PERCAKTIMI I KOSTOS EKONOMIKE TE EROZIONIT TE TOKES

User avatar
Prof.As.Dr. Pashk Lekaj
Posts: 3
Joined: 09 Jun 2016, 18:36
Vendodhja: Tiranë
Profesioni: Matematikan dhe Zbatimet e saj
Puna qe ben: Pedagog
Rreth Jush: Diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës: " Matematikë 5-Vjecare", viti 1972.
1983-1984 Specializim pasuniversitar per Matematike ne FSHN
Ka Mbrojt Doktoraturën " Disa Zbatime te Matematikes dhe Informatikes ne Shkencat Pyjore".Ne vitin 2012 merr titullin Profesor i Asociuar.
Autor dhe bashkeautor i tre Librave Universitar.
1998 - 2015 Pedagog i Informatikës dhe Matematikës në UBT.
2015 e ne vazhdim Pedagog ne UMSH.
Ka mbi 20 artikuj shkencor dhe mbi 20 libra per Matematiken dhe Informatiken, si autor dhe bashkeautor per Arsimin Parauniversitar, te Mesem dhe te Larte
Hobi: Informatika,Udhetime Turistike

PERCAKTIMI I KOSTOS EKONOMIKE TE EROZIONIT TE TOKES

Postby Prof.As.Dr. Pashk Lekaj » 20 Jun 2016, 20:54

PERCAKTIMI I KOSTOS EKONOMIKE TE EROZIONIT TE TOKES

Pashk Lekaj1, Ndoc Vata1, Gjon Ndreja2, Fran Gjoka1, Ferdi Brahushi1
1Universiteti Bujqësor i Tiranës
2Universiteti UFO


Abstrakt
Erozioni i tokës është një fenomen i kudondodhur. Në Shqipëri, ai është faktori kryesor i degradimit të tokës. Erozioni i rëndë i tokës lidhet me praktikat e papërshtatshme bujqësore, shpyllëzimin, mbikullotjen, aktivitetet e ndërtimit, etj. Efektet e erozionit të tokës janë ekonomike (reduktimi i kapacitetit prodhues të bujqësisë dhe qëndrueshmërisë së saj) dhe mjedisore (depozitimi i sedimenteve dhe eutrofikimi i ujrave). Ai shkakton efekte të pakthyeshme në tokë si reduktimi i trashësisë së shtresës aktive apo zonës rrënjore. Informacioni mbi shkallën e erozionit të tokës në Shqipëri është mjaft i shpërndarë dhe eksiston vetëm në termat e efektit, duke përfshirë sipërfaqen e tokës së prekur dhe humbjen fizike të tokës. Prandaj, ky studim synon të vlerësojë koston ekonomike të erozionit të tokës bujqësore. Për këtë është përdorur metoda e kostos së rikthimit, e cila i referohet humbjes së ushqyesve të bimëve nëpërmjet erozionit. Rezultatet treguan se erozioni i tokës shkakton një humbje mesatare vjetore prej 20-70 ton/ha, duke kaluar 2-7 herë ritmin mesatar të erozionit të tokës në Europë. Humbja vjetore e lëndëve ushqyese të bimëve (azot, fosfor, potas) nga toka bujqësore nëpërmjet erozionit llogaritet në 42671 ton, e barabartë me 86% të totalit të plehrave kimike të përdorura. Kostoja vjetore e erozioni të tokës bujqësore është së paku 60 milion US$ ose 86 US$ për ha. Kjo kosto duhet të konsiderohet nga institucionet përgjegjëse për përmirësimin e produktivitetit bujqësor dhe ruajtjen e resurseve tokësore në Shqipëri.
Fjalë kyçe: tokë bujqësore, erozion i tokës, ushyqesit e bimëve, kosto e rikthimit

Abstract
Soil erosion is a widespread phenomenon. In Albania, it is the main factor of land degradation. Severe soil erosion is associated with inappropriate agricultural practices, deforestation, overgrazing, construction activities, etc. Effects of erosion are economic (reduction of productive capacity of agriculture and its sustainability) and environmental (sedimentation and eutrophication of waters). It causes irreversible effects on the soil as reducing the thickness of active layer or root zone. Information about the phenomenon of soil erosion in Albania is rather scattered and exist only in terms of effect, including land area affected and the physical loss of soil. Therefore, this study aims to estimate the economic cost of erosion of agricultural soil. For this the replacement cost approach is used, which refers to the loss of plant nutrients by soil erosion. Results showed that soil erosion causes an annual average loss of 20-70 tons /ha, exceeding 2-7 times the average soil erosion rate in Europe. The annual loss of plant nutrients (nitrogen, phosphorus, potassium) from agricultural land through soil erosion is estimated at 42,671 tons, equal to 86% of the total fertilizers used. The annual cost of erosion of agricultural land is at least 60 million U.S. $ or U.S. $ 86 per ha. This cost should be considered by institutions responsible for improving agricultural productivity and conservation of land resources in Albania.
Keywords: agricultural land, soil erosion, plant nutrients, replacement cost

Hyrje
Bujqësia dhe industria me bazë bujqësinë janë burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave në Shqipëri. Prandaj, toka si kapitali fizik kryesor i bujqësisë është kruciale për të ardhmen e ekonomisë kombëtare. Sipas statistikave zyrtare (MBUMK, 2011), sipërfaqja e tokës bujqësore është 696000 ha ose afro 24% e sipërfaqes totale. Por toka produktive përbën vetëm 73% të tokës bujqësore dhe pjesa tjetër janë toka me faktorë kufizues për prodhimin bimor (Gjoka & Cara 2003).
Gjatë dekadës së fundit, ekonomia shqiptare është rritur relativisht shpejt dhe ndoshta proporcionalisht me këtë është shtuar degradimi i tokës dhe mjedisit në tërësi. Rritja ekonomike nga mbishfrytëzimi apo shkatërrimi i burimeve natyrore është e paqëndrueshme në terma afatgjatë. Ulja e rritjes ekonomike vitet e fundit, përveç të tjerash, e dëshmon këtë. Sidoqoftë, kjo ende nuk është analizuar dhe për më tepër nuk ka krijuar një debat.
Toka bujqësore në Shqipëri është e pakët, ajo llogaritet në rreth 0.2 ha/banor (Gjoka, et al. 1998). Ky tregues është më i vogël se në vendet e BE dhe ka tendencë rënie si pasojë e paksimit të tokës bujqësore nga shtimi i përdorimit jo produktiv të saj. Dy dekadat e fundit, toka bujqësore është pakësuar me 18% (Gjoka, et al., 2010). Për më tepër, nuk ka mundësi të dukshme për zgjerimin e limitit fizik të saj në të ardhmen e afërt. Në këtë kontekst, degradimi i gjithëformshëm i tokës bujqësore duket të ketë implikime të rëndësishme social-ekonomike dhe mjedisore, sidomos në zonat e varfëra.
Erozioni i tokës është një kërcënim serioz për kapacitetin prodhues të bujqësisë dhe qëndrueshmërinë e saj. Efektet kryesore ekonomike të tij konsistojnë në:
- Reduktimin e pjellorisë së tokës nëpërmjet largimit të shtresës së punueshme të pasur në humus dhe elemente ushqyese për bimët, reduktimit të trashësisë së zonës rrënjore dhe sasisë së ujit që mund të akumulohet, dhe pakësimit të infiltrimit të ujit në tokë.
- Rritjen e kostos së prodhimit nga humbja e farërave, fidanëve, plehrave dhe pesticideve, përsëritja e operacioneve fushore, dëmtimi i bimëve të reja nga erozioni eror, kultivimet shtesë për të niveluar sipërfaqet e gërryera dhe rritja e konsumit të karburantit nga operacionet fushore më të vështira.
Erozioni i tokës ka edhe efekte mjedisore që lidhen me sedimentimin dhe eutrofikimin e ujrave. Erozioni ka prekur në veçanti tokat në pjesën verilindore dhe juglindore të vendit, por ai është i rëndësishëm në pjesën më të madhe të territorit. Shkaqet kryesore të erozionit janë terreni i pjerrët (mbi 2/3 e territorit të vendit), reshjet e shumta dhe intensive (mesatarisht 1400 mm, 80% e të cilëve në periudhën Tetor-Prill), bimësia natyrale e rrallë, ndjeshmëria e tokës (toka të cekëta, të ngjeshura, me pak lëndë organike). Erozioni i përshpejtuar shkaktohet nga praktikat e papërshtatshme të përdorimit të tokës (teknikat e punimit, ujitjes), shpyllwzimet, mbikullotja, aktivitetet e ndërtimit, etj.
Studimet e mëparshme tregojnë se sipërfaqja e tokës bujqësore ku erozioni është faktor kufizues për zhvillimin e qëndrueshëm është afro 350.000 ha ose mbi 50% e sipërfaqes totale dhe humbja vjetore e tokës është 20-70 t/ha (World Bank, 2007). Kjo humbje kalon mesatarisht 20-70 herë ritmin vjetor të formimit të tokës i cili llogaritet afërsisht 1 ton/ha/vit (Ecologic Institute and SERI. 2010), dhe 2-7 herë ritmin mesatar të erozionit në Europë.
Ndonëse është një kërcënim serioz për pjellorinë e tokës dhe produktivitetin bujqësor në Shqipëri, erozioni nuk ka marrë vëmendjen e duhur kombëtare. Përveç të tjerash, ai rezulton në largimin selektiv të ushqyesve të bimëve (azot, fosfor, potas) në sasi të konsiderueshme që llogaritet të paktën 42671 ton/vit, duke reduktuar pjellorinë e tokës dhe rrjedhimisht produktivitetin. Zëvendësimi i ushqyesve të humbur mund të bëhet nëpërmjet aplikimit të plehrave komerciale të shtrenjtë. Nëse do të zbatohej në praktikë, kjo do të rriste së tepërmi koston e prodhimit në bujqësi.
Përveç erozionit, toka bujqësore është prekur nga ndotja me metale të rënda si pasojë e përdorimit të ujit të ndotur për ujitje (Gjoka, et al., 2010), përdorimit të pesticideve (Cullaj et al., 1996) dhe nivelit natyral të lartë të këtyre elementeve në tokë (Gjoka, et al., 2011). Ajo gjithashtu është prekur nga kripëzimi, përmbytja, rrëshqitja, artificializimi, depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve, etj. (James G. Bockheim, 2001). Këto rreziqe të tokës bujqësore ende nuk janë vlerësuar si duhet, duke përfshirë erozionin si faktori më i rëndësishëm i degradimit të saj. Prandaj, ky studim synon të vlerësojë koston e erozionit të tokës bujqësore në shkallë vendi.

Metodologjia
Kostoja e erozionit përcaktohet më tepër nga efektet ekonomike të humbjes së tokës sesa nga sasia fizike e tokës së humbur. Për vlerësimin e kostos së erozionit eksistojnë disa metoda (Eswaran, et al. 2001). Në këtë studim është përdorur metoda e kostos së zëvendësimit të ushqyesve të bimëve nëpërmjet plehrave kimike. Kjo për shkak të përshatshmërisë së të dhënave të disponueshme mbi efektin e erozionit në tokë dhe besueshmërisë së statistikave të përdorimit të plehrave kimike.
Kostoja e erozionit (KE) është llogaritur me formulën e mëposhtme.
(1) KE= HU*VU
Ku: HU = Humbja e ushqyesve të bimëve (ton)
VU = Çmimi i tregut për ushqyesit e bimëve (US$/ton).
(2) VU = VP/PU
Ku: VP = Çmimi i tregut për plehun kimik (US$/ton).
PU = përmbajtja e ushqyesve në 1 ton pleh kimik (ton)
Të dhënat mbi përdorimin e tokës dhe burimeve të tjera bazë (bimë, kafshë, kimikate bujqësore) si edhe ato mbi shkallën e degradimit të tokës janë nxjerrë nga Vjetari Statistikor i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK, 2010), website i Bankës Botërore (2009), raportet shkencore të Institutit të Studimit të Tokave (1990), revistat shkencore, dhe studime të tjera shkencore të tokave të Shqipërisë.
Për të ekzaminuar në thellësi gjendjen aktuale të resurseve bazë të bujqësisë dhe impaktet e degradimit të tokës është përdorur analiza cilësore e të dhënave.

Rezultatet dhe diskutimi

Intensifikimi i praktikave bujqësore
Intensifikimi i bujqësisë ka dy aspekte kryesore, ndryshimin e strukturës së përdorimit të tokës dhe shtimin e konsumit të inputeve bujqësore. Ky intensifikim ka rritur erozionin e tokës, duke ulur produktivitetin bujqësor dhe cilësinë e mjedisit. Në periudhën 1950-1990, sipërfaqja e tokës bujqësore është rritur me afro 1.8 herë nga fondi i tokave pyjore, kullotave dhe ligatinave, duke mos respektuar kriteret ekologjike. Një fenomen i ngjashëm ka ndodhur edhe në vënde të tjera të rajonit dhe më gjerë (Alain L. Ange, 1994), si pasojë e rritjes së kërkesës për ushqim dhe fibra.
Për shkaqe të njohura, pjesa kryesore e burimeve tokësore është e pa përshtatshme për bujqësinë. Kështu, në 2009, në sipërfaqen totale prej 2.875 milion ha, toka bujqësore zinte rreth 696 mijë ha (24%), pyjet 1.041 milion ha (36%), livadhet dhe kullotat 426 mijë ha (15%), dhe infrastruktura, etj. 712 mijë ha (25%) (Fig. 1). Nga ana tjetër, një pjesë e rëndësishme e tokës bujqësore (rreth 27%) konsiderohet problemore për prodhimin bimor për shkak të faktorëve kufizues si aciditeti dhe kripësia e lartë, karakteri gurishtor apo ranor, raporti i zhdrejtë Ca/Mg (IST, 1990; Gjoka & Cara, 2003).

Dinamika sipas klases se perdorimit.png
Dinamika sipas klases se perdorimit.png (22.95 KiB) Viewed 45915 times

Përdorimi i plehrave kimike në Shqipëri është më e ulët se në vendet e tjera të rajonit dhe të Evropës. Niveli i përdorimit të plehrave në 2009 arriti në rreth 135 kg lëndë aktive/ha të tokës bujqësore, kundrejt 150,4 kg/ha në vitin 1990. Përdorimi i pesticideve në 2009 ishte rreth 232 ton, me një mesatare prej 0,54 kg/ha të tokës bujqësore. Pjesa më e madhe e pesticideve është përdorur në grurë, misër, prodhimin e perimeve, etj.
Në sektorin e blegtorisë mbarështohet gjedhi, të imtat, shpendët dhe derrat (gjedhi dhe shpendët në zonat e ulëta, të imtat në zonat malore). Numri i përgjithshëm i kafshëve në 2009 arriti në 3.45 milion krerë ose 1.06 milion njësi gjedhi, me një dendësi mesatare prej 1.52 njësi gjedhi/ha. Kjo tregon se ka një presion relativisht të lartë të gjësë së gjallë mbi tokën bujqësore.

Shtrirja e erozionit dhe formave të tjera të degradimit
Toka bujqësore në Shqipëri është prekur nga erozioni dhe format e tjera të degradimit në shkallë të konsiderueshme (Tab. 1). Në disa zona veprojnë më shumë se një faktor degradues si erozioni, acidifikimi dhe ndotja (zonat pranë siteve industriale), kripëzimi, moçalizimi dhe erozioni (zonat bregdetare), artificializimi, depozitimi i mbetjeve dhe erozioni (zonat periurbane), etj. Kjo jo vetëm vështirëson paraqitjen e problemit të degradimit por edhe amplifikon efektet e tij në produktivitetin e tokës, të cilat ende nuk janë vlërësuar si duhet.

Shkaqet e degradimit te tokes.png
Shkaqet e degradimit te tokes.png (18.85 KiB) Viewed 45915 times


Kostoja e erozionit të tokës
Degradimi i tokës nga erozioni në Shqipëri është vlerësuar në termat e efektit. Kështu, ekzistojnë të dhëna të disponueshme mbi shtrirjen dhe impakin e erozionit në shkallë vendi dhe për rajone të veçanta (MBUMK, 2010. The World Bank, 2007). Analiza e mëposhtme synon të përcaktoj koston e drejtpërdrejtë të degradimit të tokës nga erozioni ujor si procesi kryesor degradues, duke përdorur metodën e kostos së rikthimit (Tabela 2, Fig. 2).

Humbja nga Erozioni.png
Humbja nga Erozioni.png (35.65 KiB) Viewed 45915 times

Fig. 2. Humbja e azotit, fosforit dhe potasit nga erozioni dhe ekuivalentet e tyre në plehra kimike
Llogaritjet për tokën bujqësore japin një humbje vjetore të ushqyesve të bimëve nga erozioni ujor prej të paktën 42671 ton, nga të cilët 24245 ton azot, 14547 ton fosfor; 3879 ton potas. Kjo humbje është ekuivalente me afro 86% të totalit të plehrave kimike të përdorura në vend. Një shifër e tillë është mjaft e lartë dhe tregon, përveç të tjerave, një rrezik potencial të lartë për prishjen e cilësisë së ujrave ku këto lëndë akumulohen. Në 2009, plehrat kimike të përdorura në Shqipëri ishin 49717 ton elemente ushqyese. Kjo do të thotë se Shqipëria do të duhet të rrisë përdorimin e plehrave kimike me këtë sasi çdo vit vetëm për të zëvendësuar ushqyesit e humbur nëpërmjet erozionit. Nëse humbjes nga erozioni do ti shtonim edhe eksportin e ushqyesve nëpërmjet prodhimit, atëhere ka shumë mundësi që bilanci i lëndëve ushqyese në tokë të jetë negativ.
Duke marrë në konsideratë sasinë e çdo ushqyesi që humbet nga erozioni (ton), çmimin e tregut për plehun kimik respektiv (US$/ton) dhe përmbajtjen e ushqyesit në plehun kimik (ton ushqyes/ton pleh kimik) është llogaritur kostoja e erozionit e cila rezultoi në afro 60 milion US $ në vit ose 86 US $ për ha të tokës bujqësore.

Konkluzione
Rezultatet e këtij studimi treguan se erozioni i tokës, përveç efeketeve të rëndësishme në humbjen fizike të tokës, ka një kosto të lartë ekonomike dhe mjedisore. Kostoja e llogaritur e tij është afro 60 milion US $ në vit ose 86 US $ për ha të tokës bujqësore. Këtë kosto fermeret Shqiptarë e paguajnë çdo vit në trajtën e plehrave kimike që përdorin. Sasia e këtyre plehrave që shkon për kthimin e ushqyesve që humbasin nga erozioni është 148338 ton/vit ose 86% e totalit të përdorur. Me këtë ndoshta lidhet produktiviteti bujqësor i ulët dhe rrjedhimisht shkalla e ulët e vet-suficiences për shumicën e produkteve ushqimore në vend. Një humbje e tillë sugjeron një bilanc negativ të lëndëve ushqyese në tokë, pra një varfërim absolut të tokës dhe reduktim të produktivitetit të saj. Prandaj, institucionet që punojnë për përmirësimin e produktivitetit bujqësor dhe ruajtjen e burimeve natyrore në Shqipëri duhet të konsiderojnë koston që shkaktohet nga erozioni. Kjo është përpjekja e parë për përcaktimin e kostos ekonomike të erozionit në Shqipëri që do të thellohet më tej me aplikimin e metodave alternative të vlerësimit, duke përfshirë edhe koston mjedisore.

Literatura
Alain L. Ange, 1994. Integrated plant nutrition systems in European agriculture. In: Proc. Int. Sem. Contribution of Organic Agriculture to Sustainable Rural Development in Central and Eastern. Darko Znaor (ed.), pp. 71- 93.
Cullaj et.al.1996. Analytical investigation of soils from a tree plantation in southeast of Albania, Paper held in the Scientific Symposium: Soil Resources of Albania, Tirana.
Ecologic Institute and SERI. 2010. Establishing an environmental sustainability threshold on water quality, Fact Sheet, October 2010.
Eswaran H., Lal R., Reich P. F. 2001. Land Degradation: An overview. In: Bridges, E.M., I.D. Hannam, L.R. Oldeman, F.W.T. Pening de Vries, S.J. Scherr, and S. Sompatpanit (eds.). Responses to Land Degradation. Proc. 2nd. International Conference on Land Degradation and Desertification, Khon Kaen, Thailand. Oxford Press, New Delhi, India.
Gjoka, F., Felix-Henningsen, P., Wegener, H-R, Salillari, I., Beqiraj, A. 2011. Heavy metals in soils from Tirana (Albania). Environ Monit Assess (2011) 172:517–527. DOI 10.1007/s10661-010-1351-5
Gjoka, F., Tabaku, V., Salillari, I., Felix-Henningsen, P., Duering, R-A. 2010. Heavy Metals In Sediments From The Fani And Mati Rivers (Albania). Carpathian Journal of Earth and Environmental Sciences, October 2010, Vol. 5, No. 2, p. 153 – 160.
Gjoka, F., Naqellari, A., Ndreja, Gj. 2010. Bujqësia si prioritet në kushtet e shoqërisë së hapur, informacionit dhe teknologjisë. Euromediterranea, Nr. 1: 67-74.
Gjoka F., Cara K. 2003. Tokat e Shqipërisë: Monografi. Tiranë. 129-234.
Gjoka, F., Marku, V., Cara, K. 1998. Impact of agriculture intensification on the natural resources in Albania. Balkan Ecology, Vol. 2, Nr. 2: 17-22. Sofie-Bulgaria.
Instituti i Studimit të Tokave, 1990. Raport i Studimit Pedologjik, Cikli III-te.
James G. Bockheim. 2001. Action Plan for Protecting Albania’s Natural Resources. This report was originally submitted to Terra Institute, Ltd., as a report for the Land Markets in Albania Project (LMAP), in March 1995. http://www.actionplan_bockheim.pdf.
MBUMK, 2010. Vjetari Staitistikor 2010.
The World Bank, 2007. Integrating Environment into Agriculture and Forestry Progress and Prospects in Eastern Europe and Central Asia Volume II ALBANIA Country Review November 2007. (http://www.world-bank.org/eca/environmentintegration

.
.
.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Pedagogët dhe Specialistët e Bujqësisë”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest