A ushqehemi me çfare hame? Mbi ristrukturimin e sistemit bujqësor në Shqipëri për një produkt të shëndetshëm
- Prof. Kristaq Sini
- Posts: 19
- Joined: 23 May 2016, 11:17
- Vendodhja: Universiteti Bujqësor i Tiranës
Tiranë - Profesioni: Pedagog, Doktor i Shkencave (PhD), Titulli: Prof. Dr
- Puna qe ben: Lektor në: Mikrobiologjia Ushqimore dhe Higjiena,Mikrobiologjia e Verës, Bioteknologjia Ushqimore, Bioteknologjia e Fermentimeve,
- Rreth Jush: Diplomuar në UBT: " Agonom i Përgjithshëm", viti 1981. Emëruar në të njëjtin vit në Institutin e Studimit të Tokave, në sektorin e Mikrobiologjisë.
1985-1989 në Universitetin Bujqësor të Athinës ku mbrojti Doktoraturën në fushën e Mikrobiologjisë dhe Bioteknologjisë.
Nga viti 1996 e në vazhdim, Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Ka mbi 30 artikuj shkencor dhe rreth 40 pjesëmarrje në konferenca brënda dhe jashtë vëndit.
A ushqehemi me çfare hame? Mbi ristrukturimin e sistemit bujqësor në Shqipëri për një produkt të shëndetshëm
A ushqehemi me çfarë hamë?
Mbi ristrukturimin e sistemit bujqësor në Shqipëri për një produkt të shëndetshëm
Prof.Dr. Kristaq Sini
A ushqehemi me çfarë hamë? Pyetje në dukje e çuditëshme, por që mund t'i përgjigjemi me një fakt: Për të marë vlerat ushqyese të një molle të viteve 50-të, sot duhet të hamë 50 kokrra mollë! Ky është një nga konstatimet e qendrave të ndryshme kërkimore-shkencore në vendet e zhvilluara dhe arsyeja se pse këto qendra po i bien këmbanave të alarmit për praktikat aktuale të "ushqimit" dhe trajtimit të bimëve dhe kafshëve.
Nga ana tjetër, injorimit të kërkesave për ushqim të shëndetshëm, i është shtuar edhe etja fitimprurëse e tregtisë ushqimore. Në kuadrin e një tregtie globale, ku frutat dhe perimet përshkojnë mijëra kilometra për të arritur te konsumatori, praktikat e reja janë bërë "shkencërisht" të legalizuara. Mirëpo produkte të bukur dhe në pamje të parë të pjekur, rezultojnë shpesh të papjekur dhe të zmadhuar artificialisht me hormone rritës dhe nxitës artificialë të pjekjes. Prandaj, produktet e viteve '50, më të vegjël por më të shijshëm, në shumicën e rasteve kanë pasur vlera shëndetësore më të larta sesa produktet e sotme, pasi elementët ushqyes, makro dhe mikroelementët, ishin në sasinë dhe raportet e duhura.
Të kthehemi pas në vitet '50? Jo! Por ne nuk mund të mos shtrojmë sot pyetje për shkaqet e këtij ndryshimi kolosal dhe pasojat e tij në shëndetin tonë dhe, nëse mundemi, të korrigjojmë e përmirësojmë!
Një qendër për tokën dhe ujin!
William A. Albrecht, që citohet nga prof. Aleko Xoxa në librin "Dimë të hamë a dimë të ushqehemi" (1973), e krahason jetën, të gjitha format e saj, me një piramidë. Ndër të tjera ai thotë: "Ka mundësi që njeriu në majë të piramidës biologjike të jetë larguar aq shumë nga toka, saqë i ka humbur aftësitë për të parë që edhe toka ndërton shëndetin e tij, nëpërmjet ushqimeve që ai ha".
Por nëse toka "ndërton", a mundet toka "të shkatërrojë"? Pra, si ndikon toka në shëndetin e njeriut?
Në një tokë të varfër, bimësia ka mungesa në elementë ushqyes, kurse një tokë pjellore që punohet vazhdimisht, varfërohet nga mikroelementët, sepse bimët ia marrin ato tokës dhe shumë rrallë ia kthejnë. Plehërimi mineral i kthen tokës vetëm disa elementë, – azotin, fosforin, kaliumin, – por i kthen shumë pak, për të mos thënë aspak, mikroelementë. Praktika e plehërimit organik, e cila në përgjithësi i kthen tokës gjithçka që i merr, fatkeqësisht është braktisur!
Varfërimit të tokës me mikroelementë i shtohen përherë e më shumë edhe ndotjet e lidhura me mbetjet e plehrave kimike dhe të pesticideve, të cilat përdoren më shumë në serra se në fushë të hapur, duke mos harruar dhe ndotjet nga industria.
Për ta mbajtur nën vëzhgim nivelin e ndotjeve në tokat tona, jo më larg se 10 vjet më parë ekzistonin institutet e studimit të tokës dhe të ujrave. Në kuadër të ristrukturimit të studimit shkencor në vend, këto institute u suprimuan! Sot, kemi projekte pa fund, shoqata pa fund që financohen nga të tretë, kemi qendra metereologjike ushtarake dhe civile, por nuk kemi një qendër të vetme të monitorimit të tokës dhe të ujrave! Nëse një qendër e tillë do të ekzistonte, ajo do të duhet të ndiqte së pari ndotjen e tokës në afërsi të zonave industriale, në serra ku përdoren sasi të mëdha të kimikateve bujqësore, por edhe do të monitoronte ujrat nëntokësore, kryesisht aty ku serrat dhe industria janë pranë qendrave të banuara. Një funksion tjetër shumë i rendësishëm do të ishte, sipas kërkesës nga fermerët, analiza e treguesve kryesorë të pjellorisë së tokës për llogaritjen e sasisë së plehrimit për rendimentin e pritshëm. Një qendër e tillë duhet të ekzistojë, sepse ka të bëjë me interesa kombëtare! Megjithatë, ajo do të siguronte monitorimin e treguesve të tokës, por jo parandalimin e ndotjes. Po nuk ekzistoi sistemi i duhur i trajtimit dhe i parandalimit të ndotjes së tokës, kjo qendër vetëm do të konstatojë, ndoshta edhe me vonesë.
Si konkluzion, produktet e sotme bujqësore vuajnë nga mungesa e vlerave ushqimore që toka i ka humbur për shkakun tonë. Çështja është se ky potencial i tokës, i reduktuar apo i përkeqësuar, masakrohet edhe nga praktika të tjera të shoqërisë së sotme.
Cikli i pjekjes së produkteve bimore
Që prej disa vitesh domatet, kastravecat, specat, patëllxhanet e serrave shqiptare arrijnë në treg që në janar, shkurt, mars e prill. Gjithashtu, tregu shqiptar furnizohet me luleshtrydhe përgjatë gjithë vitit, furnizohet me shalqi në kohën e qershive, me pjepër në kohën e kumbullave të hershme! Ndërkohë në Fier, një sipërmarrje nga Danimarka mbjell në serra vetëm lloje të ndryshme lakrash, që janë kultura dimërore! Pse danezët nuk mbjellin domate në serrat e tyre në dimër? Sepse domatja është kulturë pranverore dhe mund të mbillet në serra vetëm për të marrë prodhim më të hershëm sesa ai i fushës. Por domatet nuk mund të japin prodhim në dimër, sepse kanë nevojë përveç temperaturës, – e cila mund të sigurohet me mjete artificiale, – edhe për ndriçimin diellor dhe kohëzgjatjen e tij. Danezët nuk mbjellin domate, speca apo patëllxhane në dimër në Shqipëri, sepse këto janë produkte që nuk mund të piqen ne dimër! Por që domatet e dimrit të kenë madhësinë dhe pamjen e pjekur të domateve që vilen në verë, përdoren hormone dhe nxitës artificialë të pjekjes! Kështu që ndotjeve të tokës nga përdorimi i kimikateve, të reflektuara tek bimët, i shtohen edhe ndotjet e lidhura me përdorimin e hormoneve dhe të nxitësve artificialë të pjekjes.
Mikrobet dhe krimbat, natyrshëm, nuk mund ta konsumojnë një frut të papjekur, kurse ne, njerëzit, i konsumojmë. Por, një produkt i papjekur nuk duhet konsumuar! Natyra u ka krijuar bimëve mekanizma mbrojtës që të sigurojë ekzistencën dhe vazhdimësinë e llojit. Disa nga këta mekanizma përfshijnë praninë, në frutat e papjekura, të përbërësve toksikë. Po ashtu, frutat e papjekura përbëjnë një ushqim të papërshtatshëm për kërkesat ushqyese që ka piramida biologjike, mikrobet, insektet, krimbat dhe, tek e fundit, vetë njeriu. "Ushqim i papërshtatshëm" do të thotë që këto produkte bimore të mos përmbajnë në sasinë dhe formën e duhur lëndët bazë të ushqimit që janë proteinat, karbohidratet dhe yndyrnat, por edhe të kenë pamjaftueshmëri të vitaminave dhe elementëve mineralë. Të marra së bashku, këto dy mekanizma mundësojnë arritjen e pjekurisë së një fruti, me pasojat pozitive për konsumatorin dhe natyrën: evitohen intoksikacionet, sigurohen vlera ushqimore cilësore dhe bëhet e mundur që farat të kenë maturinë e domosdoshme që të mbijnë dhe të sigurojnë vazhdimësinë e llojit.
Pra, mungesa dhe pamjaftueshmëria e vitaminave, mikroelementëve dhe e elementëve ushqyes në përgjithësi, vjen nga varfëria e tokës, të cilën e shkaktojmë nga padija, ose, shpesh, edhe për shkak të praktikave "shkencërisht" të legalizuara. Por në ushqim ka një ndikim të madh edhe industria e rafinimit, përpunimit të produkteve ushqimore dhe gatimi "modern", që shpesh eliminon dhe/ose tjetërson një pjesë të elementëve ushqimorë të domosdoshëm për jetën.
Ushqimi dhe shëndeti...
Le të shohim ndikimin e (keq)ushqimit në organizëm: Pranohet nga çdo mjek se, që të diagnostikohet një sëmundje, duhet të kenë kaluar disa vjet nga fillimi i saj. Kështu ndodh me arterosklerozën, sëmundjet e zemrës, artritet, reumatizmën, alergjitë, obezitetin, kancerin, etj. Por sëmundjet kanë një lidhje me ushqimin. Edhe qytetarët pa informacion në fushën e mjekësisë, ndoshta pa dijeninë e tyre, shprehin lidhjen e ushqimit me shëndetin me fjalet: "varet nga metabolizmi". Por të paktë janë ata, madje dhe një pjesë e mjekëve, që e kanë të qartë kuptimin e saktë të këtij togfjalëshi.
"Metabolizëm" do të thotë ndërshkëmbim. Në kuptimin e plotë, metabolizmi është shkëmbimi i lëndës dhe i energjisë mes ambjentit dhe organizmit, nga njëra anë, dhe shndërrimi i lëndës dhe i energjisë brenda organizmit nëpërmjet një tërësie të reaksioneve enzimatike, nga ana tjetër. Ky metabolizëm përcaktohet nga ADN-ja, geni i organizmit të çdo qënie të gjallë. Çdo njeri, siç ka tipare, sy, veshë, hundë, etj., të cilat e dallojnë edhe brenda familjes së tij, po ashtu ka edhe veçoritë e tij metabolike. Prandaj ekziston shprehja "varet nga metabolizmi". Pra, organizmi i gjallë merr nga ambienti lëndët e nevojshme - oksigjen, ujë dhe ushqim - i transformon ato për nevojat e veta jetësore dhe i kthen ambientit mbeturinat, jo vetëm të panevojshme për të, por edhe të rrezikshme për vazhdimësinë e jetës. Kur ushqimi i marrë nga ambjenti, si në formën bimore ashtu edhe në atë shtazore, përmban mbetje kimike të dëmshme, këto të fundit futen në reaksionet enzimatike të metabolizmit të njeriut, duke shkaktuar devijime të tij me pasojë sëmundje të ndryshme, ose depozitohen në organizëm, duke pasur si pasojë përsëri sëmundje me emërtime të ndryshme. Vetë fakti që, pas diagnostikimit të sëmundjes, mjeku fillon të hartojë listën e ushqimeve që nuk duhet të konsumohen, tregon se një nga faktorët kryesorë për mbarëvajtjen e shëndetit të njeriut është ushqimi!
Gabimit që bëjmë sa jemi të rinj, duke thënë se "unë ha çfarë të dua dhe ndjehem mirë", mund t'i kundërpërgjigjemi me një analogji që është më e kuptueshme nga masa e gjerë: Motori i një autoveture të re nuk e ndjen, në dukje, cilësinë e keqe të karburantit. Por, dihet se "shëndeti" i motorit bie apo "plaket" shumë më shpejt kur djeg karburant të cilësisë së dobët! Dhe të mos harrojmë se lënda djegëse tek motori i makinës shërben vetëm për energji, kurse tek organizmi i njeriut elementët ushqimorë (proteina, karbohidrate, yndyrna) shërbejnë jo vetem për të furnizuar energji, por edhe si lëndë ndërtuese e indeve trupore. Por që të kryhet funksioni i ndërtimit, është e domosdoshme prania në ushqim e sasive të caktuara të vitaminave dhe elementeve minerale në formën organike.
Në shekujt e kaluar mungesa e vitaminave dhe e mineraleve ka shkaktuar viktima që mund t'ia kalojnë edhe atyre të shkaktuara nga kolera apo murtaja. Sigurisht që sot nuk bëhet fjalë për mungesë, por për pamjaftueshmëri të tyre. Përshembull, mungesa e vitaminës B1 ishte shkaktari i sëmundjes së tmerrshm BeriBeri, por pamjaftueshmëria e saj sot mund të shkaktojë çrregullime psikike (qëndrim agresiv, acarim, ndruajtje, paaftësi për të përfunduar një punë). Pamjaftueshmëria e vitaminës B2 shpie në ngadalësimin e rritjes dhe të shtimit në peshë të fëmijës. Kurse pamjaftueshmeria e vitaminës PP shoqërohet me lodhje, dobësi, irritim nervor, pagjumësi dhe sidomos, me dëmtime të lëkurës. Kur vitamina A është në sasi të pamjaftueshme, shfaqet "qorrimi i muzgut": në muzg dhe në dritë të dobët, njeriu nuk sheh qartë. Pamjaftueshmëria e vitaminës C shoqërohet me lodhje të shpejtë, gjakosje të mishit të dhëmbëve kur i lajmë; ajo quhet edhe "anemia e pranverës" apo edhe "anemia e beqarëve" (që presupozohet se konsumojnë shumë produkte të konservuara). Anemia shkaktohet edhe nga mungesa e hekurit, ndërkohë që prania e bakrit është e domosdoshme që hekuri të futet në përbërje të hemoglobinës. Kobalti, si element i domosdoshëm i vitaminës B12 nevojitet për formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Eshtë vërtetuar se shtesa e manganit në dietë sjell përmirësim të gjendjes shëndetësore të fëmijëve, etj. etj. Dhe, siç shkruante prof. Aleko Xoxa që në 1973, "...pa u ndjerë, pa u dukur, dalëngadalë jeta fillon të brehet. Mungesa e ketyre elementëve gjurmë, vepron mbi organizmin si pika e ujit mbi shkëmbin, që ngadalë e pa u dukur, e bren pa mëshirë".
Shqipëria është në kohë për të korrigjuar gabimet e veta dhe ka një potencial shumë të madh për të siguruar pjesën më të madhe të produkteve të nevojshme ushqimore, në mënyrë të shëndetshme. Por, koha nuk pret! Duhet aplikuar sa më parë një politikë që të nxisë fermerin drejt prodhimeve të sigurta e të shëndetshme, që të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm bujqësor, por edhe financiar për të, dhe që toka të ruajë pjellorinë e saj. Për të arritur këtë objektiv përpara se të jetë tepër vonë, duhen aplikuar një sërë ndryshimesh në politikën tonë bujqësore!
Një strategji për bujqësinë
Praktikat e dëmshme mund të luftohen fillimisht nga një strategji, – që mbetet për t'u hartuar, – në të cilën furnizimi me produkte sa më të shëndetshëm, duhet të jetë qëllimi kryesor për zhvillimin e sistemit tonë bujqësor.
Në fakt Ministria e Bujqësisë, e cila, që prej riformatimit të qeverisë së re në shtator 2013 merret edhe me zhvillimin rural dhe administrimin e ujërave (MBZHRAU), ka punuar nga tetori 2012 deri në prill 2013 për një "Strategji ndërsektoriale të zhvillimit rural dhe bujqësor", e miratuar në tetor 2014. Kjo strategji ndërsektoriale përbën një program zhvillimi për të gjithë sektorët në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, bazuar në një plan masash për vitet 2014-2020. Në përmbledhjen ekzekutive të saj flitet për përgatitjen e sektorëve të kësaj ministrie për anëtarësimin në BE, për të arritur një përmirësim të qëndrueshëm të konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Por, një strategji ndërsektoriale duhet të jetë e bazuar në strategjitë e çdo sektori, mes të cilëve bujqësia ka peshën më të madhe në zhvillimin rural. Dhe kjo, nëpërmjet prodhimit dhe tregtimit të produktit ushqimor, që duhet të jetë sa më cilësor dhe i shëndetshëm. Këtu, pikërisht te produkti cilësor dhe i shëndetshëm, duhet të bazohet konkurrueshmëria e Shqipërisë.
Faktori kryesor që ndikon në cilësinë e çdo produkti në përgjithësi, dhe atë ushqimor në veçanti, është mënyra ose sistemi i prodhimit. Sistemet kryesore të përdorura në prodhimin bujqësor janë tre: biologjik, i integruar dhe konvencional.
Për vendin tonë, sistemi i prodhimit 100% biologjik, pra "bio", do të ishte utopi, shumë i bukur por ndoshta i parealizueshëm. Sistemi konvencional siguron prodhim të madh, por përdorimi i madh i kimikateve do të jepte nje produkt të pasigurtë për shëndetin. Sistemi i integruar karakterizohet nga ndërthurje e metodave kimike dhe biologjike në kultivimin e bimëve dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtuesit dhe sëmundjet, duke përdorur sasi të reduktuara të kimikateve.
Ristrukturimi i sistemit tonë bujqësor kërkon një strategji të posaçme për bujqësinë, si pjesë e strategjisë ndërsektoriale sakaq ekzistuese (SNZHRB). Një "Strategji për Bujqësinë" bëhet akoma më e domosdoshme në kushtet e ndarjes së re territoriale, ku ndërthuret qyteti me fshatin, fshati me turizmin bregdetar dhe/apo malor.
Strategjia e zhvillimit të Bujqësisë duhet të bazohet në Sistemin e Integruar të Prodhimit Bujqësor dhe në Parimin e Kostos së Krahasuar të Produktit. Qëllimi i kësaj strategjie duhet të jetë plotësimi në rradhë të parë i nevojave të Tregut të brendshëm me produkte të SHENDETSHME dhe eksporti i produkteve bujqesore CILESORE.
Disa nga çështjet ku duhet të përqëndrohet hartimi i Strategjisë janë si më poshtë:
1. Ndarja territoriale e terrenit bujqësor për përcaktimin e produkteve prioritare:
– Ndarja e territorit bujqësor në dy zona të mëdha: zona bujqësore që mbështet turizmin bregdetar dhe malor dhe, zona bujqësore e përgjithëshme, që përfshin pjesën tjetër të territorit.
– Ndarja e secilës zonë bujqësore në nën-zona të ndryshme klimatiko-tokësore dhe përcaktimi i prioriteteve bujqësore dhe blektorale për çdo nën-zonë, bazuar në koston e krahasuar të produkteve përkatëse.
Si duhet realizuar? Specialistët e institucioneve akademike dhe shkencore përkatëse në bashkëpunim me specialistët vendas dhe fermerët, të përcaktojnë hartën e zonave klimatike dhe rajonizimit të kulturave më të përshtatëshme për çdo zonë (zona mund të percaktohet në bazë të njësive administrative të zonës rurale që i përket çdo bashkie me ndarjen e re territoriale). Ekonomistët përcaktojnë renditjen e kulturave sipas kostos, krahasuar me importin. Por krahasimi i kostos duhet të marë parasysh edhe cilësinë e produkteve dhe traditat shumëvjeçare të fermerëve të zonave përkatëse. Në këtë mënyrë përcaktohet Harta Bujqësore e Shqipërisë me renditje të caktuar të kulturave bujqësore dhe llojit të bagëtisë sipas zonave të ndryshme klimatiko-tokësore. Duhet të theksoj këtu se kjo Hartë nuk duhet të detyrojë fermerin, por ta nxisë të prodhojë sipas prioritetit të kulturave në bazë të kontratave të prodhimit dhe të shitjes së produktit. Nga ana tjetër, Enti i Farave duhet të riorganizohet dhe fuqizohet në mënyrë që të bëhet mbështetëse e fermerëve me fara, fidanë e lloje të vendit. Këto të prodhohen nga një sipërmarje private, veprimtarinë e së cilës duhet ta kontrollojë vetë Enti i Farave.
2. Kontrolli i prodhimit bujqësor dhe blektoral.
Mbi të gjitha, aplikimi me efikasitet të plotë i strategjisë së propozur kërkon:
– Riorganizimin e Drejtorive aktuale të Bujqësisë. Drejtoritë e Bujqësisë janë në varësi të Ministrisë të Bujqësisë. Organizimi i Drejtorive Rajonale të AKU-së (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) suprimoi mbrojtjen e bimëve dhe të kafshëve nga drejtoritë aktuale të bujqësisë dhe nga laboratorët e tyre, duke i atrofizuar laboratorët. Ushqimi i shëndetshëm dhe i sigurtë bimor dhe shtazor kërkon që agronomi dhe veterineri të bëjnë punën e tyre në fushë dhe në stallë deri në dorëzimin e këtij prodhimi në Pikat apo Qendrat e Grumbullimit, në treg apo në industritë përkatëse të përpunimit. Këtu fillon kontrolli i këtij prodhimi nga AKU, duke mbaruar në treg dhe në qendrat e përgatitjes së ushqimeve (industritë ushqimore, restorante, mensa, etj). Mendoj se me ndarjen e re territoriale, Drejtoritë e Bujqësisë duhet të jenë në varësi të Bashkive të sotme. Me ndërmjetësine e Drejtorive të Bujqësisë dhe hallkave të tjera në varësi të saj, Bashkia duhet të sigurojnë një produkt të shëndetshëm duke zbatuar politikat dhe ligjshmërinë e hartuar nga Ministria e Bujqësisë në përputhje me standardet e Bashkimit europian, ku aspirojmë të anëtarësohemi, ashtu siç theksohet edhe në Strategjinë ndërsektoriale sakaq ekzistuese. Kurse kontrolli i produktit me anë të AKU-së mund të ishtë më mire nën një varësi të plotë të Kryeministrisë dhe jo të Ministrisë të Bujqësisë siç është sot. Aktualisht Ministria e Bujqësisë është përgjegjëse për prodhimin dhe kontrollin e produkteve, pra, kontrollon vetveten!
– Riaktivizimin dhe krijimin e një kontigjenti specialistësh kompetentë. Kontrolli i prodhimit bujqësor dhe blektoral kërkon specialistë kompetentë dhe të përgjegjshëm që të sigurojnë prodhimin e produkteve, sipas sistemit të integruar të prodhimit. Për këtë duhet ringritur roli i agronomit dhe i veterinerit, duke përcaktuar numrin e tyre, sa agronomë(?), sa veterinerë(?) për sipërfaqe toke të kultivuar dhe/apo për krerë bagëtie për çdo njësi rurale administrative.
Sot flitet – ndoshta është vendosur të bëhet(?!) – që shërbimi veterinar të kryhet nga privatë. Pavarësisht nga mendimi i secilit për këtë aspekt, diskutimi i tij tregon interesim për sektorin e blegtorisë. Praktika të tilla ekzistojnë në vendet e zhvilluara perëndimore, por në to ka edhe një sistem kontrolli të konsoliduar, i cili tek ne nuk ekziston.
Ndërkaq, për shërbimin agronomik, nuk thuhet asgjë! Sidoqoftë, ajo që këta specialistë agronomë dhe veterinerë duhet të bëjnë dhe për të cilat të mbajnë përgjegjësi është këshillimi, asistenca si specialistë, kontrolli i prodhimit dhe vërtetimi i zbatimit të teknologjisë dhe përdorimit të kimikateve, sipas teknologjisë të prodhimit.
Problem sot është edhe mosha e këtyre specialistëve. Specialistë që të kenë punuar direkt në prodhim janë të moshës mbi 55 vjec. Të diplomuarit e pas vitit 1991, (pjesa dërmuese e tyre me banim, para apo pas diplomimit në qytet), jo për faj të tyre nuk e njohin fare fshatin dhe prodhimin bujqësor. Shoqërimi i të dy brezave do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Brezat duhet të mbivendosen që të transmetojnë njohuritë dhe përvojën, ashtu si tjegullat që vendosen njëra mbi tjetrën dhe jo njëra pas tjetrës.
– Nxitjen financiare (subvencionet) për prodhimin. Subvencionet mund dhe duhet të nxisin produkte me interes, por të bazuara në një shpërndarje të përcaktuar nga një skemë e studiuar e qarkullimit bujqësor, që do të krijonte jo vetëm një shpërndarje më të drejtë të tyre, por edhe mbrojtjen e tokës nga kultivimi i përsëritur i të njëjtës kulturë në të njëjtën sipërfaqe. Subvencionet për bujqësinë do të ishin më rentabël nëse përdoren për të rregulluar infrastukturën (rrugë që lidhin prodhimin bujqësor e blektoral me pikat e qendrat e grumbullimit, frigoriferë dhe thertore të kontrolluara), krahas subvencionimit të prodhuesve të veçantë.
3. Krijimi i një rrjeti grumbullimi
Rrjeti i grumbullimit do të duhet të përfshinte pikat e grumbullimit në çdo njësi administrative rurale të bashkive të sotme dhe qendrat e grumbullimit të produkteve bujqësore dhe blektorale në nivel qyteti. Rrjeti i grumbullimit duhet të bazohet në kontratat me fermerët për kulturat e përcaktuara nga strategjia e mësipërme. Këto kontrata, për prodhuesit e vegjël mund të lidhen në njësitë administrative rurale, kurse për prodhuesit e mëdhej mund të lidhen edhe direkt në qendrat e grumbullimit. Për qendrat e grumbullimit të produkteve bimore, fillimisht mund të shfrytëzohen ndërtesat e ish-reparteve ushtarake të braktisura, apo edhe tunelet e ushtrisë anë e mbanë vendit. Kurse për produktin blektoral duhet të ngrihen thertoret publike me frigoriferë, nëpërmjet atyre subvencioneve që janë caktuar për bujqësinë. Ndërkohë, pranë qendrave të grumbullimit, mund të krijohet mundësia e zhvillimit të industrive ushqimore.
4. Tregtimi i produkteve bujqësore
Tregtimi i produkteve është i një rëndësie të madhe. Askund nuk duhet të tregtohen produkte bujqësore pa etiketë dhe pa origjinë malli. Origjina e produktit duhet të jepet nga pikat dhe qendrat e grumbullimit, të cilat duhet të lidhin kontrata me tregun e shitjes me pakicë (në ligjet e aprovuara fjala "etiketë" mund të përpendet 32 herë, por në tregun e perimeve asnjë herë). Sot është fakt i njohur se ambjentet e tregtimit janë më të pakta sesa kërkesa për tregtim. Tregu i shitjes me pakicë mund dhe duhet të organizohet nga bashkitë nëpërmjet tregjeve të përhershme, por edhe të lëvizshme, psh. një here në javë në një rrugë të caktuar për çdo bllok banesash, ku çdo fermer të tregtojë produktet e tij të kontrolluara e të vërtetuara nga etiketa dhe origjina e tij. Madje, tregjet e lëvizëshme për perimet janë më higjienike sesa të përhershmet. Kjo do të ishte një mënyrë formalizimi e tregtisë së produkteve bujqësore dhe do të shërbente për largimin e fshatarëve dhe fermerëve nga trotuarët e rrugëve kryesore, ku tregtojnë në mënyrë të pakontrolluar. Tregu i çertifikuar pa produktin e çertifikuar, të kontrolluar dhe të etiketuar, nuk mund të ekzistojë!
5. Infrastruktura mbështetëse e Strategjisë
Sipas kontratave të lidhura nga pikat dhe qendrat e grumbullimit me fermerët do të përcaktoheshin edhe rrugët prioritare lidhëse të prodhimit me tregun ose me rrjetin rrugor kryesor, që e çon prodhimin në qytet apo zonë turistike. Përveç rrjetit rrugor, një infrastrukturë tjetër shumë e rëndësishme është rrjeti i kanaleve kulluese dhe vaditëse, që mund të ringrihen duke marë përsipër fermeri kanalet e treta, bashkia ose njësia administrative përkatëse kanalet e dyta dhe shteti kanalet e para kulluese. Në këtë mënyrë do të përcaktohej edhe përgjegjësia në raste përmbytjesh. Kjo mund të duket një barrë e rëndë për shtetin e sotëm, por, nëse fillimisht shteti bëhet partner dhe pjesmarrës në investimet e qendrave të grumbullimit nëpërmjet godinave ekzistuese, mjeteve të transportit, subvencioneve për thertoret, etj., atëherë zgjidhja gjendet. Gjithsesi për këtë mendim më të saktë mund të japin ekspertët ekonomistë.
Ky organizim do të nxisë prodhimin kudo, në çdo cep të Shqipërisë, duke siguruar jo vetëm furnizimin e tregut të brendshëm me produkte të kontrolluara dhe të etiketuara që i dihet origjina e prodhimit, por do të nxisë edhe eksportin. Vetëm në këtë mënyrë do të fillonim të flisnim për kontroll dhe siguri të produktit sipas parimit "nga fusha në tavolinë".
Sigurisht, një strategji kërkon mendimin e më shumë se një specialisti. Por nëse për hartimin e saj do të mbidheshin specialistë të fushave te ndryshme, rezultati do të ishte më i plotë dhe më i pjekur. Nëpërmjet një strategjie të tillë shteti do të mund të ushtronte plotësisht rolin e tij rregullues dhe kontrollues, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri. Në këtë mënyrë do t'i ofroheshin popullit produkte bujqësore të shëndetëshme dhe të freskëta, të cilat do të ndikonin për mirë direkt në shëndetin e tij. Nga ana tjetër, turizmi do të ishte më i interesuar për produkte vendase, që do të ofroheshin nga pasuria e ruajtur në Entin e Farave.
Prof. Dr. Kristaq Sini
Pedagog, Fakultetit i Bioteknolgjisë dhe Ushqimit, UBT

Share This
0
0
Loading...
Who is online
Users browsing this forum: No registered users and 1 guest