Risku i normave te interesit, ndikimi i faktoreve makroekonomik ne normat e interesit te depozitave.

User avatar
Eralda Alhysa
Posts: 2
Joined: 06 Jun 2016, 19:25
Vendodhja: Tiranë
Profesioni: Ekonomiste
Puna qe ben: Inspektore e parë, Drejtoria e Analizës së Riskut, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj
Rreth Jush: Kam mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, dega Financë-Kontabilitet në UBT, me rezultate të shkëlqyera.
Kam marr pjesë në disa konferenca të organizuara brenda dhe jashtë Universitetit.
Pas një eksperiece tre (3) vjeçare si specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, jam emëruar inspektore e parë në Drejtorinë e Analizës së Riskut pranë Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj.
Hobi: Leximi, Udhëtimet, Natyra

Risku i normave te interesit, ndikimi i faktoreve makroekonomik ne normat e interesit te depozitave.

Postby Eralda Alhysa » 06 Jun 2016, 20:56

INTEREST RATE RISK, THE IMPACT OF MACROEKONOMIC FACTORS ON DEPOSITS RATE


Prof.Asoc. Dori RISILIA, Universiteti Bujqësor i Tiranës, departamenti financë-kontabilitet, dori_risilia@yahoo.com
Dr. Aurora HOXHA, Universiteti Bujqësor i Tiranës, departamenti financë-kontabilitet, ahoxha@ubt.edu.al
MSc. Eralda ALHYSA, Universiteti Bujqësor i Tiranës, departamenti financë-kontabilitet, alhysae@gmail.com


Abstract
Interest rates constitute in one of the most important channels of transmission of monetary policy in an economy. The functioning of this transmission channel is influenced by macroeconomic conditions and financial structures of the country. Interest rates, flow constantly. They depend on the conditions of the monetary market and the financial market, subject to all the economic activity of the country, to the intervention policy of the monetary authorities, and to the financial money markets and capital, as well as, to the changing conditions of the international financial and monetary markets. Interest rate risk is the possibility to change the interest rates that affects the interest income and the market value of assets of any investor. While the understanding of exposure to risk means the risk presence itself. Exposure can be measured and evaluated. This determination is based on the examination of the interest rate risk, as banks and other financial institutions. Banks get greater benefits, by taking over a larger risk of the interest rates or different mentioned as taking over a larger adjusted risk. Based on some essential concepts of the risk theory, such as risk objective, risk event, this paper aims to reconsider once more the risk of the interest rates. Special attention was given in this paper to the factors influencing the interest rate on deposits as well as assessing the impact of these factors on the interest rate, by using and econometric model. So, our work aims to study the relation between the interest rate on deposits of gross domestic product and inflation rate.
(Key words: interest rate risk, Gross Domestic Produkt, inflation rate, exchange rate)

1.Hyrje
Bankat luajnë një rol vital në rritjen ekonomike, kryesisht me anë të diversifikimit të riskut për aktivitetin e tyre dhe të agjentëve të tjerë ekonomik. Risku i normave të interesit është një nga risqet me të rëndësishme financiare me anë të secilës ballafaqohet një bankë. Risku i normave të interesit është mundësia që ndryshimi i normave të interesit të ndikojë në të ardhurat nga interesat dhe në vlerën e aktiveve në treg të çdo investitori. Një pjesë e madhe e të ardhurave burojnë nga të ardhurat neto nga interesat e cila vjen si diferencë ndërmjet disa zërave të aktivit me zërat e pasivit të bilancit të bankës. Fluktacionet në normat e interesit ndikojnë në normën e interesit dhe vlerën e bankës, duke bërë që drejtimi riskut i normës së interesit të jetë sinjifikativ për suksesin e një banke. Një nga pjesët më të rëndësishme të zgjuarsisë apo inteligjencës ekonomike është të dish atë për të cilën nuk ke informacion apo atë që ti nuk e di, (John Kenneth Galbraith). Komiteti i menaxhimit të aktiveve dhe detyrimeve të një banke, është komiteti i caktuar me detyrën në drejtimin e ekspozimit ndaj riskut të normës së interesit me anë të përdorimit të strategjive dhe instrumenteve të ndryshme mbrojtëse. Strategjitë mbrojtësë më të përdorshme në bilanc janë ato strategji që përdoren ne krijimin e imunitetit, ndërsa instrumentatat derivative mbrojtëse praktikisht janë kontratat bazuar ne normat e ardhshme të interesit. Është bërë e ditur që bankat kanë funksionim të mirë të komitetit të aktiveve dhe detyrimeve, të cilat teknologjinë informative e kanë përdorur në funksion të matjes, kontrollit dhe drejtimit të pozicionit të riskut të normës së interesit. Heffernan (1996) përshkruan që thelbi i biznesit bankar në drejtimin e riskut përfshin si aktivitet e pasivet brenda bilancit ashtu dhe ato jashtë tij. Drejtimi i riskut të normës së interesit është sot padyshim një nga trendet e aktivitetit të industrisë bankare.

2. Objektivi dhe rishikimi i literatures
Objektivi kryesor i këtij punimi është ndikimi që faktorët të tillë si produkti i brendshëm bruto dhe inflacioni kanë tek niveli i normave të interesit të depozitave. Ndikimi i kurseve të këmbimit mbi inflacionin varet nga rregjimi i kurseve të këmbimit. Në regjimin fleksibël të kurseve të këmbimit (si në rastin e Shqipërisë) çdo luhatje në kursin e këmbimit mund të ndikojë në nivelin e çmimeve nëpërmjet kërkesës agregate dhe ofertës aggregate. Nëse monedha vendase nënvlerësohet, atëherë ndikohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë niveli i çmimeve, nëpërmjet produkteve të importuara, të cilat blihen nga konsumatorët vendas. Kjo ndodh në rastin e vendeve të vogla, të cilat e marrin si të dhënë çmimin e produktit nga tregu ndërkombëtar, pra që plotësojnë pjesën më të madhe të kërkesës së tyre nga importet. Dobësimi i monedhës do të ndikojë gjithashtu edhe në çmimet e inputeve të importuara: firmat do të duhet të paguajnë më shumë për to dhe kjo do të shoqërohet me kosto më të larta të prodhimit dhe në çmime më të larta. Për rrjedhojë, niveli i përgjithshëm i çmimeve në ekonomi do të rritet. Nga ana e kërkesës, nëse produktet brenda vendit bëhen relativisht më të lira se ato të huaja, atëherë eksportet neto do të rriten, sepse konsumatorët vendas do të zhvendosin kërkesën për produkte të importit drejt produkteve vendase si dhe të huajt mund të rrisin kërkesën për këto produkte. Për rrjedhojë kërkesa agregate do të rritet dhe kjo do të shoqërohet me rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Ndryshimi i kursit të këmbimit ndikon në nivelin e inflacionit të importuar, i cili vjen në ekonomi si pasojë e konsumit të mallrave të importit. Një nënçmim i lekut do të rriste çmimin e tyre dhe inflacionin e importuar. Kursi i kembimit ushtron presion në përcaktimin e nivelit të çmimeve në ekonomi duke sjellë ndikim kështu në pritjet inflacioniste dhe në inflacionin real. Ekonomistët kanë sugjeruar se luhatjet e kursit të këmbimit në vendet në zhvillim mund të ndikojnë kërkesën agregate dhe zgjerimin e investimeve (Frenkel, 2004); një monedhë e mbivlerësuar mund të ndikojë negativisht punësimin (Hua, 2011), ndërkohë që në një studim për Shqipërinë, Mançellari, Mytkolli dhe Kola (1999) tregojnë se ndryshimet në kursin e këmbimit mund t’i paraprijnë inflacionit. Inflacioni konsiderohet si produkt i ndikimit të normës nominale të interesit, indeksit të çmimeve të Eurozonës si dhe i të ardhurave reale për frymë. Studimet empirike tregojnë se kursi real i këmbimit mund të ndikojë në tregtinë ndërkombëtare, në kërkesën agregate, në akumulimin e kapitalit, në rritjen e produktivitetit të faktorëve, etj. Kursi real i këmbimit ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kompozimin e kërkesës agregate. Razin dhe Collins (1997) studjuan marrëdhënien midis rritjes ekonomike dhe shmangies së kursit real të këmbimit, duke konsideruar investimet dhe sektorin e produkteve të tregtueshëm si kanale, nëpërmjet të cilëve shmangia e kursit real te këmbimit mund të influencojë rritjen ekonomike. Ata arrijnë në konkluzionin se vetëm një mbivlerësim shumë i lartë duket se lidhet me një rritje më të ulët ekonomike, ndërsa një nënvlerësim real nga i moderuari deri te më i larti (por jo shumë i lartë) duket se stimulon kursin real të këmbimit dhe ndikimin e tij në ekonomi. Studimi i tyre sugjeron gjthashtu se efekti negativ i mbivlerësimit mbi rritjen ekonomike është më i fortë se efekti pozitiv i mbivlerësimit.

3. Metodologjia
Matja e shkallës së ndjeshmërisë së sistemit bankar kundrejt humbjeve të paparashikuara që mund t’i shkaktohen atij nga luhatjet e normës së interesit, është mjaft e vështirë. Megjithatë, janë bërë përpjekje të vazhdueshme të ndërtimit të modeleve empirike, të cilat vlerësojnë masën e ndikimit të variablave të ndryshëm makroekonomik mbi tregues të tillë që flasin për tregues të rëndësishëm të ecurisë së sistemit bankar, si për shembull, raportin e depozitave me kreditë etj.
Qëllimi i punimit tonë është studimi i ndjeshmërisë së normës se interesit të depozitave dhe përcaktimin e rëndësisë që kanë ndikimi i faktorëve makroekonomik. Analiza e problemit është fokusuar në studimin e lidhjes ndërmjet faktorëve makroekonomik të vendit tonë me normën e interesit të depozitave. Në këtë studim jemi fokusuar në analizmin ekonometrik të ndikimit të faktorëve makroekonomik. Në analizën ekonometrike kemi marrë për bazë analizimin e problemit ekonomik duke ndjekur etapat e analizës ekonometrike që nga shtrimi i problemit, vlerësimin dhe testimin e hipotezës statistikore. Të dhënat që kemi përdorur në këtë kërkim janë të dhëna dytësore dhe i kemi marrë nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë për një periudhë 2000-2015. Të gjithë faktorët e marrë në shqyrtim janë të agerguar për të gjithë ekonominë, sepse inflacioni, produkti i brendshem bruto, kurset e këmbimit, normat e interesit të depozitave janë tregues makroekonomikë të cilët maten ose vlerësohen në rang vendi.

3.1 Efektet e riskut të normës së interesit
Risku i normës së interesit është risku që lidhet me ndryshimet në normat e interesit të tregut, i cili mund të ndikojë negativisht në gjendjen financiare të bankës. Ndikimi i menjëhershëm i ndryshimit të normave të interesit paraqitet në fitimet e bankës nëpërmjet rënies së të ardhurave neto nga interesi. Ndërsa, ndikimi afatgjatë i ndryshimeve në normat e interesit është mbi vlerën ekonomike të aseteve të bankës, pasiveve dhe zërave jashtë bilancit. Risku i normave të interesit, shihet nga dy këndvështrime të ndryshme, këndvështrimi kontabël dhe këndvështrimi ekonomik që do ti trajtojmë shkurtimisht më poshtë. Këndvështrimi kontabël: Ky këndvështrim përqëndrohet në riskun e uljes së të ardhurave neto nga interesat (diferenca midis të ardhurave totale të interesit dhe të shpenzimeve totale të interesit), zakonisht, për periudha të afërta e afatshkurtra. Të ardhurat neto nga interesit ose marzhi neto i interesit i bankave varet nga lëvizjet e normave të interesit. Çdo mospërputhje në flukset monetare (aktivet fikse ose pasive) ose datat e riçmimit (aktive të ndryshueshme ose pasivet), ekspozon të ardhurat neto nga interesi të bankës ose marzhin neto të interesit ndaj ndryshimeve. Kështu, si rregull, bankat e vlerësojnë ndjeshmërinë e të ardhurave neto nga interesat për një periudhë jo më të gjatë se tetë tremujorë të ardhshëm (2 vjet). Vlerësimi i ndjeshmërisë ka rëndësi, sepse të ardhurat neto nga interesat përcaktojnë vlerën kontabël të kapitalit, që u intereson jo vetëm aksionerëve të cilët, në radhë të parë janë të interesuar për vlerën e kapitalit neto, por edhe shoqërive që merren me analizën e vlerës së aksioneve dhe me klasifikimin e tyre. Këndvështrimi ekonomik: Ky këndvështrim përqëndrohet në riskun e pakësimit të vlerës së kapitalit neto, për shkak të riçmimit të aktiveve, të pasiveve dhe të pozicioneve të tjera, të ndjeshme ndaj normave të interesit. Ndryshe nga këndvështrimi kontabël, këndvështrimi ekonomik nxjerr në pah riskun që lind nga mospërputhja ndërmjet masës së riçmimit të aktiveve dhe masës së riçmimit të pasiveve të bilancit të bankës që janë të ndjeshëm ndaj normave të interesit, në terma absolute, brenda një kohe të caktuar për periudhat afatgjata të portofolit (GAP-e). Sikurse dimë, GAP-et afatgjata mund të paraqesin risk më të madh se GAP-et për periudha afat shkurtra. Vlera ekonomike e një banke mund të shikohet si vlera aktuale e flukseve neto të pritura të bankës, përcaktuar si flukset e pritura të aseteve minus flukset e pritura të pasiveve plus flukset neto të pritura të zërave jashtë bilancit. Këndvështrimi ekonomik i riskut të normave të interesit nuk është i bazuar në parime kontabile. Këndvështrimi ekonomik siguron një vlerësim më të saktë të riskut të normës së interesit, sepse ai përfshin riskun që lind nga aktivet, nga pasivet dhe nga pozicionet jashtë bilancit. Për rregulluesit e veprimtarive financiare, ky këndvështrim është i rëndësishëm, sepse ndryshimet negative në vlerën e portofolit të kapitalit në treg mund të jenë një nga treguesit për problemet që do të ndeshen në fitimin e ardhshëm, likuiditetin dhe mjaftueshmërinë e kapitalit. Ky këndvështrim siguron një pamje më të qartë të riskut të normave të interesit, por ai nuk përcakton kohën se kur risku do të evidentohet në kontabilitet. Bankat përdorin teknika të ndryshme në drejtimin e riskut, kryesisht riskun e normave të interesit dhe ajo më e përdorur është GAP i fondeve, si një teknikë, madhësia e të cilës tregon riskun që mbart banka nga ndryshimi i normave të interesit dhe që pasqyrohet tek të ardhurat neto të interesave. Por nga se shkaktohet risku i normës së interesit? Cilët janë faktorët që çojnë në ndryshimin e normave të interesit? Këtyre pyetjeve do të përpiqemi t’iu japim përgjigje në vijim.

3.2 Ecuria e normave të interesit në vite
Kontrolli i normave të interesit ka qenë një pjesë e rëndësishme e politikës së stabilizimit të Shqipërisë gjatë tranzicionit. Normat reale të interesit u kthyen në pozitive në tremujorin e tretë të vitit 1994 kur inflacioni u ul, por ato mbetën nën kontrollin e Bankës Qendrore derisa sistemi bankar filloi të konsolidohej dhe politika monetare lëvizi gradualisht drejt përdorimit të instrumenteve indirekte. Banka e Shqipërisë filloi të eleminonte kontrollin direkt mbi normat e interesit në fillim të vitit 2000. Brenda një viti, të treja normat e kontrolluara të interesit për depozitat tremujore, gjashtëmujore, dhe dymbëdhjetëmujore u hoqën dhe u zëvendësuan me instrumente indirekte të politikës monetare. Ka disa mënyra nëpërmjet të cilave politika monetare mund të ndikojë në ekonominë reale. Katër janë kanalet nëpërmjet të cilave ajo ndikon në ekonominë e tregut: normat e interesit; tavanet e kredisë; kursi i këmbimit; dhe pritshmëritë e inflacionit. Lista është larg të qenit e plotë, por në rastin e Shqipërisë kanale të tjera si çmimet e aksioneve apo tregu i shtëpive janë më pak të lidhura, të paktën derir tani. Siç u theksua më lart, normat e interesit ishin nën kontrollin direkt të Bankës Qendrore deri në gusht të vitit 2000. Një ndikim indirekt i rëndësishëm i normave të interesit mbi inflacionin mund të ketë ndodhur nëpërmjet normave të larta të depozitave duke ndjekur kërkesën për depozita në monedhën vendase, të cilat nga ana e tyre ndihmuan në ruajtjen apo edhe në forcimin e vlerës së monedhës vendase, duke pakësuar në këtë mënyrë kostot e importit dhe çmimet. Megjithatë, edhe pse bankat kishin konkretisht rezerva të mëdha të tepërta, bankës kryesore në vend, Bankës së Kursimeve, iu ndalua të jepte hua të re gjatë gjithë kësaj periudhe. Rrjedhimisht, shuma e kredisë së re e dhënë në ekonomi ishte e vogël dhe ndikimi direkt i normave të interesit dhe vendimet për dhënien e kredisë për ekonominë reale ishin të papërfillshme. Në tregun primar, normat e interesit të instrumenteve të qeverisë me maturitet deri në 2 vite kanë pësuar rënie të konsiderueshme krahasuar me fundin e vitit 2013 duke kapur kështu edhe vlerat më të ulëta historike, ndërkohë që titujt me maturitet mbi 2 vite, (përjashtuar obligacionet 10-vjeçare të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim) kanë pësuar rritje. Kjo tendencë ka nisur që prej muajit janar dhe është theksuar edhe në periudhën në vazhdim. Kërkesa dhe likuiditeti i ofruar nga pjesëmarrësit në tregun primar të titujve qeveritarë afatshkurtër ka qenë më e lartë krahasuar me titujt afatgjatë. Ndërkohë, mosrealizimi i ankandeve të obligacioneve ka krijuar presione për rritjen e normave të interesit dhe ka bërë që kurba e normave të interesit të titujve afatgjatë të shfaqet e zhvendosur lart. Gjatë vitit 2014 instrumentet që kanë pësuar rënien më të madhe të normave të interesit janë bonot e thesarit 3-mujore dhe 12-mujore, normat e të cilave janë ulur përkatësisht me 48 dhe 44 pb krahasuar me fundin e vitit 2013. Rënia e normave të interesit për bonot e thesarit është e lidhur me disa faktorë në tregun e instrumenteve financiarë, si p.sh:
• Shtimi i kërkesës për këto lloj instrumentesh dhe rritja e likuiditetit të sistemit bankar si rrjedhojë e ngurtësimit të kreditimit ndaj sektorit privat për shkak të rritjes së kredive që nuk performojnë mire;
• Ulja e kërkesës së Qeverisë për huamarrje të brendshme neto krahasuar me një vit më parë;
• Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë nisur nga presionet e ulëta inflacioniste dhe vlerësimet për një kërkesë të brendshme të dobët.

Gjate vitit 2009, norma mesatare e kredisë 1-vjeçare në Lek ishte 15.71%, dhe në fund të marsit të vitit 2015 ishte 8.85%, pra një ulje prej rreth 7%. Në të njëjtën kohë norma e depozitës 1-vjeçare në 2009 në Lek ishte 6.75%, ndërsa në fund të marsit 2015 ishte 1.46%, pra një ulje prej 5.3%. Për rrjedhojë "spread-i" kredi-depozita cili përbën edhe faktorin kryesor të fitimit bruto të bankave është ulur gjatë periudhës, nga 8.96% në 7.39% në monedhën lek. Banka e Shqipërisë, që nga shtatori i vitit 2011 ka ulur 13 herë normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivele të ulëta rekord prej 1.75% aktualisht, në përpjekje për të nxitur kompanitë të investojnë dhe individët të shpenzojnë. Por, ndërsa kredia nuk është rritur, kursimet kanë shënuar në 2015-n rritjen më të ulët historike që pas viteve ’90, teksa individët kanë tërhequr rreth 220 milionë euro vetëm vitin e kaluar nga depozitat me afat në lekë. Para këto, që gjithsesi nuk janë relfektuar në konsum e shpenzime. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë vitet e fundit, përmes uljes së normës bazë, që është transferuar në rënien e interesave të depozitave, ka “stepur” depozituesit, duke bërë që rritja e depozitave të ngadalësohet ndjeshëm. Aktualisht, kthimi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë është më pak se 2% në vit, madje ka banka që të ofrojnë më pak se 1% interes për të mbyllur kursimet për një vit.

4. Analiza e rezultateve
Në studimin tonë kemi për qëllim të analizojmë ndikimin që faktorë të ndryshëm si produkti i brendshëm bruto, inflacioni dhe kursi i këmbimit kanë te normat e interesit dhe pikërisht në normën e interesit të depozitave. Ndërtimi i modelit tonë ekonomik është bazuar në ndjekjen e disa hapave që janë dhe etapat e analizës ekonometrike:
- Formulimi i modelit, hipotezës apo dhe teorisë ekonomike. Në fokusin tonë është norma e interesit, dhe konkretisht norma e depozitave mbi bazë të supozimit që kjo normë në një periudhe të caktuar “t” varet nga faktorë të tillë si: Prodhimi i Brendshëm Bruto, kursi i këmbimit dhe norma e inflacionit. Supozimi ynë është bërë mbi bazë të teorisë që Prodhimi i Brendshëm Bruto, kursi i këmbimit dhe norma e inflacionit ndikojnë në normën e depozitave dhe në mënyrë analitike kemi provuar që kjo hipoteze qëndron (me anë të ndërtimit të modelit).
- Specifikimi i modelit ekonometrik. Pasi përcaktuam teorinë ekonomike, kemi specifikuar modelin matematikor të përshtashëm për modelin ekonomik që është formuluar më poshtë.
Për vërtetimin e hipotezave dhe arritjen e përfundimeve kemi përdorur skemën e kërkimit, komponentët e të cilit në lidhje me këtë kërkim po i shtjellojmë në vazhdim: Qartësia e problemit të kërkimit është e lartë, sepse lidhja e faktorëve është logjike. Por na duhet të theksojmë se edhe përshkrimi i lidhjeve apo situatave ka zënë një pjesë të veçantë në kërkim. Për të matur rëndësinë statistikore të lidhjes dhe ndikimin e faktorëve kemi përdorur modelimin ekonometrik. Modeli ekonometrik është i trajtës së thjeshtë të një modeli linear shumëfaktorial. Duke qenë se në teorinë tonë ishte norma e interesit te depozitave e ndikuar nga dy faktorë si Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe norma e inflacionit, atëherë modeli më i përshtashëm për këtë teori është modeli linear, konkretisht si më poshtë:
Norma e interest të depozitavet = A0+ A1*GDPt + A2*Norma e inflacionit+ A3*Kursi këmbimit ALL/EUR +A4* Kursi këmbimit ALL/USD ose ndryshe mund të shkruajmë që:

Yt = ao + a1 X1+ a2 X2 +a3X3+a4X4 + e
Ku a0 – parametri i lirë,
X1– Prodhimi i Brendshëm Bruto (milion lek),
a1 parametri i pjesshëm para X1,
X2– norma e inflacionlit (në përqindje),
a2 – parametri pjesshëm para X2,
X3- kursi i këmbimit ALL/EUR,
a3 – parametri pjesshëm para X3,
X4- kursi i këmbimit ALL/USD,
a4 – parametri pjesshëm para X4,
e- termi i gabimit,
Yt – norma e depozitave (në përqindje).

Vlerësimin e cilësisë së modelit ekonometrik e kemi bërë nëpërmjet programit Eviews. Variablat e këtij kërkimi janë të pakontrollueshëm. Modeli ekonometrik ka respektuar parimet ekonomike. Me këtë kuptojmë varësinë e faktorëve me njëri-tjetrin. Duke qënë se të dhënat janë seri kohore, kemi parë ndikimin e faktorëve në ecurinë e viteve. Hipoteza bazë e këtij punimi, të cilën do përpiqemi ta vlerësojmë është: Ndryshimi i nivelit të produktit të brendshëm, kurset e këmbimit ALL/EUR dhe norma e inflacionit, sjell që edhe niveli i normave të interesit të depozitave do t’i përshtatet këtij ndryshimi. E shprehur me fjalë të tjera, niveli i normave të interesit të depozitave, varet nga produkti i brendshem bruto, kurset e këmbimit ALL/EUR dhe norma e inflacionit. Përveç hipotezës që e gjykojmë të arsyeshme, marrim në konsideratë dhe vlerësimin e hipotezave të tjera, të cilat mbështesin dhe janë në funksion të kuptimit më të mirë të hipotezës bazë. Ndër to mund të përmendim:
1. Sigurimi i një stabiliteti të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sjell që kemi qëndrueshmëri të normave të interesit të depozitave.
2. Rritja e kursve te këmbimit, sjell që kemi rritje të nivelit të çmimeve, dhe ulje të kërkesës agregate, ulje të prodhimit dhe si rezultat dhe rënie ekonomike.

Analiza ekonometrike e modelit
Analiza dhe vlerësimi i besueshmërisë së modelit është realizuar duke ndjekur etapat e analizës ekonometrike. Vlerësimi i modelit do të thotë të vlerësosh parametrat e modelit. Metoda e përdorur në vlerësimin e modeleve është Metoda e Zakonshme e Katrorëve më të Vegjël.
Më poshtë janë paraqitur vlerësimet si dhe interpretimet përkatëse lidhur me parametrat e modeleve të marra nëpërmjet programit Eviews.

Vleresimi i PBB.png
Vleresimi i PBB.png (32.18 KiB) Viewed 205245 times


Depozita = 3.347413 - 0.004362*GDP + 0.033611*kursi i kembimit + 0.914239*inflacion + e.

Interpretimi i parametrave:
- Mund të konkludojmë se me rritjen me një njësi të normës së interesit të depozitave, në një vit të caktuar, pritet që ndikimi i inflacionit, të rritet me 0.91% po atë vit, në kushtet kur faktorët e tjerë të marrë në studim mbahen të pa ndryshuar.
- Përsa i përket faktorëve të tjerë nga analiza e bërë del që faktori Prodhimi i Brendshëm Bruto është gjithashtu i rëndësishëm. Mund të themi që me rritjen me një njësi të normës së interesit të depozitave, në një vit të caktuar, pritet që ndikimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto, të ulet me 0.043% po atë vit, në kushtet kur faktorët e tjerë të marrë në studim mbahen të pa ndryshuar.
- Ndërsa ndikimi i kursit të këmbimit në normën e interesit të depozitave është deri diku i parëndësishëm.
Probabilitetet e koefiçientëve Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe inflacion rezultojnë më pak se (α =0.05), kjo do të thotë që lidhja ndërmjet normës së depozitave me Prodhimni e Brendshëm Bruto dhe normën e inflacionit me nivel rëndësie 95% është i rëndësishëm. Ndërsa, probabiliteti i kursit të këmbimit rezulton më i lartë se (α =0.05), që do të thotë se lidhja ndërmjet normës së depozitave me kursit të këmbimit me nivel rëndësie 95% nuk është i rëndësishëm. Megjithatë, modeli në tërësi ka dalë statisikisht i rëndësishëm. Me 95% siguri mund të themi se ndikimi i faktorëve të marrë në shqyrtim është statistikisht i rëndësishëm. Rreth 71% e variacionit të normës së interesit të depozitave, përcaktohet nga faktorët e marrë në studim. Ndikimin më të madh e ka faktori “inflacion”. Lidhur sa më sipër është menduar e arsyeshme që të vlerësohen modelet: pa praninë e kursit të këmbimit dhe GDP-së.

Vleresimi i PBB 2.png
Vleresimi i PBB 2.png (25.73 KiB) Viewed 205245 times


Depozita = 5.690466 + 1.381180*Inflacion - 0.024748*Kursi i kembimit + e

Duke bërë testin e Waldit, shohim që duke hequr nga modeli faktorin Prodhimi i Brendshëm Bruto, modeli del statistikisht i parëndësishëm. Kjo shpjegon rëndësinë e faktorit GDP në ndryshimin e normave të interesit të depozitave. Në mungesë të tij, faktori inflacion dhe kursi i këmbimit përcaktojnë vetëm 37% të variacionit të normë së interesit të depozitave. Siç mund të konstatojmë, prania e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vlerësimin e normës së interesit të depozitave është i rëndësishëm. Pra, kemi bërë krahasimin e modeleve të mësipërme se cili nga këto modele është modeli më i mire. Në arritjen e përcatimit të modelit më të mirë janë përdorur disa kritere krahasimi;
1. Koeficienti i axhustuar i përcaktimit R2gj
2. Kriteri Akaike
3. Kriteri Shwarc
Sa mësipër në vlerësimin e modelit më të mirë me rëndësi 5%, do të thotë që R2gj ka vlerën më të lartë dhe kriteri Akaike dhe Shwarc kanë vlerat më të vogla. Në zbatim të këtyre kritereve por dhe të vlerësimeve të bëra më lart, arrijmë në përfundimin që modeli më i mirë është modeli i dytë, pra modeli: Depozita = 7.522886 - 0.004002*GDP + 0.882235*Inflacion + e.
5. Konkluzione
Risku i normave të interesit mbetet një nga risqet me të rëndësishme financiare me anë të secilës ekspozohet një bankë, sepse një pjesë e madhe e të ardhurave burojnë nga të ardhurat neto nga interesat e cila vjen si diferencë ndërmjet disa zërave të aktivit me zërat e pasivit të bilancit të bankës. Panvarësisht faktit që bankat e nivelit të dytë janë të tejmbushura me likujditete, ato nuk po arrijnë ti kanalizojnë sic duhet fondet e tyre në ekonomi, megjithatë diferenca e lartë midis interesave të depozitave dhe kredive po i favorizojnë ato të arrijnë fitime të larta. Kjo vjen si rezultat i favorizimit nga një maturim më të shpejt të depozitave në raport me kreditë, cfarë ka rritur diferencën mes kthimit nga kredia dhe kostos së fondeve (interesit të depozitave). Ky fenomen ndodh kur interesat e depozitave janë në ulje dhe kthehet në të kundertën kur interesat fillojnë të rriten. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë vitet e fundit, përmes uljes së normës bazë në 1.75%, e cila është transferuar në rënien e interesave të depozitave, ka “stepur” depozituesit, duke bërë që rritja e depozitave të ngadalësohet ndjeshëm. Aktualisht, kthimi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë është më pak se 2% në vit, madje ka banka që të ofrojnë më pak se 1% interes për të mbyllur kursimet për një vit. Nëse ndryshon niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe norma e inflacionit, atëherë edhe niveli i normave të interesit të depozitave do t’i përshtatet këtij ndryshimi. Me anë të analizës ekonometrike kemi vlerësuar besueshmërinë e lidhjes ndërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto, normës së inflacionit me normën e depozitave, dhe arritëm në përfundimin se: ndryshimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe normës së inflacionit ka efekt të rëndësishëm në ndryshimin e normës së interesit të depozitave. E shprehur me fjalë të tjera, niveli i normave të interesit të depozitave, varet nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe norma e inflacionit.


6. Bibliografia
Edwards, S. (1989). Real Exchange Rates, Devaluation and Adjustment. Cambridge, Mass. MIT Press.
Edwards, S. (April, 2006). The Relationship Between Exchange Rates and Inflation Targeting Revisited. NBER Working Paper .
Hoda, B. (2012). Kursi ekuilibër i këmbimit në një ekonomi në zhvillim. Banka e Shqipërisë.
Istrefi, K., & Semi, V. (2007). Exchange rate passthrough in Albana. Bank of Albania .
Mancellari, A., Mytkolli, H., & Kola, T. (1999). ''Ecxhange Rate and Economic Transition''. ILAR Press .
(2015). Raporti vjetor. Banka e Shqipërisë.
Vika, I., Tanku, A.,& Gjermeni, M. (2007). Roli i kursit të këmbimit në shënjestrimin e inflacionit. Si veprohet? Banka e Shqipërisë.
Williamson, G.A.Interest rate risk management: A case of GBS Mutual Bank. Rhodes University.
Ҫakrani, E. (2014). Kursi Real i Këmbimit dhe Ndikimi i Tij në Ekonomi. Rasti i Shqipërisë. Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë.

6. Shtojca
Në vijim janë vendosur të dhënat e nevojshme për ndërtimin e modelit.
Vleresimi i Inflacionit.png
Vleresimi i Inflacionit.png (25.97 KiB) Viewed 205245 times

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Financë”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest