Si duhen ushqyer fëmijët?

User avatar
Prof. Kristaq Sini
Posts: 19
Joined: 23 May 2016, 11:17
Vendodhja: Universiteti Bujqësor i Tiranës
Tiranë
Profesioni: Pedagog, Doktor i Shkencave (PhD), Titulli: Prof. Dr
Puna qe ben: Lektor në: Mikrobiologjia Ushqimore dhe Higjiena,Mikrobiologjia e Verës, Bioteknologjia Ushqimore, Bioteknologjia e Fermentimeve,
Rreth Jush: Diplomuar në UBT: " Agonom i Përgjithshëm", viti 1981. Emëruar në të njëjtin vit në Institutin e Studimit të Tokave, në sektorin e Mikrobiologjisë.
1985-1989 në Universitetin Bujqësor të Athinës ku mbrojti Doktoraturën në fushën e Mikrobiologjisë dhe Bioteknologjisë.
Nga viti 1996 e në vazhdim, Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Ka mbi 30 artikuj shkencor dhe rreth 40 pjesëmarrje në konferenca brënda dhe jashtë vëndit.

Si duhen ushqyer fëmijët?

Postby Prof. Kristaq Sini » 19 Mar 2018, 09:54

Si duhen ushqyer fëmijët?

Prof.Dr. Kristaq Sini

Kohët e fundit, në rrjetet sociale po disktutohet për ndryshimet e reja në dietën e fëmijeve të çerdheve dhe kopshteve, në varësi të Bashkisë Tiranë. Në fakt, përpjekjet për përmirësimin e të ushqyerit të foshnjeve dhe fëmijëve duhen përgëzuar. Ndërkohë, dieta egzistuese mbante vulën e vitit 2016! Atëherë natyrshëm lindin pyetjet: mbi ç’farë baze u hartua ajo dhe cilat ishin arsyet për ndryshim? Cilat janë bazat e hartimit të dietës së re? Mos vallë, viti 2019 do të sjellë mendime të reja dhe dietë të re? Pra, ku duhet të bazohemi në hartimin e një diete ushqimore?

Por, që t’i japim përgjigje pyetjeve të mësipërme, le të shikojmë fillimisht cilat janë ndryshimet kryesore të dietës 2016 krahasimisht me atë të tanishmen.

Në dietën e vitit 2016 për fëmijët e moshës 6 deri 12 muaj mbizotëron muhalebia (qumësht, miell orizi, gjalp dhe sheqer) dhe lëngu i mishit për moshën 6 -10 muajsh. Kurse në dietën e tanishme mbizotërojnë drithrat, pure mishi dhe mish për moshën 6 – 8 muajsh, dhe trahanaja, tërshëra, si dhe mishi në moshën 8 – 10 muajsh,. Dieta e ndryshuar ka edhe përberës të tjerë, por le të përqëndrohemi fillimisht në ndryshimet e vakteve të mëngjesit dhe drekës.

Në dietën e re është reduktuar në maksimum muhalebia. Siç është referuar në media nga hartuesit e dietës së re, arsyeja është se muhalebia nuk i jep organizmit të fëmijëve ushqimin e duhur, si dhe prania e arsenikut në oriz. Por, ta lëmë përkohësisht problemin e arsenikut që ka lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit dhe të citojmë çka shkruar në lidhje me muhalebinë, që në vitin 1973 profesor Aleko Xoxe në librin e tij, “Dimë të hamë, a dimë të ushqehemi”: “..Ndodh që fëmija për shkak të ushqimit monoton dhe të njëanshëm që përsëritet shumë herë (e amëshuara muhalebi)…apo kur “..në racionin ushqimor mbizotërojnë gjërat e embla, të cilat janë jo vetëm të njëanshme, por edhe të velin shpejt, të reagojë duke ngrënë dhé”. Por, me çfarë ka lidhje ushqimi monoton apo i njëanshëm dhe velja nga ushqimi? Ja ku dolëm tek rregulli i shkencës së nutricionit (të ushqyerit): Vëzhgoni reagimin e organizmit tuaj ndaj ushqimeve që konsumoni!

Mekanizmat e kontrollit të organizmit dhe reagimi i tij ndaj ushqimit

Velja nga ushqimi monoton dhe i njëanshëm është reagim i organizmit ndaj elementëve përbërës të një ushqimi të caktuar si muhalebia tek fëmijët apo ëmbëlsirat në të gjitha moshat. Në këtë mënyrë, velja përbën një mekanizëm kontrolli ndaj sasisë të tepërt të disa elementëve ushqyes, të cilët, jo vetem që nuk i duhen në atë masë organizmit, por i lidhin edhe ujin (sheqeri), duke e bërë atë të papërdorshëm (të lidhur) për aktivitetin jetësor të organizmit. Por çfarë bëjmë ne të rriturit kur fëmija refuzon dhe e nxjerr nga goja një ushqim të tillë të përsëritur? E mbërthejmë në krahë, i mbyllim hundën dhe e detyrojmë ta kalojë në stomak me hir apo pahir! Kurse, për veten tonë, mbas ëmbëlsirës, pimë një apo dy gota ujë dhe vazhdojmë ëmbëlsirën..! Rezultati? Ne nuk e respektojmë nivelin e sasisë të përbërësve ushqimore që organizmi “nuk do ta tejkalojë”, dhe e ngrejmë në një nivel më të lartë, të dëmshëm, duke mos “dëgjuar zërin e organizmit tonë” ose atë që thotë shkenca e nutricionit: Vëzhgoni reagimin e organizmit tuaj ndaj ushqimeve që konsumoni!

Prandaj, reduktimi i ushqimit të foshnjeve dhe fëmijëve me muhalebi është i arsyeshëm. Por, duke reduktuar në minimum muhalebinë dhe duke e zëvendësuar atë me drithërat (mosha 6 – 8 muaj) dhe trahananë dhe tërshërën (mosha 8 – 10 muash), mendoj se përsëritet i njëjti gabim: një lloj ushqimi (monoushqim), zëvendësohet me një lloj tjetër monoushqimi. Arsyeja e zëvendesimit të muhalebisë me drithra, trahana dhe tërshërë, thuhet se është ushqyerja e foshnjeve dhe fëmijëve me më shumë elementë minerale dhe vitamina, si dhe rritja e peristaltikës së zorrës për të ndihmuar jashtëqitjen. Në lidhje me përdorimin e tërshërës si nxitës i peristaltikës së zorrës, Dr. Albana Daka, mjeke laboratory-nutricioniste, në shkrimin e saj në BallkanWeb (28.02.2018), thekson se” përmbajtja e lartë e fibrave nuk është e rekomandueshme tek fëmijët e vegjël… sepse çon në episode të shpeshta të diarresë, që sipas OBSH është shkaku i dytë i sëmundshmërisë dhe vdekshmërise fëminore nën 5 vjeç”. Ndërkohë, përmbajtje të lartë të fibrave kanë edhe graminoret. Por cila është arsyeja e diarresë të shpeshtë tek fëmijët e ushqyer me shumë fibra?

Le të sqarojmë së pari se diarreja nuk shkaktohet vetëm nga prania e patogjenëve (baktere, viruse) në ushqime apo ambient. Diarreja mund të shkaktohet në shumicën e njerëzve edhe nga disa lloje ushqimesh që përmbajnë elementë te papranueshëm ose pak të tretshëm për organizmin, apo në persona të veçantë nga ushqime që nuk përkojnë me metabolizmin e tyre. Ndryshimi qëndron tek kohëzgjatja e diarresë: e shkaktuar nga ushqimi, diarreja ndërpritet shpejt, kurse nga patogjenët në ushqim diarreja zgjat me ditë, javë dhe në disa raste të veçanta me muaj.

Por le të kthehemi tek problematika e ushqimeve me shumë fibra. Të njëjtin veprim kanë edhe ato. Fibrat janë pak të tretëshme në intestinën (zorrën) e njeriut dhe organizmi tenton t’i nxjerrë jashtë. Prandaj thuhet që ushqimet me fibra ndihmojnë peristaltikën e zorrës për të ndihmuar jashtëqitjen. Mbase, për këtë arsye diarreja tek fëmijët e kësaj moshe është e shpeshtë dhe ndonjëherë mund të ngatërrohet me atë të shkaktuar nga prania e patogjenëve në ushqime. Në fakt, këtu kemi të bëjmë me reagimin e organizmit ndaj ushqimit të patretshëm ose me një mekanizëm kontrolli të tij. Fibrat janë në sasinë e duhur tek frutat dhe perimet, të cilat janë të pranishme në dietat e sipërpërmendura, por janë të shumta tek graminoret dhe tërshëra.

Le të përmendim edhe një fakt mjekësor: nënave shtazëna nuk i rekomandohen ushqimet me shumë fibra, sepse bashkë me lëngjet e shumta që duhen për t’i zbutur ato, organizmi largon edhe sasi elementësh minerale të sekretuara në zorrë. Në raste të tilla dhe sidomos, kur ushqimi i nënës shtatzënë është i mangët për plotësimin e nevojave të saj dhe të fetusit, shfaqen probleme me rënien e flokëve, dhëmbëve dhe shumë rrallë mund të rezultojë edhe me pasoja fatale. Nëse organizmi i të rriturve reagon në këtë mënyrë, ndërkohë që ata janë në gjëndje t’i përtypin këto ushqime, po organizmi i foshnjeve 6, 8 apo 10 muajshe si do të reagojë? Prandaj, në përgatitjen e ushqimit të fëmijëve të moshës 6 muaj deri në 3 vjeç duhet pasur parasysh aftësia përtypëse dhe tretëse që përbën edhe një parim mbi të cilin duhet bazuar hartimi e një diete.

Aftësia përtypëse dhe tretëse e moshës deri 3 vjeç

Aftësia përtypëse lidhet me dhëmbët dhe dihet se formimi i plotë i tyre arrihet në moshën 3-vjeçare. Në të njëjtën moshë 3 vjeçare, flora intestinale (e zorrëve) është e njëjtë për nga përbërja (por jo në numër) me atë të një njeriu të rritur. Për aktivitetin dhe ndikimin e saj pozitiv apo negativ në tretjen e ushqimeve dhe shëndetin e njeriut, flora intestinale konsiderohet si një organ në përbërje të aparatit tretës. Janë pra, këta dy faktorë biologjikë, bashkë me zhvillimin në tërësi të organizmit të fëmijës që përcaktojnë veçoritë e të ushqyerit të fëmijëve nga mosha 6 muajsh deri 3 vjeç. Por ndodh që ne të rriturit t’i harrojmë dhe të fillojmë të nxjerrim lloj lloj argumentash “shkencorë” nutricionizmi apo/dhe mjekësorë, duke mos marrë parasysh ecurinë biologjike të organizmit të fëmijëve, aftësinë përtypëse dhe tretëse të tyre.

Prandaj, sado që të zbuten graminoret, ato nuk mund të përtypen në moshën 6 mujore, sepse foshnja deri në këtë moshë, di vetëm të pijë, instikt ky i lindur dhe jo i mësuar nga nëna apo nga hartuesit e dietave. Po njësoj ndodh edhe me trahananë, tërshërën apo mishin, qoftë ky edhe në formë kremi, në moshën 8 mujore. Kështu që, përdorimi i lëngut të mishit në dietën e vitit 2016 për moshën 6 – 10 muaj, është më i përshtatshëm, sepse përputhet me aftësinë tretëse të kësaj moshe, duke ndihmuar edhe në formimin e një mikroflore intestinale të shëndetëshme. Foshnja mund t’i kapërdijë dhe gëlltisë ushqimet e mësipërme pa kuptuar, ose “me ndihmën” e të rriturve, por tretja e tyre do jetë e vështirë të kryhet. Dhe sidomos tretja e tërshërës. Por pse tërshëra? Që t'i përgjigjemi kësaj pyetje, duhet të marim parasysh përshtatjen e organizmit të njeriut (metabolizmit të tij) me mjedisin gjeografik të paraardhësve të tij që lidhet ngushtësisht me trashëgiminë gjenetike.

Mjedisi gjeografik i paraardhësve dhe trashëgimia gjenetike

Njeriu, nga kushtet mijëvjeçare të mbijetesës dhe jetesës së tij, i është përshtatur ushqimit me prejardhje nga pothuajse çdo qënie e gjallë që popullon ambientin e tij rrethues, duke e përpunuar që të jetë i përtypshëm dhe i tretshëm. Kështu kanë lindur dhe janë hartuar dieta aziatike, amerikane, apo ajo mesdhetare, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Dhe si një nga popujt më të vjetër në këtë pellg, i jemi përshtatur kushteve klimatiko-tokësore dhe ushqimit që ka afruar mjedisi mesdhetar, që karakterizohet nga përdorimi i shumtë i perimeve dhe frutave të freskëta në të katër stinët e vitit, ulliri me vajin e tij, ushqimeve të gatuara në shtëpi, përdorimi i kufizuar i mishit dhe drithërave si misri, gruri dhe thekra, por jo tërshëra. Në Shqipëri, tërshëra është mbjellë në sipërfaqe të kufizuara dhe është përdorur kryesisht si ushqim për kuajt, kurse vitet e fundit edhe si ushqim për njerëzit si nxitës i peristaltikës së zorrëve, gjë që u shpjegua më lart. Si ushqim për kuajt, tërshëra është përdorur edhe në vende të tjera si Anglia. Ndërsa fqinji i saj, Skocia e ka përdorur edhe për ushqimin e njerëzve. Por cila është lidhja e mjedisit gjeografik të paraardhësve (brezave) me trashëgiminë gjenetike dhe e kësaj të fundit me tërshërën?

Shkenca e gjenetikës e ka provuar se genet, në përbërje të ADN-së përcaktojnë formimin e proteinave apo enzimave që zbërthejnë ushqimin në element të thjeshtë. Ndërkohë që është vertetuar gjithashtu se edhe ushqimet e përdorura brez pas brezi ndikojnë anasjelltas në formimin e geneve, përgjegjës për formimin e enzimave që zbërthejnë këto ushqime. Pra, ekziston nje veprim i ndërsjelltë:

Ushqim ↔ Metabolizëm ↔ Proteina (enzima) ↔ ADN (gene)

Pra, teorikisht të paktën, për ushqimet e përdorura në shekuj nga populli shqiptar, si gruri, misri, thekra, orizi, perimet, frutat dhe mishi, në shumicën e pasardhësve duhet të egzistojnë enzimat përkatëse të zbërthimit të tyre. Por kjo nuk mund të thuhet me siguri për tërshërën, e cila në Shqipëri nuk është përdorur si në Skoci për ushqimin e popullatës, por është përdorur si në Angli për ushqimin e kuajve. Këtë lidhje midis mjedisit gjeografik të paraardhësve dhe trashëgimisë gjenetike, shumë të tjerë e shprehin me respektimin e traditës apo “të ushqimit të gjyshes”. A është gjithmonë e drejtë tradita apo ushqimi i gjyshes? Në përgjithësi po, por jo gjithmonë sepse tradita është krijuar në varësi të kushteve të kohës, ekonomike, sociale dhe komunikimit tregtar gjeografik që ka qënë shumë më i kufizuar në të shkuarën. Është detyra e specialistëve, që këtë traditë ta ndërthurin me njohuritë e sotme të shkencës së vërtetë.

Duke u rikthyer te dieta mesdhetare, duhet patur parasysh se që ajo të jetë e shëndetëshme për fëmijët e sapo shkëputur nga qumështi i nënës, nuk mund të harrojmë dy faktorë të tjerë bazikë: periudhën e përshtatjes të organizmit të foshnjeve me ushqimin e ri dhe cilësinë e ushqimit.

Përshtatja e organizmit të foshnjeve me ushqimin e ri

Çdo qënie e gjallë, kur kalon nga një ushqim në një tjetër, të pa përdorur më parë, ka nevojë për një fazë përshtatjeje. Kjo është në varësi të individit, por më shumë varet nga lloji i ushqimit. Mund të kujtojmë raste të sjella nga historia apo mjekësia, kur persona të rritur, nuk janë ushqyer për një kohë të gjatë, për arsye të ndryshme. Të ushqyerit e tyre, ka filluar me sasi të pakta lëngjesh bimore, fruta dhe perime, dhe gradualisht duke shtuar sasine dhe larminë e lëngjeve dhe më pas është kaluar në formën qull të tyre, deri në ushqimin normal që përdor çdo njeri i rritur. Kur nuk është respektuar një mënyrë e tillë të ushqyeri, organizmi i tyre ka reaguar duke emetuar (vjellë), apo me diarre që sjell si pasojë të menjëhershme dehidratimin e organizmit, ndonjëherë dhe me pasoja fatale. Këto janë raste ekstreme, por nëse rikujtojmë të dhënat e OBSH-së për shkakun e dytë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë fëminore nga diarreja, mund të rigjykojmë në lidhje me përsëritjen njëjavore të dietës së mëparshme apo edhe të tanishme të të ushqyerit të foshnjeve dhe fëmijëve.

Dietat e fëmijëve 6 muajsh deri në 3 vjeç janë të hartuara për ushqimin një-javor të tyre, duke u përsëritur sipas moshës çdo javë e njëjta menu! Ne të rriturit, do ulërinim nëse do na jepej në tavolinë i njëjti ushqim i përsëritur çdo javë, për dy muaj, 4 muaj apo 6 muaj rradhazi. Dhe arsyeja do të ishte mërzia nga përsëritja e të njëjtit ushqim. Por, mërzia nga monotonia ka për bazë reagimin e organizmit ndaj ushqimit të njëanshëm jo kompleks, ndaj kërkesave komplekse të organizmit të njeriut (të ekuilibruar me të gjithë makro dhe mikroelementët ushqimore).

Kurse tek fëmijët që sapo janë shkëputur nga i vetmi ushqim i tyre për 6 muaj rradhazi, qumështi i nënës, ekziston edhe problemi i përshtatjes apo i “zgjimit” të enzimave që zbërthejnë ushqimet e futura rishtas në trupin e tyre. Kjo gjë përbën edhe fazën e përshtatjes së organizmit të foshnjes ndaj ushqimit të ri, mbas qumështit të nënës së tij. Prandaj qumështi duhet të vazhdojë të mbetet në dietën e përditëshme, i kombinuar me ushqimet e reja, të cilat duhet të shtohen gradualisht, por jo të mbizotërojnë këto të fundit.
Prandaj, dieta ose menuja për fëmijët duhet të hartohet për 3-4 jave. Një dietë e tillë do të eleminonte problemet e sipërpërmendura dhe do të servirte shumëllojshmëri ushqimi, që i përgjigjet edhe nevojave komplekse të organizmit të fëmijës për një rritje dhe shëndet të mbarë. Por ne të rriturit, duke përdorur lloj lloj sofizmash dhe “dijesh” ankohemi për veten tone, ndërsa detyrojmë, pa dashje, fëmijët të hanë pa kuptuar të qarat, diarrenë dhe reagimin e natyrshëm të organizmit të tyre. Një këshillë mund të jap në vijim të kësaj që sapo shkruajta: nëse nuk dini apo nuk doni të dëgjoni reagimin e organizmit tuaj, mos neglizhoni atë të foshnjeve dhe fëmijëve tuaj, por mësoni prej tyre!

Hartimi i dietës është shumë i rëndësishëm, por ushqimi i shëndetshëm lidhet drejtpërdrejtë edhe me mënyrën e përgatitjes së ushqimit dhe sigurisht, me cilësinë e ushqimeve, sidomos për moshën 6 muaj deri 3 vjeç. Mënyra e përgatitjes së ushqimit, ose gatimi duhet të plotësojnë qëllimin kryesor te tij: t’i bëjnë ushqimet të përtypëshme dhe të tretëshme dhe të ekuilibrojnë elementët ushqyes. Le të përmendim vetëm rastin e përgatitjes së lëngjeve të fruta perimeve: është më e lehtë që lëngun e tyre ta përgatisim në blender, por në këtë mënyrë i reduktojmë vlerat vitaminoze të tyre, për shkak të nxehtësisë të krijuar nga shpejtësia e rrotullimit të thikave. Por, duke i grirë në rende dhe duke i shtrydhur me napë, ne mund të ruajmë vlerat ushqyese, aq të dobishme per organizmin e foshnjeve! Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme:

Cilësia e ushqimit.

Furnizimi me ushqime i çerdhe-kopshteve bëhet direkt nga tregu, i cili nuk ka sigurinë e duhur, gjë që është referuar shpesh në median e shkruar dhe vizive. Pra, nuk egziston vetëm problemi i arsenikut në oriz, i përmendur në fillim të këtij artikulli, por edhe i fruta-perimeve të trajtuara me pesticide, herë herë edhe 1 ditë para tregëtimit të tyre apo i mishit hormonal të importit. E vërteta është që nuk jemi të sigurt se sa është doza e përdorur e konservantëve kimikë në ushqime të ndryshme, apo sa përqind vaj ulliri përmban vaji i ullirit. A është i gjithë ushqimi i tregut i cilësisë të dyshimtë? Fatmirësisht jo. Tregu ofron edhe produkte të shëndetshme, por që janë të vështira për t’u gjetur dhe identifikuar nga punonjësit e çerdheve dhe të kopshteve.

Për të siguruar ushqime të sigurta, cilësore dhe të shëndetëshme, bashkitë mund të identifikojnë ferma bujqësore dhe blektorale që punojnë, ose që duhet të punojnë me sistemin e integruar të prodhimit bujqësor dhe blektoral, që ka në bazë përdorimin e plehrimit kimik dhe organik, përdorimin me kriter të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe të kafshëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit dhe jo përdorimin e tyre për rritjen e masës së prodhimit. Gjithashtu, duhet siguruar drith integral i cilësisë të mirë për produkte të gatuara si në shtëpi (buka, keku etj…) dhe jo të blera nga furra më e afërt. Identifikimi i fermave të tilla, subvencionimi i tyre, organizimi i një Pike Grumbullimi, lidhja e kontratave dhe kontrolli rigoroz i tyre, do kishte rezultate shumë të mira, si për ushqyerjen e shëndetëshme të fëmijëve, ashtu dhe për sigurinë dhe ecurinë financiare të këtyre fermave.

Më sipër, parashtrova disa mendime se ku duhet bazuar hartimi i dietës së fëmijëve të moshës 6 muajsh deri 3 vjeç. Por nëse për hartimin e saj, nën drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë, do të mbidheshin specialistë të fushave te ndryshme, dieta për fëmijët do të ishte më e plotë dhe mund të rekomandohej për tu përdorur në të gjitha çerdhet dhe kopshtet, duke ndikuar për mire direkt në shëndetin e fëmijëve që i frekuentojnë ato. Dhe jo vetëm për fëmijët e çerdhe-kopshteve që janë në varësi të bashkive, por edhe për fëmijët që frekuentojnë ato private dhe më gjerë.


Prof.Dr. Kristaq Sini
Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë, UBT


Piramida Ushqimore.png
Piramida Ushqimore.png (168.25 KiB) Viewed 6252 times


Piramida Amerikane.png
Piramida Amerikane.png (236.27 KiB) Viewed 6252 times

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Shkenca e Ushqimit - Të Ushqyerit e Njeriut”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest