendit që i nënshtrohet të drejtës së
ripagimit të veçantë ka filluar dhe cila pjesë e shumës së pretendimit të tij mbetet e pashlyer. Në
këtë rast, pjesa që i përgjigjet pretendimit të tij mbahet gjatë shpërndarjes. Në qoftë se kushtet e
pikës 1 të këtij neni nuk janë plotësuar, pjesa e rezervuar zhbllokohet në shpërndarjen
përfundimtare dhe lejohet të përdoret gjatë kësaj shpërndarjeje.
3. Në qoftë se të drejtën e disponimit të sendit, që i nënshtrohet së drejtës për ripagim të veçantë e
ka vetëm administratori i falimentimit, pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk zbatohen. Gjatë
shpërndarjes së parë, administratori që nuk ka shitur ende sendin duhet të vlerësojë çfarë humbje
ka pësuar kreditori dhe të mbajë pjesën që shërben për të shlyer këtë shumë.

Neni 154
Fondet e mbajtura për ripagimin e pretendimeve me kusht

1. Pretendimi me kusht merret parasysh në vlerën e tij të plotë gjatë shpërndarjes së parë. Pjesa që
i përgjigjet pretendimit nuk paguhet gjatë shpërndarjes dhe ruhet.
2. Pretendimi me kusht nuk merret parasysh gjatë shpërndarjes së fundit, nëse mundësia e
plotësimit të kushtit është aq e largët saqë pretendimi humbet vlerën në kohën e shpërndarjes. Në
këtë rast, pjesa e mbajtur, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni, shpërndahet gjatë shpërndarjes së fundit.

Neni 155
Ripagimi i mëvonshëm

Kreditorët, pretendimet e të cilëve nuk janë marrë parasysh gjatë një shpërndarjeje të parë dhe që
plotësojnë kushtet e neneve 152 dhe 153 të këtij ligji, marrin nga masa e falimentimit një shumë
që i vë në kushte të barabarta më kreditorët e parë. Kjo shumë merret gjatë shpërndarjes në një datë të mëvonshme.

Neni 156
Ndryshimi i listës së shpërndarjes

Administratori i falimentimit shton në listën e shpërndarjes çdo ndryshim sipas neneve 152 deri
154 të këtij ligji, brenda tri ditësh nga mbarimi i afatit të përjashtimit të parashikuar në pikën 1 të nenit 152 të këtij ligji.

Neni 157
Vërejtjet ndaj listës së shpërndarjes

1. Gjatë shpërndarjes së parë, një kreditor i paraqet seksionit tregtar të gjykatës së rrethit vërejtjet
e veta ndaj listës, brenda një jave pas mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 1 të nenit 152 të këtij ligji.
2. Çdo vendim i gjykatës që hedh poshtë këtë vërejtje duhet t’u dërgohet kreditorit dhe
administratorit të falimentimit. Kreditori ka të drejtën e ankimit të veçantë ndaj këtij vendimi.
3. Vendimi i gjykatës që urdhëron një ndryshim në listë, u njoftohet kreditorit dhe administratorit
dhe depozitohet në regjistrin e gjykatës për t’u inspektuar nga palët. Administratori dhe kreditorët
e falimentimit kanë të drejtën e ankimit të veçantë ndaj vendimit. Afati i ankimit fillon nga data
kur vendimi është depozituar në regjistrin e gjykatës.

Neni 158
Përcaktimi i pjesëve të pretendimit

1. Me propozimin e administratorit të falimentimit, komiteti i kreditorëve përcakton pjesën e
pretendimit që do të paguhet gjatë shpërndarjes së parë. Në qoftë se nuk është caktuar një komitet
kreditorësh, pjesën e përcakton administratori.
2. Administratori ua komunikon pjesën e pretendimit që do t’u paguhet kreditorëve që janë marrë parasysh.

Neni 159
Shpërndarja e fundit

1. Shpërndarja e fundit bëhet sapo të përfundojë shitja e masës së falimentimit.
2. Shpërndarja e fundit bëhet vetëm me miratimin e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit.

Neni 160
Mbledhja përfundimtare

1. Kur jep pëlqimin për shpërndarjen përfundimtare, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
përcakton edhe afatin për një mbledhje përfundimtare të kreditorëve. Gjatë mbledhjes:
a) diskutohen llogaritë e paraqitura nga administratori i falimentimit;
b) paraqiten vërejtje ndaj listës përfundimtare;
c) vendosin për sendet që janë pjesë e masës së falimentimit dhe të papërshtatshme për shitje.
2. Periudha kohore ndërmjet shpalljes së datës së mbledhjes dhe mbledhjes nuk mund të jetë më
pak se tri javë dhe jo më shumë se një muaj.
3. Për vendimet e gjykatës për vërejtjet e një kreditori zbatohen, sipas rastit, parashikimet e pikave 2 dhe 3 të nenit 157 të këtij ligji.

Neni 161
Depozitimi i shumave të mbajtura

Shumat që janë mbajtur gjatë shpërndarjes përfundimtare depozitohen pranë një agjencie të
përshtatshme, me miratimin e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit , për llogari të palëve pjesëmarrëse.

Neni 162
Tepricat pas shpërndarjes përfundimtare

Në qoftë se pretendimet e të gjithë kreditorëve të procedurës së falimentimit mund të ripaguhen
gjatë shpërndarjes së fundit, administratori i falimentimit ia kalon tepricën debitorit. Kur debitori
nuk është person fizik, administratori ia ndan pjesën e tepricës çdo personi që mban pjesë të
kapitaleve të debitorit, gjatë një procedure likuidimi jashtë procedurës së falimentimit.

Neni 163
Përfundimi i procedurës së falimentimit

1. Sapo të jetë kryer shpërndarja përfundimtare, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos mbylljen e procedurës së falimentimit.
2. Vendimi dhe shkaku i mbylljes shpallen publikisht.

Neni 164
Të drejtat e kreditorëve të falimentimit pas mbylljes së procedurës së falimentimit

1. Pas mbylljes së procedurës së falimentimit, kreditorët e falimentimit mund të kërkojnë pa
kufizim plotësimin e pretendimeve të mbetura ndaj debitorit.
2. Kreditorët e falimentimit, që kanë ngritur pretendime të vërtetuara, të cilat nuk janë
kundërshtuar nga debitori gjatë mbledhjes së verifikimit, mund të përmbushin këto pretendime
ndaj debitorit me rrugë ekzekutimi ligjor, duke u bazuar në regjistrimin në tabelë, që ka të njëjtën
vlerë si një vendim i ekzekutueshëm. Pretendimi i pakundërshtuar barazohet me një pretendim
ndaj të cilit kundërshtimi është hedhur poshtë.
3. Dispozitat për shkarkimin nga detyrimet e mbetura nuk cenohen.

Neni 165
Përgjegjësitë e veprimeve për ekzekutimin ndaj debitorit

Gjykata e rrethit, ku është hapur ose kërkon të hapet procedura e falimentimit, vlerësohet si
gjykata përgjegjëse, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, për vendimet e nevojshme
për t’u ekzekutuar ndaj debitorit pas mbylljes së procedurës së falimentimit.

Neni 166
Vendimi i gjykatës për shpërndarje të vonuar

1. Me kërkesë të administratorit të falimentimit ose të një kreditori falimentimi, seksioni tregtar i
gjykatës së rrethit urdhëron një shpërndarje të vonuar kur:
a) zhbllokohen për shpërndarje fonde të mbajtura;
b) kthehen shumat që janë paguar nga masa e falimentimit;
c) identifikohen, pas mbledhjes përfundimtare, sende të masës së falimentimit.
2. Mbyllja e procedurës së falimentimit nuk pengon vendimin e gjykatës për kryerjen e shpërndarjes së vonuar.
3. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duke pasur parasysh vlerën e lartë ose të ulët të shumës ose
të sendit dhe shpenzimet e një shpërndarjeje të vonuar, nëse e sheh të arsyeshme mund të heqë
dorë nga vendimi dhe t’i kalojë debitorit shumën e disponueshme ose sendin e identifikuar.
Vendimi mund të kushtëzohet nga parapagimi i një shume të paracaktuar për mbulimin e
shpenzimeve të shpërndarjes së mëvonshme.

Neni 167
Ankimi

1. Vendimi i gjykatës, që refuzon shpërndarjen e vonuar, i dërgohet palës kërkuese. Pala kërkuese
mund të paraqesë ankim të veçantë ndaj vendimit.
2. Vendimi i gjykatës, që urdhëron një shpërndarje të vonuar u dorëzohet administratorit të
falimentimit, debitorit dhe kreditorit që kanë bërë kërkesën për shpërndarje të vonuar. Debitori ka
të drejtën e ankimit të veçantë ndaj vendimit.

Neni 168
Kryerja e shpërndarjes së mëvonshme

Me dhënien e vendimit për shpërndarje të mëvonshme, administratori i falimentimit shpërndan
shumën e vënë në dispozicion ose të ardhurat e marra nga shitja e sendit të identifikuar në bazë të
listës përfundimtare. Ai i jep llogari për këtë shpërndarje seksionit tregtar të gjykatës së rrethit.

Neni 169
Përjashtimi i kreditorëve të masës së falimentimit

1. Kreditorët e masës së falimentimit, pretendimet e të cilëve i janë bërë të njohura administratorit, përjashtohen vetëm:
a) pas caktimit të pjesës gjatë shpërndarjes së parë;
b) pas mbledhjes përfundimtare gjatë shpërndarjes së fundit;
c) pas shpalljes nëse vendoset shpërndarje e vonuar. Kreditorët mund të pretendojnë
ripagimin vetëm nga fondet e mbetura në masën e falimentimit.


KREU III
NDËRPRERJA E PROCEDURËS


Neni 170
Ndërprerja për mungesë të pasurive në masën e falimentimit

1. Në qoftë se pas fillimit të procedurës së falimentimit rezulton se masa e falimentimit nuk
mjafton për mbulimin e shpenzimeve të procedurës, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit e
ndërpret procedurën. Ndërprerja nuk bëhet kur parapaguhet një shumë e mjaftueshme.
2. Përpara vendimit për ndërprerje të procedurës së falimentimit dëgjohet mbledhja e kreditorëve,
administratori dhe kreditorët e masës së falimentimit.
3. Administratori përdor çdo shumë në të holla, që gjendet në masën e falimentimit, për shlyerjen
e shpenzimeve të procedurës. Së pari, paguhen shpenzimet në përpjesëtim me shumat përkatëse
para ndërprerjes së procedurës. Administratori nuk mban përgjegjësi të mëtejshme për
disponimin e sendeve të masës së falimentimit.

Neni 171
Njoftimi për pasuri të pamjaftueshme të masës së falimentimit

1. Nëse mbulohen shpenzimet e procedurës së falimentimit, por pasuritë nuk mjaftojnë për të
përmbushur detyrime të tjera, të maturuara, të masës së falimentimit, administratori i falimentimit
njofton seksionin tregtar të gjykatës së rrethit për pamjaftueshmërinë e pasurive. E njëjta gjë vlen
kur pasuritë parashikohen të jenë të pamjaftueshme për plotësimin e detyrimeve të tjera
ekzistuese të masës së falimentimit në datën e maturimit.
2. Gjykata shpall publikisht njoftimin për pamjaftueshmëri të pasurive në masën e falimentimit.
Njoftimi u bëhet individualisht kreditorëve të masës së falimentimit.
3. Detyra e administratorit për administrimin dhe përdorimin e pasurive të masës së falimentimit
vazhdon edhe pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive.

Neni 172
Ripagimi i kreditorëve të masës së falimentimit

1. Administratori i falimentimit duhet të ripaguajë detyrimet e masës së falimentimit sipas radhës
së mëposhtme. Detyrimet e rangut të njëjtë paguhen sipas raportit të shumave:
a) shpenzime të procedurës së falimentimit;
b) detyrime të masës së falimentimit për procedurën e falimentimit, të cilat janë bërë
ligjërisht të kërkueshme pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive, por që nuk bëjnë pjesë në shpenzimet e procedurës;
c) detyrime të tjera të masës së falimentimit ku përfshihen në fund edhe shpenzimet për
jetesë sipas neneve 84 dhe 85, fjalia e tretë, pika 1 të këtij ligji.
2. Vlerësohen si detyrime të masës së falimentimit sipas shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni:
a) detyrimet sipas një kontrate të ndërsjellë, të cilën administratori ka zgjedhur ta zbatojë
pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive të masës së falimentimit;
b) detyrimet sipas një kontrate të ndashme për periudhën kohore pas datës së parë kur
administratori mund ta përfundontë këtë kontratë pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive të masës së falimentimit;
c) sipas një kontrate periodike, nëse administratori ka pretenduar vlerën në favor të masës
së falimentimit pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive.

Neni 173
Ndalimi i ekzekutimit

Është i palejueshëm ekzekutimi i një detyrimi të masës së falimentimit sipas shkronjës “c” të
pikës 1 të nenit 172 pasi administratori i falimentimit ka njoftuar për pamjaftue-shmërinë e pasurive në masën e falimentimit.

Neni 174
Ndërprerja pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive
në masën e falimentimit
1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ndërpret procedurën e falimentimit pasi administratori i
falimentimit ta ketë shpërndarë masën e falimentimit sipas nenit 172 të këtij ligji. Administratori
paraqet llogari të veçanta për veprimtarinë e vet pas njoftimit për pamjaftueshmërinë e pasurive në masën e falimentimit.
2. Në qoftë se pas ndërprerjes së procedurës gjenden sende që formojnë pjesë të masës së
falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë të administratorit ose të një
kreditori të masës, urdhëron shpërndarje të vonuar. Nenet 166 pika 3, 167 dhe 168 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 175
Ndërprerja për shkak të zhdukjes së mëvonshme të shkakut
për hapjen e procedurës së falimentimit
Me kërkesë të debitorit, procedura e falimentimit ndërpritet kur ai është në gjendje ta sigurojë
gjykatën se pas ndërprejes nuk do të jetë më i kërcënuar nga gjendja e paaftësisë paguese ose
falimentimi në rast se procedura e falimentimit është hapur për shkak të paaftësisë paguese. Një
kërkesë e tillë pranohet nëse debitori tregon në gjykatë, në mënyrë bindëse, se nuk ka shkak për hapjen e procedurës së falimentimit.

Neni 176
Ndërprerja me miratimin e kreditorëve

1. Procedura e falimentimit ndërpritet me kërkesën e debitorit, kur ky, pasi përfundon periudha e
njoftimit, paraqet një deklaratë miratimi të të gjithë kreditorëve të falimentimit, që kanë
depozituar pretendime për ndërprerjen e kësaj procedure. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit,
sipas diskrecionit të saj, vendos për kreditorët, kërkesat e të cilëve janë kundërshtuar nga debitori
ose administratori i falimentimit dhe për kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë, lidhur më
kërkesat e miratimit të kreditorëve ose të mjeteve të sigurisë që ata duhet të paraqesin.
2. Procedura e falimentimit mund të ndërpritet me kërkesën e debitorit edhe përpara mbarimit të
afatit të depozitimit nëse gjykata nuk njeh kreditorë të tjerë përveç kreditorëve për të cilët debitori
ka paraqitur deklaratat e miratimit prej tyre.

Neni 177
Procedura e ndërprerjes

1. Kërkesa për ndërprerjen e procedurës së falimentimit sipas neneve 175 ose 176 të këtij ligji
duhet të shpallet publikisht. Ajo depozitohet në regjistrin e gjykatës për inspektim të palëve. Në
rastin e parashikuar në nenin 179 kërkesa shoqërohet edhe nga deklarata e miratimit të
kreditorëve. Brenda një jave pas shpalljes publike, kreditorët e falimentimit kanë mundësinë ta
kundërshtojnë më shkrim këtë kërkesë ose të regjistrojnë kundërshtimin në protokollin e regjistrit të gjykatës.
2. Para se të vendosë për ndërprerjen e procedurës së falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së
rrethit dëgjon palën kërkuese, administratorin e falimentimit dhe komitetin e kreditorëve, kur një i
tillë është caktuar. Në rastin e kundërshtimit prej një kreditori, dëgjohet edhe kreditori i kundërshtuar.
3. Përpara ndërprerjes, administratori paguan detyrimet e pakundërshtuara të masës së
falimentimit dhe jep mjete sigurie për pretendimet e kundërshtuara.

Neni 178
Shpallja publikisht dhe pasojat ligjore të ndërprerjes

1. Vendimi për ndërprerjen e procedurës së falimentimit sipas neneve 170, 174, 175 dhe 176 të
këtij ligji, dhe shkaku për këtë ndërprerje shpallen publikisht. Debitori, administratori i
falimentimit dhe anëtarët e komitetit të kreditorëve njoftohen më parë për datën e hyrjes në fuqi të ndërprerjes.
2. Me ndërprerjen e procedurës së falimentimit debitori rifiton të drejtën të disponojë lirisht për
pasuritë e masës së falimentimit. Nenet 164 dhe 165 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 179
Ankimi

1. Në qoftë se procedura e falimentimit ndërpritet, sipas neneve 170, 175 dhe 176 të këtij ligji,
çdo kreditor falimentimi ka të drejtën e ankimit të veçantë. Debitori mund të paraqesë ankim të
veçantë nëse procedura e falimentimit është ndërprerë, sipas neni 170 të këtij ligji.
2. Debitori ka të drejtën e ankimit të veçantë kundër vendimit të gjykatës, që refuzon kërkesën sipas neneve 175 dhe 176 të këtij ligji.


PJESA E GJASHTË
PLANI I RIORGANIZIMIT
KREU I
HARTIMI I PLANIT TË RIORGANIZIMIT


Neni 180
Politika e planit

Ripagimi i kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë dhe i kreditorëve të falimentimit,
disponimi i pasurive të masës së falimentimit dhe shpërndarja e tyre te palët, si dhe përgjegjësia e
debitorit që shtrihet edhe pas përfundimit të procedurës së falimentimit mund të rregullohen me
një plan riorganizimi, që ndryshon nga parashikimet e këtij ligji.

Neni 181
Paraqitja e planit të riorganizimit

1. Të drejtën për paraqitjen e një plani riorganizimi përpara seksionit tregtar të gjykatës së rrethit
e kanë administratori i falimentimit dhe debitori. Paraqitja e këtij plani nga debitori mund t’i
bashkohet kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit. Plani i paraqitur në gjykatë pas
mbledhjes përfundimtare të kreditorëve nuk merret parasysh.
2. Në qoftë se mbledhja e kreditorëve i ka ngarkuar administratorit hartimin e një plani
falimentimi, administratori ia paraqet planin gjykatës brenda një afati kohor të arsyeshëm.
3. Gjatë hartimit të planit nga administratori, paraqesin komente komiteti i kreditorëve, kur ka një
të tillë, si dhe organi përfaqësues i punonjësve dhe debitori, si këshilltarë.

Neni 182
Hollësitë e planit

Plani i riorganizimit përbëhet nga pjesa paraqitëse dhe analiza e hollësishme. Këtyre u shtohen
edhe shtojcat e përmendura në nenet 229 dhe 230 të këtij ligji.

Neni 183
Pjesa paraqitëse

1. Në pjesën paraqitëse të planit të riorganizimit përshkruhen masat e marra pas fillimit të
procedurës së falimentimit, për të krijuar bazat për tjetërsimin e të drejtave të palëve të përfshira.
2. Pjesa paraqitëse duhet të përmbajë të gjitha të dhënat e tjera, si dhe pasojat e planit, të cilat janë
të rëndësishme për vendimin e kreditorëve për ta pranuar planin, si dhe për miratimin e tij nga gjykata.

Neni 184
Pjesa arsyetuese

Në pjesën arsyetuese të planit të riorganizimit përcaktohet si do të tjetërsohen, nëpërmjet planit, të drejtat e palëve të përfshira.

Neni 185
Krijimi i grupeve

1. Gjatë përcaktimit të të drejtave të pjesëmarrësve në planin e riorganizimit formohen grupe
kreditorësh, me të drejta dhe interesa të ndryshëm ekonomikë. Duhet të bëhet dallim ndërmjet:
a) kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë, nëse të drejtat e tyre preken nga plani;
b) secilit rang të kreditorëve të falimentimit;
c) secilit rang të kreditorëve të rangjeve më të ulëta, përveç rastit kur pretendimet e tyre
nuk merren parasysh, sipas nenit 225 të këtij ligji.
2. Kreditorët me të drejta të barabarta mund të formojnë grupe, ku përmblidhen kreditorë me
interesa të njëjtë ekonomikë. Grupet duhet të ndahen nga njeri-tjetri në mënyrë të duhur. Kriteret e ndarjes paraqiten në plan.

Neni 186
Të drejtat e kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë

1. Kur në planin e riorganizimit nuk është përcaktuar ndryshe, plani nuk cenon të drejtën e
kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë, detyrimi i të cilëve shlyhet prej sendeve që u
nënshtrohen të drejtës së ripagimit të veçantë.
2. Nëse në plan vendoset një rregullim i ndryshëm për kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë,
pjesa analizuese e planit tregon masën në të cilën pakësohen pretendimet e tyre, jepet me hollësi
periudha e shtyrjes së pretendimeve ose parashikohen rregullime të tjera, të cilave duhet t’u nënshtrohen këta kreditorë.

Neni 187
Të drejtat e kreditorëve të falimentimit

Pjesa analizuese e planit të falimentimit tregon sasinë në të cilën është zvogëluar pretendimi i
kreditorëve të falimentimit, jepet me hollësi periudha e shtyrjes së pretendimeve, shpallen mjetet
e sigurimit për ta ose parashikohen rregullime të tjera, të cilave duhet t’u nënshtrohen këta kreditorë.

Neni 188
Të drejtat e kreditorëve të rangjeve me të ulëta

1. Pretendimet e kreditorëve të rangjeve më të ulëta vlerësohen të përjashtuara, kur në planin e
riorganizimit nuk përcaktohet ndryshe.
2. Nëse plani i riorganizimit vendos ndryshe, në pjesën e analizës duhet të jepen të dhënat e
përshkruara në nenin 187 të këtij ligji, për çdo grup të kreditorëve të rangjeve më të ulëta.
3. Plani i riorganizimit nuk përjashton ose kufizon përgjegjësinë e debitorit për pagesa e detyrime
të natyrës civile ose penale, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji, që shtrihet edhe
pas përfundimit të procedurës së falimentimit.

Neni 189
Trajtimi i barabartë i të gjithë pjesëmarrësve

1. Të gjitha palët brenda grupit kanë të drejta të barabarta.
2. Trajtimi i ndryshëm i pjesëtarëve të një grupi lejohet vetëm me miratimin e të gjithë
pjesëtarëve. Në këtë rast planit të riorganizimit duhet t’i shtohet deklarata miratuese e secilës prej palëve.
3. Është e pavlefshme çdo marrëveshje e arritur midis administratorit të falimentimit, debitorit
ose e personave të tjerë dhe pjesëtarëve të veçantë, nëpërmjet së cilës parashikohen përfitime të
paparashikuara në plan për shkak të pranisë së këtyre palëve në një votim, ose në përgjithësi, në lidhje me procedurën e falimentimit.

Neni 190
Përgjegjësia e debitorit

1. Nëse në planin e riorganizimit nuk është përcaktuar ndryshe, debitori shkarkohet nga detyrimet
e mbetura ndaj kreditorëve të falimentimit, pasi këta kreditorë janë shlyer në mënyrën e
parashikuar në pjesën analizuese të planit.
2. Kur debitori është një shoqëri e thjeshtë, pika 1 e këtij neni zbatohet sipas rastit për ortakët më përgjegjësi të pakufizuar.

Neni 191
Ndryshimi i gjendjes së pasurisë

Nëse duhet të krijohen, ndryshohen, kalohen ose anulohen të drejta juridike mbi sende,
deklarimet juridike të nevojshme për të krijuar pasoja juridike të transferimit ndërmjet palëve
mund të përfshihen në pjesën arsyetuese të planit të riorganizimit. Në qoftë se bëhet fjalë për të
drejta të regjistruara mbi pasuri të paluajtshme ose të drejta të tjera të regjistruara, këto të drejta
përcaktohen duke marrë parasysh dispozitat përkatëse. Fjalia e dytë e këtij paragrafi zbatohet
sipas rastit për të drejta që janë regjistruar në një regjistër tjetër pronësie.

Neni 192
Mbikëqyrja e pasurisë. Të ardhurat dhe plani financiar

Në qoftë se kreditorët ripaguhen nga të ardhurat e një veprimtarie, që vazhdon të funksionojë nën
drejtimin e debitorit ose të një të treti, planit të riorganizimit i bashkëngjitet një inventar i
veprimtarisë së debitorit. Gjithashtu, plani tregon çfarë shpenzimesh dhe të ardhurash priten për
periudhën gjatë së cilës duhet të ripaguhen kreditorët dhe në çfarë renditjeje shpenzimesh dhe
fitimesh funksionon veprimtaria gjatë kësaj periudhe kohe.

Neni 193
Shtojca të tjera

1. Në qoftë se në planin e riorganizimit është parashikuar që debitori të vazhdojë mbajtjen e
veprimtarisë dhe debitori është person fizik, planit duhet t’i bashkëlidhet deklarata e debitorit, e
cila vërteton gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbajtjes së veprimtarisë mbi bazën e planit. Kur
debitori është shoqëri e thjeshtë, planit i bashkëlidhet një deklaratë e ngjashme e anëtarëve të
shoqërisë me përgjegjësi personale. Deklarata e debitorit, sipas fjalisë së parë, nuk kërkohet kur planin e ka parashtruar vetë debitori.
2. Në qoftë se kreditorët parashikojnë të përfitojnë pjesë ose aksione, të drejta anëtarësimi ose të
drejta të tjera në një shoqëri ose shoqëri të thjeshtë, planit i bashkëlidhet deklarata miratuese e secilit prej këtyre kreditorëve.
3. Në qoftë se një palë e tretë ka marrë përsipër detyrime ndaj kreditorëve në rastin kur plani
është miratuar, planit i bashkëlidhet deklarata e të tretit.

Neni 194
Mospranimi i planit

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me nismën e tij, vendos mospranimin e planit të riorganizmit, në rastet kur:
a) dispozitat e këtij ligji mbi të drejtën për paraqitjen dhe përmbajtjen e planit nuk janë
respektuar dhe parashtruesi nuk është në gjendje të korrigjojë gabimin ose nuk e korrigjon atë
brenda një afati të arsyeshëm, të caktuar nga gjykata;
b) plani i riorganizimit i parashtruar nga debitori përmban të dhëna të mjafueshme për të
çmuar se nuk ka perspektivë për t’u pranuar nga kreditorët ose për t’u miratuar nga gjykata;
c) ka të dhëna të mjaftueshme se pretendimet e palëve sipas pjesës analizuese të planit të
hartuar prej debitorit nuk mund të plotësohen;
ç) plani i riorganizimit kundërshtohet nga shumica e kreditorëve të falimentimit, që i
përkasin një grupimi të caktuar të tyre;
d) plani i riorganizmit kundërshtohet nga kreditorët e falimentimit që i përkasin një
grupimi të caktuar, pretendimet e të cilëve përbëjnë së paku gjysmën e shumës së përgjithshme të
pretendimeve pasurore mbi masën e falimentimit;
dh) plani i riorganizimit kundërshtohet me shkrim nga shumica e kreditorëve të siguruar;
e) plani i riorganizmit kundërshtohet me shkrim nga kreditorët e siguruar, pretendimet e të
cilëve përbëjnë së paku gjysmën e shumës së përgjithshme të pretendimeve pasurore mbi masën e
falimentimit dhe që u përkasin kreditorëve të siguruar.
2. Kur debitori ka paraqitur tashmë në procedurën e falimentimit një plan i cili nuk është pranuar
nga kreditorët, nuk është miratuar nga gjykata ose është tërhequr nga vetë debitori pas shpalljes
publikisht të datës së mbledhjes për diskutim, gjykata nuk pranon një plan të ri të debitorit kur
këtë mospranim e kërkon administratori i falimentimit më miratimin e komitetit të kreditorëve, kur është caktuar një i tillë.
3. Kundër vendimit të mospranimit të planit të riorganizimit, paraqitësi i tij ka të drejtën e ankimit të veçantë.
4. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të vendosë përjashtimin e një kreditori të siguruar
ose të një grupimi të tyre nga zbatimi i planit të riorganizmit.

Neni 195
Komente për planin

1. Kur plani i riorganizimit pranohet, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ia kalon atë për mendim:
a) komitetit të kreditorëve, kur ka një të tillë, si organi i përfaqësimit të punonjësve;
c) debitorit kur planin e ka paraqitur administratori i falimentimit;
d) administratorit të falimentimit kur planin e ka paraqitur debitori.
2. Gjykata mund t’u japë rastin të shprehen edhe organeve zyrtare të përfaqësuesve profesionalë
të debitorit për industrinë, tregtinë, artizanatin ose bujqësinë;.
3. Gjykata cakton një afat për dorëzimin e mendimeve.

Neni 196
Pezullimi i disponimit dhe shpërndarjes

Derisa vazhdimi i disponimit dhe shpërndarjes së pasurive të një mase falimentimi pengon
zbatimin e planit të paraqitur të riorganizimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, me kërkesë të
debitorit ose të administratorit të falimentimit, urdhëron pezullimin e disponimit dhe të
shpërndarjes. Gjykata anulon ose ndalon pezullimin, nëse ai sjell rrezik me dëme të ndjeshme për
masën e falimentimit ose kur administratori, me miratimin e komitetit të kreditorëve ose
mbledhjes së kreditorëve, kërkon vazhdimin e disponimit dhe të shpërndarjes.

Neni 197
Paraqitja e planit

Plani i riorganizimit me shtojcat dhe komentet e marra depozitohet në zyrën e regjistrit të gjykatës për inspektim nga palët.


KREU II
PRANIMI DHE MIRATIMI I PLANIT TË FALIMENTIMIT


Neni 198
Diskutimet dhe mbledhja për votim

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit cakton një afat për mbledhjen e diskutimit të planit të
riorganizimit dhe të së drejtës së votës të kreditorëve për votimin e planit të riorganizimit.
Mbledhja caktohet jo më vonë se një muaj.
2. Data e mbledhjes së diskutimit dhe e votimit shpallet publikisht. Shpallja publikisht vë në
dukje që plani me gjithë komentet mund të inspektohet në regjistrin e gjykatës.
3. Kreditorët e falimentimit që kanë paraqitur pretendime, kreditorët me të drejtë ripagimi të
veçantë, administratori i falimentimit, debitori dhe organi i përfaqësimit të punonjësve njoftohen
individualisht. Me ftesën dërgohet edhe një kopje e planit ose një përmbledhje e tij.

Neni 199
Mbledhja për verifikim

Mbledhja për diskutim dhe votim nuk duhet të mbahet përpara mbledhjes për verifikim.
Megjithatë, data e mbajtjes së dy mbledhjeve mund të përkojë.

Neni 200
E drejta e votës së kreditorëve të falimentimit

1. Për të drejtën e votimit të kreditorëve të falimentimit që votojnë në planin e riorganizimit
zbatohen, sipas rastit, parashikimet e pikave 1, fjalia e parë, 2 dhe 3 shkronja “a” të nenit 64 të
këtij ligji. Kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë kanë të drejtën e votimit vetëm si kreditorë
falimentimi në rastin kur mund të pretendojnë që debitori të përgjigjet edhe personalisht dhe nëse
heqin dorë nga ripagimi i veçantë ose nuk janë ripaguar plotësisht në këtë mënyrë; për sa kohë
mosripagimi i tyre nuk është vërtetuar, ata merren parasysh për vlerën e mundshme të pjesës që nuk është ripaguar.
2. Kreditorët, pretendimet e të cilëve nuk dëmtohen nga plani, nuk kanë të drejtë vote.

Neni 201
E drejta e votës së kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë

1. Nëse në planin e riorganizimit rregullohet edhe statusi ligjor i kreditorëve me të drejtë ripagimi
të veçantë, gjatë mbledhjes shqyrtohen veçmas edhe të drejtat e këtyre kreditorëve. E drejta e
votës lind nga të drejtat e ripagimit të veçantë, që nuk kundërshtohen nga administratori i
falimentimit dhe as nga kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë ose nga kreditorët e
falimentimit. Për të drejtën e votës që lidhet me një të drejtë të kundërshtuar, të pezulluar ose të
pamaturuar, zbatohen, sipas rastit, neni 40 dhe pikat 2 dhe 3 shkronja “a” të nenit 64 të këtij ligji.
2. Pika 2 e nenit 200 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

Neni 202
Lista e votimit

Nëpunësi i regjistrit të gjykatës shënon në një listë kreditorët që rezultojnë me të drejtë vote pas
përfundimit të mbledhjes.

Neni 203
Ndryshimi i planit

Pala kërkuese ka të drejtë të ndryshojë përmbajtjen e dispozitave të veçanta të planit të
riorganizimit në përputhje me përfundimet e mbledhjes së verifikimit. Për planin e ndryshuar
mund të votohet në të njëjtën mbledhje.

Neni 204
Mbledhja e veçantë për votim

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të caktojë një mbledhje të veçantë për votimin e
planit të riorganizimit. Në këtë rast periudha kohore ndërmjet mbledhjes për diskutim dhe
mbledhjes për votim nuk duhet të jetë më shumë se një muaj.
2. Në mbledhjen për votim ftohen kreditorët me të drejtë vote dhe debitori. Në rast se plani
ndryshohet, ndryshimi duhet të vihet në dukje në mënyrë të veçantë.

Neni 205
Votimi me shkrim

1. Kur është caktuar një mbledhje e veçantë, e drejta e votimit mund të ushtrohet me shkrim.
2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit u dërgon fletën e votimit të gjithë kreditorëve me të drejtë
vote pas mbledhjes së diskutimit dhe i njofton në të njëjtën mbledhje për të drejtën e tyre të votës.
Dhënia e votës me shkrim merret parasysh vetëm kur ka arritur në gjykatë jo më vonë se dita para
votimit. Kjo gjë duhet të vihet në dukje gjatë dorëzimit të fletëvotimit.

Neni 206
Votimi në grupe

Çdo grup i kreditorëve me të drejtë vote, voton veças për planin e riorganizimit.

Neni 207
Shumica e nevojshme

1. Për pranimin e planit të riorganizimit nga kreditorët kërkohet që në çdo grup:
a) shumica e kreditorëve me të drejtë vote të votojë pro planit;
b) shuma e pretendimeve të kreditorëve pro të jetë më shumë se gjysma e shumës së
pretendimeve të kreditorëve me të drejtë vote.
2. Kreditorët që gëzojnë një të drejtë bashkërisht ose të drejtat e të cilëve përbëjnë një të drejtë të
përbashkët deri në shfaqjen e arsyes për hapjen e procedurës së falimentimit, llogariten gjatë
votimit si një kreditor. I njëjti rregull vlen nëse mbi një të drejtë ekziston një e drejtë pengu ose uzufrukti.

Neni 208
Ndalimi i bllokimit

1. Edhe kur nuk arrihen shumicat e kërkuara, një grup votuesish vlerësohen se kanë dhënë miratimin nëse:
a) kreditorët e këtij grupi nuk dëmtohen nga plani i falimentimit, krahasuar me gjendjen e tyre sikur të mos kishte plan ;
b) kreditorët e këtij grupi përfitojnë pjesë në masë të arsyeshme në vlerën ekonomike që do t’u shkojë pjesëtarëve në bazë të planit;
c) shumica e grupeve votuese ka votuar pro planit me shumicën e nevojshme.
2. Sipas planit ka pjesëmarrje të arsyeshme të kreditorëve të një grupi në kuptimin e shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni kur:
a) asnjë kreditor tjetër nuk përfiton vlerë ekonomike që tejkalon shumën e plotë të pretendimit të tij;
b) nuk përfiton vlerë ekonomike kreditori i cili në mungesë të planit do të ripaguhej si pjesëtar i një rangu më të ulët krahasuar me kreditorët e tjerë të grupit, debitori dhe asnjë person tjetër me pretendime mbi pasuritë ose aksionet e debitorit;
c) asnjë kreditor, i cili në mungesë të planit do të ripaguhej si pjesëtar i një rangu të njëjtë me kreditorët e grupit, nuk ka përfitim më të madh sesa këta kreditorë.

Neni 209
Miratimi i kreditorëve të falimentimit të rangjeve më të ulëta

1. Për pranimin e planit të riorganizimit nga kreditorët e rangjeve më të ulëta zbatohen këto dispozita shtesë:
a) grupet që renditen sipas shkronjave “a” ose “b” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji quhen
se kanë dhënë miratimin kur ata heqin dorë nga pretendimet përkatëse për interesat ose
shpenzimet sipas planit ose quhet se është hequr dorë sipas pikës 1 të nenit 188 të këtij ligji, edhe
sikur pretendimet për shumat kryesore të kreditorëve të falimentimit të mos ripaguhen plotësisht sipas planit.
b) grupet me një rang më të ulët se shkronja “c” e pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji quhen se
kanë dhënë miratimin kur asnjëri prej kreditorëve të falimentimit nuk përfiton më shumë se kreditorët e këtij grupi sipas planit.
2. Nëse në votim nuk merr pjesë asnjë kreditor i një grupi, miratimi i grupit merret i dhënë.

Neni 210
Miratimi i debitorit

1. Miratimi i debitorit për planin vlerësohet i dhënë kur ai, jo më vonë se datat e mbledhjes për
votim, nuk e kundërshton planin me shkrim ose në regjistrin e gjykatës. Nëse debitori nuk është
person fizik, mendimi kundërshtues i një ose disa personave, që kanë shumicën e pjesëve ose
aksioneve të debitorit quhet i njëjtë me mendimin kundërshtues të debitorit.
2. Kundërshtimi sipas pikës 1 të këtij neni quhet i pavlefshëm kur:
a) debitori nëpërmjet planit nuk shkakton një gjendje më të keqe sesa sikur të mos kishte plan;
b) asnjë kreditor nuk përfiton një vlerë ekonomike më të lartë sesa pretendimi i tij.

Neni 211
Vërtetimi nga gjykata

1. Pas pranimit të planit të riorganizimit prej kreditorëve, sipas parashikimeve të neneve 207 dhe
209 të këtij ligji dhe pasi debitori jep pëlqimin, plani duhet miratuar nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit.
2. Para marrjes së vendimit për miratim, gjykata dëgjon administratorin e falimentimit, komitetin
e kreditorëve, nëse ka një të tillë, dhe debitorin.

Neni 212
Plani i kushtëzuar

Nëse në planin e riorganizimit është parashikuar që para miratimit të plotësohen kushte të
caktuara ose të zbatohen masa të tjera, plani nuk mund të miratohet derisa të jenë përmbushur
këto kushte. Miratimi nuk jepet, kryesisht, nëse këto kushte nuk janë përmbushur edhe pas
mbarimit të një afati të arsyeshëm, të vendosur nga gjykata.

Neni 213
Shkelja e dispozitave procedurale

Miratimi nuk jepet:
a) kur nuk janë marrë parasysh dispozitat për përmbajtjen dhe aspektet procedurale të
planit të riorganizimit, si dhe pranimi nga kreditorët dhe miratimi nga debitori, për një çështje
thelbësore dhe e meta nuk mund të korrigjohet;
b) kur pranimi i planit është bërë me mjete të papërshtatshme, veçanërisht duke sjellë përfitim për një kreditor të caktuar.

Neni 214
Mbrojtja e pakicave

1. Me kërkesë të një kreditori, miratimi i planit nuk pranohet kur një kreditor:
a) kundërshton planin me shkrim ose në regjistrin e gjykatës brenda datës së mbledhjes për votim;
b) shkakton një gjendje më të keqe se sa po të mos kishte plan.
2. Kreditori me kërkesë duhet të provojë, në mënyrë bindëse, për gjykatën se plani shkakton një gjendje më të keqe.

Neni 215
Shpallja e vendimit

1. Vendimi me anë të të cilit plani i riorganizimit miratohet ose hidhet poshtë duhet të shpallet në
mbledhjen për votim ose në një mbledhje të veçantë, që duhet të caktohet në afatin më të afërt.
2. Kur plani miratohet, kreditorëve të falimentimit, që kanë depozituar pretendime dhe
kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë u dërgohet një kopje e planit ose një përmbledhje
thelbësore e tij, duke vënë në dukje faktin e miratimit.

Neni 216
Ankimi

Kreditorët dhe debitori mund të paraqesin ankim të veçantë sipas Kodit të Procedurës Civile
kundër vendimit që miraton ose nuk e miraton planin e falimentimit.


PJESA E SHTATË
PASOJA TË PLANIT TË MIRATUAR.
MBIKËQYRJA E PËRMBUSHJES SË PLANIT
KREU I


Neni 217
Pasojat e përgjithshme të planit

1. Sapo vendimi që miraton planin e riorganizimit merr formë të prerë, pasojat e tij të pjesës së
analizës janë të vlefshme dhe sjellin pasoja mbi të gjithë pjesëtarët. Nëse pjesa analizuese kërkon
lindjen, ndryshimin, kalimin ose heqjen dorë nga të drejtat mbi sendet ose nëse një pjesë e
veprimtarisë së një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar duhet të mbyllet, deklaratat e vullnetit të
palëve të përfshira në plan quhen se janë ekzekutuar në formën e kërkuar nga ligji. I njëjti rregull
vlen edhe për detyrime të marra përsipër, që bazohen në lindjen, ndryshimin, kalimin ose
anulimin e të drejtave mbi sende ose heqjen dorë nga pjesët ose aksionet. Dy fjalitë e para të kësaj
pike zbatohen edhe për kreditorët e falimentimit, që nuk i kanë depozituar pretendimet e tyre, si
dhe për palët që kanë kundërshtuar planin.
2. Plani nuk cenon të drejtat e kreditorëve të falimentimit kundrejt bashkëdebitorëve të debitorit
ose garantëve të debitorit, si dhe të drejtat e këtyre kreditorëve mbi sende që nuk i përkasin masës
së falimentimit ose që burojnë nga një njoftim përparësie në radhën e pagesës për këto sende.
Megjithatë, nëpërmjet planit, debitori shkarkohet kundrejt bashkëdebitorëve, garantëve ose
palëve të tjera që kanë pretendime ndaj tij në të njëjtën mënyrë siç shkarkohet kundrejt kreditorëve të falimentimit.
3. Nëse një kreditor është ripaguar më shumë se pjesa që i takonte sipas planit, nuk i kërkohet të kthejë pjesën e tepërt.

Neni 218
Klauzola e ringritjes së padisë

1. Nëse në bazë të pjesës analizuese të planit të riorganizimit, pretendimet e kreditorëve të
falimentimit janë pezulluar ose janë anuluar pjesërisht, pezullimi ose anulimi nuk ka pasoja mbi
kreditorin, pretendimet e të cilit debitori nuk i përmbush në një masë të ndjeshme gjatë zbatimit të
planit të falimentimit. Mospërmbushja në masë të ndjeshme quhet e tillë vetëm nëse debitori nuk
ka paguar në afat detyrimin e maturuar edhe pas njoftimit me shkrim të kreditorit dhe pasi i është
lënë një afat pagese prej të paktën dy javësh.
2. Nëse hapet një procedurë e re falimentimi mbi pasuritë e debitorit para zbatimit të plotë të
planit, pezullimi ose heqja dorë nga pretendimet nuk është më e vlefshme për kreditorët e falimentimit.
3. Plani mund të parashikojë ndryshe nga sa më sipër. Megjithatë, plani nuk mund të shmangë
zbatimin e pikës 1 të këtij neni, në dëm të debitorit.

Neni 219
Pretendimet e kundërshtueshme. Pretendimet me zëvendësim

1. Nëse një pretendim është kundërshtuar në mbledhjen e verifikimit ose shuma e pretendimit
zëvendësues të ngritur nga kreditori i falimentimit me të drejtë ripagimi të veçantë nuk është
verifikuar ende, nuk vërtetohet rasti i mospërmbushjes së detyrimit në zbatim të planit të
riorganizimit në përputhje me pikën 1 të nenit 218 të këtij ligji, me kusht që debitori të marrë
parasysh pretendimin derisa të bëhet verifikimi i shumës së kërkuar në masën që i përgjigjet
vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit mbi të drejtën e votës së këtij kreditori për
votimin për planin e riorganizimit. Në qoftë se gjykata nuk merr vendim për të drejtën e votimit,
me kërkesë të debitorit ose të kreditorit, ajo merr një vendim të mëvonshëm për shumën e
pretendimit, që debitori duhet të marrë parasysh në periudhën e kushteve të përkohshme.
2. Në qoftë se ky verifikim përfundimtar tregon se debitori ka paguar në mënyrë të
pamjaftueshme, atëherë paguhet shuma e prapambetur. Quhet mospërmbushje e zbatimit të planit
në masë të ndjeshme vetëm rasti kur debitori nuk paguan shumën e prapambetur, megjithëse
kreditori ka njoftuar me shkrim dhe i ka lejuar një afat prej jo më pak se dy javësh.
3. Në qoftë se përcaktimi përfundimtar tregon se debitori ka mbipaguar, ai mund të kërkojë
kthimin e shumës së mbipaguar vetëm për sasinë që tejkalon shumën e pamaturuar të pretendimit
të kreditorit sipas planit të riorganizimit.

Neni 220
Zbatimet e planit

1. Kreditorët e falimentimit, pretendimet e të cilëve janë verifikuar dhe janë të pakundërshtuara
nga debitori, mund të kërkojnë ekzekutimin e pretendimeve ndaj debitorit në mbledhjen e
verifikimit në të njëjtën mënyrë sikur të ishte një vendim i formës së prerë, në bazë të planit të
miratuar të falimentimit. Pretendimi i pakundërshtuar barazohet me një pretendim të cilit i është
hedhur poshtë kundërshtimi i ngritur. Neni 165 i këtij ligji zbatohet sipas rastit.
2. I njëjti rregull vlen edhe për ekzekutimin e detyrueshëm të debitorit ndaj një të treti, i cili
garanton përmbushjen e detyrimeve sipas planit me anë të një deklarate me shkrim të dorëzuar në
seksionin tregtar të gjykatës së rrethit pa rezervën e kundërshtimit.
3. Në qoftë se një kreditor pretendon të drejtën që i takon në rastin e moszbatimit të planit të
falimentimit nga debitori në një masë të ndjeshme, kreditori, për të përdorur klauzolën e
ekzekutimit për këto të drejta dhe me qëllim që të fillojë ekzekutimin, duhet t’i provojë gjykatës,
në mënyrë bindëse, pjesën e papaguar dhe mbarimin e periudhës së njoftimit, por nuk duhet të
provojë fakte të tjera për mospërmbushjen e detyrimit nga debitori.

Neni 221
Mbyllja e procedurës së falimentimit

1. Sapo vendimi që miraton planin e riorganizimit merr formë të prerë, seksioni tregtar i gjykatës
së rrethit vendos mbylljen e procedurës së falimentimit.
2. Para mbylljes, administratori korrigjon pretendimet e pakundërshtueshme ndaj masës së
falimentimit dhe jep mjete sigurimi për pretendimet e kundërshtueshme.
3. Ky vendim dhe shkaku i mbylljes shpallen publikisht. Debitori, administratori i falimentimit
dhe anëtarë të komitetit të kreditorëve njoftohen që më parë për datën kur hyn në fuqi mbyllja e
procedurës. Pika 2 e nenit 200 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

Neni 222
Pasojat e mbylljes

1. Me mbylljen e procedurës së falimentimit mbarojnë edhe të gjitha funksionet e administratorit
të falimentimit dhe të anëtarëve të komitetit të kreditorëve. Debitorit i kthehet e drejta të
disponojë lirisht masën e falimentimit.
2. Dispozitat për mbikëqyrjen e zbatimit të planit nuk cenohen.
3. Çdo padi e ngritur për të kundërshtuar veprimet e debitorit në procedurën e falimentimit mund
të vazhdohet nga administratori edhe pas mbylljes së procedurës, nëse kjo është parashikuar në
pjesën analizuese të planit. Në këtë rast, padia vazhdohet për llogari të debitorit nëse në plan nuk
është parashikuar ndryshe.

Neni 223
Mbikëqyrja e zbatimit të planit

1. Mbikëqyrja e zbatimit të planit mund të parashikohet në pjesën analizuese të planit të riorganizimit.
2. Pas mbylljes së procedurës së falimentimit, në rastin e pikës 1 të këtij neni, mbikëqyret
përmbushja e pretendimeve që u takojnë kreditorëve ndaj debitorit, sipas pjesës trajtuese të planit të riorganizimit.
3. Kur kjo gjendje është parashikuar në pjesën analizuese, mbikëqyrja përfshin përmbushjen e
pretendimeve të kreditorëve, që sipas pjesës analizuese, ngrihen kundër një personi juridik ose një
shoqërie të thjeshtë, të krijuar pas hapjes së procedurës për t’u bashkuar me veprimtarinë ose për
ta vazhduar atë ose ndërmarrjen e debitorit (shoqëria e bashkuar).

Neni 224
Detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit të falimentimit

1. Mbikëqyrja është detyrë e administratorit të falimentimit. Detyrat e administratorit të
falimentimit dhe të anëtarëve të komitetit të kreditorëve dhe mbikëqyrja e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit vazhdojnë të ekzistojnë.
2. Gjatë kohës së mbikëqyrjes, administratori ka për detyrë t’i raportojë, çdo vit, komitetit të
kreditorëve, kur është caktuar një i tillë dhe gjykatës për gjendjen dhe perspektivën e mëtejshme
të realizimit të planit të riorganizimit. E drejta e komitetit të kreditorëve dhe e gjykatës për të
kërkuar në çdo kohë të dhëna të veçanta ose një raport ndërmjetës, mbetet e pacenuar.

Neni 225
Detyrimi i administratorit të falimentimit për të njoftuar

Nëse administratori vëren se pretendimet, shlyerja e të cilave mbikëqyret, nuk paguhen ose nuk
mund të paguhen, ai ia bën të njohur këtë fakt, pa vonesë, komitetit të kreditorëve dhe seksionit
tregtar të gjykatës së rrethit. Nëse nuk është caktuar komitet kreditorësh, administratori në vend të
tij njofton të gjithë kreditorët, të cilëve, sipas pjesës analizuese të planit të riorganizimit, u takon
ripagimi i pretendimeve kundër debitorit ose shoqërisë në të cilën është shndërruar shoqëria
ekzistuese, sipas pjesës analizuese të planit të riorganizimit.

Neni 226
Veprimet që kërkojnë pëlqim

Në pjesën analizuese të planit të riorganizimit mund të parashikohet që veprime të debitorit ose të
shoqërisë së bashkuar janë të vlefshme kur jepet pëlqimi i administratorit të falimentimit. Nenet
68 pika 1 dhe 69 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 227
Kufiri i kredisë

1. Në pjesën analizuese të planit të riorganizimit mund të parashikohet që kreditorët e
falimentimit me rang më të ulët në krahasim me kreditorët, pretendimet e të cilëve rrjedhin prej
një huaje ose kredie tjetër ku debitori ose shoqëria e bashkuar është bërë palë gjatë kohës së
mbikëqyrjes, duhet të vazhdojnë të ruajnë statusin e tyre të kreditorit të rangut më të ulët edhe në
periudhën e mbikëqyrjes. Në këtë rast, duhet të caktohet një kufi maksimal për kreditë e këtij
lloji. Ky nuk duhet të tejkalojë vlerën e sendeve të paraqitura në pasqyrën e mbikëqyrjes së
pasurive, pjesë e planit, sipas nenit 192 të këtij ligji.
2. Kreditorët e falimentimit radhiten në rang më të ulët, sipas pikës 1, vetëm në krahasim me
kreditorët të cilët arrijnë në marrëveshje se çfarë mase e pretendimit kryesor, e interesave dhe e
shpenzimeve të huasë të dhëna prej tyre nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të huasë dhe për të
cilat merret një miratim i shkruar nga administratori i falimentimit.
Shkronja “ç” e pikës 1 të nenit 42 nuk cenohet nga parashikimet e këtij neni.

Neni 228
Rangjet më të ulëta të kreditorëve të rinj

Kreditorët, të drejtat e të cilëve rrjedhin nga kredi të dhëna ose të hapura sipas nenit 227 të këtij
ligji, kanë pretendime të një rangu më të ulët sesa kreditorët me pretendime të tjera kontraktore që
lindin gjatë periudhës së mbikëqyrjes. Këto pretendime vlerësohen të njëjta me ato që lindin në
bazë të një kontrate të ndashme, e lidhur para fillimit të mbikëqyrjes, për periudhën kohore pas
datës së parë kur kreditori mund të zgjidhte kontratën pas fillimit të mbikëqyrjes.

Neni 229
Marrja parasysh e statusit të rangut më të ulët

1. Çdo lloj rangu më i ulët i kreditorëve të falimentimit dhe i kreditorëve të përcaktuar në nenin
228 të këtij ligji, merret parasysh vetëm nëse procedura e falimentimit hapet para përfundimit të mbikëqyrjes.
2. Në këtë procedurë të re falimentimi, këta kreditorë kanë përparësi mbi kreditorët e tjerë të rangjeve më të ulëta.

Neni 230
Njoftimi i mbikëqyrjes

1. Nëse zbatimi i planit të riorganizimit mbikëqyret, ky fakt shpallet publikisht bashkë me
vendimin për mbylljen e procedurës së falimentimit.
2. Shpallja publike duhet të përfshijë:
a) në rastin e pikës 3 të nenit 223 të këtij ligji, shtrirjen e mbikëqyrjes edhe mbi shoqërinë e bashkuar;
b) në rastin e nenit 226 të këtij ligji, kriteret e veprimeve që kërkojnë miratimin e administratorit të falimentimit;
c) në rastin e nenit 227 të këtij ligji shumën e kufirit maksimal të huasë.
3. Neni 30 i këtij ligji zbatohet sipas rastit. Nëse në rastin e nenit 226 të këtij ligji kufizohet e drejta për kalim të një pasurie të paluajtshme ose një të drejte tjetër të regjistruar në një regjistër pasurie, zbatohet sipas rastit neni 31 i këtij ligji.

Neni 231
Përfundimi i mbikëqyrjes

Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos përfundimin e mbikëqyrjes:
a) kur pretendimet, shlyerja e të cilave mbikëqyret, janë përmbushur ose përmbushja e tyre është siguruar;
b) kur kanë kaluar tre vjet nga përfundimi i procedurës së falimentimit dhe nuk është
paraqitur kërkesë për fillimin e një procedurë të re falimentimi.
Vendimi shpallet publikisht. Pika 3 e nenit 230 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

Neni 232
Shpenzimet e mbikëqyrjes

Debitori paguan shpenzimet e mbikëqyrjes. Në rastin e pikës 3 të nenit 223 shpenzimet për
mbikëqyrjen i paguan shoqëria e bashkuar.


PJESA E TETË
ADMINISTRIMI NGA VETË DEBITORI
KREU I


Neni 233
Kushtet

1. Debitori mund të administrojë ose disponojë mbi pasuritë e masës së falimentimit nën
kontrollin e një mbikëqyrësi nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos vetadministrimin në
vendimin për hapjen e procedurës së falimentimit. Kjo procedurë u nënshtrohet dispozitave të
përgjithshme, përveç rastit kur në këtë pjesë parashikohet ndryshe.
2. Vendimi i gjykatës për administrimin nga vetë debitori përmban:
a) kërkesën e debitorit;
b) miratimin e kreditorit, që kërkon hapjen e procedurës së falimentimit për kërkesën e debitorit;
c) në përputhje me rrethanat, duhet që mendimi i gjykatës të mos sjellë një shtytje të
procedurës ose të sjellë dëme për kreditorët.
3. Në rastin e pikës 1 të këtij neni, vendoset mbikëqyrës në vend të një administratori të
falimentimit. Pretendimet e kreditorëve të falimentimit depozitohen te mbikëqyrësi. Në këtë rast
nuk zbatohen parashikimet e nenit 31 të këtij ligji.

Neni 234
Urdhri i mëvonshëm

Në qoftë se seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka hedhur poshtë kërkesën e debitorit për
vetadministrim, por mbledhja e kreditorëve kërkon vetadministrimin e debitorit nën kontrollin e
një mbikëqyrësi, gjykata urdhëron vetadministrimin. Administratori i mëparshëm mund të caktohet si mbikëqyrës.

Neni 235
Anulimi i urdhrit të gjykatës për administrim nga vetë debitori nën mbikëqyrje

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit anulon urdhrin për administrim nga vetë debitori nën
mbikëqyrjen e një mbikëqyrësi, nëse diçka e tillë kërkohet:
a) nga mbledhja e kreditorëve;
b) nga një kreditor me të drejtë ripagimi të veçantë ose nga kreditori i falimentimit edhe
nëse nuk ekzistojnë me kushtet e parashikuara nga shkronja “c” e nenit 233 të këtij ligji;
c) nga debitori.
2. Kërkesa e një kreditori është e pranueshme nëse i vërteton gjykatës, në mënyrë bindëse, se nuk
ekzistojnë me kushtet. Përpara se të vendosë për kërkesën, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit
dëgjon debitorin. Kundër vendimit kreditori dhe debitori kanë të drejtën e ankimit të veçantë,
sipas Kodit të Procedurës Civile.
3. Mbikëqyrësi i deriatëhershëm mund të caktohet si administrator falimentimi.

Neni 236
Shpallja publike

Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, me të cilin urdhërohet administrimi nga vetë
debitori pas fillimit të procedurës së falimentimit ose me të cilin anulohet ky urdhër, shpallet publikisht.

Neni 237
Statusi i mbikëqyrësit

1. Zbatohen sipas rastit neni 37 shkronja “b”, nenet 43 deri në 47 dhe nenet 48 deri në 51 të këtij
ligji për caktimin e mbikëqyrësit, për mbikëqyrjen e tij nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit,
përgjegjësive dhe të shpërblimeve të mbikëqyrësit.
2. Mbikëqyrësi verifikon gjendjen ekonomike të debitorit dhe monitoron administrimin e biznesit
dhe shpenzimet për përballimin e jetesës.
3. Kur mbikëqyrësi vëren rrethana që sugjerojnë se vazhdimi i vetadministrimit do të dëmtonte
kreditorët, ai ua bën të ditur këtë rrethanë, pa vonesë, komitetit të kreditorëve dhe seksionit
tregtar të gjykatës së rrethit. Kur nuk është caktuar komitet kreditorësh, mbikëqyrësi njofton
kreditorët e falimentimit, që kanë depozituar pretendimet e tyre dhe kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë.

Neni 238
Kërkesa për miratimin e mbikëqyrësit

1. Debitori mund të marrë përsipër detyrime që nuk kanë të bëjnë me ushtrimin e zakonshëm të
veprimtarisë, vetëm me pëlqimin e mbikëqyrësit. Debitori nuk mund të marrë përsipër detyrimet
që kanë të bëjnë me ushtrimin e veprimtarisë, kur mbikëqyrësi e kundërshton këtë veprim.
2. Mbikëqyrësi mund t’i kërkojë debitorit t’i lejojë atij mbledhjen dhe kryerjen e të gjitha pagesave.

Neni 239
Kërkesa për pëlqimin e komitetit të kreditorëve

Debitori duhet të marrë pëlqimin e komitetit të kreditorëve për çdo veprim juridik të një rëndësie
të veçantë për procedurën e falimentimit. Nenet 128 pika 2, 129 dhe neni 132 të këtij ligji
zbatohen sipas rastit.

Neni 240
Urdhri i gjykatës për miratim

1. Me kërkesë të mbledhjes së kreditorëve, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit urdhëron që
veprime juridike të caktuara të debitorit të jenë të vlefshme vetëm me miratimin e mbikëqyrësit.
Nenet 68 dhe 69 të këtij ligji zbatohen sipas rastit. Në qoftë se mbikëqyrësi miraton një veprim,
që krijon një detyrim ndaj masës së falimentimit, neni 47 zbatohet sipas rastit.
2. Urdhri mund të lëshohet me kërkesë të një kreditori me të drejtë ripagimi të veçantë ose të një
kreditori të masës së falimentimit kur kërkesa është urgjente, me qëllim që të shmangë dëmtimin
e kreditorëve. Urdhri lëshohet kur pala kërkuese i vërteton gjykatës, në mënyrë bindëse, se janë kushtet për një urdhër të tillë.
3. Urdhri shpallet publikisht. Neni 30 i këtij ligji zbatohet sipas rastit. Nëse e drejta për tjetërsim
të një pasurie të paluajtshme ose një e drejtë tjetër e regjistruar në një regjistër pronësie kërkojnë
dhënien e miratimit, zbatohet sipas rastit neni 31 i këtij ligji.

Neni 241
Fondet për debitorin për përballimin e jetesës

1. Debitori mund të marrë nga masa e falimentimit një shumë të caktuar për vete dhe për anëtarët
e familjes, siç përcaktohet në të pikën 2 të nenit 84 të këtij ligji, e cila i lejon atij kushte modeste jetese.
2. Nëse debitori nuk është person fizik, zbatohet pika 1 e këtij neni, sipas rastit, për anëtarët e
organit që përfaqëson debitorin dhe që veprojnë në të njëjtën mënyrë si ortakët e përgjithshëm të debitorit.

Neni 242
Kontratat

Dispozitat e këtij ligji për përmbushjen e veprimeve juridike, të parashikuara në nenet 86 deri 89
të këtij ligji zbatohen me kusht që debitori të zëvendësojë administratorin e falimentimit. Debitori
ushtron të drejta, sipas këtyre dispozitave, me miratimin e mbikëqyrësit.

Neni 243
Detyrimet ndaj masës së falimentimit. Kundërshtimi i veprimeve

Vetëm mbikëqyrësi mund të pretendojë detyrimet në favor të masës së falimentimit sipas neneve
77 dhe 78 të këtij ligji, si dhe të kundërshtojë veprime sipas neneve 100 deri 115 të këtij ligji.

Neni 244
Njoftimi i kreditorëve

1. Debitori përcakton listën e sendeve të masës së falimentimit, listën e kreditorëve dhe tabelën e pasurive, sipas neneve 119 deri 121 të këtij ligji. Mbikëqyrësi duhet të verifikojë listat dhe tabelën e pasurive dhe të japë shpjegime me shkrim për secilën prej tyre, duke treguar nëse rezultatet e verifikimit lënë vend për vërejtje.
2. Debitori raporton në mbledhjen e raportimit. Mbikëqyrësi komenton raportimin.
3. Debitori ka për detyrë të paraqesë llogaritë, sipas neneve 53 dhe 123 të këtij ligji.

Neni 245
Zotërimi i kolateralit

1. Debitori ushtron të drejtën e administratorit të falimentimit për të zotëruar mbi sende, të cilat i
nënshtrohen të drejtës së ripagimit të veçantë. Megjithatë nuk paguhen shpenzimet e përcaktimit
të sendeve dhe të të drejtave mbi këto sende. Si shpenzime zotërimi mund të caktohen vetëm
shpenzimet për zotërimin e sendit dhe detyrimi tatimor i mundshëm.
2. Debitori ushtron të drejtën e vet për zotërim me miratimin e mbikëqyrësit.

Neni 246
Ripagimi i kreditorëve të falimentimit

1. Gjatë shqyrtimit të pretendimeve, debitori dhe mbikëqyrësi mund të kundërshtojnë pretendimet
e depozituara, përveç kreditorëve të falimentimit. Pretendimi i kundërshtuar nga një kreditor
falimentimi, nga debitori ose nga mbikëqyrësi quhet i pavërtetuar.
2. Debitori kryen shpërndarjen. Mbikëqyrësi verifikon të gjitha listat e shpërndarjes dhe deklaron
me shkrim, për secilin rast, nëse ka vërejtje për rezultatet e verifikimit.

Neni 247
Plani i riorganizimit

1. Mbikëqyrësi ose debitori merr përsipër detyrën e mbledhjes së kreditorëve për hartimin e planit
të riorganizimit. Kur detyra i ngarkohet debitorit, mbikëqyrësi bashkëpunon si këshilltar në hartimin e këtij plani.
2. Mbikëqyrësi kontrollon aspektet e ndryshme të zbatimit të planit.

Neni 248
Pamjaftueshmëria e pasurive në masën e falimentimit

Mbikëqyrësi njofton gjykatën për pamjaftueshmërinë e pasurive në masën e falimentimit.


PJESA E NËNTË
SHKARKIMI NGA PJESA E MBETUR E DETYRIMIT
KREU I


Neni 249
Parimi

Kur debitori është person fizik, ai shkarkohet nga detyrimet e pashlyera ndaj kreditorëve të
falimentimit gjatë procedurës së falimentimit, sipas dispozitave të parashikuara në nenet 250 deri në 266 të këtij ligji.

Neni 250
Kërkesa e debitorit

1. Shkarkimi nga detyrimet e mbetura bëhet me kërkesë të debitorit. Kërkesa me shkrim
depozitohet në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit ose regjistrohet në regjistrin e gjykatës. Kjo
kërkesë mund t’i bashkohet kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit.
2. Kërkesës i bashkëlidhet deklarata, që vërteton vullnetin e debitorit për t’ia kaluar një
kujdestari, të cilin e cakton gjykata, shumat e tepërta që duhet t’i paguhen atij e që burojnë nga
një kontratë shërbimi. Kujdestari caktohet për një periudhë prej tre vjetësh pas mbylljes së
procedurës së falimentimit. Në qoftë se debitori ia ka kaluar ose ia ka dhënë peng një të treti këto
pretendime përpara kërkesës, ky fakt shënohet në deklaratë.
3. Janë të pavlefshme marrëveshjet që përjashtojnë, kushtëzojnë ose, në mënyra të tjera, kufizojnë
debitorin të heqë dorë prej pretendimeve për të përfituar pagesa që burojnë nga një marrëdhënie
shërbimi ose pagesa aktuale në vend të tyre, në rastin kur këto marrëveshje pengojnë ose
dëmtojnë deklaratën për heqje dorë sipas fjalisë së parë të pikës 2 të këtij neni.

Neni 251
E drejta e propozimit

Debitori dhe kreditorët mund t’i propozojnë seksionit tregtar të gjykatës së rrethit një individ të
përshtatshëm për të vepruar si i besuar në rastin konkret.

Neni 252
Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

1. Kreditorët e falimentimit ose administratori i falimentimit dëgjohen në mbledhjen
përfundimtare me kërkesë të debitorit.
2. Kundër këtij vendimi mund të paraqesë ankim të veçantë debitori dhe çdo kreditor falimentimi,
që nuk ka pranuar shkarkimin nga detyrimet e mbetura në mbledhjen përfundimtare. Procedura e
falimentimit përfundon pasi vendimi të marrë formë të prerë. Vendimi i formës së prerë shpallet
publikisht bashkë me vendimin për mbylljen e procedurës së falimentimit.

Neni 253
Refuzimi për shkarkimin nga detyrimi i mbetur

1. Vendimi nuk pranon shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur mospranimi është kërkuar nga një
kreditor i falimentimit në mbledhjen përfundimtare dhe kur:
a) debitori është dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale, sipas dispozitave të Kodit Penal;
b) debitori, në tri vitet e fundit para kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit ose
pas paraqitjes së kësaj kërkese, me qëllim ose për shkak të pakujdesisë ka dhënë deklaratë, me
shkrim, false ose të paplotë, për gjendjen e tij ekonomike, me anë të së cilës debitori ka zbatuar
për një kredi, për grante nga fonde publike ose ka shmangur pagesa në favor të fondeve publike;
c) debitori është shkarkuar nga detyrimet e mbetura në dhjetë vitet e fundit përpara
kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas kërkesës, ose nëse kjo kërkesë është
hedhur poshtë sipas neneve 259 ose 260 të këtij ligji;
ç) debitori, në vitin e fundit përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose
pas kësaj kërkese, me qëllim ose nga pakujdesia, ka penguar ripagimin e kreditorëve të
falimentimit, duke krijuar detyrime të panevojshme, duke shpërdoruar pasuritë ose duke vonuar
hapjen e procedurës së falimentimit ose të perspektivës për përmirësimin e gjendjes së tij ekonomike;
d) gjatë procedurës së falimentimit, debitori me qëllim ose nga pakujdesia ka shkelur
detyrimin për të dhënë të dhëna ose për të bashkëpunuar;
dh) debitori ka dhënë deklarata false ose të paplota, me qëllim ose nga pakujdesia, në
listat e detyrueshme për t’u paraqitur për pasurinë dhe të ardhurat e tij, të kreditorëve të tij dhe të pretendimeve të ngritura ndaj tij.
2. Kërkesa e kreditorit për mospranim shoqërohet me një letërshpjeguese të shkaqeve për të cilat nuk duhet pranuar shkarkimi nga detyrimi i mbetur.

Neni 254
Dhënia me kusht e shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Përveç rastit kur ekziston njëri nga kushtet e nenit 253 të këtij ligji, seksioni tregtar i gjykatës
së rrethit deklaron në vendimin e vet nëse debitori fiton shkarkimin nga detyrimi i mbetur.
2. Gjykata cakton me të njëjtin vendim të besuarin, të cilit i kalojnë të ardhurat e tepërta të
debitorit, sipas deklaratës që bën debitori për këtë qëllim, sipas pikës 2 të nenit 250 të këtij ligji.

Neni 255
Statusi juridik i kujdestarit

1. Kujdestari ka detyrë t’i njoftojë statusin e vet personit të detyruar për të kryer pagesën.
Kujdestari ndan nga pasuritë e tij shumat e marra në bazë të këtij statusi, së bashku me pagesa të
tjera të kryera nga debitori ose palë të treta dhe ua shpërndan ato çdo vit kreditorëve mbi bazën e listës përfundimtare.
2. Mbledhja e kreditorëve mund t’i ngarkojë, gjithashtu, kujdestarit detyrën e mbikëqyrjes së
debitorit për përmbushjen e detyrave të tij. Në këtë rast, kujdestari njofton pa vonesë kreditorët
kur vëren shkelje për këto detyrime. Kujdestari është i detyruar të mbikëqyrë vetëm nëse është
paguar ose parapaguar pagesa shtesë për këtë detyrë.
3. Kujdestari, në përfundim të detyrës së vet, duhet t’i raportojë seksionit tregtar të gjykatës së
rrethit. Nenet 45 dhe 46 të këtij ligji zbatohen sipas rastit, ndërsa neni 46 i këtij ligji zbatohet me
kushtet që secili prej kreditorëve të falimentimit mund të kërkojë shkarkimin e kujdestarit dhe
çdo kreditor falimentimi mund të paraqesë ankim të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

Neni 256
Shpërblimi i kujdestarit

1. Kujdestari ka të drejtën e shpërblimit për punën e vet dhe për pagimin e shpenzimeve të
arsyeshme. Në shpërblim përfshihen koha e shpenzuar nga kujdestari dhe vëllimi i punës së tij.
2. Nenet 51 dhe 52 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 257
Trajtimi i barabartë i kreditorëve

1. Nuk mund të kryhen ekzekutime të detyrueshme mbi pasuritë e debitorit në favor të
kreditorëve të veçantë të falimentimit gjatë periudhës kur debitori ia ka kaluar kujdestarit të drejtën e veprimit.
2. Është e pavlefshme çdo marrëveshje e debitorit ose e personave të tjerë me kreditorë të veçantë
falimentimi, që parashikon përfitime për këta të fundit.
3. Personi i ngarkuar për të kryer pagesa që mbulohen nga veprimet e kujdestarit mund të bëjë një
kompensim të ndërsjellë për pretendimet kundër debitorit, që ka të drejtën e kompensimit, sipas
pikës 2 të nenit 96 të këtij ligji, në rast se procedura e falimentimit vazhdon.

Neni 258
Detyrimet e debitorit

1. Debitori gjatë kohëzgjatjes së kalimit të të drejtave kujdestarit ka detyrë të zbatojë rregullat e mëposhtme:
a) të zhvillojë një veprimtari të përshtatshme fitimprurëse ose të kërkojë punësim dhe të
mos refuzojë një punë të arsyeshme kur është i papunë;
b) t’i transferojë kujdestarit gjysmën e vlerës së pasurisë që ka fituar me rrugë trashëgimie
ose në lidhje me një të drejtë trashëgimie të ardhshme;
c) të njoftojë seksionin tregtar të gjykatës së rrethit dhe kujdestarin, pa vonesë, për çdo
ndryshim të vendbanimit ose të vendit të punës, të mos fshehë të ardhura ose çdo pasuri tjetër
sipas pikës 2 të këtij neni, që përfshihen në aktin e kalimit të të drejtave kujdestarit dhe të njoftojë
gjykatën dhe kujdestarin, me kërkesën e tyre, për të ardhurat nga punësimi ose për përpjekjet për
të gjetur punësim, si dhe për të ardhurat dhe pasurinë e tij;
ç) t’u kryejë pagesat kreditorëve të falimentimit vetëm nëpërmjet kujdestarit dhe të mos
sjellë përfitime të veçanta për asnjë kreditor falimentimi.
2. Në rast se debitori ushtron një veprimtari të pavaruar, ai ripaguan kreditorët nëpërmjet
kujdestarit, në të njëjtën mënyrë sikur të kishte hyrë në një kontratë të rregullt shërbimi.

Neni 259
Shkeljet e detyrimeve

1. Me kërkesë të një kreditori falimentimi, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë
shkarkimin nga detyrimet e mbetura kur debitori, gjatë kohëzgjatjes së aktit për veprim të
kujdestarit, shkel një prej detyrimeve të tij dhe, për pasojë, pengon shlyerjen e kreditorëve të
falimentimit. Ky rregull zbatohet vetëm kur debitori vepron me dashje. Kjo kërkesë mund të
paraqitet vetëm brenda një viti nga koha kur kreditori ka marrë dijeni për shkeljen e një detyrimi.
Kërkesa pranohet nëse kushtet e sipërpërmendura vërtetohen në mënyrë bindëse për gjykatën.
2. Para marrjes së vendimit për kërkesën, gjykata dëgjon kujdestarin, debitorin dhe kreditorët e
falimentimit. Debitori duhet të japë të dhëna mbi detyrimet e veta në këtë mbledhje dhe, kur e
kërkon kreditori, të sigurojë vërtetësinë e të dhënave duke dhënë një deklaratë të betuar. Kur
debitori nuk i jep të dhënat ose deklaratën e betuar brenda afatit të caktuar, pa ndonjë justifikim të
arsyeshëm, ose kur nuk paraqitet në mbledhjen e caktuar nga gjykata për dhënien e të dhënave a
deklaratës së betuar, edhe pse i është dërguar njoftim i rregullt dhe nuk ka justifikim të
arsyeshëm, shkarkimi nga detyrimi i mbetur refuzohet.
3. Kundër vendimit, kërkuesi dhe debitori mund të paraqesin ankim të veçantë, sipas Kodit të
Procedurës Civile. Refuzimi i shkarkimit nga detyrimi i mbetur shpallet publikisht.

Neni 260
Vepra penale në lidhje me falimentimin

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur me kërkesë
të një kreditori falimentimi kur debitori është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e
një vepre penale, sipas dispozitave të Kodit Penal, në periudhën ndërmjet mbledhjes
përfundimtare dhe mbylljes së procedurës së falimentimit ose gjatë periudhës së aktit të veprimit të kujdestarit.
2. Fjalia e dytë dhe e tretë e pikës 1 të nenit 259 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

Neni 261
Shpërblimi minimal i kujdestarit

1. Me kërkesë të kujdestarit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga
detyrimi i mbetur në rast se shumat e marra për vitin e kaluar të veprimtarisë nuk kanë mbuluar
shpërblimin minimal të tij dhe nëse debitori nuk e ka paguar shumën e pambuluar, megjithëse
kujdestari i ka kërkuar me shkrim pagesën brenda një afati të paktën dyjavor, ku ka vënë në dukje
mundësinë e refuzimit të shkarkimit nga detyrimi i mbetur brenda dy javësh.
2. Përpara marrjes së vendimit, gjykata dëgjon debitorin. Gjykata nuk e hedh poshtë shkarkimin
kur debitori, me kërkesë të gjykatës, paguan shumën e mbetur brenda dy javësh.
3. Pika 3 e nenit 259 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

Neni 262
Përfundimi i parakohshëm

Në qoftë se shkarkimi nga detyrimi i mbetur hidhet poshtë, sipas neneve 259, 260 dhe 261 të këtij
ligji, akti i veprimit të kujdestarit, detyra e kujdestarit dhe kufizimi i të drejtave të kreditorëve
bëhen të pavlefshme, sapo vendimi i gjykatës merr formë të prerë.

Neni 263
Vendimi për shkarkimin nga detyrimi i mbetur

1. Në qoftë se ka përfunduar periudha e veprimit të kujdestarit dhe nuk ka përfundim të
parakohshëm, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos për shkarkimin nga detyrimi i mbetur
pasi dëgjon kreditorët e falimentimit, kujdestarin dhe debitorin.
2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur me kërkesën
e një kreditori falimentimi, sipas kushteve të pikave 1 dhe 2 fjalia e tretë të nenit 259 ose të nenit
260, ose me kërkesë të kujdestarit kur ekzistojnë kushtet e nenit 261 të këtij ligji.
3. Vendimi shpallet publikisht. Debitori dhe çdo kreditor falimentimi, i cili gjatë seancës ka
kërkuar refuzimin e shkarkimit nga detyrimi i mbetur, sipas pikës 1 të këtij neni, kanë të drejtën e
ankimit të veçantë kundër vendimit, sipas Kodit të Procedurës Civile.

Neni 264
Pasoja e shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Kur miratohet shkarkimi nga detyrimi i mbetur, ai është i vlefshëm për të gjithë kreditorët e
falimentimit. Kjo vlefshmëri zbatohet edhe për kreditorët që nuk i kanë depozituar pretendimet e tyre.
2. Nuk cenohen nga shkarkimi prej detyrimit të mbetur të drejtat e kreditorëve të falimentimit
kundrejt debitorëve të debitorit dhe garantëve, si dhe të drejtat e tyre që burojnë nga një njoftim i
regjistruar përparësie në pagesë, me të cilën sigurohen këta kreditorë ose që buron nga një e drejtë
për ripagim të veçantë në procedurën e falimentimit. Megjithatë, debitori shkarkohet kundrejt
kreditorëve, bashkëdebitorëve, garantëve ose personave të tjerë me pretendime ndaj tij në të
njëjtën mënyrë që shkarkohet nga detyrimet e kreditorëve të falimentimit.
3. Në qoftë se një kreditor pa të drejtë ripagimi, ripaguhet si pasojë e shkarkimit nga detyrimi i
mbetur, ky kreditor nuk është i detyruar të kthejë shumën e marrë.

Neni 265
Pretendimet e përjashtuara

1. Shkarkimi nga detyrimi i mbetur nuk cenon:
a) detyrime të debitorit të shkaktuara nga dëme të kryera me dashje;
b) detyrime si pasojë e shkeljeve civile dhe penale, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji.

Neni 266
Prapësimi i shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Me kërkesë të administratorit të falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë
shkarkimin nga detyrimi i mbetur, kur më vonë vërtetohet që debitori ka shkelur me dashje një
nga detyrimet e tij dhe, si pasojë, ka dëmtuar në mënyrë të ndjeshme shlyerjen e kreditorëve të falimentimit.
2. Kërkesa e kreditorit pranohet vetëm nëse depozitohet brenda një viti nga shpallja e vendimit të
formës së prerë për shkarkimin nga detyrimi i mbetur dhe nëse vërtetohet që ekzistojnë kushtet e
pikës 1 të këtij neni dhe nëse vërtetohet që kreditori nuk ka pasur dijeni për to, deri në kohën kur vendimi ka marrë formë të prerë.
3. Para marrjes së vendimit duhet të dëgjohen debitori dhe kujdestari. Kërkuesi dhe debitori kanë
të drejtën e ankimit të veçantë kundër vendimit, sipas Kodit të Procedurës Civile.


PJESA E DHJETË
PROCEDURA E FALIMENTIMIT PËR KONSUMATORËT DHE PROCEDURA TË
TJERA MË PAK TË RËNDËSISHME
KREU I
FUSHA E ZBATIMIT


Neni 267
Parimi

1. Në qoftë se debitori është person fizik pa veprimtari ekonomike ose ushtron një veprimtari
ekonomike të vogël të pavarur, vlejnë dispozitat e përgjithshme, me kusht që në këtë pjesë të mos jetë parashikuar ndryshe.
2. Një veprimtari e pavarur ekonomike është e formës së vogël në kuptimin e pikës 1 të këtij neni,
sidomos kur për nga lloji dhe madhësia nuk kërkon një strukturë biznesi nga pikëpamja tregtare.


KREU II
PLANI I SHLYERJES SË DETYRIMEVE


Neni 268
Kërkesa e debitorit për hapjen e procedurës së falimentimit

Me kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit debitori mund të paraqesë një plan për
shlyerjen e detyrimeve. Ky plan mund të përmbajë të gjitha dispozitat e përshtatshme për të çuar
në një shlyerje të duhur të detyrimeve ku merren parasysh interesat e kreditorëve dhe pasuria e
debitorit, si dhe të ardhurat dhe rrethanat familjare. Plani parashikon masën, prekjen e garancive,
pengjet dhe forma të tjera sigurimi të kreditorëve.

Neni 269
Pezullimi i procedurës

1. Kur debitori paraqet një plan për shlyerjen e detyrimeve, procedura për kërkesën për fillimin e
procedurës së falimentimit pezullohet deri në marrjen e një vendimi mbi planin. Kjo periudhë
kohore nuk duhet të jetë më shumë se tre muaj.
2. Pika 1 e këtij neni nuk cenon urdhrin e vendosjes së masave të sigurisë.
3. Kur një kreditor kërkon hapjen e procedurës, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duhet t’i japë
mundësinë debitorit të paraqesë kërkesë para se të marrë vendim për hapjen e procedurës. Në
qoftë se debitori bën kërkesë dhe dorëzon brenda një muaji një plan për shlyerjen e detyrimeve,
pika 1 e këtij neni zbatohet edhe për kërkesën e debitorit.

Neni 270
Shërbimi ndaj kreditorëve

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit u jep kreditorëve të përmendur nga debitori listën e
pasurive dhe listën e kreditorëve, sipas nenit 15 të këtij ligji, si dhe planin e shlyerjes së
detyrimeve, dhe njëkohësisht i fton kreditorët, që brenda një periudhe njëmujore, të paraqesin
komentet e tyre ndaj listave dhe planit të shlyerjes së detyrimeve. Duke iu referuar shprehimisht
pasojave ligjore të fjalisë së dytë të pikës 3 të nenit 271 të këtij ligji, çdo kreditori i jepet
mundësia të shqyrtojë të dhënat për pretendimin e tij në listën e pretendimeve, brenda afatit të
paraqitur në fjalinë e parë dhe, kur është e nevojshme, të bëjë plotësime.
2. Nëse komentet e kreditorit, sipas fjalisë së parë të pikës 1 të këtij neni, nuk arrijnë brenda afatit
të caktuar, atëherë vlerësohet se plani i shlyerjes së detyrimeve është pranuar. Kjo duhet të vihet në dukje në kërkesën për komente.
3. Pasi ka përfunduar afati, sipas fjalisë së parë të pikës 1 të këtij neni, debitorit duhet t’i jepet
mundësia, që brenda një afati të caktuar nga gjykata, të ndryshojë ose të plotësojë planin për
shlyerjen e detyrimeve, kur kjo është e nevojshme mbi bazën e komenteve të njerit prej
kreditorëve ose kur kjo duket e arsyeshme pasi është në interes të shlyerjes me marrëveshje të
detyrimit të mbetur. Kreditorët duhet të njoftohen për ndryshimet ose plotësimet nëse kjo është e
nevojshme. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen sipas rastit.

Neni 271
Pranimi i planit të shlyerjes së detyrimeve

1. Në qoftë se asnjë kreditor nuk ka paraqitur vërejtje ndaj planit të shlyerjes së detyrimeve ose në
qoftë se pranimi zëvendësohet, sipas nenit 272 të këtij ligji, plani i shlyerjes së detyrimeve
vlerësohet i pranuar. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit e përcakton këtë në vendim. Plani i
shlyerjes së detyrimeve ka fuqinë dhe pasojat e një titulli ekzekutiv, sipas nenit 510 të Kodit të
Procedurës Civile. Një kopje e planit të shlyerjes së detyrimeve dhe e vendimit, sipas fjalisë së
parë, u dorëzohet kreditorëve dhe debitorit.
2. Kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit dhe e lëshimit të urdhrit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur vlerësohet e tërhequr.
3. Nëse në listën e debitorit nuk figurojnë pretendimet dhe kur ato nuk janë përmendur gjatë
përgatitjes së planit të shlyerjes së detyrimeve të mbetura, kreditorët mund të kërkojnë
përmbushjen e detyrimit prej debitorit. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur kreditori nuk ka plotësuar,
brenda afatit të caktuar, të dhënat për pretendimin e tij në listën e pretendimeve që i është dërguar
nga gjykata, sipas pikës 1 të nenit 270 të këtij ligji, edhe pse pretendimi mund të kishte lindur
përpara mbarimit të afatit. Në këtë rast pretendimi bëhet i pavlefshëm.

Neni 272
Zëvendësimi i miratimit

1. Në qoftë se plani i shlyerjes së detyrimeve miratohet nga më shumë se gjysma e kreditorëve të
regjistruar dhe nëse shuma e pretendimeve të kreditorëve në favor përbën më shumë se gjysmën e
pretendimeve të kreditorëve të regjistruar, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit zëvendëson me një
vendim miratimin e kreditorëve kundër planit të shlyerjes së detyrimit të mbetur. Kjo nuk zbatohet kur:
a) kreditori që ka paraqitur kundërshtimin nuk përfshihet në masën e duhur në krahasim me kreditorët e tjerë;
b) ky kreditor nëpërmjet planit të likuidimit të detyrimeve dëmtohet ekonomikisht më
shumë sesa në rastin e zbatimit të procedurës për hapjen e procedurës së falimentimit dhe
shkarkimit nga detyrimi i mbetur. Në rast dyshimi, gjatë procedurës merren për bazë të ardhurat,
pasuria dhe gjendja familjare e debitorit në kohën e paraqitjes së kërkesës.
2. Para marrjes së vendimit dëgjohet kreditori. Ai duhet të paraqesë shkaqe të besueshme lidhur
me arsyet që, sipas pikës 1 të këtij neni, pengojnë zëvendësimin e vërejtjeve të tij me miratim.
Kundër vendimit, kërkuesi dhe kreditori, miratimi i të cilëve zëvendësohet, kanë të drejtën e
ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.
3. Kur kreditori jep shkaqe të besueshme për fakte që krijojnë dyshime bindëse se një pretendim i
deklaruar nga debitori ekziston ose i përgjigjet një shume më të madhe ose më të vogël se ajo që
është deklaruar, dhe nëse prej kësaj varet fakti që kreditori është përfshirë në mënyrë të
përshtatshme në krahasim me kreditorët e tjerë, miratimi i kreditorit, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni, nuk mund të zëvendësohet.

Neni 273
Shpenzimet

Kreditorët nuk mund të ngrenë ndaj debitorit pretendime për pagimin e shpenzimeve që lindin në
lidhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.


KREU III
PROCEDURË FALIMENTIMI E THJESHTUAR


Neni 274
Fillimi i punës për hapjen e procedurës së falimentimit

Në qoftë se plani i shlyerjes së detyrimeve kundërshtohet dhe këto kundërshtime nuk zëvendohen
nga një miratim i gjykatës, sipas nenit 272 të këtij ligji, procedura për hapjen e procedurës së falimentimit fillon përsëri, kryesisht.

Neni 275
Thjeshtimet e përgjithshme të procedurës

1. Kur hapet procedura e falimentimit në kundërshtim me nenin 28 të këtij ligji, caktohet vetëm një mbledhje verifikimi.
2. Në qoftë se rrethanat pasurore të debitorit janë të qarta dhe numri i kreditorëve ose masa e
detyrimeve është e vogël, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë që procedura ose
një pjesë e saj të bëhen me shkrim. Gjykata mund të anulojë ose të ndryshojë këtë urdhër në çdo kohë.
3. Dispozitat për planin e riorganizimit, sipas neneve 180 deri në 230 të këtij ligji, dhe për
vetadministrimin, sipas neneve 233 deri në 248 të këtij ligji, nuk zbatohen.

Neni 276
Kujdestari

1. Detyrat e administratorit të falimentimit i kalojnë kujdestarit të zgjedhur, sipas nenit 255 të
këtij ligji. Kujdestari caktohet në fillim të procedurës së falimentimit. Nenet 43 deri në 47 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.
2. Kujdestari nuk ka të drejtën e shfrytëzimit të sendeve të vëna peng ose të caktuara si sende për
të drejtë ripagimi të veçantë. Të drejtat e kreditorëve të siguruar mbeten të paprekura.

Neni 277
Shpërndarja e thjeshtuar

1. Me kërkesë të kujdestarit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit urdhëron heqjen dorë krejtësisht
ose pjesërisht nga likuidimi i masës së falimentimit. Në këtë rast ajo udhëzon debitorin t’i
paguajë kujdestarit një shumë shtesë, brenda një afati që e cakton gjykata, shumë e cila i
përgjigjet vlerës së pasurive që do t’u shpërndahej kreditorëve të procedurës së falimentimit. Ky
urdhër nuk zbatohet kur shlyerja e masës së falimentimit duket tepër e nevojshme, veçanërisht në dobi të kreditorëve.
2. Para marrjes së vendimit dëgjohen kreditorët e falimentimit.
3. Vendimi për kërkesën e debitorit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur, sipas neneve 252 deri
në 254 të këtij ligji, nuk merret deri në mbarimin e afatit të përcaktuar, sipas fjalisë së dytë të
pikës 1 të këtij neni. Me kërkesë të njërit prej kreditorëve të falimentimit, gjykata hedh poshtë
shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur nuk është paguar shuma që duhej paguar, sipas fjalisë së
dytë të pikës 1 të këtij neni, edhe pas përfundimit të një afati tjetër prej dy javësh të caktuar nga
gjykata, i cili i referohet mundësisë së mosdhënies së shkarkimit nga detyrimi i mbetur. Para marrjes së vendimit dëgjohet debitori.


KREU III/a
PROCEDURA TË TJERA TË THJESHTUARA


Neni 277/a
Procedura e thjeshtuar për shoqëritë tregtare të biznesit të vogël

Kërkuesi i hapjes së procedurës së falimentimit të thjeshtuar duhet të paraqesë:
1. Për shoqëritë tregtare, që kanë një xhiro vjetore deri 1 000 000 lekë, kërkesa për hapjen e
procedurës së falimentimit të thjeshtuar mund të bëhet nga çdo kreditor, që ka një interes të ligjshëm.
Kreditori, që kërkon fillimin e procedurës së falimentimit të thjeshtuar, duhet të paraqesë
në seksionin tregtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë:
a) kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;
b) kopje të dokumentit, që vërteton detyrimin e tij pasuror;
c) listën paraprake të pasurive të debitorit;
ç) deklaratën, që vërteton se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.
2. Seksioni tregtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, pasi dëgjon pretendimet e debitorit dhe
të kreditorit, mund të vendosë që procedura e falimentimit të bëhet në mënyrë të thjeshtuar. Në
këtë rast zbatohen rregullat e parashikuara nga nenet 26, 27 e 29 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”.
3. Kur gjykata vendos për procedurën e falimentimit të thjeshtuar, miraton, në një seancë
gjyqësore, planin e shlyerjes së detyrimeve, të hartuar nga administratori i falimentimit dhe
kreditorët, në përputhje me interesat e kreditorëve, pasurinë dhe të ardhurat e debitorit, si dhe me
fjalinë e tretë të nenit 268 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”. Në këtë rast nuk
zbatohen dispozitat e parashikuara për planin e riorganizimit.
4. Administratori likuidon pasuritë e debitorit dhe i shpërndan të ardhurat e realizuara, në
përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.
5. Administratori i paraqet gjykatës një raport për përfundimin e procedurës së falimentimit. E
drejta e kreditorëve për të kundërshtuar veprimet e administratorit për procedurën e thjeshtuar mbetet e paprekur.
6. Gjykata, pas shqyrtimit të raportit të administratorit, kur bindet se procedura është zhvilluar në
përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve dhe kreditorët nuk paraqesin kundërshtime, merr
vendim për mbylljen e procedurës së falimentimit.


PJESA E NJËMBËDHJETË
PROCEDURA E FALIMENTIMIT E LIDHUR
ME SHTETE TË TJERA
KREU I


Neni 278
Përfshirja në procedurën e falimentimit

1. Procedura e falimentimit e hapur në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbulon gjithë
pasuritë e debitorit në çdo shtet që ato ndodhen.
2. Nëse debitori nuk ka seli ose vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, por ka një
degë të veprimtarisë së vet në këtë territor ose ushtron aty një tjetër veprimtari ekonomike, mund
të hapet një procedurë falimentimi (procedurë e veçantë), e cila mbulon vetëm pasuritë e debitorit
të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në të cilat marrin pjesë vetëm ata
kreditorë falimentimi, pretendimet e të cilëve lindin për këtë veprimtari, brenda territorit të
Republikës së Shqipërisë, ose vendbanimi i të cilëve është në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 279
Njohja e një procedure të huaj falimentimi

1. Një procedurë falimentimi e hapur në një shtet të huaj njihet në Shqipëri nëse:
a) debitori ka vendbanim ose seli në këtë shtet;
b) procedura e falimentimit nuk cenon parimet themelore të legjislacionit shqiptar dhe sidomos dispozitat kushtetuese.

Neni 280
Pasojat e njohjes

1. Pasojat e hapjes së procedurës së falimentimit diktohen nga e drejta e shtetit të huaj, përveç rasteve kur:
a) nuk është pezulluar padia e ngritur në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) nuk cenohen të drejtat e pronësisë mbi pasuri të luajtshme e të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) kontratat për pasuri të paluajtshme brenda Shqipërisë ose çdo kontratë punësimi i
nënshtrohet vetëm së drejtës shqiptare.
2. Vendimet e një gjykate të huaj ose të një përfaqësuesi të huaj, për shmangie të veprimeve ligjore, njihen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm nëse këto veprime ligjore janë shmangie edhe sipas ligjit shqiptar.

Neni 281
Procedurat dytësore

1. Njohja e një procedure të huaj falimentimi nuk parandalon hapjen e një procedure të veçantë, si
procedurë dytësore e procedurës kryesore, në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 2 të nenit 278 të këtij ligji.
2. Përveç debitorit dhe kreditorëve, administratori ose përfaqësues të tjerë të emëruar të pasurive
të debitorit në procedurën e huaj të falimentimit kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hapjen e procedurës dytësore.
3. Procedura dytësore hapet pa qenë nevoja të tregohet shkaku, sipas nenit 13 të këtij ligji.

Neni 282
Bashkëpunimi

1. Kur hapen dhe zhvillohen, njëkohësisht, procedura e huaj dhe procedura sipas këtij ligji për të
njëjtin debitor, gjykata dhe administratori bashkëpunojnë në shkallën më të lartë me gjykatën e huaj ose përfaqësuesit e huaj.
2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka të drejtë të komunikojë drejtpërdrejt ose të kërkojë të
dhëna ose asistencë nga gjykata e huaj ose përfaqësuesit e huaj.


PJESA E DYMBËDHJETË
AGJENCIA MBIKËQYRJES SË FALIMENTIMIT


Neni 282/1
Agjencia Mbikëqyrjes së Falimentimit

Kjo pjesë rregullon krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit (më poshtë Agjencia).

Neni 282/2
Statusi i Agjencisë

1. Agjencia është person juridik publik, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e së cilës janë të përcaktuara në ligj.
2. Agjencia vepron në përputhje me legjislacionin për shërbimin civil.
3. Agjencia ka selinë e vet në Tiranë.
4. Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 282/3
Përgjegjësitë e Agjencisë

Agjencia ka përgjegjësitë e mëposhtme:
a) të japë, të heqë ose të rinovojë licenca për administratorët e falimentimit, në përputhje me parashikimet e bëra në ligj;
b) të organizojë dhe të zhvillojë provimin për administratorët e falimentimit;
c) të mbajë regjistrin e administratorëve të certifikuar të falimentimit;
ç) të mbikëqyrë veprimtarinë e administratorëve të falimentimit dhe të monitorojë ecurinë (zhvillimin) e profesionit;
d) të mbikëqyrë zbatimin e dispozitave që rregullojnë procedurat e falimentimit;
dh) të mbledhë dhe të përpunojë të dhënat statistikore dhe të dhëna të tjera që lidhen me
zbatimin e procedurave të falimentimit;
e) të propozojë standarde kombëtare për administrimin e masës së falimentimit, si dhe
Kodin e Etikës, të dyja të miratuara me parashikimet e këtij ligji;
ë) të kryejë çdo detyrë tjetër të dhënë nga ky ligj.

Neni 282/4
Veprimtaria mbikëqyrëse e Agjencisë

1. Agjencia, gjatë ushtrimit të veprimtarisë të saj mbikëqyrëse, inspekton nëse administratori i
falimentimit kryen detyrat e tij në përputhje me këtë ligj, me standardet kombëtare të
administrimit të masës së falimentimit, si dhe me Kodin e Etikës, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave.
2. Agjencia kryen veprimtari mbikëqyrëse të parashikuara në pikën 1 nëpërmjet vlerësimit
raporteve të shkruara, të paraqitura nga administratori dhe gjyqtari i falimentimit, si dhe në bazë
të dokumenteve të tjera të mbajtura në kuadër të veprimeve të administratorit në procedurat e falimentimit.

Neni 282/5
Ekspertiza e huaj

Për ushtrimin e detyrave të caktuara, të cilat kanë nevojë për ekspertizë të veçantë, Agjencia
mund të kontraktojë persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj.

Neni 282/6
Burimet e financimi të Agjencisë

Burimet financiare për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë sigurohen nga Buxheti i Shtetit, si
dhe nga tarifat e realizuara nga veprimtaria e saj.

Neni 283
Ligji nr.8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, shfuqizohet.

Neni 284
Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2002.


Shpallur me dekretin nr.3383, datë 26.6.2002 të Presidentit të Rrepublikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest