LIGJI PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS SHTETËRORE - Nr. 90/2012. datë 27.9.2012

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS SHTETËRORE - Nr. 90/2012. datë 27.9.2012

Postby Libraria UBT » 06 Aug 2015, 16:33

LIGJI PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS SHTETËRORE - Nr. 90/2012. datë 27.9.2012

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi dhe fusha e veprimit

1. Qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri ligjor të njëjtë për organizimin dhe funksionimin e
administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, më poshtë në tekstin e këtij ligji,
"administrata shtetërore", nëpërmjet përcaktimit të kritereve për krijimin dhe funksionimin e
institucioneve shtetërore.
2. Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit, si dhe Forcat e Armatosura
nuk janë pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji.

Neni 2
Administrata shtetërore dhe funksionet e saj

1. Administrata shtetërore është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore.
2. Funksioneve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni do t'i referohemi si "funksione administrative".
3. Administrata shtetërore ka personalitet juridik publik dhe përbëhet nga struktura të organizuara në mënyrë hierarkike.
4. Kodi i Procedurës Administrative dhe ligjet sektoriale rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet personave privatë dhe administratës shtetërore në kryerjen e funksioneve administrative dhe vendimmarrjen mbi të drejtat dhe interesat e ligjshëm të këtyre personave.

Neni 3
Parimet e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore

1. Administrata shtetërore organizohet dhe funksionon sipas parimeve të: unitetit dhe hierarkisë; llogaridhënies; dekoncentrimit; qartësisë në përcaktimin dhe shpërndarjen e përgjegjësisë; ekonomisë, efiçencës dhe efektivitetit, si dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të administratës shtetërore.
2. Sipas parimit të unitetit dhe hierarkisë, administrata shtetërore organizohet në mënyrë të atillë që çdo organ, institucion apo njësi administrative, është në varësinë dhe i raporton një organi, institucioni apo njësie administrative, eprore.
3. Sipas parimit të llogaridhënies, çdo organ, institucion apo njësi administrative i nënshtrohet drejtimit dhe mbikëqyrjes nga organi epror përkatës, si për veprimtarinë e vet, ashtu edhe për atë të organeve, institucioneve apo njësive administrative vartëse.
4. Sipas parimit të dekoncentrimit, kryerja e funksioneve administrative, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me personat privatë, organizohet për t'u kryer sa më afër tyre, me qëllim lehtësimin e aksesit të tyre në informacion, në shërbimet publike, si dhe një pjesëmarrjeje të përshtatshme në procedimin administrativ, sipas ligjit.
5. Sipas parimit të qartësisë në përcaktimin dhe shpërndarjen e përgjegjësive, ndarja dhe caktimi i funksioneve dhe detyrave administrative, ndërmjet organeve, institucioneve dhe njësive administrative, duhet të jenë specifike, të shmangin mbivendosjen, të jenë transparente dhe të bëhen publike në mënyrë të përshtatshme.
6. Sipas parimit të ekonomisë, efiçencës dhe efektivitetit, caktimi dhe shpërndarja e përgjegjësive, si dhe organizimi i administratës shtetërore duhet të sigurojnë efektivitetin në kryerjen e funksioneve dhe detyrave, efiçencën në arritjen e objektivave të politikave të miratuara, si dhe ekonominë në përdorimin e të mirave dhe fondeve publike.
7. Sipas parimit të bashkëpunimit, organet, institucionet dhe njësitë administrative, si dhe nëpunësit publikë, në të gjitha nivelet e administratës, bashkëpunojnë ndërmjet tyre, si dhe me organet e institucionet e pavarura, për arritjen e objektivave ligjorë që u janë besuar, në përputhje me ligjin.


KREU II
TIPOLOGJIA E ORGANIZIMIT TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 4
Organet dhe institucionet e administratës shtetërore

1. Kryeministri dhe ministrat janë organet e larta të administratës shtetërore. Ata drejtojnë dhe mbikëqyrin
administratën shtetërore brenda fushës përkatëse të veprimtarisë shtetërore.
2. Administrata shtetërore përbëhet nga këto institucione:
a) Kryeministria;
b) ministritë;
c) institucionet në varësi të Kryeministrit ose të ministrave; ç) njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve;
d) agjencitë autonome;
dh) administrata e prefektit.
3. Ministritë dhe institucionet e varësisë mund të kenë degë territoriale në përputhje me këtë ligj.
4. Organizimi dhe funksionimi i Kryeministrisë rregullohen me ligj të veçantë.

Neni 5
Ministritë

1. Çdo ministri drejtohet dhe përfaqësohet nga ministri, në vazhdim "ministri përgjegjës". Ministri është përgjegjës përpara Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit për tërësinë e veprimtarisë së ministrisë, institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome, më poshtë "sistem ministror", brenda fushës përkatëse të veprimtarisë shtetërore.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton fushën e veprimtarisë shtetëro re në
përgjegjësinë e çdo ministrie, në vazhdim "fusha e përgjegjësisë shtetërore".
3. Ministria kryen të gjitha funksionet administrative brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë shtetërore, përveç atyre që u delegohen shprehimisht institucioneve të varësisë apo u ngarkohen me ligj agjencive autonome.
4. Ministria është, gjithashtu, përgjegjëse për koordinimin dhe, në bazë të delegimit të ministrit, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë ministrore.
5. Organizimi i ministrisë përfshin aparatin e ministrisë, si dhe degët e saj territoriale, nëse është rasti.

Neni 6
Institucionet e varësisë

1. Institucionet e varësisë mund krijohen për të kryer ato funksione administrative, të përcaktuara, brenda fushës së përgjegjësisë së përgjithshme shtetërore, kryerja e të cilave kërkon shkallë të lartë specializimi në menaxhim apo drejtim, dhe kanë të bëjnë me zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjit, ofrimin e shërbimeve publike për popullatën apo shërbimeve të brendshme për administratën shtetërore ose mbështetje e këshillim për ministrinë.
2. Përveçse kur parashikohen drejtpërdrejt nga ligji, institucionet e varësisë krijohen dhe mbyllen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës apo përkatësisht Kryeministrit, dhe kanë personalitet juridik publik.
3. Në vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e një institucioni të varësisë përcaktohen, të paktën:
a) emri dhe selia;
b) misioni;
c) funksionet administrative që i delegohen; ç) ministri përgjegjës;
d) organizimi territorial, nëse është i zbatueshëm, si dhe detyrat administrative të degëve territoriale dhe
kompetencat e tyre territoriale.

Neni 7
Degët territoriale

1. Degët territoriale janë struktura administrative të një ministrie ose një institucioni të varësisë, që krijohen për të ushtruar në territorin e një ose më shumë njësive të qeverisjes vendore, detyra administrative që mund të kryhen më mirë në territor, në përputhje me parimet e këtij ligji.
2. Degët territoriale krijohen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimit të ministrit përgjegjës përkatës.
3. Në bazë të marrëveshjes së ministrave përgjegjës dhe të autorizimit të ministrit përgjegjës për administratën publike, disa ministri dhe/apo institucione të varësisë mund të kenë degë të përbashkëta territoriale apo degët territoriale të një ministrie apo institucioni varësie mund të kryejnë detyra administrative për një ministri apo institucion tjetër varësie.

Neni 8
Njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve

1. Njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve janë struktura administrative, nëpërmjet të cilave një ministri apo një institucion i varësisë kryen shërbime publike drejtpërdrejt për të tretët, në fushat e parashikuara shprehimisht me ligj.
2. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve krijohen dhe mbyllen me urdhër të ministrit përgjegjës përkatës, në përputhje me legjislacionin e posaçëm dhe pas konsultimit publik me përfaqësuesit e përfituesve të mundshëm të shërbimit, me qytetarët e interesuar, me njësitë e qeverisjes vendore dhe me aktorë të tjerë të interesit.
3. Veprimtaria e njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve drejtohet dhe bashkërendohet
drejtpërdrejt nga ministria/institucioni i varësisë apo nëpërmjet degëve të tyre përkatëse territoriale.

Neni 9
Administrata e prefektit

1. Administrata e prefektit është administrata që mbështet prefektin në ushtrimin e kompetencave e tij, të parashikuara me ligj.
2. Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, administrata e prefektit kryen, në cilësinë e degës territoriale, funksione të tjera administrative brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të një ministrie, që i caktohet prefektit me ligj.

Neni 10
Agjencitë autonome

1. Agjencitë autonome krijohen dhe mbyllen me ligj. Ato gëzojnë personalitet juridik, publik, në
marrëdhëniet me të tretët në realizimin e funksioneve të caktuara me ligj.
2. Agjencia autonome kryen funksione administrative të përcaktuara, kryerja e të cilave plotëson së bashku këto kritere:
a) nuk ka nevojë për drejtim dhe mbikëqyrje të përhershme e të drejtpërdrejtë nga Kryeministri apo një ministër;
b) kërkon specializim të thellë në menaxhim;
c) financohet pjesërisht ose krejtësisht nga mjete të tjera të ligjshme, por të ndryshme nga ato të Buxhetit të përgjithshëm të Shtetit.
3. Agjencia autonome krijohet vetëm nëse funksionet administrative, të parashikuara nga pika 2 e këtij neni, realizohen më mirë nga kjo formë organizimi, sesa nga një ministri apo institucion varësie, në përputhje me parimin e ekonomisë, efiçencës dhe të efektivitetit.
4. Veprimtaria e një agjencie autonome mbikëqyret nga një ministër përgjegjës apo, në raste përjashtimore, nga Kryeministri, sipas përcaktimit në ligjin përkatës të krijimit. Në rast se veprimtaria e një agjencie autonome është në fushën e për gjegjësisë shtetërore të dy ose më shumë ministrive, ministry përgjegjës është ministri, nën përgjegjësinë e të cilit janë kryesisht funksionet e agjencisë autonome.Ministritë e tjera përfaqësohen në mënyrë proporcionale në strukturat drejtuese të agjencisë.
5. Të gjitha burimet që sigurojnë dhe përdorin agjencitë autonome, buxhetore ose jo, konsiderohen fonde publike dhe si të tilla u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar të fondeve publike, rregullave të kontabilitetit publik dhe raportimit financiar të Qeverisë dhe janë të kontrollueshme nga ministri përgjegjës apo përkatësisht Kryeministri.
6. Në ligjin për krijimin e agjencisë autonome përcaktohen:
a) emri dhe selia e agjencisë;
b) misioni dhe funksionet e saj administrative;
c) mënyra e organizimit të strukturave drejtuese, numri i anëtarëve të strukturave drejtuese, afati i
mandatit të tyre, si dhe kompetencat e tyre;
ç) Kryeministri apo ministri përgjegjës për mbikëqyrjen dhe përfaqësimin e ministrive të tjera të interesuara në strukturat drejtuese,
nëse është rasti;
d) burimet e financimit të agjencisë.
7. Në ligjin e krijimit të agjencisë autonome përcaktohet, gjithashtu, regjimi juridik që zbatohet për:
a) personelin, në përputhje me parimet e administrimit të shërbimit civil;
b) financimin dhe shpenzimet;
c) administrimin e aseteve;
ç) procedurat e miratimit të tarifave për shërbimet, nëse është rasti.
8. Në relacionin shpjegues, që shoqëron propozimin e një ligji për krijimin e një agjencie autonome, përfshihen edhe motivimi për përputhshmërinë me kriteret e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe një vlerësim bazuar në analizat e kosto-përfitimit ose teknika të tjera moderne të besueshme, që justifikojnë krijimin e një agjencie autonome, sipas pikës 3 të këtij neni.


KREU III
ORGANIZIMI I BRENDSHËM I INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE


Seksioni 1
Ministritë


Neni 11
Struktura e ministrisë

1. Ministria drejtohet nga ministri, i cili drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion. Ministria organizohet në këto struktura organizative hierarkike:
a) sekretari i përgjithshëm;
b) drejtoritë e përgjithshme;
c) drejtoritë;
ç) sektorët.
Departamentet janë struktura organizative të veçanta, të cilat mbulojnë një funksion të rëndësishëm vetëm
të politikëbërjes dhe krijohen në rastet kur përmenden në një ligj të veçantë.
2. Ministri mund t'ua delegojë autoritetin e tij funksionarëve politikë dhe nëpunësve të lartë civilë të
ministrisë për plotësimin e detyrave funksionale.
3. Zëvendësministri zëvendëson ministrin, sipas Kodit të Procedurave Administrative. Ata janë pjesë e
hierarkisë administrative vetëm kur zëvendësojnë ministrin.
4. Struktura e kabinetit mbështet drejtpërdrejt ministrin në ndjekjen e politikave përkatëse, realizimin e objektivave, si dhe vlerësimin e zbatimit të tyre. Kabineti nuk është pjesë e strukturës hierarkike të ministrisë. Funksionarët e kabinetit nuk ushtrojnë asnjë kompetencë drejtuese ose administrative mbi stafin ministror.
5. Njësitë administrative të parashikuara në pikën 1 të këtij neni organizohen në madhësi të përshtatshme, në bazë të kompleksitetit të detyrave përkatëse. Si rregull, çdo nëpunës civil apo punonjës administrativ është pjesë e një njësie administrative.
6. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm, ky nen zbatohet edhe për organizimin e Kryeministrisë.

Neni 12
Sektorët

1. Sektori është struktura administrative më e ulët e organizimit të brendshëm të aparatit të ministrisë dhe është ekskluzivisht përgjegjës për detyrat që i caktohen shprehimisht, brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrisë përkatëse.
2. Sektori drejtohet nga shefi i sektorit, i cili i raporton drejtpërdrejt drejtorit të drejtorisë, pjesë e së cilës është sektori. Shefi i sektorit, në rast mungese apo paaftësie afatshkurtër, zëvendësohet, për shkak të ligjit, nga nëpunësi civil i nivelit më të lartë të të njëjtit sektor. Në rast se ka më shumë se një nëpunës civil të të njëjtit nivel, ai zëvendësohet nga nëpunësi civil i nivelit më të lartë që ka vjetërsi më të madhe në shërbimin civil.

Neni 13
Drejtoritë

1. Drejtoria është grupimi i disa sektorëve me detyra të ndërlidhura. Drejtoria është niveli i dytë më i ulët
në strukturën organizative të ministrisë.
2. Drejtoria drejtohet nga drejtori. Përveç kur parashikohet sipas ligjit, drejtori i raporton drejtorit të
përgjithshëm ose drejtorit të departamentit, pjesë e të cilit është drejtoria.
3. Drejtori është përgjegjës për përcaktimin e objektivave të drejtorisë, nëse ato nuk përcaktohen nga një nivel më i lartë hierarkik, për planifikimin e veprimtarisë së drejtorisë dhe realizimin e detyrave të saj, duke dhënë orientime dhe udhëzime, si dhe duke monitoruar veprimtarinë e njësive administrative dhe personelit brenda drejtorisë.
4. Pika 2 e nenit 12 të këtij ligji zbatohet, me ndryshimet përkatëse, për zëvendësimin e drejtorit.

Neni 14
Drejtoritë e përgj ithshme dhe departamentet

1. Drejtoritë me funksione të ndërlidhura grupohen në një drejtori të përgjithshme. Drejtoria e
përgjithshme drejtohet nga drejtori i përgjithshëm që i raporton sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.
2. Përjashtimisht, me vendim të Këshillit të Ministrave, dy ose më shumë drejtori mund të grupohen në një departament. Departamenti drejtohet nga drejtori i departamentit, i cili i raporton drejtpërdrejt ministrit.
3. Drejtori i përgjithshëm dhe drejtori i departamentit janë përgjegjës për përcaktimin e objektivave të drejtorive përbërëse, përcaktimin e detyrave të drejtorive përbërëse, për monitorimin e veprimtarisë të tyre dhe për sigurimin e koordinimit ndërmjet tyre dhe me njësi të tjera të ministrisë.
4. Pika 2 e nenit 12 të këtij ligji zbatohet, me ndryshimet përkatëse, për zëvendësimin e drejtorit të
përgjithshëm dhe drejtorit të departamentit.

Neni 15
Sekretari i përgjithshëm

1. Sekretari i përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil në një ministri. Ai i raporton dhe jep llogari drejtpërdrejt te ministri.
2. Sekretari i përgjithshëm ka këto përgjegjësi kryesore:
a) të mbështesë ministrin;
b) të sigurojë zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të politikave;
c) të sigurojë drejtimin, mbikëqyrjen dhe koordinimin e ministrisë;
ç) të sigurojë bashkëpunimin me ministritë e tjera dhe institucionet e organet e pavarura;
d) të sigurojë administrim efektiv dhe efiçent të burimeve financiare, materiale dhe njerëzore të sistemit
ministror, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
dh) çdo përgjegjësi tjetër që i caktohet nga legjislacioni.
3. Sekretari i përgjithshëm zëvendësohet, në rast mungese apo paaftësie afatshkurtër, nga njëri prej
drejtorëve të përgjithshëm të ministrisë.

Neni 16
Strukturat përgjegjëse për funksionet horizontale

1. Menaxhimi i burimeve njerëzore, çështjet juridike, mirëmbajtja dhe shërbimet e tjera mbështetëse kryhen të gjitha së bashku nga një strukturë administrative, në vijim "shërbimet e brendshme mbështetëse", që i raporton drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm.
2. Funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar, më poshtë "funksionet e financave", kryhen të gjitha së bashku nga një strukturë administrative, që i raporton drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm.
3. Funksionet e auditimit të brendshëm kryhen nga një strukturë administrative që i raporton drejtpërdrejt titullarit.
4. Njësitë e parashikuara në pikat 1, 2 e 3 të këtij neni organizohen në sektorë, drejtori apo drejtori të
përgjithshme, në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të detyrave përkatëse.
5. Për kryerjen e detyrave të përkohshme, komplekse, që kërkojnë një qasje ndërsektoriale, mund të krijohen grupe pune të përbëra nga nëpunës civilë të ministrisë dhe institucioneve të varësisë. Ato mund të përfshijnë edhe ekspertë të jashtëm. Grupet e punës krijohen me urdhër të ministrit apo të sekretarit të përgjithshëm. Nëse nuk parashikohet ndryshe në urdhrin përkatës të krijimit, grupi i punës
kryesohet nga anëtari që ka nivelin më të lartë të nëpunësit civil. Shpërblimi i ekspertëve të jashtëm rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe specifikohet në urdhrin që krijon grupin e punës.

Neni 17
Kabinetet

1. Kabineti i ministrit mund të ketë një drejtor, këshilltarët dhe sekretarët. Ata emërohen dhe shkarkohen
nga ministri dhe kanë statusin e funksionarëve politikë, sipas ligjit.
2. Rregullat për organizimin dhe funksionimin e kabineteve miratohen nga Këshilli i Ministrave.
Struktura dhe organika e kabinetit miratohen si pjesë e organizimit të brendshëm të ministrisë.

Seksioni 2
Institucionet e varësisë


Neni 18
Organizimi i brendshëm i institucioneve të varësisë

1. Institucioni i varësisë organizohet si drejtori apo drejtori e përgjithshme, në bazë të madhësisë dhe
kompleksitetit të veprimtarisë përkatëse. Niveli i organizimit përcaktohet në vendimin e krijimit.
2. Institucioni i varësisë drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori apo përkatësisht drejtori i përgjithshëm, i cili i raporton ministrit përgjegjës. Në rastet e institucioneve të mëdha dhe me veprimtari shumë komplekse, në vendimin e krijimit të institucionit mund të përcaktohet që drejtori i përgjithshëm apo drejtori të mbështetet nga 1 deri në 2 zëvendësdrejtorë.
3. Rregullat për organizimin e brendshëm të ministrive, sipas këtij ligji, zbatohen për organizimin e brendshëm të institucioneve të varësisë, në përputhje me nivelin e organizimit, përcaktuar sipas pikës 1 të këtij neni.
4. Shërbimet e brendshme mbështetëse, funksionet e menaxhimit financiar dhe të auditit të brendshëm në institucionet e varësisë me një numër të vogël punonjësish kryhen nga struktura përgjegjëse administrative e ministrisë përgjegjëse.
5. Në rastin e institucioneve të varësisë të mëdha dhe me veprimtari komplekse, strukturat administrative, që kryejnë shërbimet e brendshme mbështetëse, funksionet e menaxhimit financiar, si dhe auditimin e brendshëm, krijohen brenda institucio nit dhe i raportojnë drejtpërdrejt drejtorit apo përkatësisht drejtorit të përgjithshëm të institucionit.
6. Drejtuesi i institucionit të varësisë mund të krijojë, sipas nevojës, grupe pune. Pika 5 e nenit 16 të këtij
ligji zbatohet edhe në këtë rast, me ndryshimet përkatëse.
7. Përveçse kur parashikohet shprehimisht, ndryshe nga ligji i posaçëm, rregullat e parashikuara nga ky nen zbatohen edhe për administratën e prefektit.

Seksioni 3
Degët territorial


Neni 19
Organizimi i brendshëm i degëve territoriale

1. Në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të veprimtarisë, në vendimin e krijimit të tyre përcaktohet se
degët territoriale të ministrive ose të institucioneve të varësisë organizohen si sektorë apo drejtori.
2. Drejtuesi i degës territoriale drejton degën përkatëse territoriale dhe i raporton e i jep llogari drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm të ministrisë në rastin e degëve të tyre apo përkatësisht drejtuesit të institucionit të varësisë.
3. Sekretari i përgjithshëm ose drejtuesi i institucionit të varësisë mund të caktojë një linjë të ndryshme të raportimit dhe të llogaridhënies së një strukture administrative brenda aparatit të ministrisë apo përkatësisht institucionit të varësisë.
4. Shërbimet e brendshme mbështetëse, funksionet e menaxhimit financiar dhe ato të auditimit të brendshëm për degët territoriale kryhen nga strukturat përgjegjëse administrative të ministrisë ose institucionit të varësisë, pjesë e së cilës është dega.

Seksioni 4
Agjencitë autonome


Neni 20
Organizimi i brendshëm i agjencive autonome

1. Struktura drejtuese e një agjencie autonome përbëhet nga këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv apo nga një drejtor i përgjithshëm dhe nga një këshill mbikëqyrës. Numri i anëtarëve të këshillit drejtues dhe
këshillit mbikëqyrës duhet të jetë jo më i vogël se tre dhe jo më i madh se shtatë.
2. Drejtori ekzekutiv apo drejtori i përgjithshëm i agjencisë autonome është anëtar i trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues (TND) dhe caktohet në detyrë nga Kryeministri apo ministri përgjegjës
për mbikëqyrjen, në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil.
3. Anëtarët e këshillit drejtues dhe këshillit mbikëqyrës emërohen nga Kryeministri apo ministri
përgjegjës për mbikëqyrjen dhe nga ministrat e tjerë të interesuar, sipas ligjit të krijimit.
4. Këshilli drejtues ka këto kompetenca:
a) miraton planin e veprimit, planin financiar, raportin vjetor dhe raporte të tjera të agjencisë;
b) propozon kandidatët për t'u emëruar drejtorë ekzekutivë, si dhe propozon shkarkimin e tyre;
c) i siguron drejtorit ekzekutiv udhëzime për veprimtarinë;
ç) çdo kompetencë tjetër, sipas përcaktimit të ligjit të krijimit.
5. Këshilli mbikëqyrës mbikëqyr punën e drejtorit në drejtimin e agjencisë dhe ushtron çdo kompetencë
tjetër, sipas përcaktimit të ligjit të krijimit.
6. Drejtori ekzekutiv apo drejtori i përgjithshëm drejton dhe përfaqëson agjencinë autonome.
7. Rregullat për organizimin e brendshëm, të parashikuara në këtë ligj për organizimin e institucioneve të varësisë, zbatohen për organizimin e brendshëm të agjencive autonome, për aq sa nuk parashikohet shprehimisht ndryshe në ligjin e krijimit.
8. Këshilli i Ministrave miraton rregullat e hollësishme për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të
strukturave drejtuese, si dhe rregullat për shpërblimin e tyre.

Seksioni 5
Procedura e miratimit të organizimit të brendshëm të institucioneve të administratës shtetërore


Neni 21
Miratimi i organizimit të brendshëm

1. Organizimi i brendshëm i institucioneve të administratës shtetërore përbëhet nga:
a) struktura funksionale;
b) organika e hollësishme e institucionit, që përfshin edhe klasifikimin e pozicioneve të punës, në bazë të legjislacionit të nëpunësit civil.
2. Organizimi i brendshëm i ministrive dhe institucioneve të varësisë, përfshirë edhe degët e tyre territoriale, miratohet me urdhër të Kryeministrit, në bazë të propozimit të ministrit përgjegjës dhe pas marrjes së mendimit të ministrit përgjegjës për financat. Departamenti i Administratës Publike harton projekt-urdhrat dhe ia dërgon për shqyrtim dhe miratim Kryeministrit.
3. Organizimi i brendshëm i njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve miratohet me urdhër të
ministrit përgjegjës, pas pëlqimit paraprak të ministrit përgjegjës për financat.
4. Organizimi i brendshëm i agjencive autonome miratohet nga organi i përcaktuar në ligjin për krijimin e agjencisë, pas konsultimit me ministrin përgjegjës për administratën publike dhe me Kryeministrin apo ministrin përgjegjës për mbikëqyrjen.
5. Këshilli i Ministrave:
a) miraton rregulla të hollësishme për organizimin e brendshëm të institucioneve të administrates shtetërore;
b) bën përshkrimin e përgjithshëm të punës së secilit tip të njësive administrative të institucioneve të administratës shtetërore;
c) miraton procedurat e hollësishme për përgatitjen, propozimin, konsultimin dhe miratimin e organizimit
të brendshëm, si dhe përmbajtjen e re lacionit shoqërues të propozimit.


KREU IV
MBIKËQYRJA E ADMINISTRATËS SHTETËRORE


Neni 22
Përgjegjësia për mbikëqyrjen

1. Çdo ministër është përgjegjës për mbikëqyrjen e veprimtarisë së ministrisë, të institucioneve të varësisë dhe të agjencive autonome brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë shtetërore. Kryeministri ështëpërgjegjës për mbikëqyrjen e institucioneve të varësisë ose të agjencive autonome në varësi të tij.
2. Kryeministri ose ministri përgjegjës, respektivisht, mund t'i delegojë një structure administrative të aparatit të ministrisë përkatëse ose përkatësisht Kryeministrisë kompetencën për ushtrimin e mbikëqyrjes së institucioneve të veçanta të varësisë ose të agjencive autonome. Në këtë rast, drejtuesi i strukturës administrative të ngarkuar është zyrtari përgjegjës për mbikëqyrjen.
3. Kryeministri apo ministri përgjegjës prezumohet si zyrtar përgjegjës për mbikëqyrjen deri në dhënien e
delegimit, sipas pikës 2 të këtij neni.

Neni 23
Mbikëqyrja e institucioneve të varësisë dhe e agjencive autonome

1. Institucionet e varësisë dhe agjencitë autonome mbikëqyren për:
a) realizimin e objektivave të miratuar politikë dhe të menaxhimit;
b) ligjshmërinë dhe përshtatshmërinë e veprimeve të tyre administrative, administrimin e burimeve
njerëzore, ekzekutimin e buxhetit, administrimin e pasurive dhe menaxhimin financiar.
2. Zyrtari përgjegjës për mbikëqyrje ka të drejtë:
a) të kërkojë raportim dhe informacion të rregullt dhe të posaçëm për veprimtarinë e përgjithshme
administrative dhe menaxhimin e brendshëm, si dhe për çështje konkrete administrative;
b) të ndërmarrë inspektime në vend dhe të inspektojë dosjet;
c) të përcaktojë objektivat e politikave të institucionit të varësisë dhe të agjencive autonome;
ç) të japë udhëzime dhe urdhra të përgjithshëm për veprimtarinë administrative dhe për çështje të menaxhimit të brendshëm;
d) të urdhërojë kryerjen e detyrave apo ndërmarrjen e masave të caktuara;
dh) të miratojë paraprakisht projektbuxhetin e institucionit të varësisë dhe të bëjë propozimin për
financim nga Buxheti i Shtetit të agjencisë autonome, në përputhje me ligjin.
3. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji, zyrtari përgjegjës për mbikëqyrjen, gjithashtu, ka të drejtë:
a) të urdhërojë fillimin, kryesisht, të një procedimi të caktuar administrativ nga institucioni i varësisë apo agjencia autonome;
b) të udhëzojë një institucion të varësisë apo agjenci autonome të pezullojë ekzekutimin e një akti administrativ të lëshuar nga ai vetë;
c) të urdhërojë institucionin e varësisë apo agjencinë autonome të ndryshojë ose të revokojë një akt administrativ.
4. Në rast se një institucion i varësisë nuk zbaton udhëzimet e përmendura në pikën 3 të këtij neni, brenda
një afati të arsyeshëm, zyrtari përgjegjës për mbikëqyrjen ushtron drejtpërdrejt kompetencat e institucionit
të varësisë dhe vepron në vend të tij.
5. Zyrtari përgjegjës për mbikëqyrjen është, gjithashtu, "organi epror" i institucionit të varësisë apo
agjencisë autonome në procedurën e ankimit administrativ, sipas Kodit të Procedurave Administrative.


KREU V
BASHKËPUNIMI DHE BASHKËRENDIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE


Neni 24
Bashkëpunimi

1. Institucionet e administratës shtetërore bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me institucionet e tjera
shtetërore e me njësitë e qeverisjes vendore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Institucionet e administratës shtetërore:
a) i sigurojnë njëri-tjetrit të dhëna, informacione dhe ndihmën e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tyre;
b) krijojnë grupe të përbashkëta pune për hartimin e strategjive, politikave, studimeve ose projekt-akteve
të veçanta për administrimin e zbatimit të projekteve të Qeverisë;
c) krijojnë njësi të përbashkëta për të kryer detyra administrative, të cilat për nga natyra e tyre kërkojnë
pjesëmarrjen e disa institucioneve.
3. Grupet e përbashkëta të punës ngrihen me urdhër të përbashkët të ministrave të përfshirë. Kur nuk arrihet një marrëveshje nga ministrat e përfshirë, grupet e përbashkëta të punës krijohen me urdhër të Kryeministrit. Grupet e përbashkëta të punës përbëhen nga nëpunësit civilë dhe funksionarët politikë të ministrive përkatëse. Në to mund të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm. Në rastet kur një detyrë e veçantë ka të bëjë me dy ose më shumë ministri, grupi i punës kryesohet nga një përfaqësues i ministrisë,
së cilës i përket kryesisht detyra, ministritë e tjera duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të rregullt.
4. Kryeministri mund të autorizojë një ministër për të administruar ose koordinuar punën e dy ose më shumë ministrive për hartimin e politikave ose për të administruar zbatimin e një projekti qeveritar që u përket fushave të përgjegjësisë shtetërore të disa ministrive.
5. Procedurat e bashkëpunimit për secilën nga format e parashikuara në pikën 2 të këtij neni përcaktohen
me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 25
Bashkërendimi dhe shkëmbimi i informacionit

1. Ministritë i dërgojnë informacion, në përputhje me legjislacionin përkatës, Presidentit dhe Kuvendit përmes Këshillit të Ministrave. Ata mund të dërgojnë informacion drejtpërsëdrejti te njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me legjislacionin përkatës.
2. Institucionet e varësisë dhe agjencitë e pavarura komunikojnë me Presidentin dhe me Kuvendin
nëpërmjet ministrit përgjegjës apo përkatësisht Kryeministrit.
3. Ministritë, institucionet e tyre të varësisë dhe organet autonome dorëzojnë informacione, dokumente
dhe materiale të tjera te gjykatat, në bazë të ligjit përkatës procedural.


KREU VI
DELEGIMI I FUNKSIONEVE NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Neni 26
Justifikimi i delegimit

1. Ministritë mund të delegojnë funksione të caktuara apo ofrimin e shërbimeve publike te njësitë e qeverisjes vendore. Ky delegim shoqërohet me transferimin e fondeve të mjaftueshme për të kryer detyrat e deleguara.
2. Detyrat e caktuara administrative, lidhur me ofrimin e shërbimeve publike, mund t'u delegohen edhe
personave privatë, fitimprurës ose jofitimprurës.
3. Delegimi, sipas këtij neni, nuk përfshin transferimin e përgjegjësisë për detyrën e deleguar.
4. Një detyrë administrative mund të delegohet në qoftë se plotësohen së bashku këto kushte:
a) realizimi i detyrës nga palët e treta justifikohet ekonomikisht;
b) delegimi nuk dëmton cilësinë e shërbimit publik që kryhet nëpërmjet delegimit;
c) delegimi nuk do të cenonte interesat publikë apo të drejtat e interesat e ligjshëm të personave, ndaj të
cilëve ekziston detyrimi për shërbimin publik;
ç) delegimi nuk do të cenojë kryerjen e vazhdueshme dhe efektive të shërbimit publik të deleguar;
d) autoriteti delegues ka kapacitet të mjaftueshëm për të monitoruar dhe mbikëqyrur zbatimin e detyrave të deleguara.

Neni 27
Procedura e delegimit

1. Delegimi te njësitë e qeverisjes vendore bëhet me ligj ose me marrëveshje, sipas ligjit për organizimin
dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
2. Delegimi te personat privatë realizohet nëpërmjet procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
3. Në aktin e delegimit përcaktohen:
a) funksionet e deleguara;
b) kompetencat dhe detyrat e transferuara;
c) financimi i detyrave të deleguara;
ç) institucioni i ngarkuar me mbikëqyrjen, si dhe objekti e instrumentet e mbikëqyrjes;
d) kriteret e ndërprerjes dhe mekanizmat për kryerjen e detyrave të deleguara në rast të ndërprerjes së
delegimit.


KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE


Neni 28
Vlerësimi dhe modernizimi

1. Organizimi dhe funksionimi i institucioneve të administratës shtetërore janë objekt i vlerësimit dhe
reformimit të vazhdueshëm, për të siguruar përputhshmërinë me dispozitat e këtij ligji.
2. Çdo ministër është përgjegjës për vlerësimin e përputhshmërisë me këtë ligj dhe modernizimin e
organizimit të institucioneve brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë shtetërore.
3. Ministria përgjegjëse për administratën publike mbështet ministritë, harton propozime, jep miratimin
paraprak për çdo projekt-akt ligjor apo nënligjor që rregullon çështje të organizimit dhe funksionimit të
institucioneve të administratës publike, mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, si dhe paraqet në Këshillin e
Ministrave një raport për gjendjen çdo dy vjet.

Neni 29
Rregulloret e brendshme

1. Këshilli i Ministrave miraton rregullore, brenda kuadrit të legjislacionit të përgjithshëm përkatës, për standardet e përbashkëta të menaxhimit në institucionet e administratës shtetërore, përfshirë menaxhimin e burimeve njerëzore, procedurat e punës dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive administrative dhe institucioneve të administratës shtetërore.
2. Rregulloret që përcaktojnë metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit miratohen nga
ministri përgjegjës për ministrinë, institucionet e varësisë dhe degët territoriale në varësi të tij.
3. Rregulloret e brendshme publikohen në mënyrë të përshtatshme.

Neni 30
Periudha kalimtare dhe aktet nënligjore

1. Këshilli i Ministrave miraton apo, përkatësisht, propozon, brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e këtij
ligji, ndryshimet në legjislacionin ekzistues për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të
administratës shtetërore, për përshtatjen e tyre me dispozitat e këtij ligji.
2. Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, siç kërkohet në dispozitat përkatëse, veçanërisht në pikën 5 të nenit 16, në pikën 2 të nenit 17, në pikën 8 të nenit 20, në pikën 5 të nenit 21 dhe në pikën 5 të nenit 24 të këtij ligji.

Neni 31

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 27.9.2012
Shpallur me dekretin nr.7791, datë 15.10.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 7 guests