Ne meshiren e kimikateve

User avatar
Prof. Kristaq Sini
Posts: 19
Joined: 23 May 2016, 11:17
Vendodhja: Universiteti Bujqësor i Tiranës
Tiranë
Profesioni: Pedagog, Doktor i Shkencave (PhD), Titulli: Prof. Dr
Puna qe ben: Lektor në: Mikrobiologjia Ushqimore dhe Higjiena,Mikrobiologjia e Verës, Bioteknologjia Ushqimore, Bioteknologjia e Fermentimeve,
Rreth Jush: Diplomuar në UBT: " Agonom i Përgjithshëm", viti 1981. Emëruar në të njëjtin vit në Institutin e Studimit të Tokave, në sektorin e Mikrobiologjisë.
1985-1989 në Universitetin Bujqësor të Athinës ku mbrojti Doktoraturën në fushën e Mikrobiologjisë dhe Bioteknologjisë.
Nga viti 1996 e në vazhdim, Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Ka mbi 30 artikuj shkencor dhe rreth 40 pjesëmarrje në konferenca brënda dhe jashtë vëndit.

Ne meshiren e kimikateve

Postby Prof. Kristaq Sini » 23 May 2016, 11:42

“E vërteta e hidhur e frutave të pjekur artificialisht!” A mund të mbrohemi?

Prof.Dr. Kristaq Sini

“E vërteta e hidhur e frutave të pjekur artificialisht!” është titulli i një prej artikujve të shumtë të literatures shkencore që trajtojnë dhe i bien këmbanave të alarmit për efektet anësore të kimikateve të përdorur për pjekjen artificiale të fruta-perimeve në shëndetin e konsumatorëve.

Fruta-perimet janë të përhapura gjerësisht në natyrë. Pjekja e tyre është një proces fiziologjik i cili i bën ato të përtypshëm, të ngrënshëm , të pëlqyeshëm dhe mbi të gjitha të ushqyeshëm. Në natyrë fruta-perimet piqen pas arritjes së pjekurisë të duhur. Gjatë pjekjes, fruta-perimet zbuten, ndryshojnë ngjyrën dhe zhvillojnë një aromë dhe shije karakteristike që, veç të tjerave, ka lidhje me uljen e aciditetit dhe rritjen e ëmbëlsisë.

Fruta-perimet dhe përdorimi me kriter i kimikateve
Që të piqen fruta-perimet, duhet të ushqehen dhe të mbrohen nga sëmundjet dhe dëmtuesit që cënojnë prodhimtarinë dhe rendimentin e tyre. Për këtë përdoren kimikate, që janë plehrat kimike për plotësimin e mungesave të tokës, si dhe pesticidet, insikticidet dhe herbicidet për të ruajtur prodhimin nga humbjet e shkaktuara nga agjentët përkatës, insekte, gjallesa e mikroorganizma që dëmtojnë prodhimin. Mospërdorimi i tyre do të kishte për pasojë prodhime me rendiment të ulët dhe pamjaftueshmëri të ushqimeve bimore ne treg.
Çdokush që do të lexonte sa më sipër, do pyeste: a duhen përdorur kimikatet dhe a ka mënyrë tjetër? Mospërdorimi i kimikateve të sipërpërmendura është ne bazën e Bujqësisë Biologjike ose Organike. Por përgjigjen për këtë e ka dhënë Norman Borlang, (Çmimi Nobel, 1970): “Kombet e pasura mund të jenë në gjëndje të marrin pozicione elitare dhe të paguajnë më tepër për ushqimet me anë të metodave të quajtura natyrale; një miliard njerëz të varfër dhe të uritur të kësaj bote nuk munden…..”. Prandaj, përdorimi i plehrave kimike dhe pesticideve në nivele të caktuara dhe të kontrolluara me rigorozitet, quhet si një “e keqe e domosdoshme”. Për të reduktuar sa më shumë efektet negative të përdorimit të kimikateve, është zhvilluar “Bujqësia e Integruar” ose “Bujqësia e Arsyeshme”, që përdor kombinime të kimikateve dhe metodave biologjike, si për plehrimin, ashtu dhe për mbrojtjen e prodhimit bujqësor. Ndikimin e sistemit të prodhimit dhe si duhet zhvilluar bujqësia shqiptare, i kam trajtuar gjerësisht në artikullin “A ushqehemi me çfarë hamë?” (5 Shtator 2015, Gazeta Shqiptare). Prandaj, në vijim të këtij shkrimi do të përqëndrohem tek “Rregullatorët e pjekjes artificiale” të fruta-perimeve.

“Rregullatorët e pjekjes artificiale” të fruta-perimeve
Kërkesat e tregut dhe konkurenca e lirë në fushën e tregtisë së fruta-perimeve, ndër të tjera sjellin tri pasoja të dëmshme: (1) Rritjen e rendimenteve me hormone (2). Nxitjen për të “kapur” tregun (furnizim i tregut me produkte bujqësore përpara konkurrenteve), gjë që sjell sjell si pasojë tregtim produktesh bujqësore jashtë sezonit natyral dhe vjeljen e tyre shumë kohë para ciklit të pjekjes. (3) Nxitjen për të tregtuar produktet bujqësore në vende të largëta të botës, gjë që sjell nevojën e ruajtjes së tyre artificiale mbi kohën normale të ciklit të tyre natyral.

Në kuadrin e një tregtie botërore të motivuar nga kriteret e mësipërme, praktikat e reja, si të pjekjes artificiale të frutave, ashtu dhe të zgjatjes sa më shumë të fazës së pjekjes për të mos u prishur shpejt, janë bërë "shkencërisht" të legalizuara. Plehrave kimike dhe pesticideve, u janë shtuar edhe elementë të tjerë kimikë që shërbejnë si “rregullatorë të pjekjes”, si dhe për shtimin në peshë të produkteve. Për më tepër, këto kimikate përdoren në fruta-perime të mbjella e të vjela jashtë sezoni apo përpara se të arrihet një fazë e caktuar e pjekjes. “Rregullatorët e pjekjes artificiale” përdoren në rreth 60 vende të botës dhe në rreth 80% të prodhimit bujqësor të fruta-perimeve. Por çfarë janë këta rregullatorë të pjekjes artificialë?
Produktet e përdorura për rregullimin artificial të pjekjes së fruta-perimeve janë rreth 15 lloje të ndryshme kimikatesh, me emërtimin atraktiv “rregullatorë të pjekjes”, që përmbajnë etilen si nxitës të pjekjes dhe kalçium si faktor zgjatës të periudhës së pjekjes, që frutat të mos prishen shpejt. Rregullatorët artificialë të pjekjes janë promotorë të rritjes, rregullatorë, hormone, plehrues, insecticide ose herbicide etj, të tillë si karbidi i kalçiumit, etileni, acetileni, ethephoni dhe disa herbicide, dyhidrogjensulfati i potasit etj. Ndër emrat e përmendur, etileni gjendet në fruta në momentet e pjekjes natyrale në sasi shumë të vogla. Kimikatet e tjera e kanë etilenin në përbërjen e tyre dhe e çlirojnë gjatë zbërthimit të tyre në brëndësi të bimës ose përmbajnë acetilen që konvertohet në etilen. Karbidi i kalçiumit është i ndaluar në shumë vende, si agjent kancerogjen (përmban arsenik dhe fosfor organik) por përsëri përdoret me emra të tjerë ose ilegalisht. Në përbërjen e karbidit të kalçiumit ka acetilen që nxit pjekjen dhe kalçium që e mban frutin të pjekur më gjatë se e zakonshmja që të mos prishet shpejt. Ethephoni përdoret në fruta dhe perime për pjekjen artificial të tyre dhe për rritjen e përmasave. Ethephoni është pesticid, prandaj nuk rekomandohet të përdoret si nxitës artificial i pjekjes. Dyhidrogjensulfati i potasit është pleh kimik, por përmban edhe elementët e sipërpërmendur që shërbejnë për pjekje artificiale.
Përdorimi i tyre justifikohet me furnizimin më të mirë të tregut për ti “shërbyer më mire” konsumatorëve. Ato përdoren paravjeljes, pasvjeljes, gjatë transportimit, magazinimit etj. Kimikate të tilla përdoren për rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve, veçanërisht para sezonit apo dhe jashtë sezonit të prodhimit dhe pjekjes natyrale të tyre, për ti bërë që të duken më të freskëta dhe më të mëdha, që të pranohen më lehtë nga konsumatori duke lehtësuar marketimin e tyre. Por, megjithëse cilësia e pamjes (ngjyra, madhesia) e tyre përmirësohet, cilësitë e tyre organoleptike (ngjyra natyrale, aroma, shija, embëlsia etj) dhe raportet e elementëve ushqyes nuk mund të arrihen, veçanërisht kur frutat e vjela janë trajtuar pa mare parasysh gjendjen e tyre të maturimit (pjekjes). Por çfarë efekti kanë “rregullatorët e pjekjes artificiale” në shëndetin e njeriut?

Efektet në shëndetin e konsumatorëve
Literatura shkencore botërore raporton për kontaminimin toksik të fruta-perimeve me kimikatet e përdorura për nxitjen artificiale të pjekjes, me pasoja në shëndetin e njeriut, sidomos kur këto kimikate përdoren në mënyrë të papërshtatëshme. Dhe sa më të papjekura dhe jashtë sezoni të jene produktet bujqësore, aq me e madhe duhet doza e përdorimit të nxitësve artificial të pjekjes.
E njejta literaturë raporton për efekte të dëmshme në shëndetin e konsumatorëve, Ato ndikojnë në sistemin neurologjik me dhimbje koke, marramendje, luhatje emocionale, përgjumje, konfuzion mental në terma afat-shkurtër dhe në terma afat-gjatë mund të shkaktojnë humbje të memorjes dhe edema cerebrale. Për më tepër, kimikatet e përdorura për pjekjen artificiale të fruta-perimeve mund të shkaktojnë ndryshime (mutacione) të rrugëve metabolike të funksionimit të organizmit të njeriut, me pasojë sëmundje të ndryshme metabolike deri në kancer. Agjensia Nderkombëtare për Kërkim e Kancerit (IARC – International Agency for Research of Cancer) ka hartuar lista me një numër agjentësh kimik ose pesticidesh që mund të shkaktojnë kancerin. Askush ska pse të habitet e të jetë mosbesues për këtë fakt, sepse për të përftuar mutantë përdoren agjent kimik, ndër të cilët edhe ngjyrues. Por a përdoren ngjyrues tek fruta-perimet? Një video, që qarkullon kohët e fundit në rrjetet sociale, tregon shumë qartë ngjyrimin e bizeleve, shalqirit etj, që produkte të tilla, të kenë ngjyrë të pëlqyeshme për konsumatorin!!!

Në Shqipëri…
Gjithçka përshkruaj më lart po ndodh edhe me produktet shqiptare. Konkurenca dhe etja për fitim i shtyn tregëtarët e produkteve bujqësore të rrisin sasinë e prodhimit me kimikate, duke i përdorur ato para sezonit për të “kapur” tregun, pa mare parasysh gjëndjen e tyre të maturimit. Më keq akoma ndodh kur produkte, që normalisht duhet të mbillen në pranverë dhe të vilen në verë, kultivohen në serra dhe i serviren tregut jashtë sezoni. Që prej disa vitesh domatet, kastravecat, specat, patëllxhanet, kungujt e serrave shqiptare arrijnë në treg që në janar, shkurt, mars e prill. Gjithashtu, tregu shqiptar furnizohet me luleshtrydhe përgjatë nëntë muajve duke munguar në tremujorin e pjekjes natyrale të tyre, furnizohet me shalqi në kohën e qershive, me pjepër në kohën e kumbullave të hershme! Fruta që vilen të papjekura sot, të nesërmen i gjen në treg me ngjyrë dhe pamje të pjekur! Shalqi i vjelë i bardhë sot, çfaqet i kuq kur pritet të nesërmen! Dhe populli tregon për kastraveca që rriten gjatë natës apo domatë që mbijnë pas prerjes, për lule në majë të kastravecit, për njolla të çuditëshme në portokalle, për karrota me gunga apo rrepa të vogla (rilka) të çara në dysh (shiko fotografitë) etj etj.
Serrat nuk janë krijuar për të prodhuar e furnizuar në dimër prodhimin e verës, por për të marrë prodhim më të hershëm se ai i fushës, sipas stinëve. Këtu qëndron dhe duhet të përqëndrohet edhe efektiviteti ekonomik i tyre. Që para rreth 5 vjetësh, emisioni prestigjioz Fiks Fare pasqyroi dhe faktoi se fermerët që përdornin nxitës artificial të pjekjes, produktet e trajtuara nuk i përdornin për ushqimin e tyre, por linin disa rreshta pa trajtuar per vete. Të trajtuarat i shisnin!!! Në një intervistë rreth një vit më parë, një agronom i vjetër, konfirmonte të njëjtin problem. Por çfarë bëjnë një pjesë e agronomëve? Kush e kush të tregëtojë sa më shumë kimikate! Po fermerët? Kush të tregtojë sa më shumë fruta-perime jashtë sezonit dhe të papjekura për të kapur tregun çdo ditë! Rezultati: të gjithë e pësojmë si anekdoda e Nastradinit me qershitë! Por të parët e pësojnë fermerët që përdorin kimikate të tilla, pa përdorur syze mbrojtëse, veshje të posaçme, doreza etj. Ata vetë janë të rrezikuarit e parë.
Në Shqipëri, të dhënat e pakta të projekteve me pjesmarrje të KE tregojnë për rrtije të alergjive dhe azmës tek fëmijët e moshës 6-7 vjeç për vitet 1995 dhe 2001. Ndërkohë, po nga të dhënat e këtyre projekteve, ndjeshmëria ndaj alergjentëve eshtë rritur ndjeshëm nga 15% në 1999 në 24,3% në 2012-tën. Po për sëmundje të tjera? Në mungesë të studimeve, që mund të realizohen edhe me diploma të studentëve të mjekësisë, mund të mbështetemi në faktin që citostatikët (kimioterapia) e perdorur tek të sëmurët me kancer nuk mjaftojnë për vitin pasardhës, sepse planifikohen në bazë të numrit të sëmurëve të një viti më pare, gjë që tregon për rritjen e përvitëshme shqetësuese të kancerit në Shqipëri, sidomos të kancerit të stomakut, zorrës së trrashë apo mëlçisë, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ushqimin.
Fruta-perimet janë të rendësishme dhe të domosdoshme për ushqimin e shëndetshëm të njeriut. Duke përmbajtur të gjithë elementët ushqimore në formë shumë të përshtatëshme për organizmin e njeriut, si dhe faktorë të domosdoshëm rregullatorë të rritjes, ato janë pjesë e dietës së balancuar dhe paraqesin një potencial shumë të lartë të kufizimit të shumë sëmundjeve që kanë shpërthyer anë e mbanë botës së sotme si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, parkinsoni, alzhaimeri, katarakti, plakja e parakohëshme dhe sigurisht, kanceri. Por, kontaminimi toksik i tyre, shpesh i pakontrolluar, me kimikatet e përdorura për pjekjen artificiale, i kthen në të kundërtën, në rrezik për shëndetin e njeriut. Faktori kryesor në ruajtjen e shëndetit janë, ushqimet e shëndetëshme. Pa ushqim të shëndetshëm nuk ka qeliza të shëndetëshme, nuk ka inde të shëndetëshme, nuk ka shëndet. Ushqimi i pasigurtë është shëndet i pasigurtë.
Tablloja që paraqitet më lart duket e zymtë dhe e frikshme. Çfarë mund të bëjmë ?

Krijimi dhe mbështetja e një “Sistemi Tregtar Lokal Optimal” (STLO)
Fruta-perimet e pjekura në mënyrë të natyrshme kanë periudhë të shkurtër jete pas vjeljes së tyre që varet, sipas llojit nga dy faktorë kryesorë: temperatura dhe lagështia ajrore e magazinimit ose ruajtjes së tyre. Pas kësaj kohe, ato prishen relativisht shpejt, gjë që ndikon në vlerën ekonomike të tyre sepse kufizon tregëtimin në tregjet e largëta.
Për të shmangur këto vështirësi, në kuadrin e një tregëtie lokale dhe për produkte të caktuara, p.sh. për domatet (e theksoj, të fushës ose të serrës para prodhimit fushor) vjelja më parë bëhej disa ditë para pjekjes së plotë (kur fruti ka arritur maturinë e duhur) dhe produktet piqeshin natyrshëm në arkat e ambalazhit deri në momentin e tregëtimit. Në këtë mënyrë, koha e vjeljes mund të përcaktohej në funksion të distancave të tregëtimit. Kjo praktikë shumë e thjeshtë, e varësisë së kohës së vjeljes nga distanca e tregëtimit, nënkupton në të vërtetë kufizime zbatimi shumë rigoroze, që imponohen nga parametrat biologjikë të produkteve bujqësore me të cilat natyra nuk luan: “pjekja në arka” mund të realizohet vetëm nëse pjekja në fushë ka arritur në një nivel të caktuar. Ky nivel për domaten është çfaqja e një “ylli të kuq” në majë të domates.
Ndërkaq, ka produkte të ndryshme, një pjesë e të cilave ngjajnë me domaten e marrë si shëmbull dhe të tjera, pjekja e të cilave zgjat më shumë apo më pak se rasti i domates. Pavarësisht nga këto veçori, në kushtet e një tregëtie të bazuar në prodhimin lokal/stinor (me sipërfaqen që ka Shqipëria, e gjitha mund të quhet tregëti lokale), asnjë trajtim kimik plotësues nuk do të ishte i nevojshëm para dhe mbas vjeljes. Në këtë mënyrë, produktet do të mbeteshin “kimikisht të pastra”.
Për të nxitur fermerët shqiptarë që të investojnë në mënyrë masive në prodhime bujqësore të përshtatura me klimën e Shqipërisë, që të jenë kimikisht të pastra dhe me vlera të plota ushqimore, një koordimin efikas ndërmjet fermerëve, qëndrave të grumbullimit, tregtisë, fabrikave të përpunimit, dhe restoranteve është i domosdoshem. Ky organizim që do mund të quhej “Sistem Tregtar Lokal Optimal” (STLO) jo vetem do garantonte fermerët me sigurinë e nevojshme për investimet e tyre, por edhe do evitonte humbje të panevojshme të prodhimeve “të tepërta” apo të pashitura. Një sistem i tillë do krijonte mundësine e një ekonomie efikase dhe fitimprurëse për të gjithë aktorët e STLO-së dhe mbi te gjitha, do krijonte mundësi për të ruajtur të paprekur shëndetin e konsumatorit.
Krijimi i një STLO-je të tillë do të kërkonte sigurisht një kohë të caktuar. Në këtë drejtim, Shteti ka rolin e tij si forcë e pakundërshtueshme financiare dhe ligjëvënëse. Por le të mos harrojmë që çdokush prej nesh si konsumator i përditshëm përbën një aktor aktiv, të domosdoshëm dhe të paevitueshëm për të mbështetur sipërmarjen e shtetit. Në lidhje me këtë do përmendja shprehjen e militantëve të shquar francezë në luftë për mbrojtjen e planetit: “Nuk ka gjest të vogël kur jemi me miliona që e bëjmë”. Pra, le të hedhim çdo ditë nga një “hap” në drejtim të një bujqësie dhe tregtie të shëndetshme, duke bërë nga një “gjest” fare të thjeshtë, disa shembuj prej të cilëve mund të shihen këtu më poshtë. Shëndeti i secilit prej nesh, i fëmijëve tane dhe pasardhësve të tyre, në masën dërmuese varen vetëm nga ne.
Për ta mbyllur, po përdor një analogji që ka lidhje me mosrespektimin dhe kundërvënjen ndaj natyrës : rrëshqitjet e tokës nga prerja e pyjeve pa kriter, sollën fatkeqësi tek shumë njerëz, të cilave shteti me shumë të drejtë i’u kundërvu nëpërmjet Moratoriumit për Pyjet. Mbase është koha që moratoriumin për pyjet ta shoqërojë një moratorium për disa kimikate dhe mbjellje jashtë sezoni!
Po i’u përshtate natyrës, po e respektove atë, ajo ta shpërblen, po i’u kundërvure asaj, ajo të dënon !

Prof.Dr. Kristaq Sini
Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë, UBT


Disa këshilla për konsumatorin nga autori për blerjen e fruta-perimeve:
• Përdorni me shumicë fruta-perime të vendit në mesin e sezonit natyral të pjekjes së tyre
• Mos bleni fruta-perime kur tregëtohen para sezonit. Sa më jashtë sezonit të jenë, aq më të dëmshme janë
• Sa më atraktive të jenë frutat nga jashtë, aq më të dyshimta për shëndetin
• Zgjidhni fruta dhe perime pa nekroza (pjesë lëkure të thata, të vdekura), njolla apo pamje anormale.
• Frutat me ngjyrë uniforme ka shumë mundësi të jenë të pjekura artificialisht. Ngjyra natyrale e fruta-perimeve është p.sh me nuanca të të kuqes tek domatja ose të jeshiles tek speci.
• Përdorni sa më pak frutat egzotike që vine në treg nga mijëra kilometra larg sepse janë trajtuar me siguri me “rregullatorët e pjekjes”
Dhe disa këshilla për të eleminuar pjesërisht pasojat e trajtimit kimik:
• Lajini frutat e perimet me ujë të bollshëm të pijshëm para se ti hani e gatuani.
• Qërojini frutat para ngrënies dhe perimet para gatimit për të reduktuar sasinë e pesticideve
• Për të minimizuar rrezikun e pesticideve, hiqini gjethet sipërfaqësore të llojeve të ndryshme të lakrave
• Mos i lani frutat dhe perimet me detergjentë sepse përthithen në brendësi të tyre
• Lani duart me sapun dhe përdorni mjete e thika të pastërta çeliku


Produkte.png
Produkte.png (438.26 KiB) Viewed 4358 times


Produkte ne sera.png
Produkte ne sera.png (416 KiB) Viewed 4358 times

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Shkenca e Ushqimit - Të Ushqyerit e Njeriut”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 2 guests