AKT NORMATIV - PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR THERJEN E KAFSHËVE DHE TREGTIMIN E MISHIT TË TYRE

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

AKT NORMATIV - PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR THERJEN E KAFSHËVE DHE TREGTIMIN E MISHIT TË TYRE

Postby Libraria UBT » 31 Jul 2015, 15:50

AKT NORMATIV - PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR THERJEN E KAFSHËVE DHE TREGTIMIN E MISHIT TË TYRE
Nr. 4, datë 16.8.2012


Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave,duke e vlerësuar situatën e rëndë dhe emergjente që paraqitet në Republikën e Shqipërisë, për parandalimin e fenomenit të therjes dhe tregtimit të mishit jashtë kushteve normale që garantojnë higjienën, jetën e njeriut, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik;
duke e çmuar këtë situatë me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e njeriut, si dhe faktin se sipas nenit 21 të Kushtetutës jeta e personit mbrohet me ligj;
duke mbajtur në konsideratë nevojën për efekte të menjëhershme për sigurinë e jetës së
qytetarëve, si një fushë me ndjeshmëri të madhe publike, si dhe
duke vlerësuar se zgjidhja e situatës së krijuar është e pamundur të presë aq kohë sa nevojitet për nxjerrjen e ligjit të nevojshëm nga Kuvendi, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuar
a,

VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti dhe qëllimi

1. Objekt i këtij akti normativ është vendosja e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre, si dhe përcaktimin e procedurës për parandalimin e shkeljeve, monitorimin dhe marrjen e masave për zbatimin e këtyre rregullave.
2. Qëllimi i këtij akti normativ është mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të njeriut, si dhe mbrojtja e mjedisit.

Neni 2
Fusha e zbatimit

1. Ky akt normativ i shtrin efektet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Subjekte të këtij akti normativ janë të gjithë personat që kryejnë veprimtari të therjes së kafshëve dhe të tregtimit të mishit të tyre.

Neni 3
Përkufizime

Termat e përdorur në këtë ligj kanë të njëjtin kuptim me termat e përdorur në ligjin nr.10 465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, dhe në ligjin nr. 9863, date 28.1.2008 “Për ushqimin”.


KREU II
THERJA E KAFSHËVE


Neni 4
Vendi për therjen e kafshëve

1. Çdo aktivitet ekonomik i therjes së kafshëve bëhet vetëm nga subjekte të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit “QKR”, sipas legjislacionit në fuqi dhe ushtrohet në mjedise të cilat
plotësojnë kushtet e ndërtimit, planimetrisë, pajisjeve me bazë materiale, si dhe të higjienës e sigurisë, që përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin.
2. Ndalohet rreptësisht therja e kafshëve në sheshe, rrugë kombëtare apo lokale, si dhe në çdo ambient të hapur për publikun.
3. Mjediset, në të cilat ushtrohet aktiviteti i therjes së kafshëve, duhet të garantojnë përmbushjen e kërkesave për respektimin e kushteve higjienike, mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njeriut, si dhe mbrojtjen e mjedisit.
4. Hapja, kontrolli dhe ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të therjes së kafshëve bëhen sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ, si dhe në legjislacionin në fuqi.

Neni 5
Kontrolli i procesit të therjes së kafshëve

1. Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit “AKU” inspektojnë të gjitha mjediset, ku kryhet aktiviteti i therjes së kafshëve, duke kontrolluar posaçërisht nëse subjektet përmbushin kërkesat e nenit 4 të këtij akti normativ.
2. Nëse subjekti nuk përmbush kërkesat e parashikuara në nenin 4, inspektorët e AKU-së plotësojnë dokumentin e vlerësimit të mjediseve ku ushtrohet aktiviteti i therjes së kafshëve dhe marrin masa për ndërprerjen e aktivitetit, si dhe vendosjen e sanksioneve, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në këtë akt normativ.
3. Inspektorët e AKU-së, të Agjencisë Rajonale të Mjedisit “ARM” apo inspektorët sanitarë shtetërorë, nëse konstatojnë kryerjen e aktivitetit në kundërshtim me parashikimet e nenit 4 të këtij akti, kryesisht ose mbi bazën e njoftimit të organeve të qeverisjes vendore, së bashku ose veç e veç, janë të detyruar të marrin të gjitha ose njërën nga masat e mëposhtme:
a) Ndalimin e menjëhershëm të ushtrimit të aktivitetit;
b) Konfiskimin e kafshës, produkteve, veglave të punës, si dhe të çdo materiali tjetër nga ana e inspektorëve të AKU-së, pavarësisht nëse ka përfunduar apo jo procesi i therjes;
c) Vendosjen e sanksioneve administrative sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë akt normativ;
ç) Kthimin e gjendjes së mjedisit në kushte normale.

Neni 6
Detyrat e organeve të njësive të qeverisjes vendore

1. Organet e njësive të qeverisjes vendore janë të detyruara të ushtrojnë kontroll në territorin në administrim të tyre për aktivitetin e therjes që kryhet nga subjekte të paregjistruara në kundërshtim me parashikimet e nenit 4 dhe, nëse konstatojnë therjen e kafshëve në mjedise të hapura për publikun dhe/ose jashtë mjediseve, të cilat përmbushin kushtet e nenit 4, njoftojnë menjëherë strukturat e përcaktuara në nenin 5 të këtij akti normativ. Strukturat e përcaktuara në nenin 5 të këtij akti normativ, veprojnë menjëherë me marrjen e njoftimit, pavarësisht nga forma e tij, duke marrë të gjitha masat sipas këtij akti normativ.
2. Në rast mosveprimi të strukturave të përcaktuara në nenin 5 të këtij akti normativ, organet e njësive të qeverisjes vendore janë të detyruara të njoftojnë përkatësisht ministrin përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin, ministrin përgjegjës për mjedisin dhe ministrin përgjegjës për shëndetësinë.
3. Organet e njësive të qeverisjes vendore, nën përgjegjësinë personale të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, marrin masat për prishjen e çdo ndërtimi ose strukture të paligjshme që shërben për therjen e kafshëve në ambiente të hapura për publikun, si dhe kthimin e mjedisit në gjendje të përshtatshme.

Neni 7
Procesi i therjes së kafshëve

1. Procesi i therjes së kafshëve kryhet vetëm nga subjekte dhe në mjedise që përmbushin kushtet e përcaktuara në nenin 4 dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes së veterinerit zyrtar të strukturës veterinare vendore, procedurë në të cilën përfshihet kontrolli klinik i kafshës, si dhe të gjithë dokumentacionit shoqërues, përfshirë këtu certifikatën veterinare, lejen e lëvizjes dhe matrikullin. Therja e kafshës nuk kryhet deri sa kjo të lejohet nga veterineri zyrtar.
2. Në përfundim të procesit të therjes veterineri zyrtar i strukturës veterinare vendore kryen kontrollin e mishit, certifikimin e tij në përputhje me modelin e certifikatës shëndetësore veterinare, të miratuar nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin, si dhe vulosjen e karkasës së kafshës, duke e cilësuar si të përshtatshme për konsum. Vulosja kryhet në sipërfaqen e jashtme të karkasës (shpatull, gjoks, kofshë) dhe vula duhet të ketë numrin e miratimit të subjektit, lëshuar nga AKU-ja.
3. Veterineri zyrtar e ofron këtë shërbim vetëm për kafshët që theren nga subjekte dhe në mjedise që përmbushin kushtet e përcaktuara në nenin 4 të këtij akti normativ.
4. Veterineri zyrtar siguron që vulosja e karkasës të bëhet vetëm për kafshët që i janë nënshtruar kontrollit para dhe pas therjes, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
5. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, nën përgjegjësinë e tij personale, mbikëqyr respektimin e këtij neni nga veterineri zyrtar që ushtron veprimtarinë në autoritetin e tij.
6. AKU-ja, nëpërmjet strukturave të tij rajonale, mbikëqyr respektimin e këtij neni nga strukturat përgjegjëse të pushtetit vendor. Nëse konstaton mosrespektim të kërkesave të këtij akti normativ apo të legjislacionit në fuqi njofton menjëherë prefektin dhe ministrin përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin, i cili vepron në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë akt normativ.

Neni 8
Trajtimi i karkasës pas përfundimit të procesit të therjes

1. Karkasat nuk duhet të jenë në kontakt me dyshemenë, muret ose banakët e punës. Pas përfundimit të therjes, kontrollit post-mortem dhe certifikimit të tij, mishi ruhet në përputhje me kërkesat e parashikuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin.
2. Transporti i karkasës ose i pjesëve të saj drejt pikave të tregtimit bëhet me mjete të përshtatshme, në përputhje me kërkesat për higjienën dhe sigurinë ushqimore, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin.
3. Mbikëqyrja e kërkesave të këtij neni bëhet nga AKU-ja nëpërmjet strukturave të tij në nivel vendor.


KREU III
TREGTIMI I MISHIT


Neni 9
Vendi për tregtimin e mishit

1. Çdo aktivitet ekonomik i tregtimit të mishit dhe të nënprodukteve të tij bëhet vetëm nga subjete të regjistruara në QKR sipas legjislacionit në fuqi dhe ushtrohet në mjedise të cilat plotësojnë kushtet e ndërtimit, planimetrisë, pajisjeve me bazë materiale, si dhe të higjienës e sigurisë, që përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin.
2. Ambientet e tregtimit të mishit duhet të garantojnë kërkesat për respektimin e kushteve higjienike, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njeriut, si dhe mbrojtjen e mjedisit.
3. Ndalohet rreptësisht tregtimi i mishit në sheshe, rrugë kombëtare apo lokale, si dhe në çdo ambient të hapur.
4. Hapja, kontrolli dhe ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij bëhen sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ, si dhe në legjislacionin në fuqi.

Neni 10
Kontrolli i tregtimit të mishit

1. Inspektorët e AKU-së, të ARM-së apo inspektorët sanitarë shtetërorë mbikëqyrin të gjitha vendet e tregtimit të mishit, duke kontrolluar posaçërisht nëse subjektet janë të regjistruara dhe nëse vendet e tregtimit të mishit garantojnë kërkesat për respektimin e kushteve higjienike, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njeriut, si dhe mbrojtjen e mjedisit.
2. Nëse subjekti nuk përmbush kërkesat sipas nenit 9 të këtij akti normativ, inspektorët e AKUsë plotësojnë procesverbalin e konstatimit dhe marrin masa për ndërprerjen e aktivitetit të tij dhe vendosjen e sanksioneve, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në këtë akt normativ.
3. Inspektorët e AKU-së, të ARM-së apo inspektorët sanitarë shtetërorë, nëse konstatojnë kryerjen e aktivitetit në kundërshtim me parashikimet e nenit 4 të ketij akti normativ, kryesisht ose mbi bazën e njoftimit të organeve të qeverisjes vendore, së bashku ose veç e veç, janë të detyruar të marrin të gjitha ose njërën nga masat e mëposhtme:
a) Ndalimin e menjëhershëm të ushtrimit të aktivitetit;
b) Konfiskimin e produkteve, veglave të punës, si dhe të çdo materiali tjetër, nga ana e inspektorëve të AKU-së;
c) Vendosjen e sanksioneve administrative sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë akt normativ;
ç) Kthimin e gjendjes së mjedisit në kushte normale.

Neni 11
Detyrat e organeve të njësive të qeverisjes vendore

1. Organet e njësive të qeverisjes vendore janë të detyruara të ushtrojnë kontroll në territorin në administrim të tyre për aktivitetin e tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij nga subjekte të paregjistruara në kundërshtim me parashikimet e nenit 9 dhe nëse konstatojnë tregtimin në mjedise të hapura për publikun dhe/ose jashtë mjediseve, të cilat permbushin kushtet e nenit 9, njoftojnë menjëherë strukturat e përcaktuara në nenin 10, të këtij akti normativ. Strukturat e përcaktuara në nenin 10 të këtij akti normativ, veprojnë menjëherë me marrjen e njoftimit, pavarësisht nga forma e tij, duke marrë të gjitha masat sipas këtij akti normativ.
2. Në rast mosveprimi të strukturave të përcaktuara në nenin 10 të këtij akti normativ, organet e
njësive të qeverisjes vendore janë të detyruara të njoftojnë përkatësisht ministrin përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin, ministrin përgjegjës për mjedisin dhe ministrin përgjegjës për shëndetësinë.
3. Organet e njësive të qeverisjes vendore, nën përgjegjësinë personale të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, marrin masat për prishjen e çdo ndërtimi ose strukture të paligjshme që shërben për tregtimin e mishit në ambiente publike, si dhe kthimin e mjedisit në gjendje të përshtatshme.


KREU IV
DETYRAT E STRUKTURAVE TË TJERA SHTETËRORE


Neni 12
Detyrat e Policisë së Shtetit

1. Punonjësit e Policisë së Shtetit, në bazë të njoftimit verbal të strukturave përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normativ, janë të detyruar të marrin menjëherë masat për mbështetjen e veprimtarisë së inspektorëve të AKU-së, të ARM-së apo të strukturave vendore të shëndetit publik, në kuadër të zbatimit të dispozitave të këtij akti normativ. Gjithsesi, brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga njoftimi verbal, struktura përgjegjëse, e cila ka bërë njoftimin verbal, i dërgon Policisë së Shtetit edhe njoftimin me shkrim.
2. Drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit, nën përgjegjësinë e tij personale, merr masat që punonjës policie në numër të mjaftueshëm të mbështetin veprimtarinë inspektuese të strukturave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Në rast mosveprimi të strukturave të Policisë së Shtetit, titullari i AKU-së, i ARM-së apo i strukturave vendore të shëndetit publik njoftojnë menjëherë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke vënë në dijeni edhe Ministrin e Brendshëm, ministrin përgjegjës për bujqësinë dhe ushqimin, ministrin përgjegjës për mjedisin dhe ministrin përgjegjës për shëndetësinë.
4. Zbatimi i detyrimit nga Policia e Shtetit mbikëqyret edhe nga prefekti, i cili, në çdo rast, njofton Ministrin e Brendshëm për mënyrën e përmbushjes së detyrave nga Policia e Shtetit.

Neni 13
Detyrimi për regjistrim në QKR

1. Të gjitha subjektet, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e therjes së kafshëve, si dhe të tregtimit të mishit e të nënprodukteve të tij, duhet të regjistrohen në QKR, sipas procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
2. Individët, të cilët aplikojnë për regjistrim, si person fizik, duhet të paraqesin në QKR, së bashku me të dhënat dhe dokumentacionin e kërkuar për regjistrim, edhe miratimin e lëshuar nga AKU-ja për përmbushjen nga ana e tyre të kërkesave të parashikuara në nenet 4 e 9 të këtij akti normativ.
3. Në rast se në momentin e aplikimit për regjistrim sipas pikës 2 të këtij neni, nuk paraqitet edhe dokumenti i miratimit paraprak nga AKU-ja, atëherë QKR-ja e konsideron kërkesën për aplikim të pavlefshme dhe nuk procedon me procesin e aplikimit për regjistrim.

Neni 14
Detyrat e ministrive të linjës

1. Ministri përgjegjës për mjedisin, ministri përgjegjës për bujqësinë, ushqimin dhe mbrojtjen e
konsumatorit, ministri përgjegjës për shëndetësinë, Ministri i Brendshëm mbikëqyrin zbatimin e këtij akti normativ nga strukturat në varësi administrative të tyre.
2. Ministrat përgjegjës, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, shkëmbejnë informacion në mënyrë të vazhdueshme për situatën e ushtrimit të veprimtarisë së therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Në funksion të mbikëqyrjes së mënyrës së zbatimit të këtij akti normativ, ministrat përgjegjës mund të ngrenë grupe pune, të cilat kanë detyra të veçanta për kontrollin e strukturave vartëse, për përmbushjen me korrektësi të përgjegjësive të parashikuara në këtë akt normativ.

Neni 15
Prefekti

Përveç detyrave të tjera të parashikuara shprehimisht në këtë akt normativ, prefekti kryen edhe bashkërendimin e punës ndërmjet strukturave të ndryshme të ngarkuara me zbatimin e dispozitave të këtij akti, me qëllim garantimin e ushtrimit prej tyre të përgjegjësive brenda territorit në administrim të tij.


KREU V
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET PËR STRUKTURAT PËRGJEGJËSE


Neni 16
Kundërvajtjet administrative

1. Veprimet apo mosveprimet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, vlerësohen si kundërvajtje administrative dhe dënohen nga strukturat përgjegjëse të përcaktuara në pikën 3 të nenit 5 të këtij akti normativ, si më poshtë vijon:
a) Therja e kafshëve nga subjekte të paregjistruara dënohet me gjobë në masën 100 000-200 000 lekë dhe merret masa e ndalimit të menjëhershëm të ushtrimit të aktivitetit. Në këtë rast, inspektori njofton me shkrim për shkeljen e konstatuar edhe zyrën e taksave vendore në bashki ose komunë, si dhe drejtorinë rajonale të taksave;
b) Mosrespektimi i kushteve të ndërtimit, planimetrisë, pajisjes me bazë materiale, si dhe të higjienës dhe sigurisë dënohet me gjobë në masën 50 000–100 000 lekë;
c) Therja e kafshëve në sheshe, rrugë kombëtare apo lokale, si dhe në çdo ambient tjetër të hapur për publikun dënohet me gjobë në masën 150 000–250 000 lekë;
ç) Therja e kafshëve në kundërshtim me procedurën e parashikuar në nenin 7 të këtij akti normativ, dënohet me gjobë në masën 100 000–200 000 lekë;
d) Trajtimi i karkasës pas përfundimit të procesit të therjes në kundërshtim me rregullat e parashikuara në nenin 8 të këtij akti normativ, dënohet me gjobë në masën 100 000-200 000 lekë;
dh) Tregtimi i mishit nga subjekte të paregjistruara dënohet me gjobë në masën 100 000-200 000 lekë dhe merret masa e ndalimit të menjëhershëm të ushtrimit të aktivitetit. Në këtë rast, inspektori njofton me shkrim për shkeljen e konstatuar edhe zyrën e taksave vendore në bashki ose komunë, si dhe drejtorinë rajonale të taksave;
e) Mosplotësimi i kushteve të parashikuara në këtë akt normativ për vendet e tregtimit të mishit dënohet me gjobë në masën 50 000-100 000 lekë;
ë) Tregtimi i mishit në sheshe, rrugë kombëtare apo lokale, si dhe në çdo ambient tjetër të hapur për publikun dënohet me gjobë në masën 150 000-250 000 lekë.

Neni 17
Procedura e shqyrtimit të kundërvajtjes administrative dhe vendosjes së masave administrative

Për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative sipas këtij akti normativ, për procedurat dhe afatet e ankimit, si dhe procedurat për ekzekutimin e sanksioneve administrative zbatohen rregullat e parashikuara në ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 18
Ekzekutimi i vendimit për kundërvajtjen administrative

1. Vendimi për kundërvajtjen administrative përbën titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tyre ngarkohet shërbimi përmbarimor ose/dhe organet e parashikuara në këtë akt normativ, sipas rregullave të parashikuara në ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
2. Kur gjoba dhe detyrimet e tjera të parashikuara në vendimin për kundërvajtjen administrative nuk paguhen ose nuk nxirren dot nga paga, ato nxirren duke vënë sekuestro mbi pasurinë e të dënuarit për kundërvajtje administrative, qoftë edhe kur ajo ndodhet nën posedimin e personave të tretë, sipas rregullave të parashikuara në ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 19
Konfiskimi i kafshëve, i produkteve dhe i mjeteve të punës

1. Subjektit i konfiskohen kafshët, produktet dhe mjetet e punës apo materiale të tjera nga AKUja, kur:
a) nuk përmbushen kushtet e ushtrimit të aktivitetit sipas pikave 4 e 9 të këtij akti normativ;
b) është vendosur ndalimi i ushtrimit të aktivitetit dhe/ose subjekti është i paregjistruar apo është
dënuar me masë administrative sipas këtij akti normativ dhe ky subjekt vazhdon ushtrimin e veprimtarisë.
2. Kafshët, produktet dhe mjetet e punës apo materiale të tjera, të cilat gjenden nga AKU-ja në mjedise të padeklaruara, konfiskohen. Nëse është e pamundur që pronari të identifikohet, kjo e dhënë shënohet në aktin administrativ të konfiskimit.
3. Me kërkesën e subjektit ndaj të cilit është marrë masa e konfiskimit, kjo masë mund të zëvëndësohet me pagesën e vlerës së tregut të objektit të masës. Për këtë procedurë mbahet një procesverbal.

Neni 20
Sanksionet për strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normativ

1. Moszbatimi i detyrave të parashikuara në këtë akt normativ nga secili prej punonjësve të caktuar në strukturat përgjegjëse, konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe sjell fillimin e ecurisë disiplinore për nëpunësin e ngarkuar dhe drejtuesin e strukturës përgjegjëse, në rast se ky i fundit nuk vepron për të siguruar zbatimin e aktit normativ.
2. Në rast se kryetari i njësisë së qeverisjes vendore nuk zbaton detyrat e parashikuara apo strukturat vartëse që janë nën mbikëqyrjen e tij nuk zbatojnë përgjegjësitë e parashikuara në këtë akt normativ dhe nëse kryetari i njësisë së qeverisjes vendore nuk merr masa për këtë qëllim, ky mosveprim konsiderohet shkelje e rëndë e ligjit, në kuptim të pikës 1 të nenit 115 të Kushtetutës, dhe Ministri i Brendshëm, pas njoftimit të strukturave përgjegjëse, fillon procedure për shkarkimin e tij nga detyra.

Neni 21
Veprimet kundërshtuese të subjekteve

Në rastet kur subjektet kundërshtojnë veprimet e strukturave përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normativ, veprohet në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, ndërsa për rastet kur veprimet e subjekteve përbëjnë vepër penale, materialet u referohen organeve të procedimit penal.


KREU VI
EFEKTET E MENJËHERSHME TË AKTIT


Neni 22
Zbatimi i menjëhershëm i aktit normativ

1. Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normativ, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, sigurojnë që në territorin e Republikës së Shqipërisë veprimtaria e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit të kryhet në vendet e përcaktuara sipas këtij akti normativ.
2. Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normativ ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për të verifikuar respektimin e rregullave dhe kushteve të parashikuara në legjislacionin në fuqi dhe në këtë akt normativ.
3. Në rast konstatimi të therjes së kafshëve dhe/ose tregtimit të mishit të tyre, në ambiente të hapura, strukturat përgjegjëse zbatojnë dispozitat e këtij akti normativ.

Neni 23
Ngritja e strukturave monitoruese

1. Për ushtrimin e kontrolleve të menjëhershme për therjen e kafshëve dhe transportin e tregtimin e mishit ngrihet Task-Forca, e cila do të organizohet në nivel qendror dhe vendor.
2. Në nivel qendror, Task-Forca drejtohet nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ka për detyrë koordinimin ndërinstitucional ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse në të, në nivel qendror e vendor. Kjo Task-Forcë përbëhet nga:
a) Zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
b) Zëvendësministri i Shëndetësisë;
c) Zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
ç) Zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për pushtetin vendor;
d) Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
dh) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
e) Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
3. Në nivel vendor, Task-Forca drejtohet nga prefekti dhe ka për detyrë ushtrimin në terren të kontrolleve në zbatim të legjislacionit të posaçëm dhe të këtij akti normativ, si dhe monitorimin e punonjësve të ngarkuar me përgjegjësinë për zbatimin e këtij akti normativ. Kjo Task-Forcë ka në përbërje të saj:
a) Drejtorin rajonal të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
b) Drejtorin e policisë së qarkut;
c) Drejtorin rajonal të taksave;
ç)Titullarin e Inspektoratit Sanitar Shtetëror (sipas rastit, në nivel të Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë, të Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë, të Drejtorisë së Shëndetit Publik);
d) Drejtorin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit;
dh) Kryetarët e njësive të qeverisjes vendore.
4. Task-Forca, në nivel vendor, ushtron kontrolle të përditshme, duke ndaluar ushtrimin e aktiviteteve ekonomike për therjen e kafshëve e tregtimin e mishit të tyre, në kundërshtim me legjislacionin e posaçëm në fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit publik, mbrojtjes së mjedisit,
rregullimit të territorit, legjislacionit tatimor, rendit publik dhe këtij akti normativ.
5. Task-Forca, në nivel vendor, njofton për rezultatet e punës së saj, çdo javë kryetarin e taskforces në nivel qendror. Kryetari i Task-Forcës në nivel qendror, pas analizimit të situatës në mbledhjet e organizuara me task-forcën, në nivel qendror, informon Këshillin e Ministrave për efektet e menjëhershme që ka sjellë ky akt normativ, si dhe udhëzon task-forcën, në nivel vendor, dhe strukturat përgjegjëse për veprimet e mëtejshme që duhet të ndërmerren.
6. Nëse konstatohet mosveprim i strukturave përgjegjëse brenda afatit të parashikuar, si dhe në
përputhje me udhëzimet e dhëna nga Task-Forca në nivel qendror, veprohet në përputhje me nenin 20 të këtij akti normativ.

KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 24
Dispozitë transitore

1. Subjektet, që ushtrojnë aktivitetin e therjes së kafshëve dhe të tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij, duhet të përmbushin kushtet për mjediset e therjes dhe tregtimit, sipas përcaktimeve të bëra në këtë akt normativ, brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij. Pas kalimit të këtij afati, këto subjekte janë objekt i sanksioneve administrative të parashikuara në këtë akt normativ. Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij akti normative ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për të verifikuar respektimin e rregullave dhe kushteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
2. Ngarkohet QKR-ja për marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e nenit 13 të këtij akti normativ.
3. Kryetarët e njësive të qeverisjes vendore duhet të plotësojnë me specialistë veterinerë organikën e strukturave veterinare vendore, brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

Neni 25
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.


KRYEMINISTRI
Sali Berisha

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Mjekesia Veterinare”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest