LIGJI PËR MBROJTJEN E FONDIT TË BIMËVE MJEKËSORE, ETEROVAJORE E TANIFERE NATYRORE - Nr.10 120, datë 23.4.2009

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR MBROJTJEN E FONDIT TË BIMËVE MJEKËSORE, ETEROVAJORE E TANIFERE NATYRORE - Nr.10 120, datë 23.4.2009

Postby Libraria UBT » 06 Aug 2015, 16:19

LIGJI PËR MBROJTJEN E FONDIT TË BIMËVE MJEKËSORE, ETEROVAJORE E TANIFERE NATYRORE - Nr.10 120, datë 23.4.2009

I azhurnuar me ndryshimet e LIGJIT Nr. 42/2013 datë 14.2.2013

Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të mbrojë:
a) fondin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, që rriten e zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke zbatuar masa mbrojtëse e administruese, tërësore për fondin e të veçanta për çdo lloj, duke respektuar kërkesat teknike për vjeljen e mbledhjen e tyre, duke nxitur e përkrahur veprimtaritë për rehabilitimin e për kultivimin e tyre;
b) llojet e kultivuara nga njeriu, në sipërfaqet e fondit të tokave pyjore, kullosore apo bujqësore, gjatë kultivimit, mbledhjes e vjeljes së tyre, si dhe llojet e kultivuara në parcela eksperimentale, në kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore;
c) fondin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, që rriten e zhvillohen në gjendje natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë e që është pasuri kombëtare.

Neni 2
Objekti

Objekt i këtij ligji është tërësia e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, si dhe secili lloj, që përfshihet në fond, gjatë periudhës së rritjes, vjeljes e mbledhjes, si dhe gjatë magazinimit e transportimit të tyre, për t'ua ruajtur vlerat përdoruese e kurative të tyre.

Neni 3
Përbërja e fondit

Fondi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore përbëhet nga llojet e nënllojet e bimëve dhe popullatat e tyre, si dhe nga habitatet, tokësore e ujore, ku ato rriten e zhvillohen në gjendje natyrore, si pjesë e rëndësishme e florës së vendit.

Neni 4
Përkufizimi i termave

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Fondi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore (BMET)" është tërësia e llojeve të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, si dhe habitatet, ku ato rriten e zhvillohen në mënyrë natyrore, në territoret e Republikës së Shqipërisë.
2. "Bimët mjekësore" janë bimët e njohura për vlerat e tyre terapeutike.
3. "Bimët eterovajore" janë bimët, prej të cilave ekstraktohen vajra eterike dhe esenca.
4. "Bimët tanifere natyrore" janë bimët, prej të cilave ekstraktohet substanca e taninit.
5. "Regjistër i BMET-ve" është dokumenti zyrtar, i formatuar, ku regjistrohen, ruhen e përditësohen të dhënat kryesore për secilin lloj të bimëve e të sipërfaqeve ku ato rriten, shoqëruar me hartat përkatëse.
6. "Trajtim i fondit të BMET-ve" është tërësia e masave ligjore, administrative, ekonomike dhe e operacioneve teknike, që merren për ruajtjen e bimëve dhe vazhdimësinë e rigjenerimit natyror të tyre.
7. "Dëmtim i fondit të BMET-ve dhe i mjedisit të tyre" është prishja e elementeve fizike, kimike e strukturore të ekosistemit, që ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e prodhimtarisë, në pakësimin e shumëllojshmërisë së bimëve apo në cilësitë e tyre.
8. "Mbrojtje e fondit të BMET-ve" janë veprimtaritë, që parandalojnë degradimin e tokës, ruajnë llojshmërinë e mbulesës bimore, i përmirësojnë ato dhe infrastrukturën e tyre nga ndikimet negative të faktorëve, njerëzorë e natyrorë.
9. "Plan mbarështimi" është dokumenti shtetëror për administrimin e fondit të BMET-ve, si dhe masat që parashikohen për trajtimin e qëndrueshëm të tyre, organizimin, planifikimin e masave mbrojtëse dhe përcaktimin e kapaciteteve për mbledhjen e vjeljen e tyre.
10. "Rehabilitimi" është tërësia e masave dhe e veprimeve të karakterit kërkimor-shkencor e zbatues, që synon përmirësimin e një situate të dëmtuar dhe rivendosjen e gjendjes së mëparshme të llojeve.
11. "Kultivimi" është veprimtaria e mirëfilltë agronomike në tokat e fondit bujqësor, pyjor dhe kullosor, për të mbjellë dhe rritur lloje të caktuara të BMET-ve, për qëllime ekonomike e tregtare.
12. "Manual i BMET-ve" është përmbledhja e rregullave dhe e kërkesave teknike-profesionale për mbrojtjen, administrimin, rehabilitimin, vjeljen, tharjen, ambalazhimin dhe transportin e BMET-ve, të miratuara nga ministri dhe të detyrueshme për zbatim.
13. "Lista e BMET-ve" është tërësia e llojeve dhe e nënllojeve të këtyre bimëve, që rriten në gjendje natyrore, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Lista dhe materiale të tjera, si atlase e albume të këtyre bimëve, përgatiten nga institute e qendra kërkimore-shkencore dhe publikohen nën kujdesin e ministrisë.
14. "Rilevimet floristike" janë punimet fitogjeografike e topografike, në një sipërfaqe të caktuar toke, si përfaqësuese të një bashkëshoqërimi bimor, për marrjen e të dhënave për llojet, për prodhimtarinë, për cilësinë dhe mundësitë e çdo lloji bime, që përdoren për përgatitjen e planeve të mbarështimit e të hartave përkatëse.
15. "Lista e kuqe" është listimi i llojeve e i nënllojeve të florës dhe faunës, që meritojnë status të veçantë mbrojtjeje e që miratohet me urdhër të ministrit.
16. "Ministria" është ministria përg jegjëse për fondin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore.
17. "Ministër" është ministri që drejton ministrinë përgjegjëse për fondin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore.

Neni 5
Pronësia mbi BMET-të

1. Pronësia mbi BMET-të buron nga pronësia e tokës, ku ato rriten e zhvillohen dhe njësohet me të:
a) llojet, që rriten e zhvillohen në fondin pyjor e kullosor publik, janë pronë shtetërore;
b) llojet, që rriten e zhvillohen në pyjet e kullotat komunale, janë pronë e komunave/bashkive;
c) llojet, që rriten e zhvillohen në pyje e kullota private apo në tokat bujqësore të fermerëve, janë pronë private.
2. Llojet, që rriten nëpërmjet veprimtarive rehabilituese e kultivuese, janë pronë e rehabilituesit ose e kultivuesit, edhe pse ata mund të mos jenë pronarë të tokës.

Neni 6
Kushtet dhe kërkesat teknike

1. Kushtet dhe kërkesat teknike, si tërësi rregullash për mbrojtjen, administrimin, rehabilitimin, vjeljen, tharjen, ambalazhimin dhe transportin e BMET-ve, janë të njëjta dhe detyrimisht të zbatueshme për të gjitha format e pronësisë.
2. Kushtet dhe kërkesat teknike, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, përcaktohen në një manual të veçantë, që miratohet nga ministri.


KREU II
MBROJTJA DHE ADMINISTRIMI I FONDIT TË BMET-VE


Neni 7
Synimet e mbrojtjes

Mbrojtja e fondit të BMET-ve, si tërësi veprimesh e masash të detyrueshme, që ndërmerren nga subjektet publike e private, të përmendura në nenin 11 të këtij ligji, synon:
a) ruajtjen e larmisë së llojeve, ku dhe kur ajo rrezikohet;
b) mbrojtjen e sipërfaqeve e të territoreve ku rriten e zhvillohen këto bimë;
c) plotësimin e kërkesave e të kushteve të zhvillimit e të shumimit të tyre;
ç) ruajtjen e integritetit natyror të secilit lloj;
d) përdorimin e llojeve për qëllime studimore-shkencore, që sigurojnë vazhdimësinë e tyre;
dh) ndihmën për mbijetesën e llojeve në kushte të vështira e në raste fatkeqësish natyrore;
e) rehabilitimin dhe shtimin e popullatave të llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje;
ë) mbrojtjen e veçantë të llojeve në rrezik zhdukjeje, deri në normalizimin e gjendjes së tyre;
f) ruajtjen e gjendjes shëndetësore të llojeve, duke luftuar infeksionet dhe sëmundjet që i prekin.

Neni 8
Masat mbrojtëse

1. Për të realizuar mbrojtjen e fondit të BMET-ve, ministria organizon dhe drejton plotësimin e kërkesave e marrjen e masave, si më poshtë:
a) siguron mbrojtjen tërësore për fondin dhe të veçantë për llojet e tij, në përputhje me gjendjen konkrete të llojit dhe të habitatit ku jeton;
b) u jep status të veçantë mbrojtës llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje;
c) realizon ruajtjen dhe rehabilitimin, kur është e mundur, të habitateve natyrore të llojeve;
ç) ndërmerr rimëkëmbjen e popullatave të pakësuara të llojeve në një apo në disa habitate të caktuara;
d) shmang keqtrajtimet e dëmtimet e llojeve gjatë veprimtarive bujqësore, hidroteknike, të mirëmbajtjes e shfrytëzimit të pyjeve dhe veprimtarive të tjera ekonomike e shoqërore, që mund t'i dëmtojnë;
dh) krijon zona të mbrojtura, duke pasur si bazë edhe habitatet e llojeve;
e) realizon shtimin ex-situ të llojeve të kërcënuara dhe në rrezik zhdukjeje;
ë) organizon kërkime shkencore për mbrojtjen e llojeve;
f) nxit e përkrah projekte e veprimtari të biznesit, të OJF-ve e të donatorëve, që synojnë mbrojtjen dhe shtimin e popullatave të llojeve të BMET-ve;
g) informon dhe ndërgjegjëson publikun për mbrojtjen e BMET-ve.
2. Zbatimi në praktikë i kërkesave të pikës 1 të këtij neni realizohet nga strukturat e shërbimit pyjor të ministrisë, të cilat, nëpërmjet shërbimit të ekstensionit, asistojnë edhe njësitë tekniko-organizative, që veprojnë në njësitë e qeverisjes vendore për pyjet dhe kullotat komunale.

Neni 9
Mbrojtja e llojeve të kërcënuara dhe në rrezik zhdukjeje

1. Llojet e kërcënuara dhe në rrezik zhdukjeje, të përfshira në listën e kuqe, gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore, që nënkupton:
a) hartimin dhe zbatimin e planeve të veçanta të veprimit, për ruajtjen e këtyre llojeve, sidomos kur shumimi i tyre, në kushte natyrore, është shumë i kufizuar;
b) monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes faktike e të ecurisë së popullatave të llojeve;
c) ndalimin e përkohshëm të vjeljes, mbledhjes e grumbullimit të tyre;
ç) përfshirjen e habitateve të tyre si nënzona konkrete, që favorizojnë mbrojtjen dhe shumimin e tyre në zonat që shpallen të mbrojtura;
d) ndalimin dhe kufizimin e veprimtarive njerëzore, që çojnë në shkatërrimin e llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje, në zvogëlimin e numrit të popullatave e në dëmtimin e habitateve të tyre;
dh) zhvillimin e veprimtarive kërkimore-shkencore dhe të veprimtarive zbatuese, për nxjerrjen e llojeve nga statusi i mbrojtur.
2. Për zbatimin e kërkesave të pikës 1 të këtij neni, strukturat e shërbimit pyjor të ministrisë bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore, me Universitetin Bujqësor, me shoqatat e grumbulluesve të BMET-ve e me OJF-të e profilizuara për bio diversitetin.

Neni 10
Administrimi dhe trajtimi

Administrimi dhe trajtimi i fondit të BMET-ve organizohen dhe drejtohen nga ministria, zbatimi praktik i tyre është përgjegjësi e strukturave të shërbimit pyjor dhe realizohet në përputhje me kërkesat e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, që synon:
a) ruajtjen dhe shtimin e vazhdueshëm të burimeve natyrore të fondit të BMET-ve;
b) ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm dhe të gjallë të ekosistemeve natyrore, ku ato zhvillohen;
c) përkujdesjen dhe trajtimin shkencor të tyre, që të mos u cenohen vlerat e vetitë;
ç) respektimin rigoroz të kritereve e kërkesave teknike, që të mos dëmtohen llojet, aftësitë përtëritëse e riprodhuese të tyre;
d) mosasgjësimin e bimëve, si pasojë e vjeljes, grumbullimit e mbledhjes së tyre;
dh) ndalimin e veprimeve, që çojnë në shkatërrimin e popullatave, pakësimin e llojeve e në varfërimin e fondit të BMET-ve.

Neni 11
Organet përgjegjëse

1. Ministria, me strukturat e veta të pyjeve dhe kullotave, përgjigjet për mbrojtjen dhe administrimin e fondit të BMET-ve, duke marrë masa për parandalimin e sëmundjeve, të dëmtimeve nga mbledhjet e grumbullimet pa kriter, nga ndikimet negative të veprimtarive ekonomike e shoqërore, që ushtrohen pranë tyre dhe nga zjarret e fatkeqësitë natyrore.
2. Organet e qeverisjes vendore, si dhe pronarët privatë të pyjeve e kullotave mbrojnë, administrojnë dhe shfrytëzojnë lloje të fondit të BMET-ve, që rriten në pyjet e kullotat, që kanë në pronësi apo në përdorim, duke respektuar kriteret teknike dhe kërkesat e këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij.

Neni 12
Strategjia dhe planet e veprimit

1. Veprimtaritë për ruajtjen, trajtimin dhe përdorimin e fondit të BMET-ve mbështeten në strategjinë dhe planet e veprimit, për ruajtjen dhe zhvillimin e këtij fondi. Strategjia dhe planet e veprimit pasqyrojnë:
a) politikat për ruajtjen dhe trajtimin e mjediseve natyrore, ku rriten e zhvillohen llojet e BMET-ve;
b) zgjerimin e mundësive për rritjen e investimeve publike e private për fondin e BMET-ve dhe angazhimin e bizneseve në to;
c) promovimin e zgjidhjeve e të rrugëve të reja, për një trajtim shkencor të fondit të BMET-ve, që synojnë rritjen e sasisë e të cilësive të tyre;
ç) programimin për zbatim të masave të parashikuara, duke caktuar afatet e zbatimit e kostot përkatëse.
2. Strategjia dhe planet e veprimit për BMET-të janë pjesë e strategjisë, planeve të veprimit dhe e programeve të pyjeve e kullotave. Ato hartohen dhe miratohen sipas dispozitave të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005 "Për pyjet dhe shërbimin pyjor", të ndryshuar.

Neni 13
Planet e mbarështimit

1. BMET-të administrohen në përputhje me planet e mbarështimit dhe të inventarizimit, që hartohen për to e që miratohen nga ministri, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9385, datë 4.5.2005 "Për pyjet dhe shërbimin pyjor", të ndryshuar.
2. Planet e mbarështimit të pyjeve e kullotave përmbajnë edhe llojet e BMET-ve, që rriten në sipërfaqet pyjore e kullosore, hartat e shpërndarjes së tyre në këto sipërfaqe, masat për ruajtjen e tyre, si dhe mundësitë vjetore të mbledhjes për çdo lloj.

Neni 14
Inventarizimi dhe rilevimet floristike

1. Fondi i BMET-ve, që rriten në pyje e kullota, inventarizohen sipas llojeve dhe për to kryhen rilevimet floristike. Për sipërfaqet pyjore e kullosore shtetërore, inventarizimi dhe rilevimet bëhen nga drejtoritë e shërbimit pyjor, për pyjet e kullotat komunale bëhen nga njësitë tekniko-organizative, që funksionojnë në qeverisjet vendore, ndërsa në pyjet e kullotat private, nga pronari privat.
2. Inventarizimi bëhet çdo 5 vjet dhe rezultatet e tij pasqyrohen në regjistrat, që administrohen nga drejtoritë vendore të shërbimit pyjor e në regjistrin kombëtar të BMET-ve, që administrohet nga drejtoria përkatëse në ministri, formati i të cilëve miratohet nga ministri.
3. Regjistrat e fondit të BMET-ve krijojnë bazën e të dhënave për bimët, në shkallë vendi, qarku, rrethi, komune dhe për çdo ekonomi pyjore e kullosore.
4. Ngarkohen strukturat e shërbimit pyjor, organet përkatëse të qeverisjes vendore dhe pronarët e pyjeve e kullotave private që, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të përfundojnë inventarizimin e BMET-ve në pyjet e kullotat që kanë në zotërim, në përputhje me rregullat e procedurat e inventarizimit, të cilat miratohen me udhëzim të ministrit.
5. Rezultatet e inventarizimit, në shkallë vendi, përpunohen dhe publikohen nga Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, si dhe trajtohen si zë i veçantë në raportin e gjendjes së mjedisit.

Neni 15
Të dhënat operative

1. Për të kontrolluar në vijimësi gjendjen fitosanitare të BMET-ve dhe prekjet e mundshme të tyre nga sëmundjet e infeksionet, me qëllim që të merren masa përmirësuese, ministria, kur e vlerëson të nevojshme, kërkon për to të dhëna, që lidhen me shëndetin dhe sëmundshmërinë e tyre.
2. DSHP-të, njësitë tekniko-organizative, që funksionojnë në njësitë e qeverisjeve vendore, për pyjet e kullot at komunale, si dhe pronarët privatë të pyjeve e kullotave, ku rriten BMET-të, përcjellin në ministri të dhënat, sipas pikës 1 të këtij neni, duke plotësuar kërkesën e formatuar prej saj.

Neni 16
Rehabilitimi

1. Llojet e BMET-ve me popullata të pakësuara, të rralla e në rrezik zhdukjeje, i nënshtrohen rehabilitimit, i cili synon përmirësimin rrënjësor të gjendjes së llojeve, duke shtuar popullatat e tyre dhe duke shmangur ose zbutur ndikimet negative të faktorëve, që i kanë rrezikuar.
2. Rehabilitimi kryhet në sipërfaqet ku llojet janë rritur tradicionalisht në gjendje natyrore dhe realizohet nga institutet kërkimore-shkencore ose nga persona juridikë e fizikë, në bazë të një projekti teknik, të miratuar nga DSHP-të përkatëse ose qeverisja vendore, kur rehabilitimi i llojeve do të kryhet në sipërfaqe të pyjeve e kullotave komunale.

Neni 17
Sipërfaqet për rehabilitimin e llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje

1. Nga fondi pyjor e kullosor që administrojnë, çdo fillim viti, DSHP-të shpallin listën e sipërfaqeve të BMET-ve, në të cilat, në përputhje me planet e mbarështimit, parashikohet rehabilitimi i llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje.
2. Listat e sipërfaqeve, së bashku me kërkesat teknike të rehabilitimit të llojit dhe me kërkesat e kushtet e konkurrimit, sipas dispozitave të nenit 18 të këtij ligji, vihen në dispozicion të subjekteve, që duan të angazhohen në rehabilitim, në bazë të procedurave të konkurrimit. Me fituesin, drejtoria e shërbimit pyjor lidh kontratë.
3. Kontrata e përdorimit të sipërfaqeve për rehabilitim të llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje të BMET-ve lidhet me personin juridik apo fizik fitues, për një afat deri në 10 vjet.
4. Sipërfaqet e fondit pyjor e kullosor, në të cilat do të rehabilitohen lloje të BMET-ve, mund të jepen njëkohësisht edhe për ushtrim veprimtarish të tjera, si mbarështim të faunës së egër, pyllëzime e kullotje, me kusht që këto veprimtari të mos pengojnë rehabilitimin e llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje dhe të hartohet, paraprakisht, marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet përdoruesve e rehabilituesit.
5. Për rehabilitimin e llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje në pyjet e kullotat komunale, procedurat e këtij neni zbatohen nga komunat/bashkitë, që i kanë në pronësi apo në përdorim këto sipërfaqe.

Neni 18
Kriteret dhe kushtet e konkurrimit për rehabilitim

1. Personat juridikë e fizikë marrin pjesë në konkurrim për rehabilitim të llojeve të dëmtuara e në rrezik zhdukjeje, kur plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) veprimtarinë rehabilituese e kanë të mbështetur mbi një projekt teknik e plan investimesh;
b) kanë në stafet e tyre specialistë e punonjës të kualifikuar dhe zotërojnë pajisjet e domosdoshme për rehabilitimin e këtyre llojeve;
c) dëshmojnë mundësi e mbështetje të mjaftueshme financiare për zhvillimin e veprimtarisë;
ç) mbrojnë nga zjarret e nga erozioni, me mjetet e shpenzimet e veta, sipërfaqet e marra për rehabilitim.
2. Kërkesat e pikës 1 të këtij neni, personi fizik apo juridik i paraqet në formën e një vetëdeklarimi, formati i të cilit miratohet nga ministri.
3. Konkurrimi bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) cilësia e projektit teknik dhe vlera e investimit që do të bëhet;
b) tarifa që paguan për sipërfaqen që merret për rehabilitim;
c) numri i personave të punësuar.

Neni 19
Kultivimi i BMET-ve për qëllime ekonomike e tregtare

1. Fermerët, në tokat e tyre, si dhe personat juridikë e fizikë, që marrin në përdorim toka bujqësore ose sipërfaqe të degraduara të fondit pyjor e kullosor, për të kultivuar lloje të ndryshme të BMET-ve, për qëllime ekonomike e tregtare, janë të detyruar të respektojnë dispozitat e këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij, për mbjelljen, rritjen, vjeljen, ambalazhimin e tregtimin e llojeve të kultivuara.
2. Për të kultivuar lloje të ndryshme të BMET-ve për qëllime ekonomike e tregtare, personat juridikë e fizikë mund të marrin në përdorim edhe sipërfaqe të degraduara të fondit pyjor e kullosor, duke zbatuar procedurat e neneve 17 e 18 të këtij ligji.

Neni 20
Mbështetja financiare

Personat fizikë e juridikë, që rehabilitojnë dhe kultivojnë lloje të BMET-ve, nuk e paguajnë tarifën për grumbullimin dhe vjeljen në sipërfaqet e rehabilituara e të kultivuara prej tyre, gjatë të gjithë periudhës së rehabilitimit apo të kultivimit.

Neni 21
Veprime të ndaluara

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, në territorin e Republikës së Shqipërisë ndalohen:
a) vjelja, mbledhja, grumbullimi i BMET-ve në sipërfaqet pyjore e kullosore, pronë shtetërore, nga persona të pakontraktuar nga DSHP-të apo njësitë e qeverisjes vendore;
b) vjelja, mbledhja, grumbullimi i BMET-ve, në kundërshtim me kalendarin e vjeljes e të grumbullimit të secilit lloj;
c) vjelja, mbledhja, grumbullimi i BMET-ve me mjete, mënyra e forma, që rrezikojnë ekzistencën e llojit e që çojnë në shkatërrimin e tyre;
ç) kryerja e veprimeve, që bien në kundërshtim me kërkesat e kriteret teknike, të parashikuara në manual;
d) mbledhja e BMET-ve të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje, të shpallura si të tilla në listën e miratuar nga ministri.
2. Në sipërfaqet pyjore e kullosore, ku rriten e zhvillohen në gjendje natyrore BMET-të, si dhe në sipërfaqet që ato kultivohen, ndalohet të kryhen veprimtari, që çojnë në shkatërrimin, dëmtimin, uljen e prodhimtarisë e të ripërtëritjes së tyre. Në mënyrë të veçantë ndalohen:
a) hedhja dhe depozitimi i lëndëve e i mbetjeve radioaktive;
b) hedhja dhe depozitimi i mbetjeve të çdo lloji;
c) shkarkimet e lëndëve e mbetjeve kimike;
ç) shkarkimet e ujërave të ndotura, industriale e urbane.

Neni 22
Miratimi paraprak

Në sipërfaqet ku rriten lloje të BMET-ve, me miratimin paraprak të drejtorive përkatëse të shërbimit pyjor dhe nën kontrollin e tyre, mund të:
a) ndërhyhet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë së sipërfaqeve pyjore e kullosore;
b) përdoren plehra kimike;
c) bëhet pastrimi i kullotave dhe i livadheve.


KREU III
MBLEDHJA, AMBALAZHIMI E TRANSPORTI I BMET-VE


Neni 23
Mbledhësit

1. Mbledhësit e BMET-ve janë persona fizikë e juridikë, që angazhohen në vjelje e grumbullim, ose organizojnë vjeljen dhe mbledhjen e llojeve të BMET-ve.
2. Për vjeljen e grumbullimin e llojeve të BMET-ve, që rriten në fondin pyjor e kullosor, pronë shtetërore, DSHP-të ose njësitë e qeverisjeve vendore kontraktojnë personat fizikë e juridikë.
3. Llojet e BMET-ve, që rriten në mënyrë natyrore në fondin e tokave bujqësore dhe në ledhet e arave, vilen e grumbullohen nga fermerët, pronarë të tokave bujqësore, ose nga mbledhës, të cilët janë kontraktuar nga pronarët privatë.

Neni 24
Vjelja dhe grumbullimi

1. Për BMET-të, që rriten në fondin pyjor e kullosor, në fillim të çdo viti, DSHP-ja miraton:
a) zonat ku do të vilen e mblidhen këto bimë;
b) afatet dhe kalendarin e vjeljes për secilin lloj;
c) llojet që do të vilen, mblidhen e grumbullohen.
2. Personat fizikë dhe juridikë të interesuar për mbledhjen e bimëve BMET kontraktojnë me DSHP-në ose me njësitë e qeverisjes vendore për pyjet dhe kullotat, si dhe paguajnë tarifat përkatëse.
►M1 3. Dhënia e lejes, nëse është kompetencë e institucioneve qendrore, përfshihet në kategorinë III.4 të shtojcës së ligjit për licencat dhe bëhet sipas procedurave të parashikuara në këtë nen dhe në nenet në vijim të këtij ligji.◄

Neni 25
Kontrata

1. Në kontratën, që subjekti lidh me DSHP-në ose njësinë e qeverisjes vendore për sipërfaqet e pyjeve apo të kullotave komunale, veç të tjerash, përcaktohen edhe:
a) sipërfaqja ku do të mblidhen bimët;
b) llojet e bimëve që do të mblidhen;
c) afatet e grumbullimit të bimëve;
ç) tarifa e grumbullimit të bimëve, në përputhje me llojet dhe sasinë e miratuar, e cila paguhet njëherësh, në çastin e lidhjes së kontratës.
2. Me nënshkrimin e kontratës, subjekti merr në dorëzim me procesverbal sipërfaqen ku do të zhvillojë veprimtarinë e grumbullimit. Pas përfundimit të kontratës, sipërfaqja e marrë në përdorim rikthehet po me procesverbal.
3. Subjekti është përgjegjës për sipërfaqet e marra në dorëzim deri në rikthimin e tyre tek organet pyjore ose tek organi i qeverisjes vendore, si dhe për kryerjen me cilësi të vjeljes e të grumbullimit të bimëve.

Neni 26
Respektimi i kërkesave teknike

1. Vjelja, grumbullimi dhe mbledhja e BMET-ve bëhen sipas kërkesave teknike, që përcaktohen në manualin e përmendur në nenin 6 pika 2 të këtij ligji.
2. Kushtet e kërkesat teknike zbatohen për të mbrojtur llojet dhe për të garantuar cilësitë e tyre më të mira pas vjeljes. Ato përfshijnë kërkesa të veçanta për:
a) kalendarin e mbledhjes e të vjeljes për çdo lloj;
b) mënyrën, format e mbledhjes e të vjeljes për secilin lloj;
c) tharjen dhe magazinimin e bimëve të mbledhura;
ç) paketimin, ambalazhimin, etiketimin dhe transportin e tyre.

Neni 27
Transporti

Transporti i BMET-ve nga pikat e grumbullimit, në fshatra e komuna, për në pikat e përpunimit dhe për eksport, shoqërohet me një vërtetim, të lëshuar nga DSHP-ja ose nga qeverisja përkatëse vendore, që vërteton se këto produkte janë vjelë, përpunuar dhe po transportohen në përputhje me dispozitat e këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij.

Neni 28
Llojet në rrezik zhdukjeje

Llojet e BMET-ve, që janë në pakësim apo që rrezikohen të zhduken, përcaktohen në një listë të veçantë nga ministri për çdo vit. Ministri, me urdhër të veçantë, ndalon për një afat të caktuar vjeljen, grumbullimin dhe eksportimin e këtyre bimëve, deri në shtimin dhe ripërtëritjen e tyre.

Neni 29
Përjashtimi nga vjelja

1. Përjashtohen përkohësisht nga vjelja llojet e BMET-ve që:
a) kultivohen në ngastra eksperimentale;
b) rriten në ngastra ku kryhen punime përmirësuese;
c) ndodhen në ngastra të degraduara.
2. Përjashtimi bëhet me urdhër të ministrit, ku edhe specifikohen ngastrat e llojet e bimëve, sipas të dhënave të regjistrit të fondit, si dhe periudha e përjashtimit.

Neni 30
Tarifat

1. Llojet e BMET-ve vilen, mblidhen e grumbullohen përkundrejt tarifave, që paguajnë personat fizikë e juridikë të kontraktuar.
2. Për mbledhjen dhe grumbullimin e BMET-ve, që zhvillohen në pyjet e kullotat në administrim të DSHP-ve dhe në pyje t e kullotat komunale, tarifat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga ministri.


KREU IV
KONTROLLI DHE MONITORIMI


Neni 31
Kontrolli

1. Kontrolli ka të bëjë me këqyrjen e veprimtarive mbledhëse të bimëve, të veprimeve të paligjshme mbi bimët dhe me ndëshkimin e shkeljeve të këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Të drejtën e kontrollit për zbatimin e këtij ligji e kanë Policia Pyjore, Inspektorati që
mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit, për veprimtaritë e pajisura me leje mjedisore, punonjës të ministrisë, të pajisur me autorizim nga ministri dhe inspektorë të organeve vendore të kontrollit, për sipërfaqet pyjore e kullosore që ato kanë në pronësi apo në përdorim.

Neni 32
Monitorimi i fondit të BMET-ve

1. Monitorimi i fondit dhe i llojeve përbërëse të tij nënkupton përfshirjen e tyre në kërkesat e programeve të biomonitorimit, që programohen dhe realizohen si pjesë e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe kryhet në përputhje me kërkesat e këtij programi, që hartohet nga ministria e miratohet nga ministri.
2. Monitorimi i fondit dhe i llojeve përbërëse të tij, që përfshin monitorimin e treguesve cilësorë dhe sasiorë të tyre, të dukurive natyrore dhe të ndotjes e të dëmtimit të tyre është proces i përhershëm e i detyrueshëm.

Neni 33
Programi i monitorimit

Programi i monitorimit përcakton treguesit e cilësisë së fondit dhe të llojeve pjesëmarrëse në të, të zhvillimit dhe dëmtimit, të dukurive natyrore, mënyrat e grumbullimit e të përpunimit të të dhënave, si dhe raportimin e publikimin e tyre.

Neni 34
Sistemi i të dhënave

1. Sistemi i të dhënave përmbledh tërësinë e treguesve shifrorë, të matshëm e të numërueshëm, që qartësojnë gjendjen e fondit e të llojeve pjesëmarrëse dhe prirjet e proceseve që zhvillohen në to.
2. Në krijimin dhe përsosjen e sistemit të të dhënave, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve synon përafrimin e plotë të tij me sistemet që përdor Agjencia Evropiane e Mjedisit e që përcaktohen në direktivat e BE-së.

Neni 35
Grumbullimi i të dhënave

1. Të dhënat për monitorimin e fondit dhe të llojeve pjesëmarrëse në të kërkohen, hartohen e paraqiten sipas rregullave të miratuara me udhëzim të ministrit. Personat fizikë e juridikë, publikë dhe privatë, paraqesin të dhënat brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës.
2. Të dhënat shoqërohen me shpjegime për interpretimin e tyre, me rekomandime për zgjidhjen e problemeve që dalin dhe dorëzohen në Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, në përputhje me formatin e përcaktuar prej saj.
3. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve kontrollon cilësinë e monitorimit, zbatimin e metodikave, kualifikimin e specialistëve që marrin pjesë dhe vërtetësinë e rezultateve.


KREU V
INFORMIMI DHE TËRHEQJA E MENDIMIT TË PUBLIKUT NË VENDIMMARRJE


Neni 36
Informimi dhe publikimi i të dhënave

1. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve përpunon dhe publikon të dhënat e rezultatet që dalin prej tyre, në media dhe shtyp, në një formë të kuptueshme për publikun.
2. Në bazë të të dhënave e të rezultateve të monitorimit, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, në bashkëpunim me strukturat menaxhuese, harton krerë të veçantë, në kuadër të raportit vjetor për gjendjen e mjedisit.
3. Publiku dhe organizatat jofitimprurëse informohen për gjendjen e fondit dhe të llojeve pjesëmarrëse në të, nëpërmjet botimit të të dhënave, nga strukturat menaxhuese të pyjeve, nga Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, nga organet e qeverisjes vendore. Madje ka të drejtë edhe të kërkojë të dhëna pranë këtyre organeve.

Neni 37
Tërheqja e mendimit të publikut në vendimmarrje

Gjatë procesit të vendimmarrjes për probleme të fondit e të llojeve pjesëmarrëse në të, organet shtetërore, qendrore e vendore sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të komunitetit, të shoqatave të mbledhësve të BMET-ve, si dhe të organizatave jofitimprurëse mjedisore, sipas akteve ligjore e nënligjore, që përcaktojnë tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje.

Neni 38
Shoqatat e mbledhësve të BMET-ve

Në procesin e zbatimit të këtij ligji, strukturat e menaxhimit të pyjeve dhe organet e qeverisjes vendore përfshijnë edhe shoqatat e mbledhësve të BMET-ve, sidomos në hartimin, miratimin dhe zbatimin e:
a) strategjive e të planeve të veprimit;
b) planeve të mbarështimit e të programeve të monitorimit të fondit të bimëve;
c) projektakteve normative për mbrojtjen e fondit të bimëve.

Neni 39
Lidhjet me biznesin

Lidhjet me biznesin realizohen në rrugë institucionale, nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe të industrisë, si dhe të organizatave profesionale të biznesit, të cilat paraqesin pikëpamjet e tyre për hartimin e zbatimin e programeve të administrimit, të zhvillimit, të mbrojtjes e të shfrytëzimit të BMET-ve.


KREU VI
SANKSIONET


Neni 40
Kundërvajtjet administrative

Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim kryesor me gjobë si më poshtë:
a) vjelja dhe grumbullimi pa kontratë i llojeve të BMET-ve në fondin pyjor dhe kullos or publik dënohet me gjobë nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) mbledhja e BMET-ve të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje, të shpallura të tilla në listën përkatëse, të miratuar nga ministri, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
c) vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET-ve, që janë përkohësisht të ndaluara, sepse janë në parcela eksperimentale, në parcela ku kryhen punime përmirësuese apo që janë të degraduara, dënohen me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET-ve jashtë kërkesave teknike për kohën e vjeljes dënohen me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
d) vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET-ve me mënyra e forma që dëmtojnë bimët dënohen me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
dh) transporti i bimëve nga qendrat e grumbullimit për në qendrat e përpunimit apo për eksport, i pashoqëruar me vërtetimin e transportit dhe faturat përkatëse, dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
e) dëmtimi i BMET-ve nga hedhja, braktisja e depozitimi i lëndëve e i mbetjeve radioaktive, brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve ku ato rriten dënohet me gjobë nga 70 000 (shtatëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësit të pastrojë sipërfaqet e ndotura;
ë) dëmtimi i BMET-ve nga hedhja, braktisja e depozitimi i mbetjeve apo i inerteve brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve ku ato rriten dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësit të pastrojë sipërfaqet e ndotura;
f) dëmtimi i BMET-ve nga hedhja e depozitimi i lëndëve e i mbetjeve kimike brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve ku ato rriten dënohet me gjobë nga 70 000 (shtatëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësi të pastrojë sipërfaqet e ndotura.
g) dëmtimi i BMET-ve nga hedhja dhe shkarkimi i ujërave të ndotura, industriale dhe urbane brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve ku ato rriten dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
gj) dëmtimi i BMET-ve nga përdorimi i pamiratuar i plehrave kimike dhe i pesticideve dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Neni 41
Vlerësimi i dëmit

1. Për çdo rast kundërvajtjeje administrative apo vepre penale, të kryer ndaj fondit, vlerësohet edhe dëmi real që i është shkaktuar fondit të BMET-ve dhe kërkohet zhdëmtimi i tij nga personi përgjegjës.
2. Kriteret për përcaktimin e vlerës së dëmit caktohen sipas pikës 2 të nenit 40/1 të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005 "Për pyjet dhe shërbimin pyjor", të ndryshuar.

Neni 42
Dokumentimi dhe vendosja e masës administrative

1. Procesi i inspektimit, konstatimit të shkeljes, pasqyrimit të saj dhe dënimit bëhet në përputhje
me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
2. Të drejtën e vendosjes së gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në këtë ligj,
e kanë inspektorët e Policisë Pyjore, inspektorati që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe
inspektorët e organeve vendore për sipërfaqet pyjore e kullosore që ato kanë në pronësi apo në përdorim.
3. Në rastet kur bëhen kontrolle nga më shumë se një inspektorat apo edhe nga struktura
përgjegjëse e pushtetit vendor, masa administrative, në zbatim të këtij ligji, jepet nga inspektorati, i cili
fillon i pari procesin e inspektimit. Në qoftë se procesi fillon njëkohësisht, në të njëjtën datë, nga më
shumë se një inspektorat, apo edhe nga inspektorët e organeve vendore, procesi i vënies së gjobës
realizohet nga inspektorati që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Neni 43
Shqyrtimi

1. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative bëhet nga komisioni i shqyrtimit të kundërvajtjeve, që vepron pranë DSHP-së përkatëse ose njësive të qeverisjes vendore (komunë/bashki), kur kundërvajtja është kryer në pyjet dhe kullotat komunale. Komisioni është organi që vendos ndëshkimin me gjobë.
2. Vendimi për ndëshkimin e kundërvajtjes administrative merret nga komisionet përkatëse, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, brenda 15 ditëve nga data e dorëzimit të procesverbalit, të aktkontrollit apo të fletëgjobës.


Neni 44
Ankimi

Ndaj vendimit që vendos masën administrative mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.

Neni 45
Pagimi i gjobës

1. Gjoba paguhet brenda 30 ditëve dhe, pas kalimit të këtij afati, i gjobituri paguan edhe kamatë,
në masën 2 për qind të vlerës së gjobës, për çdo ditë vonesë deri në 30 ditë.
2. Në rast se gjoba dhe kamata nuk paguhen brenda afatit të përcaktuar në pikën 2, atëherë
zbatohet legjislacioni në fuqi për kundërvajtjet administrative.


KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT


Dispozitë kalimtare (LIGJI Nr. 42/2013 datë 14.2.2013)
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në
krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj

Neni 46
Akte nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2 të nenit 30 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë urdhrat dhe udhëzimet në zbatim të neneve 6 pika 2, 13 pika 1, 14 pikat 2 e 4, 18 pika 2, 28, 29 pika 2, 32 pika 1 e 35 pika 1 të këtij ligji.

Neni 47
Shfuqizime

Ligji nr.7722, datë 15.6.1993 "Për mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore", shfuqizohet.

Neni 48
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6161, datë 7.5.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 4 guests