LIGJI PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT - Nr.9917, datë 19.5.2008

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT - Nr.9917, datë 19.5.2008

Postby Libraria UBT » 06 Aug 2015, 17:40

LIGJI PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT - Nr.9917, datë 19.5.2008

I azhurnuar me ndryshimet e ligjit. nr. 10 391, datë 3.3.2011

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

[size=150]KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:



KREU I
PARIME TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të parandalojë pastrimin e parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat
penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit.

Neni 2
Përkufizime

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoritet përgjegjës” është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e
cila i raporton drejtpërdrejt Ministrit të Financave dhe shërben si Njësi e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë.
2. “Bankë guaskë” është një bankë, e cila nuk ka prani fizike, përfshirë mungesën e administrimit
e drejtimit, si dhe nuk është e përfshirë në një grup të rregulluar financiar.
3. “Bankë korrespondente” është banka që ofron shërbime bankare për llogari të një banke tjetër
(banka iniciuese) ose klientëve të saj, te një bankë e tretë (banka pritëse), në bazë të një
marrëveshjeje ose marrëdhënieje kontraktuale të lidhur ndërmjet tyre.
4. “Financim i terrorizmit” ka të njëjtin kuptim si në nenet 230/a deri në 230/d të Kodit Penal.
5. “Instrumente të negociueshme të mbajtësit” janë urdhra të pakushtëzuar ose premtime për të
paguar një shumë parash, lehtësisht të transferueshme, nga një person tek tjetri, që përmbushin
disa kritere, të tilla si të jenë të nënshkruar nga bërësi ose mbajtësi i tyre, të jenë premtime të
garantuara pagese ose urdhra pagese të pakushtëzuara, të jenë të pagueshëm mbajtësit apo sipas
urdhrit, me t’u kërkuar apo pas një afati të caktuar kohor. Këtu përfshihen, por nuk kufizohen,
vetëm në çeqet, notat e premtimit, kambialet, kartat e kreditit dhe çeqet e udhëtarëve.
6. “Klient” është çdo person, i cili është ose kërkon të jetë palë e një marrëdhënieje biznesi me
një subjekt të referuar në nenin 3 të këtij ligji.
7. “Marrëdhënie biznesi” është çdo marrëdhënie profesionale ose tregtare, e cila lidhet me
veprimtaritë e ushtruara nga subjektet e këtij ligji dhe klientët e tyre, që, në çastin e vendosjes së
saj, vlerësohet të jetë një marrëdhënie e vazhdueshme.
8. “Para fizike” janë monedhat (kartëmonedhat dhe monedhat metalike, kombëtare dhe të huaja) në qarkullim.
9. “Pastrim i produkteve të veprës penale” ka të njëjtin kuptim si në nenin 287 të Kodit Penal.
10. “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin
e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin
e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me
përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të
legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur
ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti
dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë,
drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”.
11. “Produkt i veprës penale” ka të njëjtin kuptim si në nenin 36 pika 1 shkronja “b” të Kodit Penal.
12. “Pronar përfitues” është personi fizik ose juridik, që zotëron ose kontrollon i fundit një klient
dhe/ose personi, për llogari të të cilit kryhet një transaksion. Këtu përfshihen edhe ata persona, të
cilët ushtrojnë kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik. Kontroll i fundit efektiv është
marrëdhënia, në të cilën një person:
a) zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të paktën 25 për qind të aksioneve ose të
votave të një personi juridik;
b) i vetëm zotëron të paktën 25 për qind të votave të një personi juridik në bazë të një
marrëveshjeje me ortakët ose me aksionarët e tjerë;
c) përcakton de facto vendimet e marra nga personi juridik;
ç) kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së administratorëve të personit juridik.
13. “Pronësi” janë të drejta apo interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm
ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jomaterial, përfshirë dhe ato të
evidentuara në formë elektronike apo numerike (dixhitale), duke përfshirë, por pa u kufizuar në
instrumente të tilla si kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e
titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur apo vlerë tjetër që buron prej tyre.
14. “Subjekt” është personi fizik ose juridik që vendos marrëdhënie biznesi me klientë, gjatë
veprimtarisë së tij normale apo si pjesë e veprimtarisë tregtare ose profesionale të tij.
15. “Shërbim i transfertës së parasë ose vlerës” është kryerja e biznesit për të pranuar para fizike
ose mjete apo instrumente të tjera të tregut të parasë dhe/ose të pagesave (çeqe, dëftesa,
certifikata të depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave etj.), titujt,
si dhe çdo dokument tjetër që vërteton ekzistencën e një detyrimi monetar ose një vlere tjetër të
depozituar dhe për t’i paguar përfituesit një shumë korresponduese në para fizike, ose në një
formë tjetër, me anë të komunikimit, mesazhit, transferimit ose përmes sistemit të kleringut apo
të shlyerjes, të cilit i përket shërbimi i transfertës së parasë ose vlerës.
16. “Transaksion” është një marrëdhënie biznesi apo një shkëmbim që përfshin dy ose më shumë palë.
17. “Transaksione të lidhura me njëri-tjetrin” janë dy ose më shumë transaksione (duke përfshirë
transfertat e drejtpërdrejta), ku secila prej tyre është më i vogël se sa shuma e përcaktuar si prag,
në bazë të nenit 4 të këtij ligji dhe kur këto transaksione në shumë totale barazojnë ose tejkalojnë
shumën e pragut të zbatueshëm.
18. “Transfertë e drejtpërdrejtë elektronike” është çdo transaksion i kryer në emër të një personi
të parë mandatues (fizik ose juridik) përmes një institucioni financiar, nëpërmjet mjeteve
elektronike apo telegrafike, për vënien në dispozicion të një shume të caktuar parash ose
instrumentesh të tjera të tregut të parasë ose pagesave, për një person përfitues në një institucion
tjetër financiar. Mandatuesi e përfituesi mund të jenë i njëjti person.
19. “Trust” është një marrëveshje mirëbesimi, ku pronësia mbahet nga i mirëbesuari për llogari të përfituesit.
20. “Vigjilencë e zgjeruar ndaj klientit” është një proces më i thellë kontrolli, përtej procedurave
“Njihe klientin tënd”, që synon të krijojë sigurinë e mjaftueshme për të verifikuar dhe vlerësuar
identitetin e klientit; për të kuptuar dhe testuar profilin e klientit, të biznesit dhe veprimtarisë së
llogarive të tij bankare; për të identifikuar informacionet me rëndësi dhe për të vlerësuar rrezikun
e mundshëm për pastrim parash/financim terrorizmi, në mbështetje të vendimeve që synojnë
mbrojtjen nga rreziqet financiare, rregullatore apo reputacionale, si dhe përshtatjen ndaj kërkesave ligjore.
21. “Procedura njihe klientin tënd” nënkupton një sërë rregullash, të përdoruara nga institucionet
financiare, që kanë të bëjnë me politikat e pranimit e të identifikimit të klientit dhe administrimit të riskut të tyre.
22. “Person”, në kuptim të këtij ligji, konsiderohen individët, personat fizikë tregtarë dhe personat juridikë.”.

Neni 3
Subjektet që i nënshtrohen këtij ligji

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
Subjekte të këtij ligji janë:
a) subjektet bankare, si dhe çdo subjekt tjetër që licencohet apo mbikëqyret nga Banka e
Shqipërisë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në subjektet e parashikuara në shkronjat “b”, “c” e
“ç” të këtij neni ;
b) subjektet financiare jobanka;
c) zyrat e këmbimeve valutore;
ç) shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre;
d) shërbimet postare që kryejnë shërbime pagesash;
dh) shfuqizuar
e) bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shtëpi brokerimi etj.), që ushtron veprimtari për
emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve;
ë) shoqëritë që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit;
f) Autoriteti Shtetëror Përgjegjës për Administrimin dhe Shitjen e Pronës Publike dhe çdo person
tjetër juridik publik që kryen veprime juridike lidhur me tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të
pronës shtetërore, ose që kryen evidentimin, transferimin apo tjetërsimin e pronës shtetërore;
g) lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme;
gj) avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, profesionet e rregulluara, që ofrojnë
shërbimet e konsulencës financiare kur përgatisin ose kryejnë transaksione për klientët e tyre për veprimtaritë e mëposhtme:
i) kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e parave, të letrave me vlerë ose të aseteve të tjera;
ii) administrimin e llogarive bankare;
iii) administrimin e pjesëve të kapitalit që do të përdoren për themelimin, funksionimin ose
administrimin e shoqërive tregtare;
iv) krijimin, funksionimin ose administrimin e personave juridikë;
v) marrëveshjet ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionare
dhe transferimin e veprimtarive tregtare;
h) agjentët e pasurive të paluajtshme, sipas kuptimit të përcaktuar në legjislacionin shqiptar për
këtë kategori, kur përfshihen në transaksione për klientët e tyre, që lidhen me blerje ose shitje të pasurive të paluajtshme;
i) ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare;
j) Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale;
k) çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me:
i) administrimin e aseteve të të tretëve/drejtimin e veprimtarive të lidhura me to;
ii)shfuqizuar
iii) ndërtimet;
iv) biznesin e metaleve dhe të gurëve të çmuar;
v)shfuqizuar
vi) marrëveshjet dhe garancitë financiare;
vii) shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 500 000 lekë ose më shumë;
viii) sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose të letrave me vlerë lehtësisht të
konvertueshme, në emër të personave të tretë;
ix)shfuqizuar
x) tregtimin e mjeteve motorike;
xi) veprimtaritë e spedicionit dhe të transportit;
xii) agjencitë e udhëtimit.


KREU II
VIGJILENCA E DUHUR


Neni 4
Identifikimi i klientëve

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Subjektet duhet të identifikojnë klientët dhe të verifikojnë identitetin e tyre me anë të dokumenteve të identifikimit:
a) para se të vendosin një marrëdhënie biznesi;
b) kur klienti, në raste të ndryshe nga ato të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike, kryen ose kërkon të kryejë:
- një transfertë të drejtpërdrejtë brenda ose jashtë vendit në një shumë të barabartë ose më të madhe se 100 000 (njëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të huaja;
- një transaksion me një shumë të barabartë me:
i) jo më pak se 200 000 (dyqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të huaja për
subjektet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “g” të nenit 3 të këtij ligji;
ii) jo më pak se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha
të tjera të huaja, kryer në një transaksion të vetëm, ose në disa transaksione të lidhura me njëritjetrin.
Nëse shuma e transaksioneve nuk dihet në kohën e veprimit, identifikimi duhet të kryhet
sapo të bëhet e ditur shuma dhe të arrihet pragu i mësipërm;
c) kur ka dyshime për vërtetësinë e të dhënave të identifikimit të marra më parë;
ç) në të gjitha rastet kur ka të dhëna ose dyshime të mjaftueshme për pastrim parash ose financim të terrorizmit.
2. Subjektet duhet të identifikojnë dhe të verifikojnë identitetin e pronarit përfitues.

Neni 5
Dokumentacioni i kërkuar për identifikimin e klientit

1. Për identifikimin dhe verifikimin e identitetit të klientit, subjektet duhet të regjistrojnë e të mbajnë të dhënat si më poshtë:
a) për personat fizikë: emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e
përkohshëm dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit,
autoritetin që e ka lëshuar, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar;
b) për personat fizikë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, mbiemrin, datën e vendimit të
regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e
veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar;
c) për personat juridikë privatë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, datën e vendimit të
regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e
veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar;
ç) për personat juridikë privatë që nuk zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, numrin dhe
datën e vendimit të gjykatës për regjistrimin si person juridik, statutin dhe aktin e themelimit,
numrin dhe datën e lejes së ushtrimit të veprimtarisë nga organet tatimore, selinë e përhershme dhe natyrën e veprimtarisë;
d) për përfaqësuesit ligjorë të klientit: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e
përkohshëm dhe të përhershëm, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e
ka lëshuar dhe kopjen e aktit të përfaqësimit.
2. Subjektet pranojnë nga klienti për të marrë të dhëna për të, sipas përcaktimeve të këtij neni,
vetëm dokumente origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për qëllime të këtij ligji, subjekti mban
në dosjen e klientit kopje të vulosura me vulën e subjektit, të dokumenteve të paraqitura nga
klienti në formën e mësipërme, brenda afatit të vlefshmërisë së tyre.
3. Subjektet, kur e gjykojnë të nevojshme, duhet të kërkojnë paraqitjen nga klienti të
dokumenteve të tjera identifikuese për verifikimin e të dhënave të paraqitura prej këtij të fundit.

Neni 6
Monitorimi i marrëdhënies së biznesit me klientët

1. Subjektet duhet të kryejnë monitorime të vazhdueshme të marrëdhënieve të biznesit me
klientët e tyre, për t’u siguruar se ato janë në përputhje me njohuritë e subjektit për klientin,
objektin e veprimtarisë dhe kategorizimin e tij, sipas shkallës së rrezikut që paraqet.
2. Subjektet duhet të rifreskojnë të dhënat për klientin në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje
me pikën 1 të këtij neni, si dhe menjëherë, kur kanë arsye për të dyshuar se kushtet dhe gjendja faktike e klientit kanë ndryshuar.


KREU III
VIGJILENCA E ZGJERUAR NDAJ KLIENTIT


Neni 7
Vigjilenca e zgjeruar ndaj klientit

1. Për zvogëlimin e rrezikut të pastrimit të parave, krahas kategorive të përcaktuara në nenet 8
dhe 9 të këtij ligji, subjektet përcaktojnë kategori të tjera klientësh dhe transaksionesh, ndaj të
cilave zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar.
2. Për zbatimin e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve, subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike
të klientëve dhe përfaqësuesve të tyre:
a) para se të vendosin një marrëdhënie biznesi;
b) para së të kryejnë transaksione në emër dhe për llogari të tyre.

Neni 8
Kategoritë e klientëve, ndaj të cilëve zbatohet vigjilenca e zgjeruar

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Subjektet e përcaktuara në shkronjën “a” të nenit 3 të këtij ligji, përveç procedurave të
vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit, duhet:
a) të hartojnë dhe të zbatojnë sisteme efektive të menaxhimit të riskut për të përcaktuar nëse një
klient ekzistues apo potencial ose pronari përfitues është një person i ekspozuar politikisht;
b) të marrin miratimin e drejtuesve të lartë për vendosjen e marrëdhënieve të biznesit me personat e ekspozuar politikisht;
c) të kërkojnë dhe të marrin miratimin e drejtuesve të lartë për vazhdimin e marrëdhënies së
biznesit, në rastet kur marrëdhënia e biznesit me klientin është vendosur dhe subjekti konstaton
që klienti apo pronari përfitues është bërë ose bëhet më pas person i ekspozuar politikisht;
ç) të marrin masa të arsyeshme për të kuptuar burimin e pasurisë dhe të fondeve të klientëve e të
pronarëve përfitues, të identifikuar si persona të ekspozuar politikisht.
2. Në rastet kur subjektet kanë një marrëdhënie biznesi me personat e ekspozuar politikisht, ata
duhet të mbikëqyrin me vigjilencë të zgjeruar këtë marrëdhënie.
3. Për klientët, të cilët janë organizata jofitimprurëse, subjektet duhet:
a) të mbledhin informacione të mjaftueshme për to, për të kuptuar plotësisht burimet e
financimit, natyrën e veprimtarisë dhe mënyrën e administrimit dhe drejtimit të tyre;
b) të përcaktojnë nëpërmjet informacionit publik ose me mjete të tjera reputacionin e tyre;
c) të marrin miratimin nga instancat më të larta të administrimit/drejtimit përpara vendosjes së
një marrëdhënieje biznesi me ta;
ç) të ofrojnë monitorim të zgjeruar të marrëdhënies së biznesit.

Neni 9
Kategoritë e transaksioneve, ndaj të cilave zbatohet vigjilenca e zgjeruar

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Për shërbimet bankare korrespondente ndërkufitare, të ofruara nga bankat subjekte të këtij
ligji, përpara se të vendosin një marrëdhënie biznesi, ato duhet:
a) të grumbullojnë informacion të mjaftueshëm rreth institucionit pritës, për të kuptuar plotësisht natyrën e biznesit;
b) të përcaktojnë nëpërmjet informacionit publik, reputacionin e institucionit pritës dhe cilësinë embikëqyrjes së tij;
c) të vlerësojnë se procedurat e kontrollit të brendshëm të institucionit pritës kundër pastrimit të
parave dhe financimit të terrorizmit janë të mjaftueshme dhe efektive;
ç) të marrin miratimin e instancave më të larta të administrimit/drejtimit dhe të dokumentojnë
respektivisht për çdo institucion përgjegjësitë për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit;
d) të hartojnë procedura të veçanta për monitorimin e vazhdueshëm të transaksioneve të drejtpërdrejta elektronike.
2. Subjektet nuk duhet të kryejnë shërbime bankare korrespondente me banka, llogaritë e të
cilave përdoren nga bankat guaskë. Subjektet duhet të ndërpresin marrëdhëniet e biznesit dhe t’i
raportojnë autoritetit përgjegjës kur vlerësojnë se llogaritë e bankës korrespondente përdoren nga
bankat guaskë. Subjektet duhet të marrin masat e duhura në mënyrë që të krijojnë bindjen se bankat e huaja
korrespondente nuk lejojnë që llogaritë e tyre të përdoren nga bankat guaskë.
3. Subjektet duhet t'u kushtojnë vëmendje të veçantë të gjitha transaksioneve komplekse, me
vlera të larta dhe të pazakonta, të cilat nuk kanë qëllim të dukshëm ekonomik ose ligjor.
Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të
mbajnë të dhëna për konkluzionet, të cilat duhet të mbahen për një periudhë prej pesë vjetësh dhe
t'u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës dhe auditorëve.
4. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe
transaksioneve me klientët jorezidentë.
5. Subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të
biznesit dhe transaksioneve me klientë, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë në vende që
nuk zbatojnë ose që zbatojnë pjesërisht standardet përkatëse ndërkombëtare, për të parandaluar e
luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe
qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna për konkluzionet, të cilat
duhet t'u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës dhe auditorëve.
6. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe
transaksioneve me klientë, siç janë trustet dhe shoqëritë anonime.
7. Subjektet duhet të përcaktojnë për të gjithë klientët nëse ata janë duke vepruar në emër të një
personi tjetër dhe duhet të marrin masa të arsyeshme për të siguruar të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e atij personi.
8. Subjektet duhet të zbatojnë politika ose të marrin masat e duhura, sipas rastit, për të
parandaluar keqpërdorimin e produkteve dhe të zhvillimeve të reja teknologjike, për pastrim të
parave ose financim të terrorizmit.
8/1. Për klientët, që janë persona juridikë, subjektet duhet të marrin masa për të kuptuar
strukturën e pronësisë e të kontrollit të klientit dhe për të përcaktuar se cilët janë personat që
kanë në pronësi apo kontrollojnë klientin. Këtu përfshihen ata persona që ushtrojnë kontrollin e
fundit efektiv mbi personin juridik.
8/2. Subjektet duhet të sigurojnë informacion për qëllimin dhe natyrën e synuar të marrëdhënies së biznesit.
8/3. Subjektet duhet të përcaktojnë procedurat dhe mjetet e menaxhimit të riskut për rastet kur
klienti lejohet të vendosë dhe të përdorë marrëdhënien e biznesit para verifikimit të identitetit.
Këto procedura duhet të përfshijnë një sërë masash, si kufizimin e numrit, të llojit dhe/ose të
shumës së transaksioneve që mund të kryhen.
8/4. Në rastet kur subjekti ka filluar marrëdhënien e biznesit dhe është i paaftë të zbatojë
detyrimin e vigjilencës së zgjeruar, të përshkruar në këtë nen, duhet të përfundojë marrëdhënien
e biznesit dhe të dërgojë një raport të veprimtarisë së dyshimtë tek autoriteti përgjegjës.
8/5. Për klientët ekzistues, subjektet duhet të zbatojnë masat për vigjilencën e zgjeruar ndaj
klientit, bazuar në prova, fakte dhe rrezikun.
9. Nëse subjektet nuk mund të zbatojnë detyrimin e vigjilencës së zgjeruar të përshkruar në këtë nen:
a) nuk duhet të hapin llogari, të fillojnë një marrëdhënie biznesi apo të kryejnë transaksionin;
b) duhet të dërgojnë një raport të veprimtarisë së dyshimtë tek autoriteti përgjegjës.

Neni 10
Detyrime për shërbimin e transferimit të parave ose të vlerave

1. Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, duhet të marrin dhe
të identifikojnë emrin, mbiemrin, vendbanimin e vendqëndrimin, numrin e dokumentit të
identifikimit dhe numrin e llogarisë nëse ka, të dërguesit, përfshirë emrin e institucionit financiar
nga ku niset transferta. Informacioni duhet të përfshihet në formularin e mesazhit ose të pagesës
që shoqëron transfertën. Në rast se nuk ka një numër llogarie, transferta shoqërohet nga një numër unik reference.
2. Subjektet e transmetojnë informacionin së bashku me pagesën, përfshirë edhe rastin kur ata
veprojnë si ndërmjetës në një zinxhir pagesash.
3. Nëse subjekti i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni merr transferta parash ose vlerash, përfshirë
dhe ato të drejtpërdrejta elektronike, që nuk përmbajnë informacionin e plotë për urdhëruesin, ai
duhet ta kërkojë informacionin që mungon nga institucioni dërgues ose nga përfituesi. Nëse nuk
arrin ta regjistrojë informacionin që mungon, ai duhet të refuzojë pranimin e transfertës dhe t’ia
raportojë atë autoritetit përgjegjës.

Neni 11
Masat parandaluese të ndërmarra nga subjektet

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, subjektet kanë detyrimet e mëposhtme:
a) të hartojnë dhe të zbatojnë rregulloret dhe udhëzimet e brendshme, të cilat marrin parasysh
rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që mund të lindë nga klientë ose
biznese, duke përfshirë por jo duke u kufizuar në:
i) një politikë për pranimin e klientit;
ii) një politikë për zbatimin e procedurave për vigjilencën e zgjeruar në rastin e klientëve dhe
transaksioneve të kategorive që paraqesin rrezik të lartë;
b) të emërojnë një person përgjegjës dhe një zëvendëspërgjegjës për parandalimin e pastrimit të
parave në nivele administrimi/drejtimi në zyrën qendrore dhe në çdo zyrë përfaqësimi, filial,
degë ose agjenci, tek të cilat të gjithë punonjësit raportojnë çdo fakt që mund të përbëjë dyshim
për pastrim parash ose financim terrorizmi. Personat përgjegjës kanë akses të vazhdueshëm ndaj
të gjitha të dhënave, të parashikuara në nenin 16 të këtij ligji;
c) të krijojnë një sistem të centralizuar përgjegjës për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave;
ç) të zbatojnë procedurat përzgjedhëse për punonjës të rinj, për t’u siguruar për integritetin e tyre;
d) të trajnojnë punonjësit për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit
përmes organizimit periodik të programeve të kualifikimit;
dh) të ngarkojnë kontrollin e brendshëm për të kontrolluar përputhshmërinë me detyrimet e këtij
ligji dhe të akteve përkatëse nënligjore;
e) të sigurohen se filialet, degët dhe nëndegët, si dhe agjencitë e tyre, brenda ose jashtë territorit
të Republikës së Shqipërisë, veprojnë në përputhje me këtë ligj. Nëse ligjet e vendit, ku janë
vendosur filialet, degët ose agjencitë, parashikojnë pengesa për zbatimin e detyrimeve, subjekti
duhet të raportojë për këto pengesa tek autoriteti përgjegjës dhe, sipas rastit, tek autoriteti mbikëqyrës;
ë) të paraqesin informacion, të dhëna dhe dokumente shtesë, autoritetit përgjegjës, në përputhje
me kërkesat dhe afatet kohore për rastet e parashikuara në këtë ligj. Autoriteti përgjegjës mund ta
zgjasë këtë afat, me kërkesë të subjektit, për një periudhë jo më shumë se 15 ditë.
2. Subjekteve u ndalohet të hapin ose të mbajnë marrëdhënie biznesi me klientë anonimë apo që
përdorin emra fiktivë. Subjekteve nuk u lejohet të hapin ose të mbajnë llogari, të cilat janë të
identifikueshme vetëm me numrin e llogarisë.
3. Në rast se numri i punonjësve të subjekteve të përcaktuara në këtë ligj është më pak se 3
persona, detyrimet e këtij neni përmbushen nga administratori ose nga një punonjës i autorizuar i subjektit.


KREU IV
DETYRIMI PËR RAPORTIM


Neni 12
Raportimi tek autoriteti përgjegjës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Subjektet i paraqesin një raport autoritetit përgjegjës, ku parashtrojnë dyshimet që kanë për
rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i
produkteve të veprës penale apo financimi i terrorizmit. Raportimi bëhet menjëherë dhe jo më
vonë se periudha e përcaktuar në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
2. Kur subjekti, të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transaksion, ka dyshime se
transaksioni mund të përfshijë pastrim parash ose financim terrorizmi, ai duhet t'ia raportojë
menjëherë çështjen autoritetit përgjegjës dhe të kërkojë udhëzime nëse duhet ta kryejë apo jo
transaksionin. Autoriteti përgjegjës është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 48 orëve.
3. Subjekteve u kërkohet t'i raportojnë autoritetit përgjegjës, sipas afateve të përcaktuara në aktet
nënligjore, në zbatim të këtij ligji, të gjitha transaksionet në para fizike, në një vlerë të barabartë
ose më të madhe se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën në monedha të
huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëra- tjetrën.
4. Subjektet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b” të nenit 3 të këtij ligji duhet t'i raportojnë
autoritetit përgjegjës, sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, të
gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë ose më të madhe se 6
000 000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të huaja, të kryera si një
transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëra-tjetrën.

Neni 13
Përjashtimi nga raportimi

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
Subjektet e ligjit përjashtohen nga detyrimi për raportim tek autoriteti përgjegjës, sipas pikës 4 të
nenit 12 të këtij ligji, për transaksionet:
a) ndërmjet bankave, me përjashtim të transaksioneve ndërbankare në emër të klientëve të tyre;
b) ndërmjet subjekteve të këtij ligji dhe Bankës së Shqipërisë;
c) e institucioneve dhe të enteve publike që kryhen për llogari të tyre.

Neni 14
Përjashtimi nga përgjegjësia ligjore për raportim pranë autoritetit përgjegjës

Subjektet ose autoritetet mbikëqyrëse, drejtuesit, zyrtarët ose punonjësit e tyre, të cilët në
mirëbesim raportojnë ose japin informacion, në përputhje me dispozitat e këtij ligji pranë
autoritetit përgjegjës, janë të përjashtuar nga përgjegjësia penale, civile ose administrative për
nxjerrjen e sekretit profesional ose bankar.

Neni 15
Kërkesat për mosdeklarim

Punonjësve të subjektit u ndalohet të informojnë klientin ose çdo person tjetër, në lidhje me
procedurat e verifikimit të rasteve të dyshimta, si dhe për çdo raportim tek autoriteti përgjegjës.

Neni 15/1
Mbrojtja e identitetit të subjektit raportues

(Shtuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
Autoriteti përgjegjës dhe çdo organ tjetër, të cilët marrin raportime, të dhëna, njoftime, në zbatim
të këtij ligji, në masën dhe mënyrën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të
ruajnë anonimatin e subjekteve raportuese dhe të punonjësve të tyre që kanë raportuar apo kanë
dhënë njoftime e të dhëna.

Neni 16
Detyrimet për ruajtjen e të dhënave

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Subjektet duhet të ruajnë dokumentacionin për identifikimin, llogaritë, si dhe korrespondencën
me klientin për 5 vjet nga data e mbylljes së llogarisë apo përfundimit të marrëdhënies së
biznesit ndërmjet klientit e subjektit. Me kërkesën e autoritetit përgjegjës, dokumentacioni ruhet
për më shumë se 5 vjet.
2. Subjektet duhet të mbajnë regjistra për të dhënat, raportimet dhe dokumentacionin për
transaksionet financiare, kombëtare dhe ndërkombëtare, pavarësisht nëse transaksioni është kryer
në emër të klientit ose në emër të palëve të treta, së bashku me të gjithë dokumentacionin
mbështetës, përfshirë dosjet e llogarive dhe korrespondencën e biznesit, për 5 vjet që nga data e
kryerjes së transaksionit financiar. Me kërkesë të autoritetit përgjegjës, informacioni ruhet për
më shumë se 5 vjet, edhe nëse llogaria ose marrëdhënia e biznesit ka përfunduar.
3. Subjektet duhet të ruajnë të dhëna për transaksionet, përfshirë edhe ato të përcaktuara në nenin
10 të këtij ligji, me të gjitha hollësitë e duhura për të lejuar rindërtimin e ciklit të plotë të
transaksioneve, me qëllim sigurimin e informacionit për autoritetin përgjegjës, në bazë të këtij
ligji e të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Ky informacion ruhet për 5 vjet nga data e
kryerjes së transaksionit të fundit financiar. Me kërkesë të autoritetit përgjegjës, informacioni
ruhet për më shumë se 5 vjet, edhe nëse llogaria ose marrëdhënia e biznesit ka përfunduar.
4. Subjektet duhet të sigurohen që të gjitha të dhënat për klientin dhe transaksionin dhe
informacioni i kërkuar për t’u mbajtur, sipas kësaj dispozite, të vihen menjëherë në dispozicion
me kërkesën e autoritetit përgjegjës.

Neni 17
Raportimi i organeve doganore

1. Çdo person, shqiptar ose i huaj, i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë
është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm, metalet ose
gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 1 000 000 (një
milion) lekë ose kundërvlera e saj në monedha të tjera të huaja, si dhe qëllimin e mbartjes së tyre,
për të cilat duhet të paraqesë dokumente justifikuese. Autoritetet doganore duhet të dërgojnë tek
autoriteti përgjegjës kopje të formularëve të deklarimeve të mësipërme dhe të dokumenteve justifikuese të paraqitura.
Autoritetet doganore duhet t’i raportojnë menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë autoritetit
përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhënë, që kanë lidhje me pastrim parash ose financim
terrorizmi, për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre.
2. Organet doganore zbatojnë kërkesat e nenit 11 të këtij ligji.

Neni 18
Raportimi i organeve tatimore

1. Organet tatimore identifikojnë subjektet e tyre, sipas procedurave të parashikuara në nenin 4 të
këtij ligji dhe i raportojnë autoritetit përgjegjës menjëherë dhe në çdo rast, jo më vonë se 72 orë
pas regjistrimit të veprimit, për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhënë, që ka të bëjë me
pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
2. Organet tatimore zbatojnë kërkesat e nenit 11 të këtij ligji.

Neni 19
Raportimi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

1. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raporton brenda 72 orëve regjistrimin
e kontratës së tjetërsimit të pronës me një vlerë të barabartë ose më të madhe se 6 000 000
(gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja.
2. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raporton menjëherë dhe jo më vonë se
72 orë pranë autoritetit përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhëna për pastrim parash apo
financim terrorizmi për veprimtaritë nën juridiksionin e vet.
3. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme zbaton kërkesat e neneve 5 dhe 11 të këtij ligji.

Neni 20
Organizatat jofitimprurëse

Çdo autoritet që regjistron, licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse
duhet të raportojë menjëherë tek autoriteti përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhëna,
lidhur me pastrim parash ose financim terrorizmi.


KREU V
STRUKTURAT PËRGJEGJËSE DHE MBIKËQYRËSE PËR ZBATIMIN E LIGJIT


Neni 21
Organizimi i autoritetit përgjegjës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ushtron funksionet e autoritetit
përgjegjës, sipas këtij ligji, si një institucion në varësi të Ministrit të Financave. Kjo drejtori,
brenda fushës së veprimtarisë së vet, ka të drejtë të vendosë për mënyrën e ndjekjes dhe të
zgjidhjes së çështjeve të trajtuara për pastrimin e mundshëm të parave dhe financimin e
veprimtarive të mundshme terroriste.
2. Në zbatim të këtij ligji, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave shërben
si njësi e specializuar financiare për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe
financimit të terrorizmit. Gjithashtu, kjo drejtori funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me
mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për
veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
3. Marrëdhëniet e punës të punonjësve të kësaj drejtorie rregullohen me ligjin nr.8549, datë
11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe me Kodin e Punës për personelin mbështetës.
4. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave
emërohet për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë riemërimi.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave
emërohet dhe shkarkohet sipas procedurave të Këshillit të Ministrave për emërimin dhe
shkarkimin e drejtuesve të institucionit në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose ministrit.

Neni 22
Detyrat dhe funksionet e autoritetit përgjegjës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si njësi e inteligjencës financiare
në zbatim të këtij ligji ka këto detyra dhe funksione:
a) mbledh, administron, përpunon, analizon dhe shpërndan tek autoritetet kompetente të dhëna,
raporte dhe informacione për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) ka akses në bazën e të dhënave dhe në çdo informacion të administruar nga institucionet
shtetërore, si dhe në çdo lloj regjistri publik brenda kompetencave të këtij ligji;
c) për qëllime të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kërkon çdo lloj
informacioni nga subjektet që i nënshtrohen këtij ligji;
ç) mbikëqyr zbatimin e detyrimeve për raportim nga subjektet, sipas kërkesave të këtij ligji, duke
përfshirë inspektimet në vend vetëm ose në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse përkatëse;
d) shkëmben informacion me çdo agjenci të huaj homologe, në varësi të detyrimeve të ngjashme
të konfidencialitetit. Informacioni i ofruar duhet të përdoret vetëm për qëllime të parandalimit
dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Informacioni mund të
shpërndahet vetëm me pëlqimin paraprak të palëve;
dh) mund të hyjë në marrëveshje me çdo agjenci homologe të huaj, që kryen funksione dhe u
nënshtrohet detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit;
e) shkëmben informacion me Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme, Policinë e
Shtetit, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit, për
çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale ose financimit të terrorizmit dhe mund të
nënshkruajë memorandum bashkëpunimi dy ose shumëpalësh me to;
ë) për procedimet penale të regjistruara për pastrim parash dhe financim terrorizmi, në
bashkëpunim me prokurorinë, njofton autoritetin përgjegjës për mënyrën e përfundimit të tyre;
f) mund të nxjerrë një listë të vendeve në përputhje pikën 5 të nenit 9 të këtij ligji, për kufizimin
dhe/ose kontrollin e transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit të subjekteve me këto vende;
g) urdhëron, kur ka arsye të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete për pastrim parash dhe
financim terrorizmi, bllokimin ose ngrirjen e përkohshme të transaksionit ose të veprimit
financiar, për një periudhë jo më shumë se 72 orë. Brenda këtij afati, në qoftë se vëren elemente
të veprës penale, autoriteti përgjegjës bën kallëzim në prokurori, duke dorëzuar edhe një kopje të
urdhrit pezullimin e përkohshëm të transaksionit, ose për ngrirjen e llogarisë, sipas kësaj
dispozite, si dhe të gjithë dokumentacionin përkatës;
gj) mban dhe administron të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin tjetër ligjor për 10 vjet nga
data e marrjes së informacionit për transaksionin e fundit;
h) paraqet reagimet për raportimet që subjektet i bëjnë këtij autoriteti;
i) organizon dhe merr pjesë, së bashku me institucionet publike dhe private, në veprimtaritë
trajnuese, për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, si dhe organizon
ose merr pjesë në programe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut;
j) njofton autoritetin përkatës mbikëqyrës, kur vëren se një subjekt nuk i përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj;
k) publikon brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin publik vjetor për vitin pararendës për
veprimtarinë e autoritetit përgjegjës. Raporti duhet të përfshijë edhe statistika të hollësishme për
origjinën e raporteve të marra dhe rezultatet e rasteve të parashtruara në prokurori.

Neni 23
Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave

1. Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është përgjegjës për
përcaktimin e drejtimeve të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe
luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit.
2. Komiteti drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka Ministrin e Financave, Ministrin e
Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë,
Prokurorin e Përgjithshëm, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtorin e SHISH-it dhe
Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së.
3. Komiteti mblidhet të paktën 1 herë në vit për të shqyrtuar dhe analizuar raportet për
veprimtaritë e kryera nga autoriteti përgjegjës, si dhe raportet për dokumentet e përgatitura nga
institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre në fushën e
luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Drejtori i përgjithshëm i autoritetit
përgjegjës i ofron komitetit, sipas kërkesës së tij dhe vepron si këshilltar në mbledhjet e këtij komiteti.
4. Në mbledhjet e komitetit mund të ftohen për të marrë pjesë ministra, deputetë, drejtues ose
përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit.
5. Komiteti mund të krijojë grupe pune teknike dhe/ose operacionale për të ndihmuar në kryerjen
e funksioneve që ka, si dhe për studimin e tipologjive e të teknikave të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
6. Rregullat e funksionimit të komitetit përcaktohen në rregulloren e brendshme, të miratuar nga ky komitet.

Neni 24
Funksionet e autoriteteve mbikëqyrëse

1. Autoritete mbikëqyrëse janë:
a) Banka e Shqipërisë, për subjektet e përcaktuara, shkronjat nga “a”, “b”, “c’’, “ç” dhe “d” të nenit 3 të këtij ligji;
b) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për subjektet e përcaktuara në shkronjat “dh’’, “e’’ dhe “ë’’ të nenit 3 të këtij ligji;
c) ministritë përkatëse, për mbikëqyrjen e subjekteve të përcaktuara në shkronjat “f’’ dhe “g’’ të nenit 3 të këtij ligji;
ç) Dhoma Kombëtare e Avokatisë për avokatët;
d) Ministria e Drejtësisë për noterët;
dh) autoritetet përkatëse për mbikëqyrjen e subjekteve të përcaktuara
në shkronjat “h’’, “i’’, “j’’dhe “k’’ të nenit 3 të këtij ligji.
2. Autoritetet mbikëqyrëse mbikëqyrin, nëpërmjet inspektimeve, përputhshmërinë e veprimtarisë
së subjekteve me detyrimet e parashtruara në nenet 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 e 12 të këtij ligji.
3. Autoritetet mbikëqyrëse i raportojnë menjëherë autoritetit përgjegjës çdo dyshim, informacion
ose të dhënë, që lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi, për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre.
4. Autoritetet mbikëqyrëse kryejnë edhe këto detyra:
a) kontrollojnë zbatimin e programeve të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të
terrorizmit nga subjektet dhe sigurohen se këto programe janë të përshtatshme;
b) ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar që një person i papërshtatshëm të zotërojë,
të kontrollojë ose të marrë pjesë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në drejtimin,
administrimin ose veprimtarinë e një subjekti;
c) bashkëpunojnë dhe të ofrojnë asistencë të specializuar, sipas veprimtarisë së tyre, në fushën e
pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, në përputhje me kërkesat e autoritetit përgjegjës;
ç) bashkëpunojnë për përgatitjen dhe shpërndarjen e programeve të trajnimit ne fushën e
parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
d) mbajnë statistika për veprimet e ndërmarra, si dhe për sanksionet e vendosura në fushën e
parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
5. Autoritetet mbikëqyrëse përcaktohen saktësisht në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 25
Moslejimi i spekulimit me sekretin profesional ose përfitimet prej tij

1. Subjektet nuk duhet ta përdorin sekretin profesional ose përfitimet prej tij si arsye për
mosrespektimin e detyrimeve, që rrjedhin nga ky ligj, kur kërkohet informacion ose kur, në
përputhje me këtë ligj, urdhërohet nxjerrja e një dokumenti, që ka lidhje me informacionin.
2. Avokatët dhe noterët janë të detyruar ta raportojnë informacionin për klientin tek autoriteti
përgjegjës, në përputhje me këtë ligj. Avokatët përjashtohen nga detyrimi për raportim, për të
dhënat që i kanë mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tyre, në një proces
gjyqësor, ose nga dokumentet, që ky i fundit ua ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar.

Neni 26
Revokimi i licencës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Autoriteti përgjegjës mund t’i kërkojë autoritetit licencues dhe/ose mbikëqyrës përkatës të
kufizojë, të pezullojë ose të revokojë licencën e një subjekti:
a) kur konstaton ose ka fakte për të besuar se subjekti është përfshirë në pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit;
b) kur subjekti, në mënyrë të përsëritur, kryen njërën ose disa nga kundërvajtjet administrative të parashikuara në nenin 27 të këtij ligji.
2. Autoriteti licencues dhe/ose mbikëqyrës shqyrton kërkesën e autoritetit përgjegjës, bazuar në
dokumentacionin shoqërues të saj, i cili paraqet të dhëna ose dyshime, të bazuara në rrethana dhe
fakte konkrete, sipas pikës 1 të këtij neni. Autoriteti licencues dhe/ose mbikëqyrës vendos për
pranimin ose refuzimin e saj, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat ligjore e
nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e tij dhe të subjekteve të licencuara dhe mbikëqyrura prej tij.
3. Në rastin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari bankare, në rrethanat e parashikuara nga
shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni, autoriteti përgjegjës mund t'i kërkojë Bankës së
Shqipërisë rritjen e shkallës së mbikëqyrjes së subjektit.

Neni 27
Kundërvajtjet administrative

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 391, datë 03.03.2011)
1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e kryera nga subjektet klasifikohen si kundërvajtje
administrative dhe për to subjektet gjobiten.
2. Për rastet kur nuk zbatojnë procedurat identifikuese, monitoruese, si dhe të kujdesit ndaj
klientëve dhe transaksioneve, në bazë të rrezikshmërisë që paraqesin, të parashikuara këto sipas
neneve 4, 5, 6, 7, 8 dhe nenit 9 pikat 1 deri në 8, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në bazë të
këtij ligji, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë: nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë;
b) personat juridikë: nga 500 000 lekë deri në 1 500 000 lekë;
3. Për rastet kur nuk mbledhin të dhëna, sipas nenit 10 të këtij ligji, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë: nga 400 000 lekë, deri në 1 600 000 lekë;
b) personat juridikë: nga 1 200 000 lekë, deri në 4 000 000 lekë.
4. Për rastet kur nuk zbatojnë kërkesat e nenit 9 pika 9 dhe nenit 10 pika 3, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë: nga 500 000 lekë deri në 2 000 000 lekë;
b) personat juridikë: nga 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
5. Për rastet kur nuk zbatojnë masat parandaluese të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë: nga 300 000 lekë deri në 1 500 000 lekë;
b) personat juridikë: nga 1 000 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.
6. Për rastet kur nuk zbatojnë kërkesat për raportim, të parashikuara në pikat 3 e 4 të nenit 12 të këtij ligji, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë nga 300 000 lekë deri në 1 500 000 lekë;
b) personat juridikë nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
7. Në rast shkeljeje të kërkesave të parashikuara në nenet 15 dhe 16 të këtij ligji, subjektet gjobiten:
a) personat fizikë me 2 500 000 lekë;
b) personat juridikë me 5 000 000 lekë.
8. Përveç sa parashikohet në pikat 2, 3, 4, 5, 6, 7 të këtij neni, kur subjekti është një person
juridik dhe kundërvajtja administrative është kryer:
a) nga një punonjës ose jo administrues i subjektit, personi që ka kryer shkeljen gjobitet nga 60 000 lekë deri në 300 000 lekë.
b) nga një administrator ose drejtues i subjektit, personi që ka kryer shkeljen gjobitet nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
9. Gjobat përcaktohen dhe vendosen nga autoriteti përgjegjës.
10. Autoriteti përgjegjës informon autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse mbi sanksionet e vendosura.
11. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim procedurat e konstatimit, të shqyrtimit, të
propozimit dhe të vendosjes së masave administrative nga autoriteti përgjegjës. Procedurat e
ankimit dhe të ekzekutimit të gjobave, të vendosura me vendim të autoritetit përgjegjës, bëhen në
përputhje me ligjin “Për kundërvajtjet administrative”.
12. E drejta për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të parashikuara në këtë nen, nuk
mund të ushtrohet kur kanë kaluar 2 vjet nga çasti i kryerjes së kundërvajtjes administrative. Procedurat e ekzekutimit të masave administrative bëhen ne përputhje me nenet 510 deri 526/a të Kodit të Procedurës Civile.

Neni 28
Nxjerrja e akteve normative

1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave, brenda 6 muajve nga hyrja në
fuqi e këtij ligji, nxjerr rregulla të hollësishme për formën, mënyrën dhe procedurën raportuese të
të dhënave, në zbatim të këtij ligji, për autoritetet licencuese dhe ato mbikëqyrëse, Zyrën
Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit
dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.
2. Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i
paraqet periodikisht dhe jo më pak se dy herë në vit, autoritetit përgjegjës listën e plotë dhe të
përditësuar të personave të ekspozuar politikisht, të hartuar sipas parashikimeve të ligjit nr.9049,
datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të
zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
3. Ministri i Financave, me propozimin e autoritetit përgjegjës, nxjerr, brenda 6 muajve nga hyrja
në fuqi e këtij ligji, rregulla të hollësishme për:
a) mënyrat dhe procedurat për raportimin nga subjektet raportuese, të parashikuara në nenin 3 të këtij ligji;
b) mënyrat dhe procedurat për raportimin nga organet doganore;
c) mënyrat dhe procedurat për raportimin nga organet tatimore;
ç) standardet ose kriteret e zbatueshme dhe afatet për raportimin e veprimtarive të dyshimta,
sipas prirjeve dhe tipologjive, në përputhje me standardet ndërkombëtare;
d) procedurat e hollësishme të verifikimit për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet raportuese.

Neni 29
Dispozita kalimtare

Deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji do të zbatohen dispozitat e ligjit nr.8610, datë 17.5.2000 “Për
parandalimin e pastrimit të parave”, të ndryshuar.
Të gjitha aktet nënligjore, të dala në zbatim të ligjit nr.8610, zbatohen për aq sa ato nuk bien në
kundërshtim me këtë ligj, deri në zëvendësimin e tyre me akte të tjera nënligjore, që do të dalin në zbatim të këtij ligji.

Neni 30
Dispozitë shfuqizuese

Ligji nr.8610, datë 17.5.2000 “Për parandalimin e pastrimit të parave”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 31
Hyrja në fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5746, datë 9.6.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 3 guests