LIGJI PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR TREGTIMIN NDËRKOMBËTAR TË LLOJEVE TË RREZIKUARA TË FAUNËS DH

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR TREGTIMIN NDËRKOMBËTAR TË LLOJEVE TË RREZIKUARA TË FAUNËS DH

Postby Libraria UBT » 09 Aug 2015, 13:56

LIGJI PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR TREGTIMIN NDËRKOMBËTAR TË LLOJEVE TË RREZIKUARA TË FAUNËS DHE TË FLORËS SË EGËR - Nr.9867, datë 31.1.2008

I azhurnuar me ndryshimet e ligjeve
- LIGJI Nr. 40/2013 datën 14.2.2013.
- LIGJI Nr. 5/2015. datë 12.2.2015


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton rregullat dhe procedurat për zbatimin e dispozitave të konventës “Për
tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës dhe të faunës së egër”, në mënyrë që tregtia e
tyre ndërkombëtare të mos ua rrezikojë mbijetesën dhe të shmangë keqtrajtimet e tyre gjatë tregtimit ndërkombëtar.

Neni 2
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Konventa” është konventa “Për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës
dhe të faunës së egër” (CITES), ku Republika e Shqipërisë ka aderuar me ligjin nr.9021, datë 6.3. 2003.
2. “Konferenca e palëve” është konferenca e vendeve palë në konventë.
3. “Anekset” janë listat me llojet e florës dhe faunës së egër, që mbrohen nga ky ligj gjatë
tregtimit të tyre ndërkombëtar, të cilat janë miratuar me ligjin nr.9021, datë 6.3.2003 “Për aderimin e
Republikës së Shqipërisë në konventën “Për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës
dhe të faunës së egër” (CITES)”. Konkretisht:
a) Aneksi 1, ku janë të listuara llojet e kërcënuara me zhdukje, tregtimi i të cilave lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme;
b) Aneksi 2, ku janë të listuara llojet jo detyrimisht të rrezikuara me zhdukje, por për të cilat
duhet kontrolluar tregtimi, për të garantuar mbijetesën e tyre;
c) Aneksi 3, ku janë të listuara llojet, që mbrohen të paktën nga një shtet, i cili u ka kërkuar
shteteve të tjera palë asistencë në kontrollin e tregtimit të tyre.
4. “Lista vendase” është lista e llojeve të veçanta, vendase, të florës dhe faunës, që besohet se
janë të rrezikuara dhe meritojnë mbrojtje, sepse nuk janë përfshirë ende në anekset e konventës. Kjo
listë miratohet me urdhër të ministrit.
5. “Rezolutat e konferencave të palëve” janë marrëveshjet e shteteve palë të konventës, që
kanë të bëjnë me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të konventës.
6. “Vendimet e konferencave të palëve” janë marrëveshjet ndërmjet shteteve palë të
konventës, që përmbajnë, kryesisht, udhëzime për një komitet të veçantë, për palët ose për sekretariatin.
7. “Vendi i origjinës” është vendi ku një individ është marrë nga gjendja e egër, ku është
lindur, është shumuar në gjendje jo të lirë, është riprodhuar artificialisht ose ka hyrë nga deti.
8. “Hyrje nga deti” është formë e veçantë e sigurimit të individëve të llojeve, që merren nga
një mjedis detar (përfshirë hapësirën ajrore mbi det, shtratin e detit dhe nëntokën e tij), i cili nuk është
në juridiksionin e ndonjë shteti.
9. “Individ”, në këtë rast nënkupton:
a) çdo kafshë ose bimë, të gjallë ose të pajetë, të një lloji, të përfshirë në anekse;
b) çdo pjesë ose derivat të një individi, të një lloji të faunës ose të florës, të përfshirë në
anekse e në listën vendase, me kusht që të figurojë në një dokument shoqërues, të jetë shkruar në
paketim, në markë ose në etiketë.
10. “Zotërim dhe mbajtje në kontroll” është gjendja e robërisë së individëve të llojeve që
zotërohen dhe janë nën kontrollin e personave fizikë e juridikë.
11. “Tregtim ndërkombëtar” është çdo eksport, import, rieksport ose hyrja nga deti e
individëve të llojeve të faunës ose të florës, që mbrohen nga ky ligj.
12. “Tregti e brendshme” është çdo veprim tregtar, përfshirë shitjen, blerjen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
13. “Shitje” është çdo formë shitjeje dhe shkëmbimi.
14. “Qendër shpëtimi” është një qendër për shpëtimin e individëve, që krijohet dhe funksionon sipas dispozitave të këtij ligji.
15. “Shumim në gjendje jo të lirë”, u referohet vetëm pasardhësve, përfshirë vezët, të lindurit
ose të prodhuarit në një mjedis të kontrolluar, nga prindër, që kanë transmetuar gametet e tyre në këtë mjedis.
16. “Shtim artificial”, u referohet vetëm bimëve të rritura nga njeriu nga fara, nga prerjet,
indet, sporet apo shumimet e tjera, në kushte të kontrolluara.
17. “Leje” është dokumenti zyrtar, që autorizon importin, eksportin, rieksportin ose hyrjen
nga deti të individëve, të llojeve të listuara në anekse.
18. “Ministër” është ministri që drejton ministrinë përgjegjëse për florën dhe faunën e egër.
19. “Ministria” është ministria përgjegjëse për florën dhe faunën e egër.

Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për llojet e faunës dhe të florës, të listuara në anekset e konventës, si dhe
për ato të listuara në listën vendase, ku përfshihen llojet e faunës dhe të florës vendase, të cilat
miratohen me urdhër të ministrit. Me sugjerimin e instituteve kërkimore-shkencore përkatëse, ministri
miraton shtimin ose heqjen e një lloji të caktuar nga lista vendase.
2. Për individë të një lloji, të përfshirë më vonë në njërën nga tri anekset e konventës, personi
fizik apo juridik, që e ka në zotërim ose në kontroll, zbaton detyrimet, që burojnë nga përfshirja, 6
muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se një vit.
3. Importi, eksporti, tranzitimi, rieksporti i llojeve të florës dhe të faunës së egër, që nuk janë
të listuara në anekset e përmendura në pikën 3 të nenit 2 të këtij ligji, nuk pajisen me leje, por i
nënshtrohen kontrollit të zakonshëm doganor.

Neni 4
Ndalime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të ndaluara:
a) zotërimi dhe mbajtja nën kontroll, për qëllime tregtimi, e individëve të llojeve të listuara në anekse;
b) tregtimi, ekspozimi dhe ofertimi për shitje ose bërja të ditur publikut e individëve të llojeve
të listuara në anekse, të cilat janë importuar;
c) tregtimi ndërkombëtar i individëve të llojeve të listuara në anekse me mënyra, forma e
mjete, që nuk garantojnë trajtimin e duhur shëndetësor të tyre.

Neni 5
Prova e zotërimit

Përgjegjësia për të provuar zotërimin e një individi të një lloji të përfshirë në anekse bie mbi zotëruesin e këtij individi.


KREU II
INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE


Neni 6
Autoriteti menaxhues

1. Ministria është institucioni qendror përgjegjës për zbatimin e kërkesave të konventës, të
dispozitave të këtij ligji e të akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Drejtoria përkatëse, në përbërje të strukturës së ministrisë, për zbatimin e konventës dhe të
pikës fokale kombëtare, ka këto detyra kryesore:
a) përgatit lejet, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, të cilat nënshkruhen nga persona të autorizuar nga ministri;
b) harton kushtet e kërkesat e veçanta, që i bashkëlidhen lejes që miratohet;
c) administron të dhënat e tregut ndërkombëtar të individëve;
ç) përgatit raportin vjetor, që i paraqitet sekretariatit të konventës, sipas formatit të dërguar
prej tij, deri më 31 tetor të vitit pasardhës së vitit, të cilit i referohet raporti;
d) përgatit raportin 2-vjeçar për plotësimin e masave ligjore, rregulluese dhe administrative në
këtë fushë, që i paraqitet sekretariatit të konventës;
dh) sugjeron krijimin e një ose më shumë qendrave të shpëtimit për individë të gjallë, të
sekuestruar dhe të konfiskuar, në këshillim me autoritetin shkencor;
e) komunikon me sekretariatin dhe vende të tjera, palë në konventë, për çështje shkencore, administrative dhe zbatuese;
ë) bashkëpunon me organe të tjera shtetërore për zbatimin e legjislacionit vendas për ruajtjen e llojeve;
f) kontrollon tregun vendas, zotërimin dhe transportin e individëve të çdo lloj kafshe ose bime të listuar në anekse për qëllime tregtimi;
g) përgatit formatin e regjistrave që kërkohen nga ky ligj, të cilat miratohen nga ministri;
gj) administron regjistrat kombëtarë të llojeve të faunës e të florës, të specialistëve dhe të subjekteve të regjistruara;
h) përgatit kuotat vjetore të eksportit të individëve, të cilat miratohen nga ministri;
i) përgatit marrëveshje dy ose shumëpalëshe me vende, që krijojnë dhe zbatojnë një program
aktiv e të përshtatshëm për ruajtjen e llojeve të rrezikuara dhe të kërcënuara, të cilat nënshkruhen nga ministri;
j) monitoron lejet e eksportit, të lëshuara për individë të llojeve të listuara në aneksin 2, si dhe
eksportet aktuale të këtyre llojeve, si dhe i sugjeron ministrit masat e përshtatshme që duhen
ndërmarrë për të kufizuar lejet e eksportit, kur një gjë të tillë e kërkon gjendja e popullatës së atij lloji;
k) ndërhyn menjëherë për të parandaluar një rrezik të rëndë në mirëqenien e llojeve të rimëkëmbura.

Neni 7
Autoriteti shkencor

1. Në këshillim me universitetet përkatëse, ministri përcakton institucionet kërkimoreshkencore
për faunën dhe për florën, që do të njihen si autoriteti shkencor këshillues për zbatimin e
konventës, të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Autoriteti shkencor këshillon autoritetin menaxhues nëse:
a) një kërkesë për një eksport individi, të llojeve të listuara në anekset 1 apo 2, dëmton ose jo mbijetesën e llojit;
b) një kërkesë për një import individi, të llojeve të listuara në aneksin 1, dëmton ose jo mbijetesën e llojit;
c) marrësi i individëve plotëson kushtet për t'i mbajtur dhe për t'u kujdesur për to;
ç) individët e konfiskuar duhet të dërgohen për rehabilitim në qendrën e shpëtimit apo duhen asgjësuar.
3. Autoriteti shkencor, gjithashtu, kryen çdo detyrë, që i rekomandohet nga rezolutat e
konferencës së palëve, si dhe sugjeron masat e zgjidhjet për çështje, që ai i vlerëson të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së llojeve.

Neni 8
Specialistët e certifikuar

1. Punonjësit shkencorë të instituteve kërkimore-shkencore, të shpallura si autoritet shkencor,
specialistët e qendrave të shpëtimit dhe specialistë të tjerë të faunës e të florës pajisen me certifikatë
dhe shpallen specialistë të certifikuar.
2. Specialistët e certifikuar japin mendim, përgatisin ekspertiza, këshillojnë autoritetin
menaxhues, thirren nga organet doganore e nga gjykata, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
3. Specialistët e certifikuar shpallen nga ministri, duke u pajisur me certifikatë, në përputhje
me udhëzimin për rregullat dhe procedurat e certifikimit të specialistëve, të miratuar prej tij, ku jepen
me hollësi kërkesat e testit për specialistët e faunës e të florës, procedurat e kërkimit, të shqyrtimit e
miratimit të kërkesës, si dhe tarifa e shërbimit për t'u pajisur me certifikatë.
4. Autoriteti menaxhues administron regjistrin e specialistëve të certifikuar, i cili shpallet në
faqen e internetit të ministrisë.

Neni 9
Organet kontrolluese

Policia Pyjore dhe Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit për llojet e faunës e florës ujore, të listuara në
anekse dhe në listën vendase, janë organet kontrolluese për zbatimin e dispozitave të këtij ligji e të
akteve nënligjore në zbatim të tij.

Neni 10
Doganat

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me strukturat e veta në zonat doganore, është organi që
realizon zbatimin e dispozitave të këtij ligji e të konventës, nëpërmjet kontrollit doganor mbi importet,
eksportet rieksportet e tranzitimet e individëve të llojeve të faunës e florës, të listuara në anekse e në listën vendase.


KREU III
REGJISTRIMI DHE LEJET


Neni 11
Regjistrimi

1. Personat fizikë e juridikë, që dëshirojnë të tregtojnë, të importojnë, të eksportojnë, të
rieksportojnë individë, të llojeve të listuara në anekset e konventës e në listën vendase, të prodhojnë
kafshë të shumuara në gjendje jo të lirë, të fusin nga deti dhe të shtojnë artificialisht bimë për tregtim
ndërkombëtar, duhet të regjistrohen pranë autoritetit menaxhues.
2. Edhe institutet kërkimore-shkencore, publike dhe private, që studiojnë llojet e faunës e të
florës, të listuara në anekse, kanë detyrimin të regjistrohen pranë autoritetit menaxhues.
3. Personat fizikë dhe juridikë dhe institutet kërkimore-shkencore, publike dhe private, që
regjistrohen, shënohen në regjistrin e subjekteve, i cili administrohet nga autoriteti menaxhues.
4. Rregullat e hollësishme për aplikimin, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës për regjistrim
përcaktohen në rregulloren që miratohet nga ministri.

Neni 12
Procedurat e regjistrimit

Për t'u regjistruar, personat fizikë apo juridikë hartojnë dhe dorëzojnë në ministri kërkesën për
regjistrim dhe dokumentet shoqëruese, si më poshtë:
a) kopje të vendimit të gjykatës, që e ka regjistruar si person fizik apo juridik, për të ushtruar
veprimtarinë, për të cilën regjistrohet, ose kopje të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit,
kur kërkuesi aplikon me dokumente të miratuara nga kjo qendër;
b) deklarim personal, me përshkrim të hollësishëm të veprimtarisë që kërkojnë të kryejnë,
sipas formularëve tip të konventës.

Neni 13
Lejet

1. Eksporti, importi dhe rieksporti i çdo individi të llojeve, të përfshira në anekse dhe në listën
vendase, kryhen vetëm pasi personi fizik apo juridik pajiset me lejen përkatëse, të cilën e paraqet në organet doganore.
2. Personi fizik apo juridik nuk pajiset me leje për:
a) tranzitimin e individëve të llojeve të listuara në anekse;
b) importin dhe eksportin e individëve të llojeve të listuara në anekset 1 e 2, të cilët janë
personalë e që mbahen në shtëpi dhe nuk përdoren për qëllime tregtare, sipas deklarimit të personit, të
përcaktuar në nenin 16 të këtij ligji;
c) importin dhe eksportin e individëve të llojeve të listuara në anekse, në raste të huave
jotregtare, të donacioneve dhe të shkëmbimeve ndërmjet institucioneve shkencore dhe shkencëtarëve,
që janë regjistruar në regjistrin kombëtar.
3. Individët e llojeve të listuara në aneksin 1, që kanë lindur dhe janë shumuar në gjendje jo të
lirë ose që janë shtuar artificialisht, trajtohen në përputhje me dispozitat që zbatohen për individë të
llojeve të listuara në aneksin 2.
4. Autoriteti menaxhues njofton rregullisht Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për lejet që
jep, formatin e tyre, emrat e subjekteve të pajisura me leje, si dhe rastet e revokimit të lejeve.

Neni 14
Kushtet për marrjen e lejes për import

1. Lejet për importimin e individëve të llojeve të listuara në anekset 1 e 2, lëshohen vetëm kur autoriteti shkencor:
a) sigurohet se importimi nuk dëmton mbijetesën e llojeve përkatëse;
b) është shprehur se hyrja nuk do të ketë efekt të dëmshëm në statusin e ruajtjes së llojit dhe
në sipërfaqen e zënë nga popullatat e tij;
c) është i bindur se strehimi i parashikuar për një individ të gjallë në vendin e destinacionit
plotëson të gjitha kushtet për t'u përkujdesur dhe për ta ruajtur këtë individ;
ç) është i bindur se individi nuk do të përdoret për qëllime tregtimi;
d) ai dhe autoriteti menaxhues binden se individi do të përgatitet dhe do të transportohet në
mënyrë të tillë, që të minimizojë rrezikun e plagosjes, të dëmtimit të shëndetit dhe të trajtimit mizor;
dh) bindet se individi i caktuar nuk është përfituar në kundërshtim me këtë ligj, përfshirë edhe ligjin e vendit nga importohet.
2. Leja e importit, e hyrjes nga deti, jepet për individë të llojeve të listuara në anekset 1 e 2
vetëm kur autoriteti shkencor dhe autoriteti menaxhues binden se importi nuk ka qëllim kryesor tregtimin e këtij individi.

Neni 15
Kushtet për marrjen e lejes për eksport dhe rieksport

Lejet për eksportimin dhe rieksportimin e individëve të llojeve të listuara në anekse lëshohen vetëm kur autoriteti shkencor:
a) ka deklaruar me shkrim se kapja dhe mbajtja e individëve të llojeve në gjendje të egër dhe
eksporti i tyre nuk ka efekt dëmtues në statusin e ruajtjes së llojit dhe në sipërfaqen e zënë nga popullatat e tij;
b) bindet se individët e llojeve, që nuk janë të listuara në aneksin 1, nuk do të përdoren për qëllime tregtimi;
c) së bashku me autoritetin menaxhues binden se individët kanë hyrë në territorin e vendit në
mënyrë të ligjshme përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të konventës, ose kanë hyrë në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
ç) bindet se individi, që do të rieksportohet, është importuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të konventës.

Neni 16
Kushte të përbashkëta për marrjen e lejes së importit e të eksportit

1. Individë të llojeve të faunës, të listuara në anekset 1 ose 2, të cilët janë shumuar në gjendje
jo të lirë, mund të tregtohen vetëm nëse veprimtaria për shumimin e tyre është e regjistruar nga
autoriteti menaxhues dhe nëse individët janë matrikulluar në mënyrë që të jetë i pamundur ndryshimi
apo modifikimi i tyre nga persona të tretë.
2. Autoriteti menaxhues, pas këshillimeve me autoritetin shkencor bindet se për ruajtjen e
llojit nuk ka faktorë të tjerë, që ndikojnë negativisht në lëshimin e lejes.
3. Autoriteti menaxhues bindet se çdo dërgesë e llojeve të gjalla, që importohet, eksportohet
ose rieksportohet, është në përputhje me udhëzimet për transportin e kafshëve të gjalla, publikuar nga
sekretariati i konventës. Në rast transporti ajror, bindet se çdo dërgesë e llojeve të gjalla është në
përputhje me botimin e fundit të rregulloreve të shoqatës ndërkombëtare të transportit ajror për kafshët
e gjalla dhe se dërgesa do të përgatitet dhe do të udhëtojë në mënyrë të tillë, që minimizon rrezikun e
plagosjes, të dëmtimit të shëndetit ose trajtimin e papranueshëm të tyre.
4. Personi fizik apo juridik kërkon dhe pajiset me leje edhe kur do të importojë apo eksportojë një individ të vetëm.
5. Leja nuk mund t'i transferohet një personi tjetër, të ndryshëm nga ai, në emër të të cilit është lëshuar.

Neni 17
Aplikimi

1. Çdo aplikant, që kërkon një leje për llojet e listuara në anekse, paraqet një aplikim me
shkrim në ministri, së bashku me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj.
2. Kërkesa për një leje importi për individë të llojeve të listuara në anekse përmban:
a) adresën e dërguesit dhe të marrësit;
b) përshkrimin e llojeve, statusin e mbrojtjes dhe sasinë e individëve, që kërkohen të importohen;
c) datën dhe kohën e pritshme të kalimit të kufirit dhe zonën doganore të kalimit;
ç) përshkrimin e kushteve të transportit, të cilat zbatohen për individët e gjallë;
d) përshkrimin e kushteve, ku individët e gjallë të importuar do të vendosen dhe do të qëndrojnë.
3. Kërkesa për leje importi shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:
a) kopje të lejes së eksportit ose të rieksportit, të lëshuar paraprakisht nga autoriteti menaxhues i shtetit eksportues;
b) kopje të vendimit të gjykatës, që ka regjistruar personin fizik apo juridik për të kryer këtë veprimtari;
c) certifikatë mjekësore për individë të gjallë të llojeve bimore e shtazore;
ç) fotokopje të dokumentit të identitetit të kërkuesit;
d) fotokopje të dokumentit të regjistrimit të personit në regjistrin e autoritetit menaxhues;
dh) një deklarim me shkrim të personit se individi importohet për qëllime tregtimi ose për përdorim vetjak.
4. Kërkesa për leje eksporti shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:
a) dokumentin që vërteton origjinën e individit;
b) fotokopjen e dokumentit të regjistrimit të personit në regjistrin e autoritetit menaxhues;
c) fotokopjen e dokumentit të identitetit të kërkuesit;
ç) dokumentin që provon se shteti pritës është dakord me importimin;
d) kur leja kërkohet për një individ të shtuar në gjendje jo të lirë, edhe një përshkrim të
shkurtër të llojit bimor ose shtazor, që tregon origjinën e individit në fjalë dhe numrin e gjeneratës gjenetike të tij;
dh) deklarimin me shkrim të personit, që vërteton se individi eksportohet për qëllime tregtimi ose për përdorim vetjak.
5. Kur autoriteti menaxhues, në bashkëpunim me autoritetin shkencor, vëren mangësi në
dokumentet e paraqitura, i kërkon aplikantit dokumente shtesë.

Neni 18
Kushtet e lejes

1. Leja shoqërohet me kushte e kërkesa të veçanta, të detyrueshme, të cilat mbrojnë individët
nga keqtrajtimet e dëmtimet gjatë importit, eksportit dhe rieksportit.
2. Kushtet e lejes hartohen në përputhje me kërkesat konkrete të konventës, të rezolutave e të
vendimeve të konferencave të palëve dhe miratohen bashkë me lejen, si pjesë të saj.

Neni 19
Afatet e miratimit

1. Brenda tri ditëve pune pas marrjes së aplikimit për lëshimin e një lejeje importi ose
eksporti për individët e llojeve të listuara në anekse, autoriteti menaxhues kërkon mendim nga
autoriteti shkencor, i cili i përgjigjet me shkrim brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së saj. Ky
afat është i vlefshëm edhe kur nevojitet një ekzaminim në vend, i cili kryhet nga specialistë të certifikuar.
2. Leja lëshohet brenda 15 ditëve pune pas datës së dorëzimit të aplikimit.

Neni 20
Vlefshmëria

1. Lejet e eksportit dhe të rieksportit janë të vlefshme për një periudhë 6-mujore nga data e lëshimit.
2. Leja e importit për individë të llojeve të përfshira në ankeset 1 e 2 është e vlefshme për një periudhë 12-mujore nga data e lëshimit.

Neni 21
Revokimi

Ministri revokon, në çdo kohë, çdo leje të lëshuar, kur provohet se është lëshuar si rezultat i
deklaratave të pavërteta ose me qëllim mashtrues të aplikantit.

Neni 22
Pavlefshmëria

Leja vlerësohet e pavlefshme kur:
a) autoriteti menaxhues zbulon se është lëshuar në kundërshtim me legjislacionin e një vendi
të huaj, me konventën ose me rezolutat dhe vendimet e konferencës së palëve;
b) autoriteti menaxhues provon se mbajtësi i lejes nuk ka përmbushur ndonjërën nga kushtet e përcaktuara në leje ose certifikatë;
c) ka mbaruar afati i vlefshmërisë së saj;
ç) mbajtësi i lejes, person fizik, vdes, ose person juridik, pushon së ekzistuari.

Neni 23
Tarifat

1. Personat fizikë dhe juridikë që pajisen me leje, si dhe ata që regjistrohen, paguajnë një
tarifë shërbimi, e cila derdhet në llogarinë e ministrisë përgjegjëse, në fillim të procedurës së aplikimit
dhe është e pakthyeshme, pavarësisht nëse jepet apo jo leja ose regjistrimi.
2. Ministri miraton udhëzimin për caktimin e tarifave të shërbimit për pajisjen me leje dhe për regjistrim.

Neni 24
Formatimi

1. Organet shtetërore, personat fizikë e juridikë veprojnë me dokumentacion standard dhe të
formatuar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
2. Ministri miraton:
a) formatin e kërkesës për regjistrim, si dhe formatin e kërkesës për t’u pajisur me leje;
b) formatin e lejeve për import e për eksport;
c) formatin e regjistrave, ku hidhen të dhënat nga personat fizikë e juridikë, të pajisur me leje;
ç) formatin e kërkesës për të dhënat, që raportojnë personat e regjistruar e të pajisur me leje;
d) formatin e regjistrit të ekspertëve të certifikuar.
3. Formatet hartohen në përputhje me modelet e parashikuara nga konventa e nga rezolutat e konferencave të palëve.


KREU IV
MONITORIMI


Neni 25
Monitorimi

1. Monitorimi i gjendjes së llojeve të listuara në anekse, i importit, eksportit, tranzitimit e i
futjes nga deti të individëve të tyre, i veprimtarive të shtimit artificial të bimëve e të shumimit, në
gjendje jo të lirë, të kafshëve, për qëllime tregtimi e importimi, është pjesë e programit të
biomonitorimit, që hartohet e zbatohet nga ministria përgjegjëse dhe miratohet nga ministri.
2. Monitorimi i gjendjes së llojeve të listuara në anekse, i importit, eksportit, tranzitimit e i
futjes nga deti të individëve të tyre, i veprimtarive të shtimit artificial të bimëve e të shumimit, në
gjendje jo të lirë, të kafshëve, për qëllime tregtimi e importimi, ka të bëjë me:
a) përcaktimin e gjendjes së llojeve të listuara në anekse, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij
ligji dhe përditësimin e të dhënave për gjendjen e këtyre llojeve çdo 3 vjet;
b) evidentimin, çdo vit, të kërkesave për import, eksport, futjen nga deti e për tregtim të
individëve të llojeve të listuara në anekse, që kryhet nga autoriteti menaxhues;
c) identifikimin e veprimtarive, që synojnë shumimin, në gjendje jo të lirë, të kafshëve ose
shtimin artificialisht të bimëve, me qëllim tregtimi e importimi, që kryhet nga autoriteti menaxhues;
ç) mbikëqyrjen e veprimtarisë së qendrave të shpëtimit, i cili kryhet nga personeli i qendrës;
d) mbikëqyrjen efektive nga autoriteti menaxhues, në bashkëpunim me Agjencinë e Mjedisit
dhe të Pyjeve, për jo më pak se 5 vjet, të rimëkëmbjes së llojeve, ndaj të cilave nuk është e nevojshme
marrja e masave, sipas parashikimeve të këtij ligji, sepse ato mund të dalin në anekse.
3. Për realizimin e synimeve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni autoriteti menaxhues, në
bashkëpunim me autoritetin shkencor, me doganat e me Agjencinë e Mjedisit dhe të Pyjeve, ndërton
dhe zbaton një sistem të detyrueshëm monitorimi, i cili miratohet nga ministri.

Neni 26
Të dhënat dhe raportimi

1. Personat e regjistruar pranë autoritetit menaxhues për tregtimin, shumimin, në gjendje jo të
lirë, të kafshëve ose shtimin artificial të bimëve, për qëllime tregtimi e importimi, mbajnë të dhëna për
to dhe për çdo transaksion që realizojnë me to në regjistrin e të dhënave.
2. Autoriteti menaxhues inspekton, në çdo kohë, mjediset ku kryhen veprimtaritë e
përmendura në pikën 1 të këtij neni, si dhe verifikon të dhënat e shënuara në regjistër për personat e regjistruar.
3. Personat e regjistruar i raportojnë Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve të dhënat, që mbajnë në
regjistër, brenda 20 ditëve nga data e kërkesës së kësaj agjencie.


KREU V
KONTROLLI DOGANOR


Neni 27
Zonat doganore

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përcakton zonat doganore, ku lejohen eksportet dhe
rieksportet e individëve të llojeve të listuara në anekse, si dhe importet, tranzitimet apo hyrjet nga deti
të individëve të llojeve të faunës e të florës, të listuara në anekse.

Neni 28
Kontrolli

1. Autoritetet e doganave ushtrojnë kontrollin doganor për importet, eksportet dhe rieksportet
e personave fizikë dhe juridikë, që synojnë të fusin ose të nxjerrin individë të llojeve të listuara në
anekse, si dhe në listën vendase në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Organet doganore, në përputhje me legjislacionin doganor:
a) kontrollojnë nëse ngarkesa (dërgesa) shoqërohet me lejen dhe dokumentet përkatëse, siç
parashikohen në nenet 14 deri në 16 të këtij ligji;
b) specialistët veterinarë dhe fitosanitarë, në përbërje të organit doganor, përcaktojnë, brenda
një ore, nëse individët po transportohen, në përputhje me kërkesat e përshkruara në leje;
c) verifikojnë numrin faktik të individëve, në raport me atë të përcaktuar në lejet e importit, eksportit ose të rieksportit;
ç) brenda pesë ditëve dorëzojnë në ministri një kopje të lejeve të importit dhe të eksportit, të kontrolluara.

Neni 29
Masat

1. Autoritetet doganore, kur vërejnë shkelje të kërkesave të këtij ligji apo kur dyshojnë për shkelje të tilla, vendosin:
a) mospranimin e importimit apo të eksportimit dhe kthimin e ngarkesës e të mjetit në vendin e origjinës apo në vendin nga ka ardhur;
b) lajmërojnë menjëherë ministrinë, e cila dërgon inspektorët e autorizuar nga ministri për të
zgjidhur çështjen dhe, kur verifikohet shkelje, sigurojnë vendosjen e individit në qendrat e shpëtimit.
2. Inspektorët dhe qendra e shpëtimit bashkëpunojnë me autoritetet doganore për zgjidhjen e
çështjeve, sipas pikës 1 të këtij neni dhe për të marrë një vendim të bazuar ligjërisht.

Neni 30
Trajtimi në qendrën e shpëtimit

Individët e sekuestruar ose të konfiskuar, para se të lëshohen në jetën e egër, trajtohen
paraprakisht në qendrën e shpëtimit. Krijimi dhe funksionimi i qendrës së shpëtimit bëhen me dispozita të veçanta ligjore.

Neni 31
Dispozita financiare

1. Shpenzimet e kryera nga institucionet buxhetore për zbatimin e dispozitave të këtij ligji
përballohen nga buxheti i miratuar për këto institucione.
2. Tarifat dhe gjobat e paguara, sipas këtij ligji, derdhen në Buxhetin e Shtetit dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.
3. Çdo kontribut vullnetar nga individë apo organizata për ruajtjen e jetës së egër trajtohen si të
ardhura për institucionet ku ato krijohen.


KREU VI
SANKSIONET


Neni 32
Kundërvajtjet administrative

1. Kur shkeljet e përmendura më poshtë nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim kryesor me gjobë
a) importi, eksporti ose rieksporti i çdo individi të një lloji të listuar në anekse me leje false, të
pavlefshme ose të ndryshuar pa miratimin e ministrit, nga 70 000 deri në 100 000 lekë;
b) zotërimi, ofrimi ose ekspozimi për shitje, si dhe reklamimi në publik i çdo individi të një
lloji të listuar në anekse, nga 10 000 deri në 15 000 lekë;
c) mosregjistrimi i personave fizikë apo juridikë, sipas kërkesave të nenit 11 të këtij ligji, nga 10 000 deri në 15 000 lekë;
ç) refuzimi, kundërshtimi dhe pengimi i grupit të kontrollit apo i inspektorit të autorizuar në
kryerjen e detyrave, nga 30 000 deri në 50 000 lekë;
d) ndryshimi, dëmtimi ose fshirja e vulës së autoritetit menaxhues, nga 10 000 deri në 15 000 lekë;
dh) deklarimi i rremë, në kundërshtim me nenin 16 të këtij ligji, nga 70 000 deri në 100 000 lekë;
e) deklarimi i rremë ose dhënia e informacioneve të rreme, për të siguruar një leje, nga 70 000 deri në 100 000 lekë.
ë) mosplotësimi i kërkesave e i kushteve të përcaktuara në leje, nga 10 000 deri në 15 000 lekë;
f) transporti i individëve të gjallë, në kundërshtim me kërkesat e pikës 3 të nenit 15 të këtij ligji, nga 10 000 deri në 15 000 lekë.
2. Kur kundërvajtja përsëritet brenda 1 viti kalendarik, gjoba vendoset sa dyfishi i gjobës së përcaktuar për atë shkelje.
3.Krahas dënimit kryesor me gjobë, mund të vendosen edhe dënimet plotësuese të heqjes së lejes ose sekuestrimit të parashikuar në nenin 34 të këtij ligji .

Neni 33
Kontrolli

1. Kur inspektori i Policisë Pyjore ka prova të mjaftueshme të një kundërvajtjeje, në zbatim të
funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligjin nr.9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe
shërbimin pyjor”, të ndryshuar, ndalon personin e dyshimtë dhe konfiskon çdo objekt, që lidhet me kundërvajtjen e dyshuar.
2. Inspektori i Policisë Pyjore:
a) hyn dhe ushtron kontrolle në territore, ndërtesa e mjete transporti, për të cilat ai dyshon se
mbahet një individ në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji;
b) ekzaminon individin e transportuar, të marrë ose të tregtuar në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji;
c) ekzaminon çdo të dhënë, që është mbajtur për individët, objekt kundërvajtjeje;
ç) konfiskon individin, si dhe çdo send, që e gjykon se është objekt i një kundërvajtjeje ose mjet, me të cilin është kryer kundërvajtja.
3. Shpenzimet e bëra si rezultat i ndalimit, përfshirë shpenzimet e kujdestarisë, të transportit
dhe të asgjësimit të individëve ose të mirëmbajtjes së kafshëve të gjalla dhe të bimëve, gjatë kohës së
ndalimit, mbulohen nga kundërvajtësi. Urdhri i ministrit për pagimin e tyre përbën titull ekzekutiv.

Neni 34
Sekuestrimi

1. Në të gjitha rastet, individët, që janë objekt i një kundërvajtjeje, sekuestrohen.
2. Kur një person është dënuar për një kundërvajtje, sipas këtij ligji, atëherë sekuestrohet,
gjithashtu, çdo kafaz, kontenier, varkë, aeroplan, makinë ose artikuj dhe pajisje të tjera, me anë të të cilave është kryer kundërvajtja.
3. Individët e sekuestruar, sipas dispozitave të këtij ligji, mbeten pronë e autoritetit
menaxhues, i cili, në këshillim me autoritetin shkencor dhe në përputhje me kriteret e miratuara në
udhëzimin e ministrit, vendos dërgimin e tyre në qendrën e shpëtimit ose asgjësimin e tyre përfundimtar.

Neni 35
Dokumentimi

1. Procesi i inspektimit dhe dënimit të shkeljeve bëhet në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
2. Të drejtën e vendosjes së gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 31 të këtij ligji, e kanë inspektorët e Policisë Pyjore, inspektorati që mbulon fushën e peshkimit.


Neni 36
Shqyrtimi dhe ankimi

Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin


Neni 37
Pagimi i gjobës

Gjoba paguhet brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit të formës së prerë. Pas kalimit të këtij afati, personi paguan një kamatë në masën 2 për qind të vlerës së gjobës për çdo ditë për një afat deri në 30 ditë. Me kalimin e këtij afati zbatohen dispozitat në fuqi për kundërvajtjet administrative.


Dispozitë kalimtare te (LIGJ Nr. 40/2013 datën 14.2.2013.)
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.


KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 38
Aktet nënligjore
Ngarkohet ministri që, në zbatim të neneve 3 pika 1, 7 pika 1, 8 pika 3, 11 pika 4, 23 pika 2,
24 pika 2, 25 pika 3 dhe 34 pika 3, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 39
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5620, datë 14.2.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Shenim: Botuar ne Fletoren Zyrtare Nr. 18, 19 Shkurt 2008

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Pyjet dhe Kullotat”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest