LEGJENDA DHE HISTORIKU I QENIT

User avatar
Laura Duka
Posts: 28
Joined: 09 Jul 2015, 16:30

LEGJENDA DHE HISTORIKU I QENIT

Postby Laura Duka » 20 Aug 2015, 15:56

LEGJENDA DHE HISTORIKU I QENIT

Qeni është shoku më i vjetër i njeriut.
Gjurmët e para të zbutjes së tij tregojnë për 7 mijë vjet më parë në Anatoli, për 7.6 mijë vjet në Evropën perëndimore, 8.4 mijë vjet në Amerikë, rreth 10 mijë vjet në Evropën qendrore e lindore, 9.5 mijë vjet në Palestinë e në Persi dhe rreth 13 mijë vjet në Siberi.
Qeni parahistorik, sipas kockave të zbuluara, ngjason me Dingon e sotëm të Australisë. Dikur mendohej se paraardhësi i qenit ka qenë çakalli, por kjo tezë u rrëzua, pasi çakalli e ka trurin më të vogël. Eshtë thënë nga ana tjetër, se paraardhësi i qenit ka qenë ujku, nisur nga numri i njënjtë i kromozomeve 78, (çakalli ka 74 kromozome). Veçse asnjë nga tipat e qenve të egër, si qeni Aztek i Meksikës, apo qeni Dingo i Australisë nuk ngjasojnë me ujkun.
Tashmë është arritur në përfundim se si paraardhës i qenit të sotëm nuk është as ujku as çakalli, por qeni parahistorik.
Zbutja e tij është më tepër e pranueshme, pasi ujku, mesa është vërejtur, nuk e ndërron karakterin e tij si egërsirë. Kujtojmë shprehjen aq të njohur figurative: "Ujku qimen e ndërron por zakonin s'e harron". Qeni, krejt ndryshe, mësohet e miqësohet shpejt me njeriun. Bile edhe në gjendje të egër, regjimi i tij gjithëçkangrënës e detyron të kërkojë ushqim afër banesave të njerëzve. Kjo e ka çuar në afrimin me njeriun. Qeni i egër u bë shok me gjahtarin, me të cilin ndante prenë. Kështu qeni shfrytëzonte mbeturinat e gjahut. Kjo "simbiozë" çoi gradualisht në zbutjen e qenit. Gjahtari mori këlyshë jetimë, i çoi në shtëpi, i rriti, i zbuti e u mësua me ta. Dhe njeriu përfitoi shumë. Këlyshët e rritur u bënë kështu pjesëtarë të familjes së hershme parahistorike. Pra, qysh në periudhën e hekurit, njeriu seleksionoi tipa qensh që u ngjasojnë racave të sotme.

dog3.jpeg
dog3.jpeg (51.59 KiB) Viewed 20279 times


Me fillimin e qytetërimit, qeni bëhet më i pranishëm. Në Mesopotami janë gjetur bazoreliefe me qen të specializuar për gjuetinë e derrit të egër. Nëntë mijë vjet më parë në Afrikën Veriore kanë qenë seleksionuar qenë për gjuetinë e dashit të egër dhe të gjirafave.
Në Bibël qeni është pak i pranishëm. Në periudhën neolitike, në Persi ai përmendet për gjuetinë e luanit. Në Egjiptin e lashtë qeni përfaqësonte hyjnitë. Grekët e vjetër, nga ana tjetër, kësaj kafshe fisnike i kanë thurur lavdi. Legjenda tregon se në vitin 480 para erës sonë, një qen u dallua në luftën e famshme të Maratonës. Thuhet se armatat e Aleksandrit të Madh i transportonin një pjesë të armëve me qentë e tyre.
Të dhënat tregojnë se në Greqinë e lashtë për qentë kishte varreza të posaçme, Në Romën e vjetër qeni, sidomos ai me trup të vogël, ishte kafsha që u bënte shoqëri zonjave aristokrate. Pas shkatërrimit të Perandorisë Romake qeni bëhet edhe më i dobishëm.
Në vitin 413, Karli i Madh i Galisë organizon kopenë e qenve në luftë kundër ujqëve. Dalëngadalë, sjellja ndaj qenve pëson ndryshime. Filluan të zbulohen cilësitë e tyre më të mira si zgjuarsia, qëndrueshmeria, trimeria ... Burrat i përdornin për gjah, por dhe zonjat nuk ngelnin prapa. Ato e mbanin pranë qenin e butë, e ledhatonin dhe jo rrallë i bënin vend edhe në shtratin e fjetjes. Gjatë Rilindjes qeni merr pjesë në festat e ndryshme, si në Belgjikë, Francë, Angli, etj. Në shekullin e 14-të njihen disa kategori qensh gjahu, si për ngritjen e shpendëve, kundër skifterit, qentë e fermës së fshatarit, zagarët e ndjekjes, etj. Në këtë periudhë datohen edhe veprat e para
udhëzuese me këshilla veterinare. Për të ruajtur pastërtinë e racës, në Francë u ndalua bashkimi i tyre me qentë e fshatarëve. Në shekujt 17-të e 18-të; ndërrimi i qenve ishte një nder i madh, sidomos midis njerëzve të 'klasave të pasura.
Nga fundi i shekullit 17-të, në Francë gjuetia u la e lirë dhe nga mungesa e kontrollit, lindën shumë qenë bastardë, ndaj u dëmtua shumë puna përzgjedhëse e bërë gjatë shekujve. Në këtë kohë, Anglia u bë qendra e teknikës së rritjes së qenve. Por shpejt Franca nuk mbeti prapa, Në kohën e Napoleonit u bë e modës mbajtja e qenit leshator, sidomos nga zonjat aristokrate.
Në shekullin e 19-të u krijuan shoqëritë e para për mbrojtjen e kafshëve. Më 1884 në Francë u themelua Shoqëria qendrore për përmirësimin e racave të qenve dhe një vit më pas nisi të mbahet libri gjenealogjik. Po në këtë periudhë u përcaktuan edhe racionet ushqimore, bazuar në racat, moshat, gjendjen fiziologjike e ngarkesat fizike,
Në Luftën e Parë Botërore qeni shërbeu në grupet sanitare, si roje, bile edhe si kafshë për tërheqjen e disa mjeteve të lehta për në frontin e luftimeve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore pjesëmarrja e qenve u rrit së tepërmi. Ata shërbyen si zbuluese, rojtarë e në veprime të tjera, Në këtë luftë, Gjermania përdori mbi 200 mijë qenë, ndërsa SHBA-ja vetëm në luftërat e Paqësorit, aktivizoi mbi 40 mijë krerë qenë, të cilët treguan edhe akte heroizmi.
Në ditët e sotme roli i qenit është rritur mjaft. Shpesh ai trajtohet si shok, mbahet për roje, si mbrojtës e udhërrëfyes, për shoqërimin e të verbërve, të shurdhëve e të të paralizuarve, e në sa e sa raste të tjera. Ai shërben thuajse kudo, deri edhe në spitale e burgje.
Sipas shkencëtarëve prania e tij ndikon pozitivisht në gjendjen shpirtërore e shëndetsore të njerëzve, si në uljen e tensionit, në shtimin e prodhimit të antitrupave, në qetësimin e emocioneve e deri në harmoninë familjare.
Në vendet e zhvilluara perëndimore mbajtja e qenve dhe e maceve të racave të ndryshme tashmë thuajse është në modë. Sipas të dhënave të vitit 1990, Franca zinte vendin e parë në Evropë me rreth 10 milionë qenë dhe 7.5 milionë mace të regjistruar. Vendin e parë në botë për mbajtjen e këtyre dy kafshëve shoqëruese të njeriut e zënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


----------------------------------------------------------------------------
marre nga Enciklopedia Praktike: Qeni, kjo kafshë fisnike

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Qeni”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 5 guests