LIGJI PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR - Nr.10 006, datë 23.10.2008

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR - Nr.10 006, datë 23.10.2008

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 15:08

LIGJI PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR - Nr.10 006, datë 23.10.2008

I azhurnuar me ndryshimet:
Ligjin nr.10 137,datë 11.5.2009,
Ligji nr. 41/2013,datë 14.2.2013)


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

1. Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen, menaxhimin dhe kontrollin e faunës së egër, me synim për të ruajtur
llojet, popullatat, habitatet ku ato jetojnë, rrugët e shtegtimit, si dhe për të siguruar kërkesat e tyre për
ushqim, strehim dhe shumim.
2. Fauna e egër në territorin e Republikës së Shqipërisë është pasuri kombëtare, që administrohet dhe
mbrohet me ligj, në përputhje edhe me konventat përkatëse ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 2
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Fauna e egër” janë të gjitha llojet e nënllojet e vertebrorëve, jovertebrorëve dhe popullatat e tyre, që
jetojnë në gjendje të lirë në habitatin e tyre natyror, të vendosura në mënyrë të përkohshme ose të
përhershme në një territor të dhënë.
2. “Habitate natyrore” janë zonat tokësore, ujore apo të përziera, të dalluara nga tiparet gjeografike
dhe abiotike, të cilat shërbejnë si mjedise të individëve, të popullatave, të llojeve ose të bashkësive të tyre.
3. “Hyrja” (introduktim), sipas kuptimit që ka në ligjin nr.9587, datë 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.
4. “Rihyrja”(riintroduktim) është rihyrja dhe përhapja e llojit të faunës për t’u rivendosur në mjediset natyrore.
5. “Rrugët e shtegtimit” janë rrugët gjeografike, përgjatë të cilave shpendët shtegtojnë zakonisht.
6. “Lloj shtegtar” është lloji ose pjesa e popullatës, për të cilin është tipike shtegtimi në distanca të
largëta, në mënyrë ciklike dhe të parashikueshme dhe që kalon kufijtë e Republikës së Shqipërisë.
7. “Kushtet e shumimit” janë kushtet dhe rrethanat konkrete materiale në një habitat të dhënë, të cilat
mundësojnë veprimtarinë biologjike të riprodhimit.
8. “Shumimi” është riprodhimi i llojeve të faunës autoktone dhe joautoktone.
9. “Ruajtja e numrit të popullatës” është procesi i programuar, që synon të ruajë e të rivendosë
ekuilibrat e përshtatshëm, ndërmjet shtimit të popullatës së llojit e mundësive natyrore, për jetesën dhe
ushqimin e tij në një habitat të dhënë.
10. “Lista e kuqe” janë llojet e faunës, të shpallura të mbrojtura me një akt normativ, konkretisht me
urdhrin nr.146, datë 8.5.2007 të ministrit “Për miratimin e listës së kuqe të florës dhe faunës”.
11. “Libri i kuq” është botimi, që përmban përshkrimin, shpërndarjen dhe karakteristika të tjera të
llojeve të listës së kuqe, si dhe masat për përmirësimin e statusit të tyre të rrezikuar.
12. “Vjelja” është tërësia e veprimeve të planifikuara e të miratuara, si mbledhja, kapja, vrasja etj., që
përdoren për rregullimin e kuotave.
13. “Përfitimi i veprimtarisë jetësore” është përdorimi i individëve apo i popullatave të llojit, për të
përfituar nga pjesë të veprimtarisë së tyre jetësore.
14. “Përfitimi i produktit të veprimtarisë jetësore” është përdorimi i individëve apo i popullatave të
llojit, për të përfituar produkte, që ata i prodhojnë gjatë veprimtarisë së tyre jetësore, si helmi i
gjarpërinjve, mjalti dhe produkte të tjera të bletëve, fija e krimbit të mëndafshit etj.
15. “Numri minimal i popullatës së llojit” është numri kritik i individëve të llojit, nën të cilin nuk
garantohet riprodhimi natyral dhe vazhdimësia e llojit.
16. “Ministria” është institucioni qendror, i ngarkuar për mbrojtjen e faunës së egër.
17. “Ministri” është ministri që drejton ministrinë e ngarkuar me mbrojtjen e faunës së egër.

Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për të gjitha llojet e nënllojet e faunës së egër, përfshirë vezët, foletë, të vegjlit dhe
habitatet ku jetojnë të lira, përgjithmonë ose përkohësisht, në mjedise natyrore, tokësore e ujore, në
territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Për qëllime të këtij ligji, fauna e egër nuk përfshin kafshët shtëpiake.

Neni 4
Fondi i faunës së egër

1. Fondi i faunës së egër përbëhet nga tërësia e llojeve të egra, nga popullatat e tyre, si dhe nga
habitatet ku ato jetojnë në gjendje të egër.
2. Në habitatet e faunës së egër, në funksion të këtij ligji, përfshihen edhe mjedise konkrete, në zona e
territore urbane, në zona industriale, arkeologjike, historike e kulturore.


KREU II
MBROJTJA


Neni 5
Synimet e mbrojtjes

Mbrojtja e faunës së egër synon:
a) ruajtjen e rimëkëmbjen e larmisë së llojeve dhe tërësinë e tyre gjenetike;
b) mbrojtjen e habitateve, të rrugëve të shtegtimit e të kushteve të shumimit të tyre;
c) ruajtjen e integritetit të komuniteteve natyrore;
ç) përdorimin e faunës së egër për qëllime studimore-shkencore, që sigurojnë rigjenerimin e tyre;
d) rihyrjen e llojeve të faunës, të zhdukura apo të rrezikuara.

Neni 6
Kërkesat e mbrojtjes

Për mbrojtjen e faunës së egër duhen pasur parasysh kërkesat e mëposhtme:
1. Sigurimi i mbrojtjes tërësore për faunën e egër, si dhe i mbrojtjes së veçantë për llojet e saj, në
përputhje me gjendjen konkrete të llojit dhe të habitatit ku jeton, duke u dhënë status të veçantë
mbrojtjeje llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje.
2. Sigurimi i mbrojtjes së barabartë për llojet dhe i mbrojtjes së një lloji të veçantë, për të mos dëmtuar një lloj tjetër.
3. Ruajtja dhe rehabilitimi, kur është e mundur, i habitateve natyrore, i rrugëve të shtegtimit dhe i
krijimit të kushteve për shumimin e llojeve të faunës së egër.
4. Rimëkëmbja e popullatave të pakësuara të llojeve në një apo në disa habitate të caktuara.
5. Sigurimi i mbrojtjes së llojeve nga fatkeqësi natyrore, në rastet e dukurive epizootike dhe gjatë
kushteve të vështira të motit, duke asistuar individë të llojeve të egra.
6. Shmangia e keqtrajtimit, e dëmtimit dhe e plagosjes së individëve të llojeve gjatë veprimtarive
bujqësore, hidroteknike, të mirëmbajtjes e shfrytëzimit të pyjeve dhe veprimtarive të tjera ekonomike e
shoqërore që mund t’i dëmtojnë.
7. Krijimi i zonave të mbrojtura, duke pasur si bazë habitatet e llojeve.
8. Shtimi ex-situ i llojeve të kërcënuara dhe endemike.
9. Kufizimi i përdorimit të llojeve të egra për qëllime koleksionimi dhe për çdo qëllim tjetër.
10. Mbrojtja e llojeve nga ndikimet negative të përhapjes e shumimit të llojeve invazive, në përputhje
me dispozitat e ligjit nr.9587, datë 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.
11. Organizimi i kërkimeve shkencore për mbrojtjen e llojeve të faunës së egër.
12. Ndalimi dhe eliminimi i sjelljes çnjerëzore (mizore) mbi llojet e faunës së egër, si dhe i torturës ndaj tyre.
13. Nxitja për mbrojtjen e faunës së egër dhe promovimi i politikave e i qëndrimeve njerëzore për to.
14. Ruajtja e tërësisë gjenetike dhe sigurimi i numrit minimal të popullatave të llojeve.
15. Krijimi i qendrave të shpëtimit të llojeve të faunës së egër.
16. Mbrojtja nga sëmundjet infektive e zootonike.
17. Nxitja e përkrahja nga shteti i projekteve dhe i veprimtarive të biznesit, të OJF-ve e të donatorëve, që
synojnë mbrojtjen dhe shtimin e llojeve të faunës së egër.
18. Rikthimi në natyrë i individëve të robëruar.

Neni 7
Mbrojtja e llojeve të kërcënuara dhe endemike

1. Llojet e kërcënuara dhe endemike, të përcaktuara në listën e kuqe, gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore, që ka të bëjë me:
a) hartimin dhe zbatimin e planeve të veçanta të veprimit, për ruajtjen e këtyre llojeve, sidomos kur
shumimi i tyre, në kushte natyrale, është shumë i kufizuar;
b) monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes faktike e të ecurisë së popullatave të tyre;
c) shndërrimin e habitateve të tyre në zona të mbrojtura, që favorizojnë mbrojtjen dhe shumimin e tyre;
ç) nxitjen e përkrahjen e nismave dhe të veprimtarive, që synojnë shtimin e popullatave të llojeve,
nëpërmjet shumimit në gjendje robërie dhe lëshimin e tyre në mjediset natyrore;
d) ndalimin dhe kufizimin e veprimtarive, që çojnë në shkatërrimin e llojeve të kërcënuara e endemike të
faunës së egër, në zvogëlimin e numrit të popullatave të tyre, në dëmtimin e habitateve të tyre, të
rrugëve të shtegtimit e të kushteve të shumimit;
dh) hartimin dhe publikimin e librit të kuq të llojeve të mbrojtura;
e) sensibilizimin e publikut për mbrojtjen e tyre.
2. Mbrojtje, sipas pikës 1 të këtij neni, gëzojnë edhe llojet ndërkombëtarisht të mbrojtura, të
përcaktuara në anekset e Konventës së Bernës, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin
nr.8294, datë 2.3.1998 “Për ratifikimin e konventës për ruajtjen e florës dhe faunës së egër dhe mjedisit
natyror të Europës (Konventa e Bernës)”. Përditësimet e listave të përcaktuara në anekset e konventës
janë të vlefshme e të zbatueshme edhe për vendin tonë.

Neni 8
Mbrojtja e habitateve, e rrugëve të shtegtimit dhe e kushteve të shumimit

1. Personat fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike e shoqërore në territorin e Republikës
së Shqipërisë, të cilat rezultojnë me ndikime negative mbi habitatet, rrugët e shtegtimit e kushtet e
shumimit të llojeve të faunës së egër, detyrohen të respektojnë standardet e normat e lejuara të shkarkimeve në mjedis.
2. Në lejet mjedisore të veprimtarive për ndërtimin, rikonstruktimin, zgjerimin e vendbanimeve dhe të
veprimtarive ekonomike, përmirësimet teknologjike në veprimtaritë ekzistuese përcaktohen kërkesa e
masa të posaçme, që zbutin ndikimet negative mbi habitatet, rrugët e shtegtimit e kushtet e shumimit
të llojeve të faunës së egër.
3. Përdorimet e tokave, të pyjeve e të ujërave lejohen kur nuk ndikojnë në tjetërsimin e habitateve dhe
nuk shkatërrojnë funksionet e tyre bazë.

Neni 9
Mbrojtja nga efektet negative të ndryshimeve klimatike

1. Ministria, në varësi të ndryshimeve klimatike dhe të ndikimeve të tyre mbi faunën e egër, përgatit
planet e ndërhyrjes e të veprimit për përballimin e situatës.
2. Ministria, kur vërteton efekte negative mbi faunën e egër, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike,
organizon marrjen e masave shpëtuese, zbutëse dhe kompensuese, të parashikuara në planet e veprimit.
3. Ministri miraton planet e ndërhyrjes e të veprimit për përballimin e ndikimeve negative, nga
ndryshimet klimatike, në larminë biologjike, në tërësi e mbi faunën e egër, në veçanti.

Neni 10
Mbrojtja nga lëndët dhe mbetjet e rrezikshme

1. Për të shmangur efektet e rënda negative mbi faunën e egër dhe mbi tërësinë gjenetike të saj, mbi
habitatet, rrugët migratore dhe kushtet e shumimit, përdorimi dhe administrimi i lëndëve dhe i
mbetjeve të rrezikshme, si dhe i pesticideve nga personat fizikë dhe juridikë bëhen në përputhje me
dispozitat e ligjeve nr.8405, datë 17.9.1998 “Për substancat dhe preparatet kimike”, nr.9537, datë
18.5.2006 “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”, nr.9362, datë 24.3.2005 “Për shërbimin e
mbrojtjes së bimëve”, të ndryshuar, si dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre.
2. Lejet mjedisore të veprimtarive që prodhojnë, gjenerojnë dhe administrojnë lëndë e mbetje të
rrezikshme, përcaktojnë, në një rubrikë të veçantë, kushtet dhe kërkesat specifike për mbrojtjen e
faunës së egër, të tërësisë gjenetike, të habitateve dhe të kushteve të shumimit.

Neni 11
Rimëkëmbja e popullatave të llojeve

1. Rimëkëmbja e popullatës së pakësuar të një lloji, në një habitat të caktuar, autorizohet nga ministri,
që miraton kryerjen e hyrjes (introduktimit), të rihyrjes (riintroduktimit), kolonizimit e rikolonizimit,
riinstalimit, rivendosjes e ripopullimit, si veprimtari shkencërisht të pranuara, që përdoren gjerësisht për
shtimin e popullatave të llojeve.
2. Veprimtaritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kryhen nga institutet dhe qendrat kërkimoreshkencore,
në bazë të projekteve të miratuara nga struktura e ministrisë, që mbulon fushën e biodiversitetit.
3. Institutet e qendrat kërkimore-shkencore, që kryejnë veprimtaritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij
neni, e ndalojnë dhe e ndërpresin veprimtarinë në çdo kohë, kur në praktikë vërtetohen pasoja të dëmshme për faunën e egër.

Neni 12
Kompensimi i demit

1. Në funksion të ruajtjes së numrit minimal të llojit e të shtimit të tyre, ministria kompenson dëmet, që
mund t’u shkaktohen fermave bujqësore nga individët e llojit.
2. Ministri, në bashkëpunim me Ministrin e Financave, miratojnë udhëzimin për rregullat e vlerësimit
dhe të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga llojet e faunës së egër, sipas pikës 1 të këtij neni.

KREU III
MASA TË VEÇANTA PËR RUAJTJEN E SHPENDËVE TË EGËR


Neni 13
Ruajtja dhe përshtatja

1. Ruajtja dhe përshtatja e popullatave të shpendëve të egër dhe shtegtarë, në territorin e Republikës së
Shqipërisë, ndihmohen duke u siguruar një status të favorshëm ruajtjeje ekologjike, shkencore dhe kulturore, sipas të cilit ndalohet:
a) vrasja ose kapja e qëllimshme e tyre me çdo metodë;
b) dëmtimi i qëllimshëm, zhvendosja e shkatërrimi i çerdheve dhe i vezëve të tyre;
c) marrja dhe mbajtja e vezëve nga gjendja e egër edhe nëse këto vezë janë bosh;
ç) shqetësimi i qëllimshëm i shpendëve, veçanërisht gjatë periudhës së shumimit dhe rritjes së të vegjëlve;
d) mbajtja në robëri dhe gjuetia e llojeve të ndaluara me akt normativ;
dh) mbajtja, transporti, shitja dhe ofertimi për shitje i shpendëve të gjallë apo të ngordhur.
2. Përjashtimi nga dispozitat e mësipërme justifikohet vetëm në rastet kur nuk ka zgjidhje tjetër të
kënaqshme, kur ka të bëjë me një numër të kufizuar e rreptësisht të kontrolluar dhe kur përdoret:
a) në interes të shëndetit dhe sigurisë publike, ose për të parandaluar dëmtime serioze në të mbjella, në
bagëti, në pyje, në peshkim dhe ujëra, ose për të mbrojtur florën dhe faunën;
b) për qëllime kërkimore dhe edukative ose për ripopullimin apo rihyrjen e llojeve;
c) në interes të sigurisë ajrore.
3. Kriteret dhe rregullat për realizimin praktik të kërkesave të pikës 2 të këtij neni miratohen me udhëzim të ministrit.

Neni 14
Habitatet e mbrojtura të shpendëve

1. Për shpendët e egër që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, zbatohen masa për të
ruajtur, mirëmbajtur ose rivendosur një diversitet dhe habitat të mjaftueshëm nëpërmjet:
a) krijimit të zonave të mbrojtura, sipas dispozitave të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar;
b) sigurimit dhe menaxhimit të habitateve, brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura, në bazë të nevojave ekologjike;
c) krijimit të biotopeve dhe rivendosjes së biotopeve të shkatërruara.
2. Territoret më të përshtatshme, nga pikëpamja e pranisë, gjendjes dhe nivelit të popullatave të llojeve
të shpendëve të egër, veçanërisht vulnerabël, që janë subjekt i masave të veçanta ruajtëse të
habitateve, shpallen zona veçanërisht të mbrojtura. Lista e llojeve të shpendëve të egër, veçanërisht
vulnerabël, miratohet me urdhër të ministrit.
3. Në zonat veçanërisht të mbrojtura zbatohen masa të veçanta ruajtjeje për habitatet e llojeve, për të
cilat ato janë krijuar, me qëllim që të sigurohet mbijetesa dhe riprodhimi në zonën e tyre të
shpërndarjes, duke pasur parasysh se lloje të caktuara kërkojnë vëmendje të veçantë, për shkak të
statusit të tyre si lloje të kërcënuara dhe endemike.
4. Zonat veçanërisht të mbrojtura për shpendët shpallen sipas dispozitave të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002
“Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar.


KREU IV
MASA SHPËTUESE


Neni 15
Përkujdesja

Në raste fatkeqësish natyrore, në zjarre, ngrica, përmbytje, strukturat menaxhuese të pyjeve e kullotave,
organet e qeverisjes vendore, universitetet e qendrat kërkimore-shkencore dhe OJF-të hartojnë dhe
zbatojnë programe e projekte përkujdesjeje për faunën e egër, duke u siguruar strehim, ushqim dhe
mjekim individëve të dëmtuar.

Neni 16
Qendrat e shpëtimit

1. Për të mbrojtur, kuruar dhe riaftësuar individë të llojeve të faunës së egër, të kapur, të sekuestruar, të
konfiskuar, të dëmtuar ose të braktisur, krijohen qendrat e shpëtimit, ku ata trajtohen dhe përgatiten
për t’u lëshuar më pas të lirë.
2. Organizimi dhe funksionimi i qendrave të shpëtimit, që krijohen nga persona fizikë e juridikë, bëhen
me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 17
Masat mjekësore
Fauna e egër, në gjendje të lirë ose e kultivuar, është objekt i masave mjekësore veterinare, në
përputhje me ligjet në fuqi dhe aktet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 18
Përfshirja në programet shkollore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me ministrinë, përfshin në programet shkollore
njohuritë bazë për ruajtjen dhe mbrojtjen e faunës së egër e të natyrës.

Neni 19
Veprime të ndaluara

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, në territorin e Republikës së Shqipërisë ndalohen:
1. Zotërimi, mbajtja në robëri dhe tregtimi i individëve të llojeve të faunës së egër, që janë marrë drejtpërdrejt nga jeta e egër.
2. Sjelljet mizore dhe torturat ndaj individëve të llojeve të faunës së egër.
3. Kapja e vrasja e individëve të faunës së egër, kur ato ndodhen në kushte të vështira, si pasojë e
kushteve klimatike, si në rast të ngricave, përmbytjeve, zjarreve e fatkeqësive të tjera natyrore.
4. Shkatërrimi i habitateve e i kushteve të shumimit.
5. Lëvizja dhe transportimi i individëve të llojeve të faunës së egër me mënyra, mjete e forma të
dëmshme për jetën dhe shëndetin e tyre.
6. Ekspozimi në lokale i individëve të balsamosur ose i pjesëve të tyre, kur u përkasin llojeve të mbrojtura.
7. Shfarosja e llojeve të faunës së egër dhe e popullatave të tyre.
8. Kryqëzimi i qëllimshëm.
9. Procesi i klonimit dhe veprimtaritë që lidhen me të, përveçse kur miratohen nga ministria.

Neni 20
Fondet për mbrojtjen dhe zhvillimin e faunës së egër

1. Veprimtaritë shtetërore për mbrojtjen, shtimin dhe administrimin e faunës së egër, të ekosistemeve
natyrore ku jeton fauna, si dhe përballimi i situatave emergjente, në rastet e fatkeqësive natyrore,
mbulohen nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
2. Pronarët dhe përdoruesit e tokave, të pyjeve dhe ujërave, si dhe personat juridikë, veprimtaria e të
cilëve ka ndikim negativ mbi faunën e egër, financojnë masat mbrojtëse, të përcaktuara në projektet që ata zbatojnë.
3. Fondi i mjedisit dhe fonde apo burime të tjera financiare, të siguruara nga projekte e donacione,
përbëjnë burime shtesë për financimin e masave mbrojtëse të faunës së egër.


KREU V
PËRDORIMI I LLOJEVE TË FAUNËS SË EGËR


Neni 21
Llojet dhe kushtet e përdorimit

Ndryshuar me ligjin nr.10 137/2009
1. Përdorimet e llojeve të faunës së egër përfshijnë përdorimin e tyre për:
a) qëllime shkencore, kulturore, edukimi;
b) koleksione zoologjike;
c) përfitimin e produkteve jetësore ose për përdorimin e veprimtarive të tyre jetësore.
2. Për secilin nga llojet e përdorimit, të cilësuara në pikën 1 të këtij neni, ministri miraton udhëzimin, që
përcakton kërkesat që zbatohen detyrimisht gjatë atij lloj përdorimi.
3. Për qëllime të mbrojtjes së faunës së egër dhe, në përputhje me vlerësimet për statusin e tyre të
mbrojtjes, lloje të caktuara përdorimi mund të kufizohen apo të ndalohen për periudha të caktuara kohe, me urdhër të ministrit.
4. Përdorues të faunës së egër janë personat fizikë e juridikë, vendas apo të huaj, që ushtrojnë një lloj të
caktuar përdorimi. Në përputhje me llojin e përdorimit, këta persona:
a) zbatojnë rregullat, normat, kërkesat dhe kushtet e përdorimit të faunës së egër;
b) nuk dhunojnë apo prishin balancën ekologjike të komuniteteve natyrore.
5. Përdorimi i llojeve të faunës së egër apo i individëve të tyre përfshihet në kategorinë III.5, të shtojcës
së ligjit për licencat dhe bëhet sipas procedurave të ligjit për licencat apo sipas dispozitave të
parashikuara në këtë nen dhe në nenet në vijim, të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin
e njërës nga këto dy mënyra, sipas ndarjes në nënkategori.

Neni 22
Ndalimi i përdorimit të llojeve të mbrojtura

1. Përdorimi i individëve apo i llojeve të faunës së egër, të mbrojtur, është i ndaluar.
2. Përdorimi i tyre mund të lejohet vetëm për qëllime shkencore, kulturore, edukimi, por duhet të
ushtrohet në përputhje me kërkesat dhe kushtet e vendosura nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.

Neni 23
Tarifa e përdorimit

Personat fizikë dhe juridikë, që përdorin lloje të faunës së egër, në përputhje me pikën 1 të nenit 21 të
këtij ligji, paguajnë tarifën e përdorimit. Masa e kësaj tarife për çdo lloj përdorimi dhe mënyra e pagimit
të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 24
Përdorimi i faunës së egër për qëllime shkencore, kulturore dhe edukuese

Lloje të faunës së egër përdoren për qëllime shkencore, kulturore dhe edukuese, duke siguruar se nga
përdorimi nuk shkaktohet dëm te lloje të tjera e habitatet e tyre dhe se nuk cenohen të drejtat e
përdoruesve të tjerë të faunës së egër, si dhe të pronarëve e përdoruesve të tokave, pyjeve dhe ujërave,
me të cilët lidhet marrëveshje.

Neni 25
Përdorimi i faunës së egër për marrjen e produkteve të veprimtarisë së tyre jetësore dhe për përfitimin nga kjo veprimtari

Përdorimi i faunës së egër për marrjen e produkteve të veprimtarisë jetësore, si dhe përdorimi i kësaj
veprimtarie jetësore kryhen kur nuk dëmtohen individët, kushtet e tyre të shumimit dhe habitati ku jetojnë.


Neni 26
Koleksionet zoologjike

1. Personat fizikë dhe juridikë mund të krijojnë dhe të plotësojnë koleksione zoologjike, si kopsht
zoologjik, zooparqe, oqeanarium, individë të balsamosur, të përgatitjes së folesë e të vezëve apo dhe të
krijojnë koleksionim pjesësh, duke përdorur vetëm individë të lindur në robëri apo të siguruar nga gjuetia dhe peshkimi.
2. Ministri miraton rregulloren e trajtimit të llojeve të faunës së egër në zooparqe apo në mjedise të
tjera, ku individët i ekspozohen publikut.

Neni 27
Mbajtja e faunës së egër në gjendje robërie

1. Personat fizikë e juridikë mund të mbajnë individë të llojeve të faunës së egër, vetëm kur ata janë të
lindur në robëri dhe nëse trajtohen në përputhje me kërkesat e udhëzimit të ministrit, për rregullat e
mbajtjes së tyre në gjendje robërie.
2. Mbajtja në robëri e individëve të llojeve jovendase lejohet kur mbajtësi i tyre provon, me dokumente,
se i ka siguruar nga qendra të specializuara për shumimin dhe tregtimin e tyre.
3. Braktisja dhe dëbimi i individëve të faunës së egër, që mbahen në gjendje robërie, janë të ndaluar. Kur
zotëruesit e këtyre individëve nuk duan t’i mbajnë më, i dorëzojnë ata në qendrat e shpëtimit e të
rehabilitimit.

Neni 28
Veprimtaritë për shumimin në gjendje jo të lirë të faunës së egër

1. Veprimtaritë për shumimin në gjendje jo të lirë të faunës së egër, me qëllim ripopullimin e zonave,
nëpërmjet lëshimit të tyre në jetën e egër, kryhen nga institute kërkimore-shkencore e nga qendra të
specializuara për këto veprimtari. Ato mund të kryhen edhe nga persona fizikë e juridikë, në zbatim të
projekteve të miratuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.
2. Personat fizikë e juridikë mund të zhvillojnë veprimtari për shumimin e llojeve të ndryshme të faunës
së egër në gjendje jo të lirë, me qëllim tregtimin dhe shitjen e tyre, në përputhje me dispozitat e
legjislacionit për veprimtaritë tregtare.
3. Shumimi i llojeve të egra jovendase, për t’i lëshuar në jetën e egër, është i ndaluar. Shumimi i llojeve
të egra jovendase, për qëllime tregtimi e shitjeje, zhvillohet në përputhje me dispozitat e legjislacionit për veprimtaritë tregtare.

Neni 29
Ekspozimi i balsamimeve, i lëkurëve, i brirëve, i dhëmbëve, i puplave në lokale tregtie e shërbimi

Personat fizikë dhe juridikë, që administrojnë lokale tregtie e shërbimi, mund të ekspozojnë në to
balsamime, lëkurë, brirë, dhëmbë, pupla e pjesë të tjera të individëve të faunës së egër, kur provojnë,
me dokumente, se ato i kanë marrë nga një veprimtari e specializuar për t’i prodhuar e tregtuar.

Neni 30
Cirk me lloje të faunës së egër

1. Personat fizikë dhe juridikë, që zotërojnë apo administrojnë një cirk, mund të mbajnë e të përdorin
individë të llojeve të faunës së egër, vetëm kur këta individë nuk janë marrë nga jeta e egër.
2. Ministri miraton rregulloren për trajtimin e individëve të llojeve të faunës së egër që mbahen në cirk.
3. Trupat e cirqeve të huaja, që vizitojnë vendin tonë, paraqesin në organet doganore, në pikat e kalimit
kufitar, dokumentacionin, që provon se llojet e faunës së egër, që zotërojnë, janë në përputhje me
legjislacionin e vendit të origjinës, ku cirku është regjistruar, si dhe dokumentacionin shëndetësor veterinar.

Neni 31
Safaret

Personat fizikë e juridikë, pronarë pyjesh, kullotash e livadhesh, mund të krijojnë safare me lloje të
faunës së egër, për t’u vizituar nga publiku, në përputhje me dispozitat e këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij.


KREU VI
PLANIFIKIMI DHE VJELJA E LLOJEVE TË FAUNËS SË EGËR


Neni 32
Ruajtja e numrit të popullatës së llojeve të faunës së egër

1. Shtimi i popullatave të llojeve të faunës së egër mbahet nën kontroll dhe rregullohet për të siguruar
mbrojtjen e shëndetit të popullatave të llojeve, mbrojtjen e llojeve të faunës së egër e shtëpiake nga
sëmundjet, shmangien e dëmtimeve në bujqësi, në pyje dhe në përbërës të tjerë të mjedisit, të
shkaktuara nga shtimi i pakontrolluar i këtyre popullatave.
2. Numri i popullatës së një lloji të faunës së egër rregullohet me mënyrat njerëzore, duke mbrojtur
habitatet dhe duke mos u shkaktuar dëmtime llojeve të tjera të faunës së egër.

Neni 33
Inventarizimi i faunës së egër

1. Inventarizimi është procesi i numërimit të popullatave të llojeve të faunës së egër, me teknika e
metoda të miratuara dhe shërben për të evidentuar gjendjen konkrete të popullatës, sasinë dhe
dendësinë e individëve të saj në një habitat të caktuar.
2. Procesi i inventarizimit organizohet e drejtohet nga ministria, me pjesëmarrjen e instituteve
kërkimore-shkencore, të OJF-ve e të shoqatave që mbulojnë fushën e biodiversitetit.
3. Ministri miraton udhëzimin për kërkesat dhe rregullat e kryerjes së procesit të inventarizimit, për
teknikat e metodat që përdoren, për formatin e dokumentacionit të inventarizimit e për publikimin e
rezultateve të tij, të cilat janë të njëjta me ato të përcaktuara në direktivat e BE-së.

Neni 34
Vjelja

1. Vjelja është tërësi veprimesh teknike, të planifikuara e të miratuara paraprakisht, që i shërben ruajtjes
së numrit të popullatës së llojeve të faunës së egër, në raport me kërkesat ekobiologjike të llojit, të tilla si:
a) vrasja përmes gjuetisë, që rregullohet me ligj të veçantë;
b) peshkimi, që kryhet sipas dispozitave të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe
akuakulturën”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
c) kapja dhe mbledhja e individëve të llojeve të egra, që nuk janë të përfshira në rregullimet ligjore të gjuetisë apo të peshkimit.
2. Në bazë të të dhënave të inventarizimit e të monitorimeve të faunës së egër, ministri miraton
pakësimin e numrit të popullatës, për lloje të veçanta të faunës së egër, si dhe mënyrën dhe llojin e vjeljes që do të përdoret.


KREU VII
MONITORIMI I FAUNËS SË EGËR


Neni 35
Monitorimi

Monitorimi i faunës së egër, si pjesë thelbësore e biomonitorimit, që përfshin monitorimin e treguesve
cilësorë dhe sasiorë të llojeve, të habitateve e të kushteve të shumimit, është një proces i përhershëm dhe i detyrueshëm.

Neni 36
Programi i biomonitorimit

1. Ministria, në bashkëpunim me universitetet përkatëse e me shoqatat, harton programin e
biomonitorimit të faunës së egër, si dhe bashkërendon e kontrollon punën për zbatimin e tij.
2. Për të siguruar grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave për faunën e egër, Agjencia e
Mjedisit dhe Pyjeve, në bashkëpunim me fakultetet dhe institutet kërkimore-shkencore përkatëse,
krijon sistemin e të dhënave të domosdoshme, me synim përafrimin e plotë të tij me sistemet për
biomonitorimin, që përdor Agjencia Europiane e Mjedisit, e me direktivat e BE-së.
3. Rregullat dhe procedurat për hartimin e programit të biomonitorimit dhe për zbatimin e tij miratohen me udhëzim të ministrit.

Neni 37
Grumbullimi dhe publikimi i të dhënave

1. Të dhënat për monitorimin e faunës së egër kërkohen, hartohen dhe paraqiten, sipas rregullave të
miratuara nga ministri. Personat fizikë e juridikë, publikë dhe privatë, paraqesin të dhënat brenda 30
ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të cilat shoqërohen edhe me shpjegime për interpretimin e tyre,
si dhe me rekomandime për zgjidhjen e problemeve.
2. Të dhënat dorëzohen në Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, në përputhje me formatin që ajo dërgon.
Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve kontrollon cilësinë e monitorimit, të matjeve, zbatimin e metodikave,
kualifikimin e specialistëve pjesëmarrës, pajisjet e përdorura dhe vërtetësinë e rezultateve.
3. Me miratimin e ministrit, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve monitoron treguesit e veçantë të faunës së egër.
4. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve përpunon dhe publikon të dhënat në media dhe shtyp, në forma të
kuptueshme për publikun. Përpunimi dhe publikimi i të dhënave për vitin pararendës bëhen brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës.

Neni 38
Informimi

1. Publiku informohet për gjendjen e faunës së egër nëpërmjet publikimit të të dhënave nga strukturat
përkatëse shtetërore, si dhe duke kërkuar të dhëna pranë organeve përkatëse.
2. Organet vendimmarrëse sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të publikut e të organizatave
jofitimprurëse gjatë procesit të vendimmarrjes, që lidhet me faunën e egër.


KREU VIII
KONTROLLI


Neni 39
Kontrolli për mbrojtjen e faunës së egër

1. Kontrolli për mbrojtjen e faunës së egër është veprimtari shtetërore, që siguron zbatimin e
dispozitave të këtj ligji, të akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe të konventave përkatëse, ku Republika e Shqipërisë është palë.
2. Kontrolli për mbrojtjen e faunës së egër organizohet dhe funksionon në mënyrë të vazhdueshme në
të gjithë territorin, me synim evidentimin e ndikimeve negative natyrore dhe ndëshkimin e veprimeve
antiligjore mbi faunën, në tërësi e mbi lloje të veçanta të saj.

Neni 40
Organet e kontrollit

Ndryshuar me ligjin nr. 41/2013
1. Policia Pyjore dhe Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit janë organe të specializuara për
kontrollin e zbatimit të dispozitave të këtij ligji, të akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe të konventave
përkatëse, ku Republika e Shqipërisë është palë.
2. Ngarkohen organet e kontrollit të qeverisjes vendore për kontrollin e mbrojtjes së faunës së egër,
brenda vijës së verdhë të vendbanimeve dhe në habitatet në pronësi apo në përdorim të komunave e bashkive.
3. Për të rritur kapacitetet kontrolluese e inspektuese, ministri autorizon, me urdhër të veçantë,
specialistë të ministrisë e të instituteve kërkimore-shkencore të fushës të marrin pjesë në grupet e kontrollit.
4. Për të rritur efektshmërinë e kontrolleve, Policia Pyjore, Inspektorati i Peshkimit dhe organet e
kontrollit të qeverisjes vendore bashkëpunojnë me veterineri zyrtar dhe inspektorët e Autoritetit
Kombëtar të Ushqimit të qarqeve përkatëse.
5. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me këtë ligj, ligjin nr. 10 433, datë
16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe dispozitat e tjera në fuqi.

Neni 41
Kontrolli doganor

Organet doganore në pikat e kalimit kufitar, në përputhje me dispozitat e legjislacionit doganor,
kontrollojnë importimin, eksportimin dhe tranzitimin e llojeve të faunës së egër, të gjalla, përfshi edhe
vezët, që ato të jenë të pajisura me vërtetim nga drejtoritë e shërbimit pyjor dhe me raport nga
shërbimi veterinar.


KREU IX
SANKSIONET


Neni 42
Përgjegjësitë për shkeljen e dispozitave të ligjit

Ndryshuar me ligjin nr. 41/2013
1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji sjellin, sipas rastit, përgjegjësi administrative dhe penale.
2. Të drejtën e vendosjes së gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 43 të këtij
ligji, e kanë inspektorët e Policisë Pyjore, të Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit dhe organet e kontrollit të qeverisjeve vendore.

Neni 43
Kundërvajtjet administrative

Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
1. Ushtrimi i veprimtarive për shumimin e llojeve të faunës së egër për qëllime tregtimi, në kundërshtim
me dispozitat e pikës 2 të nenit 28 të këtij ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
2. Shtimi dhe riprodhimi i llojeve, me qëllim rishpërndarjen e tyre, në kundërshtim me dispozitat e pikës
1 të nenit 28 të këtij ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
3. Kryqëzimi i individëve të llojeve të ndryshme, në kundërshtim me dispozitat e pikës 8 të nenit 19 të
këtij ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
4. Mbajtja në robëri, në lokale, e individëve të llojeve të egra, që janë kapur në gjendje të egër, në
kundërshtim me dispozitat e pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3 000 deri në 5 000 lekë.
5. Mbajtja nga trupat e cirqeve apo nga zooparqet e individëve të llojeve të egra, që janë kapur në
gjendje të egër, në kundërshtim me dispozitat e pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3 000 deri në 5 000 lekë.
6. Sjellja mizore ndaj individëve, që mbahen në robëri, në kundërshtim me dispozitat e pikës 2 të nenit
19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3 000 deri në 5 000 lekë.
7. Kapja e shpendëve në kohën kur u bien pendët, kur kanë ngrirë nga të ftohtët, si dhe kapja e llojeve të
faunës së egër gjatë përmbytjeve, zjarreve e fatkeqësive të tjera natyrore, në kundërshtim me dispozitat
e nenit 13 të këtij ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
8. Prishja e çerdheve, dëmtimi, mbledhja dhe marrja e vezëve dhe e të porsalindurve, vrasja ose nxjerrja
nga strofka dhe shfarosja e atyre që ndodhen në to, në kundërshtim me dispozitat e nenit 13 të këtij
ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
9. Kapja e vrasja e individëve të faunës së egër, kur ato ndodhen në kushte të vështira, si pasojë e
ngricave, përmbytjeve, zjarreve e fatkeqësive të tjera natyrore, në kundërshtim me dispozitat e pikës 3
të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë.
10. Shkatërrimi i habitateve e i kushteve të shumimit të faunës së egër, në kundërshtim me dispozitat e
pikës 4 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 50 000 deri në 80 000 lekë.
11. Ekspozimi në lokale i individëve të balsamosur ose i pjesëve të tyre, kur u përkasin llojeve të
mbrojtura, në kundërshtim me dispozitat e pikës 6 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3 000
deri në 5 000 lekë.
12. Shfarosja e llojeve të faunës së egër dhe e popullatave të tyre, në kundërshtim me dispozitat e pikës
7 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 100 000 deri në 200 000 lekë.
13. Klonimi i kryer, në kundërshtim me dispozitat e pikës 9 të nenit 19 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3
000 deri në 5 000 lekë.
14. Kryerja e veprimtarive, që shkatërrojnë llojet e mbrojtura dhe endemike, që zvogëlojnë numrin e
popullatave të tyre, që prishin habitatet ose kushtet e shumimit, në kundërshtim me dispozitat e nenit 7
të këtij ligji, me gjobë, në masën 50 000 deri në 80 000 lekë.
15. Braktisja e individëve të llojeve, që janë mbajtur më parë në robëri, në kundërshtim me dispozitat e
pikës 3 të nenit 27 të këtij ligji, me gjobë, në masën 3 000 deri në 5 000 lekë.

Neni 44
Masa të tjera

Ndryshuar me ligjin nr. 41/2013
1. Organet e kontrollit, në bazë të përmasave dhe pasojave të kundërvajtjes administrative apo të
veprës penale, veç gjobës, si dënim kryesor, vendosin edhe dënimin plotësues të pezullimit të
përkohshëm të veprimtarisë ose mbylljes së përhershme të saj.
2. Në çdo rast, kur vërtetohet një kundërvajtje administrative apo një vepër penale, organet
e kontrollit vendosin edhe dënimin plotësues të konfiskimit ose sekuestrimit të individëve të kapur, të
mbajtur në robëri, si dhe mjetet e pajisjet, me të cilat është kryer kundërvajtja apo vepra penale.

Neni 45
Shqyrtimi dhe ankimi

Ndryshuar me ligjin nr. 41/2013
Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 46
Likuidimi i gjobës

Gjobat për kundërvajtjet administrative, sipas këtij ligji, likuidohen brenda 30 ditëve nga data që
vendimi i komisionit për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative ka marrë formë të prerë. Pas këtij
afati, gjoba vilet nga organet e përmbarimit.

Neni 47
Pagimi i demit

1. Personat fizikë dhe juridikë paguajnë dëmin, që i kanë shkaktuar faunës së egër, si rezultat i shkeljes së dispozitave të këtij ligji.
2. Vlerësimi i dëmit, shkaktuar faunës së egër dhe pagimi i tij llogariten në bazë të mënyrave dhe të
kostove të miratuara me udhëzim të ministrit.

Neni 48
Akte nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 16 pika 2 dhe 23, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri që, në zbatim të neneve 12 pika 2, 13 pika 3, 14 pika 2, 26 pika 2, 30 pika 2, 33 pika
3 dhe 36 pika 3, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 49
Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nenet 1, 2, 4 5, 6, 7, 8, 9, 11, 15, 17, 19, 30, 31, 32, 34, 35, 36, 37, 38, 39,
40, 41, 42, 43 dhe 44 të ligjit nr.7875, datë 23.11.1994 “Për mbrojtjen e faunës së egër dhe gjuetinë”, shfuqizohen.

Neni 50
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5921, datë 29.10.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi


Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Pyjet dhe Kullotat”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest