Kuzhina arbëreshe, me prejardhje dhe në vijimësi me kuzhinën mbarëshqiptare

User avatar
Prof. Dr. Andrea Shundi
Posts: 1
Joined: 19 Jul 2019, 15:55
Vendodhja: Tirane/ New York
Profesioni: Agronom
Puna qe ben: Studiues
Rreth Jush: Prof. Dr. Andrea Shundi ka veprimtari eksperimentuese, studimore dhe praktike në agronomi nga viti 1956 e në vazhdim.
Bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore, kryespecialist në institucione dhe ekonomi bujqësore të rretheve Kukës, Lushnjë, Tiranë.
Drejtor i drejtorisë së punës shkencore në Ministrinë e Bujqësisë’’, kryeredaktor i ‟Buletini i Shkencave Bujqësore’’, ligjërues akademik dhe dekan i fakultetit të agronomisë në UB Tiranë, sekretar shkencor i seksionit të shkencave natyrore-teknike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktor i revistës ‟The Albanian Journal for Natural and Technical Sciences’’, anëtar i redaksisë së bujqësisë dhe hartues i një varg artikujve në ‘’Fjalor Enciklopedik Shqiptar’’ (1985 dhe 2008).
Nga viti 1998 jeton në SHBA, me veprimtari studimore dhe botuese të begatë, atje dhe në Shqipëri e Kosovë.
Shquhet me botimin e 43 librave dhe në vitet 2000 spikatin: ‘’Bujqësia dhe veprimi agronomik në troje shqiptare’’, ‟Veprimtaria praktike’’, ‟Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare’’, ‟Fjalor shtjellues për vreshtarinë dhe verëtarinë’’, albumi ‟Vreshta dhe kantina shqiptare’’, ‟Wisdom fron vine and wine’’, ‟Prodhimi foragjer në zonën e ftohtë’’, ‟Jetë agronomike’’.
Ka kumtuar në 61 tubime teknike e shkencore në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare përfshirë pesë seminaret ndërkombëtare të organizuara nga VCR-Itali; bashkëorganizues i dy konferencave për shkencat bujqësore (Tiranë 1975 dhe 1991); bashkëorganizues i nëntë seminareve mbarëkombëtare për vreshtarinë-verëtarinë (2002-2010) që janë zhvilluar në Shqipëri e Kosovë.
Nderuar me Urdhërin ‟Mjeshtër i Madh i Punës” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Hobi: Studime te avancuara ne fushen e teknologjise se ushqimit, gastronomise

Kuzhina arbëreshe, me prejardhje dhe në vijimësi me kuzhinën mbarëshqiptare

Postby Prof. Dr. Andrea Shundi » 19 Jul 2019, 16:12

“REINVENTING ALBANIAN CUISINE” (Tiranë, 18 shtator 2018)

“Kuzhina arbëreshe, me prejardhje dhe në vijimësi me kuzhinën mbarëshqiptare”
(Rrezatime nga libri “E(t)nogastronomia Arbëreshe”, Tiranë 2016)
Prof. Dr. Andrea Shundi

Kuzhina arbëreshe është ndër tre shtyllat themelore të identitetit të Arbërisë, krahas gjuhës dhe veshjeve arbërore. Arbëreshët përgjërohen e përdëllehen, kalojnë në hyjnizim të enogastronomisë së tyre sepse është edhe dëshmuese identiteti e prejardhjeje! Kuzhina arbëreshe bën pjesë në visarin e dietës mesdhetare. Arbëreshët thonë se “Enogastronomia jonë shërben në ‘mullirin’ që bluan e ndihmon për ruajtjen dhe përmirësimin e vlerave, si edhe të lidhjeve me Mëmëdheun”. Shprehja ‘pëlhurë e jo çarçaf’ përshtatet për enogastronominë arbëreshe sepse dëshmon thurje shpirtërore-materiale-kulturore të traditës shqiptare. Ajo i ka kaluar caqet etnike dhe ka marrë përmasa universale, ecën në paralele të përbashkëta me kuzhinën mesdhetare. Mbajmë parasysh se kemi të bëjmë me deri 600 vjet mbijetesë, me veprimtari të trashëguar përmes 25 brezash arbëreshësh.
Në këndvështrimin e këtij eventi shumë domethënës që synon shpërfaqje më të plotë të kuzhinës shqiptare, dëshiroj që ndërlidhjet dhe ndikimet e ndërsjella, afrimet dhe dallimet me kuzhinën arbëreshe, t’i shtjelloj në katër drejtime:

A. Rrënjë të përbashkëta

-Gatime shumë të larmishme për nga: përbërja dhe mënyrat e gatimit të përditshëm, ngjarjet dhe të kremtet familjare-fetare-mbarëarbëreshe dhe shqiptare, emërtimet e këtyre gatimeve. Të gjitha këto shpërfaqen si më poshtë:

-Përbërja mbizotëruese te gatimet: brumërat (makarona/16 lloje dhe bukëra/20 lloje shtëpiake), bishtajore kokërr (fasule, bathë, bizele, qiqra, thjerrëza, lupin i ëmbël), mish (derku, qengji, keci), sallamëra (kapkoll, likëngë, ‘ndujë, pursuit, saucice), vezë, salcë domatesh, liakra (çikore, burdullak, lakra të egra, labotë, lëpjetë, nenëz), perime dhe fruta të freskëta por edhe të terura, bulmetëra prej qumështi delesh e dhish, kërpudha, vaj ulliri, merikotë, mjalt, spec djegës, erëza (borzilok, dafinë, majdanoz, rigon, rozmarinë, sherebelë), ëmbëlsirat mëse të shumëllojshme dhe shumëngjyrëshe, dhe mbi të gjitha - verë shtëpiake!

-Struktura ditore e gatimit dhe e ngrënies arbëreshe: mëngjesimi (ngrënie herët, me ushqim kalorifik), drekimi (ngrënie në mesditë, me ushqim mesatar), darkimi (ngrënie jo vonë, me ushqim të lehtë).

-Gatesa më tipike arbëreshe, me rrënjë shqiptare:

KULAÇ (Bukë dhe ëmbëlsirë, simbol mirësie familjare dhe I botës arbëreshe: K. arbëresh, K. i madh dasme, K. i ngurtë/Kacupa, K. me kështenja, K. me miell misri, K. Pashke – Në Shqipëri: K. i Ditës së Verës, Poganiku i lindjes së fëmijës etj.),
DROMËSA –THËRRIME MIELLI dhe DROQE/Makarona në trajtë kubash të vegjël (D. me kimë, D. me likëngë, D. me suket mishie),

GJIZË sidomos e freskët (me të: mëngjesohet, përgatiten paragjellë, fërgesa, gjellë dhe ëmbëlsira; - Gjizë e njomë, Gj. ka fishela/kaçilja, Gjimave, Lakror me gjizë, Kasolle me gjizë, Mish i lidhur mbushur me gjizë, Qofte gjize, Udhosë/djathë e gjizë në trajtë topthi),

MUSTARDË RRUSHI, një lloj pelte që përdoret për të: mëlmuar/lyer bukën, ndrequr sallatat gjethore dhe disa paragjellë, gatuar ëmbëlsira. Përgatitet duke përdorur edhe sinap, në ngjashmëri me hardallinë (bima e sinapit quhet hardall) ose dukagjinen – musht ose verë, që pritet me fara sinapi të saposhtypura.

PETULLA (P. arbëreshe, P. të ëmbla, Petuga + verë),

PËRSHESH (P. Mashqitan, P. me verë – P. me lëng qëngji a gjel deti etj.),

PITE (7 lloj pitesh me: drudëza/cingaridhe, gjizë, sausice, rigon, rrush të terur, llishu/vezë, Shën Mërtiri),

GLIAKLUAR/LAKROR (me: mishra të përzier, liakra, udhosë e gjizë etj.),

BUKË VALT/BUKËVALE (kulaç ëmbëlsirë me rrush të terur, përsheshet në gjalp të shkrirë te uji i nxehtë; paraqiten 20 lloje bukësh).

B. Filozofi e kuzhinës arbëreshe dhe tregues nga libri “E(t)nogastronomia Arbëreshe”

“Ngrënia është të besosh në fé” shkruhet në Bibël. Këtë botëkuptim, arbëreshët e shtrijnë edhe te përkushtimi i amvisës dhe i kuzhinierit, si edhe te mikpritja e shoqëruar me ushqimin më të përzgjedhur.

Në bashkësinë arbëreshe ende gjallojnë traditat, ritet, kulti i ‘triesës’ – “Mjafton buk e ver dhe triesa quhet e shtruar”. Tryeza përdoret për ngrënie përherë së bashku, si edhe për kuvendime e haré familjare dhe me miq. Mikpritja shoqërohet me bujari madje deri në mbrojtjen e mikut.

Origjinaliteti i kuzhinës arbëreshe shpërfaqet te gatimet: të brumit (lloj bukësh dhe kuleçësh të panumërt, makaronash-18, grurit të zier, lakrorëve, petullave, piteve, qullit me merikotë e arra), lëng/supë mishi arbëresh, likëngë/salsiçe-suxhuk arbëresh, mishra arbëreshe, mustacuall arbëresh, qiqra arbëreshe, sallatë arbëreshe, tumac shpie Skanderbek, rrashkatjelt Skanderbeg, deri te mëse 100 lloje ëmbëlsira. Mbizotërojnë dukshëm gatimet me zierje ose me pjekje në furrë. Pak tigan e skarë.

“Fle, pi klumësht e kafe” – “Bed and Breakfast”, në çdo Komunë arbëreshe veprojnë disa biznese të tilla, ku shërbehen edhe gatesa e ëmbëlsira arbëreshe.

Kamastra, Kapazuni, Kuparriqi, Pagjara, Poçja me vegsh janë gjithashtu simbole të enogastronomisë arbëreshe.

Epitete për gatime arbëreshe të përcaktuara nga specialistë dhe opionioni publik në Itali:

Dromësa – “Lule në syth e enogastronomisë arbëreshe”

Dromësa me likëngë – “Arkeologji gastronomike arbëreshe”

Kulaçi i madh i dasmës – “Ëmbëlsira e zonave rurale”

Kangariqra, Kothra e vé – “Mëngjesim i bariut”

Tasqebap me liakra – “Tasqebap pranvere”

Shënojmë se disa gatesa arbëreshe (droqet, kulaçi, shtridhëlat, tarallet) janë të dokumentuara në Listën e ushqimeve dhe gjellëve tradicionore të rajoneve të Italisë. Këtë Listë-Regjistër, këtë lloj kadastrimi vërtetësues/certifikues dhe nxitës të kulturës enogastronomike, synohet ta kryejmë edhe për gatesat e mirëfillta mbarëshqiptare.

Tregues me shifra për librin “E(t)nogastronomia Arbëreshe”: 610 lloje gatimi dhe receptura, 31 venari-restorante-resorte arbëreshe, 26 kultivarë hardhie vendëse, fjalorth me 1255 terma e sinonime – 600 fjalë të urta – 120 tradita e zakone për enogastronominë arbëreshe. Ndër to, spikatin emërtimet, dëshmi të gatesave dhe ëmbëlsirave të moçme, që u kanë qëndruar shekujve dhe janë në traditë, të tilla si:

-Paragjellë (sallatëra, supëra) dhe Brumëra (235 lloje): Çkore t’diganistra, Çorbë arbëreshe, Gjimave, Lëng mishi arbëresh, Liakra me fasule-kothra-ndulë, Loza/fasule të ziera në poçe balte, Pepra krushkull, Sallatë arbëreshe, Sallatë rëshjeli/carangthi të egër, Supë arbëreshe, Supë me liakra. Brumi/Makarona me thjer, Buk’e mbushur, Cingul/makarona shtëpiake e liakra, Çiçiarat/Qiqërore, Dromësa, Droqe, Fletaz me klumesht, Gërvishtlje, Grur e trokomel, Lagane me klumesht, Lalëzot, Pepeqe, Peta t’bardha, Petulla, Pite, Qull me arra, Ris me grur, Strangule, Shtridhëla, T’plotët, Tumac shpie Skanderbek (20 lloj tumace).

-Gatesa me mish, Gatesa me perime (143 lloje): Ciamuruçed i pjekur më tavë, Gjak i tiganisur, Ludunele, Kaciq te graza me dafin, Lepur me ver t’bardh, Mish’i lidhur mbushur me gjiz, Mish ljepuri me ftonj, Mishra arbëreshe, Ndula, Pifti, Qofte në limon, Stufatjel me brinjaz derku, Verdhetë

-Gatesa me perime, bishtajore kokërr, këpudha (73 lloje): Bath me çkore, Çkorja me fasule e ‘ndujë, Fasule me ndul e kungull, Groshe me çkore e sausice, Groshe te poçja, Kimë groshe, Kungull me qumësht, Kutunjë t’bardha, Luljekuq ma fasulje, Maku, Mullanxhana ka Shën Murtiri, Ngjambara, Omëletë me hithra, O. me kulpër t’bardh, Pepra krushkull me vé, P. me saucic-kështenja-shege, Pjakizë, Poçe Falkunare, Qiqra arbëreshe, Shkapixhë, Verza me fasule-kothra-ndulë.

-Peshk, Sallamëra (50 lloje): Bakalla me sënap, Merluc me sënap, Ngjale lumi, Pishk saucë, Sardele me dromsa, Toptha. Sallamëra: Kapkol, Likëngë, ‘Nduja, Pakë, Sanxheri, Saucice (10), Supërsat posht hirit.

-Ëmbëlsira, Fruta të përpunuara (112 lloje): Betulla/Topthe, Bukiçelet e Shin Kollit, Bushkavune, Çiçi arbëreshe, Dardha me mjal, Gagane, Kanaleta, Kanarikulla, Kanojë, Kasolle me gjiz, Kraviqe Shin Vlashi, Kruxhiqe, Kukulliq Pashke, Loshka, Merikotë, Mjat’e fiqve, Mostopitë, Mustacuall arbëresh, Mustardë rrushi-fiku-dardhe, Nakatole, Nusesi, Nxhineta Pashke, Panare arbëreshe, Pastezote, Peta, Petulla kështenjash, Petulleje, Pulza Pashke, Pupeqe për Karnavalet, Qenullile, Qiqarata, Riganat arbëreshe, Riganellet e gjyshes, Shportëza, Tarele (“Nuk ka të kremte e dasmë pa tarele e ver, nuk quhet kantin shpe pa tarele e ver”), Xhurxhullé.

-Menu (9):

.Tipësore kuzhine arbëreshe në Kalabri: Paragjellë (djathëra qumështi delesh, saucice, supërsatë), Pjata të para (Shtridhëla me fasule, Kordhëza keci me patate të ziera+erëza), Pjata të dyta (Kaciq me patata të pjekur në furrë), Fruta (Portugalje të Kallabrisë), Verëra (Muskat, të Pullinit, të Fermës).

.Tipësore dasme të Garafës: Lëng/Supë pule e brupetina/qoftëza mishi pule. Tumace me brupetina, Mishra shqerre+kaciqi+derku me sallatë perimesh, Vrashiolle/Bërxolla e liakra, Nakatolle/Ëmbëlsira me ver, Fiq të freskët-portokalla-mandarina, Verëra shtëpiake me mbushullim.

.Tipësore për “Dreka e Vëllamjes”: Paragjellë e pjata të para (djathëra+mjalt, sallamëra, sausice, kapkoll, ullinj, lëng mishi me qofte gjize, tumace me kimë mishi keci), pije tretëse – lëng limoni me ujë e sheqer), Ngrënia kryesore (kordhëzakeci, mëlçi derku, vezë omëlet me hithra, gjizë, sallamëra, sallatë me speca-patëllxhana-domate), Ëmbëlsira (kryqëza/gërsheta me fiq të terur, nxhineta), Fruta të shumëllojshme, Verëra të ndryshme + një gotë teke me raki për tretjen e ushqimeve
.
.”13 gjellët për Shën Sep/Zef” (19 mars, Gjellë devotshmërie, pa mish e bulmet): Bukëza e kuleçë të Shën Sepit, Sallatë marule pambukore, Pampashún/Qepujka të egra, Shtridhëla, Liakra të ndrequra me vaj ulliri e erëza, Fai kulla sarde/Pure bathësh me sardele, Munjúlle/Lulelakra të ndrequra me vaj ulliri e piper, Cicir e fasul/Qiqra me fasule, Ngjala lumi të skuqura, Stokapesh/Merluc me suk dhe ris, Masa/Jufka të ndrequra me qiqra, Makarrun me mudikë/grimca buke të fërguara dhe mjalt, Kartedate të fërguara-ëmbëlsirë, Zepullet me krem e të skuqura-ëmbëlsirë.

-Kalendar vjetor i kuzhinës arbëreshe:

Dhjetor-Janar, ’palca e dimrit’ dhe kremtimet për Krishtlindje e Vitit të Ri: gatime mishi derri shtëpiak dhe ëmbëlsira shumëllojëshe, brumëra sidomos shtridhëla e hollonjëra, perime të terura dhe rrënjore, bishtajore kokërr, verë me mbushullim.

Shkurt, kremtim i Karnavaleve, gatesa të posaçme dhe dëfrime kulmore: sallame-persuit e supërsat, sallatë me perime, djathë e gjizë shtëpiake, ullinj tryeze, bukë e thekur e lyer me vaj ulliri e rigon, filille/makarona shtëpiake, mish derku në skarë, mish dhe përbrendëse keci në furrë, fruta dhe arrore, pupeqe/ëmbëlsirë arbëreshe, bukëvale e petulla.

Mars-Prill që përkon me Pashkën: rrashkatjelt me shumë kimë mishi qengji, mish shtierët/shterur në valt/vaj ulliri dhe shuar me verë, kulaç, nuseset/ëmbëlsirë dhe tortëna. Në mars fillon prodhimi i gjizës së re nga qumësht delesh.

Maj-Shtator gatuhen gjellë më të lehta por me ushqime krejt të stinës. Në maj spikatin bishtajoret e njoma të bathës, bizeles, fasules/mashurka; po ashtu liakrat/bimë gjethore sidomos me rritje spontane. Përgatiten tëmotjet/zahiretë (salcëra, turshi, fruta dhe perime të terura).

Tetor-Nëntor, “vjeshta e artë” dhe me kuzhinën më të begatë sepse vjelet rrushi e shumë fruta të tjera si edhe ullinjtë, prodhohen mushti, merikota/pekmezi dhe vera rishtare.

-Tradita dhe zakone gastronomike: Therja e derkut, Festa e rrushit dhe e verës, Zëmi Buten, Festa enogastronomike, Kalevaret/Karnavalet, Triesat e Shën Sepit, Gatim ëmbëlsira për Krishtlindje,

-Dyshja tradicionore ‘Buk e Ver’ = Enogastronomia bashkëkohore, çiftimi i ngrënies së ushqimieve me pirjen e verërave.

-Përdorëse/Çërruga të kuzhinës me emërtime arbëreshe: magje brumi, tavullir ose qastier – qer ose palare ku tëhollen petët, drugë ose shkanatur – petës, kësistër – rashinë për mbrujtje brumi, kësistër – rende grirëse, sitë mielli, shoshë, skanatur ose ferruxë – satër a thikë e madhe, hallkomë – tenxhere bakri e kallajisur, kamastër – vargor/zinxhir që mban enët mbi zjarrin në vatër, kanuçke – kallama të hollë për trajtësimin e petave të rashkatjelve, kudh – kusi me dorezë ose tenxhere me kapak, kuparriq – pjatë e madhe ose tas balte të pjekur, poçe balte të pjekur – vegsh me dorezë, kop ose mishk – lugë druri për përzierje e ndarje gjelle, qelqe – gotë e vogël cilindrike e shkurtër me 10 hulliza pingule jashtë gotës dhe përplot përmban 150 ml verë, skan – tryezë e vogël pune në kuzhinë, shportëz, tigan, tigele – tenxhere, zbrillë – qer i madh që përdoret edhe për ngrënie në piknik etj.

-Gatime me verë, musht, merikotë, rrush të terur (58): në brumëra (bukëza, makarone, mostopitë, mustacuall, petulla, pite), në gjellë me mish ose me peshk, në ëmbëlsira (sidomos Nakatolle, Taralle).

C. Vështrim panoramik për enogastronominë arbëreshe

-Festa dhe Festivale të enogastronomisë (25 të tilla): “Duke venarizuar/Cantinando” (spikatin: “Uda/Udha e Verës”, Sheshi i kantinave 17-19 gusht, enogastronomi dhe art e kulturë), “Festa e Bukëvales” (Shën Sofi e Epirit), “Festa e Droqeve” (Munxhifun 14 gusht), “Festa e Grurit të Ziar/Zier” (gruri përziehet me bathë e qiqra dhe ndreqet me sheqer pluhur, kanellë etj., Pallaci 31 korrik-1 gusht), “Festa e Gjellëve dhe Ëmbëlsirave Arbëreshe” (Zhure qysh më 1997, drekojnë 300 veta: fërgesa, kapkol, supërsatë, kunguj të fërguar, cingul/makarona cilindër, liakra/gjethe bimësh spontane, verdhet-pjata kryesore, ciamaruched-kërminj të pjekur në furrë e shoqëruar me kallinj misri, verë Allëniku i Vulturës), “Festa e Kanojës” (Hora e Arbëreshëvet shkurt-maj, që shquhen ndaj ‘cannoli siciliani’), “Festa popullore Tumac me tulëz” (qysh nga 1997 në Barillë, gatim shumë tradicionor)

-Festa të rrushit dhe të verës (13 të tilla ): ”Festa e vjeljes së rrushit” (shtator-tetor, në shumicën e komunave arbëreshe: demonstrime shtypje rrushi me këmbë dhe shtrydhje të lëvoreve me trokull, përgatitje merikote/pekmezi, ngjërim/degustim verërash, gjellësh dhe ëmbëlsirash arbëreshe, panair, valle popullore, koncerte), “Festa e Shër Mërisë dhe Festa e Verës” (Purçill 15 gusht, rit i mirënjohur edhe në Shqipëri etj.), “Festa e kantinave të hapura” (ngjarja eno-turistike më e rëndësishme në Itali e në tërë komunat arbëreshe), “Konkurs i verërave të prodhimit shtëpiak” (Vakaric - qershor, marrin pjesë edhe venari nga Shqipëria), “Zëmi/Hapmi buten” (në shumicën e komunave arbëreshe, më 6 nëntor-Shën Mërtiri dhe/ose 8 dhjetor-Shër Mëria e Butes), “Këmarin – Hora e verës” (gusht) etj.

-Bukëtore/Furra buke dhe ëmbëlsirash (40 të tilla): “Buk e Ungrës” (Ungër), “Bukë e Përsosur” (Shën Gjergji Ionian), “Buktore Provenzano” (Shën Mitër), “Buktore Karafini” (Hora e Arbëreshëvet).

-Fabrika vaji, sallami, perime dhe fruta të përpunuara (10 të tilla): “Librandi” (220 ha ullishte, prodhon vetëm vaj Bio, eksporton edhe në SHBA), “Madeo” (prodhon-tregton me cikël të plotë: mbarështon derra race vendëse, përpunon sallame, tregton-eksporton).

-Venari/Kantina (45 të tilla ): “Feudi di San Marzano” (880 ha vreshta, 100 mijë hektolitra verë, 70 për qind eksportohet), “Bellusci” (themeluar më 1927, selit 18 ha vreshta), “Ceraudo” (verërat i moshon në 250 voza lisi), “Kantinat e Sheshit” (80 venari shtëpiake, të vendosura në 80 tunele që radhiten deri në pesë kate), “Musto Carmelitano” (selit edhe hardhi 90 vjeçare), “Godino Pietro” (prodhon verërat Pjuhuri/Baruti dhe E Bardha), “Paternoster” (Barillë, venaria arbëreshe më e vjetër, themeluar qysh më 1860, ka eksportuar verë në SHBA qysh më 1898), “Poderi Marini” (vreshta dhe venari model për agro-enoteknologji, prodhon klone hardhish vendëse), “Verëtarë të Pullinit” (1200 ha vreshta të ortakëve, prodhon verërat Haré, Loti etj.), “Xeravuli” (vreshta në 750 m lartësi mbidetare, prodhon verërat Morea, Xeravuli etj.).

-Restorante dhe resorte: Arbëria (Frasnitë), Agora (Çifti), Ceraudo (resort në Marina Strongoli), Kalivja (Shën Sofi e Epirit), Kamastra (Çifti), Oasi del Viale (Ungër).

-Qytete/Hora të verërave (9 të tilla ): Barilli, Çiftit, Frasnita, Karozini, Këmarini, Licani, Mashqiti, San Marcani, Zhura.

-Verëra të etiketuara arbërisht (60 lloje): Coha – Keza – Skola (3 verëra me emërtime pjesësh të veshjeve arbëreshe), Dhjetë, E Bardha, Haré, Gëzuar!, Hora, Gorgá/Gazmore, I Myr/I Mirë, Loti, Majsor/Malësor, Morea, Nysia/Nusja, Pinot e Skanderbekut, Pjuhuri, Principe Giorgio, Sheshi, Shok.

-Verëra me emërtime DOP dhe IGP (19 të tilla ): Aglianico del Vulture (Barillë, Mashqitë, Zhurë), Entellana (Kuntisë), Ciro (vera më e shquar në Kalabri, ku janë 32 Komuna arbëreshe), Gaglioppo (Bazilikatë, Kalabri, Pulje), Haré (Pullin), Primitivo i Mandurës (San Marcan), Verërat e Pullinit (Kalabri) dhe verëra IGP: Hora (Frasnitë), Korone (Shën Mitër), Mantonikoz (Kalabri), Llaka/Lugina e Kratit (Kalabri), Maschito Rosato dhe Maschito Rosso (Mashqitë), Salento dhe Tarantino (San Marcan).

D. Ardhmëri të enogastronomisë arbëreshe

Institucionet që merren me enogastronominë si edhe vet kuzhina shqiptare, duhet të jenë më në krah veprues me kuzhinën arbëreshe, sepse është pjesë e prejardhjes dhe e vijimësisë së gatimeve kombëtare, prandaj:

-Mbështetje hapjes në Shqipëri të restoranteve me gatime arbëreshe, të bukëtoreve dhe pastiçerive arbëreshe, të enotekave arbëreshe.
-Nxitje restoranteve në Shqipëri, për të gatuar gjithashtu gjellë dhe ëmbëlsira arbëreshe.

-Pjesëmarrje më e gjerë dhe e organizuar e kuzhinës dhe verëtarisë shqiptare në festivalet përkatëse që zhvillohen në Arbëri.

-Organizim nga Shoqëri të turizmit në Shqipëri, i grupeve për turizëm enogastronomik në Arbëri.

-Zhvillim në Tiranë “Konkurs verërash shqiptare dhe arbëreshe”, si edhe “Java e gatimeve dhe verërave arbëreshe”.

-Ka ardhur koha për ngritjen e “Muzeu i Verës shqiptare-arbëreshe”, siç funksionon në shumicën e vendeve vreshtare-verëtare.

-Eventi “Reinenting Albanian Cuisine” mund të zhvillohet edhe në Arbëri.

-Kulaçi, ky ushqim tradicionor mbarëshqiptar, mos të mbetet vetëm si gatim shtëpiak, por të gjallojë edhe nëpër restorante, piceri, vetëshërbime në Shqipëri etj.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj të takohemi me edhe më shumë risi, në eventin e II të ”Reinventing Albanian Cuisine”!

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Kuzhina Shqiptare (Tradita)”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest