LIGJI PËR INVESTIMET STRATEGJIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr. 55/2015. datë 28.5.2015

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR INVESTIMET STRATEGJIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr. 55/2015. datë 28.5.2015

Postby Libraria UBT » 10 Aug 2015, 21:28

LIGJI PËR INVESTIMET STRATEGJIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË - Nr. 55/2015. datë 28.5.2015

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj synon nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, vendase dhe të huaja, në sektorët e ekonomisë, të identifikuar prej këtij ligji si sektorë strategjikë, nëpërmjet vendosjes së procedurave të posaçme administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Neni 2
Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton procedurat dhe rregullat që zbatojnë organet shtetërore për shqyrtimin, miratimin dhe mbështetjen e investimeve strategjike, vendase dhe të huaja, që realizohen në Republikën e Shqipërisë, si dhe shërbimet ndaj investitorit.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Agjencia” është Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”.
2. “Agjent asistues i projektit strategjik dhe/ose investitorit strategjik” është përfaqësuesi i “dritares unike” të shërbimeve ndaj projektit/investitorit strategjik, i cili është përgjegjës për koordinimin e punës dhe përfaqësimin e saj përkundrejt investitorit në shërbimet me një ndalesë.
3. “Dritare unike” është institucioni përgjegjës i shërbimeve ndaj projektit/investitorit strategjik.
4. “Ferma e madhe bujqësore” është një sasi e konsiderueshme toke bujqësore e shfrytëzueshme për përpunimin intensiv të kulturave bujqësore, që gjeneron ndikim në ekonomi dhe punësim, koncepti i së cilës
mund të shërbejë si model edhe për ferma të tjera.
5. “Grupi operacional” është grupi i posaçëm i punës, i cili përbëhet nga ekspertë të ministrive të linjës, të fushave në të cilën/at kërkohet të realizohet investimi strategjik për të asistuar dhe mbështetur profesionalisht në ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha akteve e dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitjen, zbatimin, zhvillimin dhe
realizimin e projektit investues strategjik të veçantë.
6. “Investime strategjike” janë investimet e kryera në një nga sektorët ekonomikë
strategjikë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
7. “Komiteti i Investimeve Strategjike” është organi administrativ kolegjial pranë
Këshillit të Ministrave, i përcaktuar në këtë ligj.
8. “Konsolidimi i tokës” është ripërshtatja dhe ristrukturimi i planifikuar i parcelave të tokës dhe i pronësisë së tyre. Kjo mund të përfshijë ndryshimin e formës, pronësisë/regjimit juridik dhe shfrytëzimit të tokës, në çdo kombinim.
9. “Marrëveshje mirëkuptimi” është marrëveshja përgjithësisht jodetyruese për shërbimet ndaj projektit strategjik dhe investitorit potencial strategjik, në të cilën parashikohen zotimet dhe premtimet e ndërsjella të palëve për përgatitjen, hartimin dhe zbatimin e projektit investues strategjik.
10. “Procedurë e asistuar” është procedura administrative e parashikuar në këtë ligj, me të cilën administrata publike ndjek, koordinon, asiston, mbikëqyr dhe, sipas rastit, përfaqëson investimin strategjik përgjatë fazave të zbatimit të tij.
11. “Procedurë e veçantë” është procedura administrative e parashikuar në këtë ligj, me të
cilën jepet mbështetje me rregulla të veçanta për investime strategjike me ndikim në
ekonomi, punësim, industri, teknologji dhe/ose zhvillim rajonal, me synim lehtësimin dhe përshpejtimin e investimeve.
12. “Projekti potencial strategjik” është projekti i mundshëm i investimit me ndikim strategjik për zhvillimin e vendit dhe me interes publik, i cili klasifikohet si i tillë që nga momenti i nismës për të hartuar projektin nga promovuesi i projektit deri në momentin e përfitimit të statusit “Investim/investitor strategjik”.
13. “Regjistri i investimeve strategjike” është baza e të dhënave për çdo investim strategjik që do të kryhet në Republikën e Shqipërisë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili do të administrohet nga Agjencia.
14. “Risku operacional” është risku i humbjeve si pasojë e dështimeve apo
pamjaftueshmërisë së burimeve, proceseve, sistemeve apo rrethanave të tjera të jashtme.
15. “Sektorë strategjikë” janë sektorët ekonomikë, të përcaktuar sipas këtij ligji, të cilët
konsiderohen nga shteti shqiptar me potencial të lartë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
16. “Statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”” është statusi i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i cili u jepet personave juridikë privatë, vendas dhe të huaj, të cilët kërkojnë të realizojnë një projekt investues, të kualifikuar si strategjik nga ky ligj përgjatë të gjitha fazave të ndërtimit, zbatimit të projektit strategjik dhe
operimit të investimit/veprës strategjike.
17. “Subjekte investuese strategjike” janë subjektet investuese të interesuara për zhvillimin dhe realizimin e një investimi të kualifikuar si strategjik, sipas këtij ligji. Subjekte
investuese strategjike mund të jenë personat juridikë privatë, vendas dhe të huaj.
18. “Vlera e investimit” është vlera totale e investuar nga investitori deri në momentin që projekti bëhet operacional.
19. “Zona me përparësi zhvillimi” janë zonat rajonale dhe/ose lokale të qeverisjes vendore, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, të cilat konsiderohen
për mbështetje të posaçme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin.

Neni 4
Fusha e veprimit

Ky ligj zbatohet për të gjitha investimet strategjike, që përzgjidhen si të tilla në bazë të
kritereve e sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe në ata sektorë ekonomikë të
përcaktuar shprehimisht nga ky ligj si sektorë të investimeve strategjike.

Neni 5
Interesi publik

Investimet strategjike, të përcaktuara si të tilla në këtë ligj, konsiderohen me interes
publik. Përcaktimi i interesit publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet sipas:
a) vlerës së investimit;
b) kohës së realizimit të investimit;
c) produktivitetit dhe vlerës së shtuar të investimit;
ç) hapjes së vendeve të reja të punës;
d) prioritetit ekonomik sektorial;
dh) zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal;
e) zhvillimit apo përmirësimit të kushteve dhe standardeve për prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve;
ë) ofrimit të teknologjive të reja për të rritur konkurrencën dhe efektivitetin e investimit;
f) rritjes së nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve;
g) mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit.

Neni 6
Shërbime të promovimit dhe të përfaqësimit

1. Për të tërhequr investimet strategjike në Shqipëri, Agjencia mund të zhvillojë apo të blejë shërbime të promovimit.
2. Shteti mund të përfaqësohet në tregjet ndërkombëtare për investimet strategjike edhe nëpërmjet agjentëve ndërkombëtarë të investimeve. Përmes Agjencisë, shteti nënshkruan marrëveshjet e përfaqësimit me agjentët ndërkombëtarë të investimeve, shërbimi i të cilëve do të kompensohet në rast suksesi nga vetë investitorët, përmes formës së tarifës së suksesit.
3. Rregulla më të hollësishme për shërbimet e promovimit dhe përfaqësimit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Parimet e proporcionalitetit dhe përputhshmërisë në funksion të kushteve të veçanta

1. Kushtet e veçanta dhe nxitëse zbatohen deri në atë shkallë sa të mos shuajnë riskun operacional, duke respektuar parimet e konkurrencës së lirë dhe efektive në procedura dhe treg. Risku operacional i një investimi të propozuar, vendas apo të huaj, duhet të qëndrojë gjithmonë në anën e investitorit.
2. Kushtet e veçanta dhe nxitëse zbatohen proporcionalisht, si në raport me vlerën dhe rëndësinë e investimit, ashtu edhe me interesin dhe dobinë publike të investimit të propozuar.


KREU II
INVESTIMET STRATEGJIKE DHE KRITERET VLERËSUESE TË PËRZGJEDHJES


Neni 8
Sektorët strategjikë dhe kriteret për zbatimin e procedurave

1. Sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen:
a) sektori energjetik dhe minerar;
b) sektori “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”;
c) sektori “Turizëm (Strukturat turistike)”;
ç) sektori “Bujqësi (Ferma e madhe bujqësore) dhe peshkim”;
d) sektori “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”;
dh) zona me përparësi zhvillimi.
2. Nënsektorët specifikë, brenda sektorëve të përmendur në pikën 1, të këtij neni,
përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 1, të këtij neni, investimet e propozuara për t’u
konsideruar strategjike, duhet të përmbushin njëherësh kriteret e përcaktuara si më poshtë:
a) Për sektorin energjetik dhe minerar dhe nënsektorët investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
b) Për sektorin “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane” dhe nënsektorët investimi të jetë:
i) barabartë ose më i madh se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
c) Për sektorin “Turizëm” (Struktura turistike) investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) euro, dhe që në të njëjtën kohë krijon, minimalisht, 80 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”,
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
ç) Për sektorët “Bujqësi (ndërtimi i modelit të “Fermës së madhe bujqësore”) dhe peshkim” investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 3 000 000 (tre milionë) euro, dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 50 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
d) Për sektorin “zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, përfshirë nënsektorët e tij, investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) euro, për investitorët/projektet
që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, për
investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
dh) Për sektorin “Zona me përparësi zhvillimi” investimi të jetë:
i) i barabartë ose më i madh se 1 000 000 (një milion) euro, dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 150 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”;
ii) i barabartë ose më i madh se 10 000 000 (dhjetë milionë) euro dhe që, në të njëjtën kohë, krijon, minimalisht, 600 vende të reja pune, për investitorët/projektet që do të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
4. Përveç sa parashikohet në pikën 3, të këtij neni, për realizimin e projektit, subjekti investues, për procedurën e asistuar/e veçantë në momentin e aplikimit dhe/ose të kontratës, në rastet kur sipas ligjit të aplikueshëm nënshkruhet një e tillë për partneritetin publik privat me shtetin shqiptar, duhet të paraqesë të dhëna financiare, të cilat provojnë aftësinë e tij për
përmbushjen e garancive financiare për realizimin e investimit, në masën jo më pak se 10 për qind të vlerës së investimit.
5. Këshilli i Ministrave përcakton marzhet e garancisë financiare, rregulla më të
hollësishme për to, si dhe natyrën e dokumentacionit provues, që subjekti duhet të paraqesë
për të vërtetuar kapacitetin financiar për realizimin e projektit, sipas përcaktimit të pikës 4 të këtij neni.
6. Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitojnë edhe investitorët/projektet investuese, për të cilat, pavarësisht se nuk janë parashikuar të realizohen në një nga sektorët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, parashikohet që vlerën totale të kapitalit investues të projektit ta kenë të barabartë ose më të madhe se 100 000 000 (njëqind milionë) euro.
7. Këshilli i Ministrave, në zbatim të shkronjës “dh”, të pikës 1, të këtij neni, përcakton me vendim rregulla të hollësishme për përcaktimin dhe funksionimin e zonave, të cilat do të konsiderohen me përparësi zhvillimi.


KREU III
ORGANET DHE STRUKTURAT ADMINISTRATIVE


Neni 9
Komiteti i Investimeve Strategjike

1. Për zbatimin me sa më efikasitet të këtij ligji, krijohet Komiteti i Investimeve Strategjike, organ administrativ kolegjial pranë Këshillit të Ministrave, i cili kryesohet nga Kryeministri dhe në përbërje të tij ka këta anëtarë:
a) Zëvendëskryeministrin;
b) ministrin përgjegjës për çështjet e financave;
c) ministrin përgjegjës për çështjet e ekonomisë dhe turizmit;
ç) ministrin përgjegjës për çështjet e infrastrukturës dhe transportit;
d) ministrin përgjegjës për çështjet e energjisë dhe industrisë;
dh) ministrin përgjegjës për çështjet e zhvillimit urban;
e) ministrin përgjegjës për çështjet e bujqësisë;
ë) ministrin përgjegjës për mjedisin;
f) Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit;
g) si dhe, rast pas rasti, ministrat përgjegjës, kur çështjet që do të diskutohen në këtë
komitet u përkasin fushave të përgjegjësive që ata mbulojnë.
2. Komiteti i Investimeve Strategjike fton të marrin pjesë në mbledhjet e tij, pa të drejtë vote, drejtues të njësive të qeverisjes vendore, për të dhënë opinionet dhe shprehur mendimet
e tyre mbi investimet strategjike që parashikohen të realizohen në zonat e juridiksionit administrativ të tyre.
3. Komiteti i Investimeve Strategjike ka këto përgjegjësi:
a) monitoron funksionimin e sistemit të “dritares unike” për shërbimet ndaj investitorit strategjik;
b) monitoron performancën e ndikimit të investimeve strategjike e të ecurisë së tyre, si
dhe miraton programet konkrete për mbështetjen dhe stimujt për investimet strategjike;
c) miraton planin e veprimit për masat, procedurat dhe afatet, në lidhje me shërbimet dhe lehtësimin e procedurave për hartimin dhe zbatimin e një projekti investues strategjik, në të cilin përcaktohen angazhime, detyra dhe afate konkrete për institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për të gjitha fazat e realizimit dhe zbatimit të projektit;
ç) miraton projektet me statusin “projekt me potencial strategjik”.
Rregulla me të hollësishme në lidhje me këtë pikë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Komiteti i Investimeve Strategjike miraton, me vendim, rregulloren për mënyrën e funksionimit dhe kompetencat e tij.
5. Rolin e Sekretariatit të Komitetit të Investimeve Strategjike e kryen Agjencia, e cila mundëson të gjithë mbështetjen e nevojshme për mbarëvajtjen e mbledhjeve. Për këtë qëllim, pranë Agjencisë ngrihet sekretariati teknik, përbërja dhe mënyra e funksionimit të të cilit përcaktohen në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Neni 10
Organet administrative

1. Agjencia, përveç detyrave dhe kompetencave të tjera, që ka në zbatim të ligjit “Për krijimin, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve”, është struktura administrative kompetente për dhënien e shërbimeve për investitorin në një “dritare unike” për investitorët/projektet, të cilat aplikojnë dhe kërkojnë të
përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.
2. Agjencia është agjenti asistues për projektet potenciale strategjike, investitorët
potencialë ose investitorin, me status të miratuar sipas këtij ligji.
3. Agjencia, në rolin e agjentit asistues, në zbatim të detyrave të përcaktuara në këtë ligj, ndjek të gjitha procedurat administrative të parashikuara, që nga momenti i paraqitjes së një kërkese/propozimi investues për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” deri në përfundimin e të gjitha
procedurave administrative, të parashikuara nga ky ligj, për realizimin e projektit investues.
4. Agjencia analizon paraprakisht profilin e investitorit dhe për këtë qëllim ka të drejtë t’i kërkojë investitorit informacione lidhur me kapacitetin financiar dhe aftësinë e tij për të gjeneruar fonde të mjaftueshme për financimin e investimit, deklaratat financiare, strukturën menaxheriale, pronësinë, pozicionimin në treg, eksperiencat e mëparshme, lidhur me fushën e investimit, projekte të ngjashme, si dhe komponentë të tjerë të nevojshëm për të provuar aftësitë e tij investuese dhe potencialin për të qenë investitor strategjik për projektet e investimeve strategjike, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
5. Agjencia kryen veprimet përgatitore dhe shërbimet e nevojshme ndaj projektit potencial strategjik dhe investitorit/investitorëve potencialë strategjikë, ofron shërbime analize, vlerësimi, koordinimi informacioni, të konsolidimit të tokës, si dhe shërbime përfaqësimi të investitorit tek institucionet/entet/autoritet publike në lidhje me përgatitjen, zbatimin dhe realizimin e një projekti investues strategjik.
6. Pranë Agjencisë krijohet “Regjistri i investimeve strategjike”, i cili është baza e të dhënave për çdo investim strategjik që do të kryhet në Republikën e Shqipërisë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Rregullat e hollësishme për funksionimin, krijimin, administrimin, formatimin, përmbajtjen etj., si dhe procedura për sigurinë e regjistrit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Agjencia raporton pranë Komitetit të Investimeve Strategjike ndjekjen dhe zbatimin e të gjitha detyrave dhe procedurave të parashikuara në planin e veprimit që nga momenti i paraqitjes së një propozimi investues për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” deri në përfundimin e të gjitha procedurave administrative të parashikuara nga ky ligj, për realizimin e projektit investues.
8. Ministria përgjegjëse për ekonominë monitoron veprimtarinë e Agjencisë në rolin e “dritares unike”, në kuadër të zbatimit të detyrave funksionale e të ofrimit të shërbimeve për investitorin, të përcaktuara nga ky ligj, si dhe treguesit e cilësisë së shërbimeve që kryen Agjencia.

Neni 11
Strukturat administrative ndihmëse

1. Grupi operacional i krijuar pranë Agjencisë ka këto detyra:
a) përcakton procedura të detajuara në lidhje me përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti
individual dhe informimin e investitorit dhe institucioneve të interesuara për to;
b) kryen veprime që lidhen me paraqitjen e zhvillimin e projektit dhe që mbështesin kryerjen e investimit strategjik dhe hartimin e një liste masash e dokumentesh që duhet të përmbajë dhe/ose që duhet të merren për të realizuar projektin e investimit strategjik, përmes sistemit të “dritares unike”, me procedurë të përshpejtuar;
c) bën vlerësimin teknik të projektit të investimit strategjik, të potencialit strategjik të tij,
të riskut operacional dhe të planit të veprimit për realizimin e këtij projekti.
2. Grupi operacional, rast pas rasti, në varësi të çështjes, kërkon mendim nga Autoriteti i
Konkurrencës, njësitë përkatëse të qeverisjes vendore apo agjenci ose institucione të tjera.


KREU IV
PROCEDURAT PËR INVESTIMET STRATEGJIKE


Neni 12
Procedurat administrative

1. Procedurat administrative, të parashikuara nga ky ligj, referuar investimeve strategjike brenda fushës së veprimit të përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, të cilat lidhen me përgatitjen, zbatimin, zhvillimin dhe realizimin e një projekti investues strategjik, si dhe me lëshimin e licencave/lejeve/autorizimeve dhe mendimeve, në zbatim të këtij ligji, janë me prioritet, renditen të parat në radhë dhe ndiqen me procedurë të përshpejtuar për të gjitha institucionet/entet/autoritetet publike, shtetërore, të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këto procedura.
2. Të gjitha institucionet/entet/autoritetet publike shtetërore detyrohen të bashkëpunojnë dhe t’i japin Agjencisë, në rolin e “dritares unike” për ofrimin e shërbimeve ndaj investitorit, me kërkesën e saj, sqarime, informacione dhe dokumentet e nevojshme në lidhje me përgatitjen, zbatimin dhe realizimin e një projekti investues strategjik. Roli, përgjegjësitë dhe detyrat në marrëdhëniet e Agjencisë me këto institucione, si dhe rregulla më të hollësishme dhe afatet administrative për procedurën me prioritet e të përshpejtuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13
Paraqitja e projektit dhe dokumentacioni përkatës

1. Subjekti investues i interesuar, në zbatim të këtij ligji, i cili kërkon përfshirjen e projektit investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë, duke i bashkëlidhur dokumentacionin e mëposhtëm:
a) planin e biznesit të investimit, planin e financimit të investimit dhe programin e punës
për realizimin e projektit/investimit strategjik;
b) vlerësimin e ndikimit social dhe ekonomik e strategjik të projektit;
c) listën me të gjitha incentivat dhe kërkesat për mbështetje dhe shërbime që subjekti
investues kërkon nga shteti shqiptar për realizimin e projektit investues;
ç) dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si mënyrë garancie për zbatimin dhe zhvillimin e projektit në fjalë, sipas kërkesave të nenit 8, të këtij ligji;
d) deklaratën e subjektit investues të interesuar mbi vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitura në dosje;
dh) autorizimin me shkrim nga ana e investitorit, me të cilin autorizohet Agjencia, në rastin e kërkesës për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në dosje, si dhe dakordësinë e investitorit për publikimin e detajeve të investimit të propozuar, përveç të dhënave që konsiderohen prej tij si konfidenciale, të cilat nuk mund të bëhen publike apo t’u shfaqen personave të tretë;
e) mandatpagesën për tarifat e aplikueshme.
2. Rregulla më të hollësishme për dokumentacionin dhe vlerësimin e tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 14
Propozimi dhe mbështetja paraprake e një projekti me potencial strategjik

1. Subjekti investues i interesuar, vendas/i huaj, dhe ministri i linjës, sipas sektorit të projektit investues, nëpërmjet Agjencisë, kanë të drejtën për të kërkuar përfshirjen e një projekti investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
2. Subjekti investues i interesuar, i cili kërkon përfshirjen në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim zhvillimin e një propozimi për projektin potencial strategjik, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë, e cila, pasi vlerëson paraprakisht potencialin strategjik të një projekti, bazuar në nenin 5, të këtij ligji, në rolin e agjentit asistues, asiston subjektin për mbledhjen e informacionit me të dhënat e karakterit teknik, ligjor, administrativ etj., të nevojshme për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e investimit.

Neni 15
Marrëveshja e mirëkuptimit

Me qëllim mbështetjen e projektit me potencial strategjik, me propozimin e Agjencisë, Komiteti i Investimeve Strategjike autorizon ministrin/ministrat përgjegjës të fushës dhe/ose Agjencinë, për negocimin, lidhjen dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi, në të cilën parashikohen shërbimet, zotimet dhe premtimet e ndërsjella të qeverisë e të investitorit për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit investues strategjik. Marrëveshje mirëkuptimi mund të nënshkruhet që në fazën e shprehjes së interesit paraprak dhe të veprimeve përgatitore që zhvillojnë projektin potencial strategjik.

Neni 16
Tarifat për shërbimet ndaj investitorit/investimit strategjik

1. Për shërbimet ndaj investitorit/investimit strategjik mund të aplikohen:
a) tarifa e kostove dhe e shërbimit administrativ;
b) tarifa e menaxhimit.
2. Këto tarifa, si dhe procedurat për vendosjen, pagesën dhe administrimin e tyre
miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 17
Shqyrtimi i dosjes së projektit me potencial strategjik dhe miratimi i statusit procedurë e asistuar/e veçantë

1. Agjencia, nëpërmjet grupit operacional, brenda 30 ditëve pune nga data e paraqitjes së plotë të dosjes së projektit për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, verifikon dokumentacionin e depozituar dhe kryen vlerësimin teknik, financiar e strategjik të projektit me potencial strategjik.
2. Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, nëse konstaton se dokumentacioni është i paplotë, i kërkon, me shkrim, subjektit investues plotësimin e të gjitha dokumenteve dhe të dhënave të kërkuara. Subjekti investues duhet të plotësojë dokumentacionin brenda një afati 10-ditor nga dita e marrjes së njoftimit.
3. Nëse projekti strategjik dhe aplikimi i investitorit përmbushin kërkesat e këtij ligji, Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, i propozon Komitetit të Investimeve Strategjike miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”. Vendimi i Komitetit të
Investimeve Strategjike i njoftohet, me shkrim, kërkuesit.
4. Kur legjislacioni në fuqi parashikon zhvillimin e procedurave konkurruese/tenderuese/koncesionare vetëm pas përzgjedhjes së subjektit fitues të garës dhe nëse projekti i propozuar përmbush kërkesat e këtij ligji, Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, vlerëson projektin e propozuar dhe i propozon Komitetit të Investimeve Strategjike miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”. Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike i njoftohet, me shkrim, kërkuesit.
5. Komiteti i Investimeve Strategjike, në rast se vendos për mospranimin e kërkesës për përfshirjen e projektit investues në procedurën e asistuar/e veçantë, njofton subjektin investues të interesuar nëpërmjet sekretariatit.

Neni 18
Përmbajtja e vendimit

Vendimi, me anë të të cilit Komiteti i Investimeve Strategjike miraton statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në përmbajtje të tij duhet të parashikojë, gjithashtu, edhe elementet e mëposhtme:
a) titullin e projektit investues;
b) vlerën e parashikuar të kapitalit që do të investohet;
c) emrin e investitorit të interesuar dhe partnerëve të tij;
ç) llojin e projektit investues;
d) vendin/zonën ku do të zhvillohet ky projekt investues;
dh) afatin për të cilin jepet statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

Neni 19
Rastet e revokimit të vendimit për dhënien e statusit
“Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” Në rast se përgjatë përgatitjeve, zhvillimit dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komiteti i Investimeve Strategjike konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave të dala rishtazi, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për përfshirjen e këtij projekti në procedurën e asistuar/e veçantë, Komiteti i Investimeve Strategjike revokon vendimin për dhënien e statusit “Investim/investitor
strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

Neni 20
Detyrimet e investitorit pas revokimit të vendimit për dhënien e statusit

1. Zbatimi i sanksioneve administrative pas revokimit të statusit nuk e liron investitorin
nga përgjegjësia civile për dëmin e shkaktuar, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Kur revokohet vendimi për dhënien e statusit, sipas parashikimeve të këtij ligji, ministri
përgjegjës i fushës përkatëse ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore për rregullimin e pasojave, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 21
Shërbimet ndaj investitorit në rastin e procedurës së asistuar

Pas marrjes së vendimit për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, investitori, nëpërmjet “dritares unike” (Agjencia), mund të përfitojë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, shërbime dhe lehtësi të llojit:
a) kryerje e veprimeve përgatitore, përgatitje e dokumenteve dhe aplikim administrativ me procedurë të përshpejtuar nga agjenti asistues, përfshirë dokumentet e nevojshme që shoqërojnë aplikimin, kur ato lëshohen nga një organ i administratës shtetërore, me kërkesë të një organi tjetër të administratës shtetërore;
b) trajtim me prioritet të përgatitjes së dokumentacionit, dhënies së mendimeve apo ndjekjen e procedurave, të cilat përfshihen në fushën e veprimtarisë së organeve të administratës shtetërore, të përfaqësuar në grupin operacional, për përgatitjen dhe realizimin e investimit strategjik;
c) konsolidim i tokës;
ç) programe mbështetëse;
d) mbështetje me infrastrukturë ndihmëse;
dh) vënie në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 22
Shërbimet ndaj investitorit në rastin e procedurës së veçantë

Pas marrjes së vendimit për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, investitori mund të përfitojë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, përveç sa parashikohet në nenin 19, të këtij ligji, shërbime që kanë të bëjnë me:
a) shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe
realizimin e projekteve investuese strategjike;
b) miratimin nga ana e Kuvendit, kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, të kontratave përkatëse të investimit strategjik, me kërkesë të investitorit strategjik për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike të rregulluar përmes tij dhe shtetit shqiptar.

KREU V
PROCEDURA E ASISTUAR


Neni 23
Marrja e licencave/lejeve/autorizimeve pas përfitimit të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”

1. Pas miratimit të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, nga Komiteti i Investimeve Strategjike, subjekti investues i interesuar paraqet pranë Agjencisë një dosje të plotë, e cila duhet të përmbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga legjislacioni sektorial për miratimin e licencave/lejeve/autorizimeve, sipas legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, së bashku me mandatpagesat e tarifave respektive.
2. Agjencia përcjell dosjen e subjektit investues që ka përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” për marrjen e licencave/lejeve/autorizimeve, pranë institucioneve/enteve/autoriteteve publike, kompetente për lëshimin e këtyre dokumenteve ligjore, brenda 5 ditëve pune nga data e paraqitjes së dosjes.
3. Institucionet/entet/autoritet publike, me marrjen e dokumentacionit nga Agjencia,
brenda 15 ditëve pune, japin licencat/lejet/autorizimet, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Përjashtimisht nga sa parashikohet në pikën 3, të këtij neni, për shkaqe të arsyeshme që
lidhen me kompleksitetin e licencave/lejeve/autorizimeve, afati shtyhet vetëm një herë, për një periudhë kohe 15 ditë pune.
5. Institucionet/entet/autoritet publike, nëse konstatojnë se dokumentacioni është i paplotësuar, i kërkojnë subjektit investues, vetëm një herë, me shkrim, brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së dosjes, plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike.
6. Subjekti investues, që ka përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, ka përgjegjësinë për plotësimin me korrektësi dhe vërtetësi të të dhënave dhe dokumenteve të nevojshme për lëshimin e licencave/lejeve/autorizimeve përkatëse, në zbatim të legjislacionit sektorial për miratimin e tyre.


KREU VI
PROCEDURA E VEÇANTË


Neni 24
Marrja e licencave/lejeve/autorizimeve për procedurën e veçantë

1. Pas miratimit të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” nga Komiteti i Investimeve Strategjike, subjekti investues i interesuar paraqet pranë Agjencisë një dosje të plotë, e cila duhet të përmbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që kërkohet nga legjislacioni sektorial për miratimin e licencave/lejeve/autorizimeve, sipas legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, së bashku me mandatpagesat e tarifave respektive.
2. Agjencia ia përcjell dosjen e subjektit investues që ka përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, për marrjen e licencave/lejeve/autorizimeve, pranë institucioneve/enteve/autoriteteve publike kompetente për lëshimin e këtyre dokumenteve ligjore, brenda 5 ditëve pune nga data e paraqitjes së dosjes.
3. Institucionet/entet/autoritetet publike, me marrjen e dokumentacionit nga Agjencia,
brenda 15 ditëve pune, japin licencat/lejet/ autorizimet, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Përjashtimisht nga sa parashikohet në pikën 3, të këtij neni, për shkaqe të arsyeshme që
lidhen me kompleksitetin e licencave/lejeve/autorizimeve, afati shtyhet vetëm një herë.
5. Institucionet/entet/autoritetet publike, nëse konstatojnë se dokumentacioni është i
paplotësuar, i kërkojnë vetëm një herë subjektit investues plotësimin e të gjithë
dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara. Subjekti investues duhet të plotësojë
dokumentacionin brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së njoftimit.
6. Subjekti investues, që ka përfituar statusin “Investim/investitor, strategjik, procedurë e veçantë”, ka përgjegjësinë për plotësimin me korrektësi dhe vërtetësi të të dhënave dhe dokumenteve të nevojshme për lëshimin e licencave/lejeve/autorizimeve përkatëse, në zbatim të legjislacionit sektorial për miratimin e tyre.

Neni 25
Unifikimi i procedurave

Nëse për realizimin e një projekti potencial strategjik, procedurë e veçantë, përfshihen disa sektorë dhe nevojitet kryerja e disa procedurave konkurruese/ tenderuese/koncesionare nga autoritete të ndryshme, Këshilli i Ministrave mund:
a) të unifikojë projektin e investimit strategjik, duke përcaktuar si autoritet kontraktues
sektorin me rëndësi më të madhe në investim, në varësi të natyrës së projektit të investimit strategjik;
b) të bashkojë procedurat për vendimmarrjen për t’u trajtuar nga një autoritet i vetëm kontraktues ose me bashkëfirmosje.


KREU VII
MASA MBËSHTETËSE


Neni 26
Mbështetja me infrastrukturë ndihmëse

1. Shteti mund të mbështesë me infrastruktura ndihmëse investimin strategjik të miratuar, që shërben për përgatitjen, zbatimin e projektit dhe realizimin e investimit, të tilla si rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion.
2. Ministria përgjegjëse për çështjet e ekonomisë, në bashkëpunim me ministritë e tjera, shqyrton dhe verifikon nevojat dhe kërkesat për infrastrukturë ndihmëse, si dhe vlerëson koston e përafërt për realizimin e saj, kosto kjo e cila nuk duhet të jetë disproporcionalisht e lartë, në raport me vlerën dhe rëndësinë e projektit investues strategjik.
3. Mbështetja me infrastrukturë ndihmëse miratohet me vendim nga Komiteti i
Investimeve Strategjike dhe i njoftohet, me shkrim, investitorit.
4. Autoritetet/entet publike kompetente për realizimin e këtyre punëve dhe shërbimeve marrin menjëherë të gjitha masat dhe ndjekin të gjitha procedurat e nevojshme organizative dhe operacionale për identifikimin dhe plotësimin me prioritet të kërkesave infrastrukturore në fjalë, në mbështetje të investimit strategjik të miratuar.

Neni 27
Përdorimi i pasurive të paluajtshme shtetërore për realizimin e investimeve strategjike

1. Në dispozicion të zhvillimit dhe realizimit të projekteve investuese strategjike, sipas
këtij ligji, mund të vihen trojet, pyjet, tokat bujqësore, si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar.
2. Mënyra e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 28
Shpronësimet për interes publik

1. Për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, të cilat kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, si dhe të punëve dhe shërbimeve mbështetëse infrastrukturore, lejohet shpronësimi, për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, sipas rregullimeve në legjislacionin e aplikueshëm për shpronësimin për interes publik, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin e pasurisë së paluajtshme, mbasi janë kryer më parë përpjekjet përmes instrumenteve të lehtësimit të aksesit në tokë nga investitori dhe ose ristrehimit nga shteti.
Mënyra e dokumentimit të marrëveshjes ose mosmarrëveshjes me pronarin e pasurisë së paluajtshme dhe afati kohor për fillimin/përfshirjen e shtetit në procedurat e shpronësimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Shpronësimi, për interes publik, i pasurive të paluajtshme, pronë private, realizohet në
përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për shpronësimet për interes publik.
3. Kompensimi financiar që nevojitet për realizimin e shpronësimeve mbulohet nga
subjekti që ka paraqitur kërkesën për shpronësim.
4. Shpronësimi, për interes publik, i pasurive të paluajtshme, pronë private, në zbatim të këtij ligji, nuk lejohet për shpronësimin e pasurive të paluajtshme në pronësi të investitorëve strategjikë të tjerë, që kanë realizuar investimin e tyre në një periudhë kohore të mëhershme.

Neni 29
E drejta e përdorimit të brigjeve

Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit, liqeneve, lumenjve dhe shtretërve të tyre, si dhe
zonave përkatëse, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik, miratohet me
vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave, me propozim nga Komiteti i Investimeve
Strategjike, pas marrjes së mendimit paraprak nga institucionet, kompetencat e të cilave shtrihen në këto zona.

Neni 30
Pjesëmarrja e shtetit në një investim strategjik

Shteti mund të jetë bashkëpjesëmarrës në investime strategjike, në rolin e zhvilluesit të
projektit, zonës apo formave të tjera, sipas rregullave dhe përcaktimeve të legjislacionit në
fuqi. Organizimi i pjesëmarrjes dhe forma përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 31
Fondi i Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike

1. Në funksion të mbështetjes shtetërore për realizimin e investimit, krijohet Fondi i
Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, i cili krijohet nga pasuritë
e paluajtshme shtetërore, në pronësi të institucioneve qendrore apo të njësive të qeverisjes vendore.
2. Mënyra e krijimit, funksionimit dhe administrimit të këtij fondi miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 32
Masat administrative dhe disiplinore për mospërmbushjen e detyrave

Veprimi ose mosveprimi nga nëpunësi publik apo punonjësi, në kundërshtim me nenin 9,
të këtij ligji, konsiderohet mospërmbushje e rëndë e detyrës dhe përbën shkak për fillimin e
procedurës disiplinore, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, ose
Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Agjencia i propozon organit administrativ
përgjegjës marrjen e masave disiplinore ndaj personit/personave përgjegjës, sipas
legjislacionit në fuqi për shërbimin civil.

Neni 33
Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë
kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) mospërmbushja e detyrimit të parashikuar në pikën 2, të nenit 12, dënohet me gjobë
nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
b) mosrespektimi i afateve të parashikuara në pikën 3, të nenit 23, dhe në pikën 3, të nenit
24, dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo ditë vonesë, por jo më
shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Autoriteti kompetent për vendosjen e gjobës është Agjencia.
3. Procedura e konstatimit, vendosjes, ankimit dhe ekzekutimit të gjobës bëhet në
përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.


KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 34
Zbatimi i dispozitave

1. Ky ligj zbatohet për investimet strategjike, për të cilat parashikohet të realizohen
rishtazi në Republikën e Shqipërisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilat konsiderohen
“investime të reja”, por edhe për ato investime strategjike, të cilat janë në proces të zhvillimit
të tyre dhe për të cilat nuk është nënshkruar ende një kontratë ndërmjet
institucionit/entit/autoritetit publik dhe investitorit strategjik.
2. Ky ligj zbatohet, gjithashtu, edhe për ato investime strategjike, për të cilat është
nënshkruar një kontratë para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që klasifikohen investime
strategjike, në kuptim të këtij ligji, me qëllim realizimin dhe konkretizimin e tyre.
Dispozitat e përcaktuara në kreun VII, të këtij ligji, nuk aplikohen për kontratat e
investimeve të nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 35
Aktet nënligjore për zbatimin e ligjit

Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 6; pikave 2, 5 e 7, të nenit 8; pikës 3, të nenit 9; pikës 6, të nenit 10; pikës 2, të nenit 12; pikës 2, të nenit 13; pikës 2, të nenit 16; pikës 1, të nenit 28; dhe të neneve 30 e 31, pika 2, të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Neni 36
Afati përfundimtar i paraqitjes së kërkesave

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për
përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e
asistuar/e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, është data 31 dhjetor 2018.

Neni 37
Hyrja në fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R I
Ilir META
Miratuar në datën 28.5.2015

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest